Nëntor
E shtunë, 1 nëntor
Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave ke marrë lavdi.—Mat. 21:16.
Nëse je prind, ndihmoji fëmijët të përgatitin komente të përshtatshme për moshën e tyre. Ndonjëherë në mbledhje diskutohen tema serioze, si problemet martesore ose çështjet morale, por prapë mund të ketë një a dy paragrafë ku mund të komentojnë fëmijët. Gjithashtu ndihmoji fëmijët të kuptojnë pse ka shumë mundësi të mos ua japin fjalën sa herë që ngrenë dorën. Ky shpjegim mund t’i ndihmojë të mos zhgënjehen kur zgjidhen të tjerë të komentojnë. (1 Tim. 6:18) Të gjithë mund të përgatitim komente besimforcuese që nderojnë Jehovain dhe u japin zemër bashkëbesimtarëve. (Prov. 25:11) Edhe pse ndonjëherë mund të tregojmë shkurtimisht diçka nga përvoja jonë, duhet të frenohemi që të mos flasim tepër për veten. (Prov. 27:2; 2 Kor. 10:18) Në vend të kësaj, të bëjmë çmos ta drejtojmë vëmendjen te Jehovai, te Fjala e tij dhe te populli i tij.—Zbul. 4:11. w23.04 24-25 ¶17-18
E diel, 2 nëntor
Le të mos flemë si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.—1 Sel. 5:6.
Dashuria është jetësore që të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin. (Mat. 22:37-39) Dashuria për Perëndinë na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në veprën e predikimit pavarësisht nga problemet që mund të hasim. (2 Tim. 1:7, 8) Gjithashtu, nga dashuria për ata që nuk janë shërbëtorë të Jehovait, vazhdojmë të predikojmë ose edhe të japim dëshmi me telefon e me letra. Nuk i humbim shpresat se një ditë njerëzit do të ndryshojnë dhe do të fillojnë të bëjnë atë që është e drejtë. (Ezek. 18:27, 28) Të duam të tjerët përfshin edhe të duam vëllezërit e motrat. E tregojmë këtë dashuri ‘duke i dhënë zemër njëri-tjetrit e duke e forcuar’. (1 Sel. 5:11) Ashtu siç bëjnë ushtarët kur luftojnë krah për krah, ne i japim zemër njëri-tjetrit. Ne nuk do t’i lëndonim kurrë me dashje vëllezërit e motrat, e as do ta kthenim të keqen me të keqe. (1 Sel. 5:13, 15) Tregojmë dashuri edhe duke respektuar vëllezërit që drejtojnë në kongregacion.—1 Sel. 5:12. w23.06 9 ¶6; 11 ¶10-11
E hënë, 3 nëntor
Mos vallë [Jehovai] e thotë diçka dhe nuk e bën?!—Num. 23:19.
Një mënyrë si ta forcojmë besimin është duke menduar thellë për shpërblesën. Shpërblesa është një garanci se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet. Kur i bluajmë mirë në mendje arsyet pse u sigurua shpërblesa dhe sa shumë sakrifikoi Jehovai, na forcohet besimi se premtimi i Perëndisë për të jetuar pa fund në një botë më të mirë do të plotësohet pa fije dyshimi. Pse ndodh kështu? Po ja, mendo pak çfarë sakrifikoi Jehovai për të siguruar shpërblesën. Ai dërgoi nga qielli Birin e shtrenjtë të parëlindur, mikun më të ngushtë, që të lindte si njeri i përsosur. Kur ishte në tokë, Jezui duroi lloj-lloj vështirësish, e në fund pati një vdekje të dhimbshme. Çfarë çmimi të lartë pagoi Jehovai! Perëndia ynë i dashur nuk do të lejonte kurrë që Biri i tij të vuante e të vdiste thjesht që të kishim një jetë më të mirë, por fare të shkurtër. (Gjoni 3:16; 1 Pjet. 1:18, 19) Përderisa pagoi një çmim kaq të lartë, Jehovai do të sigurohet që jeta pa fund në botën e re të bëhet realitet. w23.04 27 ¶8-9
E martë, 4 nëntor
Ku janë thumbat e tu, o Vdekje?—Hoz. 13:14.
A ka Jehovai dëshirë t’i ringjallë të vdekurit? Absolutisht po! Ai frymëzoi disa shkrimtarë të Biblës që ta hidhnin me shkrim premtimin e tij për një ringjallje në të ardhmen. (Isa. 26:19; Zbul. 20:11-13) E kur Jehovai bën një premtim, e mban gjithmonë. (Jos. 23:14) Në fakt, ai ka dëshirë të zjarrtë t’i kthejë në jetë të vdekurit. Të mendojmë pak për atë që tha patriarku Job. Ai ishte i sigurt se edhe po të vdiste, Jehovai do të kishte mall ta shihte prapë gjallë. (Jobi 14:14, 15) Jehovai ndien po kaq mall për të gjithë adhuruesit e tij që kanë vdekur. Ai vlon nga dëshira t’i kthejë në jetë plot shëndet e të lumtur. Po ç’të themi për ata miliarda njerëz që kanë vdekur pa pasur mundësi të mësonin të vërtetën për Jehovain? Perëndia ynë i dashur dëshiron t’i ringjallë edhe ata. (Vep. 24:15) Ai dëshiron të kenë mundësi të bëhen miq të tij e të jetojnë përgjithmonë në tokë.—Gjoni 3:16. w23.04 9 ¶5-6
E mërkurë, 5 nëntor
Falë Perëndisë do të marrim fuqi.—Psal. 108:13.
Si mund ta forcosh shpresën tënde? Nëse ke shpresën që të jetosh përgjithmonë në tokë, lexo fragmente nga Bibla ku përshkruhet Parajsa dhe medito rreth tyre. (Isa. 25:8; 32:16-18) Përfytyro si do të jetë jeta në botën e re. Imagjinoje veten atje. Nëse e mbajmë gjithmonë të kthjellët në mendje shpresën e botës së re, problemet tona do të jenë «kalimtare dhe të lehta». (2 Kor. 4:17) Me anë të shpresës që të ka dhënë, Jehovai do të të bëjë të fortë. Ai të ka siguruar gjithçka që të nevojitet për të marrë forcë prej tij. Prandaj, kur ke nevojë për ndihmë që të kryesh një caktim, të përballosh një sprovë ose të ruash gëzimin, lutju me zjarr Jehovait dhe kërko drejtimin e tij nëpërmjet studimit personal. Prano inkurajimin që të japin vëllezërit e motrat. Mbaje të kthjellët në mendje shpresën tënde. Kështu ‘do të marrësh gjithë forcën që të duhet nga fuqia e lavdishme [e Perëndisë], që të përballosh çdo gjë me durim e gëzim’.—Kolos. 1:11. w23.10 17 ¶19-20
E enjte, 6 nëntor
Falënderoni Perëndinë për çdo gjë.—1 Sel. 5:18.
Kemi plot arsye për ta falënderuar Jehovain në lutje. Mund ta falënderojmë për çdo gjë të mirë që kemi, sepse ai është burimi i çdo dhurate të mirë. (Jak. 1:17) Për shembull, mund t’i themi sa i çmojmë bukuritë e tokës dhe mrekullitë e krijimit. Gjithashtu mund t’i shprehim mirënjohje për jetën, për familjen tonë, për miqtë dhe për shpresën që kemi. Duam ta falënderojmë Jehovain edhe për mundësinë që të gëzojmë një miqësi të çmuar me të. Ndoshta duhet të bëjmë përpjekje për të kujtuar arsyet pse i jemi personalisht mirënjohës Jehovait. Jetojmë në një botë mosmirënjohëse. Zakonisht njerëzit e kanë mendjen vetëm si të marrin atë që duan, jo si të tregojnë mirënjohje për ato që kanë. Nëse fillojmë të përvetësojmë këtë qëndrim, lutjet tona mund të kthehen në një listë kërkesash. Që të mos lejojmë të ndodhë kështu, duhet të vazhdojmë ta ushqejmë e ta shprehim mirënjohjen për gjithë sa bën Jehovai për ne.—Luka 6:45. w23.05 4 ¶8-9
E premte, 7 nëntor
[Vazhdoni të kërkoni] me besim, pa dyshuar aspak.—Jak. 1:6.
Si Ati ynë i dashur, Jehovait i dhemb zemra kur sheh që vuajmë. (Isa. 63:9) Megjithatë, ai nuk na mbron nga të gjitha sprovat që mund të jenë si një lumë ose si flakë zjarri. (Isa. 43:2) Ama premton se do të na ndihmojë ‘të kalojmë përmes’ tyre. E ai s’ka për të lejuar që sprovat të na shkaktojnë ndonjë dëm të përhershëm. Jehovai na jep edhe frymën e tij të fuqishme për të na ndihmuar të qëndrojmë të palëkundur. (Luka 11:13; Filip. 4:13) Si rezultat, mund të jemi të sigurt se do të kemi gjithmonë fiks atë që na duhet për t’u bërë ballë sprovave e për t’i qëndruar besnikë. Jehovai pret të kemi besim tek ai. (Hebr. 11:6) Hera-herës problemet tona mund të na duken si mure të pakapërcyeshme. Madje mund të dyshojmë nëse Jehovai do të na ndihmojë. Por Bibla na siguron se falë fuqisë së Perëndisë ‘mund të kalojmë mure’. (Psal. 18:29) Prandaj në vend që të lejojmë të na gërryejë dyshimi, duhet të lutemi me besim të plotë, të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona.—Jak. 1:6, 7. w23.11 22 ¶8-9
E shtunë, 8 nëntor
[Dashuria] është si zjarr flakërues, vetë flaka e Jah. Ujërat e trazuara nuk e shuajnë dot dashurinë, as lumenjtë s’e marrin dot me vete.—Këng. 8:6, 7.
