BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es20 f. 17-26
  • Shkurt

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Shkurt
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
  • Nëntema
  • E shtunë, 1 shkurt
  • E diel, 2 shkurt
  • E hënë, 3 shkurt
  • E martë, 4 shkurt
  • E mërkurë, 5 shkurt
  • E enjte, 6 shkurt
  • E premte, 7 shkurt
  • E shtunë, 8 shkurt
  • E diel, 9 shkurt
  • E hënë, 10 shkurt
  • E martë, 11 shkurt
  • E mërkurë, 12 shkurt
  • E enjte, 13 shkurt
  • E premte, 14 shkurt
  • E shtunë, 15 shkurt
  • E diel, 16 shkurt
  • E hënë, 17 shkurt
  • E martë, 18 shkurt
  • E mërkurë, 19 shkurt
  • E enjte, 20 shkurt
  • E premte, 21 shkurt
  • E shtunë, 22 shkurt
  • E diel, 23 shkurt
  • E hënë, 24 shkurt
  • E martë, 25 shkurt
  • E mërkurë, 26 shkurt
  • E enjte, 27 shkurt
  • E premte, 28 shkurt
  • E shtunë, 29 shkurt
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
es20 f. 17-26

Shkurt

E shtunë, 1 shkurt

Kryeje plotësisht shërbimin tënd.​—2 Tim. 4:5.

Jezui kishte dhembshuri të butë për të tjerët. Ata e ndienin se i donte dhe e mirëpritnin mesazhin për Mbretërinë. Sa më shumë të zhvillojmë ndjenja të tilla të buta për të tjerët, aq më të efektshëm do të jemi në shërbimin tonë. Çfarë mund të na ndihmojë të tregojmë ndjenja të përbashkëta ndaj njerëzve që u predikojmë? Duhet ta vëmë veten në vendin e tyre dhe t’i trajtojmë siç do të na pëlqente të na trajtonin po të ishim në atë situatë. (Mat. 7:12) Mendo për nevojat e çdo individi. Mos përdor të njëjtën metodë me këdo që takon në shërbim. Në vend të kësaj, mbaj parasysh rrethanat dhe pikëpamjet e çdo individi. Ndihmoje personin të shprehet duke bërë pyetje me takt. (Prov. 20:5) Kështu u japim mundësi njerëzve të na zbulojnë arsyet pse kanë nevojë për lajmin e mirë. Pasi e dimë këtë, mund të tregojmë ndjenja të përbashkëta për nevojat e tyre specifike dhe t’u japim ndihmën e duhur, ashtu si Jezui.​—Krahaso 1 Korintasve 9:19-23. w19.03 20 ¶2; 22 ¶8-9

E diel, 2 shkurt

Lërja në dorë Jehovait çdo gjë që bën, dhe planet e tua do të kenë sukses.​—Prov. 16:3.

Adami dhe Eva treguan se nuk ndienin pikë çmueshmërie për gjithë të mirat që kish bërë Jehovai për ta. Secili nga ne ka mundësinë të tregojë se nuk do ta merrte absolutisht vendimin që morën ata. Kur pagëzohemi, i tregojmë Jehovait se besojmë që ai ka autoritetin të vendosë standardin se ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar për ne. Kështu japim prova se e duam Atin tonë dhe kemi besim tek ai. Vështirësia që hasim pas pagëzimit është të jetojmë çdo ditë sipas standardeve të Jehovait, jo tonave. Miliona veta jetojnë kështu vit pas viti. Edhe ti mund të jesh mes tyre nëse vazhdon ta thellosh kuptueshmërinë për Fjalën e Perëndisë, Biblën; të shoqërohesh rregullisht me vëllezërit e motrat; dhe ta predikosh me zell atë që ke mësuar për Atin tënd të dashur. (Hebr. 10:24, 25) Kur merr vendime, vërua veshin këshillave që të jep Jehovai nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij. (Isa. 30:21) Atëherë do të kesh sukses në çdo gjë që do të bësh.—Prov. 16:20. w19.03 7 ¶17-18

E hënë, 3 shkurt

Çdo dhuratë e mirë dhe e përsosur që na jepet, vjen nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore.—Jak. 1:17.

Jehovai na ka dhënë me bollëk ushqim të bazuar në Bibël. Për shembull, marrim udhëzime të dobishme nëpërmjet mbledhjeve, revistave dhe siteve tona. A të ka ndodhur të dëgjosh një fjalim, të lexosh një artikull ose të shohësh një program në televizionin tonë dhe të mendosh: «Tamam ajo që më duhej!» Si mund t’ia shprehim çmueshmërinë Jehovait? (Kolos. 3:15) Një mënyrë është duke e falënderuar rregullisht në lutje për këto dhurata të mira. E shprehim çmueshmërinë për Jehovain edhe kur mbajmë të pastër e të rregullt vendin e adhurimit. Ne marrim pjesë rregullisht në pastrimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë, dhe ata që përdorin pajisjet elektronike të kongregacionit, tregohen të kujdesshëm. Kur i mirëmbajmë siç duhet, Sallat e Mbretërisë do të kenë jetë më të gjatë dhe më pak nevojë për riparime të mëdha. Kështu, kemi më shumë pará në dispozicion për të ndërtuar e restauruar Salla të tjera Mbretërie rreth botës. w19.02 18 ¶17-18

E martë, 4 shkurt

Këto s’janë veç thekët e udhëve të tij, e ne kemi dëgjuar veç pëshpërimën e zërit të tij!—Jobi 26:14.

