BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es25
  • Tetor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Tetor
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
  • Nëntema
  • E mërkurë, 1 tetor
  • E enjte, 2 tetor
  • E premte, 3 tetor
  • E shtunë, 4 tetor
  • E diel, 5 tetor
  • E hënë, 6 tetor
  • E martë, 7 tetor
  • E mërkurë, 8 tetor
  • E enjte, 9 tetor
  • E premte, 10 tetor
  • E shtunë, 11 tetor
  • E diel, 12 tetor
  • E hënë, 13 tetor
  • E martë, 14 tetor
  • E mërkurë, 15 tetor
  • E enjte, 16 tetor
  • E premte, 17 tetor
  • E shtunë, 18 tetor
  • E diel, 19 tetor
  • E hënë, 20 tetor
  • E martë, 21 tetor
  • E mërkurë, 22 tetor
  • E enjte, 23 tetor
  • E premte, 24 tetor
  • E shtunë, 25 tetor
  • E diel, 26 tetor
  • E hënë, 27 tetor
  • E martë, 28 tetor
  • E mërkurë, 29 tetor
  • E enjte, 30 tetor
  • E premte, 31 tetor
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
es25

Tetor

E mërkurë, 1 tetor

Mençuria nga lart është . . . e gatshme të bindet.—Jak. 3:17.

A e ke të vështirë ndonjëherë të bindesh? Mbreti David e kishte të vështirë hera-herës, prandaj iu lut Perëndisë: «Ngjall brenda meje dëshirën që të të bindem!» (Psal. 51:12) Davidi e donte Jehovain. Prapëseprapë nuk e kishte gjithnjë të lehtë të bindej, e po njësoj ndodh edhe me ne. Pse? Së pari, sepse kemi trashëguar prirjen për të qenë të pabindur. Së dyti, sepse Satanai na nxit pareshtur të rebelohemi, siç u rebelua vetë. (2 Kor. 11:3) Së treti, sepse mbizotëron kudo qëndrimi rebel i kësaj bote, ‘fryma që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. (Efes. 2:2) Na duhet të luftojmë me të gjitha forcat që t’i rezistojmë prirjes sonë për të mëkatuar dhe presionit nga Djalli e nga bota për të mos iu bindur Jehovait. Pra, duhet të përpiqemi fort që t’i bindemi Jehovait dhe atyre që u ka dhënë autoritet. w23.10 6 ¶1

E enjte, 2 tetor

Ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.—Gjoni 2:10.

Ç’mund të mësojmë nga kjo mrekulli e Jezuit, kthimi i ujit në verë? Mësojmë si të tregojmë përulësi. Jezui nuk u mburr për atë mrekulli; në fakt, ai nuk mburrej kurrë për arritjet e tij. Përkundrazi, me përulësi e vazhdimisht ia jepte gjithë lavdinë dhe meritat Atit të tij. (Gjoni 5:19, 30; 8:28) Nëse imitojmë Jezuin duke mbajtur një pikëpamje të përulur për veten, nuk do të mburremi për arritjet tona. Të mos mburremi për veten, por për Perëndinë e mrekullueshëm që kemi privilegjin t’i shërbejmë. (Jer. 9:23, 24) Le t’i japim Jehovait meritën që i takon. Në fund të fundit, çfarë të mirash do të arrinim të bënim pa ndihmën e Tij?! (1 Kor. 1:26-31) Kur jemi të përulur, nuk e ndiejmë të nevojshme të marrim meritat për të mirat që u bëjmë të tjerëve. Jemi të kënaqur me faktin që Jehovai e sheh dhe e vlerëson atë që bëjmë. (Krahaso Mateun 6:2-4; Hebr. 13:16) S’ka dyshim se ia gëzojmë zemrën Jehovait kur imitojmë Jezuin dhe tregojmë përulësi.—1 Pjet. 5:6. w23.04 4 ¶9; 5 ¶11-12

E premte, 3 tetor

Duke mos kërkuar vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.—Filip. 2:4.

Nën frymëzim, apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët të kërkonin të mirën e të tjerëve. Si mund ta zbatojmë këtë këshillë gjatë mbledhjeve? Duke mbajtur parasysh se, ashtu si ne, edhe të tjerët duan të marrin pjesë në mbledhje. Mendoje kështu: gjatë një bisede me miqtë, a do flisje aq shumë sa të mos u lije radhë fare? Patjetër që jo! Dëshiron që ata të marrin pjesë në bisedë. Po njësoj, në mbledhje duam që sa më shumë veta të kenë shansin të komentojnë. Në fakt, një nga mënyrat më të mira për t’i inkurajuar vëllezërit e motrat është t’u japim mundësi të shprehin besimin e tyre. (1 Kor. 10:24) Ndaj, të japim komente të shkurtra, e kështu të lëmë kohë që të komentojnë më shumë veta. Edhe kur bën një koment të shkurtër, mos fol për shumë pika. Nëse përmend çdo pikë të paragrafit, të tjerët nuk do të kenë për çfarë të komentojnë. w23.04 22-23 ¶11-13

E shtunë, 4 tetor

Çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që t’ua jap edhe të tjerëve këtë lajm.—1 Kor. 9:23.

