Bota e nëndheshme e Parisit
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË FRANCË
FORMOJ numrin, duke pritur me ankth që dikush të përgjigjet. «Alo! Alo!—thërras.—Më kanë rënë çelësat e makinës në kanalin kullues të rrugës! Ejani shpejt, ju lutem!» Një skuadër speciale punëtorësh të ujërave të zeza mbërrin menjëherë. Detyra e tyre është që të zhbllokojnë kanalet e ujërave të zeza, të heqin ujin nga bodrumet e përmbytura dhe të gjejnë çelësat, syzet, portofolët e madje edhe kafshët shtëpiake që humbasin vazhdimisht në 18.000 kanalet kulluese të Parisit. Ata i gjejnë çelësat dhe unë, duke psherëtirë i çliruar, i falënderoj përzemërsisht.
Ditën tjetër vendos të bëj një vizitë në Musée des Égouts (Muzeu i Llagëmeve) në bregun e majtë të lumit Senë, përballë barkave tona të famshme për shëtitje në lumë, fare pranë Kullës Eifel. Për afro 130 vjet, Parisi ka qenë krenar ta ekspozojë botën e tij të nëndheshme. E zbuloj arsyen duke imituar mbi 90.000 njerëzit kureshtarë që çdo vit vizitojnë këtë muze unik. Më ndiqni ndërsa u hedh një vështrim më nga afër kanaleve të ujërave të zeza të Parisit, që shkrimtari i famshëm francez Viktor Hygo i quajti «zorrët e Leviathanit».
«Zorrë» ku mund të hysh
Pas një zbritjeje prej 5 metrash nën tokë, shikoj gjënë e parë të ekspozuar në muze: një mi i balsamosur. Një pamje vërtet rrëqethëse! Thuhet se për çdo banor të Parisit ka tre minj, stomaku i të cilëve tret në mënyrë të pabesueshme edhe helmet më të fuqishme pa problem. Ata janë padyshim të ushqyer mirë. Çdo ditë minjtë përpijnë 100 tonë, ose një të tretën e produkteve të kanaleve të ujërave të zeza.
Gurë, gozhdë, çelësa dhe sende të tjera të forta përzihen me ujërat e zeza e me shiun dhe krijojnë çrregullim në kanalet e ujërave të zeza. Nën tingujt e ujit që pikon, vëzhgoj me kujdes makineritë që pastrojnë 2.100 kilometrat e kësaj «zorre» të stërmadhe. Çdo vit, rreth një mijë punëtorë zhvendosin 15.000 metra kub mbeturina. Errësira, currilat e ujit të ndotur, muret viskoze dhe rritjet e papritura të nivelit të ujit mund ta bëjnë punën e një punëtori të ujërave të zeza tejet të vështirë.
E, meqë po flasim për vështirësitë, pranë tavanit të kanaleve të ujërave të zeza gjarpërojnë gypa që përmbajnë një rrjet të pafund tubash hidraulikë, kabllosh telefonike dhe kabllosh elektrike të semaforëve.
Që në kohën e romakëve
Romakët ishin të parët që e pajisën Parisin me kanale ujërash të zeza. Rreth 18 metra të kanaleve të ndërtuara nga romakët, ekzistojnë ende nën rrënojat e banjave termale romake në Lagjen Latine. Por pas rënies së Perandorisë Romake, higjiena u la pas dore. Parisi për shekuj mbeti i pistë dhe jo i shëndetshëm për shekuj, vetëm me disa kanale kryesore të ujërave të zeza (kanale kulluese në mes të rrugës) ose hendeqe që largonin ujërat e papastra. Hendeqet kutërbonin dhe ishin burim infeksionesh. Në vitin 1131 djali i madh i mbretit Luigj VI vdiq nga një infeksion pasi kishte rënë në një kanal ujërash të zeza të hapur.
Kanalet e hapura shërbenin si vend për të hedhur mbeturinat dhe po kështu shërbenin edhe ato pak kanale të mbuluara të sapogërmuara, të cilat bllokoheshin kollaj. Si për të keqësuar situatën, kur niveli i ujit të lumit Senë rritej, kanalet villnin llum dhe produkte me një erë të neveritshme. Në atë kohë, sistemi kullues i Parisit ishte shumë i vogël. Në vitin 1636 «zorra» ishte vetëm 23 kilometra e gjatë dhe përballonte një popullsi prej 415.000 banorësh. Një shekull e gjysmë më vonë, ishte vetëm 3 kilometra më e gjatë. Në kohën e Napoleonit ajo vuante nga mostretja akute.
Në shekullin e 19-të kanalet ekzistuese të ujërave të zeza u vëzhguan nga afër dhe u skicuan me hollësi. Doli se ato përbëheshin nga afro dyqind tunele, shumë prej të cilëve më parë nuk dihej se ekzistonin. Si u hoqën tonët e llumit shekullor? U hap fjala se nën rrugët e Parisit mund të gjendeshin sende me vlerë. Pas kësaj, një turmë me kërkues lakmitarë thesaresh u futën brenda. Ata çanë përmes llumit, duke nxjerrë monedha, bizhuteri dhe armë.
Organizimi i sistemit të kanaleve të ujërave të zeza
Më në fund, kanalet e ujërave të zeza u organizuan, u modernizuan, u zgjatën dhe u lidhën me çdo shtëpi. U përdorën gypa me një madhësi të mjaftueshme për të përballuar përmbytjet e papritura. Në vitin 1878, poshtë kalimeve të mëdha të nëndheshme, gjarpëronin 650 kilometra kanale të lundrueshme. «Kanali i ujërave të zeza është i pastër, . . . i veshur me rrobat më të mira»,—shkroi Viktor Hygo.
Gjatë shekullit të 20-të, sistemi u dyfishua dhe kanalet e ujërave të zeza u bënë pasqyrimi i saktë i qytetit. Në ç’mënyrë? Secili kanal mban emrin e rrugës që ndjek dhe numrin e ndërtesës që ka sipër. Përmirësime kanë vazhduar të bëhen edhe me projektin e restaurimit prej 330 milionë dollarësh që filloi në vitin 1991. Restaurimi dhjetëvjeçar i këtij sistemi jetësor që përballon 1,2 milionë metra kub ujë çdo ditë, përfshin instalimin e pajisjeve pastruese automatike dhe të aparaturave drejtuese të kompjuterizuara.
Ndërsa pres me padurim të ngopem me ajrin normal të Parisit, vizitës i vjen fundi. Megjithatë, udhëtimi im i nëndheshëm nuk ka mbaruar. «Për të parë thellësitë më të brendshme të Parisit, shko te katakombet,—sugjeron një shitës suveniresh.—Njëzet metra nën tokë janë grumbulluar eshtrat e gjashtë milionë njerëzve.» Nga vinin ato?
Kishat helmojnë ajrin
Katakombet e Parisit (një varrezë e nëndheshme)u mbushën me eshtra vetëm në shekullin e 18-të. Duke filluar në Mesjetë njerëzit varroseshin nëpër kisha ose pranë tyre. Kjo i sillte fitim kishës, por ishte shumë e dëmshme për shëndetin, pasi varrezat ishin në zemër të qytetit. Varreza më e madhe e Parisit, Shenjtorët e Pafajshëm, u bë një makth për fqinjët e tij, pasi 7.000 metrat katrorë të tij mbanin të vdekurit e rreth 20 kishave bashkë me kufomat e paidentifikuara dhe viktimat e katastrofave.
Në vitin 1418, murtaja e zezë shtoi rreth 50.000 kufoma. Në vitin 1572, mijëra viktima të masakrës së Ditës së Shën Bartolomeut i ngjeshën në varrezën Shenjtorët e Pafajshëm.a Njerëzit kërkuan mbylljen e kësaj varreze. Rreth dy milionë kufoma, të vëna grumbull në disa raste në një thellësi prej 10 metrash, e kishin ngritur nivelin e tokës më shumë se 2 metra. Varreza ishte një burim infeksioni dhe lëshonte një erë të qelbur, e cila thuhej se fermentonte qumështin ose verën. Megjithatë, kleri e kundërshtoi mbylljen e varrezave të qytetit.
Në vitin 1780 një varr i përbashkët u hap dhe i volli kufomat nëpër bodrumet e fqinjëve. Ky ishte kulmi. Varreza u mbyll dhe varrosja në Paris u ndalua. Varret masive u boshatisën dhe kufomat u grumbulluan në guroret e papërdorura të Tonb-Isuar. Çdo natë, për 15 muaj, karvane të kobshme transferonin eshtrat. Ky projekt u zgjerua për të përfshirë edhe 17 varreza të tjera dhe 300 vende adhurimi. Eshtrat u hodhën në një pus 17,5 metra të thellë, ku tani një palë shkallë të çojnë nga rruga te katakombet.
Një vizitë në katakombet e Parisit
Nga sheshi Danfer-Roshro, pak më në jug të Lagjes Latine të Parisit, zbres 91 shkallët që të çojnë te katakombet. Në vitin 1787 zonjat e oborrit mbretëror ishin ndër të parat që e panë këtë varr të nëndheshëm nën dritën e pishtarëve. Sot, atë e vizitojnë 160.000 vizitorë çdo vit.
Pasi mbarojnë shkallët vjen një seri galerish, në dukje e pafund, ku janë depozituar kufomat. Eci me shumë kujdes duke mbajtur parasysh që katakombet zënë një sipërfaqe prej më shumë se 11.000 metrash katrorë. Një burrë me emrin Filiber Asper fitoi famë pa e kërkuar atë, kur u përpoq të gjente rrugën nëpër këto galeri prej qindra kilometrash. Në vitin 1793 ai humbi në këtë labirint. Skeleti i tij u gjet 11 vjet më vonë, i identifikuar nga çelësat dhe nga rrobat.
Rreth 30 për qind e zonës nën Paris është shfrytëzuar për të nxjerrë gurë. Për një kohë të gjatë, nxjerrja e gurëve ishte e pakontrolluar. Por në vitin 1774, 300 metra të rue d’Enfer (rruga e Ferrit, sot Danfer-Roshro) u shemb dhe ra në një humnerë 30 metra të thellë. Parisi rrezikohej të shembej. Gurët «që shohim mbi tokë», ngriti zërin një shkrimtar, «mungojnë nën këmbët tona». Për të siguruar mbështetje për galeritë e nëndheshme u ndërtuan harqe madhështore.
«Ishin që ishin, gjynah që s’e shtruan dhe dyshemenë.»—ankohem, ndërsa vërej këpucët e mia me baltë. Ndërsa rrëshqas në një pellg me llucë, arrij të kapem pas një dere bronxi të rëndë. Pas derës gjendet një korridor me mure të ndërtuara me kocka njerëzish. Kafka të ngërdheshura dhe kocka kofshe e kërcinj të brishtë të sistemuar në rreshta dhe në formë kryqi e kurore paraqesin një skenë të frikshme. Nëpër pllaka janë gdhendur vargje biblike dhe poema që pasqyrojnë reflektimin e njeriut në lidhje me domethënien e jetës dhe të vdekjes.
Duke u larguar nga katakombet, pastroj baltën nga këpucët në hendekun anës rrugës, duke u siguruar që çelësat të mos vendosin të vizitojnë përsëri kanalet e ujërave të zeza të Parisit. Udhëtimi në botën mjaft interesante të nëndheshme të Parisit, ka qenë një përvojë e pazakontë, të cilën nuk do ta harroj lehtë. Padyshim, Parisi fsheh shumë më tepër sesa arrin të kapë syri.
[Shënimi]
a Shiko Zgjohuni!, 22 prill 1997, faqet 7-8, anglisht.
[Figura në faqen 25]
Përurimi i një pjese të kanaleve të ujërave të zeza të Parisit
[Burimi]
Valentin, Musée Carnavalet, © Photothèque des Musées de la Ville de Paris/Cliché: Giet
[Figura në faqen 25]
Duke vizituar kanalet e ujërave të zeza
[Burimi]
J. Pelcoq, The Boat, Musée Carnavalet, © Photothèque des Musées de la Ville de Paris/Cliché: Giet
[Figura në faqen 25]
Prerje tërthore e kanaleve të ujërave të zeza të Parisit
[Burimi]
Ferat, Musée Carnavalet, © Photothèque des Musées de la Ville de Paris/Cliché: Briant
[Figura në faqen 26]
Kafka të ngërdheshura dhe kërcinj të brishtë të sistemuar në rreshta dhe në formë kryqi e kurore
[Figura në faqen 26]
Një mbishkrim para daljes: «Gjembi i vdekjes është mëkati.»—1. Korintasve 15:56, «King James Version»
[Figura në faqen 26]
Makineri për pastrimin e kanaleve të ujërave të zeza
[Burimi i figurës në faqen 26]
Harta në sfond në faqet 24-27: Encyclopædia Britannica/Botimi i 9-të (1899)