Pse të kurseni në vend që të harxhoni?
«TË KURSESH është e mërzitshme,—thonë shumë.—Është qejf të blesh rroba, pajisje elektronike dhe gjëra të tilla.»
Pavarësisht nëse jeni prekur ose jo nga rënia ekonomike botërore, mund të nxirrni dobi duke shqyrtuar mënyra si të kurseni ose si të shpenzoni me mençuri. Vini re çfarë këshillon një burim i besueshëm që gjatë shekujve ka ndihmuar miliona njerëz të përballojnë problemet financiare.
Tri thënie të mençura të moçme
Në një prej ilustrimeve të tij, Jezui nga Nazareti theksoi një parim financiar të rëndësishëm. Aty zotëria e këshilloi skllavin e tij: «Ti duhej t’i kishe futur paratë e mia në bankë dhe, kur të vija, do të merrja paratë e mia bashkë me interesin.» (Mateu 25:27, New American Standard Bible) Kjo gjë që tha Jezui atëherë, është mjaft e rëndësishme edhe sot. Le të shohim përse.
Kohët e fundit, në disa vende, interesi i fituar në dhjetë vjet shkonte më tepër se shuma fillestare që ishte futur në bankë. Megjithëse sot janë të pakta bankat që ofrojnë përqindje interesi kaq joshëse dhe fitimi nga investimet nuk është gjithmonë aq i lartë sa shpresojnë investuesit, është e mençur të kemi para mënjanë për raste urgjente.
Bibla e mbështet këtë kur thotë: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja.» (Eklisiastiu 7:12) Por, paraja nuk mund t’ju mbrojë nëse nuk keni vënë asgjë mënjanë. «Secili nga ju të vërë diçka mënjanë,—nxit Bibla,—sipas mbarësisë që ka.»—1 Korintasve 16:2.
Si të kurseni?
Së pari, para se të blini diçka të shtrenjtë, mendoni nëse e keni vërtet të nevojshme.
Së dyti, nëse keni nevojë për diçka, shkoni atje ku ka mallra të reja me ofertë ose mallra të përdorura, por në gjendje të mirë. Espenit dhe Xhejnit, prindër që jetojnë në Norvegji, u nevojitej një karrocë për Danielin, djalin e tyre. Gjetën një gati të re me më pak se gjysmë çmimi. «Kur Danieli të mos ketë më nevojë për të,—thotë Espeni,—jam i sigurt se do ta shesim me një çmim të mirë.» Por, paralajmëron ai: «Duhet shumë kohë për të gjetur oferta të mira.»a
Së treti, mos bëni blerje impulsive; mendoni me mendje të kthjellët të nesërmen. Nëse akoma mendoni se ajo gjë është tepër e rëndësishme, pse të mos kërkoni diçka të ngjashme aty ku ka ulje ose mallra të përdorura. Gjithashtu, shpesh mund të kurseni nëse nuk mendoni se duhet të blini patjetër mall firmato. Për me tepër, në vend që të blini për fëmijët rroba të shtrenjta e të modës më të fundit, pse të mos pranoni rroba të përdorura nga fëmijët e të afërmve?
Po kështu, një nënë e re mund të përdorë pelena cope që mund të lahen. Në librin e saj, Denisa Çembërsi thotë: «Pelenat njëpërdorimshe për dy vjet do t’ju kushtojnë rreth 2.000 dollarë ose më tepër. Kurse ato prej cope . . . mund t’ju kushtojnë 300-500 dollarë.» Ajo shtoi: «Pelenat e sotme prej cope janë shumë më të lehta për t’u përdorur dhe nuk ndotin as mjedisin.»—Budgeting—Personal Spending and Money Management a Key to Weathering the Storm.
Së katërti, kini parasysh se zakonisht kushton më pak të gatuani në shtëpi, sesa të hani jashtë. Nëse keni fëmijë në moshë shkollore, pse të mos i mësoni të përgatitin sanduiçe në vend që t’u jepni para për të ngrënë jashtë më shtrenjtë? Dhe në vend që të blini pije që kushtojnë, pini më mirë ujë. Është më i shëndetshëm dhe s’jua rëndon xhepin.
Jo shumë kohë më parë, familjet kishin bahçet e tyre me perime. A keni menduar t’i rritni vetë disa gjëra? Shumë njerëz, madje edhe ata që jetojnë në pallate ose në shtëpi të vogla, kanë një vend që mund ta përdorin për të mbjellë. Mund të habiteni sa shumë gjëra mund të rriten në një hapësirë të vogël.
Mendoni edhe për këto: nëse keni nevojë për një celular, a mund ta përdorni vetëm për raste urgjente dhe të paguani që më përpara për një kohë bisede të kufizuar? Ose nëse keni një tharëse rrobash, a keni menduar ta përdorni më pak? Ndoshta mund t’i varni në tel disa rroba ose ndonjëherë të gjitha. Ose mund ta shihni të udhës të kufizoni përdorimin e kondicionerëve dhe të ngrohësve. Para se t’i ndizni këto pajisje, pyetni veten: «A është vërtet kaq i padurueshëm të nxehtët ose të ftohtët?» Mund të flitni edhe me të tjerë për të mësuar se si e kursejnë energjinë elektrike.
Gjithashtu, është mirë të hapni një llogari bankare. Për më tepër, Hiltoni, që shërben si vullnetar në Afrikën e Jugut, shpjegon: «Është e mençur të mos i mbash të gjitha ‘vezët në një shportë’. Ndonjëherë, bankat ose institucionet financiare falimentojnë. Ne e kemi provuar në kurrizin tonë.» Prandaj me mençuri zgjidh një bankë ku shteti del garant nëse banka falimenton.
Si të shlyeni borxhet?
Së pari, përpiquni të paguani më tepër se minimumi i këstit mujor që kërkohet për çdo borxh, si kartat e kreditit ose detyrime të tjera.
Së dyti, përpiquni të paguani në fillim borxhin që ka interes më të lartë.
Së treti, frenohuni e mos harxhoni pa karar. Kjo është tepër e rëndësishme.
A kanë ndikuar reklamat joshëse te ju? Dani, një baba nga Suedia, e pranon se është ndikuar. Kishte një biznes të suksesshëm, por iu desh ta shiste që të shlyente borxhin e kartës së kreditit. Nxori mësim dhe tani tregon kujdes me shpenzimet. Ai këshillon: «Ruhuni nga lakmia. Kënaquni me atë që keni.»
Borxhe të justifikuara
Të paktë janë ata që janë në gjendje të blejnë një shtëpi ose një apartament me paratë e tyre. Kështu që shumë zgjedhin të marrin kredi. Shuma mujore që i paguajnë bankës për kredinë, mund të konsiderohet si qira. Por, pas shumë vjetësh, kur mbarojnë së paguari kredinë, shtëpia është e tyrja.
Edhe shumë të tjerëve u duket më mirë të marrin kredi për të blerë një makinë që harxhon pak. Duke shlyer kredinë sa më shpejt, makina kthehet në kapital, që më vonë mund të shitet.b Disave u duket e mençur të blejnë një makinë të përdorur që është në gjendje të mirë dhe nuk ka bërë shumë kilometra. Të tjerë kursejnë para duke përdorur transportin publik ose një biçikletë.
Sidoqoftë, jini modestë dhe realistë me atë që zgjidhni të blini dhe tregoni kujdes me vendimet që merrni. Shpenzimi i pafre mund të kthehet në varësi dhe sjell stres. Prandaj bëni çmos që të shpenzoni me maturi, dhe kjo do t’ju ndihmojë të gëzoni lumturi të qëndrueshme.
Për më tepër, që të kurseni dhe njëkohësisht të jeni të lumtur, duhet të dini si t’i administroni paratë. Kjo është tema e artikullit në vijim.
[Shënimet]
a Për t’u siguruar që nuk po blini mallra të vjedhura, është e mençur të kërkoni faturën e pagesës me emrin dhe adresën e shitësit.
b Kini parasysh se, nëse humbisni burimin e të ardhurave dhe nuk arrini të shlyeni kredinë, mund ta humbisni shtëpinë ose makinën dhe gjithë paratë që keni paguar deri në atë pikë.
[Figurat në faqen 5]
MËNYRA PËR TË KURSYER PARA
Kërkoni mallra me ofertë
Blini rroba me ulje ose të përdorura
Mësojini fëmijët ta përgatitin e ta marrin bukën me vete
[Figura në faqen 6]
Kurseni duke i rritur vetë disa perime. Kurseni duke i nderë rrobat jashtë