BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 korrik f. 2-7
  • Si të kërkojmë këshilla

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si të kërkojmë këshilla
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ÇFARË CILËSISH DUHET TË KEMI?
  • KUSH MUND TË NA JAPË KËSHILLA TË MIRA?
  • SI TË JEMI MENDJEHAPUR DHE TË MOS E NGURTËSOJMË ZEMRËN?
  • A DUHET T’U KËRKOJMË TË TJERËVE TË MARRIN VENDIME PËR NE?
  • VAZHDO TË KËRKOSH KËSHILLA
  • Si të japim këshilla të mira
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Mësime nga fjalët e fundit të burrave besnikë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 korrik f. 2-7

ARTIKULLI I STUDIMIT 28

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

Si të kërkojmë këshilla

«Mençuria u përket atyre që kërkojnë këshilla.»—PROV. 13:10.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim plotësisht dobi nga këshillat.

1. Si mund të marrim vendime të mençura dhe t’i realizojmë me sukses planet tona? (Proverbat 13:10; 15:22)

TË GJITHË duam të marrim vendime të mençura. Dhe të gjithë dëshirojmë që planet tona të kenë sukses. Fjala e Perëndisë na tregon si t’i arrijmë të dyja këto synime.—Lexo Proverbat 13:10; 15:22.

2. Çfarë na ka premtuar Jehovai?

2 Ati ynë, Jehovai, është pa diskutim Personi më i mirë që mund t’i drejtohemi për mençuri e këshilla. Ai na ka premtuar se do të na ndihmojë, me fjalët: «Do të të këshilloj e do t’i mbaj sytë mbi ty.» (Psal. 32:8) Ky pohim tregon se Jehovai nuk mjaftohet vetëm duke na dhënë këshilla, por edhe i mban sytë mbi ne e na ndihmon t’i zbatojmë këshillat e tij.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull, Fjala e Perëndisë do të na ndihmojë t’u përgjigjemi katër pyetjeve: (1) Çfarë cilësish duhet të kemi nëse duam të nxjerrim dobi nga këshillat? (2) Kush mund të na japë këshilla të mira? (3) Si të jemi mendjehapur dhe të mos e ngurtësojmë zemrën kur marrim këshilla? (4) Pse nuk duhet t’u kërkojmë të tjerëve të marrin vendime për ne?

ÇFARË CILËSISH DUHET TË KEMI?

4. Çfarë cilësish duhet të kemi që të nxjerrim dobi nga këshillat?

4 Që të përfitojmë nga këshillat, duhet të jemi të përulur dhe modestë. Duhet ta pranojmë se jo gjithmonë kemi eksperiencën ose informacionin e nevojshëm që të marrim vendime të mençura pa na ndihmuar kush. Nëse nuk jemi të përulur dhe modestë, do t’ia lidhim duart Jehovait që të na ndihmojë. Kështu çdo këshillë që do të marrim nga Fjala e Tij, do të bjerë në vesh të shurdhër. (Mik. 6:8; 1 Pjet. 5:5) Ama, nëse tregojmë përulësi dhe modesti, do t’i zbatojmë pa vonesë këshillat e Biblës dhe do të nxjerrim dobi.

5. Cilat arritje mund ta kishin bërë krenar mbretin David?

5 Le të shohim ç’mund të mësojmë nga mbreti David. Arritjet që pati në jetë, mund t’i kishin ngjallur ndjenja krenarie. Shumë vite para se të ngjitej në fron, Davidi ishte aq i njohur si muzikant, sa i kërkuan të luante muzikë për mbretin. (1 Sam. 16:18, 19) Pasi e mirosi si mbretin e ardhshëm të Izraelit, Jehovai i dha fuqi nëpërmjet frymës së shenjtë. (1 Sam. 16:11-13) Davidin e lëvdonte gjithë populli, ngaqë kishte mposhtur armiqtë, ndër ta edhe filistinin Goliad. (1 Sam. 17:37, 50; 18:7) Me gjithë këto arritje, po të ishte krenar, Davidi mund të mendonte se s’kishte nevojë për këshilla. Mirëpo, ai s’ishte aspak i tillë.

6. Nga e dimë se Davidi i mirëpriste këshillat? (Shih edhe figurën.)

6 Pasi u bë mbret, Davidi mbajti shoqëri të ngushtë me burra të mençur që mund t’i jepnin këshilla të mira. (1 Kron. 27:32-34) Kjo nuk na habit, pasi Davidi e kishte treguar sa e sa herë se ishte i gatshëm t’ua vinte veshin këshillave. Madje, ai pranoi këshilla jo vetëm nga burra, por edhe nga një grua me emrin Abigaila. Ajo ishte e shoqja e Nabalit, një burrë harbut, mosmirënjohës dhe egoist. Davidi e zbatoi me përulësi këshillën e matur të Abigailës dhe, si rezultat, shmangu një gabim fatal.—1 Sam. 25:2, 3, 21-25, 32-34.

Mbreti David dëgjon me vëmendje Abigailën, e cila është ulur në tokë e po i përgjërohet.

Me përulësi, mbreti David e pranoi dhe e zbatoi këshillën e Abigailës (Shih paragrafin 6)


7. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Davidit? (Eklisiastiu 4:13) (Shih edhe figurat.)

7 Mund të mësojmë plot gjëra nga Davidi. Për shembull, mbase kemi ndonjë talent ose njëfarë autoriteti. Prapëseprapë, nuk duhet të mendojmë kurrë se i dimë të gjitha dhe s’kemi nevojë për këshilla. E njësoj si Davidi duhet të jemi të gatshëm t’ua vëmë veshin këshillave të mira, pavarësisht se kush na i jep. (Lexo Eklisiastiun 4:13.) Kjo mund të na ruajë nga gabimet e rënda që mund të na lëndojnë ne dhe të tjerët.

Kolazh: 1. Katër pleq po bëjnë një mbledhje. Një nga pleqtë po flet ashpër. 2. Më vonë kur janë në makinë, një plak më i ri në moshë që ishte në mbledhje, i flet privatisht vëllait që foli ashpër.

Duhet të jemi të gatshëm t’i dëgjojmë këshillat e mira, pavarësisht se kush na i jep (Shih paragrafin 7)c


KUSH MUND TË NA JAPË KËSHILLA TË MIRA?

8. Pse Jonatani ishte njeriu i duhur për t’i dhënë këshilla Davidit?

8 Le të nxjerrim edhe një mësim tjetër nga shembulli i Davidit. Ai i dëgjonte këshillat e njerëzve që kishin miqësi të ngushtë me Jehovain, por që edhe e kuptonin mirë situatën e tij. Për shembull, kur donte të dinte nëse mbreti Saul ishte i gatshëm të bënte paqe me të, Davidi ia vuri veshin këshillës së Jonatanit, djalit të Saulit. Pse Jonatani ishte njeriu i duhur për t’i dhënë këshilla? Sepse jo vetëm gëzonte miqësi të ngushtë me Jehovain, po edhe ia njihte kokën Saulit. (1 Sam. 20:9-13) Çfarë na mëson kjo?

9. Me kë është mirë të konsultohemi kur kemi nevojë për këshilla? Shpjegoni. (Proverbat 13:20)

9 Kur kemi nevojë për këshilla, është e mençur të konsultohemi me dikë që ka një marrëdhënie të mirë me Jehovain, por edhe eksperiencë në çështjen ku na duhet ndihmë.a (Lexo Proverbat 13:20.) Për shembull, ta zëmë se një vëlla i ri dëshiron të gjejë një bashkëshorte të mirë. Kush mund t’i japë këshilla të efektshme? Mbase mund të marrë këshilla të dobishme nga një shok beqar, nëse ai i bazon këshillat te parimet e Biblës. Ama, ka të ngjarë të marrë këshilla më specifike dhe më praktike po të flasë me një çift të pjekur që e njohin mirë dhe gëzojnë një martesë të lumtur nga ca kohë.

10. Çfarë do të shqyrtojmë tani?

10 Deri tani pamë dy cilësi që na nevojiten për të përfituar nga këshillat dhe kush mund të na japë këshilla të mira. Tani le shqyrtojmë si të jemi mendjehapur e të mos e ngurtësojmë zemrën dhe pse s’duhet t’u kërkojmë të tjerëve të marrin vendime për ne.

SI TË JEMI MENDJEHAPUR DHE TË MOS E NGURTËSOJMË ZEMRËN?

11-12. (a) Si mund të veprojmë ndonjëherë? (b) Si veproi mbreti Rehoboam kur duhej të merrte një vendim të rëndësishëm?

11 Ndonjëherë mund të duket se dikush po kërkon një këshillë, kur faktikisht thjesht po kërkon konfirmim për diçka që tashmë e ka vendosur. Kush vepron kështu, nuk po tregohet mendjehapur dhe po e ngurtëson zemrën. Le të shohim çfarë mund të mësojmë nga shembulli paralajmërues i mbretit Rehoboam.

12 Rehoboami u bë mbret i Izraelit pas vdekjes së të atit, mbretit Solomon. Edhe pse në atë kohë populli gëzonte mirëqenie, ndiheshin të ngarkuar nga puna e rëndë që u kishte caktuar Solomoni. Ata shkuan te Rehoboami dhe i kërkuan t’ua lehtësonte ngarkesën. Rehoboami u tha t’i jepnin pak kohë që të mendohej. Ai e nisi mirë duke kërkuar këshilla nga burrat e moshuar që kishin ndihmuar Solomonin. (1 Mbret. 12:2-7) Megjithatë i hodhi poshtë këshillat e tyre. Pse? Mos vallë e kishte ndarë mendjen si do të vepronte dhe thjesht po kërkonte dikë që të ishte dakord me të? Po të ketë qenë kështu, e gjeti atë që kërkonte te këshilla e të rinjve që ishin rritur me të. (1 Mbret. 12:8-14) Rehoboami i tha popullit fjalë për fjalë atë që i kishin thënë miqtë e tij. Si pasojë, kombi u nda dhe, që nga ajo kohë, Rehoboamit nuk iu ndanë problemet.—1 Mbret. 12:16-19.

13. Si ta kuptojmë nëse po i mirëpresim këshillat?

13 Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Rehoboamit? Kur kërkojmë këshilla, duhet t’i mirëpresim duke qenë mendjehapur dhe duke mos e ngurtësuar zemrën. Si ta kuptojmë nëse po e bëjmë këtë? Mund të pyesim veten: «A kërkoj këshilla, por pastaj nuk i marr fare parasysh sepse nuk ishte ajo që doja të dëgjoja?»

14. Çfarë s’duhet të harrojmë kur marrim këshilla? Ilustrojeni. (Shih edhe figurën.)

14 Të bëjmë një shembull: një vëllai i ofrojnë një punë me rrogë të lartë. Para se ta pranojë, ai i kërkon këshillë një plaku. Vëllai i thotë se, për shkak të punës, do t’i duhet të qëndrojë larg familjes për periudha të gjata kohe. Plaku i kujton parime nga Bibla që tregojnë se përgjegjësia e tij kryesore është të mësojë e të drejtojë familjen në përputhje me Fjalën e Perëndisë. (Efes. 6:4; 1 Tim. 5:8) Ta supozojmë se vëllai nuk bie dakord me fjalët e plakut dhe vazhdon të pyesë të tjerë në kongregacion derisa gjen dikë që i thotë fiks atë që dëshiron të dëgjojë. A po kërkon vërtet këshilla vëllai, apo e ka ndarë mendjen dhe thjesht do që të gjejë dikë që ta mbështetë? S’duhet të harrojmë se zemra jonë është e pabesë. (Jer. 17:9) Me raste, mund të mos na pëlqejë fare një këshillë, ama mund të jetë pikërisht ajo që kemi më tepër nevojë.

Një motër kërkon këshilla nga disa vëllezër e motra. Ajo kalon nga njëri te tjetri, sepse nuk i pëlqen ajo që po i thonë.

A po kërkojmë vërtet një këshillë të mirë, apo thjesht dikë që është dakord me ne? (Shih paragrafin 14)


A DUHET T’U KËRKOJMË TË TJERËVE TË MARRIN VENDIME PËR NE?

15. Për çfarë duhet të kemi kujdes, dhe pse?

15 Marrja e vendimeve është përgjegjësi personale. (Gal. 6:4, 5) Siç e diskutuam, para se të marrë një vendim, një njeri i mençur i drejtohet për këshilla Fjalës së Perëndisë dhe bashkëbesimtarëve të pjekur. Mirëpo duhet të kemi kujdes që të mos u kërkojmë të tjerëve të vendosin për ne. Disa e bëjnë këtë duke e pyetur dikë që e respektojnë se si do të vepronte po të ishte në vendin e tij. Ndërsa disa, pa e menduar gjatë, mund të kopjojnë atë që bëjnë të tjerët.

