Profetët e rremë
Përkufizimi: Individë dhe organizata që shpallin mesazhe që, sipas tyre, vijnë nga një burim mbinjerëzor, por që faktikisht nuk vijnë nga Perëndia i vërtetë dhe nuk janë në përputhje me vullnetin e tij të zbuluar.
Si mund të identifikohen profetët e vërtetë dhe profetët e rremë?
Profetët e vërtetë e shpallin besimin e tyre te Jezui, por kërkohet më shumë sesa dikush vetëm të pohojë se predikon në emrin e tij
1 Gjon. 4:1-3: «Vërini në provë ato [shprehjet e frymëzuara] për të parë nëse vijnë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë. Shprehjen e frymëzuar që vjen nga Perëndia, mund ta kuptoni nga kjo: çdo shprehje e frymëzuar që rrëfen se Jezu Krishti erdhi në mish, vjen nga Perëndia, por çdo shprehje e frymëzuar që nuk rrëfen Jezuin, nuk vjen nga Perëndia.»
Mat. 7:21-23: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd . . . ?’ E megjithatë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’»
Profetët e vërtetë flasin në emër të Perëndisë, por nuk mjafton që dikush vetëm të pohojë se e përfaqëson atë
Ligj. 18:18-20: «Unë do t’u jap një profet si ti [si Moisiu] nga gjiri i vëllezërve të tyre, do t’ia vë fjalët e mia në gojë dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj. Atij që nuk do t’i dëgjojë fjalët e mia, që ky do të thotë në emrin tim, vetë unë do t’i kërkoj llogari. Mirëpo profeti që guxon të thotë në emrin tim një fjalë që unë nuk ia urdhëroj ose që flet në emër të perëndive të tjera, duhet të vdesë.» (Krahaso Jereminë 14:14; 28:11, 15.)
Jezui tha: «Nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» (Gjoni 8:28) Ai tha: «Unë erdha në emër të Atit tim.» (Gjoni 5:43) Jezui tha gjithashtu: «Ai që flet nga vetja, kërkon lavdinë e vet.»—Gjoni 7:18.
Në qoftë se një individ ose organizatë pohon se përfaqëson Perëndinë, por shmang përdorimin e emrit të Tij dhe e ka zakon të flasë sipas pikëpamjes së vet, e jo sipas asaj të Perëndisë, a po e përmbush këtë kërkesë të rëndësishme për të qenë një profet i vërtetë?
Aftësia për të kryer «shenja të mëdha» ose «mrekulli» nuk është medoemos një provë që dikush është profet i vërtetë
Mat. 24:24: «Do të dalin Krishtër të rremë dhe profetë të rremë e do të bëjnë shenja të mëdha [«mrekulli», Dio] dhe çudira, që të mashtrojnë mundësisht edhe të zgjedhurit.»
2 Sel. 2:9, 10: «Prania e të paligjshmit vjen me veprimin e Satanait me çdo vepër të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta dhe me çdo mashtrim që mund të sjellë padrejtësia. Të gjitha këto do t’i pësojnë ata që po marrin fund, si shpagim ngaqë nuk pranuan ta donin të vërtetën, që të shpëtonin.»
Është e vërtetë se Moisiu kreu mrekulli nën drejtimin e Jehovait. (Dal. 4:1-9) Po ashtu Jehovai i dha Jezuit fuqinë për të kryer mrekulli. (Vep. 2:22) Megjithatë, mrekullitë nuk ishin e vetmja gjë që provoi se Moisiun dhe Jezuin i kishte dërguar Perëndia.
Ajo që parathonë profetët e vërtetë, plotësohet, por ata mund të mos e kuptojnë saktësisht se kur ose si do të ndodhë
Dan. 12:9: «Shko, Daniel, sepse fjalët janë mbajtur të fshehta dhe të vulosura deri në kohën e fundit.»
1 Pjet. 1:10, 11: «Profetët . . . hulumtonin se cilën periudhë të veçantë ose çfarë lloj periudhe tregonte në lidhje me Krishtin fryma që kishin, kur ajo jepte dëshmi që më përpara për vuajtjet e Krishtit dhe për lavditë që do t’i ndiqnin ato.»
1 Kor. 13:9, 10: «Ne kemi njohuri të pjesshme dhe profetizojmë pjesërisht, por, kur të mbërrijë ajo që është e plotë, ajo që është e pjesshme, do të hiqet.»
Prov. 4:18: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.»
Apostujt dhe disa dishepuj të krishterë të hershëm ushqyen shpresa të gabuara, megjithatë Bibla nuk i klasifikon ata te «profetët e rremë».—Shih Luka 19:11; Gjoni 21:22, 23; Veprat 1:6, 7.
Profeti Natan e nxiti mbretin David që të bënte gjithçka kishte në zemër, në lidhje me ndërtimin e shtëpisë për adhurimin e Jehovait. Por më vonë Jehovai i tha Natanit që ta njoftonte Davidin se nuk ishte ai që do ta ndërtonte shtëpinë. Jehovai nuk e hodhi poshtë Natanin për atë që kishte thënë më parë, por vazhdoi ta përdorte atë, sepse me përulësi ai e ndreqi çështjen kur Jehovai ia bëri atij të qartë.—1 Kron. 17:1-4, 15.
Shpalljet e një profeti të vërtetë mbështetin adhurimin e vërtetë dhe janë në përputhje me vullnetin e zbuluar të Perëndisë
Ligj. 13:1-4: «Në rast se mes jush del një profet ose njeri që sheh një ëndërr dhe jep një shenjë ose bën ndonjë çudi, e pastaj shenja ose çudia për të cilën foli, del e vërtetë dhe ai thotë: ‘Shkojmë pas perëndive të tjera, që nuk i njihni, e t’u shërbejmë’, mos i dëgjoni fjalët e atij profeti ose njeriu që ka parë atë ëndërr, sepse Jehovai, Perëndia juaj, po ju vë në provë për të parë nëse e doni Jehovain, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Ju duhet të shkoni pas Jehovait, Perëndisë tuaj. Atij duhet t’i frikësoheni, urdhërimet e tij duhet të mbani, zërin e tij duhet të dëgjoni, atij duhet t’i shërbeni dhe me të duhet të qëndroni të lidhur.»
Meqë Bibla thotë se kush është «mik i botës», është armik i Perëndisë, a po e mbështetin adhurimin e vërtetë klerikët që u bëjnë thirrje besimtarëve të fesë së tyre që të përfshihen në çështjet e botës? (Jak. 4:4; 1 Gjon. 2:15-17) Perëndia i vërtetë tha se kombet «kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai» dhe Bibla thotë se Perëndia do të nxjerrë nga kombet «një popull për emrin e tij», por, a po veprojnë në përputhje me këtë vullnet të zbuluar të Perëndisë ato organizata fetare që minimizojnë rëndësinë e përdorimit të emrit të Tij? (Ezek. 38:23; Vep. 15:14) Jezui i mësoi ithtarët që të luten për Mbretërinë e Perëndisë dhe Bibla na paralajmëron që të mos kemi besim te njerëzit. Por, a janë profetë të vërtetë klerikët ose organizatat politike që i nxitin njerëzit të kenë besim te sundimet njerëzore?—Mat. 6:9, 10; Psal. 146:3-6; krahaso Zbulesën 16:13, 14.
Profetët e vërtetë dhe të rremë mund të njihen nga frytet që shfaqen në jetën e tyre dhe në jetën e atyre që i ndjekin
Mat. 7:15-20: «Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Do t’i njihni nga frytet e tyre. . . . Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq. . . . Prandaj, do t’i njihni ata njerëz nga frytet e tyre.»
Nga çfarë karakterizohet jeta e tyre? «Veprat e mishit . . . janë: kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, marrja me spiritizëm, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, zilitë, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto. . . . Ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Nga ana tjetër, fryti i frymës [së Perëndisë] është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.»—Gal. 5:19-23; shih edhe 2 Pjetrit 2:1-3.
A nuk është e vërtetë që Dëshmitarët e Jehovait kanë mësuar gjëra të gabuara?
Dëshmitarët e Jehovait nuk pohojnë se janë profetë të frymëzuar. Ata kanë bërë gabime. Ashtu si apostujt e Jezu Krishtit, edhe ata ndonjëherë kanë ushqyer disa shpresa të gabuara.—Luka 19:11; Vep. 1:6.
Shkrimet na japin elemente kohore që lidhen me praninë e Krishtit, dhe Dëshmitarët e Jehovait i kanë studiuar ato me shumë interes. (Luka 21:24; Dan. 4:10-17) Edhe Jezui, për të identifikuar brezin që do të shihte fundin e sistemit të lig të Satanait, përshkroi një shenjë me shumë aspekte, e cila do të lidhej me përmbushjen e profecive kohore. (Luka 21:7-36) Dëshmitarët e Jehovait kanë vënë theksin te dëshmitë që tregojnë përmbushjen e kësaj shenje. Është e vërtetë se Dëshmitarët kanë bërë gabime në lidhje me kuptimin e gjërave që do të ndodhnin në fund të periudhave të caktuara kohore, por ata nuk kanë bërë gabimin që të humbin besimin ose që të mos jenë më vigjilentë ndaj përmbushjes së qëllimeve të Jehovait. Kanë vazhduar të mbajnë gjithnjë në mendje këshillën e Jezuit: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.»—Mat. 24:42.
Gjërat për të cilat u është dashur të ndreqin pikëpamjen, kanë qenë relativisht të vogla në krahasim me të vërtetat jetësore biblike që kanë kuptuar dhe kanë shpallur. Disa prej këtyre të vërtetave janë këto: Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë. Jezu Krishti nuk është pjesë e një hyjnie trinitare, por është Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Shpengimi nga mëkati është i mundur vetëm nëpërmjet besimit te flijimi shpërblyes i Krishtit. Fryma e shenjtë nuk është një person, por forca vepruese e Jehovait, dhe frytet e saj duhet të jenë të dukshme në jetën e adhuruesve të vërtetë. Shpirti i njeriut nuk është i pavdekshëm, siç pohonin paganët e lashtë; ai vdes dhe shpresa për një jetë të ardhme është te ringjallja. Perëndia e ka lejuar ligësinë, për shkak të çështjes së sovranitetit universal. Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzimin. Që nga viti 1914 jetojmë në ditët e fundit të sistemit të lig botëror. Vetëm 144.000 të krishterë besnikë do të jenë mbretër dhe priftërinj në qiell bashkë me Krishtin, kurse pjesa tjetër e njerëzve të bindur do të marrin jetën e përhershme në një parajsë në tokë.
Një faktor tjetër që duhet marrë parasysh për mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait, është ky: A i kanë ngritur moralisht njerëzit këto mësime? A dallohen nga të tjerët për ndershmërinë e tyre ata që u përmbahen këtyre mësimeve? A ndikon në mënyrë të dobishme në jetën e tyre familjare zbatimi i këtyre mësimeve? Jezui tha se dishepujt e tij do të identifikoheshin menjëherë ngaqë do të kishin dashuri mes tyre. (Gjoni 13:35) A dallohet qartë kjo cilësi mes Dëshmitarëve të Jehovait? Faktet flasin vetë.
Nëse dikush thotë:
‘Prifti im thotë se Dëshmitarët e Jehovait janë profetët e rremë’
Mund të përgjigjesh: ‘A mund t’ju pyes nëse ju tregoi diçka nga Bibla që përshkruan se çfarë besojmë ose bëjmë ne dhe që na identifikon si profetë të rremë? . . . T’jua tregoj pak se si i përshkruan Bibla profetët e rremë? (Pastaj përdor një ose më shumë pika nga ato që paraqiten në faqet 296-299.)’
Ose mund të thuash: ‘Jam i sigurt se jeni dakord që një akuzë e tillë serioze duhet mbështetur me prova. A ju përmendi prifti ndonjë shembull konkret? (Në qoftë se i zoti i shtëpisë përmend disa «parashikime» që nuk u përmbushën, përdor materialin në faqet 297, 298 dhe nga faqja 299 deri në faqen 300.)’
Një mundësi tjetër: ‘Jam i sigurt që, nëse dikush do t’ju akuzonte për diçka të ngjashme, do të donit të paktën t’ju jepej mundësia për të shpjeguar pozicionin ose pikëpamjen tuaj, apo jo? . . . Atëherë, a mund t’ju tregoj nga Bibla . . . ?’