Mars
E diel, 1 mars
Ti je Sovran mbi çdo gjë.—1 Kron. 29:12.
Kur lexojmë dy kapitujt e parë të Zanafillës, mund të dallojmë kollaj se Adami dhe Eva gëzonin atë lloj lirie që njerëzit sot vetëm sa e ëndërrojnë—liri nga skamja, nga frika dhe nga shtypja. Çifti i parë ishte plotësisht i lirë nga shqetësimet për ushqimin, punën, sëmundjet dhe vdekjen. (Zan. 1:27-29; 2:8, 9, 15) Megjithatë, kur bëhet fjalë për lirinë, një pikë kyçe që duhet të mbajmë parasysh është se vetëm Perëndia Jehova ka atë që mund të quhet liri absolute dhe e pakufizuar. Pse? Sepse ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe Sovrani i plotfuqishëm i universit. (1 Tim. 1:17; Zbul. 4:11) Prandaj, të gjitha krijesat në qiell e në tokë kanë liri vetëm në kuptimin relativ. Ato duhet të pranojnë se Perëndia Jehova ka autoritetin suprem për të vënë kufij që ai i përcakton si të drejtë, të nevojshëm e të arsyeshëm. Në fakt, pikërisht kështu veproi Perëndia Jehova që në fillim me krijesat njerëzore. w18.04 4 ¶4, 6
E hënë, 2 mars
Sa të bukura janë . . . këmbët e atij që sjell lajmin e mirë.—Isa. 52:7.
Në këtë sistem, ne tregojmë qëndrueshmëri vetëm falë ndihmës së Jehovait. (2 Kor. 4:7, 8) Por mendo për ata që luftojnë të mbijetojnë në këtë botë pa pasur miqësi të ngushtë me Jehovain. Ashtu si Jezui, ndiejmë keqardhje për ta, dhe kjo na shtyn t’u japim «lajmin e mirë për diçka më të mirë». Prandaj ji i duruar me ata që mëson. Mos harro, ata mund të mos kenë menduar kurrë për disa nga të vërtetat biblike që ne i njohim në majë të gishtave. Gjithashtu, shumë veta kanë një lidhje të fortë emocionale me bindjet e tyre. Ndoshta i shohin pikëpamjet e tyre fetare si një urë që i bashkon me familjen, kulturën dhe komunitetin e tyre. Nëse duam që njerëzit t’i lënë pas bindjet «e vjetra» që i kanë për zemër, së pari duhet t’i ndihmojmë që të çmojnë shumë të vërtetat «e reja»—mësimet biblike që në fillim nuk i njihnin. Vetëm atëherë do të jenë gati t’i braktisin bindjet e mëparshme. Për t’i ndihmuar të bëjnë ndryshime të tilla mund të duhet kohë.—Rom. 12:2. w19.03 23 ¶10, 12; 24 ¶13
E martë, 3 mars
Unë të kam miratuar.—Mar. 1:11.
Shembulli që la Jehovai në shprehjen e dashurisë dhe çmueshmërisë, na kujton të kërkojmë mundësi për t’i inkurajuar të tjerët. (Gjoni 5:20) Ne çelemi kur dikush që e kemi për zemër na tregon dashuri dhe na lavdëron për gjërat e mira që bëjmë. Po njësoj, vëllezërit e motrat në kongregacion dhe pjesëtarët e familjes kanë nevojë për dashurinë e inkurajimin tonë. Kur i lavdërojmë të tjerët, u forcojmë besimin dhe i ndihmojmë t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait. Prindërit në veçanti duhet t’i inkurajojnë fëmijët. Kur i lavdërojnë sinqerisht dhe u shfaqin dashuri, i ndihmojnë fëmijët të lulëzojnë. Fjalët «unë të kam miratuar» tregojnë se Jehovai ishte i sigurt që Jezui do ta kryente me besnikëri vullnetin e Atit të tij. Përderisa Jehovai ka këtë siguri tek i Biri, edhe ne mund të jemi plotësisht të sigurt se Jezui do t’i përmbushë me besnikëri gjithë premtimet e Jehovait. (2 Kor. 1:20) Kur meditojmë për shembullin e Jezuit, na forcohet vendosmëria që të mësojmë nga ai dhe të ecim në gjurmët e tij.—1 Pjet. 2:21. w19.03 8 ¶3; 9 ¶5-6
E mërkurë, 4 mars
Ligji i frymës që u jep jetë atyre që janë në unitet me Krishtin Jezu, ju ka çliruar nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.—Rom. 8:2.
Kur e kuptojmë vlerën e vërtetë të një dhurate të shtrenjtë, nxitemi të tregojmë mirënjohje për atë që na e ka dhuruar. Izraelitët nuk e çmuan lirinë që u dha Jehovai kur i çliroi nga skllavëria në Egjipt. Vetëm pak muaj pas çlirimit, nisën të dëshironin ushqimet që kishin pasur në Egjipt dhe u ankuan për të mirat që siguronte Jehovai, madje arritën deri aty sa donin të ktheheshin në Egjipt. Mendo pak, ata i vunë ‘peshqit, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët dhe hudhrat’ para lirisë që u kishte dhënë Jehovai për të adhuruar atë, Perëndinë e vërtetë. A është çudi, pra, që Jehovait iu ndez një zemërim i madh ndaj popullit të tij? (Num. 11:5, 6, 10; 14:3, 4) Ç’mësim i fuqishëm për ne sot! Apostulli Pavël i nxit të gjithë të krishterët të mos e humbin mirënjohjen për lirinë që u ka dhënë me dashamirësi Jehovai, nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit.—2 Kor. 6:1. w18.04 9-10 ¶6-7
E enjte, 5 mars
Ai e do drejtësinë dhe paanësinë; toka është plot e përplot me dashurinë besnike të Jehovait.—Psal. 33:5.
Të gjithë dëshirojmë të na duan. Dhe të gjithë dëshirojmë të na trajtojnë me drejtësi. Nëse na mohohen vazhdimisht dashuria dhe drejtësia, mund të ndihemi të pavlerë e të pashpresë. Jehovai e di se zemra jonë është e etur për dashuri dhe drejtësi. Mund të jemi të sigurt se Perëndia ynë na do fort dhe dëshiron të na trajtojnë me drejtësi. Kjo shihet qartë kur shqyrtojmë Ligjin që i dha Jehovai kombit të Izraelit nëpërmjet Moisiut. Ndërsa studiojmë Ligjin e Moisiut, zbulojmë ndjenjat e ngrohta të Perëndisë tonë të dashur, Jehovait. (Rom. 13:8-10) Mund të themi se Ligji i Moisiut bazohej te dashuria, sepse dashuria e motivon Jehovain në gjithçka bën. (1 Gjon. 4:8) Jehovai e themeloi gjithë atë kod ligjor mbi dy urdhërime bazë—duaje Perëndinë dhe duaji të tjerët. (Lev. 19:18; Ligj. 6:5; Mat. 22:36-40) Secili nga më shumë se 600 urdhërimet që përbëjnë Ligjin, zbulon një aspekt të dashurisë së Jehovait. w19.02 20-21 ¶1-4
E premte, 6 mars
Ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.—Mat. 6:21.
Jobi bënte kujdes për mënyrën si sillej ndaj grave. (Jobi 31:1) Ai e dinte se ishte e papërshtatshme t’i kushtonte vëmendje romantike ndonjë gruaje tjetër përveç gruas së vet. Sot, ne jetojmë në një botë që na bombardon me tundime seksuale. Ashtu si Jobi, a do të refuzojmë t’i kushtojmë vëmendje të papërshtatshme dikujt që nuk është bashkëshorti ynë? A do të refuzojmë edhe të shohim pamje të fëlliqura a pornografike në çfarëdo forme? (Mat. 5:28) Nëse tregojmë çdo ditë vetëkontroll, do të marrim forcë që ta mbajmë integritetin. Jobi i bindej Jehovait edhe në pikëpamjen që kishte për gjërat materiale. Ai e kuptonte se po të kishte besim te zotërimet e tij, do të bënte një gabim të rëndë që meritonte ndëshkim. (Jobi 31:24, 25, 28) Sot, jetojmë në një botë tepër materialiste. Nëse zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për paratë dhe të mirat materiale, siç na këshillon Bibla, do të forcojmë vendosmërinë që të mbajmë integritetin.—Prov. 30:8, 9; Mat. 6:19, 20. w19.02 6 ¶13-14
E shtunë, 7 mars
Ashtu si Ati më ka dashur mua, ashtu ju kam dashur edhe unë.—Gjoni 15:9.
Jezui pasqyroi përsosmërisht në çdo gjë që bëri dashurinë e madhe të Jehovait për ne. (1 Gjon. 4:8-10) Mbi të gjitha, Jezui u nxit nga zemra të jepte jetën për ne. Qoftë nëse jemi të mirosur, qoftë nëse jemi nga ‘delet e tjera’, nxjerrim dobi nga dashuria që kanë treguar për ne Jehovai dhe Biri i tij me anë të këtij flijimi. (Gjoni 10:16; 1 Gjon. 2:2) Gjithashtu, mendo ç’lloj ceremonie është darka e Përkujtimit, sepse kjo nxjerr në pah dashurinë dhe konsideratën e Jezuit për dishepujt e tij. Në ç’mënyrë? Jezui tregoi dashuri për dishepujt e tij të lindur nga fryma duke vendosur që ata të mbanin jo një rit të ndërlikuar, por një darkë të thjeshtë. Ndërsa koha kalonte, ata dishepuj të mirosur duhej ta mbanin çdo vit Përkujtimin, e në rrethana nga më të ndryshmet, përfshirë edhe burgosjen. (Zbul. 2:10) A kishin mundësi t’i bindeshin Jezuit? Po, pa diskutim! Që nga koha e Jezuit e deri më sot, të krishterët e vërtetë janë përpjekur ta përkujtojnë vdekjen e tij. w19.01 24 ¶13-15
E diel, 8 mars
Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.—Gjoni 8:32.
Kjo liri përfshin lirinë nga feja e rreme, nga padija dhe nga bestytnitë. Por nuk mbaron me kaq. Në fund ajo do të përfshijë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Shijoje këtë liri që tani duke ‘qëndruar në fjalën’ ose në mësimet e Krishtit. (Gjoni 8:31) Në këtë mënyrë, do të arrish ‘ta njohësh të vërtetën’ jo vetëm duke e mësuar, por edhe duke jetuar sipas saj. Në këtë sistem të vjetër, edhe një jetë e ashtuquajtur e mirë është gjithsesi e pasigurt dhe e shkurtër. Ne s’e dimë çfarë do të sjellë e nesërmja. (Jak. 4:13, 14) Ndaj gjëja më e mençur është të qëndrosh në shtegun që çon drejt ‘jetës së vërtetë’—jetës së përhershme. (1 Tim. 6:19) Patjetër, Perëndia nuk të detyron të ecësh në këtë shteg. Zgjedhja të takon ty. Bëje Jehovain ‘pjesën’ tënde. (Psal. 16:5) Çmoji ‘të mirat’ e shumta që të ka dhënë. (Psal. 103:5) Dhe ki besim se ai mund ‘të të ngopë me gëzim’ dhe të të bëjë përgjithnjë të lumtur.—Psal. 16:11. w18.12 28 ¶19, 21
E hënë, 9 mars
Burri të mos e lërë gruan.—1 Kor. 7:11.
Të gjithë të krishterët duhet të bëjnë çmos të tregojnë vlerësim të thellë për martesën, siç bëjnë Jezui dhe Jehovai. Mirëpo disa nuk veprojnë kështu, sepse njerëzit janë të papërsosur. (Rom. 7:18-23) Prandaj, s’ka pse të skandalizohemi që disa të krishterë në shekullin e parë kishin probleme në martesë. Pavli shkroi: «Gruaja të mos ndahet nga burri.» Por në disa raste ata ndaheshin. (1 Kor. 7:10) Pavli nuk e shpjegoi cilat ishin shkaqet e një ndarjeje të tillë. Problemi nuk ishte, për shembull, që burri kishte qenë imoral, e kështu gruaja kishte një bazë që të divorcohej e të rimartohej. Pavli shkroi se një grua që ndahej nga burri duhej ‘të mbetej e pamartuar ose përndryshe të pajtohej sërish me burrin’. Kështu ata të dy ishin ende të bashkuar në sytë e Perëndisë. Siç këshilloi Pavli, çfarëdo problemesh ta shkaktojnë ndarjen, nëse nuk është kryer imoralitet seksual, synimi duhet të jetë pajtimi. Çifti mund t’u kërkojë pleqve të kongregacionit ndihmë të bazuar te Shkrimet. w18.12 13 ¶14-15
E martë, 10 mars
Vazhdoni . . . të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.—Mat. 6:33.
Sot, vullneti i Perëndisë për shërbëtorët e tij është që të zhvillojnë miqësinë me të dhe të marrin pjesë sa më plotësisht në veprën e tij. (Mat. 28:19, 20; Jak. 4:8) Disa, të nisur nga e mira, mund të përpiqen të na devijojnë nga kjo udhë. Për shembull, ç’të themi nëse punëdhënësi të ofron ngritje në detyrë me një rrogë goxha më të madhe, por që do të të pengonte për aktivitetet teokratike? Ose nëse je në shkollë, mendo sikur të ofrojnë mundësinë të transferohesh larg shtëpisë për të marrë arsimim të mëtejshëm. Në atë moment, mos ndoshta do të kesh nevojë të lutesh, të këshillohesh me të tjerë dhe pastaj të marrësh vendimin? Pse të mos e mësosh që tani se çfarë mendon Jehovai për çështje të tilla dhe të përpiqesh t’i bësh të tuat mendimet e tij? Pastaj, nëse të vjen ndonjëherë një ofertë e tillë, zor se do të jetë tunduese për ty. Synimet teokratike i ke të qarta, zemra jote është e vendosur dhe mbetet vetëm ta zbatosh vendimin që tashmë ke marrë. w18.11 27 ¶18
E mërkurë, 11 mars
Më shumë se çdo gjë tjetër ruaj zemrën.—Prov. 4:23.
Solomoni u bë mbret i Izraelit kur ishte veç një djalosh. Aty nga fillimi i mbretërimit të tij, Jehovai iu shfaq në një ëndërr dhe i tha: «Më thuaj: ç’dëshiron të të jap?» Solomoni iu përgjigj: «Unë s’jam veçse një fëmijë dhe pa përvojë. . . . Jepi shërbëtorit tënd një zemër të bindur për të gjykuar popullin tënd.» (1 Mbret. 3:5-10) «Një zemër të bindur»—çfarë modestie tregoi me këtë kërkesë! S’është çudi që Jehovai e donte Solomonin! (2 Sam. 12:24) Perëndia ynë u kënaq aq shumë nga përgjigjja e mbretit të ri në moshë, sa i dha «një zemër të mençur e me kuptueshmëri». (1 Mbret. 3:12) Për sa kohë qëndroi besnik, Solomoni gëzoi shumë bekime. Pati nderin të ndërtonte një tempull «për emrin e Jehovait, Perëndisë së Izraelit». (1 Mbret. 8:20) Mori famë për mençurinë që i dha Perëndia. Dhe gjërat që tha kur ishte i frymëzuar nga Perëndia, janë hedhur me shkrim në tre libra të Biblës. Një prej tyre është libri i Proverbave. w19.01 14 ¶1-2
E enjte, 12 mars
Mjaft u brumosët sipas kallëpit të kësaj bote.—Rom. 12:2.
Disa njerëz duan që askush të mos i brumosë ose të ndikojë te mendimet e tyre. Ata shprehen: «Unë i mendoj gjërat vetë.» Ka shumë mundësi që duan të thonë se i marrin vendimet vetë dhe se kjo është e drejta e tyre. Nuk duan të kontrollohen nga të tjerët, e as nuk duan të heqin dorë nga individualiteti i tyre. Gjithsesi, mund të jemi të sigurt se kur përputhim mendimet tona me ato të Jehovait s’do të thotë se do të heqim dorë nga gjithë mendimet individuale ose nga mënyra unike si e shprehim personalitetin tonë. Siç thotë 2 Korintasve 3:17, «atje ku është fryma e Jehovait, është liria». Ne jemi të lirë të zhvillojmë personalitetin tonë unik. Mund të kemi preferencat tona dhe të zgjedhim me çfarë na pëlqen të merremi. Në fakt, Jehovai na krijoi në mënyrë të tillë. Megjithatë, nuk mund ta përdorim lirinë tonë pa fre. (1 Pjet. 2:16) Në çështje që kanë të bëjnë me të drejtën dhe të gabuarën, Jehovai dëshiron të udhëhiqemi nga mënyra si mendon ai, të cilën e ka zbuluar në Fjalën e tij. w18.11 19 ¶5-6
E premte, 13 mars
Dema më braktisi, ngaqë donte këtë botë.—2 Tim. 4:10.
Që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën, duhet t’i mbajmë gjërat materiale në vendin e duhur. Kur mësuam të vërtetën, aktivitetet teokratike u bënë shumë më të rëndësishme për ne se të mirat materiale. Bëmë me kënaqësi sakrifica materiale me qëllim që të ecnim në të vërtetën. Por, ndërsa koha kalon, mund të shohim që të tjerët blejnë pajisjet elektronike më të fundit ose gëzojnë të mira të tjera materiale. Mund të fillojmë të ndihemi sikur po humbim diçka. Ngaqë nuk jemi më të kënaqur me gjërat e nevojshme, mund t’i lëmë mënjanë aktivitetet teokratike për të grumbulluar të mira materiale. Kjo na sjell ndër mend rrugën që ndoqi Dema. Dashuria për «këtë botë» e shtyu të braktiste caktimin në shërbim përkrah apostullit Pavël. Pse e la Pavlin Dema? Bibla nuk e thotë nëse donte gjërat materiale më shumë se aktivitetet teokratike apo nëse nuk ishte më i gatshëm të bënte sakrifica për të shërbyer bashkë me Pavlin. Pa dyshim, ne nuk duam të rindezim dëshirën për të mirat materiale dhe të lejojmë që këto gjëra joshëse të na mbytin dashurinë për të vërtetën. w18.11 10 ¶9
E shtunë, 14 mars
Ju s’keni për të vdekur aspak.—Zan. 3:4.
Gënjeshtra e Satanait ishte keqdashëse, sepse ai e dinte fare mirë që nëse Eva e besonte dhe hante frytin, do të vdiste. Eva dhe Adami nuk iu bindën urdhrit të Jehovait dhe në fund vdiqën. (Zan. 3:6; 5:5) Veç kësaj, nëpërmjet këtij mëkati, «vdekja u përhap në të gjithë njerëzit». Në fakt, «vdekja mbretëroi . . . edhe mbi ata që s’kishin mëkatuar ashtu si bëri shkelje Adami». (Rom. 5:12, 14) Sot, në vend që të gëzojnë jetën e përsosur e të pafund që kishte si qëllim Perëndia në fillim, është arritje nëse njerëzit jetojnë ‘shtatëdhjetë vjet, dhe më të fortët, tetëdhjetë’. Gjithsesi, jeta shpesh është plot «telashe e të këqija». (Psal. 90:10) Sa tragjike, dhe e gjithë kjo si pasojë e gënjeshtrës së Satanait! Duke shpjeguar veprimet e Djallit, Jezui tha se ai «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të». (Gjoni 8:44) E vërteta nuk është akoma te Satanai, sepse ai vazhdon ‘të mashtrojë gjithë tokën e banuar’ me gënjeshtrat e tij. (Zbul. 12:9) Ne nuk duam që Djalli të na mashtrojë. w18.10 6-7 ¶1-4
E diel, 15 mars
Lum paqebërësit, sepse do të quhen bij të Perëndisë!—Mat. 5:9.
Ata që marrin iniciativën të bëjnë paqe, kanë arsye të forta që të jenë të lumtur. Dishepulli Jakov shkroi: «Fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe.» (Jak. 3:18) Kur kemi marrëdhënie të tendosura me dikë në kongregacion a në familje, mund t’i përgjërohemi Perëndisë të na ndihmojë të jemi paqebërës. Kjo çel rrugën që fryma e shenjtë e Jehovait, sjellja e drejtë dhe lumturia të mbizotërojnë. Jezui theksoi sa rëndësi ka të marrim iniciativën që të bëjmë paqe, kur tha: «Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde.»—Mat. 5:23, 24. w18.09 21 ¶17
E hënë, 16 mars
Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin.—Gjoni 13:34.
Gjatë natës së fundit me dishepujt e tij, Jezui e përmendi dashurinë gati 30 herë. Ai tha shprehimisht se dishepujt e tij duhej ‘ta donin njëri-tjetrin’. (Gjoni 15:12, 17) Dashuria e tyre për njëri-tjetrin do të ishte aq e spikatur sa do t’i dallonte qartë si dishepujt e tij të vërtetë. (Gjoni 13:35) Kjo dashuri nuk është thjesht sentimentalizëm. Jezui po fliste për një cilësi shumë fisnike—për dashurinë vetëmohuese. Ai tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:13, 14.) Dashuria e sinqertë vetëmohuese dhe uniteti i pathyeshëm i shërbëtorëve të Jehovait sot, i identifikojnë ata si populli i Perëndisë. (1 Gjon. 3:10, 11) Sa mirënjohës jemi që mes shërbëtorëve të Jehovait mbizotëron një dashuri si ajo e Krishtit, pavarësisht nga kombësia, fisi, gjuha ose prejardhja e tyre! w18.09 12 ¶1-2
E martë, 17 mars
Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e familjes së vet, ai e ka mohuar besimin.—1 Tim. 5:8.
Jehovai pret që shërbëtorët e tij të kujdesen për familjen. Për shembull, ty mund të të duhet të punosh që të sigurosh të ardhura për njerëzit e tu të dashur. Shumë nëna rrinë në shtëpi që të përkujdesen për të vegjlit e tyre. Dhe disa fëmijëve të rritur mund t’u duhet të kujdesen për prindërit që kanë probleme shëndetësore. Këto janë gjëra të nevojshme. Nëse ke përgjegjësi të tilla, ndoshta nuk u kushton dot aq kohë sa do të doje aktiviteteve teokratike. Por merr zemër! Jehovai kënaqet kur ti siguron gjërat e nevojshme për familjen. (1 Kor. 10:31) Nëse nuk ke përgjegjësi familjare serioze, a mund t’u bëhesh krah bashkëbesimtarëve që kujdesen për një të sëmurë a të moshuar dhe atyre që janë të sëmurë, në moshë të thyer ose që kanë ndonjë nevojë tjetër? Pse të mos i hedhësh një sy kongregacionit tënd dhe të vëresh cilët kanë nevojë për ndihmë? Duke bërë kështu, mund të bashkëpunosh me Jehovain për t’iu përgjigjur një lutjeje.—1 Kor. 10:24. w18.08 24 ¶3, 5
E mërkurë, 18 mars
Perëndia ishte me të dhe e shpëtoi nga të gjitha vështirësitë. —Vep. 7:9, 10.
Jozefi ishte rreth 17 vjeç kur vëllezërit e tij, të shtyrë nga xhelozia, e shitën si skllav. Para kësaj, Jozefi kishte qenë biri më i shtrenjtë për të atin. (Zan. 37:2-4, 23-28) Për afro 13 vjet, Jozefit iu desh të duronte skllavërinë dhe burgosjen në Egjipt, larg babait të tij të dashur, Jakobit. Çfarë e ndihmoi Jozefin të mos zhytej në dëshpërim dhe mllef? Ndërsa vuante në burg, Jozefi duhet ta ketë përqendruar mendjen te dëshmitë e bekimeve të Jehovait. (Zan. 39:21; Psal. 105:17-19) Edhe ëndrrat profetike që kishte parë kur ishte më i ri, do t’i kenë dhënë Jozefit sigurinë se kishte miratimin e Jehovait. (Zan. 37:5-11) Ka shumë mundësi që ai ia zbrazi ankthin e zemrës Jehovait, dhe këtë nuk e bëri vetëm një herë. (Psal. 145:18) Në përgjigje të lutjeve të ndiera të Jozefit, Jehovai i dha sigurinë e brendshme se do të ishte «me të» në të gjitha sprovat. w18.10 28 ¶3-4
E enjte, 19 mars
Të shumtë janë miqtë e të pasurit, por fukaranë e urrejnë madje edhe shokët e vet.—Prov. 14:20.
Pasuria materiale është një faktor që mund të ndikojë te pikëpamja jonë për dikë. Por, si mund të ndikojë pasuria ose varfëria e dikujt te mënyra si e shohim? Fryma e shenjtë e nxiti Solomonin të dokumentonte një të vërtetë të trishtë për njerëzit e papërsosur, që tregohet te shkrimi i sotëm. Çfarë na mëson ky proverb? Nëse nuk tregojmë kujdes, mund të dëshirojmë miqësinë e vëllezërve të pasur e ndërkohë të shmangim vëllezërit e varfër. Pse është kaq e rrezikshme ta matim vlerën e të tjerëve duke u bazuar vetëm te pasuria e tyre? Sepse mund të krijojmë dallime klasore brenda kongregacionit. Dishepulli Jakov paralajmëroi se ky problem po përçante disa kongregacione në shekullin e parë. (Jak. 2:1-4) Duhet të jemi syçelë për të mos lejuar që kjo mënyrë të menduari të ndikojë në kongregacionin tonë sot dhe të sigurohemi se e luftojmë prirjen për të gjykuar sipas pamjes së jashtme. w18.08 10 ¶8-10
E premte, 20 mars
Kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.—1 Pjet. 4:8.
Mirënjohja për miqësinë e veçantë me Jehovain, tregohet te mënyra si i trajtojmë bashkadhuruesit. Edhe ata i përkasin Jehovait. Nëse nuk e harrojmë për asnjë çast këtë fakt, do t’i trajtojmë gjithmonë me mirësi dhe dashuri vëllezërit e motrat. (1 Sel. 5:15) Jezui u tha dishepujve të tij: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Është interesante që Malakia tha se Jehovai ‘kushton vëmendje dhe dëgjon’ teksa pjesëtarët e popullit të tij komunikojnë me njëri-tjetrin. (Mal. 3:16) Jehovai «i njeh ata që i përkasin». (2 Tim. 2:19) Atij s’i shpëton asgjë nga ato që bëjmë dhe themi. (Hebr. 4:13) Kur nuk jemi dashamirës me bashkadhuruesit, Jehovai ‘kushton vëmendje dhe dëgjon’. Kur jemi mikpritës, bujarë, të gatshëm të falim dhe dashamirës me njëri-tjetrin, mund të jemi të sigurt se Jehovai e vëren edhe këtë.—Hebr. 13:16. w18.07 26 ¶15, 17
E shtunë, 21 mars
Me [Jehovain] lidhu ngushtë.—Ligj. 10:20.
Është gjë me mend të qëndrojmë të lidhur me Jehovain. Askush nuk është më i fuqishëm, më i mençur a më i dashur se Perëndia ynë! E kush nga ne nuk do të donte të ishte në anën e tij? (Psal. 96:4-6) Megjithatë, disa adhurues të Perëndisë janë lëkundur kur situata e kërkonte që të merrnin anën e Jehovait. Të marrim rastin e Kainit. Ai nuk tha se adhuronte ndonjë perëndi tjetër përveç Jehovait. Megjithatë, Perëndia nuk e pranoi adhurimin e tij. Në skutat e zemrës së Kainit po rriteshin farat e ligësisë. (1 Gjon. 3:12) Jehovai u përpoq ta ndihmonte dhe i tha: «Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh pëlqimin tim? Por nëse jo, mëkati po të përgjon te porta dhe digjet nga dëshira për ty. Por ti, a do ta mposhtësh?» (Zan. 4:6, 7) Me fjalë të tjera Jehovai po i thoshte Kainit: «Nëse pendohesh dhe merr me vendosmëri anën time, atëherë edhe unë do të jem në anën tënde.» Por ai nuk ia vuri veshin këshillës. w18.07 17 ¶1, 3; 18 ¶4
E diel, 22 mars
Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve.—Mat. 5:16.
Një mënyrë si e lëmë dritën tonë të ndriçojë është duke predikuar lajmin e mirë dhe duke bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Veç kësaj, mund t’i japim lavdi Jehovait me sjelljen tonë të krishterë. Njerëzit në territor dhe kalimtarët e vërejnë sjelljen tonë. Buzëqeshja jonë miqësore dhe përshëndetja e ngrohtë, tregojnë shumë se kush jemi dhe ç’lloj Perëndie adhurojmë. Jezui u tha dishepujve të tij: «Kur të hyni në shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë.» (Mat. 10:12) Në zonën ku predikonin shpesh Jezui dhe apostujt, ishte gjë e zakonshme që njerëzit t’i ftonin në shtëpi të panjohurit. Sot në shumë vende nuk është më ky zakon. Gjithsesi, sjellja jote miqësore e pozitive ndërsa i shpjegon të zotit të shtëpisë arsyen pse ke trokitur, shpesh mund t’ia fashitë shqetësimin ose t’ia zbutë acarimin. Një buzëqeshje e ngrohtë shpesh është hyrja më e mirë. Është vërejtur se kjo vlen edhe në rastet kur vëllezërit e motrat marrin pjesë në dëshminë publike me stenda. Mund të vëresh se njerëzit zakonisht reagojnë mirë ndaj një buzëqeshjeje dhe përshëndetjeje të ngrohtë. w18.06 22 ¶4-5
E hënë, 23 mars
Perëndia nuk është i anshëm.—Vep. 10:34.
Apostulli Pjetër e kishte zakon të shoqërohej vetëm me judenjtë. Por pasi Perëndia e bëri të qartë se të krishterët nuk duhet të jenë të anshëm, Pjetri i predikoi Kornelit, një ushtari romak. (Vep. 10:28, 35) Pas kësaj, Pjetri hante dhe shoqërohej me kënaqësi me besimtarët jojudenj. Mirëpo vite më vonë, në qytetin e Antiokisë, Pjetri u distancua nga të krishterët jojudenj dhe nuk hante më me ta. (Gal. 2:11-14) Në atë rast, Pavli i dha një qortim me vend, që me sa duket Pjetri e pranoi. Kur u shkroi letrën e tij të parë të krishterëve judenj dhe jojudenj në Azinë e Vogël, Pjetri foli me përzemërsi për gjithë vëllazërinë. (1 Pjet. 1:1; 2:17) Është e qartë se falë shembullit të Jezuit, apostujt mësuan të donin «njerëz të çdo lloji». (Gjoni 12:32; 1 Tim. 4:10) Edhe pse u desh kohë, ata e ndreqën mënyrën si mendonin. Ngaqë veshën «personalitetin e ri», të krishterët e hershëm mësuan t’i shihnin të gjithë njerëzit si të barabartë në sytë e Perëndisë.—Kolos. 3:10, 11. w18.06 11 ¶15-16
E martë, 24 mars
Qëndroni . . . të patundur, . . . të veshur me parzmoren e drejtësisë.—Efes. 6:14.
Një lloj parzmoreje që mbante ushtari romak në shekullin e parë, përbëhej nga shirita hekuri horizontalë të vendosur njëri mbi tjetrin. Kjo lloj veshjeje kërkonte që ai të kontrollonte rregullisht nëse pllakëzat e parzmores ishin të fiksuara fort, që të mbronte zemrën dhe organe të tjera jetësore. Çfarë simboli i përshtatshëm se si standardet e drejta të Jehovait na mbrojnë zemrën e figurshme! (Prov. 4:23) Ashtu si ushtari nuk do ta këmbente një parzmore hekuri me një prej metali më të dobët, edhe ne nuk do të donim kurrë t’i këmbenim standardet e Jehovait për atë që është e drejtë me standardet tona. Gjykimi ynë është tepër i mangët për të na siguruar mbrojtjen e nevojshme. (Prov. 3:5, 6) Në vend të kësaj, ne kontrollojmë rregullisht nëse ‘pllakëzat e hekurta të parzmores’ që na ka dhënë Jehovai janë të fiksuara fort mbi zemrën tonë. Sa më shumë t’i duam të vërtetat hyjnore, aq më të lehtë e kemi të mbajmë «parzmoren» tonë, pra të jetojmë sipas standardeve të drejta të Perëndisë.—Psal. 111:7, 8; 1 Gjon. 5:3. w18.05 28 ¶3-4, 6-7
E mërkurë, 25 mars
Populli filloi të bënte fjalë me Moisiun.—Num. 20:3.
Ndonëse Moisiu i kishte udhëhequr me altruizëm për vite të tëra, populli u ankua jo vetëm se s’kishin ujë, por edhe për Moisiun, a thua se e kishte ai fajin që ishin të etur. (Num. 20:1-5, 9-11) Në inat e sipër, Moisiu e humbi frymën e butë. Në vend që t’i fliste me besim shkëmbit, siç e kishte urdhëruar Jehovai, ai i foli me mllef popullit dhe e mori meritën për vete. Pastaj e goditi shkëmbin dy herë dhe prej tij vërshoi shumë ujë. Krenaria dhe zemërimi e çuan Moisiun në një gabim që i solli shumë dhembje. (Psal. 106:32, 33) Për ato pak çaste që e humbi zemërbutësinë, Moisiu nuk u lejua të hynte në Tokën e Premtuar. (Num. 20:12) Nga kjo ngjarje nxjerrim mësime të çmuara. Së pari, duhet të përpiqemi pa pushim të mbetemi zemërbutë. Nëse e neglizhojmë këtë për një moment, krenaria mund të nxjerrë kokë sërish dhe të na shtyjë të flasim e të veprojmë marrëzisht. Së dyti, stresi mund të na bëjë të dobët, ndaj duhet të bëjmë çmos të jemi zemërbutë edhe nën presion. w19.02 12-13 ¶19-21
E enjte, 26 mars
Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.—Mat. 24:14.
A mund të na bëhet barrë bindja ndaj urdhrit të Jezuit për të predikuar? Përkundrazi. Pasi tregoi ilustrimin me hardhinë, Jezui tha se ne, si predikues të Mbretërisë, do të provojmë gëzim. (Gjoni 15:11) Në fakt ai na siguroi se gëzimi i tij do të bëhet yni. Në ç’mënyrë? Jezui e krahasoi veten me një hardhi dhe dishepujt e tij me degët. (Gjoni 15:5) Hardhia i mban degët. Për sa kohë që degët janë të kapura pas hardhisë, marrin ujin dhe ushqimin që vjen prej saj. Po kështu, për sa kohë qëndrojmë në unitet me Krishtin duke ndjekur me kujdes gjurmët e tij, ne provojmë të njëjtin gëzim që ndien ai teksa bën vullnetin e Atit të tij. (Gjoni 4:34; 17:13; 1 Pjet. 2:21) Hana, një pioniere prej më se 40 vjetësh, thotë: «Gëzimi që ndiej çdo herë pas shërbimit, më nxit të vazhdoj t’i shërbej Jehovait.» Po, ky gëzim me rrënjë të thella na jep forcë që të vazhdojmë të predikojmë edhe në territore të vështira.—Mat. 5:10-12. w18.05 17 ¶2; 20 ¶14
E premte, 27 mars
U emërova . . . mësues i kombeve për sa i përket besimit dhe së vërtetës.—1 Tim. 2:7.
Ndoshta apostulli që bëri më shumë për të inkurajuar vëllezërit në shekullin e parë ishte apostulli Pavël. Ai u dërgua nga fryma e shenjtë që t’u predikonte njerëzve të kombeve në botën greko-romake, që adhuronin shumë perëndi. (Gal. 2:7-9) Pavli udhëtoi anë e kënd vendit që sot njihet si Turqia, si edhe në Greqi dhe në Itali, duke formuar kongregacione mes jojudenjve. Ata besimtarë që sapo kishin përqafuar krishterimin ‘vuanin në duart e bashkëkombësve’ të tyre dhe kishin nevojë për inkurajim. (1 Sel. 2:14) Rreth vitit 50 të e.s., Pavli i shkroi kongregacionit të ri në Selanik: «E falënderojmë gjithmonë Perëndinë, kur ju përmendim të gjithë ju në lutjet tona, sepse mbajmë në mend vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundin tuaj falë dashurisë dhe qëndrueshmërinë tuaj.» (1 Sel. 1:2, 3) Gjithashtu, i nxiti t’i jepnin forcë njëri-tjetrit me këto fjalë: «Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin.»—1 Sel. 5:11. w18.04 18-19 ¶16-17
E shtunë, 28 mars
Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë.—Mar. 13:10.
Një i ri që ka në qendër të jetës dëshirën për të kënaqur Jehovain i kushton vëmendje të veçantë shërbimit. Meqë vepra e predikimit është kaq urgjente, duhet të jetë në fillim të listës së përparësive tona. A mund të vësh si synim të dalësh më shpesh në shërbim? A mund të shërbesh si pionier? Por, ç’të bësh nëse nuk gjen edhe aq gëzim në predikim? Dhe si mund të jesh më i efektshëm për të dhënë dëshmi? Do të të ndihmojnë dy hapa kryesorë: përgatitu mirë dhe mos hiq dorë t’ua tregosh të tjerëve ato që di. Mund të surprizohesh se sa shumë gëzim do të ndiesh kur të predikosh. Mund t’ia nisësh duke menduar si t’i përgjigjesh ndonjë pyetjeje që bëjnë shpesh shokët e shkollës, si për shembull «Pse beson se ka Zot?» Siti ynë jw.org përmban artikuj të bërë enkas për t’i ndihmuar të rinjtë që të përgatitin vetë një përgjigje për këtë pyetje. Atje do të gjesh një fletë pune me titull «Pse besoj se Perëndia ekziston?» Fleta e punës do të të drejtojë që të përgatitësh vetë një përgjigje. w18.04 27 ¶10-11
E diel, 29 mars
Jini të frytshëm dhe shumohuni.—Zan. 1:28.
Ndonëse në fillim Adami dhe Eva gëzonin liri në shumë mënyra, u ishin vënë edhe kufij. Disa prej tyre ishin instinktivë, por gjithsesi kufij ishin. Për shembull, prindërit tanë të parë e dinin se, që të vazhdonin të jetonin duhej të merrnin frymë, të hanin, të flinin e kështu me radhë. A do të jenë ndier sikur po u cenohej liria meqë duhej të bënin këto gjëra? Jo, sepse Jehovai u kujdes që edhe teksa bënin këto gjëra të përditshme, të gjenin ëndje e kënaqësi. (Psal. 104:14, 15; Ekl. 3:12, 13) Jehovai u dha Adamit dhe Evës urdhrin specifik që të popullonin tokën dhe të kujdeseshin për të. A ua privoi në ndonjë mënyrë lirinë ky urdhër? Absolutisht jo! Ai u dha që njerëzit të kishin mundësi të merrnin pjesë në qëllimin e Krijuesit që toka të kthehej në një shtëpi parajsore globale ku të jetonte përgjithmonë një racë e përsosur njerëzore. (Psal. 127:3; Isa. 45:18) E ardhmja e lumtur që i priste Adamin dhe Evën do të kishte qenë të gëzonin martesën dhe jetën familjare për gjithë përjetësinë. w18.04 4-5 ¶7-8
E hënë, 30 mars
Të gjithë ata që ishin të prirur për jetën e përhershme u bënë besimtarë.—Vep. 13:48.
Nëse jemi të duruar me njerëzit në shërbim, nuk do të presim ta kuptojnë ose ta pranojnë të vërtetën e Biblës që herën e parë. Për shembull, të shohim si mund të arsyetojmë me dikë për shpresën e jetës së përhershme në tokën parajsore. Shumë veta besojnë se vdekja është fundi i gjithçkaje ose se gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Një vëlla tregon një metodë që i duket e efektshme. Së pari, ai lexon Zanafillën 1:28. Pastaj e pyet të zotin e shtëpisë se ku donte Perëndia të jetonte familja njerëzore dhe në çfarë kushtesh. Shumica përgjigjen: «Në tokë, në kushte të mira.» Më tej, vëllai lexon Isainë 55:11 dhe pyet nëse ka ndryshuar qëllimi i Perëndisë. Shpesh i zoti i shtëpisë përgjigjet «jo». Në fund vëllai lexon Psalmin 37:10, 11 dhe pyet si do të jetë e ardhmja e njerëzimit. Duke arsyetuar në këtë mënyrë nga Shkrimet, ka ndihmuar mjaft veta të kuptojnë se Perëndia do ende që njerëzit e mirë të jetojnë përgjithmonë në një Parajsë në tokë. w19.03 24 ¶14-15; 25 ¶19
E martë, 31 mars
Dëgjojeni.—Mat. 17:5.
Jehovai e bëri të qartë se dëshiron që t’i dëgjojmë fjalët e Birit të tij dhe t’u bindemi. Jezui i mësoi me dashuri dishepujt si të predikonin lajmin e mirë dhe u kujtoi sa e sa herë të qëndronin vigjilentë. (Mat. 24:42; 28:19, 20) I nxiti edhe të përpiqeshin fuqimisht dhe i inkurajoi të mos dorëzoheshin. (Luka 13:24) Jezui u theksoi dishepujve sa e nevojshme ishte ta donin njëri-tjetrin, të qëndronin të bashkuar dhe të zbatonin urdhërimet e tij. (Gjoni 15:10, 12, 13) Ato këshilla janë po aq të vlefshme sot, sa në kohën kur i dha. Jezui tha: «Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.» (Gjoni 18:37) Tregojmë se e dëgjojmë zërin e tij kur ‘vazhdojmë të durojmë dhe të falim bujarisht njëri-tjetrin’. (Kolos. 3:13; Luka 17:3, 4) Tregojmë se e dëgjojmë zërin e tij edhe kur predikojmë me zell lajmin e mirë «në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë».—2 Tim. 4:2. w19.03 10 ¶9-10