Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
6-12 JANAR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | ZANAFILLA 1-2
«Jehovai krijon jetën në tokë»
(Zanafilla 1:3, 4, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet dritë.» 4 Atëherë u bë dritë, dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë, e filloi të ndante dritën nga errësira.
(Zanafilla 1:6, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një hapësirë mes ujërave dhe le të ndahen ujërat nga ujërat.»
(Zanafilla 1:9, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le të grumbullohen në një vend ujërat që janë nën qiej dhe le të shfaqet dheu i thatë.» Dhe kështu u bë.
(Zanafilla 1:11, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le të mbijë nga toka bar, bimë me farë dhe drurë frutorë që japin fryt me farë në tokë, secili sipas llojit të vet.» Dhe kështu u bë.
it-1 527-528
Krijimi
Ditën e parë, kur Perëndia tha «le të bëhet dritë», me sa duket drita e mjegullt depërtoi në shtresat e reve, edhe pse burimi i kësaj drite nuk dallohej ende nga sipërfaqja e tokës. Duket se ky ishte një proces gradual, siç tregohet edhe te përkthimi i Xh. Uotsit ku thuhet: «Dhe gradualisht u bë dritë.» (Zn 1:3, A Distinctive Translation of Genesis) Perëndia krijoi një ndarje mes dritës dhe errësirës dhe e quajti dritën «ditë», kurse errësirën «natë». Kjo tregon se toka rrotullohej në boshtin e saj teksa lëvizte përreth diellit, dhe kështu dy hemisferat e saj, lindore dhe perëndimore, mund të kishin periudha drite dhe errësire.—Zn 1:3, 4.
Ditën e dytë, Perëndia bëri një hapësirë duke ndarë «ujërat nga ujërat». Një pjesë e ujërave qëndruan në tokë, por një sasi e madhe u ngrit lart mbi sipërfaqen e tokës, dhe mes këtyre të dyjave u bë një hapësirë. Perëndia e quajti hapësirën «qiell», por ky term vlente vetëm për tokën, pasi nuk thuhet se ujërat sipër hapësirës arrinin deri tek yjet ose te trupat e tjerë qiellorë.—Zn 1:6-8.
Ditën e tretë, falë fuqisë mrekullibërëse të Perëndisë, ujërat në tokë u grumbulluan dhe u shfaq terreni i thatë që Perëndia e quajti «tokë». Po këtë ditë, Perëndia, dhe jo ndonjë faktor i rastësishëm a një proces evolucioni, u dha jetë atomeve të materies, e si rezultat erdhën në ekzistencë bari, bimësia dhe pemët frutore. Secila prej këtyre tri ndarjeve kryesore kishte potencialin të riprodhohej sipas «llojit» të vet.—Zn 1:9-13.
(Zanafilla 1:14, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le të ketë ndriçues në hapësirën e qiejve, që të ndajnë ditën nga nata. Ata do të shërbejnë si shenja për të dalluar stinët, ditët dhe vitet.»
(Zanafilla 1:20, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le të gëlojnë ujërat me krijesa të gjalla dhe le të fluturojnë krijesat fluturuese mbi tokë, përmes hapësirës së qiejve.»
(Zanafilla 1:24, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le të dalin nga toka krijesa të gjalla sipas llojeve të tyre: kafshë të buta, kafshë të egra dhe kafshë zvarritëse sipas llojeve të tyre.» Dhe kështu u bë.»
(Zanafilla 1:27, nwt) Kështu Perëndia e krijoi njeriun sipas imazhit të vet, po, e krijoi sipas imazhit të Perëndisë; ai i krijoi ata mashkull dhe femër.
it-1 528 ¶5-8
Krijimi
Vlen të përmendet se te Zanafilla 1:16 nuk është përdorur folja hebraike bará, që do të thotë «krijoj», por folja hebraike asáh, që do të thotë «bëj». Përderisa dielli, hëna dhe yjet bëjnë pjesë te «qiejt» që përmenden te Zanafilla 1:1, ato ishin krijuar shumë kohë para ditës së katërt. Ditën e katërt Perëndia «bëri» që këta trupa qiellorë të luanin një rol të ri në lidhje me sipërfaqen e tokës dhe hapësirën sipër saj. Kur thuhet që «Perëndia i vuri në hapësirën e qiejve që të ndriçonin tokën», kjo duhet kuptuar që tani ata mund të dukeshin nga sipërfaqja e tokës, sikur të ishin në hapësirën sipër saj. Veç kësaj, ndriçuesit ‘do të shërbenin si shenja për të dalluar stinët, ditët dhe vitet’, pra më vonë do të siguronin drejtim për njerëzit në mënyra të ndryshme.—Zn 1:14.
Në ditën e pestë u krijuan në tokë gjallesat e para jonjerëzore. Me anë të fuqisë së tij, Perëndia nuk krijoi vetëm një krijesë që kjo pastaj të evoluonte në forma të tjera, por në kuptimin e mirëfilltë krijoi një mori gjallesash. Bibla thotë: «Perëndia krijoi krijesat e mëdha të detit dhe të gjitha krijesat e gjalla që lëvizin e gëlojnë në ujëra, secilën sipas llojit të vet, si edhe çdo krijesë fluturuese, secilën sipas llojit të vet.» I kënaqur me veprat e tij, Perëndia i bekoi dhe, si të thuash, i urdhëroi ‘të shumoheshin’, çka ishte e mundur, sepse Ai u kishte dhënë gjithë këtyre krijesave nga lloje të larmishme aftësinë për t’u riprodhuar «sipas llojit të vet».—Zn 1:20-23.
Ditën e gjashtë «Perëndia bëri kafshët e egra të tokës sipas llojeve të tyre, kafshët e buta sipas llojeve të tyre dhe gjithë kafshët zvarritëse sipas llojeve të tyre». Edhe kjo punë ishte e mirë, siç ishte çdo punë krijuese që kishte bërë më parë Perëndia.—Zn 1:24, 25.
Aty nga fundi i ditës së gjashtë të krijimit, Perëndia solli në ekzistencë një lloj tjetër krijese, që ishte më e lartë se kafshët, por më e ulët se engjëjt. Kjo krijesë ishte njeriu, që u krijua sipas imazhit të Perëndisë, në ngjashmëri me të. Te Zanafilla 1:27 thuhet shkurtimisht për njerëzimin se «Ai [Perëndia] i krijoi ata mashkull dhe femër». Kurse në tregimin paralel te Zanafilla 2:7-9 lexojmë se Perëndia Jehova e formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë. Ai u kishte siguruar ushqim e një shtëpi parajsore. Për këtë vepër krijuese Jehovai përdori elemente të tokës dhe, pasi u formua burri, Ai krijoi gruan duke përdorur si bazë një nga brinjët e Adamit. (Zn 2:18-25) Me krijimin e gruas, edhe ‘lloji’ njeri ishte i plotë.—Zn 5:1, 2.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Zanafilla 1:26, nwt) Pastaj Perëndia tha: «Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë, në ngjashmëri me ne, dhe ai le t’i mbajë të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve, kafshët e buta, gjithë tokën dhe çdo kafshë zvarritëse që lëviz në të.»
it-2 52
Jezu Krishti
Jo një bashkëkrijues. Edhe pse Biri mori pjesë në veprat krijuese, nuk do të thotë se ishte bashkëkrijues me Atin e tij. Fuqia krijuese buroi nga Perëndia me anë të frymës së tij të shenjtë ose forcës vepruese. (Zn 1:2; Ps 33:6) E përderisa Jehovai është Burimi i çdo forme jete, gjithë krijesat, të dukshme e të padukshme, ia detyrojnë jetën atij. (Ps 36:9) Pra, Biri nuk ishte bashkëkrijues, por mjeti nëpërmjet të cilit Krijuesi, Jehovai, veproi. Edhe vetë Jezui ia dha meritën Perëndisë për krijimin, siç bëjnë edhe gjithë Shkrimet.—Mt 19:4-6.
13-19 JANAR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | ZANAFILLA 3-5
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Zanafilla 4:26, nwt) Edhe Setit i lindi një djalë, dhe ai e quajti Enos. Në atë kohë zunë të thërritnin emrin e Jehovait.
it-1 338 ¶2
Blasfemia
Kur njerëzit para Përmbytjes, në kohën e Enosit, filluan «të thërritnin emrin e Jehovait», s’duhet ta kenë bërë për arsye të drejta ose të përshtatshme. Kjo sepse, shumë kohë më parë, kur Abeli i drejtohej Perëndisë, pa dyshim e kishte përdorur emrin hyjnor. (Zn 4:26; He 11:4) Nëse kjo thirrje e emrit të Perëndisë nënkuptonte që ata e keqpërdornin ose ia vishnin pa të drejtë emrin e Jehovait njerëzve a idhujve, siç mendojnë disa studiues, atëherë kjo përbën blasfemi.—Shih ENOSI.
