Pikëpamja e Biblës
Si të zgjedhësh me kë të martohesh?
NJË VAJZË TË PAMARTUAR E PYETËN: «A MENDON NDONJËHERË TË MARTOHESH?» «A MENDOJ?—U PËRGJIGJ MENJËHERË AJO.—UNË SHQETËSOHEM PËR KËTË.»
KOMENTI i shkurtër i kësaj vajze flet shumë rreth dëshirës së disa njerëzve për dashuri dhe shoqëri. Shumë persona e konsiderojnë gjetjen e një bashkëshorti si një prej gjërave më të rëndësishme në jetë. Kështu, anembanë botës, shërbimet e krijuara për t’i ndihmuar njerëzit që të gjejnë një bashkëshort, kanë mbirë si kërpudhat. Megjithatë, në shumë pjesë të botës, numri i martesave që dështojnë e eklipson numrin e atyre që përfundojnë mirë.
Në vendet perëndimore është e zakonshme që njerëzit ta zgjedhin vetë bashkëshortin ose bashkëshorten e tyre. Nga ana tjetër, në disa pjesë të Azisë dhe të Afrikës janë ende zakon martesat me mblesëri. Në cilindo rast, kjo është një punë që nuk duhet marrë me lehtësi. Pak vendime të tjera që merr njeriu në jetë kanë një fuqi të tillë për të sjellë lumturi ose hidhërim. Një martesë ku ka dashuri mund ta pasurojë mjaft jetën dhe të sjellë shumë kënaqësi. Në të kundërtën, një martesë ku ka grindje mund të jetë një burim i vazhdueshëm dhimbjeje dhe stresi.—Fjalët e urta 21:19; 26:21.
Ashtu si të gjithë njerëzit, të krishterët e vërtetë dëshirojnë që lidhja e tyre martesore t’u sjellë gëzim dhe kënaqësi. Por ata dëshirojnë edhe që t’i pëlqejnë Perëndisë dhe ta nderojnë atë. (Kolosianëve 3:23) Duke qenë Krijuesi dhe Themeluesi i martesës, Perëndia e di me imtësi se cilat janë vërtet nevojat tona dhe çfarë është më e mirë për ne. (Zanafilla 2:22-24; Isaia 48:17-19) Veç kësaj, ai ka qenë dëshmitar i miliona e miliona martesave, të mira dhe të këqija, përgjatë mijëvjeçarëve të ekzistencës së njeriut. Ai e di çfarë gjëje sjell sukses dhe çfarë jo. (Psalmi 32:8) Përmes Fjalës së tij, Biblës, ai jep parime të qarta dhe specifike, të cilat mund ta ndihmojnë çdo të krishterë që të zgjedhë duke u bazuar në njohurinë. Cilat janë disa nga këto parime?
Shiko përtej asaj që duket
Në ato vende ku njerëzit janë të lirë të zgjedhin se me kë do të martohen, personat mund të takojnë rastësisht partnerë të mundshëm ose mund të njihen me ta nëpërmjet miqve ose familjes. Shpesh, interesi romantik ndizet fillimisht nga tërheqja e jashtme. Ndonëse kjo është pa dyshim një stimul i fuqishëm natyror, Bibla na inkurajon të vështrojmë më thellë sesa thjesht pamja e jashtme kur kemi ndër mend martesën.
«Hiri mund të jetë i rremë dhe bukuria mund të jetë e kotë, por gruaja që i druhet Jehovait, është ajo që i sjell vetes lavdërim»,—thuhet në Proverbat (Fjalët e urta) 31:30, BR. Apostulli Pjetër foli për «pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë». (1. Pjetrit 3:4) Po, cilësitë frymore të një bashkëshorti të mundshëm—devocioni i atij personi ndaj Perëndisë dhe dashuria për Perëndinë, si edhe personaliteti i krishterë i tij ose i saj—janë shumë më të rëndësishme sesa bukuria fizike. Është jetësore të rezervohet kohë për të bërë një zgjedhje objektive, duke zgjedhur dikë që ka të njëjtat synime frymore dhe që po përpiqet, gjithashtu, të shfaqë frytet e frymës së Perëndisë. Kjo do t’i kontribuojë shumë një lidhjeje të lumtur martesore.—Fjalët e urta 19:2; Galatasve 5:22, 23.