Çfarë përshkrimi i bukur për dashurinë e vërtetë! Këto fjalë i sigurojnë çiftet e martuara për këtë të vërtetë: është e mundur ta mbani të fortë dashurinë për njëri-tjetrin. Është në dorë të çiftit të kenë një dashuri të pashuar për njëri-tjetrin për sa kohë të jenë gjallë. Ta ilustrojmë: një zjarr mund të rrijë ndezur pambarimisht—por vetëm nëse i hedhim dru. Nëse askush nuk kujdeset për të, me kalimin e kohës zjarri do të shuhet. Po njësoj, dashuria mes një burri dhe një gruaje mund të qëndrojë e fortë pambarimisht—por vetëm nëse çifti e ushqen. Ndonjëherë, një çift mund të ndiejë që dashuria e tyre po ftohet, sidomos kur janë të rënduar nga vështirësitë ekonomike, problemet shëndetësore ose streset që sjell rritja e fëmijëve. Prandaj, për ta mbajtur ndezur ‘flakën e Jah’, burri dhe gruaja duhet të punojnë që të kenë një miqësi të fortë me Jehovain. w23.05 20-21 ¶1-3
E diel, 9 nëntor
Mos ki frikë!—Dan. 10:19.
Çfarë duhet të bëjmë që të zhvillojmë guxim? Prindërit mund të na nxitin të jemi të guximshëm, por nuk na e trashëgojnë dot këtë cilësi. Të mësosh të jesh i guximshëm është si të zhvillosh një aftësi të re. Një mënyrë si ta përvetësosh një aftësi është të shohësh me vëmendje si vepron një mjeshtër, e pastaj të imitosh shembullin e tij. Po njësoj, ne mësojmë të jemi të guximshëm kur shohim me kujdes si e shfaqin të tjerët këtë cilësi, e pastaj imitojmë shembullin e tyre. Ashtu si Danieli duhet ta njohim mirë Fjalën e Perëndisë. Duhet të krijojmë një lidhje të ngushtë me Jehovain, duke folur shpesh e hapur me të. Gjithashtu duhet të mbështetemi me besim te Perëndia ynë, të sigurt se do të na gjendet gjithmonë pranë. Kështu, kur të na sprovohet besimi, do të tregojmë guxim. Njerëzit e guximshëm shpesh fitojnë respektin e të tjerëve. Gjithashtu mund t’i ndihmojnë njerëzit me zemër të sinqertë të njohin Jehovain. Pra, kemi arsye të shkëlqyera për të zhvilluar guxim. w23.08 2 ¶2; 4 ¶8-9
E hënë, 10 nëntor
Sigurohuni për të gjitha gjërat.—1 Sel. 5:21.
Fjala greke e përkthyer «sigurohuni» përdorej për provën që u bëhej metaleve të çmuara për të parë nëse ishin vërtet të tilla. Pra, duhet ta vëmë në provë atë që dëgjojmë ose lexojmë për të kuptuar nëse është e vërtetë. Aq më e rëndësishme është ta bëjmë edhe ne këtë sa më shumë afrohet shtrëngimi i madh. Në vend që ta pranojmë me naivitet atë që na thonë të tjerët, përdorim aftësinë për të menduar që t’i krahasojmë gjërat që lexojmë a dëgjojmë me ato që thonë Bibla dhe organizata e Jehovait. Kështu nuk do të mashtrohemi nga propaganda e demonëve ose nga dredhitë e tyre. (Prov. 14:15; 1 Tim. 4:1) Si grup, shërbëtorët e Perëndisë do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh. Por, si individë nuk e dimë ç’do të sjellë e nesërmja. (Jak. 4:14) Gjithsesi, pavarësisht nëse i mbijetojmë shtrëngimit të madh apo vdesim para tij, do të marrim si shpërblim jetën e përhershme po të qëndrojmë besnikë. Le të përqendrohemi të gjithë te shpresa jonë e mrekullueshme dhe të rrimë gati për ditën e Jehovait! w23.06 13 ¶15-16
E martë, 11 nëntor
Ai ua tregon çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të vet.—Amo. 3:7.
Nuk e dimë si do të plotësohen disa profeci të Biblës. (Dan. 12:8, 9) Megjithatë, fakti që nuk e kuptojmë plotësisht si do të përmbushet një profeci, kjo s’do të thotë që nuk do të përmbushet. Të mos kemi pikë dyshimi se Jehovai do të na i tregojë fiks në kohën e duhur ato që kemi nevojë të dimë, ashtu siç bëri në të kaluarën. Kombet do të deklarojnë se kanë sjellë «paqe dhe siguri». (1 Sel. 5:3) Pas kësaj, fuqitë politike të botës do t’i vërsulen fesë së rreme dhe do ta fshijnë nga faqja e dheut. (Zbul. 17:16, 17) Më pas do të sulmojnë popullin e Perëndisë. (Ezek. 38:18, 19) Këto ngjarje do të çojnë drejt e në luftën finale, në Armagedon. (Zbul. 16:14, 16) Mund të jemi të sigurt se këto ngjarje do të ndodhin së shpejti. Deri atëherë, le të vazhdojmë t’i tregojmë mirënjohje Atit tonë të dashur duke u kushtuar vëmendje profecive të Biblës e duke ndihmuar edhe të tjerët ta bëjnë këtë. w23.08 13 ¶19-20
E mërkurë, 12 nëntor
Le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria buron nga Perëndia.—1 Gjon. 4:7.