Duhet të mbajmë parasysh sa e rëndësishme është të vazhdojmë të ndihmojmë të tjerët, sidomos nëpërmjet shërbimit tonë. Në shërbim duhet të jemi elastikë. Takojmë njerëz që kanë gjithfarë bindjesh e pikëpamjesh dhe që vijnë nga lloj-lloj vendesh a kulturash. Apostulli Pavël dinte të përshtatej. Ne mund të mësojmë nga shembulli i tij. Jezui e caktoi Pavlin të shërbente si «apostull i kombeve». (Rom. 11:13) Në atë rol, Pavli u predikoi judenjve, grekëve, intelektualëve, fshatarëve të thjeshtë, funksionarëve të lartë dhe mbretërve. Për t’u prekur zemrën gjithë atyre dëgjuesve aq të ndryshëm nga njëri-tjetri, Pavli u bë «çdo gjë për njerëz të çdo lloji». (1 Kor. 9:19-22) Ai i kushtonte vëmendje kulturës, prejardhjes dhe bindjeve të dëgjuesve të tij. Kështu mund të tregohej elastik e të fliste me çdo njeri në një mënyrë që do ta ndihmonte të afrohej me Perëndinë. Edhe ne mund të jemi më të efektshëm në shërbim, nëse tregohemi elastikë dhe mendjeshkathët, duke menduar cila mund të jetë mënyra më e mirë për të ndihmuar çdo njeri. w23.07 23 ¶11-12

E diel, 5 tetor

Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë.—2 Tim. 2:24.

Butësia është një pikë e fortë, jo një dobësi. Duhet forcë e brendshme për të ruajtur qetësinë në një situatë të vështirë. Butësia është një aspekt i ‘frytit të frymës’. (Gal. 5:22, 23) Një formë e fjalës greke e përkthyer «butësi» përdorej edhe për të përshkruar një kalë të egër që ishte zbutur. Përfytyro pak një kalë të tillë që është i zbutur, por njëkohësisht i fuqishëm. Po ne si mund ta zhvillojmë butësinë, e në të njëjtën kohë të jemi të fortë? Kjo nuk arrihet thjesht nga forca e vullnetit. Kemi nevojë t’i lutemi Perëndisë të na japë frymën e tij e të na ndihmojë ta zhvillojmë këtë cilësi të bukur. Kemi plot shembuj që tregojnë se mund të mësojmë të jemi të butë. Për shembull, shumë vëllezër e motra kanë reaguar me butësi përballë provokimeve, e kështu kanë lënë përshtypje të mira për shërbëtorët e Jehovait.—2 Tim. 2:24, 25. w23.09 14 ¶3

E hënë, 6 tetor

U luta, e Jehovai ma plotësoi kërkesën që i bëra.—1 Sam. 1:27.

Apostulli Gjon pa në një vegim mahnitës 24 pleq në qiell që adhuronin Jehovain. Ata e lëvdonin Perëndinë duke pranuar se është i denjë të marrë «lavdinë, nderimin dhe fuqinë». (Zbul. 4:10, 11) Edhe engjëjt besnikë kanë arsye të panumërta që ta lëvdojnë e ta nderojnë Jehovain. Ata janë me të në qiell dhe kanë pasur mundësi ta njohin mirë. Engjëjt shohin si shpalosen cilësitë e Jehovait te gjërat që bën. E ndërsa shohin veprat e tij, zemra i nxit ta lëvdojnë. (Jobi 38:4-7) Edhe ne duam ta lëvdojmë Jehovain në lutje, duke i thënë cilat cilësi të tij na mbushin me dashuri ose çfarë admirojmë tek ai. Ndërsa lexon dhe studion Biblën, përpiqu të veçosh ato cilësi të Jehovait që janë më tërheqëse për ty. (Jobi 37:23; Rom. 11:33) Pastaj thuaja Jehovait si ndihesh për to. Mund ta lëvdojmë Jehovain edhe për ndihmën që na jep ne vetë dhe gjithë vëllezërve e motrave.—1 Sam. 2:1, 2. w23.05 3-4 ¶6-7

E martë, 7 tetor

Ecni denjësisht për Jehovain.—Kolos. 1:10.

Në vitin 1919, populli i Perëndisë u lirua nga pushteti i Babilonisë së Madhe. Po atë vit u emërua «skllavi besnik dhe i mençur», tamam në kohë për të mirëpritur në ‘Udhën e Shenjtërisë’ udhëtarët e parë—njerëz që ishin në kërkim të së vërtetës. (Mat. 24:45-47; Isa. 35:8) Falë përpjekjeve të punëtorëve besnikë të së kaluarës, ata që nisnin udhëtimin mund të mësonin më shumë për qëllimet e Jehovait. (Prov. 4:18) Gjithashtu mund të mësonin të jetonin në harmoni me kërkesat e Jehovait. Jehovai nuk ka pritur që populli i tij t’i bënte njëherësh të gjitha ndryshimet e nevojshme, por e ka rafinuar dalëngadalë ndër vite. Sa të lumtur do të ndihemi kur të jemi në gjendje t’ia gëzojmë zemrën Perëndisë tonë me gjithçka që bëjmë! Çdo rrugë ka nevojë të mirëmbahet rregullisht. Që nga viti 1919, ka nisur mirëmbajtja në ‘Udhën e Shenjtërisë’, që sa më shumë njerëz të kenë mundësi të dalin nga Babilonia e Madhe. w23.05 17 ¶15; 19 ¶16

E mërkurë, 8 tetor

Kurrsesi nuk do të të lë.—Hebr. 13:5.

