E premte, 24 tetor
Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon mëkate të shumta.—1 Pjet. 4:8.
Fjala që është përkthyer «e zjarrtë» në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «e hapur plotësisht». Pjesa e dytë e vargut tregon çfarë na shtyn të bëjmë kjo dashuri e zjarrtë. Ajo na ndihmon t’i mbulojmë mëkatet e vëllezërve. Mund ta përfytyrojmë kështu: pasi e kapim dashurinë me të dyja duart, si të ishte një pëlhurë elastike, e hapim mirë e mirë sa të mbulojë jo një, as dy, por ‘shumë mëkate’. Fjala «mbulon» këtu ka kuptimin e figurshëm «fal». Ashtu si një pëlhurë që mbulon një njollë, dashuria mund të mbulojë të metat dhe gabimet e të tjerëve. Dashuria jonë për të tjerët duhet të jetë aq e fortë sa t’i falim të metat e bashkëbesimtarëve—edhe nëse ndonjëherë kjo kërkon goxha përpjekje. (Kolos. 3:13) Kur arrijmë të falim, tregojmë se dashuria jonë është e fortë dhe se duam ta kënaqim Jehovain. w23.11 11-12 ¶13-15
E shtunë, 25 tetor
Shafani nisi ta lexonte atë para mbretit.—2 Kron. 34:18.
Kur ishte i rritur, mbreti Josia nisi meremetimin e tempullit. Gjatë punës u gjet ‘libri i Ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të Moisiut’. Me të dëgjuar fjalët e Ligjit, mbreti bëri ndryshime që t’u bindej gjërave të shkruara. (2 Kron. 34:14, 19-21) A dëshiron ta lexosh rregullisht Biblën? Nëse po përpiqesh ta lexosh, a po kënaqesh? A i shënon vargjet që mund të të ndihmojnë? Kur ishte 39 vjeç, Josia bëri një gabim që i kushtoi jetën. I besoi vetes në vend që t’i kërkonte Jehovait udhëheqje. (2 Kron. 35:20-25) Nga kjo nxjerrim një mësim. Pavarësisht nga mosha a nga vitet që po studiojmë Biblën, duhet të vazhdojmë të afrohemi me Jehovain. Kjo përfshin t’i lutemi rregullisht për udhëheqje, të studiojmë Biblën dhe t’ua vëmë veshin këshillave nga vëllezër e motra të pjekur. Kështu do të ketë më pak gjasa të bëjmë gabime të mëdha e më shumë gjasa të jemi të lumtur.—Jak. 1:25. w23.09 12 ¶15-16
E diel, 26 tetor
Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep mirësi të pamerituar të përulurve.—Jak. 4:6.
Në Bibël përmenden plot gra të shkëlqyera që e donin Jehovain dhe i shërbenin. Ato ishin «të matura në gjithçka» dhe «besnike në gjithçka». (1 Tim. 3:11) Përveç shembullit të tyre, motrat mund të kenë edhe në kongregacion gra të pjekura që janë shembull i denjë për t’u imituar. Ti motër e re, a njeh motra të pjekura që janë shembull i mirë? Vër re cilësitë e tyre tërheqëse; pastaj mendo si mund t’i shfaqësh edhe ti ato cilësi. Një aspekt i rëndësishëm i pjekurisë së krishterë është përulësia. Kur është e përulur, një grua gëzon marrëdhënie të mirë me Jehovain e me të tjerët. Për shembull, një grua që e do Jehovain zgjedh me përulësi të përkrahë parimin e kryesisë që ka vendosur Ati i saj qiellor. (1 Kor. 11:3) Ky parim zbatohet në mënyra specifike në kongregacion dhe në familje. w23.12 18-19 ¶3-5