Kur foli për besimin, shpresën dhe dashurinë, apostulli Pavël tha se «më e madhja nga këto [cilësi] është dashuria». (1 Kor. 13:13) Pse e tha këtë? Në të ardhmen, nuk do të na duhet më të kemi besim te premtimet e Perëndisë për botën e re. Nuk do të na duhet as të shpresojmë se këto premtime do të plotësohen, sepse do të jenë bërë realitet. Ama do të na duhet gjithmonë të kemi dashuri për Jehovain dhe për njerëzit. Në fakt, dashuria jonë për ta do të vazhdojë të rritet gjithë përjetësinë. Gjithashtu, dashuria na dallon si të krishterë të vërtetë. Jezui u tha apostujve: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Veç kësaj, dashuria për njëri-tjetrin na ndihmon të ruajmë unitetin. Pavli e quajti dashurinë ‘një lidhje të përsosur bashkimi’. (Kolos. 3:14) Apostulli Gjon u shkroi bashkëbesimtarëve: «Ai që do Perëndinë, duhet të dojë edhe vëllanë e vet.» (1 Gjon. 4:21) Kur tregojmë dashuri për njëri-tjetrin, tregojmë se duam Perëndinë. w23.11 8 ¶1, 3
E enjte, 13 nëntor
Le të flakim . . . çdo peshë.—Hebr. 12:1.
Bibla e krahason jetën tonë si shërbëtorë të Perëndisë me një garë. Vrapuesit që e përfundojnë me sukses garën marrin si shpërblim jetën e përhershme. (2 Tim. 4:7, 8) Duhet të bëjmë çmos të mos e ndalim vrapin, sidomos tani që jemi shumë afër vijës së finishit. Apostulli Pavël na tregoi ç’do të na ndihmojë ta përfundojmë këtë garë. Ai na këshilloi «të flakim . . . çdo peshë dhe . . . të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që kemi përpara». A donte të thoshte Pavli se nuk duhet të mbajmë asnjë ngarkesë? Jo. Ai donte të thoshte se duhet të flakim çdo peshë të panevojshme. Këto pesha mund të na ngadalësojnë e të na lodhin. Që të qëndrojmë deri në fund, duhet të dallojmë dhe të flakim pa vonesë çdo peshë të panevojshme që mund të na ngadalësojë. Por, në të njëjtën kohë, nuk duam të heqim ato ngarkesa që duhet t’i mbajmë, përndryshe mund të skualifikohemi nga gara.—2 Tim. 2:5. w23.08 26 ¶1-2
E premte, 14 nëntor
Stolisja juaj të mos jetë e jashtme.—1 Pjet. 3:3.
Kur jemi të arsyeshëm, e kemi më të lehtë të respektojmë pikëpamjet e të tjerëve. Për shembull, disa motrave u pëlqen të lyhen, kurse të tjera preferojnë të mos bëjnë tualet. Disa nga ne kanë qejf të pinë alkool me masë, ndërsa të tjerë vendosin të mos vënë në gojë pije alkoolike. Të gjithë shërbëtorët e Jehovait duan të kenë shëndet të mirë, por zgjedhin mënyra të ndryshme si të kujdesen për shëndetin. Nëse jemi të bindur se vetëm zgjedhjet tona janë më të mirat e ua imponojmë edhe vëllezërve e motrave, mund të bëhemi pengesë për ta e të shkaktojmë përçarje. (1 Kor. 8:9; 10:23, 24) Për shembull, Jehovai nuk ka vënë rregulla të prera për mënyrën si vishemi, por na ka dhënë parime për të na drejtuar. Duhet të vishemi në një mënyrë që u ka hije shërbëtorëve të Perëndisë, duke qenë të arsyeshëm, modestë dhe me «mendje të shëndoshë». (1 Tim. 2:9, 10) Ndaj nuk duam të tërheqim vëmendje të papërshtatshme te vetja me mënyrën si vishemi. Parimet e Biblës i ndihmojnë edhe pleqtë që të mos vënë rregulla sipas mendjes së tyre për veshjen dhe modelet e flokëve. w23.07 23-24 ¶13-14
E shtunë, 15 nëntor
Më dëgjoni me vëmendje dhe hani atë që është e mirë, dhe do të kënaqeni jashtë mase me ushqime të zgjedhura.—Isa. 55:2.
Jehovai na tregon si të gëzojmë një të ardhme të lumtur. Ata që pranojnë ftesën e ‘gruas së pamend’ e llafazane, rendin pas gjërave të gabuara që bëhen në fshehtësi dhe u duken «të ëmbla». Kështu e ardhmja e tyre është «në thellësitë e Varrit». (Prov. 9:13, 17, 18) Sa ndryshe është e ardhmja e atyre që pranojnë ftesën e ‘mençurisë së vërtetë’! (Prov. 9:1) Ne po mësojmë të duam gjërat që do Jehovai dhe të urrejmë gjërat që urren ai. (Psal. 97:10) Gjithashtu ndihemi të lumtur ndërsa ftojmë edhe të tjerët të nxjerrin dobi nga «mençuria e vërtetë». Në kuptimin e figurshëm, ne ‘thërrasim nga pikat e larta të qytetit: “Kush është pa përvojë, le të vijë këtu.”’ Dobitë që shijojmë ne dhe ata që e pranojnë ftesën nuk janë thjesht momentale. Janë dobi të përhershme, falë të cilave mund ‘të jetojmë’ përgjithmonë ndërsa ‘ecim përpara në udhën e arsyes’.—Prov. 9:3, 4, 6. w23.06 24 ¶17-18
E diel, 16 nëntor
Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm, dhe kush e mban nën fre zemërimin, është më mirë se ai që pushton një qytet.—Prov. 16:32.
Si ndihesh kur një shok pune ose një shok shkolle të pyet për bindjet e tua? A je në siklet? Shumica prej nesh ndiejmë njëfarë ankthi. Por pyetja që bën tjetri mund të na ndihmojë të kuptojmë si mendon ose çfarë beson, e kështu e kemi më të lehtë t’i flasim për lajmin e mirë. Ama, ndonjëherë dikush mund të na pyesë për të na provokuar. Kjo s’ka pse të na habitë. Fundja, disa janë të keqinformuar për bindjet tona. (Vep. 28:22) Veç kësaj, jetojmë në «ditët e fundit», në një kohë kur shumë njerëz nuk janë «të gatshëm për asnjë marrëveshje», e madje janë «të egër». (2 Tim. 3:1, 3) Ndoshta vret mendjen: «E si mund të flas me ëmbëlsi dhe takt kur dikush përpiqet të hapë sherr për bindjet e mia të bazuara te Bibla?» Çfarë do të të ndihmojë? Përgjigjja me një fjalë të vetme është butësia. Një njeri i butë nuk nevrikoset shpejt, por është në gjendje ta frenojë veten në situata acaruese ose të papritura. w23.09 14 ¶1-2
E hënë, 17 nëntor
Ti do t’i emërosh si princa të mbarë tokës.—Psal. 45:16.
Ndonjëherë marrim këshilla që na mbrojnë nga gjëra si materializmi dhe aktivitete që mund të na shtyjnë të shkelim ligjet e Perëndisë. Kur ndjekim drejtimin e Jehovait edhe në këto fusha të jetës, gëzojmë bekime. (Isa. 48:17, 18; 1 Tim. 6:9, 10) Pa diskutim, Jehovai do të vazhdojë të përdorë njerëz në tokë si përfaqësuesit e tij, që të sigurojnë drejtim në shtrëngimin e madh dhe gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar. A do të vazhdojmë t’i bindemi drejtimit? Shumë do të varet nga mënyra si reagojmë sot ndaj drejtimit që siguron Jehovai. Prandaj, le ta ndjekim gjithmonë drejtimin e Jehovait, e këtu përfshihet edhe drejtimi që na jep nëpërmjet burrave që ka caktuar të kujdesen për ne. (Isa. 32:1, 2; Hebr. 13:17) Mund ta ndjekim me besim të plotë Udhërrëfyesin tonë, Jehovain, sepse ai na mbron nga gjërat që na kërcënojnë miqësinë me të dhe na prin drejt destinacionit tonë—botës së re ku do të jetojmë përgjithmonë. w24.02 25 ¶17-18
E martë, 18 nëntor
Falë mirësisë së pamerituar keni shpëtuar.—Efes. 2:5.
Apostulli Pavël bënte një jetë të bukur në shërbim të Jehovait, por duhej të përballonte edhe plot sprova. Shpesh i duhej të bënte udhëtime të gjata, dhe në atë kohë kjo nuk ishte e lehtë. Kur udhëtonte, ndonjëherë Pavli ishte «i rrezikuar nga lumenjtë» dhe «i rrezikuar nga kusarët». E në disa raste kundërshtarët ushtruan dhunë ndaj tij. (2 Kor. 11:23-27) Veç kësaj, në kongregacione kishte vëllezër që nuk tregonin gjithnjë vlerësim për përpjekjet me gjithë shpirt të Pavlit që t’i ndihmonte. (2 Kor. 10:10; Filip. 4:15) Çfarë e ndihmoi Pavlin të mos dorëzohej në shërbim të Jehovait? Ai mësoi shumë gjëra për personalitetin e Jehovait nga Shkrimet dhe nga përvojat e tij. Pavli u bind se Perëndia Jehova e donte. (Rom. 8:38, 39; Efes. 2:4, 5) E si rezultat, dashuria e tij për Jehovain bëhej gjithnjë e më e fortë. Këtë dashuri Pavli e tregoi «duke u shërbyer të shenjtëve» pareshtur.—Hebr. 6:10. w23.07 9 ¶5-6
E mërkurë, 19 nëntor
[Jini të] nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.—Rom. 13:1.
Shumë njerëz e pranojnë se kemi nevojë për qeveritë dhe se duhet t’u bindemi të paktën disa ligjeve që vënë këto ‘autoritete më të larta’. Ama, kur një ligj u duket i padrejtë ose tepër i rëndë, mund të mos i binden. Bibla e pranon se qeveritë njerëzore shkaktojnë vuajtje, janë nën pushtetin e Satanait dhe do të shkatërrohen së shpejti. (Psal. 110:5, 6; Ekl. 8:9; Luka 4:5, 6) Gjithashtu na thotë se «ata që u kundërvihen autoriteteve, i kundërvihen rregullit të Perëndisë». Nënshtrimi ynë relativ ndaj autoriteteve më të larta është pjesë e masave të përkohshme që ka marrë Jehovai për të ruajtur rregullin. Prandaj duhet ‘t’u japim të gjithëve atë që u takon’, e këtu përfshihen taksat, respekti dhe bindja. (Rom. 13:1-7) Mbase ndonjë ligj na duket i pavolitshëm, i padrejtë ose që kërkon mjaft shpenzime. Megjithatë, ne i bindemi Jehovait, dhe ai na thotë t’u bindemi këtyre autoriteteve për sa kohë që nuk na kërkojnë të shkelim urdhërimet e tij.—Vep. 5:29. w23.10 8 ¶9-10
E enjte, 20 nëntor
Fryma e Jehovait i dha fuqi.—Gjyk. 15:14.
Kur lindi Samsoni, izraelitët ishin nën sundimin e filistinëve që i shtypnin. (Gjyk. 13:1) Kombi vuante shumë për shkak të mizorisë së tyre. Jehovai zgjodhi Samsonin që ‘të merrte përsipër ta shpëtonte Izraelin nga duart e filistinëve’. (Gjyk. 13:5) Që ta kryente atë caktim sfidues, Samsoni duhej të mbështetej te Jehovai. Në një rast, forcat ushtarake të filistinëve shkuan ta zinin rob Samsonin në Lehi, që me sa duket ndodhej në Judë. Burrat e Judës u trembën, prandaj vendosën t’ia dorëzonin Samsonin armiqve. Kështu bashkatdhetarët e vet e lidhën mirë me dy litarë të rinj dhe ua çuan filistinëve. (Gjyk. 15:9-13) Mirëpo, «fryma e Jehovait i dha fuqi» Samsonit dhe ai u çlirua nga litarët. Pastaj «gjeti nofullën e një gomari të ngordhur», e mori dhe me të vrau 1.000 filistinë.—Gjyk. 15:14-16. w23.09 2-3 ¶3-4
E premte, 21 nëntor
Kjo përputhet me qëllimin e tij të përjetshëm në lidhje me Krishtin, Jezuin, Zotërinë tonë.—Efes. 3:11.
Jehovai na e ka zbuluar pak nga pak në Bibël «qëllimin e tij të përjetshëm». Në një mënyrë a në një tjetër, ai «bën që çdo gjë të plotësojë qëllimin e tij», e kështu ka gjithmonë sukses. (Prov. 16:4) E rezultatet që arrin Jehovai ndërsa përmbush qëllimin e tij, do të mbeten përgjithmonë. Cili është qëllimi i Jehovait dhe çfarë ndryshimesh ka bërë për ta përmbushur? Perëndia u tregoi njerëzve të parë çfarë qëllimi kishte për ta. Ata duhej ‘të ishin të frytshëm dhe të shumoheshin, të mbushnin tokën e ta zotëronin dhe të mbanin të nënshtruar . . . çdo krijesë të gjallë’ në tokë. (Zan. 1:28) Mirëpo Adami dhe Eva u rebeluan, e si pasojë familja njerëzore u infektua nga mëkati. Ama, kjo nuk e ndali dot plotësimin e qëllimit të Jehovait. Ai ndryshoi mënyrën si do ta realizonte. Pa vonesë, Jehovai vendosi të formonte në qiell një Mbretëri, e cila do të plotësonte qëllimin që kishte në fillim për njerëzit dhe tokën.—Mat. 25:34. w23.10 19-20 ¶6-7
E shtunë, 22 nëntor
Po të mos ishte Jehovai ndihma ime, jeta ime do të kishte marrë fund sa hap e mbyll sytë.—Psal. 94:17.
Jehovai mund të na ndihmojë të mos dorëzohemi. Ndonjëherë mund ta kemi të vështirë të ecim para, sidomos nëse luftojmë vazhdimisht me një dobësi. Hera-herës, dobësitë tona mund të na duken më sfiduese sesa ato të apostullit Pjetër. Por Jehovai mund të na japë forcë që të mos dorëzohemi. (Psal. 94:18,19) Për shembull, para se të merrte të vërtetën, një vëlla kishte jetuar si homoseksual për shumë vjet. Por me vendosmëri, i flaku tej ato praktika imorale. Megjithatë, prapë luftonte herë pas here me dëshirat e gabuara. Çfarë e ndihmoi të ngulmonte e të mos dorëzohej? Ai shpjegon: «Jehovai na jep forcë.» Pastaj shton: «Ai na ndihmon me frymën e tij . . . , ndaj kam kuptuar se është e mundur të vazhdojmë të ecim në udhën e së vërtetës . . . Jehovai më ka përdorur dhe, pavarësisht nga papërsosmëritë e mia, më jep forcë vazhdimisht.» w23.09 23 ¶12
E diel, 23 nëntor
Fryti i përulësisë dhe i nderimit të thellë për Jehovain është pasuri, lavdi dhe jetë.—Prov. 22:4.
Vëlla i ri, mbaj parasysh se nuk do të bëhesh automatikisht vëlla i pjekur. Duhet të zgjedhësh shembuj të mirë për t’i imituar, të zhvillosh aftësinë për të menduar, të jesh i besueshëm, të mësosh aftësi praktike dhe të përgatitesh për rolet e së ardhmes. Kur mendon për gjithë sa duhet të bësh, mund të të duket një punë e papërballueshme. Por mund t’ia dalësh mbanë. Mos harro se Jehovai mezi pret të të ndihmojë. (Isa. 41:10, 13) Patjetër që edhe vëllezërit e motrat në kongregacion do të të bëhen krah. Nëse e zhvillon plotësisht potencialin tënd për t’u bërë një vëlla i pjekur, do të kesh një jetë të pasur dhe domethënëse. Vëllezër të rinj, ju kemi shumë për zemër. Jehovai ju bekoftë pa masë ndërsa përpiqeni fort të bëheni vëllezër të pjekur! w23.12 29 ¶19-20
E hënë, 24 nëntor
[Anashkaloje] fyerjen.—Prov. 19:11.
Përfytyro sikur jeni mbledhur për qejf një grup vëllezërish e motrash. Ia kaloni bukur dhe ti i bën një foto grupit. Në fakt, sa për siguri, bën edhe dy foto të tjera në rast se e para nuk ka dalë mirë. Kur i sheh të tria fotografitë, vëren se te njëra prej tyre një vëlla ka dalë i vrenjtur. Kështu që e fshin, sepse ke edhe dy të tjera ku të gjithë në grup, përfshirë edhe vëllanë, po buzëqeshin. Zakonisht kemi kujtime të bukura nga koha që kalojmë me vëllezërit e motrat. Mirëpo ndoshta në një rast, një vëlla a motër thotë ose bën diçka lënduese. Ç’duhet të bëjmë me atë kujtim? Pse të mos përpiqemi ta fshijmë, siç do të fshinim një nga ato fotografi? (Efes. 4:32) Mund ta bëjmë këtë, sepse kemi plot kujtime të bukura me atë bashkëbesimtar. Ato janë kujtimet që duam t’i mbajmë dhe t’i kemi të çmuara. w23.11 12-13 ¶16-17
E martë, 25 nëntor
Gratë të stolisen me veshje të përshtatshme, . . . si u ka hije grave që janë të përkushtuara ndaj Perëndisë.—1 Tim. 2:9, 10.
Fjalët greke që përdoren këtu përcjellin idenë se veshja e një motre duhet të jetë dinjitoze dhe duhet të tregojë konsideratë për ndjenjat e mendimet e të tjerëve. Sa ju admirojmë ju motra të pjekura që visheni me modesti! Aftësia dalluese është një cilësi tjetër që duhet të shfaqë çdo motër e pjekur. Çfarë është aftësia dalluese? Është gjykim i shëndoshë—aftësia për të dalluar të drejtën nga e gabuara e për të zgjedhur pastaj rrugën e mençur. Të shohim shembullin e Abigailës. Burri i saj mori një vendim të pamend që do të kishte pasoja serioze te të gjithë pjesëtarët e shtëpisë. Por Abigaila veproi menjëherë. E gjykimi i saj i mirë shpëtoi jetë. (1 Sam. 25:14-23, 32-35) Aftësia dalluese na ndihmon edhe ne të dallojmë kur të flasim e kur të heshtim. Veç kësaj na ndihmon të tregojmë interes për të tjerët në mënyrë të ekuilibruar.—1 Sel. 4:11. w23.12 20 ¶8-9
E mërkurë, 26 nëntor
Le të ngazëllojmë për shpresën që kemi se do të marrim lavdi nga Perëndia.—Rom. 5:2.
Apostulli Pavël ia shkroi këto fjalë kongregacionit të Romës. Vëllezërit e motrat atje kishin mësuar për Jehovain e Jezuin, kishin treguar besim dhe ishin bërë të krishterë. Prandaj Perëndia i ‘shpalli të drejtë falë besimit’ dhe i mirosi me frymë të shenjtë. (Rom. 5:1) Kështu, ata kishin një shpresë të mrekullueshme dhe mund të ishin të sigurt se ajo do të bëhej realitet. Më vonë, Pavli u shkroi të mirosurve në Efes për shpresën që u kishte dhënë Perëndia. Ata do të merrnin një «trashëgimi për të shenjtët». (Efes. 1:18) Gjithashtu, Pavli u tregoi kolosianëve ku do ta merrnin atë trashëgimi. U tha se ajo ‘shpresë ruhej për ta në qiej’. (Kolos. 1:4, 5) Pra, shpresa e të mirosurve është të ringjallen për të jetuar përgjithmonë në qiell, ku do të mbretërojnë me Krishtin.—1 Sel. 4:13-17; Zbul. 20:6. w23.12 9 ¶4-5
E enjte, 27 nëntor
Paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe mendjen tuaj.—Filip. 4:7.
Në gjuhën origjinale, fjala e përkthyer «ruaj» ishte një term ushtarak dhe përdorej për ushtarët që mbronin një qytet nga sulmet. Banorët e atij qyteti flinin të qetë, ngaqë e dinin se rojat po vigjilonin te portat. Po njësoj, kur paqja e Perëndisë na mbron mendjen dhe zemrën, ndihemi të qetë, ngaqë e dimë se jemi të sigurt. (Psal. 4:8) Ashtu si Hana, edhe sikur situata jonë të mos ndryshojë menjëherë, prapëseprapë mund të ndiejmë paqe. (1 Sam. 1:16-18) E kur ndihemi të qetë, shpesh e kemi më të lehtë të mendojmë me kthjelltësi dhe të marrim vendime të mençura. Çfarë mund të bëjmë? Kur je në ankth, mund të thërrasësh «rojën». Si? Duke u lutur derisa të provosh paqen e Perëndisë. (Luka 11:9; 1 Sel. 5:17) Nëse po kalon kohë të vështira, ngulmo në lutje e do të provosh si do të ta ruajë zemrën dhe mendjen paqja e Jehovait.—Rom. 12:12. w24.01 21 ¶5-6
E premte, 28 nëntor
Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!—Mat. 6:9.
Jezui duroi çdo torturë, sharje dhe shpifje vetëm e vetëm që të shenjtëronte emrin e të Atit. Ai e dinte se i ishte bindur Atit në gjithçka, ndaj s’kishte pse t’i vinte turp. (Hebr. 12:2) Kuptonte edhe se ishte shënjestra kryesore e sulmeve të Satanait në ato orë të errëta. (Luka 22:2-4; 23:33, 34) Patjetër që Satanai shpresonte t’i thyente integritetin Jezuit. Ama dështoi keqazi! Jezui provoi njëherë e mirë se Satanai është një gënjeshtar i poshtër dhe se Jehovai ka shërbëtorë besnikë që mbajnë integritetin edhe përballë sprovave më të rënda. A dëshiron t’ia kënaqësh zemrën Mbretit tënd që është në fron? Vazhdo të lëvdosh emrin e Jehovait duke i ndihmuar të tjerët të njohin cilësitë e tij të mrekullueshme. Ndërsa e bën këtë, po ecën në gjurmët e Jezuit. (1 Pjet. 2:21) Kështu, njësoj si Jezui, po e kënaq Jehovain dhe po e demaskon kundërshtarin e Tij, Satanain, si një gënjeshtar të paskrupull. w24.02 11-12 ¶11-13
E shtunë, 29 nëntor
Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?—Psal. 116:12.
Gjatë pesë viteve të fundit, mbi një milion veta janë pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait. Kur i kushtohesh Jehovait, zgjedh të bëhesh dishepull i Jezu Krishtit dhe të kesh si bosht të jetës kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Çfarë nënkupton kjo? Jezui tha: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten.» (Mat. 16:24) Shprehja greke e përkthyer «le ta mohojë veten» mund të përkthehet edhe «duhet t’i thotë ‘jo’ vetes». Si shërbëtor i kushtuar i Jehovait, duhet t’i thuash «jo» çdo gjëje që bie ndesh me vullnetin e tij. (2 Kor. 5:14, 15) Kjo përfshin t’u thuash «jo» ‘veprave të trupit mëkatar’, siç është imoraliteti seksual. (Gal. 5:19-21; 1 Kor. 6:18) A do të ta vështirësojnë jetën kufizime të tilla? Nëse e do Jehovain dhe je i bindur se ligjet e tij janë për të mirën tënde, patjetër që jo.—Psal. 119:97; Isa. 48:17, 18. w24.03 2 ¶1; 3 ¶4
E diel, 30 nëntor
Unë të kam miratuar.—Luka 3:22.
Jehovai u jep frymën e shenjtë atyre që i miraton. (Mat. 12:18) Mund të pyesim veten: «A po shfaq në jetën time cilësi të frytit të frymës së Perëndisë?» A je më i duruar tani me të tjerët sesa para se të njihje Jehovain? Në fakt, sa më shumë të përpiqesh të shfaqësh frytin e frymës së shenjtë, aq më i sigurt do të jesh se ke miratimin e Jehovait! Jehovai përdor shpërblesën për dobinë e atyre që i miraton. (1 Tim. 2:5, 6) Po nëse zemra jonë nuk e pranon që Jehovai na miraton, edhe nëse kemi besim te shpërblesa dhe jemi të pagëzuar? Mos harro se ndjenjave tona nuk mund t’u zëmë besë gjithmonë, kurse Jehovait po. Ata që kanë besim te shpërblesa, janë të drejtë në sytë e tij dhe ai premton t’i bekojë.—Psal. 5:12; Rom. 3:26. w24.03 30 ¶15; 31 ¶17