Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
13-19 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | ZANAFILLA 31
«Jakobi dhe Labani bënë një besëlidhje paqeje»
(Zanafilla 31:47-50) Labani e quajti stivën e gurëve Jegar-Sahaduta, ndërsa Jakobi e quajti Galed. 48 Labani tha: «Kjo stivë gurësh është sot dëshmitare mes meje e teje.» Ja pse u quajt Galed 49 dhe Kulla e Rojës, sepse tha: «Jehovai le të na vrojtojë të dyve kur të mos e shohim më njëri-tjetrin. 50 Nëse i keqtrajton vajzat e mia dhe nëse merr gra të tjera veç tyre, edhe sikur të mos na shohë njeri, mos harro që Perëndia është dëshmitar mes meje e teje.»
it-2 1172
Kulla e Rojës
Jakobi ngriti një stivë gurësh, të cilën e quajti «Galed» (që do të thotë «stivë dëshmie») dhe «Kulla e Rojës». Pas kësaj, Labani tha: «Jehovai le të na vrojtojë të dyve kur të mos e shohim më njëri-tjetrin.» (Zanafilla 31:45-49) Ajo stivë do të shërbente si dëshmi se Jehovai po i vrojtonte për të parë nëse Jakobi dhe Labani do ta mbanin besëlidhjen e paqes.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Zanafilla 31:19) Ndërkohë që Labani kishte shkuar të qethte dhentë, Rakela i vodhi idhujt e shtëpisë.
it-2 1087-1088
Terafim
Zbulimet arkeologjike në Mesopotami dhe në zonat përreth tregojnë se atij që zotëronte terafimë, i takonte trashëgimia familjare. Një pllakë e gjetur në Nuz, tregon se, në disa rrethana, një dhëndër që kishte idhuj të tillë shtëpie, kishte të drejtë të paraqitej në gjyq e të kërkonte pronat e të vjehrrit pas vdekjes. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 220, shën. 51.) Ndoshta për këtë arsye Rakela mendoi se kishte të drejtë t’i merrte terafimët, përderisa i ati kishte vepruar me hile kundrejt të shoqit, Jakobit. (Krahaso Zn 31:14-16.) Terafimët ishin shumë të rëndësishëm për të drejtën e trashëgimisë. Ja pse Labani ishte aq shumë në merak t’i rimerrte, sa mori me vete edhe vëllezërit që të ndiqte Jakobin për shtatë ditë. (Zn 31:19-30) Pa dyshim, Jakobi nuk e dinte çfarë kishte bërë Rakela (Zn 31:32), e në Shkrime nuk tregohet gjëkundi t’i ketë përdorur terafimët për të marrë trashëgiminë e djemve të Labanit. Jakobi nuk merrej fare me idhujtari. E shumta, mund t’i ketë zhdukur terafimët kur groposi nën pemën e madhe pranë Sikemit gjithë perënditë e huaja që i dhanë ata të shtëpisë.—Zn 35:1-4.
20-26 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | ZANAFILLA 32–33
«A po përleshesh për një bekim?»
(Zanafilla 32:25, 26) Kur pa se nuk po e mposhtte, ai i preku zgavrën e legenit dhe Jakobit i doli këllku nga vendi ndërsa përleshej me të. 26 Më pas i tha: «Lërmë të shkoj sepse po agon.» Por Jakobi ia ktheu: «S’të lë të ikësh derisa të më bekosh.»
it-2 190
Çalimi
Jakobi bëhet i çalë. Kur ishte rreth 97 vjeç, Jakobi u përlesh gjithë natën me një engjëll që kishte marrë trup njerëzor. Ai nuk e lejoi engjëllin të ikte derisa ta bekonte. Gjatë asaj përleshjeje, engjëlli i preku Jakobit zgavrën e legenit dhe atij i doli këllku nga vendi. Si pasojë Jakobi filloi të çalonte. (Zn 32:24-32; Ho 12:2-4) Që nga ai moment e tutje, çalimi i kujtonte Jakobit se edhe pse ‘u ndesh me Perëndinë [me një engjëll të Perëndisë] e me njerëzit, dhe më në fund ia doli mbanë’, siç i tha engjëlli, në të vërtetë nuk e mposhti engjëllin e fuqishëm të Perëndisë. Faktikisht, vetë Perëndia e lejoi Jakobin të përleshej me engjëllin, që të tregonte sa shumë e donte dhe sa shumë i nevojitej bekimi i Tij.