Si t’i administroni paratë?
KEMI parë dy mënyra si mund t’i administrojmë paratë: (1) duke i shpenzuar, (2) duke i kursyer. Një mënyrë e tretë është duke i dhuruar. Kjo kërkon mbajtjen e një buxheti. Le të shohim se si mund të bëjmë një buxhet.
Kriza e Madhe s’ka bërë gjë tjetër veçse na ka treguar se sa e mençur është të jetojmë sipas një buxheti të planifikuar mirë. Çfarë është buxheti? Me pak fjalë, buxheti është planifikimi i shpenzimit të të ardhurave. Ai mund të bëhet nga një individ, një familje, një biznes ose një qeveri.
Një projekt familjar
Si mund të planifikoni një buxhet? «Të gjithë pjesëtarët e familjes,—thotë Denisa Çembërsi në librin e saj Budgeting,—duhet të përfshihen në planifikim, kështu që të gjithë ndihen përgjegjës t’i përmbahen buxhetit familjar.» E gjithë familja duhet të mblidhet rregullisht për të parë si po ecën buxheti. Buxheti i suksesshëm është një projekt që i sjell dobi gjithë familjes, pasi secili mëson të gjejë mënyra për të jetuar me aq të ardhura sa ka familja.
Për të bërë një buxhet, disa përdorin një program kompjuterik. Të tjerë thjesht përdorin laps e letër. E ndajnë letrën në dy kolona, ku në njërën shënojnë të ardhurat dhe në tjetrën shpenzimet. Gjithashtu, është e rëndësishme të përfshihet në buxhet një shumë mujore për të mbuluar shpenzimet vjetore, si për shembull tatimet mbi të ardhurat dhe ndoshta pushimet.
Një metodë e vërtetuar nga koha, bazohet në përdorimin e zarfeve të etiketuara: «Ushqimi», «Qiraja», «Transporti», «Energjia elektrike», «Shpenzimet mjekësore» e kështu me radhë. Në të kaluarën, njerëzit i fusnin paratë çdo muaj për këto shpenzime në zarfin përkatës. Tani shumë mendojnë se është më e sigurt dhe më e lehtë të depozitosh para në një llogari bankare dhe t’i tërheqësh sipas nevojës.
Xhonatani dhe Ana, që jetojnë në Afrikën e Jugut me dy vajzat, shpesh përdorin metodën e zarfeve. «Nëse rroga të depozitohet në një llogari bankare,—thotë Xhonatani,—është e rëndësishme të jesh po kaq strikt për ndarjen e parave. Për shembull, nëse ju mbaron mishi për atë muaj, atëherë nuk duhet të merrni nga kursimet për të blerë mish.»
Xhonatani kishte një biznes, por tani ai dhe familja e tij kanë zgjedhur të shërbejnë si vullnetarë dhe marrin pjesë në ndërtimin e vendeve të adhurimit. Ngaqë e çmojnë këtë mënyrë jetese ku japin për të tjerët, është e nevojshme më shumë se kurrë që të jetojnë sipas një buxheti. Si familje bisedojnë rregullisht për të parë se si po ecën buxheti dhe për të bërë rregullimet e duhura.
Lumturia më e madhe
Studimet tregojnë se kur u jep të tjerëve nga vetja, për shembull nga koha, energjitë si dhe nga paratë, kjo të bën më të lumtur. Në varësi të të ardhurave, kjo mund të jetë më e mira nga tri mënyrat e përmendura në hyrje të artikullit.
Kris Farëlli thotë në librin e tij The New Frugality se kursimi bëhet «me motivin për të shpenzuar». Ai rekomandon: «Një nga gjërat më me vlerë dhe më të mençura që mund të bëni me paratë, është t’i dhuroni.»a Farëlli shton: «Kur mendon se çfarë ka më tepër rëndësi, zakonisht mendja të shkon te marrëdhënia me të tjerët, te përvojat dhe te ndjesia që ke bërë diçka për të përmirësuar jetën e të tjerëve, por jo te paratë dhe zotërimet.»
Majkëll Vagneri, një ekonomist, me sa duket është dakord me këtë. Në librin e tij Your Money, Day One që kishte për qëllim të motivonte të rinjtë të kursenin, ai thotë: «Kur merr iniciativën të ndihmosh ata me mundësi të pakta, kjo dashamirësi dhe bujari do të të kthehet në një sërë mënyrash, por gjëja më e bukur është ndjesia që provon kur ndihmon të tjerët.»
Bibla tregon se dhënia sjell lumturi. Siç e shqyrtuam më parë, ajo përmban thënie që mund t’ju ndihmojnë t’i administroni të ardhurat me mençuri. Tani do të shqyrtojmë shtatë thënie të tjera të mençura nga Bibla.
[Shënimi]
a Paraja mund të jepet në formën e dhuratave ose të mikpritjes, si për shembull duke gatuar për miqtë ose për të afërmit.