Fund shkatërrimit
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRITANI
«Një e treta e natyrës është shkatërruar nga aktiviteti i njeriut në 25 vjetët e shkuara.»
KËSHTU raporton Fondi Botëror për Natyrën. Kjo statistikë alarmuese u zbulua kur doli në shtyp Living Planet Index (Indeksi i planetit të gjallë), një analizë e re statistikore lidhur me ambientin në mbarë botën.
Mbrojtësit e mjedisit raportonin një rënie prej 10 për qind në sipërfaqen e pyllëzuar të planetit. Por kjo shifër, siç vëren gazeta e Londrës The Independent, fsheh humbje më të mëdha në zonat e pyjeve tropikale të shiut dhe në zonat e thata pyjore, për të mos folur pastaj për rënien e numrit të disa lloje gjallesash të pyjeve, e cila ka të ngjarë që ta kapërcejë shifrën 10 për qind. Mjedisi detar ka pësuar një humbje prej 30 për qind, gjë që është e dukshme nga zhdukja e llojeve të tilla, si toni pendëblu në Atlantik dhe një lloj breshke uji (Dermochelys coriacea) në ujërat aziatike. Më e keqja nga të gjitha është prishja prej 50 për qind e ekosistemeve të ujërave të ëmbla, për të cilën janë kryesisht shkaktarë shtimi i ndotjes bujqësore dhe industriale, së bashku me një konsumim shumë më të madh të ujërave.
«Mbrojtja e ekosistemeve natyrore nuk është një luks, të cilin vetëm të pasurit janë në gjendje ta financojnë,—komenton Sër Gilian Prans, drejtor i Kopshteve Botanike Mbretërore në Kju, Londër, Angli,—por është diçka thelbësore për të siguruar ruajtjen e funksioneve jetësore ekologjike të planetit tonë, prej të cilit varet jeta e të gjithëve ne.» Në këtë çështje përfshihet çdo banor i këtij planeti. Si mund të arrihet atëherë një zgjidhje e përhershme mbarëbotërore?
Është interesante që libri i fundit i Biblës, Zbulesa, flet për ata njerëz që shkatërrojnë tokën. Në të parathuhet një kohë kur vetë këta njerëz do të çohen në shkatërrim. (Zbulesa 11:18) A do të ketë të mbijetuar? Po, sepse kjo do të ndodhë me anë të ndërhyrjes së ‘Perëndisë Jehova, të Plotfuqishmit’, i cili ka zgjidhjen e vetme për problemet ambientale të kësaj toke, si edhe fuqinë për ta zbatuar atë. (Zbulesa 11:17, BR) Zbulesa 21:3 përshkruan një kohë kur Perëndia «do të banojë me [njerëzit] edhe ata do të jenë populli i tij».
Si mund të bëheni pjesë e ‘popullit të tij’ dhe të keni perspektivën të shihni eliminimin e prishjes së sotme të mjedisit natyror të tokës? Ju lutemi kontaktoni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj, duke shkruar në një nga adresat që gjenden në faqen 5. Ose flitni me ta herën tjetër që do t’ju vizitojnë në shtëpi. Ata do t’ju ndihmojnë me kënaqësi që të mësoni më shumë se çfarë mund të bëni qysh tani, për të qenë gati kur Perëndia të ndërhyjë së shpejti.