BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 Shtator f. 36
  • Afroju pleqve për ndihmë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Afroju pleqve për ndihmë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KUR DUHET ‘T’I THËRRASIM PLEQTË’?
  • PSE DUHET TË KËRKOJMË NDIHMËN E PLEQVE?
  • SI NA NDIHMOJNË PLEQTË?
  • PËRGJEGJËSI PERSONALE
  • Pleq—Përgjigjjuni mëkatit me dashuri e mëshirë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Vëllezër—A po synoni të shërbeni si pleq?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Pleq—Ndihmoni ata që janë hequr nga kongregacioni
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Trego mirënjohje për ‘dhuratat në njerëz’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 Shtator f. 36

ARTIKULLI I STUDIMIT 36

KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai

Afroju pleqve për ndihmë

«Le të thërrasë pleqtë e kongregacionit.»—JAK. 5:14.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Pse duhet të kërkojmë ndihmën e pleqve kur kemi nevojë të forcojmë miqësinë me Jehovain.

1. Si e ka treguar Jehovai se i çmon adhuruesit e tij?

JEHOVAI i konsideron të çmuara delet e tij. I ka blerë me gjakun e Jezuit dhe ka caktuar pleqtë e kongregacionit që të kujdesen për kopenë e vet. (Vep. 20:28) Perëndia do që pleqtë t’i trajtojnë me butësi adhuruesit e tij. Nën drejtimin e Krishtit, pleqtë u japin zemër vëllezërve e motrave dhe i mbrojnë nga rreziqet që u kërcënojnë miqësinë me Jehovain.—Isa. 32:1, 2.

2. Kujt i tregon kujdes të veçantë Jehovai? (Ezekieli 34:15, 16)

2 Jehovai merakoset thellë për gjithë adhuruesit e tij, por u tregon kujdes të veçantë atyre që u është dobësuar besimi. Me anë të pleqve, ai i ndihmon që të forcojnë miqësinë me të. (Lexo Ezekielin 34:15, 16.) Gjithsesi, dëshiron që të kërkojmë ndihmë kur kemi nevojë. Ai do që jo vetëm t’i lutemi me zjarr të jetë krah nesh, por edhe t’u afrohemi për ndihmë ‘barinjve e mësuesve’ në kongregacion.—Efes. 4:11, 12.

3. Si mund të nxjerrim dobi të gjithë duke shqyrtuar rolin e pleqve?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë masën që ka marrë Jehovai për të na ndihmuar nëpërmjet pleqve. Do të marrim përgjigjen e këtyre pyetjeve: kur duhet të kërkojmë ndihmën e pleqve? Pse duhet ta bëjmë këtë? Dhe si na vijnë në ndihmë pleqtë? Mbase tani po gëzojmë një marrëdhënie të fortë me Jehovain, por përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na thellojnë vlerësimin për këtë masë dhe mund të na shpëtojnë jetën një ditë.

KUR DUHET ‘T’I THËRRASIM PLEQTË’?

4. Si e dimë se te Jakovi 5:14-16, 19, 20 nuk flitet për dikë që ka një sëmundje të mirëfilltë? (Shih edhe figurat.)

4 Dishepulli Jakov shpjegoi si i përdor Jehovai pleqtë për të na ndihmuar. Ai shkroi: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kongregacionit.» (Lexo Jakovin 5:14-16, 19, 20.) Konteksti tregon se Jakovi nuk po flet për dikë që ka një sëmundje të mirëfilltë. Për shembull, në këto vargje i sëmuri nxitet të thërrasë pleqtë, jo një mjek. Gjithashtu, Jakovi thotë se ai shërohet, sepse i falen mëkatet. Në fakt, nëse dikush vuan nga një sëmundje e mirëfilltë, duhet të shkojë te mjeku, t’i shpjegojë simptomat dhe të ndjekë këshillat e tij. Po njësoj, nëse miqësia jonë me Jehovain po vuan, duhet të flasim me një plak, t’i shpjegojmë situatën dhe të zbatojmë këshillat që na jep nga Shkrimet.

Kolazh: 1. Një burrë i shpjegon mjekut një problem që ka me shpatullën. 2. Një vëlla i shpjegon situatën e tij një plaku, ndërsa janë ulur në një stol në natyrë.

Kur vuajmë nga një sëmundje, shkojmë te mjeku. Kur ndiejmë se miqësia jonë me Jehovain po vuan, duhet të flasim me pleqtë (Shih paragrafin 4)


5. Si ta kuptojmë nëse po na dobësohet miqësia me Jehovain?

5 Te Jakovi kapitulli 5 nxitemi të flasim me pleqtë kur ndiejmë se po na dobësohet besimi. Sa e mençur është të kërkojmë ndihmë para se të bëjmë diçka që do të na e dëmtonte seriozisht miqësinë me Perëndinë. Duhet të tregohemi të sinqertë me veten. Shkrimet na paralajmërojnë se ekziston rreziku ta gënjejmë veten me mendimin se e kemi në rregull marrëdhënien me Jehovain. (Jak. 1:22) Pikërisht këtë gabim bënë disa të krishterë në kongregacionin e Sardës. Mirëpo, Jezui i paralajmëroi se Jehovai nuk ishte i kënaqur me ta. (Zbul. 3:1, 2) Një mënyrë si të kuptojmë se në ç’gjendje është miqësia jonë me Jehovain, është duke krahasuar entuziazmin që kemi tani për adhurimin e tij me atë që kishim kur u pagëzuam. (Zbul. 2:4, 5) Mund të pyesim veten: «A më është venitur gëzimi për të lexuar Biblën dhe për të medituar? A ia lë rastësisë përgatitjen për mbledhje dhe ndjekjen e tyre? A më është ftohur zelli për shërbimin? A po i kushtoj më shumë kohë argëtimit dhe a më rri mendja te gjërat materiale?» Në qoftë se i përgjigjemi «po» ndonjërës prej pyetjeve, mund të jetë sinjal se po na dobësohet miqësia me Jehovain. E po të mos marrim masa, ka të ngjarë të bëhet më keq. Nëse nuk e ndreqim dot vetë situatën a nëse tashmë i kemi shkelur standardet e Jehovait, duhet të kërkojmë ndihmën e pleqve.

6. Çfarë duhet të bëjë dikush që ka kryer një mëkat të rëndë?

6 Natyrisht, dikush që ka kryer një mëkat të rëndë, për të cilin mund të hiqet nga kongregacioni, duhet të flasë me një plak. (1 Kor. 5:11-13) Nëse kemi rënë pre e një mëkati serioz, kemi nevojë për ndihmë që të ndreqim marrëdhënien me Jehovain. Që Jehovai të na falë nëpërmjet shpërblesës, duhet të bëjmë «vepra të denja për pendim». (Vep. 26:20) Një nga këto vepra është të flasim me pleqtë për mëkatin që kemi bërë.

7. Kush tjetër ka nevojë për ndihmën e pleqve?

7 Pleqtë nuk ndihmojnë vetëm vëllezërit e motrat që kanë kryer një mëkat serioz, por edhe ata që janë të dobët në besim. (Vep. 20:35) Për shembull, ndoshta ke frikë se po e humbet luftën kundër dëshirave të gabuara. Mund ta kesh akoma më të vështirë t’i mposhtësh këto dëshira sidomos nëse para se të merrje të vërtetën përdorje drogë, shihje pornografi ose bëje një jetë imorale. Por s’ke pse të luftosh i vetëm. Mund të vendosësh t’i hapësh zemrën një plaku. Ai do t’i dëgjojë me vëmendje meraqet e tua, do të të japë këshilla praktike dhe do të të sigurojë se mund ta kënaqësh Jehovain nëse vazhdon t’u rezistosh këtyre dëshirave. (Ekl. 4:12) Nëse të ka shkurajuar lufta që ke, pleqtë do të të kujtojnë se Jehovait i pëlqen që po kërkon ndihmë. Kjo tregon se po e merr seriozisht marrëdhënien me Të dhe nuk ke besim të tepruar te vetja.—1 Kor. 10:12.

8. A duhet të flasim me pleqtë për çdo gabim që bëjmë? Shpjegoni.

8 Nuk është e nevojshme të flasim me pleqtë për çdo gabim që bëjmë. Për shembull, ta zëmë se një ditë thua diçka që e lëndon një vëlla a motër, e madje acarohesh me të. Në vend se të flasësh me një plak, mund të zbatosh këshillën e Jezuit që të bësh paqe me vëllanë ose motrën. (Mat. 5:23, 24) Mund të bësh kërkime në botime për cilësi, si butësia, durimi dhe vetëkontrolli, e kështu t’i shfaqësh më plotësisht në të ardhmen. Në rast se nuk e zgjidh dot vetë problemin, mund të kërkosh ndihmën e një plaku. Në letrën që u shkroi filipianëve, apostulli Pavël i kërkoi një vëllai në kongregacion t’i ndihmonte Evodinë dhe Sintikinë të zgjidhnin mosmarrëveshjet mes tyre. Njësoj mund të të ndihmojë edhe ty një plak i kongregacionit tënd.—Filip. 4:2, 3.

PSE DUHET TË KËRKOJMË NDIHMËN E PLEQVE?

9. Pse nuk duhet ta lejojmë turpin të na frenojë që të flasim me pleqtë? (Proverbat 28:13)

9 Kemi nevojë për besim dhe guxim që të kërkojmë ndihmë nëse kemi mëkatuar rëndë ose po na dobësohet vendosmëria për t’u rezistuar dëshirave të gabuara. Nuk duhet ta lejojmë turpin që të na frenojë t’u kërkojmë ndihmë pleqve. Pse? Sepse Jehovai i ka caktuar pleqtë të na ndihmojnë ta mbajmë të fortë miqësinë me të. Ndaj, kur flasim me ta, tregojmë se kemi besim tek Ai dhe i bindemi. Jemi të vetëdijshëm se s’ia dalim dot pa Jehovain kur ndiejmë se po na shkasin këmbët nga rruga e drejtë. (Psal. 94:18) Dhe nëse kemi mëkatuar, mund të jemi të sigurt se Perëndia do të na tregojë mëshirë po të pendohemi e të heqim dorë nga rruga e gabuar.—Lexo Proverbat 28:13.

10. Çfarë mund të ndodhë nëse përpiqemi t’i fshehim mëkatet?

10 Në kontrast me bekimet që marrim kur u kërkojmë ndihmë pleqve, e përkeqësojmë situatën nëse përpiqemi t’i fshehim mëkatet. Kur mbreti David u përpoq t’i fshihte mëkatet, dëmtoi miqësinë me Jehovain dhe përjetoi dhimbje emocionale e fizike. (Psal. 32:3-5) Ashtu si një sëmundje a dëmtim fizik bëhet më keq po e lamë pas dore, edhe miqësia jonë me Jehovain mund të dëmtohet rëndë po të mos marrim masa. Jehovai e kupton këtë, ja pse na fton «t’i ndreqim gjërat», duke folur me pleqtë që të rimëkëmbim marrëdhënien e dëmtuar me të.—Isa. 1:5, 6, 18.

11. Çfarë dëmi mund t’u shkaktojmë të tjerëve nëse i fshehim mëkatet e rënda?

11 Po të fshehim një mëkat të rëndë, mund të dëmtojmë edhe të tjerët. Mund të pengojmë frymën e Perëndisë të rrjedhë lirshëm në kongregacion e të vëmë në rrezik paqen e vëllezërve dhe motrave. (Efes. 4:30) Po njësoj, kur marrim vesh se dikush në kongregacion ka bërë një mëkat të rëndë, duhet ta nxitim të flasë me pleqtë.a Nëse fshehim mëkatin e dikujt tjetër, bëhemi edhe ne fajtorë. (Lev. 5:1) Dashuria për Jehovain duhet të na nxitë të marrim iniciativën t’u tregojmë pleqve. Kështu bëjmë pjesën tonë që kongregacioni të mbetet i pastër dhe që vëllai a motra të rifitojë marrëdhënien e mirë me Jehovain.

SI NA NDIHMOJNË PLEQTË?

12. Si i ndihmojnë pleqtë ata që janë të dobët në besim?

12 Bibla i udhëzon pleqtë t’i ndihmojnë ata që janë të dobët në besim. (1 Sel. 5:14) Nëse ke gabuar, ata mund të të bëjnë pyetje, që ‘të nxjerrin në sipërfaqe’ mendimet dhe ndjenjat e tua më të thella. (Prov. 20:5) Mund t’i ndihmosh duke folur hapur, edhe nëse e ke të vështirë për shkak të kulturës, të personalitetit ose të ndjenjave të turpit. Mos ngurro të flasësh nga meraku se mos thua «fjalë të rrëmbyera». (Jobi 6:3) Në vend se të nxjerrin me vrap përfundime, pleqtë do të përpiqen të të dëgjojnë me vëmendje që ta kuptojnë gjithë çështjen para se të japin këshilla. (Prov. 18:13) Këta barinj e dinë mirë se nevojitet kohë të ndihmosh dikë, ndaj nuk presin që çdo gjë të rregullohet me një bisedë.

13. Si na ndihmojnë pleqtë me anë të lutjeve dhe të këshillave nga Bibla? (Shih edhe figurat.)

13 Pleqtë s’kanë aspak për qëllim të t’i shtojnë ndjenjat e fajit. Përkundrazi, do të luten për ty. Mund të habitesh sa «shumë forcë» do të të japin lutjet e tyre. Ata do të të ndihmojnë edhe ‘duke të lyer me vaj në emër të Jehovait’. (Jak. 5:14-16) Ky «vaj» është e vërteta e Fjalës së Perëndisë. Pleqtë do ta përdorin me mjeshtëri Biblën që të të qetësojnë zemrën, të të ngushëllojnë dhe të të ndihmojnë të rifitosh marrëdhënien e mirë me Jehovain. (Isa. 57:18) Falë këshillave të tyre nga Bibla, mund të jesh më i vendosur të vazhdosh të bësh çfarë do Jehovai. Nëpërmjet pleqve, mund të dëgjosh zërin e Jehovait që të thotë: ‘Kjo është udha. Ec në të!’—Isa. 30:21.

Kolazh: 1. Mjeku që tregohej te figura e mëparshme kontrollon shpatullën e pacientit. Në mur është varur një grafi e shpatullës. 2. Plaku nga figura e mëparshme dhe një plak tjetër përdorin Biblën për ta inkurajuar vëllanë ndërsa janë në shtëpinë e tij. Vëllai i dëgjon me gëzim pleqtë.

Pleqtë përdorin Biblën që të na qetësojnë zemrën e të na ngushëllojnë (Shih paragrafët 13-14)


14. Sipas Galatasve 6:1, si i ndihmojnë pleqtë ata që kanë hedhur një «hap të gabuar»? (Shih edhe figurat.)

14 Lexo Galatasve 6:1. Një bashkëbesimtar që hedh një «hap të gabuar», nuk po ecën sipas standardeve të drejta të Perëndisë. Ky hap i gabuar mund të jetë një vendim i pamend ose një shkelje e rëndë e ligjit të Jehovait. Pleqtë, të motivuar nga dashuria, ‘përpiqen ta ndreqin me butësi’ këtë bashkëbesimtar. Fjala greke e përkthyer «ndreq» mund të përshkruajë edhe vënien në vend të një kocke për të shmangur një dëmtim të përhershëm. Njësoj si një mjek i zoti përpiqet të çojë në vend një kockë të thyer me sa më pak dhimbje, pleqtë përpiqen të na ndreqin pa na e shtuar më tej dhimbjen. Veç kësaj, Bibla i nxit pleqtë ‘të jenë vigjilentë për veten’. Ndërsa na ndihmojnë të zbatojmë këshillat e Biblës, ata nuk harrojnë se janë edhe vetë të papërsosur dhe gabojnë. Ndaj, në vend se t’i gjykojnë të tjerët, duke menduar se janë më të mirë ose më lart se ta, bëjnë çmos të tregojnë empati.—1 Pjet. 3:8.

15. Çfarë është mirë të bëjmë kur kemi një problem?

15 Mund t’u besojmë pleqve të kongregacionit. Jehovai i ka stërvitur që të mos i zbulojnë çështjet tona konfidenciale, t’i bazojnë këshillat në Bibël, jo tek opinionet e tyre dhe të na ndihmojnë vazhdimisht të mbajmë barrët tona. (Prov. 11:13; Gal. 6:2) Pleqtë mund të kenë personalitete dhe përvojë të ndryshme, por kjo s’duhet të na pengojë t’u kërkojmë ndihmë kur kemi një problem. Sigurisht, nuk do të shkojmë për këshilla sa te një plak te tjetri, derisa të dëgjojmë atë që duam. Po ta bënim këtë, do t’u ngjanim atyre që u pëlqen «t’u gudulisin veshët», në vend se të përfitojnë nga ‘mësimi i shëndoshë’ i Fjalës së Perëndisë. (2 Tim. 4:3) Kur shkojmë te një plak, ai mund të na pyesë nëse kemi folur me pleq të tjerë për çështjen dhe çfarë këshillash na kanë dhënë. Pastaj me modesti mund të vendosë edhe që të konsultohet me një plak tjetër për situatën.—Prov. 13:10.

PËRGJEGJËSI PERSONALE

16. Çfarë përgjegjësie ka secili prej nesh?

16 Ndonëse na japin këshilla dhe na ndihmojnë, pleqtë nuk na thonë se çfarë të bëjmë. Është përgjegjësia jonë të tregojmë ditë pas dite se e duam Jehovain dhe dëshirojmë ta kënaqim. Tekefundit, secili do të japë llogari për fjalët e veprimet e veta. Falë ndihmës së Jehovait, mund t’ia dalim të mbajmë integritetin. (Rom. 14:12) Ja pse pleqtë nuk na diktojnë çfarë të bëjmë, por na ndihmojnë me anë të Shkrimeve të kuptojmë si mendon Jehovai. Kur i zbatojmë këshillat e tyre të bazuara në Bibël, mund të stërvitim «aftësinë dalluese», që të marrim vendime të mençura.—Hebr. 5:14.

17. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

17 Ç’privilegj i pashoq është të jemi nën kujdesin e Bariut të Madh, Jehovait! Ai dërgoi Jezuin, ‘bariun e shkëlqyer’, që të paguante shpërblesën e të na çelte mundësinë për të jetuar përgjithmonë. (Gjoni 10:11) E nëpërmjet pleqve të kongregacionit, Jehovai ka përmbushur këtë premtim: «Unë do t’ju jap barinj siç ma do zemra, dhe ata do t’ju ushqejnë me njohuri e gjykim të thellë.» (Jer. 3:15) Kur kuptojmë se na është dobësuar besimi ose na është dëmtuar marrëdhënia me Jehovain, të mos ngurrojmë t’u kërkojmë ndihmë pleqve. Qofshim të vendosur të nxjerrim dobi plotësisht nga kjo dhuratë e Jehovait!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Kur duhet ‘t’i thërrasim pleqtë’ për ndihmë?

  • Pse duhet t’u kërkojmë ndihmë pleqve?

  • Si na ndihmojnë pleqtë?

KËNGA 31 Do të eci me Perëndinë tim!

a Nëse vëllai a motra nuk flet me pleqtë brenda një periudhe kohe të arsyeshme, dëshira për t’i qëndruar besnikë Jehovait duhet të na nxitë t’u tregojmë pleqve çfarë dimë.

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo