NEBUZARADANI
[nga gjuha babilonase që do të thotë «Neboja ka dhënë pasardhës»].
Kreu i truprojës dhe figurë e shquar e ushtrisë së Nabukodonosorit në kohën e shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Me sa duket, Nebuzaradani nuk ishte i pranishëm në fillim kur u rrethua dhe u mposht Jerusalemi, sepse ai ‘erdhi në Jerusalem’ rreth një muaj më vonë, kur tashmë mbretin Zedekia e kishin çuar para Nabukodonosorit dhe e kishin verbuar.—2Mb 25:2-8; Jr 39:2, 3; 52:6-11.
Nebuzaradani drejtoi nga jashtë Jerusalemit operacionet e babilonasve për shkatërrimin e qytetit, që filluan «ditën e shtatë të muajit» (muaji i pestë, abi); ndër të tjera u grabitën thesaret e tempullit, u rrënuan muret, u çuan në mërgim robërit dhe u lejuan të qëndronin në vend disa të shtresës së ulët. (2Mb 25:8-20; Jr 39:8-10; 43:5, 6; 52:12-26) Pas tri ditësh, ditën e dhjetë të muajit, Nebuzaradani ‘erdhi në Jerusalem’ («hyri në Jerusalem», RS, JB), bëri një kontroll e pastaj i vuri flakën shtëpisë së Jehovait dhe e bëri qytetin pluhur e hi. (Jr 52:12, 13) Historiani Jozef thotë se pikërisht të njëjtën ditë, ditën e dhjetë të muajit të pestë kur ishte djegur tempulli i Solomonit, në vitin 70 të e.s. u dogj edhe tempulli i rindërtuar nga Herodi.—Lufta judaike, VI, 250 (iv, 5); VI, 268 (iv, 8); shih AB.
Me urdhër të Nabukodonosorit, Nebuzaradani e liroi Jereminë, i foli njerëzisht dhe e la të zgjidhte çfarë donte të bënte. Gjithashtu u tregua i gatshëm të kujdesej për të e i dha disa gjëra të nevojshme. Nebuzaradani ishte zëdhënësi i mbretit të Babilonisë edhe kur caktoi Gedaliahun si guvernator të atyre që mbetën në vend. (2Mb 25:22; Jr 39:11-14; 40:1-7; 41:10) Afro pesë vjet më vonë, në vitin 602 p.e.s., Nebuzaradani çoi disa judenj të tjerë në mërgim, me sa duket judenjtë që kishin ikur në vendet përreth.—Jr 52:30.