27 JANAR–2 SHKURT
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | ZANAFILLA 9-11
Gjithë toka fliste vetëm një gjuhë
(Zanafilla 11:1-4, nwt) Tani, gjithë toka fliste vetëm një gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë. 2 Ndërsa udhëtonin drejt lindjes, njerëzit zbuluan një rrafshinë në vendin e Shinarit dhe filluan të banonin atje. 3 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: «Oburra! Të bëjmë tulla e t’i pjekim në zjarr.» Kështu përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum si llaç. 4 Pastaj thanë: «Hajde! Të ndërtojmë një qytet për veten tonë, si edhe një kullë, maja e së cilës të prekë qiejt, dhe të bëhemi të famshëm, që të mos shpërndahemi në mbarë faqen e dheut.»
it-1 239
Babilonia e madhe
Karakteristika të Babilonisë së lashtë. Themelimi i qytetit të Babilonisë në rrafshinën e Shinarit ndodhi në të njëjtën kohë kur njerëzit u orvatën të ndërtonin Kullën e Babelit. (Zn 11:2-9) Synimi pse shumica donte të ndërtonte kullën dhe qytetin ishte që ‘të bëheshin të famshëm’, dhe jo që të lartësonin emrin e Perëndisë. Kullat zigurat që janë zbuluar jo vetëm në rrënojat e Babilonisë së lashtë, por edhe kudo në Mesopotami, duket se vërtetojnë që, pavarësisht nga forma a stili, në thelb, natyra e kullës origjinale ishte fetare. Fakti që Perëndia Jehova ndërmori një veprim aq të prerë për t’i dhënë fund ndërtimit të kullës-tempull, dëshmon qartë se po e dënonte si diçka me origjinë të fesë së rreme. Emri hebraik që iu dha qytetit, Babel, do të thotë «ngatërrim», kurse emri sumerian (Kadingirra) dhe emri akadian (Babilu) kanë të dyja kuptimin «Porta e Perëndisë». Prandaj, banorët që mbetën ia ndryshuan emrin qytetit që të mos kishte lidhje me dënimin që mori në fillim, por edhe emri zëvendësues e lidh akoma me fenë.
it-2 202 ¶2
Gjuha
Tregimi i Zanafillës thotë se, pas Përmbytjes, një pjesë e familjes njerëzore u bashkua në një projekt që binte ndesh me vullnetin e Perëndisë, të cilin Ai ia kishte bërë të njohur Noesë dhe bijve të tij. (Zn 9:1) Në vend që të shpërndaheshin dhe ‘të mbushnin tokën’, vendosën të mblidhnin gjithë njerëzimin në të njëjtin vend, i cili më vonë u njoh si rrafshina e Shinarit në Mesopotami. Me sa duket, ky vend do të bëhej edhe qendër fetare me një kullë-tempull.—Zn 11:2-4.
(Zanafilla 11:6-8, nwt) Pastaj Jehovai tha: «Ata janë një popull i vetëm, flasin një gjuhë të vetme dhe ja çfarë kanë filluar të bëjnë. Tani, çdo gjë që do t’u vijë ndër mend, do ta arrijnë patjetër. Eja, le të zbresim e t’ua ngatërrojmë gjuhën, që të mos e kuptojnë më njëri-tjetrin.» Kështu Jehovai i shpërndau nga atje në mbarë faqen e dheut, dhe pak nga pak ata e ndërprenë ndërtimin e qytetit.
it-2 202 ¶3
Gjuha
Ngaqë projekti i tyre përbënte një shpërfillje flagrante ndaj qëllimit të Tij, Perëndia i Plotfuqishëm e pengoi duke ua ngatërruar gjuhën e përbashkët. Për këtë arsye, njerëzit e kishin të pamundur të bashkëpunonin dhe si përfundim u shpërndanë në çdo cep të botës. Ngatërrimi i gjuhës do të pengonte ose do të ngadalësonte edhe përparimin e ardhshëm në drejtimin e gabuar, drejtim që kundërshtonte Perëndinë. Kjo do ta pengonte njerëzimin të bashkonte fuqitë intelektuale dhe fizike për qëllime ambicioze. Veç kësaj, do t’ua bënte të vështirë të shfrytëzonin njohurinë e grumbulluar të grupeve të ndryshme gjuhësore—një njohuri që nuk do të vinte nga Perëndia, por nga kërkimet dhe përvoja njerëzore. (Krahaso Ek 7:29; Lp 32:5.) Pra, edhe pse ngatërrimi i gjuhës shkaktoi një përçarje të madhe në shoqërinë njerëzore, në të vërtetë i solli dobi duke penguar realizimin e qëllimeve të rrezikshme e të dëmshme. (Zn 11:5-9; krahaso Is 8:9, 10.) Kur mendojmë për disa zhvillime të kohëve tona që kanë ardhur si rezultat i keqpërdorimit të njohurisë që kanë grumbulluar njerëzit nga e gjithë bota, mund të kuptojmë ç’mund të ndodhte sikur Perëndia të mos kishte penguar orvatjen në Babel. Patjetër Ai e parashikoi këtë shumë kohë përpara.