E mërkurë, 8 tetor
Kurrsesi nuk do të të lë.—Hebr. 13:5.
Trupi Udhëheqës i ka stërvitur personalisht ndihmësit e komiteteve të ndryshme të Trupit Udhëheqës. Që sot, këta vëllezër po mbajnë mbi supe me besnikëri shumë përgjegjësi. Ata janë më se të përgatitur që të vazhdojnë të kujdesen për delet e Krishtit. Pasi të mirosurit e fundit të ngjiten në qiell, aty nga fundi i shtrëngimit të madh, adhurimi i pastër në tokë s’ka për t’u zhdukur kurrë. Falë drejtimit të Jezu Krishtit, shërbëtorët e Jehovait në tokë do të vazhdojnë ta adhurojnë me besnikëri Jehovain. Vërtet, në atë kohë do të jemi shënjestra e Gogut të Magogut, një koalicion kombesh armiqësor. (Ezek. 38:18-20) Por ky sulm i shkurtër do të dështojë; nuk ka për ta penguar popullin e Perëndisë që ta adhurojë Jehovain. S’ka fije dyshimi që Ai do të na shpëtojë! Në një vegim, apostulli Gjon pa ‘shumicën e madhe’ të deleve të tjera të Krishtit. Ai mori vesh se kjo ‘shumicë e madhe’ kishte dalë «nga shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:9, 14) Po, populli i Jehovait do të jetë i mbrojtur! w24.02 5-6 ¶13-14
E enjte, 9 tetor
Mos e shuani zjarrin e frymës së Perëndisë.—1 Sel. 5:19.
Ç’mund të bëjmë që të marrim frymën e shenjtë? Mund të lutemi, të studiojmë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë dhe të jemi pjesë e organizatës së tij të drejtuar nga fryma. Të gjitha këto na ndihmojnë të kultivojmë ‘frytin e frymës së shenjtë’. (Gal. 5:22, 23) Perëndia ua jep frymën e tij vetëm atyre që vazhdojnë ta mbajnë mendjen te gjërat e pastra dhe të kenë një sjellje të pastër. Perëndia nuk do të vazhdonte të na jepte frymën e tij nëse do të ushqenim mendime të ndyra dhe do të vepronim sipas tyre. (1 Sel. 4:7, 8) Që të vazhdojmë të marrim frymën e shenjtë duhet edhe ‘të mos i trajtojmë me përçmim profecitë’. (1 Sel. 5:20) Në këtë varg, «profecitë» janë mesazhet që na jep Perëndia nëpërmjet frymës së tij, si ato për ditën e Jehovait dhe për faktin që mbetet fare pak kohë para se të vijë fundi. Ne nuk e shohim ditën e Jehovait si një ditë të largët, duke menduar se Armagedoni s’do të vijë gjatë jetës sonë. Përkundrazi, e mbajmë gjithnjë në mend duke vazhduar të kemi një sjellje të pastër e duke qenë ‘të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëjmë’.—2 Pjet. 3:11, 12. w23.06 12 ¶13-14
E premte, 10 tetor
Të kesh nderim të thellë për Jehovain, është hapi i parë drejt mençurisë.—Prov. 9:10.
Si shërbëtorë të Perëndisë, ç’duhet të bëjmë nëse na shfaqet papritmas në pajisjen elektronike një pamje pornografike? Duhet t’i largojmë menjëherë sytë. Do ta kemi më të lehtë ta bëjmë këtë, nëse mbajmë në mend që pasuria jonë më e çmuar është miqësia me Jehovain. Edhe disa pamje që në përgjithësi nuk konsiderohen si pornografi, mund të ushqejnë mendime imorale. Pse duhet t’i shmangim? Sepse nuk duam të hedhim qoftë edhe gjysmë hapi drejt kurorëshkeljes në zemrën tonë. (Mat. 5:28, 29) Një plak në Tajlandë që quhet David thotë: «Pyes veten: ‘Edhe sikur këto pamje të mos jenë pornografike, a do të jetë i kënaqur Jehovai nëse vazhdoj t’i shoh?’ Ky arsyetim më ndihmon të veproj me mençuri.» Nderimi i thellë për Jehovain ose frika e shëndetshme se mos e lëndojmë, na ndihmon të veprojmë me mençuri. Ky nderim i thellë është «fillimi», ose themeli, «i mençurisë». w23.06 23 ¶12-13