Zhvillimi dhe rritja e tyre në kohët moderne
HISTORIA e kohëve moderne e Dëshmitarëve të Jehovait filloi më se njëqind vjet më parë. Në fillim të viteve 70 të shekullit të 19-të, në Alegeni të Pensilvanisë, që tani është një pjesë e Pitsburgut në SHBA, filloi të vepronte një grup disi modest i studimit të Biblës. Promotori i grupit ishte Çarls Teiz Rasëlli. Në korrik të vitit 1879, doli numri i parë i revistës Kulla e Rojës e Sionit dhe Shpallësja e pranisë së Krishtit. Rreth vitit 1880, nga ai grup i vogël i studimit të Biblës, ishin përhapur një mori kongregacionesh në shtetet pranë. Në vitin 1881 u formua Zion’s Watch Tower Tract Society, dhe në vitin 1884 ajo u bë korporatë, me Rasëllin si president. Emri i shoqatës më vonë ndryshoi në Watch Tower Bible and Tract Society. Shumë veta po predikonin nga shtëpia në shtëpi duke ofruar literaturë biblike. Në vitin 1888, pesëdhjetë persona po e kryenin këtë vepër në kohë të plotë—tani numri mesatar i punëtorëve në kohë plotë, në të gjithë botën, është rreth 700.000.
Rreth vitit 1909 vepra ishte bërë ndërkombëtare dhe selia e Shoqatës ishte zhvendosur në vendndodhjen e saj të sotme në Bruklin, Nju-Jork. Nëpër gazeta u botuan fjalime të shtypura dhe aty nga viti 1913 kjo u bë në katër gjuhë në mijëra gazeta, në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë. U shpërndanë me qindra milionë libra, broshura dhe fletushka.
Në vitin 1912 filloi puna për «Fotodramën e krijimit». Me anë të diapozitivave dhe filmit me zë, ajo trajtonte periudhën nga krijimi i tokës deri në fund të Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit. Shfaqjet filluan në vitin 1914 dhe çdo ditë ato i shihnin rreth 35.000 veta. Ajo ishte një nga pionieret e filmit me zë.
VITI 1914
Po afrohej një kohë vendimtare. Në vitin 1876 studenti i Biblës Çarls Teiz Rasëll shkroi në Bible Examiner, që botohej në Bruklin të Nju-Jorkut, artikullin «Kohët e paganëve: Kur përfundojnë?», i cili në faqen 27 të numrit të tetorit thoshte: «Shtatë kohët do të përfundojnë në vitin 1914 të e.s.» Kohët e paganëve përfaqësojnë periudhën e kohës së cilës një përkthim tjetër i Biblës i referohet si «kohët e caktuara të kombeve». (Luka 21:24) Në vitin 1914 nuk ndodhi gjithçka që pritej të ndodhte, por ai vit shënoi fundin e kohëve të paganëve dhe ishte një vit me një domethënie të veçantë. Shumë historianë dhe komentues janë dakord që viti 1914 ishte një pikë kthese në historinë njerëzore. Citimet e mëposhtme e ilustrojnë këtë:
«Viti i fundit, tërësisht ‘normal’ i historisë, ishte 1913-a, viti para fillimit të Luftës I Botërore.»—Kryeartikulli i Times-Herald, Uashington, D.C., 13 mars 1949.
«Periudha 75-vjeçare, nga 1914-a deri më 1989-n, që përfshin dy luftëra botërore dhe luftën e ftohtë, është konsideruar gjithnjë e më shumë nga historianët si një epokë e vetme e dalluar, një periudhë kohe unike, në të cilën pjesa më e madhe e botës ishte duke marrë pjesë në luftë, duke e marrë veten nga lufta ose duke u përgatitur për luftë.»—The New York Times, 7 maj 1995.
«E tërë bota shpërtheu me të vërtetë pak para Luftës I Botërore dhe ne ende nuk e dimë përse. Para asaj kohe, njerëzit mendonin se përpara i priste një epokë ideale. Kishte paqe dhe begati. Më pas çdo gjë shpërtheu. Që nga ajo kohë kemi qenë në një gjendje të paralizuar . . . Gjatë këtij shekulli janë vrarë më shumë njerëz, sesa në të gjithë historinë.»—Dr. Walker Percy, American Medical News, 21 nëntor 1977.
Më shumë se 50 vjet pas vitit 1914, burri i shtetit gjerman Konrad Adenauer shkroi: «Siguria dhe qetësia u zhdukën nga jeta e njerëzve që prej vitit 1914.»—The West Parker, Kliveland, Ohajo, 20 janar 1966.
Presidenti i parë i Shoqatës, Ç. T. Rasëll, vdiq në vitin 1916 dhe vitin tjetër u pasua nga Jozef F. Radhërford. Ndodhën shumë ndryshime. Doli një revistë shoqëruese e Kullës së Rojës, e quajtur Epoka e artë. (Tani quhet Zgjohuni!, dhe ka një qarkullim prej 20.000.000 kopjesh në më shumë se 80 gjuhë.) Mori një theks më të madh dëshmia shtëpi më shtëpi. Për ta dalluar veten nga organizatat e të ashtuquajturit krishterim, në vitin 1931, këta të krishterë përqafuan emrin Dëshmitarë të Jehovait. Ky emër bazohet në Isainë 43:10-12.
Në vitet 20 dhe 30 të shekullit të 20-të, u përdor gjerësisht radioja. Rreth vitit 1933 Shoqata po përdorte 403 stacione radioje për të transmetuar leksione biblike. Më vonë, përdorimi i radios u zëvendësua në një masë të gjerë me vizitat më të shpeshta shtëpi më shtëpi, që bëheshin nga Dëshmitarë të pajisur me gramafonë portativë dhe me fjalime biblike të regjistruara. Me çdonjeri që shfaqi interes për të vërtetën e Biblës u filluan studime biblike në shtëpi.
FITORE GJYQËSORE
Gjatë viteve 30 dhe 40 të shekullit të 20-të, kishte shumë arrestime Dëshmitarësh për shkak se bënin këtë vepër, dhe u mbrojtën çështje gjyqësore në dobi të ruajtjes së lirisë së fjalës, shtypit, grumbullimeve dhe lirisë së adhurimit. Në Shtetet e Bashkuara, apelimet që iu bënë vendimeve të gjykatave më të ulëta çuan në fitimin e 43 çështjeve nga ana e Dëshmitarëve, në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Në mënyrë të ngjashme, gjykime të favorshme janë fituar në gjykatat e larta të vendeve të tjera. Lidhur me këto fitore gjyqësore, profesori Ç. S. Braden, në librin e tij Edhe këta besojnë, tha për Dëshmitarët: «Me luftën për të ruajtur të drejtat e tyre civile ata i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm demokracisë, pasi në luftën e tyre kanë bërë shumë për t’i siguruar këto të drejta për çdo grup të vogël në Amerikë.»
PROGRAME SPECIALE STËRVITJEJE
J. F. Radhërford vdiq në vitin 1942 dhe u pasua si president nga N. H. Norr. Filloi një program i bashkërenduar stërvitjeje. Në vitin 1943 u krijua një shkollë për stërvitjen e veçantë të misionarëve, e quajtur Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit. Që nga ajo kohë, nga kjo shkollë janë dërguar misionarë të diplomuar anembanë tokës. Lindën kongregacione të reja në ato vende ku nuk kishte asnjë, dhe u krijuan zyra dege në shkallë ndërkombëtare, të cilat tani numërohen më shumë se 100. Kohë pas kohe, janë zhvilluar kurse të veçanta për stërvitjen e pleqve të kongregacioneve, të punëtorëve vullnetarë nëpër zyrat e degëve dhe të atyre që angazhohen në shërbimin e plotëkohor (si pionierë) në veprën e dëshmisë. Në qendrën arsimore, që vepron në Paterson, Nju-Jork, mbahen disa lloje shkollash të specializuara për shërbëtorët.
N. H. Norr vdiq në vitin 1977. Një nga ndryshimet e fundit organizative, në të cilat ai mori pjesë para se të vdiste, ishte zgjerimi i Trupit Udhëheqës, që ndodhet në selinë botërore në Bruklin. Në vitin 1976 përgjegjësitë administrative u ndanë dhe iu caktuan komiteteve të ndryshme, të formuara nga anëtarë të Trupit Udhëheqës, që të gjithë persona që kanë një përvojë prej shumë dekadash si shërbëtorë.
ZGJEROHEN NDËRTESAT PËR SHTYPJEN E LITERATURËS
Historia e Dëshmitarëve të Jehovait në kohët moderne ka qenë e mbushur plot me ngjarje mbresëlënëse. Nga një grup i vogël i studimit të Biblës në Pensilvani, dikur në vitin 1870, deri në vitin 2000 Dëshmitarët u rritën në rreth 90.000 kongregacione në mbarë botën. Në fillim, e gjithë literatura shtypej nga firmat tregtare; më pas, në vitin 1920, Dëshmitarët prodhuan pak literaturë në shtypshkronja të marra me qira. Por, që nga viti 1927 e tutje, u prodhua shumë më tepër literaturë në një godinë tetëkatëshe për prodhimin e literaturës në Bruklin, Nju-Jork, që ishte pronë e Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc. Ajo është zgjeruar tani në një kompleks, që përbëhet nga stabilimente të tjera për shtypje dhe zyra. Ka edhe ndërtesa shtesë afër Bruklinit, në të cilat strehohen shërbëtorët vullnetarë që punojnë në godinat e botimit. Përveç kësaj, afër Uollkillit, në pjesën veriore të shtetit të Nju-Jorkut, përdoret një fermë bujqësore dhe një shtypshkronjë. Ajo merret me shtypjen e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe prodhon një pjesë të ushqimit që përdoret për shërbëtorët që shërbejnë në godina të ndryshme. Çdo vullnetar merr një shpërblim të vogël mujor për të mbuluar shpenzimet të rastit.
KONGRESE NDËRKOMBËTARE
Në vitin 1893 u mbajt kongresi i parë i madh në Çikago të shtetit Ilinois, në SHBA. Në të morën pjesë 360 veta dhe u pagëzuan 70 persona të rinj. Kongresi i madh i fundit, i pashoqëruar nga të tjerë, u mbajt në qytetin e Nju-Jorkut në vitin 1958. Për të u përdorën stadiumi Janki dhe stadiumi që ekzistonte në atë kohë, Polo Graunds. Maksimumi i të pranishmëve ishte 253.922 veta; të pagëzuarit e rinj ishin 7.136. Që nga ajo kohë, kongreset ndërkombëtare janë mbajtur si një seri në shumë vende. Gjithsej, këto seri mund të përfshijnë një mijë kongrese në vendet rreth e rrotull globit.
[Diçitura në faqen 8]
Një shërbim i jashtëzakonshëm ndaj lirisë civile
[Figura në faqen 6]
«Kulla e Rojës», nga 6.000 kopje në një gjuhë, në më shumë se 22.000.000 kopje në më se 132 gjuhë
[Figura në faqen 7]
Një pikë kthese në historinë njerëzore
[Figura që zë gjithë faqen 10]