ARTIKULLI I STUDIMIT 29
KËNGA 87 Eja, gjej për shpirtin freski!
Si të japim këshilla të mira
«Do të të këshilloj e do t’i mbaj sytë mbi ty.»—PSAL. 32:8.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si të japim këshilla të dobishme.
1. Kush duhet të japë këshilla, dhe pse?
SI NDIHESH kur duhet të japësh këshilla? Disa e kanë kollaj ta bëjnë këtë. Të tjerë hezitojnë ose janë në siklet kur japin këshilla. Sido që të jetë, të gjithë duhet të japim këshilla herë pas here. Pse? Sepse Jezui tha se dishepujt e vërtetë do të dalloheshin nga dashuria për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:35) Dhe një mënyrë si e tregojmë dashurinë për vëllezërit e motrat, është duke u dhënë këshilla kur është e nevojshme. Fjala e Perëndisë thotë se «miqësia e ëmbël» buron ose forcohet nga ‘këshillat e sinqerta’.—Prov. 27:9.
2. Për çfarë duhet të jenë të aftë pleqtë, dhe pse? (Shih edhe kutinë «Këshilla në mbledhjen e mesjavës».)
2 Pleqtë në veçanti duhet të jenë të aftë të japin këshilla të dobishme. Nëpërmjet Jezuit, Jehovai i ka caktuar këta vëllezër që të kujdesen si barinj për kongregacionin. (1 Pjet. 5:2, 3) Një mënyrë si e bëjnë këtë është duke dhënë këshilla të bazuara në Bibël kur mbajnë fjalime në kongregacion. Veç kësaj, duhet t’u japin këshilla personale vëllezërve e motrave dhe të ndihmojnë edhe ata që janë larguar nga Jehovai të kthehen tek ai. Si mund të japin këshilla të mira pleqtë, si edhe të gjithë ne?
3. (a) Si mund të mësojmë të jemi këshilltarë të mirë? (Isaia 9:6; shih edhe kutinë «Imito Jezuin kur jep këshilla».) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Mund të mësojmë shumë si të jemi këshilltarë të mirë duke studiuar shembullin e personazheve të Biblës, sidomos të Jezuit. Një nga titujt që mban ai është «Këshilltar i Mrekullueshëm». (Lexo Isainë 9:6.) Gjatë artikullit do të shohim ç’mund të bëjmë në dy raste: kur na kërkojnë këshilla dhe kur duhet të japim këshilla që s’na i kanë kërkuar. Do të shqyrtojmë edhe sa rëndësi ka të japim këshilla në kohën dhe në mënyrën e duhur.
KUR NA KËRKOJNË KËSHILLA
4-5. Cila është gjëja e parë që duhet të bëjmë kur na kërkojnë një këshillë? Jepni një shembull.
4 Kur dikush na kërkon një këshillë, cili duhet të jetë reagimi ynë i parë? Mbase na bëhet qejfi dhe duam ta ndihmojmë menjëherë. Por së pari duhet të pyesim veten: «A jam njeriu i duhur për ta këshilluar në këtë aspekt?» Ndonjëherë, ndihma më e mirë është të mos japim këshilla, por ta drejtojmë te dikush që është i zoti ta këshillojë për atë situatë.
5 Të bëjmë një shembull. Ta zëmë se një miku yt merr vesh se ka një sëmundje të rëndë. Ai të tregon se ka filluar të bëjë kërkime për trajtimet që janë në dispozicion dhe të pyet cili trajtim të duket më i miri. Mbase e ke të qartë çfarë do të preferoje ti vetë, ama nuk je mjek dhe nuk je i kualifikuar për të trajtuar atë sëmundje. Prandaj mbështetja më e mirë që mund t’i japësh mikut, është ta ndihmosh të gjejë dikë që ka kualifikimin e nevojshëm.
6. Pse mund të jetë mirë të presim pak para se të japim një këshillë?
6 Edhe nëse mendojmë se jemi personi i duhur që të japim këshilla për një çështje të caktuar, mund të jetë mirë të presim pak para se të përgjigjemi. Pse? Sepse Proverbat 15:28 thotë: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.» Po nëse mendojmë se e dimë përgjigjen? Prapëseprapë mund të lëmë ca kohë që të bëjmë kërkime, të lutemi dhe të meditojmë. Kështu do të jemi më të sigurt se përgjigjja jonë pasqyron mënyrën si mendon Jehovai për atë çështje. Le të shohim shembullin e profetit Natan.
7. Çfarë mësojmë nga shembulli i profetit Natan?
7 Ndërsa bisedonte me profetin Natan, mbreti David i tha se donte të ndërtonte një tempull për Jehovain. Natani e këshilloi menjëherë të vepronte ashtu siç tha. Por në fillim Natani duhej të kishte lënë kohë që të konsultohej me Jehovain. Pse? Sepse Jehovai nuk donte që ta ndërtonte Davidi tempullin. (1 Kron. 17:1-4) Ky rast tregon më së miri se kur na kërkojnë këshilla, është gjë e mençur ‘të mos nxitohemi për të folur’.—Jak. 1:19.
8. Cila është një arsye tjetër pse duhet të jemi të matur kur japim këshilla?
8 Ka edhe një arsye tjetër pse duhet të jemi të matur kur japim këshilla: nëse këshilla jonë e shtyn dikë të marrë një vendim që sjell pasoja, mund të kemi edhe ne një pjesë të fajit. Pa dyshim, kemi arsye të vlefshme që të mendohemi mirë para se të japim një këshillë.
KUR NUK NA KËRKOJNË KËSHILLA
9. Për çfarë duhet të sigurohen pleqtë para se të këshillojnë dikë? (Galatasve 6:1)
9 Herë pas here pleqtë duhet të marrin iniciativën për të këshilluar një vëlla a motër që ka hedhur «ndonjë hap të gabuar». (Lexo Galatasve 6:1.) Ai bashkëbesimtar ndoshta po bën disa zgjedhje të pamenda që mund ta çojnë në mëkat të rëndë. Synimi i pleqve është ta ndihmojnë të qëndrojë në udhën drejt jetës së përhershme. (Jak. 5:19, 20) Mirëpo, që këshilla e tyre të jetë e efektshme, në fillim duhet të sigurohen se ka hedhur vërtet një hap të gabuar. Pleqtë e kuptojnë se Jehovai i ka dhënë gjithsecilit lirinë që të marrë vendime në bazë të ndërgjegjes. (Rom. 14:1-4) Atëherë, si mund ta këshillojnë pleqtë një vëlla që ka hedhur vërtet një hap të gabuar?
10-12. Çfarë duhet të bëjnë pleqtë kur këshillojnë dikë që s’u ka kërkuar këshilla? Ilustrojeni. (Shih edhe figurat.)
10 Pleqtë e kanë veçanërisht të vështirë të këshillojnë dikë që s’u ka kërkuar këshilla. Pse? Sepse siç tha apostulli Pavël, ai që ka hedhur një hap të gabuar, mund të mos jetë i vetëdijshëm për këtë. Ndaj fillimisht pleqtë duhet ta përgatisin personin që ta pranojë më kollaj këshillën.
11 Të japësh këshilla kur s’t’i kanë kërkuar është si të mbjellësh farë në një tokë të fortë. Në fillim bujku e shkrifton tokën që të jetë gati për mbjellje. Më pas hedh farën dhe, në fund, e ujit që të rritet. Po njësoj, para se të japë këshilla, një plak duhet ta përgatitë terrenin. Për shembull, pasi gjen momentin e duhur, e siguron vëllanë se e ka për zemër dhe i do të mirën. Nëse ai që jep këshillën njihet si njeri i dashur dhe zemërmirë, të tjerët do ta kenë më të lehtë t’ia dëgjojnë fjalën.
12 Gjatë bisedës plaku mund të vazhdojë «ta zbutë tokën», duke i kujtuar vëllait se të gjithë gabojmë dhe kemi nevojë për këshilla herë pas here. (Rom. 3:23) Me një ton të butë dhe plot respekt, i tregon qartë nga Shkrimet çfarë hapi të gabuar ka hedhur. Pasi vëllai e pranon gabimin, plaku «mbjell farën» duke i shpjeguar thjesht dhe qartë se çfarë duhet të bëjë për ta ndrequr situatën. Në fund, ai «e ujit farën» duke e lavdëruar vëllanë dhe duke u lutur me të.—Jak. 5:15.
Duhet dashuri dhe mjeshtëri për të dhënë këshilla që s’na i kanë kërkuar (Shih paragrafët 10-12)
13. Si mund të sigurohen pleqtë se një vëlla e ka kuptuar këshillën?
13 Ndonjëherë, ajo që thotë personi që jep këshillën dhe ajo që kupton tjetri janë dy gjëra krejt të ndryshme. Çfarë mund të bëjnë pleqtë për ta shmangur këtë? Mund ta ndihmojnë vëllanë t’i ketë të qarta pikat kryesore duke i bërë pyetje me takt e respekt. (Ekl. 12:11) Falë përgjigjeve, do të sigurohen nëse ai e ka kuptuar këshillën dhe e di se çfarë duhet të bëjë për ta zbatuar.
KËSHILLA NË KOHËN DHE NË MËNYRËN E DUHUR
14. Pse nuk duhet të japim këshilla kur jemi të zemëruar?
14 Të gjithë jemi të papërsosur, ndaj patjetër që bëjmë a themi gjëra që i mërzitin të tjerët. (Kolos. 3:13) Bibla e pranon se mund të ketë edhe raste kur do të na zemërojnë fjalët a veprimet e dikujt. (Efes. 4:26) Ama duhet të përmbahemi e të mos japim këshilla kur jemi të zemëruar. Pse? Sepse «zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë». (Jak. 1:20) Nëse japim këshilla kur jemi të zemëruar, ka rrezik që më shumë të prishim punë sesa të ndreqim. Kjo nuk do të thotë që s’duhet t’ia themi kurrë atij që na ka zemëruar si ndihemi dhe çfarë mendojmë. Gjithsesi, para se t’i flasim, duhet të presim që të jemi të qetë. Mund të mësojmë shumë nga Elihu, i cili i dha këshilla të mira Jobit.
15. Çfarë mësojmë nga shembulli i Elihut? (Shih edhe figurën.)
15 Elihu e dëgjoi për ditë me radhë Jobin teksa mbrohej nga akuzat e ngushëlluesve të rremë. Ai ndjeu dhembshuri për Jobin. Ama nga ana tjetër, iu ndez zemërimi ndaj tij, sepse kishte thënë gjëra të pavërteta për Jehovain dhe ishte përqendruar tepër te vetja. Prapëseprapë, Elihu priti radhën për të folur dhe e këshilloi Jobin me butësi e respekt të thellë. (Jobi 32:2; 33:1-7) Nga shembulli i tij nxjerrim një mësim të rëndësishëm: gjëja më e mirë është të japim këshilla në kohën dhe në mënyrën e duhur, pra me respekt dhe dashuri.—Ekl. 3:1, 7.
Ndonëse iu ndez zemërimi nga fjalët e Jobit, Elihu priti momentin e duhur që ta këshillonte me butësi dhe respekt të thellë (Shih paragrafin 15)
TË VAZHDOJMË TË JAPIM DHE TË PRANOJMË KËSHILLA
16. Çfarë na mëson Psalmi 32:8?
16 Shkrimi kryesor i këtij artikulli thotë se Jehovai ‘do të na këshillojë e do t’i mbajë sytë mbi ne’. (Lexo Psalmin 32:8.) Kjo tregon se Jehovai vazhdon të na mësojë. Ai jo vetëm na jep këshilla, por edhe na ndihmon t’i zbatojmë. Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne! Kur kemi privilegjin t’u japim këshilla të tjerëve, le të imitojmë Jehovain dhe ‘t’i mbajmë sytë mbi ta’, pra t’u japim gjithë ndihmën e nevojshme që të marrin vendime të mençura.
17. Me çfarë krahasohen pleqtë që japin këshilla specifike të bazuara në Bibël? Shpjegoni. (Isaia 32:1, 2)
17 Sot kemi nevojë më shumë se kurrë të japim e të marrim këshilla të mira. (2 Tim. 3:1) Pleqtë që japin këshilla specifike të bazuara në Bibël, janë «si rrëke uji në një vend të thatë». (Lexo Isainë 32:1, 2.) Bashkëbesimtarët që e dinë çfarë duam të dëgjojmë, por që nuk ngurrojnë të na thonë çfarë kemi nevojë të dëgjojmë, po na dhurojnë si të thuash «mollë të arta në enë argjendi». (Prov. 25:11) Ndaj, le të vazhdojmë të fitojmë mençurinë e nevojshme që të japim e të pranojmë këshilla të mira!
KËNGA 109 Ta duam me gjithë zemër njëri-tjetrin