BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 3/97 f. 4-7
  • Ç’gjë e formon qëndrimin tuaj?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ç’gjë e formon qëndrimin tuaj?
  • Zgjohuni!—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pornografia shfytyron seksin
  • Bota e zbavitjes shfrytëzon seksin
  • Ndryshimi i roleve shtrembëron qëndrimet
  • Edukata seksuale nëpër shkolla
  • Çfarë është dashuria dhe angazhimi?
  • Ndryshimi i qëndrimeve ngre pyetje të reja
    Zgjohuni!—1997
  • Marrëdhëniet seksuale para martesës
    Zgjohuni!—2013
  • Përballimi i sfidës
    Zgjohuni!—1997
  • Si mund t’i shpjegoj bindjet që kam për seksin?
    Të rinjtë pyesin
Shih më tepër
Zgjohuni!—1997
g 3/97 f. 4-7

Ç’gjë e formon qëndrimin tuaj?

RRETH 2.700 vjet më parë, një shkrimtar i frymëzuar shkroi proverbin që të shtie në mendime: «Për budallanë dhënia pas sjelljes së shthurur është si sport.» (Proverbat 10:23, BR) Vërtetësia e këtij proverbi ka qenë veçanërisht e dukshme, që nga revolucioni seksual. Përpara tmerrit të SIDA-s, një qëndrim mbisundues ishte se seksi bëhej ‘për sport’ dhe se vrulli seksual duhet shprehur ‘cilatdo qofshin pasojat’. A ka ndryshuar ky qëndrim? Ç’është e vërteta, jo.

Mania e seksit sot prodhon ende «adiktë pas epsheve seksuale», «poligamistë serialë» dhe «grabitqarë seksualë», të cilët argumentojnë se morali është një çështje personale dhe se dashuria e lirë me shumë partnerë është normale. (Shiko kutinë «Stilet e jetës seksuale» në faqen 6.) Ata pohojnë se ‘askush nuk lëndohet’ nga marrëdhëniet seksuale me këdo që ka dëshirë, për sa kohë që ai bëhet mes të rriturve që e japin pëlqimin. Në 1964-n, sociologu i Universitetit Shtetëror të Ajouas, Ira Reis, e përshkroi këtë lloj seksi «tolerancë me përzemërsi».

Peshkopi anglikan i Edinburgut, në Skoci, duket se është i të njëjtit mendim, pasi ai tha se njerëzit kishin lindur për të pasur shumë të dashur. Në një ligjëratë mbi seksin dhe krishterimin, ai deklaroi: «Kur na bëri, Perëndia e dinte se na kishte dhënë një vrull të brendshëm seksual për të mundur të kënaqim dëshirat tona seksuale. Ai na ka dhënë gjene të përziera. Mendoj se do të ishte gabim që kisha të dënonte njerëz që kanë ndjekur instiktet e tyre.»

A është e shëndetshme një pikëpamje e tillë? Cili është çmimi i dashurisë së lirë? A sjellin kënaqësi dhe lumturi lidhjet jetëshkurtra me një varg partnerësh seksualë?

Epidemia globale e sëmundjeve të transmetuara në rrugë seksuale dhe realiteti i miliona shtatzënive jashtë lidhjes martesore, sidomos mes adoleshentëve, dëshmojnë dështimin e një filozofie të tillë. Sipas revistës Newsweek, vetëm në Shtetet e Bashkuara, një përllogaritje prej tre milionë adoleshentësh preken çdo vit nga sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale. Për më tepër, shumë prej këtyre «të rriturve që e japin pëlqimin» duket se nuk kanë «dashuri të përzemërt të natyrshme» apo ndjenjë përgjegjësie kundrejt fëmijës ende të palindur që shpesh vjen si pasojë dhe pa humbur kohë kërkojnë të bëjnë abort. (2. Timoteut 3:3, BR) Një gjë e tillë i kushton jetën fëmijës së palindur, pasi shqitet mizorisht nga mëma e tij. Çmimi që duhet të paguajë nëna e re, mund të jetë depresioni i thellë dhe faji që mund t’i fanitet si hije për gjithë jetën.

Sipas përllogaritjeve të dr. Patrik Dikson, nga mesi i viteve ’90, vetëm në Britani vlera në para e pasojave të revolucionit seksual ishte një sasi marramendëse prej 20 miliardë dollarësh në vit. Në Librin e tij, Çmimi në rritje i dashurisë (The Rising Price of Love), dr. Dikson arriti në këtë shifër, duke dhënë prova të dokumentuara për çmimin e kurimit të sëmundjeve të transmetuara seksualisht, duke përfshirë këtu edhe SIDA-n; për çmimin e divorceve; çmimin e komunitetit të prindërve beqarë dhe çmimin e terapisë së familjes dhe të fëmijës. Siç raportohej në The Globe and Mail, një e përditshme kanadeze, dr. Dikson përfundon: «Revolucioni në marrëdhëniet seksuale që na premtoi liri, la shumë veta në vargonj, në një botë të shkatërruar nga kaosi seksual, tragjedia, vetmia, dhimbja emocionale, dhuna dhe abuzimi.»

Por, cili është shkaku i manisë së vazhdueshme pas seksit, i preferencës për marrëdhënie jetëshkurtra dhe i këmbënguljes për dashuri të lirë pa përgjegjësi? Me të tilla fryte të këqija të dukshme gjatë këtyre tri dekadave të shkuara, ç’gjë e ndez këtë mani shkatërrimtare?

Pornografia shfytyron seksin

Pornografia është cituar si një ndër faktorët që ndezin maninë e seksit. Një person që e pranon hapur se është adikt pas seksit, shkruan kështu në gazetën The Toronto Star: «Lashë duhanin pesë vjet më parë, alkoolin dy vjet më parë, por s’kam pasur gjë më të vështirë në jetën time, sesa të lija dhënien pas seksit dhe pornografisë.»

Ai është, gjithashtu, i bindur se adoleshentët që janë të ekspozuar ndaj një diete të rregullt të pornografisë, zhvillojnë një pikëpamje të shtrembëruar mbi sjelljen seksuale. Ata praktikojnë fantazi seksuale dhe gjejnë marrëdhënie reale të komplikuara dhe të vështira. Kjo gjë çon në izolim dhe probleme të tjera, ku një ndër ato më të mëdhatë është vështirësia për të krijuar lidhje të qëndrueshme dashurie.

Bota e zbavitjes shfrytëzon seksin

Stilet e jetës së përzier, ku përfshihen shumë partnerë seksualë, me apo pa formalitetet ligjore të martesës, janë praktikuar gjerësisht dhe janë demonstruar publikisht nga bota e zbavitjes. Ekspozimi i padëshiruar dhe poshtërues i intimiteteve seksuale në ekran, ndez maninë për seks, duke i dhënë këtij brezi një pikëpamje të shfytyruar mbi sjelljen seksuale tek njerëzit. Media e zbavitjes shpesh i barazon në mënyrë të gënjeshtërt marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore me intimitetin e dashur. Fansat që bëjnë idhull të tyre personalitetet e zbavitjes, duken të paaftë për të bërë dallimin mes epshit dhe dashurisë, mes një orvatjeje jetëshkurtër seksuale dhe angazhimit jetëgjatë apo mes fantazisë dhe realitetit.

Ngjashëm, shumë shpesh bota e reklamave e ka shfrytëzuar seksin si një mjet marketingu. Sipas fjalëve të një terapisti në fushën e seksit, ai është kthyer në «një komoditet pavetor, qëllimi i të cilit është të ngjallë kureshtje ndaj një produkti, të cilit i bëhet reklamë». Siç vërente gazeta Family Relations, reklamuesit e kanë shfrytëzuar seksin dhe i kanë lidhur shprehjet seksuale që shoqërohen me të me jetën e dëshirueshme, ndonëse ky është një tjetër «shfytyrim i perspektivës seksuale» në shekullin e 20-të.

Ndryshimi i roleve shtrembëron qëndrimet

Ndryshimi i mjedisit social dhe futja në treg e pilulës për kontrollimin e lindjeve, në 1960-n, transformoi sjelljen seksuale të miliona grave. Pilula u dha grave një barazi imagjinare seksuale me burrat, një liri apo pavarësi seksuale të paarritur kurrë më parë. Ashtu si burrat, ato mund të eksperimentonin tani me marrëdhëniet jetëshkurtra, pa u frenuar nga frika e shtatzënive të padëshiruara. Duke gjetur kënaqësi në lirinë e tyre seksuale, si mashkulli ashtu edhe femra, e shtynë familjen normale dhe rolet seksuale fare në buzë të zhdukjes.

Një shkrimtar i Biblës në shekullin e parë u shpreh kështu për njerëz të tillë: «Sytë i kanë plot me kurorëshkelje dhe nuk pushojnë së mëkatuari . . . kanë zemër të stërvitur në lakmime . . . Ata, pasi e lanë udhën e drejtë, devijuan.»—2. Pjetrit 2:14, 15.

Edukata seksuale nëpër shkolla

Një studim amerikan i rreth 10.000 femrave beqare të moshës së shkollës së mesme, zbuloi se «njohuria e dhënë nga kurset e edukatës seksuale dhe njohuria e kontrollit të lindjeve e raportuar nga vetë adoleshentët» nuk pati efekt në mesataren e shtatzënive tek adoleshentet e pamartuara. Megjithatë, disa shkolla shtetërore po i përgjigjen epidemisë së shtatzënive tek adoleshentët beqarë, duke u ofruar nxënësve të tyre prezervativë falas, sadoqë mbi këtë praktikë janë zhvilluar debate të flakta.

Një nxënëse 17-vjeçare e shkollës së mesme, e intervistuar nga gazeta Calgary Herald tha: «Është fakt që pjesa më e madhe e adoleshentëve të shkollës së mesme po bën seks . . . , madje disa që në moshën 12-vjeçare.»

Çfarë është dashuria dhe angazhimi?

Dashuria, besimi dhe miqësia e dashur nuk janë automatikisht nënprodukte, qoftë të tërheqjes spontane seksuale apo të kënaqjes së impulseve seksuale. Dashuria e vërtetë nuk mund të krijohet vetëm nga marrëdhëniet seksuale. Dashuria dhe intimiteti lindin në zemrat e dy individëve të kujdesshëm, të cilët janë angazhuar për të ndërtuar një lidhje të përhershme.

Lidhjet jetëshkurtra në fund e lënë personin të pasigurt, të vetëm dhe ndoshta të infektuar me një sëmundje të transmetuar seksualisht, si SIDA. Përkrahësit e dashurisë së lirë mund të përshkruhen fare mirë me fjalët që gjejmë në 2. Pjetrit 2:19: «Ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi.»

Bordi drejtues për përgjegjësitë sociale i Kishës së Anglisë, në qershor të 1995-s nxori raportin e tij me titull «Diçka për t’u kremtuar». Në kontrast të qartë me këshillën biblike, sipas The Toronto Star, ky bord e nxiti kishën «të hiqte frazën ‘jetesa në mëkat’ dhe të flakte qëndrimin e saj dënues kundrejt atyre që bashkëjetojnë pa qenë të martuar». Raporti sugjeronte se «kongregacionet duhet t’i mirëpresin ata që bashkëjetojnë, t’i dëgjojnë, të mësojnë prej tyre, . . . me qëllim që të gjithë të mund të zbulojnë praninë e Perëndisë në jetën e tyre».

Ç’emër do t’u kishte vënë Jezui këtyre krerëve fetarë? Pa dyshim «prijës të verbërish». Po ata që ndjekin prijës të tillë? Ai arsyetoi: «Në qoftë se një i verbër i prin një të verbri tjetër, të dy do të bien në gropë.» Për këtë mund të jesh i sigurt, pasi Jezui e tha qartë se «shkeljet e kurorës» dhe «kurvëria» janë ndër «gjërat që e ndotin njeriun».—Mateu 15:14, 18-20.

Me këta faktorë të ndryshëm që shtrembërojnë dhe shfrytëzojnë seksin, si mund të çlirohet një person, e sidomos të rinjtë, nga mania për seksin? Ku qëndron sekreti i lidhjeve të gëzueshme e jetëgjata? Artikulli vijues do të përqendrohet në atë se çfarë mund të bëjnë prindërit për t’i ndihmuar të rinjtë të përgatiten për të ardhmen.

[Diçitura në faqen 5]

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, një përllogaritje prej tre milionë adoleshentësh preken çdo vit nga sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale

[Kutia në faqen 6]

Stilet e jetës seksuale

Adiktë pas epsheve seksuale: Ata janë të magjepsur pas rënies në dashuri, kështu që shkojnë lule më lule, për aq kohë sa tërheqja fashitet. Termi u krijua nga dr. Majkëll Liebovits, i Institutit Psikiatrik të Shtetit të Nju Jorkut.

Poligamistë serialë: Njerëzit, të cilët i nënshtrohen një vazhdimësie çështjesh dashurie, duke përfshirë edhe procedurat ligjore të martesës, divorcit dhe rimartesës, janë identifikuar në këtë mënyrë nga sociologët.

Grabitqarë seksualë: Siç vëren Luter Baker, profesor i studimeve familjare dhe terapist i diplomuar në fushën seksuale, ata orvaten ta demonstrojnë trimërinë e tyre seksuale, duke pasur shumë partnerë. Ky term përdoret tani edhe për ngacmuesit seksualë të fëmijëve.

[Figura në faqen 7]

Pornografia bëhet ves dhe çon në një pikëpamje të shtrembëruar mbi sjelljen seksuale

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo