JETËSHKRIM
Kam gjetur sigurinë e vërtetë falë besimit te Jehovai
KUR më pyesin për jetën që kam zgjedhur të bëj, shpesh u them: «Jam një valixhe në duart e Jehovait!» Me këtë dua të them se, ashtu siç e marr unë vailxhen kudo që dëshiroj të shkoj, po njësoj dua të veprojnë me mua Jehovai dhe organizata e tij—pra të më drejtojnë se ku të shkoj dhe kur. Kam pranuar caktime të vështira dhe herë pas here të rrezikshme. Ama kam mësuar se çelësi për të pasur siguri të vërtetë është të besosh te Jehovai.
FILLOJ NJË JETË ME BESIM TE JEHOVAI
Linda në vitin 1948 në një fshat të vogël në jugperëndim të Nigerisë. Kur isha fëmijë, vëllai i vogël i babit, xhaxha Mustafai, e pastaj vëllai im i madh, Uahabi, u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait. Në moshën 9-vjeçare më vdiq babi. Isha i hidhëruar. Uahabi më tha se do ta shihnim sërish babin kur të ringjallej. Ky mendim inkurajues më nxiti të studioja Biblën. U pagëzova në vitin 1963 e u pagëzuan edhe tre vëllezërit e mi.
Më 1965, shkova në Lagos ku jetonte vëllai im Uilsoni dhe shijova shoqërinë e pionierëve të rregullt që shërbenin në kongregacionin e Igbobit. Gëzimi dhe zelli i tyre më motivuan t’u shtohesha radhëve të pionierëve. E kështu bëra në janar të vitit 1968.
Një vëlla që shërbente në Bethel, Albert Olugbebi, organizoi një mbledhje të veçantë me ne të rinjtë për nevojën që kishte në veri të Nigerisë për pionierë specialë. E kujtoj si sot entuziazmin që përcolli vëlla Olugbebi me fjalët e tij: «Jeni të rinj e mund t’i përdorni kohën dhe energjitë tuaja për Jehovain. Fushat janë gati për korrje!» Ngaqë doja të imitoja frymën e gatshme të profetit Isaia, plotësova një kërkesë.—Isa. 6:8.
Në maj të vitit 1968 më caktuan pionier special në qytetin e Kanos, në veri të Nigerisë. Gjatë asaj periudhe, në atë rajon ishte bërë kërdia për shkak të luftës së Biafrës (1967-1970). Pastaj lufta kishte kaluar në lindje të Nigerisë. I nisur nga e mira, një vëlla u përpoq të më mbushte mendjen të mos shkoja. Por unë i thashë: «E vlerësoj që merakosesh për mua. Mirëpo, nëse Jehovai do që të shërbej në këtë caktim, pa dyshim që do të jetë me mua.»
TREGOJ BESIM TE JEHOVAI NË NJË VEND TË SHKRETUAR NGA LUFTA
Situata në Kano ishte tepër e dhimbshme. Lufta civile e kishte rrënuar këtë qytet të madh. Kur dilnim në shërbim, ndonjëherë shihnim kufomat e atyre që ishin masakruar gjatë konfliktit. Në Kano kishin qenë disa kongregacione, por shumica e vëllezërve ia kishin mbathur. Kishin mbetur më pak se 15 lajmëtarë që ishin të frikësuar e të shkurajuar. Vëllezërit e motrat fluturuan nga gëzimi kur mbërritëm ne gjashtë pionierët specialë. Ata u çelën nga fjalët inkurajuese që u thamë. I ndihmuam të bënin sërish mbledhjet e të dilnin në shërbim. Gjithashtu filluan të dërgonin prapë në degë raportet e shërbimit dhe kërkesat për literaturë.
Ne pionierët specialë nisëm të mësonim gjuhën hause. Kur u predikonim mesazhin për Mbretërinë në gjuhën e tyre, shumë nga vendësit na dëgjonin me vëmendje. Megjithatë, anëtarët e fesë kryesore në atë vend nuk e kishin me qejf veprën tonë të predikimit, ndaj duhej të tregonim shumë kujdes. Në një rast, mua dhe shokun tim të shërbimit na ndoqi një burrë me thikë në dorë. Shyqyr që vraponim më shpejt se ai dhe ia dolëm t’i shpëtonim! Pavarësisht nga rreziqet, Jehovai ‘na jepte siguri’, dhe numri i lajmëtarëve filloi të rritej. (Psal. 4:8) Sot në Kano shërbejnë më tepër se 500 lajmëtarë në 11 kongregacione.
PËRBALLEM ME KUNDËRSHTIM NË NIGER
Duke shërbyer si pionier special në Niamei, Niger
Më vonë, në gusht të vitit 1968, pasi kisha shërbyer në Kano vetëm pak muaj, më dërguan në Niamei, kryeqyteti i Republikës së Nigerit, bashkë me dy pionierë të tjerë specialë. S’kaloi shumë dhe provuam që Nigéri, në Afrikën Perëndimore, është një nga zonat më të nxehta në tokë. Përveçse të mësoheshim me atë vapë, duhej të mësonim edhe gjuhën zyrtare të vendit, frëngjishten. Pavarësisht nga këto sprova, u mbështetëm te Jehovai dhe filluam të predikonim në kryeqytet me ata pak lajmëtarë që jetonin atje. Brenda një kohe të shkurtër thuajse çdo banor i Niameit që mund të lexonte kishte marrë një kopje të librit për studimin e Biblës E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Njerëzit madje vinin e na kërkonin vetë që t’u jepnim një kopje të librit.
S’kaloi shumë dhe kuptuam që autoritetet nuk i kishin me sy të mirë Dëshmitarët e Jehovait. Në korrik të vitit 1969, u mblodhëm që të ndiqnim asamblenë e parë qarkore në atë vend, ku ishin të pranishëm 20 veta. Ishim të lumtur se do të pagëzoheshin dy lajmëtarë të rinj. Mirëpo ditën e parë të asamblesë erdhi policia dhe e ndërpreu këtë event. Ne pionierët specialë dhe mbikëqyrësin qarkor na çuan në komisariat. Pasi na morën në pyetje, na urdhëruan të raportonim të nesërmen. Ngaqë e nuhatëm se na prisnin telashe, morëm masa që ta bënim fjalimin e pagëzimit në një shtëpi private, e pastaj i pagëzuam kandidatët në një lumë pa rënë në sy.
Ca javë më vonë, Ministria e Brendshme urdhëroi të largoheshim nga vendi të gjashtë ne pionierët specialë. Na lanë 48 orë kohë dhe duhej të merrnim masa vetë për shpërnguljen. Iu bindëm urdhrit dhe shkuam menjëherë në zyrën e degës në Nigeri, ku morëm caktime të reja.
Më caktuan në Orisunbari, fshat në Nigeri. E shijova shërbimin me grupin e vogël të lajmëtarëve që jetonin atje dhe predikimi ishte i frytshëm. Por pas 6 muajve, zyra e degës më ftoi sërish të shkoja në Niger, kësaj here vetëm. Ndonëse në fillim u habita dhe kisha njëfarë meraku, mezi prisja t’i takoja përsëri vëllezërit në Niger.
U ktheva në Niamei. Ditën pasi mbërrita, një biznesmen nigerian e dalloi që isha Dëshmitar dhe filloi të më bënte pyetje për Biblën. Studiuam bashkë dhe, pasi la duhanin e nuk pinte më me tepri, u pagëzua. Dhashë kontributin tim në rritjen e ngadaltë por të vazhdueshme të numrit të lajmëtarëve në rajone të ndryshme të Nigerit. Kur shkova për herë të parë në atë vend kishte 31 Dëshmitarë; kur u largova ishin bërë 69.
«S’DIMË SHUMË PËR VEPRËN E MBRETËRISË NË GUINE»
Nga fundi i vitit 1977, u ktheva në Nigeri që të merrja stërvitje. Në përfundim të një kursi 3-javor, koordinatori i Komitetit të Degës, Malkolm Vigo, më dha të lexoja një letër nga dega e Sierra-Leones. Vëllezërit po kërkonin një vëlla beqar që të shërbente si mbikëqyrës qarkor në Guine. Ai duhej të ishte pionier e me shëndet të mirë dhe të fliste anglisht e frëngjisht. Vëlla Vigo më informoi se po më stërvitnin për këtë caktim. Por më shpjegoi se nuk ishte një caktim i lehtë. Më tha: «Mendohu mirë para se ta pranosh.» Iu përgjigjja menjëherë: «Përderisa po më dërgon Jehovai, do të shkoj.»
Shkova në Sierra-Leone me avion dhe u takova me vëllezërit në zyrën e degës. Një nga anëtarët e Komitetit të Degës më tha: «S’dimë shumë për veprën e Mbretërisë në Guine.» Ndonëse dega ishte përgjegjëse për veprën e predikimit në Guinenë fqinje, komunikimi me lajmëtarët ishte i pamundur për shkak të trazirave politike. E pavarësisht nga përpjekjet që kishte bërë, dega nuk kishte një përfaqësues në atë vend. Prandaj më thanë të shkoja në Konakri, kryeqyteti i Guinesë, që të merrja lejeqëndrimin.
«Përderisa po më dërgon Jehovai, do të shkoj.»
Kur mbërrita në Konakri, shkova në Ambasadën e Nigerisë dhe takova ambasadorin. I shpreha dëshirën për të predikuar në Guine. Më nxiti të mos qëndroja aty me banim, se mund të më arrestonin ose edhe më keq. Më tha: «Kthehu në Nigeri dhe prediko atje.» Iu përgjigja: «Jam i vendosur të qëndroj.» Kështu ai i shkroi një letër ministrit të brendshëm të Guinesë që të më ndihmonte. Ministri më priti mirë dhe më ndihmoi të regjistrohesha si rezident.
Pak më vonë u ktheva në degën e Sierra-Leones dhe i informova vëllezërit për vendimin e ministrit. Ata brohoritën nga gëzimi kur morën vesh se Jehovai e kishte bekuar udhëtimin tim. Kisha marrë lejeqëndrimin në Guine!
Në veprën qarkore në Sierra-Leone
Nga viti 1978 deri në vitin 1989, shërbeva në veprën qarkore në Guine e Sierra-Leone dhe si zëvendësmbikëqyrës qarkor në Liberi. Në fillim, sëmuresha shpesh. Ndonjëherë kjo ndodhte në zona të izoluara. Por vëllezërit çfarë s’bënin që të më çonin në spital.
Në një rast u sëmura rëndë nga malaria dhe kisha probleme me krimbat në zorrë. Kur më në fund u shërova, mora vesh që vëllezërit kishin diskutuar se ku do të më varrosnin. Pavarësisht nga ato situata që më rrezikuan jetën, nuk më shkoi kurrë ndër mend ta lija një caktim. E jam i bindur sot e kësaj dite se siguria e vërtetë dhe e përhershme vjen nga Perëndia, i cili mund të na kthejë në jetë.
TREGOJMË BESIM TE JEHOVAI SI ÇIFT
Ditën e dasmës në vitin 1988
Më 1988 takova Dorkën, një pioniere shumë e përulur që e donte jashtë mase Jehovain. U martuam dhe vazhduam së bashku në veprën qarkore. Dorka ka treguar se është një bashkëshorte e dashur dhe vetëmohuese. Së bashku kemi bërë deri në 25 kilometra me valixhe në krah nga një kongregacion në tjetrin. Për kongregacione më të largëta, përdornim çfarëdolloj transporti që gjenim për të udhëtuar në rrugët tërë baltë e plot gropa të mëdha.
Dorka është tepër guximtare. Për shembull, me raste na duhej të kalonim lumenj plot me krokodilë. Gjatë një udhëtimi 5-ditor, urat prej druri mbi një lumë ishin prishur dhe na u desh të përdornim kanoe për të kaluar matanë. Kur u ngrit që të zbriste nga kanoeja, Dorka ra në ujëra të thella. Asnjëri nga ne s’dinte not, dhe në atë lumë kishte krokodilë. Shyqyr që disa djem të rinj u zhytën dhe e shpëtuan. Për ca kohë të dy kishim makthe nga ajo ngjarje. Prapëseprapë nuk e ndërpremë misionin tonë.
Fëmijët tanë, Jahgifti dhe Eriku, kanë qenë dhurata nga Jehovai për ne
Nga fillimi i vitit 1992, u surprizuam kur morëm vesh se Dorka ishte shtatzënë. A ishte ky fundi i karrierës sonë në shërbimin në kohë të plotë? Arsyetuam: «Jehovai na ka dhënë një dhuratë!» Prandaj vendosëm ta quanim vajzën tonë Jahgift (që në anglisht do të thotë «dhuratë nga Jehovai»). Katër vjet pasi lindi Jahgifti, erdhi në jetë vëllai i saj, Eriku. Të dy fëmijët kanë qenë dhurata nga Jehovai. Jahgifti shërbeu për ca kohë në zyrën rajonale të përkthimit në Konakri, dhe Eriku është shërbëtor kongregacioni.
Ndonëse me kalimin e kohës iu desh ta linte shërbimin si pioniere speciale, Dorka vazhdoi të shërbente si pioniere e rregullt, ndërkohë që rriste fëmijët. Falë ndihmës së Jehovait, unë vazhdova shërbimin special në kohë të plotë. Pasi u rritën fëmijët, Dorka u bë sërish pioniere speciale. Tani të dy shërbejmë si misionarë në Konakri.
BURIMI I SIGURISË SË VËRTETË
Kam shkuar gjithmonë kudo që më ka drejtuar Jehovai. Bashkë me gruan e kemi ndier shpesh mbrojtjen dhe bekimin e tij. Ndryshe nga ata që mbështeten te gjërat materiale, i kemi kursyer vetes shumë strese ngaqë jemi mbështetur te Jehovai. Unë dhe Dorka kemi kuptuar nga eksperienca se Burimi i sigurisë së vërtetë është Jehovai, ‘Perëndia i shpëtimit tonë’. (1 Kron. 16:35) Jam i bindur se Jehovai «do ta mbështjellë mirë jetën» e kujtdo që beson plotësisht tek Ai «e do ta ruajë në qesen e jetës».—1 Sam. 25:29.