Jobi kalonte kohë duke medituar për mrekullitë e krijimit të Jehovait. (Jobi 26:7, 8) Ndiente nderim të thellë kur mendonte për tokën, qiellin, retë e bubullimat, por njëkohësisht e kuptonte se dinte fare pak për krijimin e paanë. Ai mbushej me nderim të thellë edhe nga fjalët e Jehovait. Jobi tha: ‘Fjalët e gojës së tij, për mua janë thesar.’ (Jobi 23:12) Nderimi i thellë dhe respekti për Jehovain ndikonin pa masë te Jobi. Ai e donte Atin e tij dhe dëshironte ta kënaqte. Kështu, vendosmëria e Jobit për të mbajtur integritetin forcohej. Kemi nevojë të imitojmë Jobin. Ne dimë shumë më tepër për mrekullitë e krijimit se ç’dinin njerëzit në kohën e tij. Po ashtu, kemi gjithë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë që na ndihmon ta njohim Jehovain siç është me të vërtetë. Gjithë sa mësojmë mund të na e mbushë zemrën me nderim të thellë. Pastaj nderimi i thellë dhe respekti për Jehovain do të na shtyjnë ta duam e t’i bindemi dhe të zhvillojmë një dëshirë nga zemra për të mbajtur integritetin.—Jobi 28:28. w19.02 5 ¶12

E mërkurë, 5 shkurt

Nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!—Psal. 118:6.

Gjatë gjithë historisë, qeveritarët njerëzorë e kanë përndjekur popullin e Jehovait. Ata mund të na akuzojnë për «krime» nga më të ndryshmet, por arsyeja e vërtetë është se ne zgjedhim «t’i bindemi Perëndisë si [sovran], dhe jo njerëzve». (Vep. 5:29) Mund të na tallin, të na burgosin a madje të na rrahin. Megjithatë, me ndihmën e Jehovait, ne s’do të hakmerremi, por do të ruajmë një frymë të butë gjatë gjithë sprovës. Të mendojmë për shembullin që na lanë tre mërgimtarët hebrenj—Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu. Me butësi, ata i shpjeguan mbretit pse nuk do ta adhuronin shëmbëlltyrën që ai kishte bërë. Ishin të gatshëm të pranonin çfarëdo përfundimi të lejonte Jehovai. (Dan. 3:1, 8-28) Si mund t’i imitojmë tre hebrenjtë kur sprovohet besnikëria jonë ndaj Perëndisë? Me përulësi, tregojmë besim se Jehovai do të kujdeset për ne. (Psal. 118:7) Atyre që na akuzojnë për keqbërje, u përgjigjemi me butësi e respekt. (1 Pjet. 3:15) Dhe nuk pranojmë kurrsesi të bëjmë diçka që na cenon miqësinë me Atin tonë të dashur. w19.02 10-11 ¶11-13

E enjte, 6 shkurt

Merrni zemër!—Gjoni 16:33.

Mund të marrim më shumë guxim duke menduar për shpresën që kemi falë flijimit shpërblyes të Krishtit. (Gjoni 3:16; Efes. 1:7) Në javët para Përkujtimit, kemi një mundësi të veçantë që ta thellojmë çmueshmërinë për shpërblesën. Gjatë kësaj kohe, ndiq programin e leximit të Biblës për Përkujtimin dhe medito me nderim të thellë për ngjarjet që lidhen me vdekjen e Jezuit. Pastaj, kur të mblidhemi për Darkën e Zotërisë, do të kuptojmë më plotësisht domethënien e simboleve të Përkujtimit dhe flijimin e pashoq që përfaqësojnë ato. Kur kuptojmë çfarë kanë bërë për ne Jezui e Jehovai dhe si na sjell dobi kjo neve e njerëzve tanë të dashur, shpresa jonë bëhet më e fortë dhe ndihemi të motivuar të qëndrojmë me guxim deri në fund. (Hebr. 12:3) Sa mirënjohës jemi që Jezui vazhdon të shfaqë përulësi dhe guxim si Kryeprifti ynë qiellor që ndërmjetëson për ne! (Hebr. 7:24, 25) Për të treguar çmueshmëri nga zemra, duhet ta përkujtojmë me besnikëri vdekjen e Jezuit, tamam siç na urdhëroi ai.—Luka 22:19, 20. w19.01 22 ¶8; 23-24 ¶10-11

E premte, 7 shkurt

O Jehova, të lutem, gjej ëndje në flijimet e mia të lëvdimit.​—Psal. 119:108.

