JETËSHKRIM
«Beteja i përket Jehovait»
ISHTE 28 janari i 2010-s, një ditë e ftohtë dimri, dhe gjendesha në qytetin piktoresk të Strasburgut në Francë. Mirëpo gjëja e fundit që më shkonte në mendje ishte të vizitoja qytetin. Ndodhesha aty si pjesë e një ekipi ligjor që do të mbronte të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Çështja lidhej me kërkesën e padrejtë të qeverisë franceze që Dëshmitarët atje të paguanin një taksë stratosferike prej thuajse 64 milionë eurosh (89.000.000 dollarë amerikanë). Mbi të gjitha, ishte në lojë emri i Jehovait, reputacioni i popullit të tij dhe e drejta për ta adhuruar lirisht. Mënyra si rrodhën ngjarjet në seancën dëgjimore vërtetoi se «beteja i përket Jehovait». (1 Sam. 17:47) Ja t’ju tregoj më shumë.
Në vitin 1999 qeveria e Francës i kërkoi zyrës së degës në Francë të paguante taksa për dhurimet që kishin marrë nga viti 1993 deri më 1996. Kërkuam ta zgjidhnim çështjen në gjykatat franceze, por më kot. Pasi humbëm në një gjykatë apeli, qeveria konfiskoi nga llogaria bankare e degës mbi 4,5 milionë euro (6.300.000 dollarë amerikanë). Guri i fundit mbetej GJEDNJ-ja. Por para se të shqyrtonte çështjen, GJEDNJ-ja na kërkoi të takoheshim me ekipin ligjor të qeverisë në prani të një përfaqësuesi të Gjykatës. Kështu do të shihnin nëse mund të arrinim në një marrëveshje pa e çuar çështjen në gjyq.
Pritnim që përfaqësuesja e Gjykatës të na ushtronte presion që ta zgjidhnim çështjen duke pranuar të paguanim një pjesë të shumës së kërkuar. Megjithatë e kishim të qartë se po të paguanim qoftë edhe një euro të vetme, do të shkelnim parimet e Biblës. Vëllezërit e motrat i kishin bërë ato dhurime për të mbështetur veprën e Mbretërisë, ndaj ato pará nuk i përkitnin qeverisë. (Mat. 22:21) Prapëseprapë, morëm pjesë në atë mbledhje për të respektuar protokollet e Gjykatës.
Ekipi ynë ligjor para GJEDNJ-së, 2010
U takuam në një nga dhomat elegante të Gjykatës që përdorej për konferenca. Seanca nuk nisi edhe aq mirë. Që në fjalët e para përfaqësuesja e bëri të qartë se priste nga Dëshmitarët e Jehovait në Francë të paguanin një pjesë të taksës. Në çast e pyetëm: «A jeni në dijeni se qeveria ka konfiskuar tashmë mbi 4,5 milionë euro nga llogaria jonë bankare?»
Tronditja iu lexua në fytyrë. Kur ekipi ligjor i qeverisë e konfirmoi atë që thamë, qëndrimi i saj për çështjen ndryshoi si nata me ditën. Pasi i qortoi, e mbylli seancën menjëherë. Kuptova se Jehovai e kishte ndryshuar krejt rrjedhën e situatës në një mënyrë që as na kishte shkuar nëpër mend. U larguam nga ajo mbledhje tejet të gëzuar dhe të surprizuar për atë që kishte ndodhur.
Më 30 qershor 2011 GJEDNJ-ja mori një vendim unanim në favorin tonë. Ajo e hoqi taksën dhe e urdhëroi qeverinë të na kthente paratë e konfiskuara, madje edhe interesin! Ky vendim historik shërben sot e kësaj dite për të mbrojtur adhurimin e pastër në Francë. Tamam ajo pyetje që s’e kishim menduar më parë ishte si guri që goditi në kokë Goliadin—pika e kthesës në betejën tonë. Pse fituam? Sepse, siç i tha Davidi Goliadit, «beteja i përket Jehovait».—1 Sam. 17:45-47.
Kjo fitore nuk është një rast unik. Edhe pse jemi përballur me kundërshtim të egër nga shumë qeveri dhe fe, gjykatat më të larta të 70 vendeve dhe disa gjykata ndërkombëtare kanë marrë deri më sot 1.225 vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Këto fitore ligjore shërbejnë për të mbrojtur të drejtat tona themelore, si të drejtën për të pasur statusin ligjor si fe, për të predikuar, për të mos marrë pjesë në ceremoni patriotike dhe për të mos pranuar gjak.
Mirëpo si u përfshiva në një çështje ligjore në Evropë ndërkohë që shërbeja në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork, SHBA?
BRUMOSEM ME ZELLIN MISIONAR
Prindërit e mi, Xhorxhi dhe Lusila, u diplomuan në klasën e 12-të të shkollës së Galadit. Në vitin 1956, kur linda unë, ata po shërbenin në Etiopi. Ma vunë emrin Filip, siç quhej ungjillëzuesi i shekullit të parë. (Vep. 21:8) Vitin pasues qeveria e shpalli të ndaluar organizatën tonë. Ndonëse isha i vogël, kam ende kujtime të gjalla nga koha kur familja jonë e adhuronte Jehovain në fshehtësi. Si fëmijë, kjo më dukej emocionuese. Mjerisht, në vitin 1960 autoritetet na detyruan të largoheshim nga vendi.
Nejthën Nori (në cep majtas) për vizitë në familjen time në Adis-Abebë, Etiopi, 1959
Kur u transferuam në Uiçita të Kanzasit, SHBA, prindërit morën me vete edhe diçka shumë speciale: zellin frymëzues si misionarë. Ata na mësuan të tre ne fëmijëve—mua, motrën e madhe, Xhudin, dhe vëllanë e vogël, Lezlin, që kishin lindur po ashtu në Etiopi—ta donim Jehovain dhe t’i shërbenim me gjithë shpirt. U pagëzova kur isha 13 vjeç. Tre vjet më vonë u transferuam si familje në Arekipa, Peru, për të shërbyer ku kishte më shumë nevojë.
Më 1974, kur isha vetëm 18 vjeç, dega në Peru më emëroi pionier special bashkë me katër vëllezër të tjerë. Duhej të predikonim në territore të papunuara më parë, lart në vargmalet e Andeve. Kjo përfshinte t’u jepnim dëshmi komuniteteve indigjene keçua dhe ajmare. Makina me të cilën udhëtonim ishte edhe shtëpia jonë. E quanim me përzemërsi «Arka», meqë ngjante si arka e Noesë. E kujtoj me nostalgji kohën kur u tregoja nga Bibla indigjenëve se së shpejti Jehovai do të zhdukë varfërinë, sëmundjet dhe vdekjen. (Zbul. 21:3, 4) Shumë prej tyre e përqafuan të vërtetën.
«Arka», 1974
PËR NË SELINË BOTËRORE
Ndërsa vizitonte Perunë në vitin 1977, Albert Shroderi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait në atë kohë, më nxiti të plotësoja një kërkesë për të shërbyer në selinë botërore. Dhe ashtu bëra. S’kaloi shumë dhe, më 17 qershor 1977, fillova të shërbeja në Bethelin e Bruklinit. Katër vitet që pasuan, punova në Departamentin e Pastrimit dhe në Departamentin e Mirëmbajtjes.
Në ditën e dasmës, 1979
Në qershor të 1978-s, takova Elizabeta Avalonen në një kongres ndërkombëtar në Nju-Orleans, Luizianë. Edhe atë e kishin rritur prindër që i shërbenin me gjithë shpirt Jehovait. Elizabeta kishte katër vjet që shërbente si pioniere e rregullt dhe dëshironte t’i shërbente Jehovait në kohë të plotë për tërë jetën. U njohëm më mirë dhe shpejt ramë kokë e këmbë në dashuri. U martuam më 20 tetor 1979 dhe filluam të shërbenim në Bethel si çift.
Vëllezërit dhe motrat në kongregacionin tonë të parë, Bruklin Spanjisht, na hapën dyert e zemrës. Gjatë viteve kemi shërbyer në tri kongregacione të tjera të dashura, që na kanë mikpritur dhe na kanë inkurajuar të vazhdojmë shërbimin në Bethel. E çmojmë sa s’thuhet mbështetjen e tyre, si edhe të bashkëbesimtarëve e të familjarëve që na ndihmuan të kujdeseshim për prindërit në moshë të thyer.
Bethelitë që shërbenim në kongregacionin Bruklin Spanjisht, 1986
NDIHMOJ NË BETEJA LIGJORE
U habita kur në janar të 1982-shit më caktuan të shërbeja në Departamentin Ligjor në Bethel. Tre vjet më vonë më kërkuan të ndiqja universitetin për t’u bërë avokat. Ishte surprizë e bukur të mësoja se shumë nga liritë themelore që njerëzit i marrin për të mirëqena, si në Shtetet e Bashkuara edhe në vende të tjera, janë konsoliduar nga fitoret ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait. Ato çështje historike diskutoheshin gjerë e gjatë në klasë.
Më 1986, kur isha 30 vjeç, më caktuan mbikëqyrës të Departamentit Ligjor. Isha i ri dhe i papërvojë për këtë caktim kaq kompleks, ndaj ndihesha edhe i privilegjuar, edhe i frikësuar.
Në vitin 1988 u bëra avokat, mirëpo nuk e kisha kuptuar sa keq kishte ndikuar ai arsimim tek unë dhe te miqësia me Jehovain. Arsimimi i lartë mund të ngjallë ambicie dhe ta nxitë dikë të mendojë se është më i mirë nga ata që s’kanë të njëjtin shkollim. Shyqyr që Elizabeta më ndihmoi t’i kthehesha programit teokratik që kisha pasur para shkollës. M’u desh ca kohë, por avash-avash e forcova miqësinë me Jehovain. E them nga përvoja se të kesh shumë njohuri nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë. Ajo çka e bën vërtet domethënëse jetën, është miqësia e ngushtë me Jehovain dhe dashuria e thellë për të e për popullin e tij.
MBROJMË DHE THEMELOJMË LIGJËRISHT LAJMIN E MIRË
Pasi mbarova shkollën, u përqendrova më shumë te caktimi im që të ndihmoja Departamentin Ligjor e të mbroja para gjykatave organizatën e Jehovait dhe të drejtën tonë për të predikuar lajmin e mirë. Puna për të mbështetur organizatën tonë që ecte para me shpejtësi dhe rritej vazhdimisht, ishte si emocionuese, edhe sfiduese. Për shembull, më parë kërkonim një kontribut të sugjeruar për botimet që shpërndanim. Por në fillim të viteve 90 Departamentit Ligjor iu kërkua të jepte drejtim si të ndërpritej kjo praktikë. Pas kësaj, Dëshmitarët e Jehovait e ofronin literaturën falas. Kjo e thjeshtoi punën në Bethel e në fushë dhe na mbron ende nga taksat e pajustifikuara. Disa mendonin se ky ndryshim do të shteronte të ardhurat e nevojshme për të prodhuar literaturë, e kështu do të pengonte veprën e predikimit. Mirëpo ndodhi krejt e kundërta. Numri i shërbëtorëve të Jehovait që nga 1990-a është rritur më tepër se dyfish, dhe sot kushdo mund të marrë falas botime me informacione jetëshpëtuese të bazuara në Bibël. E kam parë vetë se ndryshime kaq të mëdha organizative kanë sukses vetëm falë forcës së Jehovait dhe drejtimit që siguron nëpërmjet skllavit besnik.—Eks. 15:2; Mat. 24:45.
Fitoret tona ligjore nuk vijnë vetëm nga puna e mirë e avokatëve. Shpesh, është sjellja e shkëlqyer e popullit të Jehovait ajo që i nxit autoritetet të na mbështetin. Një shembull të kësaj e pashë në vitin 1998, kur tre anëtarë të Trupit Udhëheqës me gratë e tyre ndoqën disa kongrese të rëndësishme në Kubë. Sjellja e tyre mirëdashëse dhe plot respekt pati më shumë fuqi për t’i bindur autoritetet për asnjanësinë tonë në politikë se gjithçka që kishim thënë ne gjatë takimeve zyrtare.
Megjithatë, kur çështjet ligjore nuk mund të zgjidhen miqësisht, ne ‘e mbrojmë dhe e themelojmë ligjërisht lajmin e mirë’ në gjykata. (Filip. 1:7) Për shembull, për dekada autoritetet në Evropë dhe në Korenë e Jugut nuk e njihnin të drejtën tonë për të refuzuar shërbimin ushtarak. Si pasojë, rreth 18.000 vëllezër në Evropë dhe mbi 19.000 vëllezër në Korenë e Jugut kanë bërë burg, ngaqë nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.
Më në fund, më 7 korrik 2011, GJEDNJ-ja mori një vendim historik për çështjen Bajatjani kundër Armenisë, që i detyron të gjitha vendet evropiane të ofrojnë shërbimin alternativ civil. Edhe Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut mori një vendim të ngjashëm më 28 qershor 2018. Ama nuk do të kishim arritur asnjë nga këto fitore sikur edhe fare pak vëllezër të rinj të kishin bërë kompromis.
Departamenti Ligjor në selinë botërore dhe departamentet ligjore në degët anembanë botës, punojnë pa u lodhur që të mbrojnë të drejtën tonë për të adhuruar Jehovain dhe për të predikuar lajmin e mirë. Ndihemi të nderuar të përfaqësojmë vëllezërit e motrat që hasin kundërshtim nga qeveritë. Pavarësisht nëse e fitojmë ose jo një çështje, japim dëshmi para guvernatorëve, mbretërve dhe kombeve. (Mat. 10:18) Gjykatësit, përfaqësuesit e qeverisë, media dhe publiku i gjerë duhej të shqyrtojnë shkrimet që përfshijmë në dokumentet me shkrim dhe që citojmë në gjyq. Njerëzit me zemër të sinqertë mësojnë kush janë Dëshmitarët e Jehovait dhe cila është baza e bindjeve tona. Madje disa prej tyre janë bërë bashkëbesimtarët tanë.
FALEMINDERIT JEHOVA!
Për 40 vjet kam pasur privilegjin të bashkëpunoj për çështje ligjore me zyra dege në mbarë botën, të dal para shumë gjykatave të larta dhe të takoj mjaft funksionarë të rëndësishëm. I dua dhe i admiroj bashkëpunëtorët e mi në Departamentin Ligjor në selinë botërore dhe në departamentet ligjore anembanë botës. Kam pasur një jetë domethënëse e plot bekime.
Elizabeta më ka mbështetur me besnikëri e dashuri për 45 vjet, në ditë të mira e të vështira. E admiroj për gjithë sa ka bërë edhe pse vuan nga një sëmundje që i dobëson sistemin imunitar dhe i shter fuqitë.
Kemi përjetuar se forca dhe fitorja nuk vijnë nga aftësitë tona. Siç u shpreh Davidi, «Jehovai është forca e popullit të tij». (Psal. 28:8) Vërtet, «beteja i përket Jehovait»!