16. Çfarë situate u krijua në Korint, dhe kush kishte përgjegjësinë të vendoste nëse do të hante nga mishi që u ofrohej idhujve? (1 Korintasve 8:7; 10:25, 26)

16 Të krishterët e kongregacionit të Korintit në shekullin e parë u gjendën para vendimit nëse duhej të hanin mishin e flijuar idhujve. Pavli u shkroi korintasve: «Ne e dimë se një idhull s’është asgjë dhe se nuk ka asnjë Perëndi veç njërit.» (1 Kor. 8:4) Duke e ditur këtë, disa në kongregacion vendosën ta hanin mishin që u ishte ofruar idhujve e më pas shitej në pazarin e mishit. Ndërsa të tjerë vendosën të mos e hanin atë mish, ngaqë do t’i vriste ndërgjegjja. (Lexo 1 Korintasve 8:7; 10:25, 26.) Ky ishte një vendim personal. Pavli nuk i këshilloi kurrë korintasit të merrnin vendime për të tjerët ose të kopjonin vendimet e tyre. Secili ‘do t’i jepte llogari Perëndisë për veten’.—Rom. 14:10-12

17. Çfarë mund të ndodhë po të kopjojmë vendimet e të tjerëve? Jepni një shembull. (Shih edhe figurat.)

17 Si mund të lindë një situatë e ngjashme sot? Të marrim, për shembull, çështjen e fraksioneve të gjakut. Çdo Dëshmitar duhet të vendosë vetë nëse do t’i pranojë ose jo këto fraksione.b Mbase e kemi të vështirë ta kuptojmë plotësisht këtë çështje, mirëpo marrja e vendimeve të tilla është pjesë e ngarkesës personale që duhet të mbajë gjithsecili. (Rom. 14:4) Po të kopjojmë vendimin e dikujt tjetër, mund të dobësojmë ndërgjegjen tonë. Në fakt, ndërgjegjja stërvitet dhe forcohet vetëm kur e përdorim. (Hebr. 5:14) Atëherë, kur duhet t’i kërkojmë këshilla një vëllai a motre të pjekur? Pasi të kemi bërë vetë kërkime, por akoma na duhet ndihmë që të kuptojmë si lidhen parimet e Biblës me situatën tonë.

Kolazh: 1. Para se të plotësojë kartën «Udhëzime për trajtimin mjekësor», një vëlla bën kërkime duke përdorur Biblën, mësimin 39 të librit «Gëzoje jetën përgjithmonë» dhe videon «Si të marrësh vendime për trajtimet mjekësore që përfshijnë gjakun». 2. Më vonë ai dëgjon me vëmendje një vëlla të pjekur ndërsa i shpjegon një shkrim.

Duhet të kërkojmë këshilla vetëm pasi të kemi bërë vetë kërkime (Shih paragrafin 17)


VAZHDO TË KËRKOSH KËSHILLA

18. Çfarë ka bërë Jehovai për ne?

18 Jehovai ka treguar se ka shumë besim te ne duke na lejuar t’i marrim vetë vendimet. Ai na ka siguruar Fjalën e tij, Biblën. Na ka dhënë edhe miq të mençur që na ndihmojnë të arsyetojmë në lidhje me parimet e saj. Kështu e ka përmbushur përgjegjësinë e tij si Ati ynë i dashur. (Prov. 3:21-23) Si mund t’ia shprehim mirënjohjen?

19. Si mund të vazhdojmë t’ia gëzojmë zemrën Jehovait?

19 Të mendojmë për këtë: dëshira më e madhe e prindërve është t’i shohin fëmijët tek rriten dhe bëhen shërbëtorë të pjekur të Jehovait që u vijnë në ndihmë të tjerëve. Po njësoj, Jehovait i gëzon zemra kur na sheh se vazhdojmë të përparojmë drejt pjekurisë, të kërkojmë këshilla dhe të marrim vendime që i sjellin lavdi.

QË TË NXJERRIM DOBI NGA KËSHILLAT E MIRA, PSE DUHET . . .

  • të jemi të përulur dhe modestë?

  • të jemi mendjehapur dhe të mos e ngurtësojmë zemrën?

  • t’i marrim vetë vendimet?

KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!

a Me raste është e mençur që të konsultohemi me persona që nuk i shërbejnë Jehovait për çështje financiare, mjekësore a të tjera.

b Për një shqyrtim më të hollësishëm të këtij argumenti, shih librin Gëzoje jetën përgjithmonë, mësimi 39 pika 5 dhe pjesën «Eksploro».

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak këshillon një plak tjetër për mënyrën si foli në një nga mbledhjet e fundit të pleqve.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo