«Ndihmë në kohën e duhur»
1 Sa freskuese është të marrësh ndihmë, pikërisht atëherë kur ke nevojë për të! (Hebr. 4:16) Në kongresin krahinor «Lajmëtarë të paqes hyjnore», u gëzuam kur morëm dy furnizime speciale ndihme tamam në kohën e duhur.
2 Libri i ri, Sekreti i lumturisë familjare, erdhi në kohën e përshtatshme. Ai përqendrohet në katër gjëra thelbësore, që përkrahin një jetë të lumtur familjare: (1) vetëkontrolli, (2) pranimi i kryesisë, (3) komunikimi i mirë dhe (4) dashuria. Këshilla që paraqet libri Lumturia familjare, do t’i ndihmojë të gjitha ato familje që e zbatojnë atë, të gjejnë paqe hyjnore. Lër kohë për ta lexuar librin e ri me kujdes dhe për ta studiuar atë së bashku si një familje. Njihu mirë me aspektet e tij, me qëllim që të jesh i përgatitur për ta përdorur atë me efektshmëri, kur t’i ofrohet për herë të parë publikut, në mars.
3 Broshura e re, Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?, ka ardhur në kohën e duhur, për të ndihmuar në përshpejtimin e veprës sonë të bërjes së dishepujve. Ndërkohë që mund të përdoret veçanërisht për të ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara leximi, edhe shumë të rritur dhe fëmijë të vegjël të shkolluar do të përfitojnë nga shpjegimi i thjeshtë, që u bën kjo broshurë mësimeve themelore biblike. Ajo mund të jetë tamam ajo që duhej, për të filluar një studim si një gur kalimi drejt librit Njohuria. Me siguri që ky furnizim do të ndihmojë shumë persona të tjerë që të vlerësojnë mënyrën se si mund të bekohen në mënyrë të pasur, duke bërë atë që kërkon Perëndia.
4 Ndjenjat tona i shprehu në mënyrë të përsosur Davidi, kur deklaroi se ‘asgjë nuk i mungonte, shpirti i tij ishte përtërirë dhe kupa e tij po derdhej’! (Psal. 23:1, 3, 5) Me gëzim mezi presim t’ua kalojmë këtë ndihmë të mrekullueshme frymore shumë të tjerëve, të cilët sinqerisht dëshirojnë të njohin dhe t’i shërbejnë Perëndisë së vërtetë, Jehovait.