Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
24-30 MARS
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË PROVERBAT 6
Çfarë mund të mësojmë nga milingonat?
it-1-E 115 ¶1-2
Milingona
‘Instinktivisht e mençur’. Mençuria e milingonave nuk është rezultat i inteligjencës së tyre, por i instinkteve me të cilat i ka pajisur Krijuesi. Bibla thotë se milingonat ‘e përgatitin ushqimin gjatë verës dhe i mbledhin zahiretë gjatë të korrave’. (Pr 6:8) Një nga llojet më të përhapura në Palestinë është milingona korrëse (Messor semirufus). Kjo lloj milingone grumbullon sasi të mëdha gruri gjatë pranverës dhe verës e i përdor në ato periudha kur është e vështirë të gjejë ushqim, si për shembull në dimër. Milingona korrëse shpesh gjendet në afërsi të lëmenjve, ku ka me shumicë fara dhe kokrra gruri. Nëse për shkak të shiut, farat e ruajtura marrin lagështi, ajo i nxjerr në diell që të thahen. Gjithashtu, këto milingona hanë filizat që dalin nga farat, që ato të mos mbijnë gjatë kohës që ruhen. Kolonitë e milingonave korrëse dallohen për shtigjet që krijojnë, dhe për mbetjet e bykut që lënë në hyrje të foleve të tyre.
Karakteristika për t’u imituar. Kur njohim më mirë milingonat, merr më shumë domethënie kjo nxitje: «Shko te milingona, o përtac, vëzhgo udhët e saj dhe bëhu i mençur.» (Pr 6:6) Ato nuk njihen vetëm për përgatitjet për të ardhmen, të cilat i bëjnë instinktivisht, por edhe për qëndrueshmërinë e këmbënguljen e tyre. Shpesh mbajnë ose tërheqin me forcë objekte që peshojnë sa dyfishi i tyre a më shumë. Milingonat bëjnë çmos t’i përmbushin detyrat e tyre dhe nuk heqin dorë e as nuk sprapsen, edhe pse mund të bien, të rrëshqasin ose të rrokullisen në ndonjë rrëpirë. Falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm, i mbajnë foletë e tyre shumë të pastra dhe kujdesen për njëra-tjetrën, ndonjëherë duke ndihmuar milingonat e plagosura ose të lodhura të kthehen në fole.
21-27 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË PROVERBAT 10
Çfarë e bën jetën tonë domethënëse dhe të pasur?
it-1-E 340
Bekim, bekoj
Kur Jehovai bekon njerëzit. «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe Ai nuk shton asnjë dhembje.» (Pr 10:22) Jehovai i bekon ata që miraton, duke u siguruar mbrojtje, mbarësi, drejtim, sukses dhe duke u kujdesur për nevojat që kanë. Të gjitha këto janë për të mirën e tyre.