‘Martesë vetëm në Zotërinë’
Pasja e synimeve dhe e bindjeve të përbashkëta me personin që dëshironi të martoheni, është shumë e rëndësishme. Martesa është një sfidë e vërtetë, që kërkon shumë përshtatje në sjellje dhe në qëndrim nga të dyja palët. Është logjike, pra, që sa më shumë gjëra të keni tashmë të përbashkëta me bashkëshortin ose bashkëshorten tuaj të ardhshme, aq më të lehta do të jenë këto përshtatje.
Kjo na ndihmon të kuptojmë se përse apostulli Pavël i këshilloi të krishterët që të mos ‘viheshin në mënyrë të pabarabartë nën një zgjedhë me jobesimtarët’. (2. Korintasve 6:14, BR) Pavli e dinte se martesa me dikë që nuk ka të njëjtin besim dhe kuptueshmëri për parimet biblike mund të krijojë konflikte dhe mosmarrëveshje. Këshilla për t’u ‘martuar vetëm në Zotërinë’ është e arsyeshme. (1. Korintasve 7:39, BR) Ajo pasqyron mënyrën e të menduarit të Perëndisë. Ata që me mençuri e ndjekin këtë këshillë shmangin shumë ndërlikime dhe probleme serioze.—Fjalët e urta 2:1, 9.
Martesat me mblesëri
Po në ato vende ku janë ende të zakonshme martesat me mblesëri? Është llogaritur se në Indinë Jugore, për shembull, 80 për qind e gjithë martesave ujdisen nga prindërit. Ndjekja ose jo e kësaj tradite nga prindërit e krishterë është një çështje vendimi personal. Sidoqoftë, kjo bërje e martesave me mblesëri do të dalë me sukses nëse vihen në radhë të parë vlerat frymore.
Ata që janë për bërjen e martesave me mblesëri mendojnë se kjo gjë e vendos procesin e marrjes së vendimit në duart e njerëzve të pjekur dhe me përvojë. «Disa prindër mendojnë se për shkak të moshës dhe të mungesës së përvojës, fëmijëve të tyre nuk mund t’u besohet që ta gjykojnë drejt pjekurinë frymore të një bashkëshorti të mundshëm»,—vëren një plak i krishterë në Afrikë. «Të rinjtë s’kanë përvojë në jetë dhe mund t’i vendosin gjërat të shtyrë nga ndjenjat»,—shton një mbikëqyrës udhëtues nga India. Meqë prindërit e njohin karakterin e fëmijëve të tyre më mirë se kushdo tjetër, ata mendojnë që janë në një gjendje unike për të zgjedhur me mençuri për fëmijët e tyre. Do të ishte e mençur, gjithashtu, që ata të mbanin parasysh pikëpamjet e djalit dhe të vajzës.
Megjithatë, kur prindërit i shpërfillin parimet biblike, rezultati mund të jetë vuajtja e pasojave, nëse në martesë lindin më pas mosmarrëveshje. Duke qenë se shpesh bashkëshortët e ardhshëm kanë pak mundësi për ta njohur mirë njëri-tjetrin që më përpara, mund të dalin probleme. Dhe kur kjo ndodh, shpjegon një baba i krishterë në Indi, «prirja është që t’ua hedhin fajin prindërve».
Prindërit e krishterë që bëjnë një martesë me mblesëri duhet të shqyrtojnë edhe motivin që i shtyn. Kur në zgjedhjen e bashkëshortit vijnë në radhë të parë synimet materialiste ose dëshira për prestigj, atëherë lindin probleme. (1. Timoteut 6:9) Prandaj, ata që ujdisin një martesë duhet të pyesin veten: ‘A po e bëj këtë zgjedhje për të siguruar lumturinë dhe shëndetin frymor të të dyja palëve? Apo, përkundrazi, po e bëj për të rritur pozitën a mirëqenien e familjes ose për të pasur njëfarë përfitimi financiar?’—Fjalët e urta 20:21.
Këshilla që jep Bibla është e qartë dhe e dobishme. Kur mendohet për një bashkëshort, vlerat dhe gjendja frymore e tij ose e saj duhet të kenë gjithmonë një rëndësi të dorës së parë, pavarësisht nga mënyra se si bëhet zgjedhja. Kur veprohet kështu, nderohet Perëndia Jehova, Autori i institucionit martesor, dhe ata që martohen mund ta ngrenë martesën e tyre mbi një themel të fortë frymor. (Mateu 7:24, 25) Kjo do t’i kontribuojë shumë një lidhjeje të lumtur dhe shpërblyese.