NATANI
[(Perëndia) ka dhënë].
1. Pasardhës i Judës. Biri i Atait dhe i ati i Zabadit. Gjyshi i Natanit ishte Jarha, një shërbëtor egjiptian.—1Kr 2:3, 34-36.
2. Profet i Jehovait gjatë mbretërimit të Davidit; ndoshta nga fisi i Levit. Kur mbreti i tregoi Natanit se kishte dëshirë të ndërtonte një tempull për adhurimin e Jehovait, profeti iu përgjigj: «Shko e bëj gjithçka ke në zemër.» (2Sa 7:1-3; 1Kr 17:1, 2) Mirëpo, atë natë, Jehovai e njoftoi Natanin se tempullin nuk do ta ndërtonte Davidi, përkundrazi, Jehovai do t’i bënte atij një shtëpi të qëndrueshme, kurse shtëpinë e Jehovait do ta ndërtonte më vonë një pasardhës i Davidit. Kështu, me anë të Natanit, Jehovai e njoftoi Davidin se po bënte një besëlidhje me të për një mbretëri që do të zgjaste «përjetë» në linjën e Davidit.—2Sa 7:4-17; 1Kr 17:3-15.
Pas ca kohësh Jehovai e dërgoi Natanin te Davidi që t’i tregonte sa i rëndë ishte mëkati i tij ndaj Uriahut, hititit, lidhur me Betshebën, dhe se çfarë dënimi do t’i jepte Perëndia. Me takt, por me forcë, Natani e bëri këtë duke përdorur një ilustrim. Kështu, ai e bëri Davidin të shprehte, padashur dhe pa asnjë paramendim, gjykimin e vet për këtë çështje. Atëherë Natani i tha: «Ti je ai njeri!» Pastaj i tregoi gjykimin që Jehovai kishte dhënë për të dhe shtëpinë e tij.—2Sa 12:1-18; shih edhe Ps 51:Mbishk.
Më vonë, Betsheba i lindi Davidit një djalë të dytë që e quajtën Solomon. Jehovai e deshi këtë djalë, prandaj dërgoi profetin e vet Natan, i cili, «për hir të Jehovait», ia vuri emrin Jedidiah, që do të thotë «i dashur për Jah». (2Sa 12:24, 25) Nga fundi i jetës së Davidit, kur Adonijahu u orvat të uzurponte fronin, Natani mori masat e duhura që Davidi ta merrte vesh. Pastaj vetë Natani mori pjesë në ceremoninë ku Solomoni u miros dhe hipi në fron.—1Mb 1:5-40.
Duket se Natani, bashkë me Gadin, e këshilluan Davidin si t’i vendoste veglat muzikore që përdoreshin në shenjtërore. (2Kr 29:25) Natani dhe Gadi me sa duket shkruan kapitujt përmbyllës të Librit të Parë të Samuelit dhe gjithë Librin e Dytë të Samuelit. (1Kr 29:29) «Në fjalët e profetit Natan» përfshihen edhe «ngjarjet . . . me Solomonin».—2Kr 9:29.
Ky Natan mund të ketë qenë i ati i Azariahut dhe i Zabudit, të cilët patën pozita të rëndësishme gjatë mbretërimit të Solomonit. Azariahu ishte princ në krye të nëpunësve, ndërsa Zabudi shërbeu si prift dhe ishte mik i ngushtë e këshilltar i mbretit.—1Mb 4:1, 5.
3. I ati i Igalit dhe vëlla i Joelit, dy nga burrat e fuqishëm të Davidit.—2Sa 23:8, 36; 1Kr 11:26, 38.
4. Bir i Davidit dhe i Betshebës; lindi në Jerusalem. (2Sa 5:13, 14; 1Kr 3:5) Natani dhe pasardhësit e tij janë hallkë lidhëse në gjenealogjinë e Mesisë nga Davidi deri te nëna e Jezuit, Maria. (Lu 3:23, 31) Për sa i takon kohës kur «ata do të shikojnë nga Ai që shpuan tejpërtej», profecia e Zakarisë thotë se do të vajtojë me hidhërim gjithë vendi, çdo familje dhe veçanërisht familjet e Davidit, të Levit, të shimeitëve, si dhe «familja e shtëpisë së Natanit». (Za 12:10-14) Nëse familja e shtëpisë së Natanit do të ishte ajo që erdhi nga biri i Davidit, kjo do ta bënte atë një nga familjet e Davidit. Pra do të vajtonin familje brenda familjeje.
5. Një nga nëntë krerët e të mërguarve që kishin fushuar buzë lumit Ahava, të cilët Ezdra i dërgoi të mblidhnin shërbëtorë për shtëpinë e Perëndisë në Jerusalem.—Ezd 8:15-17.
6. Një ish i mërguar në Babiloni dhe një nga 13 bijtë e Binuit që larguan gratë e huaja sipas këshillës së Ezdrës.—Ezd 10:10, 11, 38-42, 44.