Profecia
Përkufizimi: Një mesazh i frymëzuar nga Perëndia; një zbulim i qëllimit dhe vullnetit hyjnor. Profecia mund të jetë parathënie e diçkaje që do të ndodhë, një mësim moral i frymëzuar nga Perëndia ose një shprehje e një urdhërimi a gjykimi nga Perëndia.
Cilat gjëra të parathëna në Bibël janë përmbushur tashmë?
Disa prej tyre mund t’i gjeni te temat «Bibla», «Ditët e fundit» dhe «Datat», si edhe në librin «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», faqet 343-346, angl.
Cilat janë disa nga profecitë më të spikatshme të Biblës, që ende duhet të përmbushen?
1 Sel. 5:3: «Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes zënë një grua shtatzënë, dhe kurrsesi nuk do të shpëtojnë.»
Zbul. 17:16: «Dhjetë brirët që pe dhe bisha, do ta urrejnë prostitutën. Ata do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq. Do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr.»
Ezek. 38:14-19: «Thuaji Gogut: ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Atë ditë kur populli im, Izraeli [frymor], të banojë i sigurt, a nuk do ta dish ti? Ti do të vish nga vendi yt, nga viset më të thella të veriut, bashkë me shumë popuj, . . . Por atë ditë kur Gogu t’i sulet tokës së Izraelit,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—mua do të më hipë tërbimi në flegrat e hundës. Unë do të flas me tërë vrullin dhe zjarrin e zemërimit tim të furishëm.”’»
Dan. 2:44: «Kjo mbretëri [e vendosur nga Perëndia] . . . do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [njerëzore], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»
Ezek. 38:23: «Unë do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»
Zbul. 20:1-3: «Pashë një engjëll që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Pastaj e hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi humnerën mbi të, që të mos i mashtronte më kombet, derisa të mbaronin një mijë vjetët. Pas këtyre gjërave, ai do të zgjidhet për pak kohë.»
Gjoni 5:28, 29: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi.»
Zbul. 21:3, 4: «Dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’»
1 Kor. 15:24-28: «Dhe në fund, . . . ai do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij . . . Kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar atij, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi çdo gjë, që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë.»
Pse të krishterët duhet të jenë thellësisht të interesuar për gjërat që ka parathënë Bibla?
Mat. 24:42: «Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.»
2 Pjet. 1:19-21: «Ne e kemi fjalën profetike më të sigurt [si rezultat i asaj që ndodhi në shpërfytyrimin e Jezuit], dhe ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje . . . Sepse profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»
Prov. 4:18: «Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.»
Mat. 4:4: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Këtu përfshihen premtimet madhështore profetike të tij.)
2 Tim. 3:16: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (Prandaj, e gjithë Fjala e shkruar e Perëndisë e meriton ta studiojmë me zell.)
Nëse dikush thotë:
‘Ju e vini theksin shumë te profecitë. Mjafton të pranosh Krishtin si Shpëtimtarin tënd dhe të jetosh sipas parimeve të krishtere.’
Mund të përgjigjesh: ‘Patjetër, është e rëndësishme të vlerësohet roli i Jezu Krishtit. Por, a e dini se njëra nga arsyet pse judenjtë e shekullit të parë nuk e pranuan atë, ishte se nuk u kushtuan vëmendje të mjaftueshme profecive që kishin të bënin me të?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Profecitë në Shkrimet Hebraike kishin parathënë se kur do të shfaqej Mesia (Krishti) dhe çfarë do të bënte. Por judenjtë në përgjithësi, nuk ua vunë veshin profecive. Ata kishin mendimin e tyre në lidhje me se çfarë duhej të bënte Mesia, dhe për pasojë e hodhën poshtë Birin e Perëndisë. (Shih faqet 190, 191, te tema «Jezu Krishti».)’ (2) ‘Sot ne jetojmë në kohën kur Krishti po sundon si Mbret nga qielli dhe po bën që mesazhi i tij t’u predikohet njerëzve të të gjitha kombeve. (Mat. 24:14) Por shumica e njerëzve presin tjetër gjë.’
Ose mund të thuash: ‘Pajtohem me mendimin tuaj se është e rëndësishme të jesh i krishterë i mirë. Por, a do të quhesha unë i tillë, nëse do të zbatoja disa nga gjërat që mësoi Jezui, por do të shpërfillja atë që ai tha se duhej të zinte vendin e parë në jetë? . . . Shikoni çfarë tha ai këtu te Mateu 6:33.’ Pastaj mund të shtosh: ‘A s’është e vërtetë që Jezui na mëson të lutemi për atë mbretëri, madje përpara se të kërkojmë falje për mëkatet, gjë që mundësohet falë besimit tek ai si Shpëtimtari ynë? (Mat. 6:9-12)’