E hënë, 20 tetor
Nëse nuk ma tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të gjymtoheni.—Dan. 2:5.
Rreth dy vjet pasi babilonasit shkatërruan Jerusalemin, mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, pa një ëndërr që e trazoi me një statujë tejet të madhe. Ai kërcënoi se do t’i vriste të gjithë burrat e mençur, mes të cilëve edhe Danieli, po të mos i tregonin çfarë ëndrre kishte parë dhe t’ia interpretonin. (Dan. 2:3-5) Danieli duhej të vepronte me shpejtësi, përndryshe do të humbnin jetën të gjithë. Ai «shkoi dhe i kërkoi mbretit t’i jepte kohë, që t’i thoshte interpretimin». (Dan. 2:16) Kjo kërkonte guxim e besim. Pse? Sepse Shkrimet nuk tregojnë se Danieli kishte interpretuar ëndrra më parë. Ai u kërkoi shokëve të tij «t’i luteshin për mëshirë Perëndisë së qiellit për këtë të fshehtë». (Dan. 2:18) E Jehovai iu përgjigj atyre lutjeve. Me ndihmën e Perëndisë, Danieli e interpretoi ëndrrën e Nabukodonosorit. Kështu Danielit dhe shokëve të tij iu kursye jeta. w23.08 2 ¶4
E martë, 21 tetor
Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.—Mat. 24:13.
Mendo për dobitë që sjell durimi. Kur jemi të duruar, ndihemi më të lumtur e më të qetë. Pra, durimi mund të ndikojë për mirë te shëndeti ynë mendor dhe fizik. Kur tregojmë durim me të tjerët, gëzojmë marrëdhënie më të mira dhe në kongregacion ka më shumë unitet. Nëse dikush na provokon, nuk do të zemërohemi shpejt, e kështu nuk do ta përkeqësojmë situatën. (Psal. 37:8, shën.; Prov. 14:29) Por mbi të gjitha, duke vepruar kështu, imitojmë Atin tonë qiellor e afrohemi edhe më shumë me të. Çfarë cilësie tërheqëse dhe e dobishme është durimi! Vërtet, mund të mos e kemi gjithnjë të lehtë të jemi të duruar, por me ndihmën e Jehovait mund të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë cilësi. E ndërsa presim me durim botën e re, të jemi të sigurt se «Jehovai i mban sytë mbi ata që e nderojnë thellësisht, mbi ata që i varin shpresat te dashuria e tij besnike». (Psal. 33:18) Ndaj qofshim të vendosur të vazhdojmë të vishemi me durim! w23.08 22 ¶7; 25 ¶16-17
E mërkurë, 22 tetor
Besimi në vetvete, pa vepra, është i vdekur.—Jak. 2:17.
Jakovi theksoi se një njeri mund të thoshte se kishte besim, por veprat e tij mund të flisnin ndryshe. (Jak. 2:1-5, 9) Jakovi gjithashtu përmendi dikë që shihte se ‘një vëlla a motër nuk kishte rroba ose ushqim’, por nuk i jepte ndihmë praktike. Edhe nëse thoshte se kishte besim, ai nuk e tregonte me vepra. Prandaj besimi i tij ishte pa vlerë. (Jak. 2:14-16) Jakovi përmendi Rahabën si një shembull të mirë se besimi duket nga veprat. (Jak. 2:25, 26) Ajo kishte dëgjuar për Jehovain dhe e pranonte se izraelitët kishin mbështetjen e tij. (Jos. 2:9-11) E besimin e tregoi me vepra—i mbrojti dy vëzhguesit izraelitë kur u rrezikohej jeta. Si rezultat, ajo joizraelite e papërsosur u shpall e drejtë, njësoj si Abrahami. Shembulli i saj thekson sa rëndësi ka që besimi të shfaqet me vepra. w23.12 5 ¶12-13