Mënyra për të përmirësuar predikimin tonë të Mbretërisë
1 Vepra jonë e predikimit është tani më urgjente se kurrë më parë. Sidoqoftë, jeta ose vdekja e njerëzve varet nga reagimi i tyre ndaj lajmit të mirë. (1. Pjetr. 4:5, 6, 17; Zbul. 14:6, 7) Për këtë arsye duhet të gjejmë mënyra për të përmirësuar predikimin tonë të Mbretërisë. Cilat janë disa prej këtyre mënyrave që na ndihmojnë për t’u përmirësuar?
2 Përgatitja e mirë: Duke përdorur numrin e fundit të Shërbimi Ynë i Mbretërisë, zgjidh një prezantim që ti sheh se tërheq shumë njerëz në territorin tënd. Është e rëndësishme t’ia përshtatësh rrethanave lokale atë që do të thuash. Ose mund të preferosh të përgatitësh vetë një prezantim, duke përdorur idetë dhe vargjet biblike që personalisht ke parë se janë të efektshme. Duhet të bësh një hyrje që ngjall interes. Ndoshta mund të planifikosh të bësh një pyetje që nxit në të menduar ose që kërkon përgjigje nga i zoti i shtëpisë mbi disa lajme me interes lokal. Kur e ke në mendje prezantimin tënd, praktikoje me një pjesëtar të familjes ose me ndonjë lajmëtar tjetër i cili mund të të ofrojë sugjerime për t’u përmirësuar.
3 Bisedo me njerëzit: Qëllimi ynë është të njoftojmë një mesazh të rëndësishëm. Kjo mund të bëhet duke filluar me dëgjuesin tonë një bisedë domethënëse. Nëse i zoti i shtëpisë ngre një çështje ose ofron një opinion, dëgjoje me kujdes se çfarë ka për të thënë. Komentet e tij do të të ndihmojnë për t’i dhënë një përgjigje biblike mbi shpresën që ke brenda teje. (1. Pjetr. 3:15) Nëse pikëpamja e tij nuk është në përputhje me Biblën, me takt mund të thuash: «Shumë njerëz mendojnë kështu. Megjithatë, këtu është një mënyrë tjetër për të konsideruar këtë argument.» Pastaj lexo një shkrim të përshtatshëm dhe prit komentin e tij.
4 Mbaj një program elastik: Edhe pse je i përgatitur mirë, do të ketë pak vlerë nëse nuk je në gjendje të flasësh me njerëzit. Sot është e zakonshme të gjejmë pak persona nëpër shtëpi kur predikojmë. Nëse ndodh kështu në territorin tënd, përpiqu të rregullosh programin tënd në mënyrë që të punosh nga shtëpia në shtëpi kur njerëzit janë aty. Mund të shohësh se koha më e mirë për vizita është në fundjavë; të tjerë mund t’i takojmë gjatë javës, por në orët e para të mbrëmjes. Në disa vende lajmëtarët e shohin të favorshme të dëshmojnë në ditët e festave botërore sepse gjejnë më shumë njerëz që janë në shtëpi. Njerëzit, në një kohë të tillë, në përgjithësi janë të qetë dhe mund të jenë më të gatshëm për të biseduar. Është mirë që t’ia përshtatësh rastit hyrjen tënde dhe pastaj t’i lidhësh ato që ke thënë me një argument biblik.
5 Analizo efektshmërinë e prezantimit tënd: Pasi ke kaluar në çdo derë, pyet veten: ‘A i kam prekur zemrën të zotit të shtëpisë? A e kam nxitur që të shprehë mendimet e tij dhe a i kam kushtuar vëmendje asaj që kishte për të thënë? A jam përgjigjur me takt? Duke parë rrethanat, a kam përdorur mënyrën më të mirë?’ Mund të jetë një ndihmë për ne nëse punojmë me lajmëtarë me përvojë ose herë pas here me ndonjë pionier dhe të dëgjojmë me kujdes për të përmirësuar efektshmërinë tonë në shërbim.
6 Nëse je i shkathët në veprën tënde, mund të ndash të vërtetat e Mbretërisë që ‘do të të shpëtojnë ty dhe ata që do të të dëgjojnë.’—1. Tim. 4:16, Dio; Prov. 22:29.