Trupi Udhëheqës i ka stërvitur personalisht ndihmësit e komiteteve të ndryshme të Trupit Udhëheqës. Që sot, këta vëllezër po mbajnë mbi supe me besnikëri shumë përgjegjësi. Ata janë më se të përgatitur që të vazhdojnë të kujdesen për delet e Krishtit. Pasi të mirosurit e fundit të ngjiten në qiell, aty nga fundi i shtrëngimit të madh, adhurimi i pastër në tokë s’ka për t’u zhdukur kurrë. Falë drejtimit të Jezu Krishtit, shërbëtorët e Jehovait në tokë do të vazhdojnë ta adhurojnë me besnikëri Jehovain. Vërtet, në atë kohë do të jemi shënjestra e Gogut të Magogut, një koalicion kombesh armiqësor. (Ezek. 38:18-20) Por ky sulm i shkurtër do të dështojë; nuk ka për ta penguar popullin e Perëndisë që ta adhurojë Jehovain. S’ka fije dyshimi që Ai do të na shpëtojë! Në një vegim, apostulli Gjon pa ‘shumicën e madhe’ të deleve të tjera të Krishtit. Ai mori vesh se kjo ‘shumicë e madhe’ kishte dalë «nga shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:9, 14) Po, populli i Jehovait do të jetë i mbrojtur! w24.02 5-6 ¶13-14

E enjte, 9 tetor

Mos e shuani zjarrin e frymës së Perëndisë.—1 Sel. 5:19.

Ç’mund të bëjmë që të marrim frymën e shenjtë? Mund të lutemi, të studiojmë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë dhe të jemi pjesë e organizatës së tij të drejtuar nga fryma. Të gjitha këto na ndihmojnë të kultivojmë ‘frytin e frymës së shenjtë’. (Gal. 5:22, 23) Perëndia ua jep frymën e tij vetëm atyre që vazhdojnë ta mbajnë mendjen te gjërat e pastra dhe të kenë një sjellje të pastër. Perëndia nuk do të vazhdonte të na jepte frymën e tij nëse do të ushqenim mendime të ndyra dhe do të vepronim sipas tyre. (1 Sel. 4:7, 8) Që të vazhdojmë të marrim frymën e shenjtë duhet edhe ‘të mos i trajtojmë me përçmim profecitë’. (1 Sel. 5:20) Në këtë varg, «profecitë» janë mesazhet që na jep Perëndia nëpërmjet frymës së tij, si ato për ditën e Jehovait dhe për faktin që mbetet fare pak kohë para se të vijë fundi. Ne nuk e shohim ditën e Jehovait si një ditë të largët, duke menduar se Armagedoni s’do të vijë gjatë jetës sonë. Përkundrazi, e mbajmë gjithnjë në mend duke vazhduar të kemi një sjellje të pastër e duke qenë ‘të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëjmë’.—2 Pjet. 3:11, 12. w23.06 12 ¶13-14

E premte, 10 tetor

Të kesh nderim të thellë për Jehovain, është hapi i parë drejt mençurisë.—Prov. 9:10.

Si shërbëtorë të Perëndisë, ç’duhet të bëjmë nëse na shfaqet papritmas në pajisjen elektronike një pamje pornografike? Duhet t’i largojmë menjëherë sytë. Do ta kemi më të lehtë ta bëjmë këtë, nëse mbajmë në mend që pasuria jonë më e çmuar është miqësia me Jehovain. Edhe disa pamje që në përgjithësi nuk konsiderohen si pornografi, mund të ushqejnë mendime imorale. Pse duhet t’i shmangim? Sepse nuk duam të hedhim qoftë edhe gjysmë hapi drejt kurorëshkeljes në zemrën tonë. (Mat. 5:28, 29) Një plak në Tajlandë që quhet David thotë: «Pyes veten: ‘Edhe sikur këto pamje të mos jenë pornografike, a do të jetë i kënaqur Jehovai nëse vazhdoj t’i shoh?’ Ky arsyetim më ndihmon të veproj me mençuri.» Nderimi i thellë për Jehovain ose frika e shëndetshme se mos e lëndojmë, na ndihmon të veprojmë me mençuri. Ky nderim i thellë është «fillimi», ose themeli, «i mençurisë». w23.06 23 ¶12-13

E shtunë, 11 tetor

Shko, populli im, hyr në dhomat e tua të brendshme.—Isa. 26:20.

Shprehja «dhomat e brendshme» mund të nënkuptojë kongregacionet tona. Gjatë shtrëngimit të madh, Jehovai do të na sigurojë mbrojtjen që ka premtuar ndërsa ruajmë unitetin mes njëri-tjetrit. Ndaj sot duhet të përpiqemi fort që jo thjesht t’i tolerojmë vëllezërit e motrat, por t’i duam. Nga kjo mund të varet jeta jonë! «Dita e madhe e Jehovait» do të jetë një kohë ankthi për njerëzimin. (Sof. 1:14, 15) Edhe shërbëtorët e Jehovait do të kalojnë vështirësi. Ama nëse përgatitemi tani, do të arrijmë të ruajmë qetësinë dhe të ndihmojmë të tjerët. Do të tregojmë qëndrueshmëri përballë çdo sprove që mund të hasim. Kur bashkëbesimtarët të vuajnë, do të bëjmë çmos t’i ndihmojmë duke u treguar dhembshuri dhe duke u siguruar gjërat e nevojshme. E nëse e forcojmë tani dashurinë për vëllezërit e motrat, do të qëndrojmë të lidhur ngushtë me ta. Si rezultat, Jehovai do të na shpërblejë me jetën e përhershme në një botë ku të gjitha katastrofat dhe vuajtjet do të harrohen një herë e mirë.—Isa. 65:17. w23.07 7 ¶16-17

E diel, 12 tetor

[Jehovai] do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë e do t’ju vërë mbi themele të forta.—1 Pjet. 5:10.

Shpesh Fjala e Perëndisë i përshkruan njerëzit besnikë si të fuqishëm. Por edhe më i forti mes tyre, nuk ndihej gjithnjë i fortë. Për shembull, në disa raste mbreti David u ndie ‘i fortë si mal’, por kishte edhe raste kur ‘e pushtonte tmerri’. (Psal. 30:7) Samsoni kishte fuqi të paparë falë frymës së Perëndisë. Ama, ai e dinte se po të mos i jepte fuqi Perëndia, ‘do të bëhej i dobët e si gjithë të tjerët’. (Gjyk. 14:5, 6; 16:17) Ata adhurues besnikë ishin të fortë vetëm ngaqë fuqia e tyre buronte nga Jehovai. Apostulli Pavël e pranoi se edhe ai kishte nevojë për fuqi nga Jehovai. (2 Kor. 12:9, 10) Ai vuante nga probleme shëndetësore. (Gal. 4:13, 14) Gjithashtu, ndonjëherë e kishte të vështirë të bënte gjënë e duhur. (Rom. 7:18, 19) E hera-herës ndihej në ankth e i pasigurt. (2 Kor. 1:8, 9) Prapëseprapë, kur ishte i dobët, ai bëhej i fuqishëm. Si? Jehovai i jepte fuqinë që i nevojitej dhe e bënte të fortë përballë vështirësive. w23.10 12 ¶1-2

E hënë, 13 tetor

Jehovai sheh në zemër.—1 Sam. 16:7.

Nëse nganjëherë luftojmë me ndjenjat e pavlefshmërisë, të mos harrojmë se na ka tërhequr vetë Jehovai. (Gjoni 6:44) Ai sheh cilësitë e mira që ndoshta nuk i shohim te vetja dhe na e njeh zemrën. (2 Kron. 6:30) Prandaj mund t’i besojmë kur na thotë se jemi të çmuar për të. (1 Gjon. 3:19, 20) Para se të njihnin të vërtetën, disa prej nesh kanë bërë gjëra për të cilat ndoshta i mundojnë ende ndjenja faji. (1 Pjet. 4:3) Edhe vëllezër e motra besnikë luftojnë me prirje mëkatare. Po ty, a të dënon zemra? Nëse po, mund të të ngushëllojë fakti se edhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Jehovait kanë luftuar me ndjenja të ngjashme. Për shembull, apostulli Pavël ndihej i mjerë kur mendonte për papërsosmëritë e tij. (Rom. 7:24) Patjetër që Pavli ishte penduar për mëkatet e tij dhe ishte pagëzuar. Prapëseprapë, ai e quajti veten «më i vogli i apostujve» dhe «më famëkeqi» ndër mëkatarët.—1 Kor. 15:9; 1 Tim. 1:15. w24.03 27 ¶5-6

E martë, 14 tetor

Ata e braktisën shtëpinë e Jehovait.—2 Kron. 24:18.

Një mësim që mund të nxjerrim nga vendimi i keq i mbretit Jehoas është se kemi nevojë të zgjedhim miq që do të kenë influencë të mirë tek ne—miq që e duan Jehovain dhe që duan t’ia gëzojnë zemrën. S’ka pse të kufizohemi te miqtë e moshës sonë. Mos harro, Jehoasi ishte shumë më i ri se miku i tij Jehojada. Bëji këto pyetje vetes për sa u përket miqve që zgjedh: «A më ndihmojnë të forcoj besimin te Jehovai? A më inkurajojnë të jetoj sipas normave të Perëndisë? A flasin për Jehovain dhe të vërtetat e çmuara që na ka zbuluar? A tregojnë respekt për normat e Perëndisë? A më thonë thjesht atë që dua të dëgjoj, apo kanë guxim të më korrigjojnë kur e kam gabim?» (Prov. 27:5, 6, 17) Të flasim hapur, nëse miqtë e tu nuk e duan Jehovain, nuk ke nevojë për ta. Por nëse ke miq që e duan Jehovain, mos u nda prej tyre, sepse do të kenë ndikim të mirë te ti.—Prov. 13:20. w23.09 9 ¶6-7

E mërkurë, 15 tetor

Unë jam Alfa dhe Omega.—Zbul. 1:8.

Alfa është shkronja e parë e alfabetit grek, kurse omega është shkronja e fundit. Duke thënë se është «Alfa dhe Omega», Jehovai thekson se kur e nis diçka, e përfundon me sukses. Pasi krijoi Adamin dhe Evën, Jehovai u tha: «Jini të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni tokën e zotërojeni.» (Zan. 1:28) Në atë moment ishte sikur Jehovai tha «Alfa». Ai shprehu qartë qëllimin e tij: do të vinte dita kur pasardhësit e përsosur e të bindur të Adamit dhe Evës, do ta mbushnin tokën dhe do ta bënin parajsë. Kur të vijë ajo ditë, do të jetë sikur Jehovai të thotë «Omega». Pasi përfundoi krijimin e ‘qiejve, tokës dhe gjithçkaje në to’, Jehovai dha një garanci. Ai garantoi se në fund të ditës së shtatë do ta kishte përmbushur plotësisht qëllimin e tij për njerëzit dhe tokën.—Zan. 2:1-3. w23.11 5 ¶13-14

E enjte, 16 tetor

Përgatitni udhën për Jehovain. Bëni për Perëndinë tonë një rrugë të drejtë përmes shkretëtirës.—Isa. 40:3.

Udhëtimi i vështirë nga Babilonia në Izrael mund të zgjaste rreth katër muaj, por Jehovai premtoi se do të hiqej çdo pengesë nga rruga e kthimit. Për judenjtë besnikë, dobitë e kthimit në Izrael tejkalonin çdo sakrificë që do të bënin. Bekimi më i madh lidhej me adhurimin e Jehovait. Në Babiloni nuk kishte asnjë tempull të Jehovait. E nuk kishte asnjë altar ku izraelitët të bënin flijimet që kërkonte Ligji i Moisiut, as priftëri të organizuar që t’i paraqiste ato flijime. Veç kësaj, adhuruesit e Jehovait ishin shumë pak krahasuar me banorët paganë, të cilët nuk kishin fare respekt për Jehovain ose për standardet e tij. Ndaj dhjetëra mijë judenj me nderim të thellë për Perëndinë, mezi pritnin të ktheheshin në atdhe ku mund të rivendosnin adhurimin e pastër. w23.05 14-15 ¶3-4

E premte, 17 tetor

Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës.—Efes. 5:8.

Kemi nevojë për ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë që të vazhdojmë të sillemi «si fëmijë të dritës». Pse? Sepse është një sfidë e vërtetë të qëndrosh i pastër në këtë botë imorale. (1 Sel. 4:3-5, 7, 8) Fryma e shenjtë mund të na ndihmojë ta luftojmë mentalitetin e botës, ku përfshihen filozofi e pikëpamje që bien ndesh me mënyrën si mendon Perëndia. Veç kësaj, fryma e shenjtë na ndihmon të zhvillojmë ‘çdo lloj mirësie dhe drejtësie’. (Efes. 5:9) Një mënyrë si e marrim frymën e shenjtë është duke u lutur për të. Jezui tha se Jehovai «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Frymën e shenjtë e marrim edhe kur e lëvdojmë Jehovain në mbledhje. (Efes. 5:19, 20) Falë ndikimit të mirë që ushtron te ne fryma e shenjtë, mund të bëjmë një jetë që e kënaq Perëndinë. w24.03 23-24 ¶13-15

E shtunë, 18 tetor

Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.—Luka 11:9.

A ke nevojë për më shumë durim? Nëse po, lutu për këtë. Durimi është një aspekt i frytit të frymës. (Gal. 5:22, 23) Ndaj mund t’i kërkojmë Jehovait të na japë frymë të shenjtë dhe të na ndihmojë të zhvillojmë frytin e saj. Kur hasim një situatë që na sprovon durimin, ‘vazhdojmë t’i kërkojmë’ Jehovait frymë të shenjtë për të na ndihmuar të jemi të duruar. (Luka 11:13) Gjithashtu mund t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tij. E pasi lutemi, duhet të bëjmë çmos të jemi të duruar çdo ditë. Sa më shumë të lutemi për durim dhe të përpiqemi të jemi të duruar, aq më shumë do të zërë rrënjë te ne kjo cilësi dhe do të na bëhet pjesë e personalitetit. Gjithashtu, është e dobishme të meditojmë për shembuj nga Bibla. Bibla flet për shumë njerëz të duruar. Duke medituar për historinë e tyre, mund të dallojmë mënyra si të tregojmë durim. w23.08 22-23 ¶10-11

E diel, 19 tetor

Hidhini atje rrjetat që të zini peshk.—Luka 5:4.

Jezui e siguroi apostullin Pjetër se Jehovai do ta mbështeste. Me anë të një mrekullie, Jezui i ringjallur bëri që Pjetri dhe apostujt e tjerë të kapnin përsëri shumë peshq. (Gjoni 21:4-6) Pa diskutim, ajo mrekulli ia forcoi besimin Pjetrit se për Jehovain ishte fare e lehtë t’i siguronte gjërat e nevojshme materiale. Ndoshta në atë rast, apostullit iu kujtuan fjalët e Jezuit se Jehovai u siguron gjërat e nevojshme atyre që ‘vazhdojnë të kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë’. (Mat. 6:33) E gjithë kjo e ndihmoi Pjetrin t’i jepte përparësi në jetë shërbimit, jo biznesit të peshkimit. Plot guxim, ai dha dëshmi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s., duke ndihmuar mijëra veta të pranonin lajmin e mirë. (Vep. 2:14, 37-41) Më vonë, ndihmoi samaritanët dhe jojudenjtë të bëheshin dishepuj të Krishtit. (Vep. 8:14-17; 10:44-48) Pa dyshim, Jehovai e përdori Pjetrin për një vepër madhështore—që të ndihmonte njerëz të çdo lloji të bëheshin pjesë e kongregacionit. w23.09 20 ¶1; 23 ¶11

E hënë, 20 tetor

Nëse nuk ma tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të gjymtoheni.—Dan. 2:5.

