BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 korrik f. 20-25
  • A e ‘ke mësuar sekretin’ si të jesh i kënaqur?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A e ‘ke mësuar sekretin’ si të jesh i kënaqur?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • USHQE MIRËNJOHJEN
  • RUAJ EKUILIBRIN DHE PËRULËSINË
  • MENDO PËR SHPRESËN TËNDE
  • «ATYRE QË E NDEROJNË THELLËSISHT ATË, S’U MUNGON ASGJË»
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • A e dallon qartë të vërtetën?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 korrik f. 20-25

ARTIKULLI I STUDIMIT 31

KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar

A e ‘ke mësuar sekretin’ si të jesh i kënaqur?

«Kam mësuar të kënaqem me aq sa kam, pavarësisht nga rrethanat.»—FILIP. 4:11.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shohim se mund të jemi më të kënaqur nëse ushqejmë mirënjohjen, ruajmë ekuilibrin e përulësinë dhe mbajmë në mendje shpresën për të ardhmen.

1. Çfarë do të thotë të jesh i kënaqur, dhe çfarë nuk do të thotë?

A JE i kënaqur me çfarë ke në jetë? Një njeri i kënaqur ndien gëzim e paqe në zemër, sepse përqendrohet te bekimet që ka. Nuk ndihet i dëshpëruar ose i inatosur për shkak të gjërave që i mungojnë. Gjithsesi, të jesh i kënaqur nuk do të thotë të jesh moskokëçarës. Për shembull, është mirë të synojmë të bëjmë më shumë në shërbim të Jehovait. (Rom. 12:1; 1 Tim. 3:1) Ama, nuk e humbim gëzimin edhe nëse nuk e kemi marrë ende një privilegj shërbimi që na pëlqen shumë.

2. Pse është shumë e rrezikshme fryma e pakënaqësisë?

2 Fryma e pakënaqësisë mund të sjellë pasoja të rënda. Ata që s’kënaqen kurrë me atë që kanë, mund të rropaten në punë për orë të tëra që të blejnë gjëra të panevojshme. Është për të ardhur keq që disa shërbëtorë të Jehovait kanë vjedhur pará dhe gjëra të tjera që i dëshironin. Mbase thoshin me vete «e meritoj ta kem», «boll kam pritur» ose «do t’i kthej më vonë këto pará». Por vjedhja, e çfarëdo forme qoftë, e hidhëron dhe e çnderon Jehovain. (Prov. 30:9) Disa të tjerë janë zhgënjyer aq shumë kur s’kanë marrë një privilegj, sa kanë hequr dorë nga shërbimi i Jehovait. (Gal. 6:9) Si mund t’i shkojë nëpër mend një shërbëtori të Jehovait të veprojë kështu? Problemi mund të jetë që dalëngadalë ka zhvilluar frymën e pakënaqësisë.

3. Çfarë mësimi zemërdhënës gjejmë te Filipianëve 4:11, 12?

3 Të gjithë mund të mësojmë të jemi të kënaqur me atë që kemi. Apostulli Pavël shkroi: «Kam mësuar të kënaqem me aq sa kam, pavarësisht nga rrethanat.» (Lexo Filipianëve 4:11, 12.) Këto fjalë i shkroi kur ishte në burg. Prapëseprapë nuk e kishte humbur gëzimin. Ai ‘kishte mësuar sekretin’ si të ishte i kënaqur. Nëse e kemi të vështirë të ndihemi të kënaqur, fjalët dhe eksperienca e Pavlit na sigurojnë se mund të arrijmë të jemi të kënaqur në çfarëdo rrethane. Të mos presim që kjo të ndodhë vetvetiu. Duhet të mësojmë të jemi të kënaqur. Le të shohim ç’mund të na ndihmojë të mësojmë sekretin për të qenë të kënaqur.

USHQE MIRËNJOHJEN

4. Pse është më e lehtë të ndihemi të kënaqur kur jemi mirënjohës? (1 Selanikasve 5:18)

4 Një njeri mirënjohës e ka më të lehtë të jetë i kënaqur. (Lexo 1 Selanikasve 5:18.) Për shembull, kur ndihemi vërtet mirënjohës që kemi gjërat e nevojshme, ka shumë mundësi që nuk do ta vrasim tepër mendjen për gjërat që do të donim t’i kishim. Kur reflektojmë me mirënjohje për privilegjet e shërbimit që gëzojmë, do të bëjmë çmos të japim maksimumin në to, në vend që të fiksohemi te një privilegj që s’e kemi. Ja pse Shkrimet na nxitin ta falënderojmë Jehovain në lutje. Një frymë mirënjohëse na ndihmon të ndiejmë ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’.—Filip. 4:6, 7.

5. Çfarë arsyesh kishin izraelitët për të qenë mirënjohës? (Shih edhe figurën.)

5 Të kujtojmë ç’ndodhi me izraelitët. Ata iu ankuan sa e sa herë Jehovait se nuk i kishin më ushqimet e Egjiptit. (Num. 11:4-6) Natyrisht, jeta në shkretëtirë kishte peripecitë e veta. Çfarë do t’i kishte ndihmuar të ndiheshin të kënaqur? Duhej të kishin bluar në mendje me mirënjohje gjithë sa kishte bërë Jehovai për ta. Në Egjipt, Jehovai i goditi me dhjetë plagë ata që i trajtonin mizorisht si skllevër. Kur u çliruan, izraelitët «i plaçkitën egjiptianët» duke marrë prej tyre argjend, ar dhe rroba. (Eks. 12:35, 36) Kur ushtria e faraonit i ndoqi këmba-këmbës deri në bregun e Detit të Kuq, Jehovai i ndau ujërat me një mrekulli. Pastaj, gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë, i ushqeu ditë për ditë me manë. Atëherë, pse ankoheshin izraelitët? Ata ishin të pakënaqur jo ngaqë u mungonte ushqimi i nevojshëm, por ngaqë nuk ishin mirënjohës për çka u kishte dhënë Jehovai.

Disa izraelitë janë të pakënaqur për manën që po mbledhin dhe i qahen Moisiut, ndërsa të tjerë aty pranë vazhdojnë të mbledhin manë teksa shohin nga ata.

Pse zhvilluan frymën e pakënaqësisë izraelitët? (Shih paragrafin 5)


6. Cilat janë disa mënyra si mund ta ushqejmë mirënjohjen?

6 Si mund ta ushqesh mirënjohjen? Së pari, lër kohë çdo ditë që të mendosh për gjërat e mira që ta gëzojnë zemrën. Ndoshta edhe mund të shkruash dy-tri gjëra për të cilat ndihesh mirënjohës. (Vajt. 3:22, 23) Së dyti, shprehe mirënjohjen. Sigurohu t’i falënderosh të tjerët kur bëjnë diçka të mirë për ty. Mbi të gjitha, falëndero çdo ditë Jehovain. (Psal. 75:1) Së treti, zgjidh si miq të ngushtë njerëz mirënjohës. Mirënjohja është ngjitëse; po njësoj është edhe fryma e pakënaqësisë. (Ligj. 1:26-28; 2 Tim. 3:1, 2, 5) Kur kërkojmë mundësi për ta shprehur mirënjohjen, ka më pak gjasa të zhytemi në vorbullën e ndjenjave të pakënaqësisë.

7. Çfarë e ndihmoi Adën të ndihej sërish e kënaqur?

7 Të shohim ç’ndodhi me Adëna që jeton në Indonezi. Ajo thotë: «Gjatë pandemisë së COVID-19, fillova të krahasoja rrethanat e mia me ato të bashkëbesimtarëve. Për pasojë, ndihesha e pakënaqur.» (Gal. 6:4) Çfarë e ndihmoi t’i shihte gjërat me sy tjetër? Ada tregon: «Nisa të mendoja thellë për dhuratat që më bënte çdo ditë Jehovai dhe për gjithë bekimet që gëzoj ngaqë jam pjesë e organizatës së tij. Pastaj e falënderoja Jehovain për të gjitha këto. Kjo më ndihmoi të isha e kënaqur.» Nëse ke ngecur në kurthin e ndjenjave negative, a mund të veprosh si Ada që ta përtërish frymën e mirënjohjes?

RUAJ EKUILIBRIN DHE PËRULËSINË

8. Në cilën grackë ra Baruku?

8 Sekretari i profetit Jeremia, Baruku, ra për ca kohë në grackën e ndjenjave të pakënaqësisë. Baruku kishte një caktim të vështirë—të mbështeste Jereminë që duhej t’i jepte një mesazh fshikullues një populli mosmirënjohës. Mirëpo, në njëfarë pike, Baruku e humbi ekuilibrin. Në vend që të përqendrohej tek ajo që donte Jehovai, filloi të mendonte tepër për veten dhe për dëshirat e tij. Nëpërmjet Jeremisë, Jehovai i tha Barukut: «Ti po kërkon gjëra të mëdha për veten. Mos kërko më gjëra të tilla.» (Jer. 45:3-5) Me fjalë të tjera, po i thoshte: «Ji i kënaqur në rrethanat ku ndodhesh.» Baruku e pranoi ndreqjen dhe vazhdoi të gëzonte miratimin e Jehovait.

9. Sipas 1 Korintasve 4:6, 7, çfarë duhet të pranojmë me përulësi? (Shih edhe figurat.)

9 Ndonjëherë një adhurues i Jehovait mund të mendojë se i takon një privilegj i caktuar shërbimi. Mbase është shumë i talentuar, i papërtuar ose me eksperiencë. Megjithatë, privilegjin që e dëshiron aq shumë, e merr dikush tjetër. Ç’mund ta ndihmojë që të mos mërzitet nga kjo? Mund të mendojë për fjalët e apostullit Pavël te 1 Korintasve 4:6, 7. (Lexoje.) Çdo privilegj e çdo talent që kemi, vjen nga Jehovai. Nuk është se i fitojmë ose i meritojmë këto dhurata. Të gjitha janë shprehje e mirësisë së pamerituar të Jehovait.—Rom. 12:3, 6; Efes. 2:8, 9.

Kolazh: vëllezër e motra që kanë disa privilegje shërbimi. 1. Një vëlla kontrollon presionin e tubacioneve të një godine teokratike. 2. Një motër po e intervistojnë në një asamble qarkore të gjuhës së shenjave. 3. Një vëlla mban fjalim në një mbledhje kongregacioni.

Çdo dhuratë që kemi, vjen falë mirësisë së pamerituar të Jehovait (Shih paragrafin 9)c


10. Si mund ta zhvillojmë përulësinë?

10 Mund ta zhvillojmë përulësinë duke medituar për shembullin e Jezuit. Të mendojmë ç’ndodhi mbrëmjen që Jezui u lau këmbët apostujve. Apostulli Gjon shkroi: «Duke e ditur se [1] Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe [2] se ai kishte ardhur nga Perëndia e [3] po shkonte te Perëndia, . . . filloi t’u lante këmbët dishepujve.» (Gjoni 13:3-5) Jezui mund të kishte menduar se i takonte që apostujt t’i lanin këmbët atij. Ama, gjatë gjithë jetës në tokë nuk mendoi kurrë se, meqë ishte Biri i Perëndisë, meritonte një jetë plot mirëqenie e rehati. (Luka 9:58) Jezui ishte i përulur dhe i kënaqur. Ai na la një shembull të shkëlqyer.—Gjoni 13:15.

11. Si e ka ndihmuar Denisin përulësia të jetë i kënaqur?

11 Denisi nga Holanda përpiqet fort të imitojë përulësinë e Jezuit, por nuk e ka gjithnjë të lehtë. Ai thotë: «Ndonjëherë vërej se nxjerrin kokë ndjenjat e krenarisë ose të pakënaqësisë, si për shembull kur dikush merr një privilegj shërbimi. Në këto raste, ulem e studioj për përulësinë. Në aplikacionin JW Library® u kam vënë një «tag» disa shkrimeve për përulësinë, që ta kem kollaj t’i gjej dhe t’i lexoj. Po ashtu, kam shkarkuar në telefon disa fjalime për përulësinë dhe i dëgjoj shpesh.b Kam mësuar se në gjithçka që bëjmë, duhet t’i japim lavdi Jehovait, jo vetes. Ai na ka besuar gjithsecilit një rol të vogël në veprën që ka sukses vetëm falë tij.» Nëse ndonjëherë fillon të ndihesh i pakënaqur për shkak të situatës sate, bëj çmos të zhvillosh përulësinë. Kjo do të ta forcojë miqësinë me Jehovain dhe do të të ndihmojë të jesh i kënaqur.—Jak. 4:6, 8.

MENDO PËR SHPRESËN TËNDE

12. Cila shpresë na ndihmon të ndihemi të kënaqur? (Isaia 65:21-25)

12 Kur mendojmë për shpresën e mrekullueshme që na ka dhënë Jehovai, ndihemi të kënaqur. Në librin e Isaisë, Jehovai na thotë se e kupton sa dhembje mund të sjellë jeta sot, por edhe na siguron se do të na çlirojë prej tyre. (Lexo Isainë 65:21-25.) Do të jetojmë të sigurt në shtëpi të rehatshme. Do të bëjmë punë që na mbushin me kënaqësi dhe do të hamë ushqim të shëndetshëm e të shijshëm. S’do të shqetësohemi më kurrë se mos na ndodh ndonjë e keqe ne ose fëmijëve tanë. (Isa. 32:17, 18; Ezek. 34:25) E ardhmja jonë është e mrekullueshme dhe e garantuar.

13. Në cilat rrethana kemi veçanërisht nevojë të mendojmë për shpresën tonë?

13 Sot kemi nevojë më shumë se kurrë të mendojmë për shpresën tonë. Pse? Sepse po jetojmë në «ditët e fundit» dhe të gjithë kemi probleme që janë «të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Jehovai na ndihmon ditë pas dite të tregojmë qëndrueshmëri duke na dhënë drejtimin, forcën dhe mbështetjen e nevojshme. (Psal. 145:14) Veç kësaj, shpresa jonë mund të na stabilizojë në kohë të vështira. Ndoshta sfilitesh në punë, e prapëseprapë arrin t’i sigurosh familjes vetëm gjërat bazë. A do të jetë gjithmonë jeta luftë për mbijetesë? Aspak! Jehovai ka premtuar se në Parajsë do të të japë gjithçka që të nevojitet, e madje shumë e shumë më tepër. (Psal. 9:18; 72:12-14) Mbase po lufton me dhimbje kronike, me depresionin ose me ndonjë sëmundje të rëndë. Kështu do të jetë gjithmonë jeta jote, pa asnjë shpresë për t’u lehtësuar? Absolutisht jo! Në botën e re nuk do të ekzistojnë më sëmundjet dhe vdekja. (Zbul. 21:3, 4) Që sot kjo shpresë na e mbush zemrën me gëzim e na çliron nga inati dhe dëshpërimi. Mund të ndihemi të kënaqur edhe ndërsa durojmë padrejtësi, humbjen e një njeriu të dashur, një sëmundje ose ndonjë sprovë tjetër. Pse? Sepse sado të rënda të jenë hallet tona sot, e dimë se «sprovat janë kalimtare» dhe se së shpejti, në botën e re, do të shpëtojmë përgjithmonë prej tyre.—2 Kor. 4:17, 18.

14. Si mund ta forcojmë shpresën tonë?

14 Meqë shpresa është jetësore për t’u ndier të kënaqur, si mund ta bëjmë të patundur? Ashtu si një njeri që i duhen syze për të parë më qartë objektet e largëta, edhe neve mund të na duhet ta forcojmë shpresën që të shohim më qartë si do të jetë e ardhmja jonë në botën e re. Kur na mbyt ankthi se si do t’i sigurojmë të ardhurat, mund të përfytyrojmë si do të jetë jeta jonë kur paratë, borxhet dhe pabarazia ekonomike t’i përkasin së shkuarës. Nëse ndihemi të zhgënjyer ngaqë nuk kemi marrë ende një privilegj shërbimi, mund të mendojmë sa e parëndësishme do të na duket kjo pasi të jemi bërë të përsosur dhe t’i kemi shërbyer Jehovait për mijëra vjet. (1 Tim. 6:19) Ndoshta e kemi të vështirë të mendojmë për të ardhmen dhe të mos fokusohemi te shqetësimet e sotme. Por sa më shpesh të mendojmë për të ardhmen që na ka premtuar Jehovai, aq më të lehtë do ta kemi të përqendrohemi tek ajo, jo te problemet tona.

15. Çfarë të mësojnë fjalët e Kristës?

15 Të shohim si e ka ndihmuar shpresa Kristën, gruan e Denisit i cili u përmend më sipër. Ajo tregon: «Vuaj nga një sëmundje muskujsh që sa vjen e keqësohet, ndaj më duhet të përdor karrige me rrota e të rri shumicën e kohës në krevat. Kam dhimbje çdo ditë. Kohët e fundit mjeku më tha se s’më presin ditë të mira. Por në çast mendova: ‘Ai e sheh ndryshe të ardhmen.’ Kurse unë i mbaj sytë te shpresa ime, e kjo më mbush me paqe. Sot më duhet të heq shumë siklete, ama në botën e re do ta shijoj plotësisht jetën.»

«ATYRE QË E NDEROJNË THELLËSISHT ATË, S’U MUNGON ASGJË»

16. Pse mbreti David shkroi se atyre që e nderojnë thellësisht Jehovain «s’u mungon asgjë»?

16 Edhe kur jemi të kënaqur me ato që kemi në jetë, prapë do të përballemi me probleme. Për shembull, mbretit David i vdiqën të paktën tre fëmijë. Gjithashtu e akuzuan padrejtësisht, e tradhtuan dhe për vite të tëra e ndoqën për ta vrarë. Prapëseprapë, ndërsa kalonte një sprovë të rëndë, ai tha për Jehovain: «Atyre që e nderojnë thellësisht atë, s’u mungon asgjë.» (Psal. 34:9, 10) Vërtet, ndonëse nuk e kanë jetën fushë me lule, adhuruesit e Jehovait mund ta kenë zemrën të qetë se s’do t’u mungojë kurrë çka u nevojitet. (Psal. 145:16) Ashtu si Davidi, edhe ne jemi të sigurt se Jehovai do të na bëhet krah në të gjitha sprovat tona. Pra, në çfarëdo rrethane mund të kemi paqe e gëzim në zemër.

17. Pse dëshiron të mësosh sekretin për të qenë i kënaqur?

17 Jehovai dëshiron të jesh i kënaqur. (Psal. 131:1, 2) Prandaj bëj çmos ‘të mësosh sekretin’ si të jesh i kënaqur. Nëse përpiqesh fort të ushqesh mirënjohjen, të ruash ekuilibrin e përulësinë dhe të forcosh shpresën, do të thuash me gjithë shpirt: «Po, jam i kënaqur.»—Psal. 16:5, 6.

PSE DO TË NDIHESH I KËNAQUR NËSE . . .

  • ushqen mirënjohjen?

  • ruan ekuilibrin e përulësinë?

  • i mban sytë te shpresa jote?

KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»

a Emri është ndryshuar.

b Për shembull, shih në jw.org këto dy programe të adhurimit të mëngjesit: Jehovai kujdeset për të përulurit dhe Krenaria vjen para rrëzimit.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla punon për mirëmbajtjen e një godine teokratike, një motër që ka mësuar gjuhën e shenjave po e intervistojnë në një asamble qarkore dhe një vëlla mban një fjalim publik.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo