Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
© 2023 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
15-21 JANAR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | JOBI 36-37
Pse mund t’i besosh premtimit të Perëndisë për jetën e përhershme
Xhevahire nga Bibla
it-1-E 492
Komunikimi
Në vendet e lashta të përmendura në Bibël, informacionet dhe idetë përhapeshin nga një njeri te tjetri në mënyra të ndryshme. Lajmet e përditshme nga vendi dhe bota e asaj kohe kryesisht komunikoheshin gojarisht. (2Sa 3:17, 19; Jb 37:20) Njerëzit që shpesh udhëtonin me karvanë, sillnin lajme nga vende të largëta kur ndalonin në qytetet ose pikat përgjatë rrugës për ushqim, ujë a ndonjë gjë tjetër të nevojshme. Për shkak të pozicionit të favorshëm midis Azisë, Afrikës dhe Evropës, Palestina përshkohej shpesh nga karvanë që shkonin e vinin nga zona të largëta. Prandaj vendasit mund të merrnin lehtësisht informacione për ngjarje të rëndësishme nga vendet e tjera. Lajmet, si vendase dhe të huaja, shpesh mund të përhapeshin në pazarin e qytetit.
22-28 JANAR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | JOBI 38-39
A lë kohë të soditësh krijimin?
Xhevahire nga Bibla
it-2-E 222
Ligjdhënës
Jehovai si Ligjdhënës. Jehovai është i vetmi Ligjdhënës i vërtetë në univers. Ai ka vendosur ligjet fizike që drejtojnë krijimin e pajetë (Jb 38:4-38; Ps 104:5-19) dhe kafshët. (Jb 39:1-30) Edhe njeriu, si krijim i Jehovait, u nënshtrohet ligjeve fizike të Tij. Gjithashtu, si krijesë me vullnet të lirë e me aftësi për të arsyetuar dhe për të krijuar miqësi me Perëndinë, u nënshtrohet edhe ligjeve morale të Jehovait. (Ro 12:1; 1Ko 2:14-16) Për më tepër, ligji i Jehovait drejton edhe krijesat qiellore, engjëjt.—Ps 103:20; 2Pj 2:4, 11.
Ligjet fizike të Jehovait janë të pandryshueshme. (Jr 33:20, 21) Në gjithë universin e dukshëm që njohim, këto ligje janë kaq të qëndrueshme dhe të besueshme, saqë shkencëtarët mund të llogaritin lëvizjet e hënës, të planetëve dhe të trupave të tjerë qiellorë me një saktësi deri në të qindtën e sekondës. Nëse dikush do të shkonte kundër ligjeve fizike, do të vuante menjëherë pasojat. Po ashtu edhe ligjet morale të Perëndisë janë të pandryshueshme, dhe nuk mund t’i shmangësh ose t’i shkelësh pa pasur pasoja. Ato janë po aq të rëndësishme sa ligjet fizike, edhe nëse këto pasoja mund të mos vijnë menjëherë. «Perëndia nuk vihet në lojë! Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Ga 6:7; 1Ti 5:24.
29 JANAR–4 SHKURT
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | JOBI 40-42
Mësime nga jeta e Jobit
Xhevahire nga Bibla
it-2-E 808
Tallja
Jobi ishte një njeri i drejtë që ruajti integritetin mes shumë talljesh. Por, ai zhvilloi një pikëpamje jo të drejtë dhe bëri një gabim për të cilin Jehovai e ndreqi. Elihu tha për të: «Ku ka njeri si Jobi, që e pi përqeshjen si ujë?» (Jb 34:7) Jobi u përqendrua më tepër si të shfajësonte veten, në vend se Perëndinë, dhe u përpoq të lartësonte drejtësinë e tij më shumë se të Perëndisë. (Jb 35:2; 36:24) Talljet e ashpra të 3 «shokëve» të tij, Jobi i llogariti sikur iu drejtuan atij dhe jo Perëndisë. Në këtë rast tregoi se ishte si një person që u dorëzohet përqeshjeve e talljeve, duke i gëlltitur ato me kënaqësi si ujin. Në fund, Jehovai i tha Jobit se këta tallës po thoshin në fakt gënjeshtra kundër Perëndisë. (Jb 42:7) Ngjashëm, kur izraelitët kërkuan një mbret, Jehovai i tha profetit Samuel: «Nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, që të mos jem mbret i tyre.» (1Sa 8:7) Edhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Të gjitha kombet do t’ju urrejnë [jo për shkakun tuaj, por] për shkak të emrit tim.» (Mt 24:9) Duke i mbajtur këto gjëra në mendje, një i krishterë do t’i përballojë talljet me qëndrimin e duhur dhe do të shpërblehet për qëndrueshmërinë e tij.—Lu 6:22, 23.
12-18 SHKURT
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | PSALMET 5-7
Qëndro besnik pavarësisht nga veprimet e të tjerëve
Xhevahire nga Bibla
it-1-E 995
Varr
Te Romakëve 3:13, apostulli Pavël citon Psalmin 5:9, ku krahason grykën e njerëzve të ligj dhe mashtrues me ‘një varr të hapur’. Ashtu si një varr hapet për t’u mbushur me trupa të vdekur që kalben, po ashtu edhe gryka e të ligjve hapet për të nxjerrë fjalë vdekjeprurëse dhe të kalbura.—Krahaso Mt 15:18-20.