Rreth dy vjet pasi babilonasit shkatërruan Jerusalemin, mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, pa një ëndërr që e trazoi me një statujë tejet të madhe. Ai kërcënoi se do t’i vriste të gjithë burrat e mençur, mes të cilëve edhe Danieli, po të mos i tregonin çfarë ëndrre kishte parë dhe t’ia interpretonin. (Dan. 2:3-5) Danieli duhej të vepronte me shpejtësi, përndryshe do të humbnin jetën të gjithë. Ai «shkoi dhe i kërkoi mbretit t’i jepte kohë, që t’i thoshte interpretimin». (Dan. 2:16) Kjo kërkonte guxim e besim. Pse? Sepse Shkrimet nuk tregojnë se Danieli kishte interpretuar ëndrra më parë. Ai u kërkoi shokëve të tij «t’i luteshin për mëshirë Perëndisë së qiellit për këtë të fshehtë». (Dan. 2:18) E Jehovai iu përgjigj atyre lutjeve. Me ndihmën e Perëndisë, Danieli e interpretoi ëndrrën e Nabukodonosorit. Kështu Danielit dhe shokëve të tij iu kursye jeta. w23.08 2 ¶4

E martë, 21 tetor

Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.—Mat. 24:13.

Mendo për dobitë që sjell durimi. Kur jemi të duruar, ndihemi më të lumtur e më të qetë. Pra, durimi mund të ndikojë për mirë te shëndeti ynë mendor dhe fizik. Kur tregojmë durim me të tjerët, gëzojmë marrëdhënie më të mira dhe në kongregacion ka më shumë unitet. Nëse dikush na provokon, nuk do të zemërohemi shpejt, e kështu nuk do ta përkeqësojmë situatën. (Psal. 37:8, shën.; Prov. 14:29) Por mbi të gjitha, duke vepruar kështu, imitojmë Atin tonë qiellor e afrohemi edhe më shumë me të. Çfarë cilësie tërheqëse dhe e dobishme është durimi! Vërtet, mund të mos e kemi gjithnjë të lehtë të jemi të duruar, por me ndihmën e Jehovait mund të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë cilësi. E ndërsa presim me durim botën e re, të jemi të sigurt se «Jehovai i mban sytë mbi ata që e nderojnë thellësisht, mbi ata që i varin shpresat te dashuria e tij besnike». (Psal. 33:18) Ndaj qofshim të vendosur të vazhdojmë të vishemi me durim! w23.08 22 ¶7; 25 ¶16-17

E mërkurë, 22 tetor

Besimi në vetvete, pa vepra, është i vdekur.—Jak. 2:17.

Jakovi theksoi se një njeri mund të thoshte se kishte besim, por veprat e tij mund të flisnin ndryshe. (Jak. 2:1-5, 9) Jakovi gjithashtu përmendi dikë që shihte se ‘një vëlla a motër nuk kishte rroba ose ushqim’, por nuk i jepte ndihmë praktike. Edhe nëse thoshte se kishte besim, ai nuk e tregonte me vepra. Prandaj besimi i tij ishte pa vlerë. (Jak. 2:14-16) Jakovi përmendi Rahabën si një shembull të mirë se besimi duket nga veprat. (Jak. 2:25, 26) Ajo kishte dëgjuar për Jehovain dhe e pranonte se izraelitët kishin mbështetjen e tij. (Jos. 2:9-11) E besimin e tregoi me vepra—i mbrojti dy vëzhguesit izraelitë kur u rrezikohej jeta. Si rezultat, ajo joizraelite e papërsosur u shpall e drejtë, njësoj si Abrahami. Shembulli i saj thekson sa rëndësi ka që besimi të shfaqet me vepra. w23.12 5 ¶12-13

E enjte, 23 tetor

Qofshi të rrënjosur dhe të vendosur në një themel të qëndrueshëm.—Efes. 3:17.

Si të krishterë, nuk kënaqemi thjesht me një studim sipërfaqësor të Biblës. Jemi të etur të mësojmë «edhe gjërat e thella të Perëndisë» me ndihmën e frymës së tij të shenjtë. (1 Kor. 2:9, 10) Pse të mos bësh një projekt studimi me synimin që të afrohesh më shumë me Jehovain? Për shembull, mund të bësh kërkime për të parë si u tregonte dashuri shërbëtorëve të tij në të kaluarën, e pastaj mendo si e provon kjo se Jehovai ka dashuri edhe për ty. Mund të shqyrtosh si dëshironte Jehovai ta adhuronin izraelitët dhe ta krahasosh këtë me mënyrën si dëshiron ta adhurojmë sot. Ose mund të studiosh me hollësi profecitë që përmbushi Jezui kur jetoi dhe shërbeu në tokë. Mund të gjesh shumë kënaqësi ndërsa studion tema të tilla me ndihmën e Treguesit të botimeve Watch Tower ose të Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Studimi i thellë i Biblës mund të ta forcojë besimin dhe mund të të ndihmojë «të fitosh njohuri për Perëndinë».—Prov. 2:4, 5. w23.10 18-19 ¶3-5

E premte, 24 tetor

Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon mëkate të shumta.—1 Pjet. 4:8.

Fjala që është përkthyer «e zjarrtë» në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «e hapur plotësisht». Pjesa e dytë e vargut tregon çfarë na shtyn të bëjmë kjo dashuri e zjarrtë. Ajo na ndihmon t’i mbulojmë mëkatet e vëllezërve. Mund ta përfytyrojmë kështu: pasi e kapim dashurinë me të dyja duart, si të ishte një pëlhurë elastike, e hapim mirë e mirë sa të mbulojë jo një, as dy, por ‘shumë mëkate’. Fjala «mbulon» këtu ka kuptimin e figurshëm «fal». Ashtu si një pëlhurë që mbulon një njollë, dashuria mund të mbulojë të metat dhe gabimet e të tjerëve. Dashuria jonë për të tjerët duhet të jetë aq e fortë sa t’i falim të metat e bashkëbesimtarëve—edhe nëse ndonjëherë kjo kërkon goxha përpjekje. (Kolos. 3:13) Kur arrijmë të falim, tregojmë se dashuria jonë është e fortë dhe se duam ta kënaqim Jehovain. w23.11 11-12 ¶13-15

E shtunë, 25 tetor

Shafani nisi ta lexonte atë para mbretit.—2 Kron. 34:18.

Kur ishte i rritur, mbreti Josia nisi meremetimin e tempullit. Gjatë punës u gjet ‘libri i Ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të Moisiut’. Me të dëgjuar fjalët e Ligjit, mbreti bëri ndryshime që t’u bindej gjërave të shkruara. (2 Kron. 34:14, 19-21) A dëshiron ta lexosh rregullisht Biblën? Nëse po përpiqesh ta lexosh, a po kënaqesh? A i shënon vargjet që mund të të ndihmojnë? Kur ishte 39 vjeç, Josia bëri një gabim që i kushtoi jetën. I besoi vetes në vend që t’i kërkonte Jehovait udhëheqje. (2 Kron. 35:20-25) Nga kjo nxjerrim një mësim. Pavarësisht nga mosha a nga vitet që po studiojmë Biblën, duhet të vazhdojmë të afrohemi me Jehovain. Kjo përfshin t’i lutemi rregullisht për udhëheqje, të studiojmë Biblën dhe t’ua vëmë veshin këshillave nga vëllezër e motra të pjekur. Kështu do të ketë më pak gjasa të bëjmë gabime të mëdha e më shumë gjasa të jemi të lumtur.—Jak. 1:25. w23.09 12 ¶15-16

E diel, 26 tetor

Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep mirësi të pamerituar të përulurve.—Jak. 4:6.

Në Bibël përmenden plot gra të shkëlqyera që e donin Jehovain dhe i shërbenin. Ato ishin «të matura në gjithçka» dhe «besnike në gjithçka». (1 Tim. 3:11) Përveç shembullit të tyre, motrat mund të kenë edhe në kongregacion gra të pjekura që janë shembull i denjë për t’u imituar. Ti motër e re, a njeh motra të pjekura që janë shembull i mirë? Vër re cilësitë e tyre tërheqëse; pastaj mendo si mund t’i shfaqësh edhe ti ato cilësi. Një aspekt i rëndësishëm i pjekurisë së krishterë është përulësia. Kur është e përulur, një grua gëzon marrëdhënie të mirë me Jehovain e me të tjerët. Për shembull, një grua që e do Jehovain zgjedh me përulësi të përkrahë parimin e kryesisë që ka vendosur Ati i saj qiellor. (1 Kor. 11:3) Ky parim zbatohet në mënyra specifike në kongregacion dhe në familje. w23.12 18-19 ¶3-5

E hënë, 27 tetor

Burrat duhet t’i duan gratë e tyre si vetë trupat e tyre.—Efes. 5:28.

Jehovai pret që bashkëshorti ta dojë gruan dhe të kujdeset që ajo të jetë mirë fizikisht, emocionalisht e në besim. Të zhvillosh aftësinë për të menduar mirë, të kesh respekt për gratë dhe të jesh i besueshëm—do të të përgatitin për rolin si bashkëshort. Pas martesës, mund të bëhesh baba. Si mund të të ndihmojë shembulli i Jehovait që të jesh një baba i mirë? (Efes. 6:4) Jehovai nuk ngurronte t’ia thoshte të Birit, Jezuit, se e donte dhe e miratonte. (Mat. 3:17) Nëse bëhesh baba, siguroji vazhdimisht fëmijët se i do. Lavdëroji shpesh për gjërat e mira që bëjnë. Baballarët që imitojnë shembullin e Jehovait, i ndihmojnë fëmijët e tyre të bëhen të krishterë të pjekur. Si mund të përgatitesh që tani për këtë rol? Kujdesu me dashuri për pjesëtarët e familjes e të kongregacionit. Gjithashtu bëje shprehi t’ua thuash sa shumë i do dhe i çmon.—Gjoni 15:9. w23.12 28-29 ¶17-18

E martë, 28 tetor

[Jehovai] i jep siguri jetës sate.—Isa. 33:6.

Si shërbëtorë besnikë të Jehovait, luftojmë me probleme e sëmundje si gjithë njerëzit. Veç kësaj, ndoshta përballemi me kundërshtime ose përndjekje nga ata që e urrejnë popullin e Perëndisë. Vërtet, Jehovai nuk na mbron nga vështirësi të tilla, ama na premton se do të na ndihmojë. (Isa. 41:10) Me ndihmën e tij mund të ruajmë gëzimin, të marrim vendime të mençura dhe të qëndrojmë besnikë edhe në situatat më të rënda. Jehovai premton të na japë atë që Bibla e quan «paqja e Perëndisë». (Filip. 4:6, 7) Kjo paqe është një qetësi në mendje e në zemër që buron nga marrëdhënia e çmuar me Jehovain. Ajo «tejkalon çdo mendim»; është më e mrekullueshme nga ç’mund të imagjinojmë. A të ka ndodhur që pasi iu lute me zjarr Jehovait, ndjeve një paqe aq të thellë sa u habite edhe vetë? Kjo është «paqja e Perëndisë». w24.01 20 ¶2; 21 ¶4

E mërkurë, 29 tetor

Lëvdo Jehovain, o shpirti im! Emrin e tij të shenjtë gjithë qenia ime e lëvdoftë!—Psal. 103:1.

Dashuria për Perëndinë i nxit besnikët ta lëvdojnë me gjithë shpirt emrin e tij. Mbreti David e dinte se kur lëvdonte emrin e Jehovait, lëvdonte vetë Jehovain. Kur dëgjojmë emrin Jehova, menjëherë na shkon mendja te personaliteti i tij. Mendojmë për cilësitë e tij të bukura dhe për veprat e mrekullueshme. Davidi e konsideronte të shenjtë emrin e Atit të tij dhe dëshironte ta lëvdonte. Donte t’i thurte lavde me ‘gjithë qenien e tij’—pra, me gjithë zemër. Po njësoj, levitët merrnin iniciativën për të lëvduar Jehovain mes kombit të Izraelit. Ata pranonin plot përulësi se fjalët e tyre s’do ta shprehnin dot kurrë plotësisht lëvdimin që meritonte emri i shenjtë i Jehovait. (Neh. 9:5) S’ka pikë dyshimi se këto lëvdime të bëra me gjithë zemër dhe plot përulësi, ia gëzonin zemrën Jehovait. w24.02 9 ¶6

E enjte, 30 tetor

Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.—Filip. 3:16.

Jehovai nuk të konsideron dështak, nëse nuk arrin një synim të paarritshëm për ty. (2 Kor. 8:12) Përpiqu të mësosh nga një rrëzim. Mbaj parasysh çfarë ke arritur deri tani. Bibla thotë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat tuaja.» (Hebr. 6:10) Prandaj, as ti nuk duhet t’i harrosh. Medito sa shumë ke arritur deri tani—ndoshta ke zhvilluar një miqësi me Jehovain, po u flet të tjerëve për të ose je pagëzuar. Ashtu siç ke bërë përparim dhe ke arritur synime teokratike në të shkuarën, mund të vazhdosh të përparosh e t’i arrish edhe synimet që ke sot. Me ndihmën e Jehovait, ti mund ta arrish synimin që ke. Ndërsa vazhdon të punosh për një synim teokratik, përpiqu të shohësh si po të ndihmon e po të bekon Jehovai—kështu do ta shijosh udhëtimin. (2 Kor. 4:7) Nëse nuk dorëzohesh, do të marrësh bekime akoma më të mëdha.—Gal. 6:9. w23.05 31 ¶16-18

E premte, 31 tetor

Vetë Ati ju ka për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua dhe keni besuar se unë erdha si përfaqësues i Atit.—Gjoni 16:27.

Jehovait i pëlqen shumë t’u shprehë miratimin dhe dashurinë atyre që i ka për zemër. Në Shkrime tregohen dy raste kur i tha Jezuit se ishte Biri i Tij i dashur, që e miratonte. (Mat. 3:17; 17:5) A do të të pëlqente ta dëgjoje Jehovain tek të siguron se ke miratimin e tij? Sot Jehovai nuk na flet nga qielli, por përmes faqeve të Fjalës së tij. Mund «ta dëgjojmë» Jehovain që na thotë se na miraton kur lexojmë fjalët e Jezuit tek ungjijtë. Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij. Ndaj kur lexojmë se Jezui u shprehte miratimin e tij dishepujve të papërsosur por besnikë, mund të përfytyrojmë që Jehovai po na i thotë neve ato fjalë. (Gjoni 15:9, 15) Nëse hasim sprova, nuk do të thotë se kemi humbur miratimin e Perëndisë. Përkundrazi, ato na japin mundësi për të provuar sa fort e duam dhe sa shumë i besojmë Jehovait.—Jak. 1:12. w24.03 28 ¶10-11

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo