E mërkurë, 3 shtator
Jozefi . . . bëri siç e kishte udhëzuar engjëlli i Jehovait: e mori në shtëpi gruan e tij.—Mat. 1:24.
Jozefi e ndiqte pa ngurruar drejtimin e Jehovait, dhe kjo e bëri një bashkëshort më të mirë. Të paktën në tri raste, ai mori udhëzime nga Perëndia në lidhje me familjen e tij. Në çdo rast u bind menjëherë, edhe kur kjo kërkonte sakrifica të mëdha. (Mat. 1:20; 2:13-15, 19-21) Duke ndjekur drejtimin e Perëndisë, Jozefi e mbrojti Marinë, u kujdes për të dhe i siguroi gjërat e nevojshme. Imagjino si thellohej dashuria dhe respekti i Marisë për Jozefin kur shihte si vepronte ai! Ju burra mund ta imitoni Jozefin duke kërkuar këshilla të bazuara në Bibël se si të kujdeseni për familjen. Kur i zbatoni këto këshilla, edhe nëse kjo kërkon sakrifica, po tregoni dashuri për gruan tuaj dhe po forconi martesën. Një motër në Vanuatu që ka mbi 20 vjet e martuar, thotë: «Kur im shoq kërkon dhe ndjek drejtimin e Jehovait, e respektoj akoma më shumë. Ndihem e sigurt dhe kam besim te vendimet e tij.» w23.05 21 ¶5
E enjte, 4 shtator
Do të ketë një rrugë të gjerë, po, një udhë që quhet Udha e Shenjtërisë.—Isa. 35:8.
Judenjtë e rikthyer nga Babilonia do të bëheshin «një popull i shenjtë» për Perëndinë e tyre. (Ligj. 7:6) Ama kjo s’do të thoshte se s’kishin nevojë të bënin ndryshime për të kënaqur Jehovain. Shumica e judenjve që kishin lindur në Babiloni, me sa duket ishin mësuar me mentalitetin dhe standardet e babilonasve. Dekada pas kthimit të judenjve të parë në Izrael, guvernatori Nehemia u trondit kur pa se disa fëmijë që kishin lindur në Izrael, nuk dinin ta flisnin gjuhën e judenjve. (Ligj. 6:6, 7; Neh. 13:23, 24) E si mund të mësonin ta donin dhe ta adhuronin Jehovain nëse nuk kuptonin hebraisht—gjuha kryesore në të cilën ishte shkruar Fjala e Perëndisë?! (Ezd. 10:3, 44) Prandaj, ata judenj duhej të bënin ndryshime rrënjësore në jetë. Por do ta kishin shumë më të lehtë t’i bënin ato ndryshime ngaqë jetonin në Izrael, ku po rivendosej gradualisht adhurimi i pastër.—Neh. 8:8, 9. w23.05 15 ¶6-7
E premte, 5 shtator
Jehovai u bëhet krah të gjithë atyre që po bien; ai i ngre të gjithë ata që janë kërrusur nga hallet.—Psal. 145:14.
Mjerisht, sado të motivuar ose të disiplinuar të jemi, mund të ndodhë të pengohemi gjatë rrugës për të arritur një synim. Për shembull, «ngjarjet e papritura» mund të na vjedhin kohën e nevojshme që të punojmë për synimin tonë. (Ekl. 9:11) Mund të përballemi me një problem që na shkurajon dhe na pret krahët. (Prov. 24:10) Papërsosmëria mund të na shtyjë të veprojmë në një mënyrë që na e bën shumë më të vështirë ta arrijmë synimin. (Rom. 7:23) Ose thjesht mund të ndihemi të lodhur. (Mat. 26:43) Ç’mund të bëjmë që të ngrihemi e ta vazhdojmë udhëtimin? Mos harro se të rrëzohesh nuk do të thotë që ke dështuar. Bibla tregon se mund të hasim shpesh probleme ose vështirësi. Por njëkohësisht e bën të qartë se, po të biem, mund të ngrihemi përsëri. Po, kur vazhdon rrugën pavarësisht nga pengesat, i tregon Jehovait se dëshiron ta kënaqësh. Kushedi sa i lumtur ndihet Jehovai kur sheh që nuk dorëzohesh, por vazhdon të punosh për synimin tënd! w23.05 30 ¶14-15