Ta prezantojmë lajmin e mirë me një ndjenjë urgjence
1 Ne tregojmë çmueshmëri të thellë për premtimet e Mbretërisë së Perëndisë, duke marrë pjesë me gjithë zemër në shërbimin e krishterë. Duhet të marrim pjesë në këtë vepër me një ndjenjë urgjence. Përse? Sepse punëtorët janë pak, fundi i këtij sistemi të lig gjërash po afrohet dhe jeta e personave të territorit tonë është në rrezik. (Ezek. 3:19; Mat. 9:37, 38) Një përgjegjësi e tillë kaq serioze kërkon përpjekjet tona më të forta në shërbim. Si mund të tregojmë një ndjenjë urgjence lidhur me aktivitetin tonë në shërbimin në fushë? Duke përgatitur që më përpara prezantime të mira, duke qenë të zellshëm për t’i kërkuar njerëzit kudo që mund të gjenden, duke mbajtur regjistrime të sakta të të gjithë atyre që tregojnë interes, duke u kthyer pa humbur kohë, për të ndjekur atë interes dhe duke mos harruar se përderisa bëhet fjalë për jetën, ne duhet ta marrim seriozisht shërbimin tonë. Sugjerimet e mëposhtme mund të jenë të dobishme, ndërsa përgatitemi për ta prezantuar lajmin e mirë me një ndjenjë urgjence gjatë shkurtit. Do të ofrohet libri Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
2 Mund të jesh në gjendje të fillosh një bisedë, duke përmendur shkurtimisht disa probleme që ndeshen në komunitet, e më pas mund të thuash:
◼ «Shumë njerëz besojnë se ka një Perëndi, por pyesin veten: ‘Ç’lloj të ardhmeje dëshiron ai për ne?’ Si do t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje? [Lëre të përgjigjet.] A e dinit se Bibla e shpjegon qartë vullnetin e Perëndisë për njerëzimin dhe hapat që ai po ndërmerr për ta çuar në vend atë gjë?» Shko në faqen 239 të librit Krijimi. Lexo Zbulesën 21:4 në paragrafin 13. Kthehu tek figurat që gjenden në faqet 237 deri 239, për të ilustruar se ç’domethënie ka kjo për të ardhmen tonë. Nëse ka një reagim të mirë, ofroji librin. Mos harro të shpjegosh se si mbështetet vepra jonë mbarëbotërore me anë të kontributeve. Merr masa që në një kohë të përshtatshme të kthehesh për të vazhduar bisedën.
3 Mund të vazhdosh bisedën e mëparshme të Zbulesës 21:4, me këtë prezantim të shkurtër:
◼ «Në vizitën time të fundit, ne folëm për premtimin e Perëndisë lidhur me përgatitjen e një shoqërie të re tokësore për njerëzimin. [Tërhiq përsëri vëmendjen tek ilustrimet në faqet 237-239 të librit Krijimi.] A do t’ju pëlqente që ta shihnit familjen tuaj, duke gëzuar kushte të tilla? [Lëre të përgjigjet.] Lind pyetja se sa të besueshme janë premtimet e Perëndisë? Vëreni ju lutem se çfarë thotë ai vetë.» Lexo Zbulesën 21:5, 6a dhe paragrafin 10 në faqen 250. Përmend ofertën për një studim biblik pa pagesë. Merr masa që më vonë ta demonstrosh atë.
4 Meqenëse shumë njerëz janë të shqetësuar lidhur me problemet në rritje që përballon njerëzimi, në vizitën e parë mund të thuash diçka si kjo:
◼ «Gati të gjithë janë të shqetësuar lidhur me problemet që përballojmë në komunitetin tonë. [Përmend disa.] Politikanët kanë premtuar për dekada të tëra se do t’i zgjidhin njëherë e mirë ato dhe disa janë përpjekur për ta bërë. Cili është shkaku i keqësimit të vazhdueshëm të kushteve, sipas mendimit tuaj? [Lëre të përgjigjet.] Bibla ofron një shpjegim, të cilin shumica e njerëzve nuk e kanë marrë asnjëherë parasysh. Libri i Zbulesës përshkruan një luftë që ndodhi në qiell. Vëreni se çfarë rezultati pati, siç deklarohet në Zbulesën 12:9.» Lexo vargun dhe pastaj shko në faqet 224-225 të librit Krijimi. Përdor figurat për të shpjeguar pasojat e përmbushjes së profecisë së Zbulesës. Nëse tregon interes të vërtetë, ofroji librin dhe përmend rregullimin e kontributeve. Planifiko për t’u kthyer dhe trajto se si do t’i zgjidhë Perëndia problemet e njerëzimit.
5 Nëse ke premtuar për t’u kthyer e për të shpjeguar zgjidhjen e Perëndisë për problemet e sotme, mund të provosh këtë prezantim:
◼ «Bëra një përpjekje të veçantë për t’u kthyer, që të mund të vazhdojmë bisedën tonë lidhur me zgjidhjen e vërtetë të problemeve që përballon njerëzimi. Gjatë vizitës sime të fundit, pamë se Bibla e identifikon Satana Djallin si ai që mashtron gjithë tokën e banuar. Përderisa ai është një krijesë frymore mbinjerëzore, a mendoni se ekziston një mënyrë për të eliminuar ndikimin e tij? [Lëre të përgjigjet.] Vëreni ju lutem se çfarë thotë Bibla.» Lexo dhe shpjego Zbulesën 20:1-3. Duke përdorur figurën në faqet 4-5 të librit Njohuria, trego se si do të jenë kushtet pa ndikimin e Satanait. Ofro një studim biblik dhe përpiqu ta fillosh atë pa humbur kohë.
6 Me kaq shumë njerëz të interesuar për mjedisin, mund të fillosh një bisedë, duke thënë diçka ngjashëm me këtë:
◼ «Kemi parë se gati të gjithë janë të shqetësuar lidhur me ndotjen e ajrit, të ujit dhe të ushqimit. Në disa vende, gjendja e mjedisit, tashmë po kërcënon jetën. Duke qenë se Krijuesi i tokës është Perëndia, si mendoni, çfarë do të bëjë ai lidhur me këtë? [Lëre të përgjigjet.] Bibla thotë se Perëndia kërkon llogari për mënyrën se si e përdorim planetin. [Lexo Zbulesën 11:18b.] Imagjino të jetosh në një tokë, ku nuk ekziston asnjë lloj ndotjeje!» Nxirr në pah premtimin e Perëndisë për një parajsë, siç tregohet në Zbulesën 21:3, 4. Trego figurën në faqen 237 të librit Krijimi. Nëse shkalla e interesit të justifikon, ofro librin dhe merr masa për t’u kthyer përsëri. Jepi personit një mundësi për të dhënë kontribute.
7 Kur kthehesh tek një person, i cili ka treguar interes për tokën parajsore, mund të thuash:
◼ «Gjatë vizitës sime të fundit, ne u pajtuam me mendimin se për të zgjidhur problemin e ndotjes së tokës, Perëndia do të ndërhyjë në çështjet e njerëzimit. Por pyetja është, çfarë duhet të bëjmë ne për të mbijetuar në botën e re e të drejtë që do të sjellë Perëndia?» Lexo Gjonin 17:3. Ftoje të zotin e shtëpisë që të përfitojë nga kursi ynë i studimit biblik pa pagesë, për të fituar këtë njohuri të veçantë.
8 Çfarë privilegji është që të përdoremi si korrës në këto kohë moderne dhe të bëjmë këtë vepër predikimi jetëshpëtuese! Le të jemi të gjithë të zënë me prezantimin e lajmit të mirë me një ndjenjë urgjence, ‘duke ditur se mundi ynë nuk është i kotë’.—1. Kor. 15:58.