E shtunë, 30 gusht
T’i ngushëllojmë të tjerët . . . me po atë ngushëllim që marrim prej [Perëndisë].—2 Kor. 1:4.
Jehovai i freskon dhe i ngushëllon ata që vuajnë. Si mund të ndiejmë edhe ne dhembshuri për të tjerët e t’u japim zemër, ashtu si Jehovai? Një mënyrë është duke zhvilluar cilësi të ngrohta që na shtyjnë t’i ngushëllojmë të tjerët. Cilat janë disa nga këto cilësi? Si mund ta mbajmë ndezur atë dashuri që na motivon ‘të vazhdojmë ta ngushëllojmë njëri-tjetrin’ dita-ditës? (1 Sel. 4:18) Duhet të zhvillojmë cilësi të ngrohta si empatia, përzemërsia vëllazërore dhe zemërmirësia. (Kolos. 3:12; 1 Pjet. 3:8) Si do të na ndihmojnë këto cilësi? Kur dhembshuria dhe cilësi të tjera që lidhen me të bëhen pjesë e personalitetit tonë, zemra do të na shtyjë t’i ngushëllojmë ata që vuajnë. Siç tha Jezui, «goja flet nga bollëku i zemrës. Njeriu i mirë nxjerr gjëra të mira nga thesari i vet i mirë». (Mat. 12:34, 35) Të inkurajojmë vëllezërit e motrat që kanë nevojë është një mënyrë tepër e rëndësishme si e shprehim dashurinë për ta. w23.11 10 ¶10-11
E diel, 31 gusht
Ata që kanë gjykim të thellë do të kuptojnë.—Dan. 12:10.
Nëse duam t’i kuptojmë profecitë e Biblës, duhet të kërkojmë ndihmë. Të bëjmë një ilustrim. Imagjino sikur ke shkuar në një vend të panjohur, por me vete ke një mik që e njeh me sy mbyllur atë vend. Ai e di fiks ku ndodheni dhe ku të nxjerr çdo rrugë. S’do mend, je i kënaqur që po udhëton me atë mik! Po njësoj, Jehovai e di ku jemi në rrjedhën e kohës dhe ku do të na nxjerrë rruga jonë. Ndaj për t’i kuptuar profecitë e Biblës, duhet të kërkojmë me përulësi ndihmën e tij. (Dan. 2:28; 2 Pjet. 1:19, 20) Si çdo prind i dashur, Jehovai dëshiron që fëmijët e tij të kenë një të ardhme të lumtur. (Jer. 29:11) Por ndryshe nga prindërit njerëzorë, Jehovai mund ta parathotë të ardhmen me saktësi absolute. Ai ruajti në Fjalën e tij profeci që të na informojë për ngjarje të rëndësishme para se të ndodhin.—Isa. 46:10. w23.08 8 ¶3-4
E hënë, 1 shtator
Nga lart do të shkëlqejë mbi ne . . . agimi.—Luka 1:78.
Perëndia i ka dhënë Jezuit fuqinë të zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit. Me anë të mrekullive të tij, Jezui tregoi se ka fuqi të zgjidhë probleme që nuk do t’i zgjidhnim dot kurrë me forcat tona. Për shembull, ai ka fuqinë të na shpëtojë duke zhdukur shkakun rrënjësor të problemeve të njerëzimit—mëkatin e trashëguar dhe pasojat e tij, si sëmundjet e vdekjen. (Mat. 9:1-6; Rom. 5:12, 18, 19) Bëmat e mrekullueshme të Jezuit janë provë se ai mund të shërojë «çdo lloj» sëmundjeje, madje edhe të kthejë në jetë të vdekurit. (Mat. 4:23; Gjoni 11:43, 44) Gjithashtu ka fuqinë të fashitë stuhi të egra dhe të mundë frymëra të liga. (Mar. 4:37-39; Luka 8:2) Sa na e qetëson zemrën fakti që Jehovai i ka dhënë Birit të tij një fuqi të tillë! Mund të jemi plotësisht të sigurt se së shpejti do të gëzojmë bekimet e premtuara nën Mbretërinë e Perëndisë. Mrekullitë që kreu Jezui kur jetoi në tokë, tregojnë ç’do të bëjë në një masë shumë më të madhe si Mbreti qiellor i Mbretërisë së Perëndisë. w23.04 3 ¶5-7