Jehovai na ka dhënë të gjithëve privilegjin për ta lëvduar. Komentet tona në mbledhje janë pjesë e ‘flijimit të lëvdimit’ që i japim Perëndisë, dhe askush nuk mund ta bëjë këtë flijim në vendin tonë. (Hebr. 13:15) A kërkon Jehovai të njëjtin lloj flijimi, ose komenti, nga secili prej nesh? Jo, aspak. Shikoji mbledhjet e kongregacionit si një vakt mes miqsh të mirë. Imagjino sikur bashkë me disa miq nga kongregacioni planifikoni të hani së bashku dhe të kërkojnë të gatuash edhe ti diçka të vogël. Si do të veprosh? Mbase do të ndihesh pak në ankth, ama ka shumë të ngjarë që do të bësh më të mirën për të sjellë diçka që u pëlqen të gjithëve. Jehovai, Mikpritësi ynë, na ka shtruar një tryezë plot me të mira në mbledhjet tona. (Psal. 23:5; Mat. 24:45) Dhe ai kënaqet kur sjellim një dhuratë të thjeshtë, më të mirën që mund të japim. Ndaj, përgatitu mirë dhe komento sa më shpesh të mundesh. Kështu, jo vetëm do të ushqehesh në tryezën e Jehovait, por edhe do të sjellësh një dhuratë për dobinë e të tjerëve në kongregacion. w19.01 8 ¶3; 13 ¶20

E shtunë, 8 shkurt

Veç dhembje do të kenë ata që rendin pas perëndive të tjera.—Psal. 16:4.

Në kohët biblike, adhurimi i rremë përfshinte shpesh një imoralitet seksual të pështirë. (Hoz. 4:13, 14) Sigurisht, ky lloj adhurimi ishte tërheqës për njerëzit mëkatarë. Ama, nuk sillte lumturi jetëgjatë. Ndodhte krejt e kundërta! Siç tha Davidi, ‘dhembjet e atyre që rendnin pas një perëndie tjetër, shtoheshin’. Veç kësaj, ata u shkaktonin vuajtje të papërshkrueshme sa e sa fëmijëve. (Isa. 57:5) Jehovai e urrente një mizori të tillë! (Jer. 7:31) Edhe sot adhurimi i rremë shpesh toleron imoralitetin seksual, e madje edhe homoseksualizmin. Por në realitet, pasojat që vijnë kur shijon pa fre të ashtuquajturën liri morale, nuk kanë ndryshuar që nga kohët biblike. (1 Kor. 6:18, 19) Ndoshta edhe ti mund ta kesh vërejtur se njerëzit ‘i shtojnë dhembjet’ e tyre. Prandaj, ju të rinj, dëgjojeni Atin tuaj qiellor. Mos kini pikë dyshimi se bindja ndaj tij është për të mirën tuaj. Nguliteni në zemër se dëmet e sjelljes së keqe janë ku e ku më të rënda se çdo kënaqësi e përkohshme.—Gal. 6:8. w18.12 27-28 ¶16-18

E diel, 9 shkurt

As unë nuk do të kem marrëdhënie me ty.—Hoz. 3:3.

Nëse një i krishterë i martuar kryen imoralitet, bashkëshorti i krishterë i pafajshëm gjendet para një vendimi. Jezui tha se i pafajshmi ka një bazë që të divorcohet dhe pas kësaj është i lirë të rimartohet. (Mat. 19:9) Por bashkëshorti i pafajshëm mund të zgjedhë ta falë tjetrin. Dhe kjo nuk është e gabuar. Hozea e mori prapë Gomerën. Pasi u kthye me Hozenë, Gomera nuk duhej të kishte marrëdhënie seksuale me asnjë burrë tjetër. Për njëfarë kohe, Hozea ‘nuk pati marrëdhënie’ me Gomerën. (Hoz. 3:1-3) Por me kohë, ai duhet të ketë kryer prapë marrëdhënie me të. Kjo pasqyronte gatishmërinë e Perëndisë që ta pranonte sërish popullin e tij dhe të vazhdonte lidhjen me ta. (Hoz. 1:11; 3:4, 5) Ç’lidhje ka kjo me martesën sot? Nëse bashkëshorti i pafajshëm vendos të qëndrojë i martuar, rifillimi i marrëdhënieve seksuale me burrin a gruan do të tregonte se e ka falur. (1 Kor. 7:3, 5) Ky veprim do të anulonte bazën që ekzistonte më parë për t’u divorcuar. Pas kësaj ata duhet të punojnë bashkë si çift që të pasqyrojnë pikëpamjen e Perëndisë për martesën. w18.12 13 ¶13

E hënë, 10 shkurt

Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet.—Prov. 22:3.

Kur studiojmë, bëjmë mirë të shqyrtojmë si lidhen mendimet e Jehovait me situatat që ndoshta do të hasim në të ardhmen. Kështu, nëse përballemi me një situatë ku duhet të marrim një vendim të menjëhershëm, nuk do të zihemi krejt në befasi. Kur Jozefi i hodhi poshtë menjëherë përpjekjet e gruas së Potifarit për ta joshur, tregoi se e kishte bluar në mendje pikëpamjen e Jehovait për besnikërinë bashkëshortore. (Zan. 39:8, 9) Gjithashtu, përgjigjja që i dha gruas së Potifarit: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» tregon se e kishte bërë të vetën pikëpamjen e Perëndisë. Ç’të themi për ne? Ta zëmë se një shok a shoqe pune fillon të flirtojë me ty. Ose, mendo sikur në celular të vjen një mesazh a pamje me përmbajtje të hapur seksuale. Do ta kemi shumë më kollaj të qëndrojmë besnikë, nëse tashmë jemi përpjekur të dimë pikëpamjen e Jehovait për çështje të tilla, e kemi përvetësuar dhe kemi vendosur që më përpara çfarë do të bëjmë. w18.11 25 ¶13-14

E martë, 11 shkurt

Unë do të ngazëlloj falë Jehovait.—Hab. 3:18.

Disa studiues mendojnë se ky varg fjalë për fjalë do të thotë: «Do të hov nga gëzimi falë Zotërisë; do të hedh valle nga kënaqësia falë Perëndisë.» Çfarë garancie e fuqishme për të gjithë ne! Jehovai jo vetëm na ka bërë premtime të mrekullueshme, por edhe na ka siguruar se po punon me të shpejtë për ta realizuar qëllimin e tij të madh. S’ka dyshim se mesazhi jetësor i Habakukut është të besojmë te Jehovai. (Hab. 2:4) Mund ta fitojmë dhe ta mbajmë një besim të tillë nëse forcojmë marrëdhënien me Jehovain: (1) duke ngulmuar në lutje e duke i shprehur Jehovait gjithë shqetësimet dhe ankthet tona; (2) duke i kushtuar shumë vëmendje Fjalës së Jehovait dhe çdo drejtimi që marrim nga organizata e tij; (3) duke pritur me besim dhe durim Jehovain. Këtë bëri Habakuku. Edhe pse e nisi librin me ndjenja pikëllimi, ai e përfundoi me shprehje gëzimi e sigurie. Le të imitojmë shembullin e tij të shkëlqyer që edhe ne të ndiejmë përqafimin atëror të Jehovait! A mund të gjejmë ngushëllim më të madh se ky në këtë botë që po zhytet në errësirë? w18.11 17 ¶18-19

E mërkurë, 12 shkurt

[Krishti] vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.—2 Kor. 5:15.

Një nga arsyet pse të krishterët e vërtetë i tërheq dashuria e Perëndisë është kjo: Ai «e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Sa shumë dashuri tregoi edhe Jezui kur dha jetën e tij për ne! Çfarë motivimi i fuqishëm është kjo dashuri për ne! Fjala e Perëndisë premton se as «shtrëngimi» ose «vuajtja» nuk mund «të na ndajë nga dashuria e Krishtit». (Rom. 8:35, 38, 39) Hera-herës luftojmë me sprova që na sfilitin fizikisht dhe emocionalisht ose që na grabitin gëzimin në shërbim të Jehovait. Por forca motivuese e dashurisë së Krishtit, mund të na japë fuqi të qëndrojmë. (2 Kor. 5:14) Dashuria e Jezuit ka fuqi të na mbështetë e të na motivojë që të mos dorëzohemi, madje edhe përballë sprovave të tilla si katastrofat, përndjekjet, zhgënjimet personale ose ankthi që na bren përbrenda. w18.09 14 ¶8-9

E enjte, 13 shkurt

Do të eci sipas së vërtetës sate.—Psal. 86:11.

Që të ecim në të vërtetën, duhet të pranojmë dhe t’u bindemi të gjitha fjalëve të Jehovait. Duhet t’i japim përparësi në jetë së vërtetës dhe të jetojmë sipas parimeve të Biblës. Si Davidi, ne duhet të kemi vendosmërinë e patundur që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën e Perëndisë. Po të mos jemi të vendosur, mund të na brejnë dyshimet për gjërat që paguam për të blerë të vërtetën dhe mund të tundohemi ta marrim mbrapsht një pjesë të asaj që paguam. Në vend të kësaj, ne tregojmë kujdes që të mbajmë fort të vërtetën e plotë. E kuptojmë se s’mund të bëjmë naze e të zgjedhim cilat të vërteta të pranojmë dhe cilat të shpërfillim. Ne duhet të ecim në «gjithë të vërtetën». (Gjoni 16:13) Që të mos e lëmë dalëngadalë të vërtetën, duhet ta përdorim me mençuri kohën. Nëse nuk bëjmë kujdes, mund të fillojmë të harxhojmë kohë me tepri për t’u zbavitur, për t’u marrë me ndonjë hobi, për të lundruar në Internet ose për të parë televizor. Ndonëse këto gjëra nuk janë të gabuara në vetvete, koha që harxhojmë për to mund të na vjedhë si pa kuptuar kohën që i kushtonim më parë studimit personal dhe aktiviteteve të tjera teokratike. w18.11 10 ¶7-8

E premte, 14 shkurt

E ngushëllova dhe e qetësova shpirtin tim.—Psal. 131:2.

Kur jeta jonë merr një kthesë të papritur, ndryshimet që duhet të përballojmë mund të na shkaktojnë ankth dhe stres emocional. (Prov. 12:25) Madje mund ta kemi të vështirë t’i pranojmë ato ndryshime. Në rrethana të tilla, si mund ‘ta ngushëllojmë dhe ta qetësojmë’ shpirtin tonë? (Psal. 131:1-3) Pavarësisht nga rrethanat e vështira, sot mund ta provojmë personalisht sa na ngushëllon «paqja e Perëndisë» që na ruan fuqitë mendore. (Filip. 4:6, 7) Kështu, nëse i kërkojmë ndihmë Jehovait kur na mbyt ankthi, paqja e Perëndisë mund të na forcojë vendosmërinë për të arritur synime që e kënaqin dhe mund të na mbrojë nga çdo prirje për t’u dorëzuar. Përveçse na qetëson, fryma e Perëndisë mund të na e drejtojë vëmendjen te shkrime të rëndësishme, që do të na ndihmojnë të përqendrohemi te gjërat që kanë përparësi në jetë.—Gjoni 14:26, 27. w18.10 27 ¶2; 28 ¶5, 8

E shtunë, 15 shkurt

I thoni të vërtetën njëri-tjetrit.—Zak. 8:16.

