E premte, 5 shtator
Jehovai u bëhet krah të gjithë atyre që po bien; ai i ngre të gjithë ata që janë kërrusur nga hallet.—Psal. 145:14.
Mjerisht, sado të motivuar ose të disiplinuar të jemi, mund të ndodhë të pengohemi gjatë rrugës për të arritur një synim. Për shembull, «ngjarjet e papritura» mund të na vjedhin kohën e nevojshme që të punojmë për synimin tonë. (Ekl. 9:11) Mund të përballemi me një problem që na shkurajon dhe na pret krahët. (Prov. 24:10) Papërsosmëria mund të na shtyjë të veprojmë në një mënyrë që na e bën shumë më të vështirë ta arrijmë synimin. (Rom. 7:23) Ose thjesht mund të ndihemi të lodhur. (Mat. 26:43) Ç’mund të bëjmë që të ngrihemi e ta vazhdojmë udhëtimin? Mos harro se të rrëzohesh nuk do të thotë që ke dështuar. Bibla tregon se mund të hasim shpesh probleme ose vështirësi. Por njëkohësisht e bën të qartë se, po të biem, mund të ngrihemi përsëri. Po, kur vazhdon rrugën pavarësisht nga pengesat, i tregon Jehovait se dëshiron ta kënaqësh. Kushedi sa i lumtur ndihet Jehovai kur sheh që nuk dorëzohesh, por vazhdon të punosh për synimin tënd! w23.05 30 ¶14-15
E shtunë, 6 shtator
[Bëhuni] shembuj për kopenë.—1 Pjet. 5:3.
Shërbimi si pionier e ndihmon një vëlla të ri të mësojë si të bashkëpunojë me njerëz që kanë lloj-lloj personalitetesh. E ndihmon edhe të bëjë një buxhet e t’i përdorë me mençuri të ardhurat. (Filip. 4:11-13) Një trampolinë drejt shërbimit në kohë të plotë është shërbimi si pionier ndihmës, i cili e përgatit dikë të shërbejnë si pionier i rregullt. Shërbimi i pionierit mund të hapë derën për forma të tjera të shërbimit në kohë të plotë, si për shembull shërbëtor ndërtimi ose bethelit. Të gjithë vëllezërit duhet të përpiqen të përmbushin kërkesat për t’u shërbyer bashkëbesimtarëve si pleq kongregacioni. Bibla thotë se kush synon të marrë përsipër këtë përgjegjësi, «dëshiron një punë të shkëlqyer». (1 Tim. 3:1) Së pari, një vëlla duhet të kualifikohet për të qenë shërbëtor kongregacioni. Shërbëtorët e kongregacionit i ndihmojnë pleqtë në shumë mënyra praktike. Pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit u shërbejnë me përulësi vëllezërve e motrave dhe marrin pjesë me zell në shërbim. w23.12 28 ¶14-16
E diel, 7 shtator
Kur ishte ende djalosh, filloi të kërkonte Perëndinë e Davidit, paraardhësit të tij.—2 Kron. 34:3.
Mbreti Josia ishte djalosh kur nisi të kërkonte Jehovain ose të afrohej më shumë me të. Ai donte të mësonte për Jehovain dhe të bënte vullnetin e Tij. Por jeta nuk ishte e lehtë për këtë mbret të ri. I duhej guxim që të luftonte kundër adhurimit të rremë që ishte përhapur në atë kohë. Dhe i guximshëm u tregua! Para se të mbushte 20 vjeç, Josia nisi të pastronte kombin nga adhurimi i rremë. (2 Kron. 34:1, 2) Edhe nëse je në moshë mjaft të re, mund të vendosësh të imitosh Josinë duke u afruar më shumë me Jehovain dhe duke mësuar të çmosh cilësitë e Tij. Kjo do të të motivojë t’i kushtosh jetën. Si do të ndikojë ky kushtim në jetën tënde? Luka, që u pagëzua kur ishte 14 vjeç, thotë: «Tani e tutje, gjëja më rëndësishme në jetën time do të jetë t’i shërbej Jehovait dhe do të përpiqem ta bëj të lumtur.» (Mar. 12:30) Çfarë bekimi do të jetë për ty nëse dëshiron të bësh po njëlloj! w23.09 11 ¶12-13