Studimi personal—Një çështje e rëndësishme
1 Cilat gjëra na japin shkak për t’i konsideruar seriozisht? Ne duhet të shqetësohemi shumë për ndërtimin dhe mbajtjen e një marrëdhënieje të ngushtë me Jehovain. Studimi personal luan një rol të madh në zhvillimin e një intimiteti të tillë. Sot, pak nga ne kanë rrethana që mund t’i lejojnë për të harxhuar periudha të gjata kohe në meditim dhe studim personal. Megjithatë, nëse ne nuk e lexojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë, mund të dobësohemi deri në atë pikë sa të mos kemi më forcë për t’i rezistuar frymës së botës dhe dëshirave trupore.
2 Formo një dëshirë të zjarrtë për Fjalën: Kur kemi mësuar për herë të parë mbi qëllimet e Perëndisë, me siguri ishim të padurueshëm për të fituar më shumë njohuri. Megjithatë, me kalimin e kohës, uria për ushqim frymor mund të pakësohet. Mund të jetë e nevojshme që të «formojmë një dëshirë të zjarrtë» për ushqim frymor. (1. Pjet. 2:2, BR) Si mund të zhvillojmë një dëshirë të tillë të zjarrtë?
3 Aroma e një ushqimi të preferuar do të nxitë oreksin tonë sepse na sjell ndër mend kënaqësinë që kemi provuar më parë. Në mënyrë të ngjashme, periudha të shkurtra studimi personal mund të ndikojnë tek ne frymësisht. Duke gëzuar disa kafshata të shijshme frymore mund të hapim oreksin tonë për të vërtetat e thella. Kënaqësia që vjen nga mësimi mund të na inkurajojë për t’u thelluar më shumë në Fjalën e Jehovait.
4 Zhvillo një rutinë që është e efektshme për ty: Disa vendosin një mbrëmje të tërë për të bërë studim personal, ndërsa të tjerë preferojnë periudha të shkurtra dhe më të shpeshta studimi. Nëse ti sheh se mund të përqendrohesh më mirë në orët e para të mëgjesit, mund të vendosësh për të studiuar pak, përpara se të hash mëngjesin. Nëse ti je më i zgjuar në mbrëmje, mund të zgjedhësh që ta bësh studimin tënd para se të bjerë nata. Pavarësisht nga rrethanat, e rëndësishme është që të jemi të rregullt dhe t’i përmbahemi rutinës që i përshtatet më mirë nevojave tona.
5 Kur jemi të inkurajuar për të bërë më shumë studim personal, mund të reagojmë menjëherë duke bërë të njohur se ne tashmë kemi një program të plotë. Megjithatë, të gjithë ne duhet të jemi të ndershëm mbi faktin se si e harxhojmë kohën tonë. A harxhoj çdo ditë shumë orë për të parë programet televizive? A jam i gatshëm për të sakrifikuar disa interesa personale? Duke shqyrtuar realisht se si e përdorim kohën tonë, me siguri do të zbulojmë çdo ditë periudha që mund të përdorim në mënyrë më të dobishme për studim personal.—Efes. 5:15, 16.
6 Studimi i Fjalës së Perëndisë meriton vëmendjen tonë të plotë. Dobitë e studimit pakësohen kur në të njëjtën kohë përpiqemi të bëjmë edhe diçka tjetër. Nëse kemi prirje për të studiuar ndërsa hamë, dëgjojmë radion apo shikojmë televizor, me siguri nuk do të jemi të përqendruar në atë që po përpiqemi të mësojmë. (1. Tim. 4:15) Prandaj, është e nevojshme që të çlirohemi nga gjërat që na shpërqendrojnë.
7 Studimi i përditshëm dhe zbatimi i këshillave biblike janë të rëndësishme sepse janë mënyrat me të cilat udhëhiqemi nga Jehovai. Vër si synim që e vërteta e paraqitur në faqen e shtypur të ndikojë në zemrën tënde. Shfrytëzo çdo rast, pavarësisht se sa i shkurtër, për të lexuar, rishikuar apo medituar mbi gjërat frymore.—Li. përt. 6:6-8; Kolos. 1:9, 10.