E martë, 2 shtator
Fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.—1 Kor. 2:10.
Nëse je në një kongregacion me shumë lajmëtarë dhe shpesh nuk ta japin fjalën, ndoshta të vjen të mos e ngresh më dorën. Por mos u dorëzo. Vazhdo të përpiqesh të komentosh. Përgatit disa komente për çdo mbledhje. Kështu, nëse nuk të jepet fjala nga fillimi i mbledhjes, do të kesh mundësi të tjera të komentosh gjatë mbledhjes. Kur përgatitesh për Studimin e Kullës së Rojës, mendo si lidhet secili paragraf me temën e artikullit. Në këtë mënyrë, ka shumë gjasa të kesh komente me vlerë gjatë gjithë artikullit. Gjithashtu, mund të përgatitësh komente për paragrafët ku flitet për të vërteta të thella që janë më të vështira për t’u shpjeguar. Pse? Sepse gjatë asaj pjese të artikullit mund të ketë më pak komentues. Po nëse edhe pas disa mbledhjesh akoma nuk ke pasur mundësi të komentosh? Mund t’i tregosh drejtuesit para mbledhjes se cilës pyetje do të doje t’i përgjigjeshe. w23.04 21-22 ¶9-10
E mërkurë, 3 shtator
Jozefi . . . bëri siç e kishte udhëzuar engjëlli i Jehovait: e mori në shtëpi gruan e tij.—Mat. 1:24.
Jozefi e ndiqte pa ngurruar drejtimin e Jehovait, dhe kjo e bëri një bashkëshort më të mirë. Të paktën në tri raste, ai mori udhëzime nga Perëndia në lidhje me familjen e tij. Në çdo rast u bind menjëherë, edhe kur kjo kërkonte sakrifica të mëdha. (Mat. 1:20; 2:13-15, 19-21) Duke ndjekur drejtimin e Perëndisë, Jozefi e mbrojti Marinë, u kujdes për të dhe i siguroi gjërat e nevojshme. Imagjino si thellohej dashuria dhe respekti i Marisë për Jozefin kur shihte si vepronte ai! Ju burra mund ta imitoni Jozefin duke kërkuar këshilla të bazuara në Bibël se si të kujdeseni për familjen. Kur i zbatoni këto këshilla, edhe nëse kjo kërkon sakrifica, po tregoni dashuri për gruan tuaj dhe po forconi martesën. Një motër në Vanuatu që ka mbi 20 vjet e martuar, thotë: «Kur im shoq kërkon dhe ndjek drejtimin e Jehovait, e respektoj akoma më shumë. Ndihem e sigurt dhe kam besim te vendimet e tij.» w23.05 21 ¶5
E enjte, 4 shtator
Do të ketë një rrugë të gjerë, po, një udhë që quhet Udha e Shenjtërisë.—Isa. 35:8.
Judenjtë e rikthyer nga Babilonia do të bëheshin «një popull i shenjtë» për Perëndinë e tyre. (Ligj. 7:6) Ama kjo s’do të thoshte se s’kishin nevojë të bënin ndryshime për të kënaqur Jehovain. Shumica e judenjve që kishin lindur në Babiloni, me sa duket ishin mësuar me mentalitetin dhe standardet e babilonasve. Dekada pas kthimit të judenjve të parë në Izrael, guvernatori Nehemia u trondit kur pa se disa fëmijë që kishin lindur në Izrael, nuk dinin ta flisnin gjuhën e judenjve. (Ligj. 6:6, 7; Neh. 13:23, 24) E si mund të mësonin ta donin dhe ta adhuronin Jehovain nëse nuk kuptonin hebraisht—gjuha kryesore në të cilën ishte shkruar Fjala e Perëndisë?! (Ezd. 10:3, 44) Prandaj, ata judenj duhej të bënin ndryshime rrënjësore në jetë. Por do ta kishin shumë më të lehtë t’i bënin ato ndryshime ngaqë jetonin në Izrael, ku po rivendosej gradualisht adhurimi i pastër.—Neh. 8:8, 9. w23.05 15 ¶6-7