NATANAELI
[nga heb., që do të thotë «Perëndia ka dhënë»].
Mendohet se ishte emri i Bartolomeut, njërit prej 12 apostujve të Jezuit. Emri Bartolome do të thotë «bir i Tolmait» dhe vinte nga emri i të atit. Apostulli Gjon përdor emrin Natanael, kurse Mateu, Marku dhe Luka e quajnë Bartolome. Këta të fundit përmendin bashkë Filipin dhe Bartolomeun, njësoj si Gjoni përmend Filipin dhe Natanaelin. (Mt 10:3; Mr 3:18; Lu 6:14; Gjo 1:45, 46) Nuk ishte e pazakontë që njerëzit të kishin më shumë se një emër. Për shembull, «Simoni, i biri i Gjonit» njihej edhe si Kefa e Pjetri. (Gjo 1:42) Nga ana tjetër, nuk ishte aspak e çuditshme që Natanaeli të quhej edhe Bartolome ose «bir i Tolmait», ashtu si dikush tjetër quhej edhe Bartime ose «i biri i Timeut». (Mr 10:46) Shkrimtarët e krishterë të shekujve të mëvonshëm përdorin herë emrin Natanael, herë Bartolome.
Natanaeli ishte nga Kana e Galilesë. (Gjo 21:2) Ai nisi ta ndiqte Jezuin që në fillim të shërbimit të Tij. Pasi iu përgjigj ftesës së Jezuit «bëhu ithtari im», Filipi shkoi menjëherë te Natanaeli, miku i tij, dhe i tha: «Eja e shih [Mesinë].» Natanaeli ia ktheu: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?», por më pas shkoi. Kur e pa të afrohej, Jezui tha: «Shihni, një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka mashtrim.» Natanaeli duhet të ketë qenë njeri i veçantë përderisa Jezui u shpreh në këtë mënyrë për të. Ngaqë Jezui u shpreh ashtu dhe tregoi se e kishte parë nën fik para se ta thërriste Filipi, Natanaeli pranoi se Jezui ishte vërtet «Biri i Perëndisë, . . . Mbret i Izraelit». Jezui e siguroi se ‘do të shihte gjëra edhe më të mëdha se këto’.—Gjo 1:43-51.
Duke qenë një nga 12 apostujt e Jezuit, Natanaeli ishte vazhdimisht me Jezuin gjatë shërbimit të tij dhe u stërvit për detyra të tjera në të ardhmen. (Mt 11:1; 19:25-28; 20:17-19, 24-28; Mr 4:10; 11:11; Gjo 6:48-67) Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, Natanaeli dhe apostuj të tjerë iu kthyen peshkimit dhe, një mëngjes, kur u afruan në breg me varkë, Jezui i thirri. Natanaeli, ndryshe nga Pjetri, qëndroi në barkë derisa dolën në breg. Pastaj hëngri mëngjesin me të tjerët dhe ndoqi bisedën domethënëse mes Jezuit dhe Pjetrit. (Gjo 21:1-23) Gjithashtu, ai ishte me apostujt e tjerë kur u mblodhën për t’u lutur, si dhe gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë.—Ve 1:13, 14; 2:42.