Cila është shpikja që e ka dëmtuar njerëzimin më shumë se çdo gjë tjetër? Gënjeshtra. Të gënjesh do të thotë të pohosh diçka që ti e di se nuk është e vërtetë me synimin për të mashtruar dikë. Kush e shpiku gënjeshtrën? Jezu Krishti identifikoi ‘Djallin’ si «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44) Kur e tha Djalli gënjeshtrën e parë? Kjo ndodhi mijëra vjet më parë në kopshtin e Edenit. Çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, gëzonin jetën në Parajsën që u kishte siguruar Krijuesi. Më pas, hyri në skenë Djalli. Ai e dinte se Perëndia i kishte urdhëruar Adamin dhe Evën të mos hanin «nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes», se ndryshe do të vdisnin për mosbindjen e tyre. Prapëseprapë, me anë të një gjarpri, Satanai i tha Evës: «Ju s’keni për të vdekur aspak [gënjeshtra e parë fare]. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»—Zan. 2:15-17; 3:1-5. w18.10 6 ¶1-2

E diel, 16 shkurt

Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse do të shohin Perëndinë!—Mat. 5:8.

Që ta mbajmë zemrën të pastër, duhet të jemi të pastër nga brenda e të ushqejmë ndjenja e dëshira të dëlira. Duhet t’i mbajmë të pastra mendimet tona, që adhurimi ynë të jetë i pandotur në sytë e Jehovait. (2 Kor. 4:2; 1 Tim. 1:5) Por si e «shohin Perëndinë» njerëzit me zemër të pastër kur ‘asnjë njeri nuk mund ta shohë [Perëndinë] e të jetojë’? (Eks. 33:20) Fjala greke e përkthyer «shoh», mund të ketë kuptimin «të shohësh me mendje, të kuptosh, të njohësh». Ata që e shohin Perëndinë me «sytë e zemrës», janë ata që e kanë njohur vërtet dhe i çmojnë cilësitë e tij. (Efes. 1:18) Përveçse të njohin cilësitë e Perëndisë, adhuruesit e vërtetë mund ta «shohin Perëndinë» duke vëzhguar si vepron për të mirën e tyre. (Jobi 42:5) Gjithashtu, ata i përqendrojnë «sytë e zemrës» te bekimet e mrekullueshme që rezervon Perëndia për ata që bëjnë çmos të mbeten të pastër e t’i shërbejnë me besnikëri. w18.09 20 ¶13, 15-16

E hënë, 17 shkurt

Mençuria është gjëja më e rëndësishme, prandaj fito mençuri.—Prov. 4:7.

Kur bëjmë atë që e dimë se është e drejtë, korrim bekime të pasura. Ndonëse mençuria bazohet te njohuria, ajo lidhet veçanërisht me vendimet që marrim, jo thjesht me faktet që kuptojmë. Edhe milingonat tregojnë mençuri. Ato shfaqin mençuri instinktive duke e përgatitur ushqimin në verë. (Prov. 30:24, 25) Krishti, ‘mençuria e Perëndisë’, bën gjithmonë gjërat që i pëlqejnë Atit. (1 Kor. 1:24; Gjoni 8:29) Perëndia e di se të bësh zgjedhjen e duhur dhe të jetosh sipas saj, janë dy gjëra të ndryshme. E ai i shpërblen ata që vazhdojnë të tregojnë përulësi dhe që e zbatojnë atë që është e vërtetë. (Mat. 7:21-23) Ndaj, përpiqu të kultivosh vazhdimisht përulësi, për të ndihmuar që kongregacioni të jetë një vend ku lulëzon përulësia e vërtetë. Duhet kohë dhe durim për ta zbatuar atë që e dimë se është e vërtetë, por kjo është shenjë përulësie dhe sjell lumturi sot e përgjithmonë. w18.09 7 ¶18

E martë, 18 shkurt

Secili të shqyrtojë veprimet e tij . . . e jo të krahasohet me një tjetër.—Gal. 6:4.

Krijuesi kishte ndër mend që njerëzit e përsosur të bashkëpunonin me të për t’i bërë realitet qëllimet e tij. Edhe pse tani njerëzimi është i papërsosur, njerëzit që besojnë te Jehovai mund të bashkëpunojnë me të çdo ditë. Për shembull, ne bëhemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» kur predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe bëjmë dishepuj. (1 Kor. 3:5-9) Çfarë privilegji është të quhemi të denjë të bashkëpunojmë me Krijuesin e plotfuqishëm të universit në një vepër që ai e konsideron të rëndësishme! Ama, predikimi dhe bërja e dishepujve nuk janë të vetmet mënyra si bashkëpunojmë me Jehovain. Mënyra të tjera si mund ta bëjmë këtë janë: kur i bëhemi krah familjes dhe bashkadhuruesve, kur jemi mikpritës, kur ofrohemi vullnetarisht për projekte teokratike dhe kur zgjerojmë shërbimin tonë të shenjtë. (Kolos. 3:23) Por, mos e krahaso atë që mund të bësh ti për Jehovain me atë që mund të bëjnë të tjerët. Mbaj parasysh se mosha, shëndeti, rrethanat dhe aftësitë ndryshojnë nga njëri te tjetri. w18.08 23 ¶1-2

E mërkurë, 19 shkurt

Prite plot shpresë, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë.—Hab. 2:3.

Jehovai e siguroi Habakukun se do të merrte përgjigje për pyetjet e sinqerta. Së shpejti ai do të lehtësohej nga gjithë shqetësimet. Me fjalë të tjera, Perëndia i tha profetit: «Ki durim, beso tek unë. Përgjigjja ime do të vijë edhe pse duket sikur po vonon!» Jehovai i kujtoi se kishte një kohë të caktuar për plotësimin e premtimeve të Tij. E këshilloi Habakukun të priste realizimin e qëllimeve të Tij. Në fund, profeti nuk do të zhgënjehej. Edhe ne duhet të presim me durim Jehovain dhe t’i kushtojmë shumë vëmendje asaj që na thotë. Kjo do të na ndihmojë të kemi besim dhe një zemër të qetë, pavarësisht problemeve dhe vështirësive. Jezui na siguroi se mund të besojmë se Jehovai është i vetmi që përcakton dhe respekton afatet kohore, e na nxiti të mos përqendrohemi te «kohët ose stinët» që Perëndia nuk na i ka zbuluar akoma. (Vep. 1:7) Prandaj, mos u dorëzofshim, por le të presim me përulësi, besim e durim duke e përdorur me mençuri kohën që kemi për të bërë më të mirën në shërbim të Jehovait!—Mar. 13:35-37; Gal. 6:9. w18.11 16 ¶13-14

E enjte, 20 shkurt

Perëndia më tregoi se nuk duhet të quaj asnjeri të ndotur ose të papastër.—Vep. 10:28.

Ashtu si judenjtë e tjerë të kohës së tij, edhe Pjetri ishte rritur me bindjen se jojudenjtë ishin të papastër. Mirëpo, Pjetrit i kishin ndodhur disa gjëra që e nxitën të rishqyrtonte pikëpamjen e tij. Për shembull, Pjetri mori një vegim nga Perëndia. (Vep. 10:9-16) Edhe ne, si Pjetri, duhet ta analizojmë veten me kujdes dhe të jemi të gatshëm të pranojmë ndihmë për të pikasur çdo gjurmë paragjykimi që mund të na ketë mbetur në zemër. Ç’gjë tjetër mund të bëjmë? Nëse e hapim plotësisht zemrën, do të lejojmë që dashuria t’ua zërë vendin paragjykimeve. (2 Kor. 6:11-13) A e ke zakon të mbash shoqëri të ngushtë vetëm me njerëz të racës, prejardhjes, kombësisë, fisit ose gjuhës sate? Nëse po, zgjerohu. Pse të mos ftosh persona me prejardhje tjetër të dalin me ty në shërbim ose t’i ftosh në shtëpi për të ngrënë diçka a për një aktivitet shoqëror? (Vep. 16:14, 15) Po të bësh kështu, do ta mbushësh zemrën me aq shumë dashuri, sa nuk do të ketë vend fare për paragjykime. w18.08 9 ¶3, 6; 10 ¶7

E premte, 21 shkurt

Mos u bëni pengesë.—1 Kor. 10:32.

Disa Dëshmitarë nuk e kanë hedhur poshtë me vendosmëri sjelljen e botës. Kërcimi dhe veprimet e tyre nëpër festa nuk janë aspak të pranueshme për të krishterët. Ata postojnë në rrjete sociale fotografi ku kanë dalë vetë ose komente që nuk u kanë hije shërbëtorëve të Jehovait. Prandaj mund të ndikojnë për keq te motrat e vëllezërit që po përpiqen fort të mbajnë një sjellje të shkëlqyer mes popullit të Jehovait. (1 Pjet. 2:11, 12) Bota nxit me forcë dëshirat e trupit mëkatar, dëshirat e syve dhe mburrjen me të mirat materiale. (1 Gjon. 2:16) Mirëpo, ngaqë i përkasim Jehovait, ne nxitemi «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote». (Titit 2:12) Mënyra si flasim, zakonet në të ngrënë e në të pirë, veshja dhe paraqitja jonë, etika e punës—pra, çdo gjë që bëjmë—duhet t’u tregojë atyre që na shohin se jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait. w18.07 25 ¶13-14

E shtunë, 22 shkurt

Ne i mbajmë sytë te ti, o Jehova, Perëndia ynë, derisa të na tregosh mëshirë.—Psal. 123:2.

Nëse i mbajmë sytë të përqendruar te Jehovai, nuk do të lejojmë që veprimet e të tjerëve të na mbushin me hidhësi ose të na dëmtojnë marrëdhënien me Të. Kjo është e rëndësishme sidomos nëse, ashtu si Moisiu, kemi njëfarë përgjegjësie në organizatën e Perëndisë. Vërtet, secili nga ne ka nevojë ‘të vazhdojë të punojë për shpëtimin e vetes me frikë dhe me dridhma’. Por duhet të mbajmë ndër mend se Jehovai nuk na gjykon sipas një standardi të ngurtë e joelastik. (Filip. 2:12) Përkundrazi, sa më shumë përgjegjësi të kemi, aq më shumë i japim llogari Jehovait. (Luka 12:48) Ama, nëse e duam vërtet Jehovain, asgjë nuk do të na pengojë ose nuk do të na ndajë nga dashuria e tij. (Psal. 119:165; Rom. 8:37-39) Në këto kohë të vështira, le t’i ngremë vazhdimisht sytë drejt Atij «që banon në qiej», me qëllim që të dallojmë cili është vullneti i tij. (Psal. 123:1) Mos lejofshim kurrë që veprimet e të tjerëve të ndikojnë për keq te marrëdhënia jonë me Jehovain! w18.07 16 ¶19-20

E diel, 23 shkurt

Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që . . . t’i japin lavdi Atit tuaj.—Mat. 5:16.

Sa drithëruese është kur dëgjon për rritjen që ndodh mes popullit të Jehovait! Në vitin 2017 u drejtuan rregullisht mbi 10.000.000 studime biblike. Kjo tregon pa pikë dyshimi se shërbëtorët e Perëndisë po e lënë dritën e tyre të ndriçojë! Mendo edhe për miliona të interesuar që mirëpritëm në Përkujtim. Ata patën mundësi të mësonin për dashurinë që shfaqi Perëndia kur siguroi shpërblesën. (1 Gjon. 4:9) Anë e kënd botës, shërbëtorët e Jehovait flasin shumë gjuhë të ndryshme. Megjithatë, kjo nuk na pengon ta lëvdojmë në unitet Atin tonë, Jehovain. (Zbul. 7:9) Pavarësisht nga gjuha amtare ose nga vendi ku jetojmë, ne mund të shkëlqejmë «si ndriçues në botë». (Filip. 2:15) Rritja që vërejmë, uniteti që gëzojmë dhe qëndrimi vigjilent që përpiqemi të mbajmë, janë që të gjitha mënyra si i japim lavdi Jehovait. w18.06 21 ¶1-3

E hënë, 24 shkurt

Rabi, ha diçka.—Gjoni 4:31.

Përgjigjja e Jezuit tregoi se e kishte përpirë aq shumë ajo bisedë për besimin, sa uria e tij nuk kishte edhe aq rëndësi. Vullneti i Atit të tij ishte të predikonte—qoftë edhe një gruaje samaritane—dhe për Jezuin ishte si ushqim të bënte vullnetin e Atit. (Gjoni 4:32-34) Jakovi dhe Gjoni nuk e kapën këtë mësim. Kur po udhëtonin me Jezuin përmes Samarisë, dishepujt kërkuan të kalonin natën në një fshat samaritan. Samaritanët nuk donin t’i mikpritnin, ndaj Jakovi dhe Gjoni plot zemërim sugjeruan të zbriste zjarr nga qielli që ta shfaroste krejt fshatin. Jezui i qortoi prerazi. (Luka 9:51-56) Kushedi nëse Jakovi dhe Gjoni do të kishin reaguar po njësoj sikur fshati jomikpritës të ndodhej në krahinën e tyre, në Galile. Ka shumë të ngjarë që kjo armiqësi të ishte ushqyer nga paragjykimet. Mbase apostullit Gjon i erdhi turp për atë shpërthim zemërimi kur më vonë u kënaq gjatë një fushate të suksesshme predikimi mes samaritanëve.—Vep. 8:14, 25. w18.06 10-11 ¶12-13

E martë, 25 shkurt

Qëndroni . . . të patundur, me brezin e së vërtetës të ngjeshur në mes.—Efes. 6:14.

Kur të vërtetën e Biblës e kemi, si të thuash, të ngjeshur pas vetes si një brez, do të ndihemi të motivuar të jetojmë në harmoni me të dhe të themi të vërtetën në çdo rast. Pse bëjmë kujdes të mos themi gënjeshtra? Sepse gënjeshtra ka qenë një nga armët më të efektshme të Satanait. Gënjeshtra dëmton edhe atë që e thotë, edhe atë që e beson. (Gjoni 8:44) Prandaj ne bëjmë maksimumin si njerëz të papërsosur që të mos themi gënjeshtra. (Efes. 4:25) Megjithatë, kjo mund të jetë e vështirë. Abigaila 18-vjeçare thotë: «Ndoshta jo gjithmonë duket se ia vlen të thuash të vërtetën, sidomos kur një gënjeshtër mund të të nxjerrë nga një situatë e sikletshme.» Atëherë, pse të thuash të vërtetën? Viktoria 23-vjeçare vëren: «Kur thua të vërtetën dhe mbron bindjet e tua, mund të bëhesh shënjestër e bullizmit. Ama, dobitë gjithmonë janë fantastike: fiton siguri, ndihesh më afër Jehovait dhe fiton respektin e atyre që të duan.» Pa dyshim, ia vlen ta mbash gjithmonë «të ngjeshur në mes» brezin e së vërtetës. w18.05 28 ¶3, 5

E mërkurë, 26 shkurt

Qëndroni vigjilentë.—Mat. 24:42.

Ndërsa këto kohë kritike sa vijnë e keqësohen, të gjithë kemi nevojë të qëndrojmë vigjilentë. Jehovai do të veprojë tamam në kohën e duhur. (Mat. 24:42-44) Ndërkohë, trego durim duke qenë gjithmonë syçelë. Lexoje çdo ditë Fjalën e Perëndisë dhe ji vigjilent në lidhje me lutjet. (1 Pjet. 4:7) Kushtoju vëmendje shembujve të shkëlqyer të vëllezërve e motrave që rrezatojnë gëzim ngaqë po qëndrojnë vigjilentë dhe po e lënë dritën e tyre të ndriçojë. Mbushe jetën tënde me aktivitete dhe shoqëri inkurajuese. Kjo do të bëhet burim i madh gëzimi, dhe do të të duket sikur koha po fluturon. (Efes. 5:16) Sa na e forcon besimin fakti që papërsosmëria jonë nuk është pengesë që t’i shërbejmë Jehovait në mënyrë të pranueshme! Prandaj duhet t’i çmojmë ‘dhuratat në njerëz’ që ka siguruar Ai, pra pleqtë e kongregacionit. (Efes. 4:8, 11, 12) Herën tjetër që do të të vizitojë një plak, shfrytëzoje rastin për të nxjerrë dobi nga mençuria dhe nga këshillat e tij. w18.06 24-25 ¶15-18

E enjte, 27 shkurt

Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time.—Gjoni 15:10.

Jezui nuk u tha dishepujve thjesht të ishin në dashurinë e tij, por ‘të qëndronin në dashurinë e tij’. Pse? Sepse që të jetosh si dishepull i vërtetë i Krishtit vit pas viti, kërkohet qëndrueshmëri. Jezui e theksoi sa e nevojshme është qëndrueshmëria duke e përsëritur shumë herë në forma të ndryshme fjalën ‘qëndroj’ në fragmentin e shkurtër të dokumentuar te Gjoni 15:4-10. Si e tregojmë se duam të qëndrojmë në dashurinë e Krishtit dhe të vazhdojmë të kemi miratimin e tij? Duke zbatuar urdhërimet e Jezuit. E thënë thjesht, Jezui na kërkon t’i bindemi. Ama, Jezui na kërkon të bëjmë vetëm atë që bëri edhe vetë, pasi më tej shtoi: «Ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.» Jezui na ka lënë shembullin. (Gjoni 13:15) Duke zbatuar urdhërimin e Jezuit që të shkojmë e të predikojmë, tregojmë edhe dashurinë tonë për Perëndinë, sepse urdhërimet e Jezuit pasqyrojnë mënyrën si mendon Ati i tij. (Mat. 17:5; Gjoni 8:28) Jehovai dhe Jezui i përgjigjen dashurisë që shfaqim për ta duke na mbajtur në dashurinë e tyre. w18.05 18 ¶5-7

E premte, 28 shkurt

Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses.—Prov. 21:5.

Adoleshentët duhet të marrin vendime për arsimimin, për punën e për gjëra të tjera. Nëse e di cilat janë synimet e tua, e ke më të lehtë të marrësh vendime të mira. Sa më herët të bësh plane duke vënë synime të mira, aq më shpejt do të kesh sukses. Mijëra të rinj në kongregacionet rreth e qark botës meritojnë t’i lavdërojmë nga zemra. Ata e lënë veten në duart e Jehovait dhe e përqendrojnë jetën te synimet teokratike. Këta të rinj e gëzojnë jetën plotësisht, e në të njëjtën kohë mësojnë të ndjekin drejtimin e Jehovait në gjithçka bëjnë. Këtu përfshihen edhe marrëdhëniet familjare. «Beso te Jehovai me gjithë zemër,—shkroi Solomoni.—Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Prov. 3:5, 6) Të rinjtë në kongregacionin e krishterë janë të çmuar në sytë e Jehovait. Ai i do me gjithë zemër e u jep mbrojtje, udhëheqje dhe bekimet e tij. w18.04 26 ¶7; 27 ¶9

E shtunë, 29 shkurt

Ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin.—Gjoni 13:34.

Apostulli Gjon ishte një shtyllë në kongregacionin e shekullit të parë. Tregimi aq tërheqës i Ungjillit të tij për shërbimin e Jezuit ka qenë burim inkurajimi për të krishterët ndër shekuj—e kështu është akoma. Vetëm në Ungjillin e tij janë dokumentuar fjalët e Jezuit se dashuria është shenja dalluese e dishepujve të vërtetë. (Gjoni 13:35) Tri letrat e Gjonit përmbajnë xhevahire të tjera të së vërtetës. Kur ndihemi të dërrmuar nga barra e mëkateve, a nuk lehtësohemi kur lexojmë se «gjaku i Jezuit . . . na pastron nga çdo mëkat»? (1 Gjon. 1:7) Dhe nëse zemra jonë vazhdon të na dënojë, a nuk na mblidhet një lëmsh në grykë dhe lot mirënjohjeje në sy kur lexojmë se «Perëndia është më i madh se zemra jonë»? (1 Gjon. 3:20) Gjoni është i vetmi që shkroi fjalët «Perëndia është dashuri». (1 Gjon. 4:8, 16) Në letrën e tij të dytë dhe të tretë lavdërohen të krishterët që vazhdojnë «të ecin në të vërtetën».—2 Gjon. 4; 3 Gjon. 3, 4. w18.04 18 ¶14-15

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo