BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/99 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mungesë prindërish të aftë
  • Suedia drejt ndarjes së kishës nga shteti
  • Dhunë ndaj kompjuterave
  • Veshje e suksesshme
  • Piratë të kohëve moderne
  • Minierat e arit në Egjipt
  • Gjashtë miliardë dhe akoma në rritje
  • Temperatura rekord
  • Ripyllëzim i shpejtë
  • Vlera e një nëne
  • Ari: Magjepsja e tij
    Zgjohuni!—1998
  • Demografia, Bibla dhe e ardhmja
    Zgjohuni!—2004
  • Viti 2000—A do të ndikojë te ju dështimi i kompjuterave?
    Zgjohuni!—1999
  • Burimet e tokës po pakësohen
    Zgjohuni!—2005
Zgjohuni!—1999
g 12/99 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Mungesë prindërish të aftë

Sipas National Post, anketimi i parë në rang kombëtar i kryer në Kanada në lidhje me kujdesin prindëror zbulon se «shumë [prindërve] u mungon madje edhe njohuria bazë rreth mënyrës se si zhvillohen fëmijët dhe si mund të ndihmojnë prindërit në këtë proces». 92 për qind e më shumë se 1.600 «baballarëve, nënave dhe nënave të vetme me fëmijë nën moshën gjashtëvjeçare» që u anketuan, pranuan se të qenët prind është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë. Megjithatë, «më pak se gjysma e tyre ishin plotësisht të vetëdijshëm se mund të ndikojnë pozitivisht në nivelin e inteligjencës së fëmijës së tyre, duke u lexuar diçka, duke luajtur me ta, duke i përkëdhelur dhe duke i mbajtur në krahë». Veç kësaj, rreth 30 për qind «besojnë se çdo foshnjë lind me një nivel të caktuar inteligjence, i cili nuk mund të rritet ose të ulet nga mënyra se si veprojnë prindërit me ta». Post thotë se këto rezultate të anketimit janë shqetësuese, pasi studimet tregojnë se «pesë vitet e para të një fëmije luajnë një rol kyç në zhvillimin e aftësisë së tyre për të mësuar, krijuar, dashur, besuar dhe për të zhvilluar një vetëdije të plotë për veten e tyre».

Suedia drejt ndarjes së kishës nga shteti

Kisha e Suedisë thotë se do të ndahet nga shteti më 1 janar të vitit 2000. Ky veprim do të shkëpusë lidhjet që kanë ekzistuar ndërmjet saj dhe qeverisë suedeze qysh prej shekullit të 16-të. «Deri më 1 janar të vitit 1996, fëmijët sapo lindnin mund të bëheshin automatikisht anëtarë të Kishës së Suedisë, me kusht që një nga prindërit të ishte anëtar i saj,—thuhet në Web sait-in zyrtar të kishës.—Pagëzimi nuk ishte një kërkesë.» Qeveria suedeze e ratifikoi reformën në vitin 1995, pas katër dekadash debate e propozime brenda sinodit të kishës. Rreth 88 për qind e popullsisë së Suedisë janë anëtarë të Kishës së Suedisë.

Dhunë ndaj kompjuterave

«Çfarë bëni kur PC-ja [kompjuteri personal] juaj nuk bën atë që doni ju të bëjë?—pyet revista gjermane PC Welt, e vënë në dispozicion me anë të kompjuterit.—E godisni? E flakni nga dritarja?» Reagime të tilla nuk janë të rralla. Në një anketim mbarëbotëror që u bë me 150 administratorë të teknologjisë kompjuterike, 83 për qind raportuan shpërthime zemërimi ose dhunë të mirëfilltë të ushtruar ndaj kompjuterave. Të acaruar nga një daunloud i tejzgjatur në ose nga një maus që ngec, disa herë përdoruesit thyejnë ekranin, godasin me grusht tastierën, përplasin maus-in pas murit e madje godasin kompjuterin me shkelm. Ndërkohë që kompjuteri bëhet objekt i acarimit të përdoruesit, shpesh është përdoruesi që e ka shkaktuar problemin. Për shembull, një punonjëse u zemërua me programin e E-mail-it të saj, sepse nuk e dërgonte më postën. Më vonë u zbulua se në vend që të kishte shtypur adresën e E-mail-it, ajo kishte shtypur adresën e një rruge.

Veshje e suksesshme

Gazeta Toronto Star thotë se kur përgatiteni që t’ju intervistojnë për një vend pune, bëni mirë të mbani parasysh se «njerëzit e veshur mirë lënë një përshtypje të mirë». Kjo ndodh për faktin se përshtypja e parë zgjat për një kohë të gjatë. Prandaj, raporti thotë: «Mesazhi kryesor për ata që janë të interesuar është: nëse nuk kujdeseni për paraqitjen tuaj të jashtme, kjo do të thotë se jeni të pakujdesshëm dhe pikë.» Ekspertët thonë se një person që është i pastër dhe i rregullt në paraqitjen e jashtme, u jep pa folur punëdhënësve të mundshëm ose klientëve siguri se mund të presin një punë me cilësi. Konsulentët e imazheve theksojnë, gjithashtu, se «mbajtja drejt e trupit dhe një paraqitje energjike lë përshtypje të thellë për herën e parë. Toni i zërit dhe ritmi i të folurit kanë të bëjnë shumë».

Piratë të kohëve moderne

«Mund të thuhet me bindje se pirateria është kërcënimi më i madh ndaj udhëtimeve me anije sot»,—raporton International Herald Tribune. Sulmet e piratëve po shtohen, sidomos në ujërat e Azisë Juglindore, me sa duket, si rezultat i reduktimit të patrullimeve të flotës detare në rajon. Këto ujëra, ku gjenden disa nga ngushticat me trafikun detar më të dendur në botë, sigurojnë plaçkë fitimprurëse për piratët, të cilët mendohet se veprojnë nga ishujt e shumtë të izoluar në rajon. Piratët e armatosur deri në dhëmbë përdorin barka të shpejta gjatë natës për t’i zhveshur anijet nga të gjitha sendet me vlerë. Zyrtarët thonë se piratët është vështirë t’i kapësh në det dhe mund të frenohen vetëm nëse bie në gjurmët e tyre kur janë në tokë, ku shesin mallrat e tyre të vjedhura.

Minierat e arit në Egjipt

Thuhet se në kohët e lashta minierat e arit në Egjipt kanë prodhuar mbi 1.500 tonë ar. Ndonëse kanë kaluar rreth 2.000 vjet që nga koha kur prej andej është nxjerrë ndonjë sasi e konsiderueshme ari, gjeologët kanë përcaktuar se në tokë ka mbetur ende një sasi e madhe ari. «Dëshirojmë të risjellim lavdinë e faraonëve dhe do të hapim përsëri minierat tona, që e kanë zanafillën më shumë se 6.000 vjet më parë»,—thotë Sami El-Ragi, kryeadministrator i një kompanie australiane për nxjerrjen e arit. Qeveria egjiptiane i ka dhënë kompanisë së tij të drejtën për të eksploruar rajonin e Shkretëtirës lindore ngjitur me Detin e Kuq, ku dihet se ekzistojnë 16 miniera faraonike. Megjithatë, një hartë 2.900-vjeçare e zbuluar në Luksor (Teba e lashtë) në vitin 1820 tregon se në zonë ekzistojnë edhe 104 miniera të tjera, të mbuluara nga rëra e shkretëtirës. Sipas The Wall Street Journal, mendohet se duke përdorur teknika moderne, disa mund të bëhen përsëri miniera të efektshme ari.

Gjashtë miliardë dhe akoma në rritje

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë ka llogaritur se popullsia e botës ka arritur shifrën gjashtë miliardë, më 12 tetor 1999. Sipas Karl Haub, punonjës i Degës së Të Dhënave për Popullsinë, u deshën vetëm 12 vjet që popullsia e botës të rritej nga pesë në gjashtë miliardë. Sipas një raporti të kësaj dege, «popullsia e botës u rrit me 4,4 miliardë në shekullin e 20-të», ndërsa në shekullin e 19-të, «popullsia u rrit vetëm me rreth 600 milionë». Rritja e jetëgjatësisë është arsyeja kryesore e rritjes së menjëhershme të popullsisë së botës në shekullin e 20-të. «Sot, rreth 98 për qind e rritjes së popullsisë së botës ndodh në vendet më pak të zhvilluara»,—tha Haub.

Temperatura rekord

«Në vitin 1998, temperatura mesatare e Tokës kaloi temperaturën më të lartë të regjistruar»,—thotë një njoftim për shtyp i Worldwatch Institute. Temperaturat më të larta atmosferike shkaktojnë një avullim më të madh dhe më shumë shira, të cilët, nga ana e tyre krijojnë më shumë stuhi shkatërrimtare. Për shembull, Worldwatch thotë se «dëmtimet e shkaktuara nga moti në vitin 1998 llogariteshin gjithsej në 92 miliardë dollarë, një rritje e jashtëzakonshme prej 53 për qind nga shifra e mëparshme e regjistruar në vitin 1996 prej 60 miliardë dollarësh». Veç kësaj, në vitin 1998 një numër rekord stuhish dhe përmbytjesh lanë sipas përllogaritjeve 300 milionë njerëz pa shtëpi. Shkencëtarët nuk janë të sigurt nëse viti 1998 ishte thjesht një devijim nga normaliteti apo kjo prirje shkatërrimtare do të vazhdojë. Sidoqoftë, raporti thoshte: «Modelet e simulimit të klimës tregojnë se ngjarjet e vitit 1998 mund të jenë një pasqyrë e së ardhmes.»

Ripyllëzim i shpejtë

Revista New Scientist raporton se një zonë në pyllin e shiut të Amazonës që ishte shkatërruar nga gërmimet për nxjerrje mineralesh është transformuar në një pyll të harlisur brenda dy vjetëve. Shkencëtarët në Embrapa, një qendër kërkimore e qeverisë braziliane për bujqësinë, kanë zhvilluar një metodë për futjen në farat e pemëve të baktereve që fiksojnë azotin. Pas mbjelljes, rritja e farave përshpejtohet në një masë të madhe. Kjo teknikë ka dalë e suksesshme në Orishimina, në shtetin verior të Paras, ku gërmimet për nxjerrjen e boksitit kishin shkaktuar një shpyllëzim në shkallë të gjerë. Revista vëren se studiuesit po e përdorin metodën e re në bregun lindor të Brazilit, ku ka mbetur vetëm 6 përqind e sipërfaqes së pyllit origjinal.

Vlera e një nëne

Nëse do të bënit shumën e rrogave për të gjitha punët që kryen një nënë gjatë një viti, sa do të kushtonin shërbimet e kryera prej saj? Sipas një raporti në The Washington Post, ajo do të merrte 508.700 dollarë në vit. Shifra bazohet në një studim të rrogave mesatare për punët që kryejnë zakonisht nënat. Disa nga 17 punët e përfshira në raport, bashkë me rrogat e tyre mesatare vjetore janë: kujdestare fëmijësh, 13.000 dollarë; shofere autobusi, 32.000 dollarë; psikologe 29.000 dollarë; kujdestare kafshësh, 17.000 dollarë; infermiere e kualifikuar, 35.000 dollarë; kryekuzhiniere, 40.000 dollarë dhe nëpunëse e thjeshtë zyre, 19.000 dollarë. Sipas Rik Edelmanit, kryetar i Kompanisë së Shërbimeve Financiare që drejtoi studimin, këto shifra nuk përfshijnë shpenzime të tilla si sigurimet shoqërore dhe pagesat e tjera pas daljes në pension.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo