Regjistrimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
1 Shkolla e Shërbimit Teokratik ka shërbyer si një instrument për stërvitjen e miliona Dëshmitarëve të Jehovait si shërbëtorë të lajmit të mirë. Shumë prej nesh e kujtojnë se sa me frikë dhe të paaftë jemi ndier, kur u regjistruam për herë të parë në këtë shkollë dhe tani pranojmë me mirënjohje rolin e saj në zhvillimin tonë frymor si oratorë dhe mësues të Fjalës së Perëndisë. (Krahaso Vep. 4:13.) A je regjistruar në këtë shkollë të rëndësishme?
2 Kush mund të regjistrohet? Libri Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, (angl.), në faqen 73 përgjigjet: «Mund të regjistrohen të gjithë ata që shoqërohen aktivisht me kongregacionin, duke përfshirë edhe ata që nga pak kohë marrin pjesë nëpër mbledhje, me kusht që të mos çojnë një jetë, që nuk është në përputhje me parimet e krishtere.» I ftojmë të gjithë ata që kualifikohen: burra, gra dhe fëmijë, që t’i afrohen mbikëqyrësit të shkollës dhe t’i kërkojnë të regjistrohen.
3 Programi i Shkollës për vitin 1997: Programi i Shkollës së Shërbimit Teokratik për vitin 1997, mbulon një shumëllojshmëri të gjerë mësimesh dhe personazhesh biblike, si edhe historinë e organizatës. Përveç zhvillimit të aftësive tona oratorike dhe mësimore, ne mësojmë nga thesaret e shumta frymore, që gjenden në programin e saj mësimor çdo javë. (Prov. 9:9) Nëse përgatitemi për shkollën, gjë që përfshin leximin javor të Biblës dhe kemi një pjesëmarrje të rregullt, mund të nxjerrim dobi të madhe frymore nga programi.
4 Gjatë vitit 1997, pjesa më e madhe e leximit të Biblës për fjalimin nr. 2, është më e shkurtër se gjatë viteve të kaluara. Gjatë përgatitjes për këtë fjalim, studenti duhet ta matë me kujdes kohën e leximit e pastaj të përcaktojë se sa kohë nga pesë minutat e caktuara për këtë pjesë, mund të përdoret për hyrjen dhe përfundimin. Kjo gjë do t’i japë mundësi studentit ta përdorë në mënyrë të plotë kohën që ka në dispozicion dhe të zhvillojë si aftësinë e tij të leximit, ashtu edhe artin e të folurit në mënyrë spontane.—1. Tim. 4:13.
5 Për prezantimin e fjalimit nr. 3, i cili bazohet në librin Njohuria, është shtuar si një rrethanë e mundshme dëshmia joformale. Kështu, pra, si rrethanë për fjalimin e saj, një motër mund të zgjedhë rivizitën, studimin biblik në shtëpi apo dëshminë joformale. Natyrisht që theksi kryesor duhet të vazhdojë të vihet në mësimin e efektshëm dhe jo në rrethanën.
6 Në qoftë se ke privilegjin për të dhënë fjalimin e udhëzimit, pikat kulminante nga leximi i Biblës apo fjalimin që i caktohet një studenti, mund ta tregosh çmueshmërinë tënde për Shkollën e Shërbimit Teokratik, duke u përgatitur mirë dhe duke e provuar pjesën që të është caktuar, duke e prezantuar atë me bindje dhe entuziazëm, duke mos e kaluar kohën, duke dëgjuar dhe duke zbatuar këshillën e mbikëqyrësit të shkollës, si dhe duke u përpjekur gjithmonë për ta përmbushur me besim caktimin tënd. Në këtë mënyrë, regjistrimi yt në shkollë do të jetë një bekim për ty dhe për të gjithë ata që janë të pranishëm.