Mbroni fëmijët tuaj nga aksidentet
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË SUEDI
HANA, gati tri vjeçe, ishte bashkë me prindërit, Karl-Erik dhe Birgita, ndërsa po rregullonin shtëpinë e një fqinji që kishte vdekur. Pas pak, Hana del nga një dhomë me një shishe barnash në dorë. Disa prej tyre ajo i kishte kaluar poshtë. Duke kontrolluar shishen, Birgitën e zuri tmerri. Ajo ishte shishja me ilaçet për zemrën që kishte fqinji.
Pa vonuar, Hana u dërgua në spital, ku u mbajt gjithë natën në reanimacion. Ndonëse kishte marrë një dozë ilaçi që mund t’i kishte lënë dëme të përhershme në shëndet, ajo nuk pati pasoja. Përse? Sepse pak para se të gëlltiste barnat, ajo kishte ngrënë një pjatë me drithëra të gatuara. Një pjesë e helmit ishte thithur nga drithërat, të cilat ajo i nxori kur i volli.
Ajo që i ndodhi Hanës vështirë se është e rrallë. Mijëra fëmijë anekënd botës ndeshen përditë me aksidente që e bëjnë të nevojshme vizitën te një mjek ose në spital. Çdo vit, 1 në 8 fëmijë në Suedi merr kura mjekësore si pasojë e një aksidenti. Prandaj, nëse jeni prind, ekziston një mundësi e konsiderueshme që edhe fëmijës suaj mund t’i ndodhë diçka e ngjashme.
Nuk është e pazakontë që fëmijët të dëmtohen më shpesh në ambientin familjar, si shtëpia dhe mjediset e saj. Llojet e dëmtimeve që pësojnë, ndryshojnë me kalimin e moshës. Një foshnjë mund të bjerë fare lehtë nga tavolina ku i ndërrojnë pelenat ose të mbytet me një copë ushqimi a një send të vogël, që i ngec në fyt. Fëmijët e vegjël shpesh bien kur kacavirren andej-këtej ose digjen a helmohen kur prekin ose fusin në gojë gjëra që doçkat e tyre mund t’i arrijnë. Fëmijët e moshës shkollore dëmtohen më shpesh në aksidentet automobilistike ose kur luajnë jashtë.
Shumë nga këto aksidente janë të parandalueshme. Me pak largpamësi dhe njohje të shkallës së zhvillimit të fëmijës suaj, ju mund të ndihmoni në parandalimin e dëmtimeve dhe madje të aksidenteve vdekjeprurëse. Kjo është provuar nga një program i organizuar për sigurinë e fëmijëve, i cili është zbatuar që nga viti 1954 në Suedi. Përpara se të vihej në zbatim ky program, më shumë se 450 fëmijë vdisnin çdo vit nga aksidentet. Në ditët e sotme, kambanat e vdekjes kanë rënë në rreth 70 në vit.
Në shtëpi
Keshtin Bakstrom, psikologe për fëmijë, thotë: «Ju nuk mund t’i mësoni një fëmije një, dy ose tre vjeçar se si t’i shmangë rreziqet, e më pas të shpresoni që ai t’i kujtojë.» Prandaj, përgjegjësia për të ndihmuar fëmijët tuaj si të shmangin aksidentet mbetet mbi ju si prindër ose mbi persona të tjerë të rritur, me të cilët fëmija qëndron herë pas here.
Para së gjithash, hidhini një sy shtëpisë rreth e qark. Përdorni për këtë listën që paraqitet në kutinë këtu pranë. Mbase disa pajisje sigurimi nuk gjenden në të gjitha vendet ose nuk gjenden me një çmim të arsyeshëm. Sidoqoftë, me pak shkathtësi dhe imagjinatë ka të ngjarë që t’ju vijnë në mend zgjidhje që do të bëjnë punë në rrethanat tuaja të veçanta.
Për shembull, nëse sirtarët e kuzhinës i keni me doreza në formë gjysmëhëne, mund t’i mbyllni duke kaluar një shkop nëpër doreza. Një masë e ngjashme mund të shërbejë edhe për të mbyllur derën e furrës. Qeset plastike paraqesin më pak rrezik, nëse i lidhni nyjë, kur i vini mënjanë.
Ndoshta mund t’ju vijnë ndër mend mënyra të tjera të thjeshta për të paradaluar aksidentet brenda dhe përqark shtëpisë e mund t’i ndani ato me miqtë e të njohurit që kanë fëmijë të vegjël.
Jashtë shtëpisë
Kontrolloni zonat ku luan fëmija juaj. Fëmijët e moshës katër vjeçare e lart dëmtohen më shumë kur luajnë jashtë shtëpisë. Rrëzohen, vriten a ndoshta bien nga biçikleta. Aksidentet më fatale që u ndodhin zakonisht fëmijëve të moshës tre deri në shtatë vjeç jashtë shtëpisë, janë aksidentet e trafikut dhe mbytjet.
Kur këqyrni parqet e lojërave, kontrolloni për të parë nëse pajisjet janë në gjendje të mirë, kështu që fëmijës nuk do t’i ndodhë gjë kur t’i përdorë ato. Sipërfaqja poshtë kolovajzeve, poshtë paraleleve dhe pajisjeve të tjera të ngjashme me këto, a është bërë me material të butë, si rërë e shkrifët, që fëmija të mos vritet nëse bie?
A ka pranë shtëpisë suaj pellgje apo rrëke uji? Vetëm pak centimetra ujë janë mjaft për të mbytur një fëmijë një ose dy vjeçar. «Kur një fëmijë i vogël bie me fytyrë në një pellg uji, ai s’di më se ç’është lart dhe ç’është poshtë,—thotë Bakstrom, psikologe fëmijësh.—Me fjalë të thjeshta, ai nuk mund të ngrihet më prapë.»
Prandaj, gjëja më kryesore është kjo: Mos e lini kurrë një fëmijë të moshës një deri në tre vjeç të luajë përjashta vetëm, pa mbikëqyrjen e një të rrituri. Nëse në lagjen tuaj ka një vend me sasi të konsiderueshme uji, përpara se ta lini për të luajtur jashtë të pambikëqyrur, pritni derisa fëmija të jetë mjaft i madh për këtë gjë.
Në trafik
E njëjta gjë vlen edhe nëse rreth shtëpisë suaj ka trafik. «Një fëmijë i moshës parashkollore mund të kapë vetëm sinjalet e qarta e të përcaktuara dhe mund të përqendrohet vetëm në një gjë në një moment,—vëren Bakstrom.—Por trafiku është plot me nocione abstrakte dhe sinjale të dykuptimta.» Mos e lini fëmijën të kalojë rrugën vetëm, përpara se të ketë mbushur moshën shkollore. Sipas ekspertëve, fëmijët nuk konsiderohen aq të pjekur për t’i dhënë biçikletës vetë në një trafik të rënduar, deri të paktën në moshën 12-vjeçare.
Mësojini fëmijët që kur të ngasin biçikletën, kur të hipin mbi ndonjë kafshë, kur të ecin mbi patina ose mbi rrëshqitëse, të përdorin kaskën mbrojtëse. Plagosjet në kokë janë të vështira për t’u trajtuar dhe mund të shkaktojnë dëme të përhershme a madje vdekjeprurëse! Në një klinikë për fëmijë, 60 për qind e atyre që u kuruan pas aksidenteve me biçikletë, vuajtën dëmtime në kokë dhe fytyrë, ndërsa ata që kishin përdorur kaskën, nuk pësuan dëmtime të rënda në kokë.
Veç kësaj, sigurohuni se fëmija është i siguruar mirë kur udhëtoni me makinë. Në shumë vende ekzistojnë ligje, të cilat kërkojnë që fëmijët e vegjël të vendosen në ndenjëse të sigurta ku mund të lidhen e që janë bërë posaçërisht për ta. Kjo gjë e ka ulur në mënyrë të ndjeshme përqindjen e dëmtimeve dhe të vdekjeve te fëmijët në aksidentet automobilistike. Nëse këto ndenjëse sigurimi gjenden në vendin ku jetoni, përdorimi i një të tille do të ishte një mjet i mirë sigurimi për jetën. Por sigurohuni më parë që është një model i aprovuar. Kini parasysh se ndenjëset për foshnja janë të ndryshme nga ato për fëmijë të moshës rreth tre vjeç.
Fëmijët tanë janë një dhuratë e vyer nga Jehovai dhe ne duam të kujdesemi në çdo mënyrë për ta. (Psalmi 127:4) Si prindër të mirë, Karl-Erik dhe Birgita, kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm në mbrojtjen e fëmijëve të tyre, para dhe pas ndodhisë me Hanën. «Por patjetër që pas asaj që ndodhi ishim më të vëmendshëm»,—pranon Karl–Erik. «Tani kemi nipër e mbesa dhe gjithmonë sigurohemi që ilaçet t’i kemi të kyçura»,—përfundon Birgita.
[Kutia në faqen 22]
Siguria në shtëpitë tona
• Ilaçet: Mbajini ato në një bufe të kyçur në vende që nuk mund të arrihen nga fëmijët. E njëjta gjë vlen edhe për barnat pa recetë dhe ato popullore. Veç kësaj, kërkojuni mysafirëve që do të kalojnë natën në shtëpinë tuaj t’i mbajnë ilaçet në një vend të sigurt.
• Lëndët kimike në shtëpi: Sistemojini në një raft të mbyllur me çelës ku nuk mund të merren nga fëmijët. Mbajini në enët e veta, që të identifikohen qartë. Kini mendjen kur i përdorni ato dhe hiqini gjithmonë mënjanë edhe nëse largoheni vetëm për një çast nga dhoma. Mos i lini kurrë në pjatalarëse tepricat e ilaçit të enëve.
• Soba: Kthejini gjithmonë dorezat e tiganëve në anën e prapme të sobës. Nëse keni, vërini një tenxhere për ta mbrojtur. Për siguri, pajiseni sobën me mbrojtës për të parandaluar animin e saj, nëse fëmija ngjitet në derën e hapur të sobës. Vetë dera e sobës duhet pajisur me diçka për t’u mbyllur. A mund të ndodhë që fëmija të digjet nëse prek derën e sobës? Atëherë, vërini një mbrojtës ose rrjetë, që ai të mos ketë mundësi të prekë derën e nxehtë.
• Vegla të rrezikshme shtëpie: Thikat, gërshërët dhe veglat e rrezikshme duhen mbajtur në rafte ose në sirtarë me çelës a me gremç ose të vihen mënjanë në një vend ku fëmija s’mund të arrijë. Kur jeni duke i përdorur këto vegla dhe përkohësisht i lini, vërini larg buzëve të tryezës ose raftit, që fëmijët të mos i arrijnë. Edhe shkrepëset dhe thasët plastikë janë sende të rrezikshme për fëmijët e vegjël.
• Shkallët: Në të dyja anët e shkallëve vini parmakë të paktën 70-75 cm të lartë.
• Dritaret dhe dyert e ballkonit: Pajisini ato në pjesën e lartme me reze a me zinxhirë për sigurinë e fëmijëve ose me ndonjë pajisje tjetër mbrojtëse, që nuk e lënë fëmijën t’i hapë ose të varet nëpër to, kur ato janë të hapura për të ajrosur dhomën.
• Raftet e librave: Nëse fëmijës i pëlqen të kacavirret dhe të varet andej-këtej, sigurojini në mur raftet e librave dhe orenditë e tjera të larta, që të mos u bien sipër.
• Prizat dhe kordonët elektrikë: Prizat që nuk janë në përdorim duhen bllokuar në ndonjë mënyrë. Kordonët e llampave të tryezës e të tjera si këto, duhen fiksuar në mur ose në orenditë, kështu që fëmija nuk mund ta rrëzojë llampën e ajo ta zërë poshtë. Përndryshe hiqini fare llampa të tilla. Hekurin elektrik mos e lini kurrë mbi tavolinën e hekurosjes dhe kordonin e tij mos e lini të lëshuar poshtë.
• Uji i nxehtë: Nëse mund ta ndryshoni temperaturën e ujit të nxehtë, duhet ta lini rreth 50 gradë celsius, e kështu fëmija nuk do të digjet në rast se hap rubinetin.
• Lodrat: Lodrat me anë ose cepa të mprehtë flakini. Hidhni lodrat e vogla ose lodrat që mund të ndahen në pjesë, pasi fëmija mund të mbytet, nëse i fut ato në gojë. Sytë dhe hunda në lodrat me pellush të fëmijës, duhet të jenë të ngulura mirë. Mësojini vëllezërit dhe motrat më të rritura që t’i heqin lodrat e tyre të vogla kur bebushi është përtokë.
• Sheqerkat dhe gjërat e lehta: Mos i lini sheqerkat dhe gjërat e lehta si kikirikët ose karamelet në vende që mund të arrihen nga fëmijët. Ato mund t’i ngecin fëmijës në grykë.
[Burimi]
Burimi: Zyra Ankimore e Fëmijëve.
[Kutia në faqen 22]
Në rast aksidenti
• Helmimi: Nëse fëmija ka kaluar poshtë ndonjë lëng helmues, shpëlajini gojën mirë e mirë dhe jepini për të pirë një a dy gota ujë ose qumësht. Pas kësaj, thërrisni një mjek ose ndonjë qendër informacioni kundër helmimit, për të marrë këshilla. Nëse fëmijës i ka rënë ndonjë lëndë gërryese në sy, shpëlajani menjëherë të paktën për dhjetë minuta me ujë të bollshëm.
• Plagët e djegies: Për plagë të vogla kaloni ujë të ftohtë (jo tepër të ftohtë) mbi plagë për të paktën 20 minuta. Nëse dëmtimi është më i madh se pëllëmba e fëmijës ose gjendet në fytyrë, në një kyç ose në pjesën e poshtme të barkut a organeve të tij gjinore, duhet ta dërgoni fëmijën në urgjencë. Plagët e thella nën lëkurë duhen trajtuar gjithmonë nga një mjek.
• Mbytjet: Nëse fëmijës i ka ngecur diçka në grykë, është urgjente që t’ia hiqni objektin shpejt. Një metodë e efektshme që mund të përdorni është metoda Heimlich. Nëse nuk e njihni si metodë, kontaktoni me mjekun tuaj për të marrë më shumë informacion në lidhje me të ose frekuentoni një kurs për aksidentet e fëmijëve a për ndihmën e shpejtë, ku mësohet kjo metodë.
[Burimi]
Burimi: Kryqi i Kuq Suedez
[Figura në faqen 23]
Të vëmë kaskën mbrojtëse kur jemi në biçikletë
[Figura në faqen 23]
Të sigurt në ndenjësen e makinës