BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es20 f. 37-47
  • Prill

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Prill
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
  • Nëntema
  • E mërkurë, 1 prill
  • E enjte, 2 prill
  • E premte, 3 prill
  • E shtunë, 4 prill
  • E diel, 5 prill
  • E hënë, 6 prill
  • Data e Përkujtimit
    Pas perëndimit të diellit
    E martë, 7 prill
  • E mërkurë, 8 prill
  • E enjte, 9 prill
  • E premte, 10 prill
  • E shtunë, 11 prill
  • E diel, 12 prill
  • E hënë, 13 prill
  • E martë, 14 prill
  • E mërkurë, 15 prill
  • E enjte, 16 prill
  • E premte, 17 prill
  • E shtunë, 18 prill
  • E diel, 19 prill
  • E hënë, 20 prill
  • E martë, 21 prill
  • E mërkurë, 22 prill
  • E enjte, 23 prill
  • E premte, 24 prill
  • E shtunë, 25 prill
  • E diel, 26 prill
  • E hënë, 27 prill
  • E martë, 28 prill
  • E mërkurë, 29 prill
  • E enjte, 30 prill
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
es20 f. 37-47

Prill

E mërkurë, 1 prill

Jezui . . . i tha [Pjetrit]: «Rri prapa meje, Satana! Ti . . . nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»—Mat. 16:23.

Ç’të themi për ne? A mendojmë si mendon Perëndia, apo si bota? Patjetër, ka shumë të ngjarë ta kemi përputhur sjelljen tonë me kërkesat e Perëndisë. Por, ç’të themi për mënyrën si mendojmë? A po i vëmë në harmoni mendimet dhe pikëpamjet tona me ato të Jehovait? Që ta bëjmë këtë duhen përpjekje të palodhura. Nga ana tjetër, për të thithur mendimet e botës duhen pak ose aspak përpjekje. Kjo sepse fryma e botës është kudo përreth nesh. (Efes. 2:2) Veç kësaj, ngaqë shpesh i bën thirrje egoizmit, mënyra si mendon bota mund të jetë joshëse. Po, është e vështirë të mendojmë si Jehovai, por është fare e lehtë të mendojmë si bota. Mirëpo, nëse lejojmë që bota të na brumosë mendjen, do të jemi të prirur të bëhemi egoistë dhe të duam pavarësi morale. (Mar. 7:21, 22) Ja pse është jetësore të mësojmë të mendojmë «si mendon Perëndia» dhe jo «si njerëzit». w18.11 18 ¶1; 19 ¶3-4

E enjte, 2 prill

Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.​—Mat. 3:17.

Sa shumë zemër duhet të ketë marrë Jezui kur Jehovai shprehu në tri raste vlerësimin për të duke folur drejtpërdrejt nga qielli! Fill pas pagëzimit të Jezuit në lumin Jordan, Jehovai tha fjalët e mësipërme. Me sa duket, Gjon Pagëzori ishte i vetmi që i dëgjoi ato fjalë bashkë me Jezuin. Më pas, afro një vit para vdekjes së Jezuit, tre nga apostujt e tij dëgjuan Jehovain të thoshte për Jezuin: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar. Dëgjojeni.» (Mat. 17:5) Së fundi, vetëm pak ditë para vdekjes së Jezuit, Jehovai i foli prapë nga qielli Birit të tij. (Gjoni 12:28) Edhe pse e dinte se do të kishte një vdekje të turpshme duke u damkosur në mënyrë të rreme si blasfemues, Jezui u lut të bëhej vullneti i Jehovait e jo i tiji. (Mat. 26:39, 42) «Ai duroi një shtyllë torture, e përbuzi turpin», se nuk kërkonte vlerësim nga bota, por vetëm nga Ati i tij.—Hebr. 12:2. w18.07 10-11 ¶15-16

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (9 nisan, ngjarjet pas perëndimit) Marku 14:3-9

E premte, 3 prill

O Atë, nëse do, le të mos pi nga kjo kupë.—Luka 22:42.

Fill pasi themeloi Darkën e Zotërisë, Jezui tregoi guxim të jashtëzakonshëm. Si? Ai pranoi vullnetin e Atit për të, edhe pse e dinte që kjo do të thoshte se do të ekzekutohej për krimin e turpshëm të blasfemisë. (Mat. 26:65, 66) Jezui mbajti integritetin në mënyrë të përsosur, që të nderonte emrin e Jehovait, të mbështeste sovranitetin e Tij dhe të çelte udhën që njerëzit e penduar të gëzojnë jetën pa fund. Në të njëjtën kohë, Jezui i përgatiti dishepujt e tij për sprovat që do të përballonin pas pak. Jezui shfaqi guxim edhe kur la mënjanë çdo ankth që mund të ndiente dhe u përqendrua te nevojat e apostujve të tij besnikë. Darka e thjeshtë, të cilën e themeloi pasi largoi Judën, do t’u kujtonte atyre që do të bëheshin dishepujt e tij të mirosur dobitë që sillte gjaku që derdhi Jezui dhe pjesëmarrja në besëlidhjen e re.—1 Kor. 10:16, 17. w19.01 22 ¶7-8

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (9 nisan, ngjarjet para perëndimit) Marku 11:1-11

E shtunë, 4 prill

O Atë, jepi lavdi emrit tënd!​—Gjoni 12:28.

Në përgjigje të lutjes së Jezuit, Ati i tha nga qielli: «I dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.» Jezui ishte i trazuar ngaqë kishte përgjegjësinë e madhe t’i qëndronte besnik Jehovait. E dinte se do ta fshikullonin egërsisht dhe do të kishte një vdekje mizore. (Mat. 26:38) Mbi gjithçka, Jezui dëshironte t’i jepte lavdi emrit të Atit të tij. Atë e akuzuan për blasfemi, dhe kishte merak se për shkak të vdekjes së tij do të shahej Perëndia. Ashtu si Jezui, edhe ne mund të kemi merak se mos shahet emri i Jehovait. Ndoshta si Jezui, edhe ne jemi viktima të padrejtësive. A mbase na shqetësojnë historitë e rreme që përhapin për ne kundërshtarët. Ndoshta bluajmë në mendje si shahet emri i Jehovait nga këto histori. Në momente të tilla, fjalët e Jehovait janë burim i madh ngushëllimi. S’ka diskutim se Jehovai do t’i japë lavdi emrit të tij në çdo rast.—Psal. 94:22, 23; Isa. 65:17. w19.03 11-12 ¶14-16

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (10 nisan, ngjarjet para perëndimit) Marku 11:12-19

E diel, 5 prill

Jezui nisi t’u tregonte dishepujve se ai duhej . . . të hiqte shumë vuajtje . . . dhe të vritej.​—Mat. 16:21.

Dishepujt e Jezuit s’arrinin t’u besonin veshëve. Jezui, pikërisht ai që pritnin të rivendoste mbretërinë e Izraelit, tha se pas pak do të vuante e do të vdiste. Ai që mori iniciativën të fliste ishte apostulli Pjetër. «Ji i mirë me veten, Zotëri,—tha ai.—Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Jezui ia ktheu: «Largohu nga unë, Satana! Ti je pengesë për mua, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.» (Mat. 16:22, 23; Vep. 1:6) Me këto fjalë, Jezui bëri dallimin mes mendimeve që vijnë nga Perëndia dhe mendimeve që vijnë nga kjo botë nën kontrollin e Satanait. (1 Gjon. 5:19) Pjetri pasqyroi qëndrimin e botës për të kursyer veten. Por Jezui e dinte se Ati i tij mendonte ndryshe. Me përgjigjen që i dha Pjetrit, Jezui hodhi poshtë me forcë mendimet e botës dhe mbështeti mënyrën si mendon Jehovai. w18.11 18 ¶1-2

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (11 nisan, ngjarjet para perëndimit) Marku 11:20–12:27, 41-44

E hënë, 6 prill

Bëni të njohur vdekjen e Zotërisë derisa ai të vijë.—1 Kor. 11:26.

Imagjino çfarë sheh Jehovai ndërsa miliona veta rreth e qark botës mblidhen për Darkën e Zotërisë. Ai shikon jo thjesht numrin e madh të njerëzve; Jehovai vëren çdo individ që është i pranishëm. Për shembull, sheh ata që vijnë me besnikëri çdo vit. Mes tyre mund të ketë individë që marrin pjesë edhe pse hasin përndjekje të egra. Ka edhe disa që nuk vijnë rregullisht në mbledhjet e tjera, por pjesëmarrjen në Përkujtim e shohin si detyrë solemne. Jehovai vëren edhe ata që mund të jenë për herë të parë në Përkujtim, mbase të shtyrë nga kureshtja. Patjetër, Jehovai kënaqet kur sheh kaq shumë veta tek marrin pjesë në Përkujtim. (Luka 22:19) Megjithatë, atij i intereson më tepër arsyeja pse vijnë; motivi është i rëndësishëm për Jehovain. A jemi të etur të mësojmë nga Jehovai dhe nga organizata që po përdor ai?—Isa. 30:20; Gjoni 6:45. w19.01 26 ¶1-3

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (12 nisan, ngjarjet para perëndimit) Marku 14:1, 2, 10, 11; Mateu 26:1-5, 14-16

Data e Përkujtimit
Pas perëndimit të diellit
E martë, 7 prill

Krishti vdiq për ne.—Rom. 5:8.

Jezui ishte i gatshëm jo vetëm të vdiste për dishepujt e tij, por edhe të jetonte çdo ditë në mënyrë të tillë që i vinte interesat e tyre mbi të vetat. Për shembull, u kushtonte kohë e vëmendje dishepujve, edhe kur ishte i lodhur fizikisht ose i sfilitur emocionalisht. (Luka 22:39-46) Gjithashtu, Jezui përqendrohej tek ajo që mund t’u jepte të tjerëve, jo tek ajo që mund të merrte prej tyre. (Mat. 20:28) Ne jemi pjesë e së vetmes vëllazëri të vërtetë të krishterë dhe kënaqemi kur kalojmë sa më shumë kohë të mundemi për të ftuar edhe të tjerë të bashkohen me ne. Gjithsesi, në veçanti kemi merak të ndihmojmë ata që janë «të lidhur me ne në besim», por që janë bërë joaktivë. (Gal. 6:10) E shfaqim dashurinë për ta duke i inkurajuar të marrin pjesë në mbledhje, e sidomos në Përkujtim. Ashtu si Jehovai dhe Jezui, na gufon zemra nga gëzimi kur një joaktiv kthehet te Jehovai.—Mat. 18:14. w19.01 29 ¶12, 14; 30 ¶15-16

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (13 nisan, ngjarjet para perëndimit) Marku 14:12-16; Mateu 26:17-19 (14 nisan, ngjarjet pas perëndimit) Marku 14:17-72

E mërkurë, 8 prill

Kjo përfaqëson trupin tim. . . . Kjo përfaqëson . . . gjakun tim, «gjakun e besëlidhjes».—Mat. 26:26-28.

Kur Jezui themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij, përdori vetëm bukën e Festës së Kalimit dhe verën që kishin aty. Ai u tha apostujve se ato dy gjëra të thjeshta simbolizonin trupin e përsosur dhe gjakun e tij, që pas pak do t’i jepte për ta. Mbase apostujt nuk u habitën kur panë sa e thjeshtë ishte kjo ceremoni e re dhe e rëndësishme. Pse? Muaj më parë, në shtëpinë e miqve të tij të ngushtë—Lazarit, Martës dhe Marisë—Jezui nisi të mësonte. Marta ndodhej aty, por ishte e shpërqendruar duke përgatitur një vakt me shumë gjëra për mysafirin e nderuar. Kur e vërejti këtë, Jezui e ndreqi Martën me dashamirësi dhe e ndihmoi të kuptonte se jo gjithmonë ishte i nevojshëm një vakt i stërholluar. (Luka 10:40-42) Më vonë, vetëm pak orë para vdekjes së tij flijuese, Jezui zbatoi këshillën që kishte dhënë vetë. Ai bëri një darkë Përkujtimi të thjeshtë. w19.01 20-21 ¶3-4

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (14 nisan, ngjarjet para perëndimit) Marku 15:1-47

E enjte, 9 prill

O Atë, më jep lavdi, që të jem përkrah teje e të kem atë lavdi që kisha.—Gjoni 17:5.

Jehovai e nderoi Jezuin në një mënyrë të papritur duke e ringjallur në «një pozitë më të lartë» e duke i dhënë diçka që nuk e kishte marrë askush tjetër deri atëherë—jetën e pavdekshme në qiell! (Filip. 2:9; 1 Tim. 6:16) Çfarë vlerësimi i mahnitshëm për shërbimin besnik të Jezuit! Çfarë do të na ndihmojë të mos kërkojmë miratim nga kjo botë? Të mos harrojmë kurrë se Jehovai i vlerëson gjithmonë shërbëtorët e tij besnikë dhe se shpesh i shpërblen në mënyra të papritura. Ku i dihet çfarë bekimesh të papritura na presin në të ardhmen? Por tani, teksa përballojmë vështirësitë dhe sprovat e kësaj bote të ligë, le të kujtojmë gjithnjë se kjo botë po kalon. (1 Gjon. 2:17) Ati ynë i dashur, Jehovai, ‘nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij’.—Hebr. 6:10. w18.07 11 ¶17-18

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (15 nisan, ngjarjet para perëndimit) Mateu 27:62-66 (16 nisan, ngjarjet pas perëndimit) Marku 16:1

E premte, 10 prill

Të lutem . . . që të gjithë të bëhen një.—Gjoni 17:20, 21.

Jezui kishte merak për unitetin gjatë darkës së fundit me apostujt e tij. Kur u lut me ta, shprehu dëshirën që të gjithë dishepujt e tij të jenë një, ashtu si ai dhe Ati janë një. Uniteti mes tyre do të jepte dëshmi të fuqishme, pasi do të ishte një provë e qartë se Jehovai e kishte dërguar Jezuin në tokë për të bërë vullnetin e Perëndisë. Dashuria do të ishte një tipar dallues i dishepujve të vërtetë të Jezuit që do t’i kontribuonte unitetit mes tyre. (Gjoni 13:34, 35) Është normale që Jezui e vuri theksin tek uniteti. Ai kishte vërejtur një mungesë uniteti ose harmonie mes apostujve, si për shembull gjatë darkës së tij të fundit me ta. Siç kishte ndodhur edhe më parë, lindi një debat se «kush nga ata dukej se ishte më i madhi». (Luka 22:24-27; Mar. 9:33, 34) Në një rast tjetër, Jakovi dhe Gjoni i kërkuan Jezuit t’i ulte në vende të lavdishme përkrah tij në Mbretëri.—Mar. 10:35-40. w18.06 8 ¶1-2

Leximi i Biblës për Përkujtimin: (16 nisan, ngjarjet para perëndimit) Marku 16:2-8

E shtunë, 11 prill

Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe do të bëhen një mish i vetëm.—Zan. 2:24.

Jehovai do që çiftet e martuara të kultivojnë një dashuri aq të fortë, sa të zgjatë tërë jetën. (Mat. 19:3-6) Kurorëshkelja është një nga krimet me mungesën më të theksuar të dashurisë. Me të drejtë, i shtati nga Dhjetë Urdhërimet e ndalonte kurorëshkeljen. (Ligj. 5:18) Ajo është mëkat «kundër Perëndisë» dhe një goditje mizore ndaj bashkëshortit. (Zan. 39:7-9) Viktima e kurorëshkeljes mund ta ndiejë dhimbjen e tradhtisë për dekada me radhë. Jehovai merakoset thellë edhe për mirëqenien e fëmijëve. Jehovai i urdhëronte prindërit t’u siguronin fëmijëve gjërat e nevojshme jo vetëm nga ana fizike, por edhe për të pasur një marrëdhënie të mirë me Të. Prindërit duhej të shfrytëzonin çdo rast për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptonin e ta vlerësonin Ligjin dhe të mësonin ta donin Jehovain. (Ligj. 6:6-9; 7:13) Prindërit nuk duhej t’i shihnin fëmijët thjesht si një pronë që mund ta linin pas dore a ta keqtrajtonin, por si një trashëgimi, një dhuratë nga Jehovai që duhej ta kishin të shtrenjtë.—Psal. 127:3. w19.02 21 ¶5, 7

E diel, 12 prill

Perëndia . . . do ta shohë se jam njeri me integritet.—Jobi 31:6.

Jobi e mbajti integritetin duke u përqendruar te shpresa se Perëndia do ta shpërblente. Ai besonte se integriteti i tij kishte vërtet rëndësi për Perëndinë. Pavarësisht nga sprovat, Jobi ishte i sigurt se në fund Jehovai do ta shpërblente. Kjo siguri pa dyshim e ndihmoi ta mbante fort integritetin. Jehovai ishte kaq i kënaqur me integritetin e Jobit, sa e shpërbleu me bollëk ndërsa ishte ende i papërsosur! (Jobi 42:12-17; Jak. 5:11) E bekime më të mëdha e presin Jobin në të ardhmen. Perëndia ynë nuk ka ndryshuar. (Mal. 3:6) Nëse nuk harrojmë që ai e vlerëson integritetin tonë, mund ta mbajmë të gjallë në zemër shpresën për një të ardhme të mrekullueshme. (1 Sel. 5:8, 9) Ndonjëherë, mund të ndihesh i vetmuar në udhën e integritetit, por nuk je asnjëherë vetëm. Je mes miliona besnikëve anembanë botës që mbajnë integritetin. Veç kësaj, do të hysh në radhët e burrave e grave plot besim që mbajtën integritetin në të kaluarën, madje edhe përballë kërcënimit të vdekjes.—Hebr. 11:36-38; 12:1. w19.02 7 ¶15-16

E hënë, 13 prill

Jini të gjithë në një mendje, tregoni empati, përzemërsi vëllazërore, jini zemërdhembshur dhe të përulur.—1 Pjet. 3:8.

Tani që ka kaluar periudha e Përkujtimit, le t’i bëjmë vetes këto pyetje: «Si mund ta imitoj më mirë Jezuin duke shfaqur dashuri? A mendoj më tepër për nevojat e bashkadhuruesve sesa për të miat? A pres nga vëllezërit e motrat më shumë nga sa mund të bëjnë, apo i mbaj parasysh kufizimet e tyre?» Le të imitojmë gjithmonë Jezuin dhe të tregojmë «empati»! Kërkesa për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Krishtit nuk do të zgjatë edhe shumë kohë. Kur Jezui «të mbërrijë» gjatë shtrëngimit të madh, do të mbledhë në qiell «të zgjedhurit e tij» që kanë mbetur në tokë, dhe Përkujtimi nuk do të mbahet më. (1 Kor. 11:26; Mat. 24:31) Edhe kur darka e Përkujtimit të mos mbahet më, jemi të sigurt se shërbëtorët e Jehovait do ta kujtojnë me përzemërsi këtë darkë të thjeshtë si simbol të përulësisë, të guximit dhe të dashurisë më të madhe që ka treguar ndonjëherë një njeri. w19.01 25 ¶17-19

E martë, 14 prill

Ti kënaqesh me çiltërsinë e shpirtit, ndaj mësoji zemrës sime mençurinë e vërtetë.—Psal. 51:6.

Të shohim si e ilustron shëndeti ynë fizik rëndësinë e asaj që jemi nga brenda. Së pari, për ta mbajtur në gjendje të mirë trupin, duhet të zgjedhim një dietë të shëndetshme dhe të bëjmë ushtrime rregullisht. Po njësoj, për ta mbajtur në gjendje të mirë zemrën e figurshme, duhet të zgjedhim një dietë të shëndetshme me ushqim nga Bibla dhe të ushtrojmë rregullisht besim te Jehovai. Besimin e ushtrojmë duke zbatuar atë që mësojmë dhe duke folur për besimin tonë. (Rom. 10:8-10; Jak. 2:26) Së dyti, duke u nisur nga pamja e jashtme, mund të mendojmë se jemi të shëndetshëm, ndërkohë që brenda trupit mund të kemi sëmundje. Po ashtu, duke u nisur nga programi ynë teokratik, mund të mendojmë se besimi ynë është i fortë, mirëpo brenda nesh mund të jenë duke u rritur dëshira të gabuara. (1 Kor. 10:12; Jak. 1:14, 15) Të mos harrojmë se Satanait do t’i pëlqente të na infektonte me mendimet e tij. w19.01 15 ¶4-5

E mërkurë, 15 prill

Shko e bëj njëlloj edhe ti.​—Luka 10:37.

Mund të pyesim veten: «A po bëj njëlloj edhe unë? A po veproj si samaritani i dhembshur? (Luka 10:30-35) A mund ta tregoj akoma më shumë me vepra mëshirën dhe të bëj gjëra dashamirëse për ata që po vuajnë? Për shembull, a mund t’u ofroj ndihmë praktike bashkëbesimtarëve të moshuar, vejushave dhe atyre që janë jetimë në adhurimin e vërtetë? A mund të marr iniciativën që ‘t’u flas në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’?» (1 Sel. 5:14; Jak. 1:27) Kur tregojmë mëshirë për të tjerët, provojmë lumturinë që vjen kur jep. Veç kësaj, e dimë se po kënaqim Jehovain. (Vep. 20:35; Hebr. 13:16) Mbreti David tha për dikë që tregon konsideratë: ‘Jehovai do ta ruajë e do ta mbajë gjallë. Ai do të shpallet i lumtur në tokë.’ (Psal. 41:1, 2) Gjithashtu, kur e shprehim dhembshurinë, hapim rrugën që Jehovai të na tregojë mëshirë, e kjo mund të na sjellë lumturi sot e përgjithmonë.—Jak. 2:13. w18.09 19 ¶11-12

E enjte, 16 prill

Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj.—Isa. 41:10.

Një e krishterë besnike, Joshikoja, mori një lajm të keq. Mjekja i tha se i mbeteshin vetëm pak muaj jetë. Si reagoi ajo? Joshikos i erdhi në mendje një varg i preferuar nga Bibla, shkrimi i sotëm. Pastaj me qetësi i tha mjekes se nuk kishte frikë, sepse Jehovai e kishte kapur fort nga dora. Mesazhi ngushëllues që përmban ky varg e ndihmoi motrën tonë të dashur të kishte besim absolut te Jehovai. I njëjti varg mund të na ndihmojë edhe ne të qëndrojmë të qetë përballë sprovave të rënda. Në fillim, Jehovai bëri që Isaia t’i hidhte me shkrim këto fjalë për të ngushëlluar judenjtë që kohë më vonë do të çoheshin në mërgim në Babiloni. Gjithsesi, Jehovai e ruajti atë mesazh jo vetëm për dobinë e mërgimtarëve judenj, por edhe për gjithë shërbëtorët e tij që nga ajo kohë e deri më sot. (Isa. 40:8; Rom. 15:4) Tani jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» dhe kemi nevojë më shumë se kurrë për inkurajimin që gjendet në librin e Isaisë.—2 Tim. 3:1. w19.01 2 ¶1-2

E premte, 17 prill

Nëse jobesimtari zgjedh të largohet, le të largohet.—1 Kor. 7:15.

Nëse ndahen në situata të tilla, ata të dy janë ende bashkëshortë dhe, ndonëse jetojnë të ndarë, secili do të hasë vështirësi. Apostulli Pavël tregoi këtë arsye pse të qëndrojnë së bashku: «Burri jobesimtar është shenjtëruar në lidhje me gruan e tij dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar në lidhje me vëllanë. Përndryshe, fëmijët tuaj do të ishin vërtet të papastër, por tani ata janë të shenjtë.» (1 Kor. 7:14) Shumë të krishterë besnikë kanë qëndruar me bashkëshortin jobesimtar në rrethana mjaft stresuese. Ata mund të dëshmojnë se kjo sakrificë ia vlejti, sidomos kur panë bashkëshortin e tyre të bëhej adhurues i vërtetë. (1 Kor. 7:16; 1 Pjet. 3:1, 2) Sot anembanë botës në kongregacionin e krishterë ka plot martesa të suksesshme. Ka shumë të ngjarë që në kongregacionin tënd sheh sa e sa çifte të lumtura. Ato përbëhen nga vëllezër besnikë që e duan gruan e tyre dhe nga gra të përkushtuara që provojnë se janë bashkëshorte të dashura. Të gjithë këta tregojnë se martesa mund të jetë e nderuar.—Hebr. 13:4. w18.12 14 ¶18-19

E shtunë, 18 prill

Perëndia Jehova mbolli një kopsht në Eden, . . . dhe vendosi atje njeriun që kishte formuar.—Zan. 2:8.

Eden do të thotë «kënaqësi», dhe ai kopsht ishte vërtet i këndshëm. Atje ushqimi ishte me bollëk, peizazhet ishin fantastike dhe kishe kënaqësinë të rrije në paqe me lloj-lloj kafshësh. (Zan. 1:29-31) Parádeisos është fjala greke e përdorur për të përkthyer fjalën hebraike për «kopsht». Ja çfarë thotë një enciklopedi (Cyclopaedia e Meklintokut dhe Strongut) për idenë që përcillte fjala parádeisos: «Një park i madh e i gjerë, i rrethuar për të shmangur çdo dëm, por me një bukuri natyrore të virgjër, me pyje plot pemë madhështore, shumë nga të cilat jepnin fryt, i vaditur nga lumenj të kristaltë, në brigjet e të cilëve kishte tufa të mëdha me antilopa ose dele—këtë peizazh i sillte në mendje kjo fjalë udhëtarit grek.» (Krahaso Zanafillën 2:15, 16.) Perëndia i vendosi Adamin dhe Evën në një parajsë të tillë, por ata e skualifikuan veten për atë privilegj ngaqë nuk iu bindën Perëndisë. Kështu, ata dhe pasardhësit e tyre e humbën Parajsën. (Zan. 3:23, 24) Duket se ai kopsht vazhdoi të ekzistonte deri në Përmbytjen e kohës së Noesë, ndonëse atje nuk banonte më asnjë njeri. w18.12 3-4 ¶3-5

E diel, 19 prill

Unë, Jehovai, jam . . . Ai që të mëson si të nxjerrësh dobi për vete.—Isa. 48:17.

Prindërit bëjnë çmos t’u ngulitin fëmijëve vlera të mira. Nëse fëmijët zgjedhin të jetojnë sipas vlerave që u mësuan prindërit, ka më shumë të ngjarë që të marrin vendime për të cilat s’do të bëhen pishman më vonë. Si rezultat, do t’i kursejnë vetes shumë telashe dhe ankthe. Si një prind i mirë, Jehovai dëshiron që fëmijët e tij të kenë jetën më të kënaqshme që është e mundur. (Isa. 48:18) Ja pse siguron parime bazë për sjelljen morale dhe për mënyrën si t’i trajtojmë të tjerët. Ai na fton që, për çështje të tilla, të mësojmë të mendojmë si ai dhe të jetojmë sipas vlerave të tij. Kjo nuk na kufizon aspak, përkundrazi na përmirëson aftësinë për të menduar dhe na ndihmon të marrim vendime më të mençura. (Psal. 92:5; Prov. 2:1-5; Isa. 55:9) Pra, kemi mundësinë të lulëzojmë si individë, e njëkohësisht të marrim vendime që na bëjnë të lumtur. (Psal. 1:2, 3) Po, të mendojmë si Jehovai është e dobishme dhe e dëshirueshme! w18.11 19-20 ¶7-8

E hënë, 20 prill

Ju shajnë.—1 Pjet. 4:4.

Që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën, nuk duhet të dorëzohemi para presioneve të të tjerëve. Kur filluam të ecnim në të vërtetën, marrëdhënia jonë me shokët dhe pjesëtarët e familjes që s’janë Dëshmitarë ndryshoi. Disa ishin tolerantë; të tjerë na kundërshtonin haptazi. Pjesëtarët e familjes, shokët e punës dhe shokët e shkollës mund të na nxitin të bashkohemi me ta për festa të veçanta. Si t’i rezistojmë presionit për të ndjekur zakone dhe festa që nuk nderojnë Jehovain? Mund t’ia dalim duke mbajtur të qartë në mendje pikëpamjen e Jehovait për tradita të tilla. Mund të jetë e dobishme të shqyrtojmë materialet e botuara në literaturën tonë që tregojnë origjinën e festave tradicionale. Kur sjellim në mendje arsyet biblike pse nuk marrim pjesë në festa të tilla, ndihemi të sigurt se po ecim në udhën që «është e pranueshme para Zotërisë». (Efes. 5:10) Besimi i plotë te Jehovai dhe te Fjala e tij e së vërtetës, do të na mbrojë që ‘të mos dridhemi para njerëzve’.—Prov. 29:25. w18.11 11 ¶10, 12

E martë, 21 prill

Jehovai ishte me Jozefin dhe Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.—Zan. 39:23.

Kur hasim ndryshime të papritura, fare lehtë mund të lejojmë që shqetësimet për të ardhmen të na paralizojnë. Kjo mund t’i kishte ndodhur edhe Jozefit. Por në vend të kësaj, ai vendosi të nxirrte më të mirën nga situata e tij, e kështu i dha Jehovait diçka që ta bekonte. Edhe pse në burg, Jozefi punonte pa u lodhur për të kryer çfarëdo detyre që i jepte kryezyrtari, tamam siç kishte bërë kur punonte për Potifarin. (Zan. 39:21, 22) Ashtu si Jozefi, mund të gjendemi në një situatë ku kemi në dorë pak gjëra ose asgjë. Megjithatë, nëse nuk e humbim durimin dhe bëjmë çmos të nxjerrim më të mirën nga rrethanat tona, do t’i japim Jehovait diçka që ta bekojë. (Psal. 37:5) Vërtet, hera-herës mund të ndihemi «të shtrënguar në çdo mënyrë», ama kurrë s’do të jemi «të dëshpëruar», siç u shpreh apostulli Pavël. (2 Kor. 4:8; shën.) Këto fjalë të Pavlit do të bëhen realitet në rastin tonë, sidomos nëse mbetemi të përqendruar te shërbimi. w18.10 29 ¶11, 13

E mërkurë, 22 prill

Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat tuaja dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.—Hebr. 6:10.

Si ndihesh kur dikush që e njeh dhe e respekton të harron emrin ose, më keq akoma, as që të njeh fare? Kjo mund të jetë shumë shkurajuese. Pse? Sepse të gjithë kemi dëshirën e natyrshme që të tjerët të na pranojnë. Nuk dëshirojmë thjesht që të tjerët të dinë kush jemi; duam edhe të njohin ç’lloj personi jemi dhe të vlerësojnë gjërat që kemi bërë. (Num. 11:16; Jobi 31:6) Por, ashtu si me shumë dëshira të tjera të natyrshme, dëshira që të na vlerësojnë mund të çekuilibrohet dhe të shtrembërohet nga papërsosmëritë tona. Ajo mund të kthehet në dëshirë të fortë për admirim ose vlerësim të ekzagjeruar nga të tjerët. Bota e Satanait ushqen një dëshirë për famë dhe prestigj që largon vëmendjen nga ai që meriton vërtet vlerësimin dhe adhurimin tonë: nga Ati ynë qiellor, Perëndia Jehova.—Zbul. 4:11. w18.07 7 ¶1-2

E enjte, 23 prill

E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut.—1 Gjon. 5:19.

Nuk habitemi që Satanai dhe demonët ndikojnë te njerëz me pushtet që ‘të thonë gënjeshtra’. (1 Tim. 4:1, 2) Udhëheqësit fetarë që gënjejnë janë veçanërisht fajtorë, sepse vënë në rrezik shpresën për të ardhmen të njerëzve që besojnë gënjeshtrat e tyre. Nëse dikush pranon një mësim të rremë dhe praktikon diçka që në të vërtetë Perëndia e dënon, kjo mund t’i kushtojë jetën e përhershme. (Hoz. 4:9) Jezui e dinte se udhëheqësit fetarë në kohën e tij, ishin fajtorë për këtë lloj mashtrimi. Ai ua tha në sy: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! Ju përshkoni det e tokë që të bëni një prozelit [një që ka kthyer fenë]. Dhe, kur bëhet, e bëni të meritojë Gehenën [shkatërrimin e përhershëm] dy herë më shumë se ju.» (Mat. 23:15; shën.) Jezui i dënoi ata udhëheqës fetarë të rremë me fjalët më të forta. Ata ishin vërtet ‘nga ati i tyre, Djalli, një vrasës’.—Gjoni 8:44. w18.10 7 ¶5-6

E premte, 24 prill

Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin . . . për shkakun tim!—Mat. 5:11.

Çfarë donte të thoshte Jezui? Ai shtoi: «Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej; kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.» (Mat. 5:12) Kur apostujt i rrahën dhe i urdhëruan të mos predikonin më, ata «ikën nga Sinedri të gëzuar». Patjetër që nuk u kënaqën nga dhimbja e të rrahurave. Por u gëzuan «sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin e [Jezuit]». (Vep. 5:41) Edhe sot, shërbëtorët e Jehovait tregojnë qëndrueshmëri me gëzim kur vuajnë për emrin e Jezuit ose kur hasin sprova të vështira. (Jak. 1:2-4) Ashtu si apostujt, nuk është se ne kënaqemi kur vuajmë. Ama, nëse mbajmë integritetin ndaj Jehovait gjatë sprovave, Ai mund të na ndihmojë të qëndrojmë me kurajë. Kur kemi buzëqeshjen e miratimit të «Perëndisë së lumtur», mund të jemi të lumtur pavarësisht nga përndjekja fetare ose kundërshtimi në familje.—1 Tim. 1:11. w18.09 21 ¶18-20

E shtunë, 25 prill

Janë plot halle e dhembje.​—Psal. 90:10.

Shumë veta në këto «kohë kritike» vuajnë kush më shumë e kush më pak nga stresi emocional, prandaj sa e sa personave u vjen të dorëzohen. (2 Tim. 3:1-5) Sipas statistikave, çdo vit vrasin veten mbi 800.000 njerëz—rreth një vdekje në 40 sekonda. Është e trishtueshme që edhe disa shërbëtorë të Perëndisë janë dorëzuar para këtij stresi dhe i kanë dhënë fund jetës. Edhe nëse vëllezërit e motrat nuk janë medoemos në atë pikë sa duan të dorëzohen, shumë prej tyre sot përballen me situata stresuese dhe kanë nevojë t’i forcojmë me dashurinë tonë. Disa u bëjnë ballë përndjekjeve dhe talljeve. Të tjerë janë viktima të kritikave a thashethemeve keqdashëse në vendin e punës. Ose janë të rraskapitur nga puna jashtë orarit a ngaqë u duhet të plotësojnë afate që s’kanë të sosur. Të tjerë akoma hasin probleme familjare që u shterojnë forcat, mbase ngaqë janë shënjestër e kritikave të bashkëshortit jobesimtar. Si pasojë e këtyre presioneve dhe mjaft të tjerave, shumë në kongregacion ndihen të sfilitur fizikisht dhe emocionalisht. w18.09 13 ¶3, 5

E diel, 26 prill

Më bëhet zemra mal kur dëgjoj që fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.—3 Gjon. 4.

Prindërit e krishterë bashkëpunojnë me Jehovain kur i nxitin fëmijët të vënë synime teokratike. Shumë veta që e kanë bërë këtë, i kanë parë më vonë djemtë dhe vajzat e tyre të mbajnë mbi supe caktime në shërbimin e plotkohor larg shtëpisë. Disa janë misionarë; të tjerë shërbejnë si pionierë atje ku ka më shumë nevojë; të tjerë akoma shërbejnë në Bethel. Ndoshta për shkak të distancës, nuk mund të rrinë aq shpesh me fëmijët e tyre sa do të donin. Megjithatë, prindërit vetëmohues i inkurajojnë fëmijët të ngulmojnë në caktimet e tyre. Pse? Sepse u bëhet zemra mal që fëmijët e tyre po vënë Mbretërinë në vend të parë. Ka të ngjarë që shumë nga këta prindër të ndihen si Hana, që tha se ia dha Jehovait djalin e saj, Samuelin. Prindërit e shohin me të drejtë këtë bashkëpunim si një privilegj të vyer. Ata nuk do të donin kurrsesi që gjërat të ishin ndryshe.—1 Sam. 1:28. w18.08 24 ¶4

E hënë, 27 prill

Një i pasur do ta ketë të vështirë të hyjë në Mbretërinë e qiejve.—Mat. 19:23.

Jezui nuk tha se kjo do të ishte e pamundur. Ai tha edhe: «Lum ju të varfrit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë!» (Luka 6:20) Mirëpo, kjo s’donte të thoshte se gjithë të varfrit do t’i pranonin mësimet e Jezuit dhe do të merrnin bekime të veçanta. Shumë të varfër nuk i pranuan mësimet e tij. Çështja është: nuk mund ta gjykojmë kurrsesi marrëdhënien e dikujt me Jehovain nga gjërat materiale që ka. Jemi të bekuar që kemi shumë vëllezër e motra, të pasur e të varfër, që e duan Jehovain dhe i shërbejnë me gjithë zemër. Shkrimet i udhëzojnë ata që janë të pasur, «të mos i varin shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia». (1 Tim. 6:17-19) Njëkohësisht, Fjala e Perëndisë i këshillon të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, të pasur a të varfër qofshin, të bëjnë kujdes të mos i duan paratë. (1 Tim. 6:9, 10) Vërtet, kur hapim sytë për t’i parë vëllezërit tanë siç i sheh Jehovai, nuk do të tundohemi t’i gjykojmë vetëm në bazë të asaj që kanë ose që nuk kanë nga ana materiale. w18.08 10-11 ¶11-12

E martë, 28 prill

Nënshtrojuni Perëndisë.—Jak. 4:7.

Pa dyshim, duam me gjithë shpirt t’i shprehim mirënjohjen Jehovait që na ka nderuar duke na zgjedhur si populli i tij. E kuptojmë sa e mençur është të pranojmë se Ai është pronari ynë, pra t’ia kushtojmë jetën me dëshirë. Ne i kundërvihemi me vendosmëri ligësisë. Veç kësaj, i duam dhe i respektojmë bashkadhuruesit, ngaqë mbajmë parasysh se edhe ata i përkasin Jehovait. (Rom. 12:10) Bibla premton: «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet.» (Psal. 94:14) Kjo është një garanci absolute dhe plotësohet gjithmonë, pavarësisht nga çdo e keqe që mund të na bjerë. Madje, as vdekja nuk e pengon dot Jehovain të na dojë. (Rom. 8:38, 39) «Edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait.» (Rom. 14:8) E presim me zjarr ditën kur Jehovai do të kthejë në jetë të gjithë miqtë e tij besnikë që kanë vdekur. (Mat. 22:32) Ne gëzojmë plot bekime që tani. Siç thotë Bibla, ‘lum ai komb, që ka Perëndi Jehovain, lum ai popull, që Ai e ka zgjedhur si trashëgiminë e tij’!—Psal. 33:12. w18.07 26 ¶18-19

E mërkurë, 29 prill

Gjithçka është e lejueshme, por jo gjithçka është dobiprurëse. Gjithçka është e lejueshme, por jo gjithçka forcon.—1 Kor. 10:23.

Disa mund të mendojnë se meqë disa vendime, siç janë vendimet lidhur me arsimimin, punën ose karrierën, janë personale, duhet të jenë të lirë të zgjedhin çfarë të duan për sa kohë ua lejon ndërgjegjja. Mbase kanë parasysh fjalët që u shkroi Pavli të krishterëve në Korint për ushqimin: «Përse të gjykohet liria ime nga ndërgjegjja e një tjetri?» (1 Kor. 10:29) Edhe pse është e vërtetë që jemi të lirë të bëjmë këto zgjedhje personale, nuk duhet të harrojmë se liria jonë është relative dhe se të gjitha vendimet që marrim, kanë pasoja. Ja përse Pavli i parapriu pohimit të tij me fjalët e shkrimit të sotëm. Kjo pa diskutim na ndihmon të kuptojmë se ka faktorë shumë më të rëndësishëm se preferencat tona që duhen marrë parasysh kur përdorim lirinë personale në çdo aspekt të jetës. w18.04 10 ¶10

E enjte, 30 prill

Kthehuni tek unë, dhe unë do të kthehem te ju.—Mal. 3:7.

Sot një shërbëtor i Perëndisë mund të ndjekë rrugën e gabuar ndonëse pohon se adhuron Jehovain. (Jud. 11) Për shembull, mund të ushqejë fantazi imorale, mendime lakmitare ose urrejtje ndaj një bashkëbesimtari. (1 Gjon. 2:15-17; 3:15) Kjo mënyrë të menduari mund të çojë në veprime mëkatare. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai mund të jetë aktiv në shërbim e të ndjekë rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Të tjerët mbase nuk e kanë idenë çfarë mendon dhe si sillet, ama Jehovai sheh gjithçka dhe e di nëse nuk jemi me gjithë zemër në anën e tij. (Jer. 17:9, 10) Prapëseprapë, Jehovai nuk heq dorë shpejt nga ne. Kur dikush hedh hapa që e largojnë nga Ai, Jehovai e nxit: ‘Kthehu tek unë.’ Sidomos kur luftojmë me dobësitë tona, Jehovai do që t’i bëjmë ballë ligësisë. (Isa. 55:7) Po të veprojmë kështu, ai do të jetë në anën tonë duke na dhënë atë forcë që na nevojitet në besim dhe nga ana emocionale e fizike ‘për t’i mposhtur’ prirjet tona mëkatare.—Zan. 4:7. w18.07 18 ¶5-6

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo