Njerëzit nuk mund t’u japin dot fund luftërave
Si do të marrin fund luftërat?
Bibla na zbulon se do të jetë Perëndia që ‘do t’i shuajë luftërat anembanë tokës’, dhe jo njerëzit.—Psalmi 46:9.
PERËNDIA DO TË ELIMINOJË QEVERITË NJERËZORE
Perëndia do të shkatërrojë qeveritë njerëzore nëpërmjet luftës që Bibla e quan lufta e Armagedonit.a (Zbulesa 16:16) Në atë kohë, «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të mblidhen së bashku për «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14) Me anë të luftës së Armagedonit, Perëndia do t’u japë fund të gjitha luftërave.
Perëndia do t’i zëvendësojë qeveritë njerëzore me Mbretërinë e tij, e cila është një qeveri qiellore që nuk do të shkatërrohet kurrë. (Danieli 2:44) Ai ka zgjedhur Birin e tij, Jezu Krishtin, që të jetë Mbret i kësaj Mbretërie. (Isaia 9:6, 7; Mateu 28:18) Kjo është Mbretëria për të cilën Jezui i mësoi dishepujt të luteshin.b (Mateu 6:9, 10) Kështu, i gjithë njerëzimi do të udhëhiqet vetëm nga një qeveri globale me Mbret Jezuin.
Ndryshe nga liderët njerëzorë, Jezui nuk do ta përdorë autoritetin e tij për interesat e veta. Ngaqë është i drejtë dhe i paanshëm, askush nuk do të shqetësohet se do të shpërfillet për shkak të racës, kombësisë ose prejardhjes etnike. (Isaia 11:3, 4) Njerëzve nuk do t’u duhet të luftojnë për të drejtat e tyre. Pse jo? Ngaqë Jezui do të kujdeset për mirëqenien e çdo individi. «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si edhe të përvuajturin e këdo që s’ka kush e ndihmon. . . . Do t’i çlirojë nga shtypja dhe dhuna.»—Psalmi 72:12-14.
Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë nga toka të gjitha armët vdekjeprurëse. (Mikea 4:3) Veç kësaj, ajo do të eliminojë njerëzit e ligj që nuk pranojnë t’u japin fund luftërave dhe që u bëjnë keq të tjerëve. (Psalmi 37:9, 10) Çdo njeri, qoftë burrë, grua a fëmijë, do të jetojë i sigurt kudo në tokë.—Ezekieli 34:28.
Nën qeverisjen e kësaj Mbretërie, njerëzit do të jetojnë në kushte ideale. Të gjitha problemet, si varfëria, uria dhe mungesa e një banese të përshtatshme, do të zhduken. Ndaj njerëzit nuk do të kenë më arsye të luftojnë. Të gjithë do të kenë një vend të rehatshëm për të jetuar dhe bollëk ushqimesh të shëndetshme.—Psalmi 72:16; Isaia 65:21-23.
Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë problemet që sjell lufta. Këtu përfshihen jo vetëm plagët fizike të njerëzve, por edhe plagët emocionale e çrregullimet mendore që vijnë si pasojë e krimeve të luftës. Madje edhe ata që kanë vdekur, do të vijnë sërish në jetë këtu në tokë. (Isaia 25:8; 26:19; 35:5, 6) Familjet do të ribashkohen, dhe kujtimet e hidhura të luftës do të jenë veçse pjesë ‘e gjërave të mëparshme që kanë shkuar’.—Zbulesa 21:4.
PERËNDIA DO TË ZHDUKË MËKATIN
Nën Mbretërinë e Perëndisë, njerëzit do të adhurojnë në unitet të vetmin Perëndi të vërtetë, Jehovain,c ‘Perëndinë e dashurisë dhe të paqes’. (2 Korintasve 13:11) Njerëzit do të mësojnë si të jetojnë së bashku në paqe. (Isaia 2:3, 4; 11:9) Të gjithë ata që do të zbatojnë gjërat që mësojnë, do të çlirohen nga pasojat e mëkatit.—Romakëve 8:20, 21.
PERËNDIA DO TË SHKATËRROJË SATANAIN DHE DEMONËT
Mbretëria e Perëndisë do të shkatërrojë Satanain dhe demonët, nxitësit e luftës. (Zbulesa 20:1-3, 10) Me eliminimin e tyre, në tokë «do të ketë paqe pa fund».—Psalmi 72:7.
Ji i sigurt se premtimet e Perëndisë për t’i dhënë fund luftërave dhe konflikteve të armatosura, do të bëhen realitet. Perëndia ka si aftësinë, edhe dëshirën për ta eliminuar luftën.
Perëndia ka mençurinë dhe fuqinë e nevojshme për t’u dhënë fund luftërave e konflikteve të armatosura. (Jobi 9:4) Për të asgjë nuk është e pamundur.—Jobi 42:2.
Perëndia nuk dëshiron kurrsesi t’i shohë njerëzit të vuajnë. (Isaia 63:9) Madje, i urren të gjithë ‘ata që e duan dhunën’.—Psalmi 11:5.
Perëndia e mban gjithmonë fjalën, pasi ai nuk mund të gënjejë.—Isaia 55:10, 11; Titit 1:2.
Në të ardhmen Perëndia do të sjellë paqe të vërtetë dhe të përhershme.
Perëndia do t’i eliminojë luftërat
a Lexo artikullin «Çfarë është beteja e Harmagedonit?», në jw.org.
b Shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?, në jw.org.
c Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.