BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es20 f. 47-57
  • Maj

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Maj
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
  • Nëntema
  • E premte, 1 maj
  • E shtunë, 2 maj
  • E diel, 3 maj
  • E hënë, 4 maj
  • E martë, 5 maj
  • E mërkurë, 6 maj
  • E enjte, 7 maj
  • E premte, 8 maj
  • E shtunë, 9 maj
  • E diel, 10 maj
  • E hënë, 11 maj
  • E martë, 12 maj
  • E mërkurë, 13 maj
  • E enjte, 14 maj
  • E premte, 15 maj
  • E shtunë, 16 maj
  • E diel, 17 maj
  • E hënë, 18 maj
  • E martë, 19 maj
  • E mërkurë, 20 maj
  • E enjte, 21 maj
  • E premte, 22 maj
  • E shtunë, 23 maj
  • E diel, 24 maj
  • E hënë, 25 maj
  • E martë, 26 maj
  • E mërkurë, 27 maj
  • E enjte, 28 maj
  • E premte, 29 maj
  • E shtunë, 30 maj
  • E diel, 31 maj
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
es20 f. 47-57

Maj

E premte, 1 maj

Duaje të ardhurin.​—Ligj. 10:19.

Vitet e fundit, në shumë vende ka pasur një fluks refugjatësh. Pse të mos mësosh një përshëndetje në gjuhët që flasin shumë të sapoardhur në zonën tënde? Veç kësaj, pse të mos mësosh ca shprehje që mund t’u ngjallin interes? Pastaj mund t’i drejtosh te siti jw.org e t’u tregosh larminë e videove dhe të botimeve në gjuhën e tyre. Jehovai na siguron me dashuri mbledhjen Jeta dhe shërbimi, që të bëhemi më të efektshëm në shërbim. Udhëzimet praktike që jepen në këtë mbledhje, ndihmojnë që shumë prej nesh të ndihen më të sigurt kur bëjnë rivizita dhe drejtojnë studime biblike. Prindër, ndihmojini fëmijët ta lënë dritën e tyre të ndriçojë duke i mësuar të komentojnë me fjalët e veta. Disa të sapointeresuar e kanë dalluar tingullin e së vërtetës falë komenteve të thjeshta nga zemra të fëmijëve.—1 Kor. 14:25. w18.06 22-23 ¶7-9

E shtunë, 2 maj

Pranojeni krahëhapur njëri-tjetrin, ashtu si edhe Krishti ju pranoi krahëhapur.—Rom. 15:7.

Është mirë të kujtojmë se dikur ne të gjithë ishim «të huaj», të largët me Perëndinë. (Efes. 2:12) Por Jehovai na tërhoqi pranë tij «me kordonët e dashurisë». (Hoz. 11:4; Gjoni 6:44) Dhe Krishti na mirëpriti. Ai, si të thuash, na hapi derën që të bëheshim pjesë e familjes së Perëndisë. Përderisa Jezui na ka pranuar me dashamirësi ndonëse jemi të papërsosur, as duhet të na shkojë ndër mend të hedhim poshtë një njeri tjetër! Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi të lig, me siguri përçarjet, paragjykimet dhe armiqësitë në botë do të shtohen. (Gal. 5:19-21; 2 Tim. 3:13) Por ne si shërbëtorë të Jehovait, kërkojmë mençurinë nga lart që nuk mban anë dhe nxit paqen. (Jak. 3:17, 18) Gëzojmë teksa ndërtojmë miqësi me njerëz nga vende të tjera, duke pranuar ndryshimet kulturore e mbase edhe duke mësuar gjuhën e të tjerëve. Kur veprojmë kështu, paqja rrjedh si një lumë dhe drejtësia si valët e detit.—Isa. 48:17, 18. w18.06 12 ¶18-19

E diel, 3 maj

Me këmbët të mbathura, gati për të shpallur lajmin e mirë të paqes.—Efes. 6:15.

Një ushtar romak që nuk i kishte veshur çizmet, nuk ishte gati të marshonte drejt betejës. Çizmet e tij tip sandalesh përbëheshin nga tri shtresa lëkure të lidhura bashkë që ia mbanin shkëlqyer këmbën. Falë mënyrës si ishin bërë, ato ishin edhe rezistente, edhe të rehatshme. Ndërkohë që çizmet e mirëfillta i ndihmonin ushtarët romakë në luftë, ato simbolike i ndihmojnë të krishterët të përhapin një mesazh paqeje. (Isa. 52:7; Rom. 10:15) Prapëseprapë, duhet guxim për të folur kur krijohet mundësia. Roberto, që është 20 vjeç, thotë: «Kisha frikë t’u jepja dëshmi shokëve të klasës. Mendoj se më vinte turp. Kur kthej kokën pas, nuk e di pse duhej të kisha turp. Tani u dëshmoj me kënaqësi moshatarëve të mi.» Shumë të rinj kanë provuar se kur janë të përgatitur mirë për të predikuar lajmin e mirë, ndihen më rehat të flasin për të. w18.05 29 ¶9-11

E hënë, 4 maj

Vazhdoni të jepni shumë fryt.—Gjoni 15:8.

Jezui u tha apostujve: «Po ju jap paqen time.» (Gjoni 14:27) Si na ndihmon kjo dhuratë, paqja e tij, të japim fryt? Ndërsa tregojmë qëndrueshmëri, provojmë në zemër një ndjenjë paqeje të vazhdueshme që vjen nga dijenia se kemi miratimin e Jehovait e të Jezuit. (Psal. 149:4; Rom. 5:3, 4; Kolos. 3:15) Pasi shprehu dëshirën që gëzimi i apostujve ‘të bëhej i plotë’, Jezui u shpjegoi sa rëndësi ka të shfaqnin dashuri vetëmohuese. (Gjoni 15:11-13) Më tej, ai pohoi: «Ju kam quajtur miq.» Çfarë dhurate e vyer—miqësi me Jezuin! Ç’duhej të bënin apostujt që të mbeteshin miqtë e tij? Duhej ‘të vazhdonin të jepnin fryt’. (Gjoni 15:14-16) Rreth dy vjet më parë, Jezui i kishte udhëzuar apostujt të vazhdonin të predikonin duke thënë: «Mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 10:7) Kështu, mbrëmjen para se të vdiste, ai i inkurajoi të tregonin qëndrueshmëri në veprën që kishin nisur.—Mat. 24:13; Mar. 3:14. w18.05 20-21 ¶15-16

E martë, 5 maj

Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.—Gal. 6:7.

Ti i ri, vendos që ta përqendrosh jetën te dëshira për t’i shërbyer Jehovait. Kjo do të thotë të kesh në qendër të jetës synime që kënaqin Jehovain. Të rinj të tjerë të moshës sate ndoshta e përqendrojnë jetën te dëshira për t’ia kaluar mirë dhe ka shumë të ngjarë të të ftojnë të bashkohesh me ta. Herët a vonë do të të duhet të tregosh sa i vendosur je të mos heqësh dorë nga zgjedhjet që ke bërë. Mos u shpërqendro nga presioni i shoqërisë. Ka disa mënyra si ta luftosh presionin e shoqërisë. Për shembull, shmangi situatat që dihet se janë tunduese. (Prov. 22:3) Gjithashtu, kujtoji vetes çfarë pasojash të dhimbshme vijnë kur bashkohesh me të tjerët duke u sjellë keq. Një ndihmë tjetër është të pranosh se ke nevojë për këshilla. Përulësia do të të ndihmojë t’i mirëpresësh sugjerimet e prindërve dhe të bashkëbesimtarëve të pjekur në kongregacion. (1 Pjet. 5:5, 6) A je aq i përulur sa t’i pranosh këshillat e mençura? w18.04 28-29 ¶14-16

E mërkurë, 6 maj

Mbani fort atë që keni, derisa të vij unë. Atij që del fitimtar dhe që ndjek udhën time deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet.—Zbul. 2:25, 26.

Në mesazhet që u drejtoi kongregacioneve në Azinë e Vogël, Jezui shprehu çmueshmëri për veprën që bënin dishepujt e tij. Për shembull, ai e nisi mesazhin për kongregacionin e Tiatirës me fjalët: «I njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe e di që veprat e tua të fundit janë më shumë se të mëparshmet.» (Zbul. 2:19) Jezui jo vetëm përmendi se kishin shtuar aktivitetin, por edhe i lavdëroi për cilësitë që i motivonin për vepra të mira. Edhe pse i duhej të këshillonte disa në Tiatirë, Jezui e nisi dhe e përfundoi mesazhin e tij me fjalë inkurajuese. (Zbul. 2:27, 28) Mendo pak sa autoritet ka Jezui si kreu i gjithë kongregacioneve. Ai s’ka pse të na falënderojë për veprën që bëjmë për të. Gjithsesi, dëshiron dhe kërkon mundësi për ta shprehur çmueshmërinë. Sa shembull i shkëlqyer për pleqtë! w19.02 16 ¶10

E enjte, 7 maj

Juda dhe Sila . . . u dhanë zemër e forcë vëllezërve me shumë fjalime.—Vep. 15:32.

Trupi udhëheqës i shekullit të parë ishte burim inkurajimi qoftë për ata që merrnin drejtimin, qoftë për të krishterët në përgjithësi. Ata dërguan dy nga anëtarët e tyre, Pjetrin dhe Gjonin, për t’u lutur që besimtarët e rinj të merrnin frymën e shenjtë. (Vep. 8:5, 14-17) Sa shumë duhet t’u ketë dhënë zemër kjo mbështetje nga trupi udhëheqës Filipit vetë dhe atyre që kishte ndihmuar të përqafonin të vërtetën! Sot Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait u jep inkurajim pjesëtarëve të familjes Bethel, atyre që janë në shërbimin special në kohë të plotë në fushë, e pa dyshim mbarë vëllazërisë ndërkombëtare të të krishterëve të vërtetë. E rezultati është njësoj si në shekullin e parë—gëzojmë për inkurajimin! Veç kësaj, në vitin 2015 Trupi Udhëheqës botoi broshurën Kthehu te Jehovai!, që ka qenë burim i pasur inkurajimi për shumë veta anembanë botës. w18.04 19 ¶18-20

E premte, 8 maj

Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.​—Gjoni 8:32.

Njerëzit mund të mendojnë se sa më shumë liri të kenë, aq më mirë do të jenë, por realiteti është se liria pa kufij është një thikë me dy presa. Na hyjnë dridhmat kur imagjinojmë si do të ishte bota po të mos kishte fare kufizime. Ja përse, një enciklopedi thotë: «Ligjet e çdo shoqërie të organizuar formojnë një sistem të komplikuar lirish dhe kufizimesh të ekuilibruara me njëra-tjetrën.» (The World Book Encyclopedia) «E komplikuar» është pa dyshim fjala e duhur. Të mendojmë pak për vëllimet e pafundme me ligje të shkruara nga njeriu, pa përmendur pastaj ushtrinë e avokatëve dhe gjyqtarëve që nevojiten për t’i interpretuar dhe për të garantuar zbatimin e tyre. Sipas drejtimit të Jezuit, për të fituar liri të vërtetë ka dy kërkesa: së pari të pranosh të vërtetën që mësoi ai, dhe së dyti, të bëhesh dishepull i tij. Kjo sjell liri të vërtetë. Por, liri nga çfarë? Jezui shpjegoi më tej: «Çdo njeri që praktikon mëkatin, është skllav i mëkatit. . . . Nëse ju liron Biri, do të jeni vërtet të lirë.»—Gjoni 8:34, 36. w18.04 6-7 ¶13-14

E shtunë, 9 maj

Të gjithë . . . tregoni empati.—1 Pjet. 3:8.

Kënaqemi kur kemi pranë njerëz që interesohen për ndjenjat dhe mirëqenien tonë. Ata përpiqen ta vënë veten në vendin tonë, të dallojnë çfarë mendojmë dhe si ndihemi. Vërejnë çfarë na nevojitet dhe na ofrojnë ndihmë, madje ndonjëherë para se ta kërkojmë. I çmojmë njerëzit që tregojnë «empati» ndaj nesh. Si të krishterë, të gjithë ne duam të tregojmë empati, ose ndjenja të përbashkëta. Mirëpo, për të qenë realistë, mund të na duhet të punojmë në këtë aspekt. Pse? Një arsye është se jemi të papërsosur. (Rom. 3:23) Ndaj duhet ta luftojmë prirjen e natyrshme që të mendojmë në radhë të parë për veten. Veç kësaj, disa nga ne mund ta kenë të vështirë të tregojnë empati për shkak të mënyrës si janë rritur ose të së kaluarës. E së fundi, mund të infektohemi nga qëndrimi i njerëzve përreth. Në këto ditë të fundit, shumë s’duan t’ia dinë për ndjenjat e të tjerëve. Ata janë «të dashuruar me veten». (2 Tim. 3:1, 2) Prapëseprapë, mund të mësojmë të tregojmë më shumë ndjenja të përbashkëta duke imituar Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin. w19.03 14 ¶1-3

E diel, 10 maj

Ruaj zemrën.—Prov. 4:23.

I fundit nga Dhjetë Urdhërimet ndalonte lakminë, ose zhvillimin e një dëshire të gabuar për atë që i përket një tjetri. (Ligj. 5:21; Rom. 7:7) Jehovai e vendosi atë ligj për të dhënë një mësim me vlerë—shërbëtorët e tij duhet të ruajnë zemrën, domethënë mendimet dhe ndjenjat e tyre. Ai e di se veprimet e mbrapshta zënë fill si mendime dhe ndjenja të mbrapshta. Në këtë kurth ra për shembull mbreti David. Në përgjithësi ai ishte njeri i mirë. Mirëpo në një rast lakmoi gruan e një tjetri. Ajo dëshirë e çoi drejt mëkatit. (Jak. 1:14, 15) Davidi kreu kurorëshkelje, u orvat të mashtronte bashkëshortin e asaj gruaje dhe pastaj planifikoi vrasjen e tij. (2 Sam. 11:2-4; 12:7-11) Jehovai sheh përtej pamjes së dikujt. Ai sheh si jemi vërtet brenda, në zemër. (1 Sam. 16:7) Asnjë mendim, asnjë ndjenjë, asnjë veprim nuk mund të mbahet i fshehur prej tij. Ai kërkon cilësitë e mira brenda nesh dhe na inkurajon t’i zhvillojmë. Por Jehovai do edhe të dallojmë e të mbajmë nën fre mendimet e gabuara para se të kthehen në veprime të gabuara.—2 Kron. 16:9; Mat. 5:27-30. w19.02 21 ¶9; 22 ¶11

E hënë, 11 maj

Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët mbi faqen e dheut. . . . Kërkoni zemërbutësinë.—Sof. 2:3.

Bibla e përshkruan Moisiun si «më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Num. 12:3) A do të thotë kjo se ishte njeri i dobët, i pavendosur dhe kishte frikë të përballej me të tjerët? Ndoshta kështu do ta përshkruanin disa një njeri zemërbutë. Por sa larg së vërtetës është kjo! Moisiu ishte një shërbëtor i fortë, i vendosur e i guximshëm i Perëndisë. Me ndihmën e Jehovait, ai u përball me sundimtarin e fuqishëm të Egjiptit, u priu ndoshta 3.000.000 vetave përmes një shkretëtire dhe ndihmoi kombin e Izraelit të mundte armiqtë. Edhe pse nuk ndeshim ato sfida që kapërceu Moisiu, kemi të bëjmë çdo ditë me njerëz a situata që na e bëjnë të vështirë të jemi zemërbutë. Ama kemi një arsye të fortë që ta zhvillojmë këtë cilësi. Jehovai premton se «zemërbutët do të trashëgojnë tokën». (Psal. 37:11) A do ta përshkruaje veten si njeri zemërbutë? A do të të përshkruanin kështu të tjerët? w19.02 8 ¶1-2

E martë, 12 maj

Mjerë ata që thonë se . . . e keqja është e mirë.—Isa. 5:20.

Njerëzit kanë pasur ndërgjegje që nga zanafilla e historisë njerëzore. Pasi thyen ligjin e Jehovait, Adami dhe Eva u fshehën. Kjo tregon se ndërgjegjja po i trazonte. Kush nuk e ka ndërgjegjen të stërvitur mirë, mund të krahasohet me një anije në lundrim që drejtohet nga një busull me defekte. Të nisesh për udhëtim pa një busull të saktë mund të jetë goxha e rrezikshme. Era dhe rrymat e oqeanit fare lehtë mund ta devijojnë anijen nga kursi. Një busull e kalibruar siç duhet, mund ta ndihmojë kapitenin ta mbajë anijen në kursin e duhur. Ndërgjegjja jonë mund të krahasohet me një busull morale. Ajo është një ndjenjë e brendshme për të drejtën ose të gabuarën që mund të na udhëheqë në drejtimin e duhur. Por, që të jetë një udhërrëfyese e efektshme, ndërgjegjja duhet rregulluar, ose kalibruar, siç duhet. Nëse nuk e kemi ndërgjegjen të stërvitur siç duhet, ajo nuk na frenon që të mos bëjmë diçka të gabuar. (1 Tim. 4:1, 2) Madje një ndërgjegje e tillë mund të na bindë se «e keqja është e mirë». w18.06 16 ¶1-3

E mërkurë, 13 maj

Mjaft u brumosët sipas kallëpit të kësaj bote.—Rom. 12:2.

Bëjmë mirë të dallojmë dhe të hedhim poshtë ato mendime të botës që paraqiten në mënyra më dinake. Për shembull, një lajm mund të serviret në mënyrë të atillë që të mbështetë opinione të caktuara politike. Një histori reale që ngjall interes, mund të përkrahë pikëpamjen e botës për synimet dhe arritjet njerëzore. Disa filma dhe libra nxitin filozofitë «unë në radhë të parë» dhe «familja vjen e para», duke i bërë të duken të arsyeshme, tërheqëse e madje të drejta. Pikëpamje të tilla shpërfillin pikëpamjen e Shkrimeve se familjet tona dhe vlerësimi për veten lulëzojnë kur duam Jehovain mbi gjithçka. (Mat. 22:36-39) Kjo s’do të thotë se është e gabuar të shijojmë zbavitje të shëndetshme. Gjithsesi, bëjmë mirë të pyesim veten: «A i dallojmë mësimet e botës edhe kur reklamohen tërthorazi? A e kufizojmë ekspozimin e fëmijëve—madje edhe tonin—ndaj disa programeve a materialeve për të lexuar? A i ndihmojmë fëmijët të luftojnë idetë e botës që dëgjojnë a shohin, duke u ngulitur pikëpamjen e Jehovait për çështje të ndryshme?» w18.11 22 ¶18-19

E enjte, 14 maj

Mos ki frikë, se unë jam me ty.—Isa. 41:10.

Jehovai na tregon se është me ne duke na kushtuar vëmendje të plotë dhe duke na shprehur përzemërsi të ngrohtë. Shiko si i shpreh ai ndjenjat e buta e të thella që ka për ne: «Në sytë e mi ke qenë i çmuar e i nderuar dhe unë të kam dashur.» (Isa. 43:4) Nuk ka forcë në univers që ta bëjë Jehovain të mos i dojë më ata që i shërbejnë; besnikëria e tij ndaj nesh është e palëkundur. (Isa. 54:10) Jehovai nuk premton të na i heqë sfidat që na e bëjnë të vështirë jetën, ama nuk do të lejojë që ‘lumenjtë’ ose problemet të na përpijnë, e as që «flaka» ose sprovat të na shkaktojnë ndonjë dëm të përhershëm. Ai na garanton se do të jetë me ne, duke na ndihmuar ‘të kalojmë përmes’ këtyre vështirësive. Çfarë do të bëjë Jehovai? Do të na ndihmojë të qetësojmë çdo frikë në zemër që të arrijmë të mbajmë integritetin ndaj tij, madje edhe nëse jemi përballë vdekjes. (Isa. 41:13; 43:2) Kur kemi besim te premtimi i Perëndisë «unë do të jem me ty», edhe ne do të jemi plot kurajë e forcë ndërsa përballojmë sprova. w19.01 3 ¶4-6

E premte, 15 maj

Të shumta janë planet në zemrën e njeriut, por vetëm vullneti i Jehovait do të triumfojë.—Prov. 19:21.

Nëse je i ri, mësuesit, këshilluesit e shkollës a të tjerë, mund të të kenë nxitur të ndjekësh arsimin e lartë dhe një karrierë fitimprurëse. Mirëpo Jehovai të këshillon një udhë tjetër. Natyrisht, ai do që të përpiqesh me të gjitha forcat në shkollë, që të jesh në gjendje të mbash veten kur ta mbarosh. (Kolos. 3:23) Por, teksa vendos cilat do të jenë përparësitë e tua në jetë, ai të nxit të udhëhiqesh nga parime të mençura që marrin parasysh qëllimin e tij dhe vullnetin e tij për ne gjatë këtyre ditëve të fundit. (Mat. 24:14) Jehovai e di çfarë e pret këtë botë dhe sa shpejt do t’i vijë fundi. (Isa. 46:10; Mat. 24:3, 36) Veç kësaj, ai na njeh mirë—e di çfarë na sjell kënaqësi e lumturi të vërtetë dhe çfarë na zhgënjen e na bën të palumtur. Prandaj, sado të arsyeshme të duken këshillat e njerëzve, nëse nuk marrin parasysh Fjalën e Perëndisë, nuk kanë pikë mençurie. w18.12 19 ¶1-2

E shtunë, 16 maj

Të ligjtë nuk do të jenë më.​—Psal. 37:10.

Në vend të kësaj, «zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». Gjithashtu, Davidi u frymëzua të parathoshte: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psal. 37:11, 29; 2 Sam. 23:2) Si mendon se ndikuan këto premtime te njerëzit që donin të bënin vullnetin e Perëndisë? Meqë premtimet tregonin se në tokë do të jetonin vetëm të drejtët, ata kishin një bazë për të pritur që toka me kohë të bëhej sërish parajsë si kopshti i Edenit. Me kalimin e kohës, shumica e izraelitëve që pohonin se i shërbenin Jehovait, i kthyen shpinën atij dhe adhurimit të vërtetë. Prandaj Perëndia lejoi që babilonasit ta mundnin popullin e tij, ta shkretonin vendin e tyre dhe t’i çonin shumë izraelitë në mërgim. (2 Kron. 36:15-21; Jer. 4:22-27) Gjithsesi, profetët e Perëndisë parathanë se pas 70 vjetësh, populli i tij do të kthehej në atdhe. Ato profeci u përmbushën. Por ato janë domethënëse edhe për ne sot që po presim një parajsë në tokë. w18.12 4 ¶9-10

E diel, 17 maj

Ashtu si qiejt janë më lart se toka, edhe udhët e mia janë më lart se udhët tuaja, dhe mendimet e mia janë më lart se mendimet tuaja.—Isa. 55:9.

Shumë këshilla të botës bien ndesh me Shkrimet. Por mos ndoshta disa prej këtyre këshillave janë më të përshtatshme për kohën tonë? «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta»,—tha Jezui. (Mat. 11:19) Bota ka bërë përparime të mëdha në teknologji; prapëseprapë, s’ka arritur të zgjidhë probleme madhore që pengojnë lumturinë të tilla, si luftërat, racizmi dhe krimet. E ç’të themi për pikëpamjen e saj liberale për moralin? Shumë veta e pranojnë se kjo nuk po i zgjidh, por po i shton problemet, si familjet e shkatërruara, sëmundjet dhe telashe të tjera. Nga ana tjetër, të krishterët që përvetësojnë pikëpamjen e Perëndisë, gëzojnë marrëdhënie familjare më të lumtura, dobitë shëndetësore që sjell pastërtia morale dhe paqe me bashkëbesimtarët në mbarë botën. (Isa. 2:4; Vep. 10:34, 35; 1 Kor. 6:9-11) A nuk provon kjo se mendimet e Jehovait qëndrojnë shumë më lart se ato të botës? w18.11 20 ¶8-10

E hënë, 18 maj

Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.—1 Kor. 15:33.

Edhe pse bëjmë çmos të kemi marrëdhënie të mira me pjesëtarët e familjes dhe t’i trajtojmë me dashamirësi, duhet të kemi kujdes të mos bëjmë kompromis me të vërtetën për t’u bërë qejfin atyre. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të shkojmë mirë me pjesëtarët e familjes, ama do të kemi miqësi të ngushtë vetëm me ata që e duan Jehovain. Të gjithë ata që ecin në të vërtetën duhet të jenë të shenjtë. (Isa. 35:8; 1 Pjet. 1:14-16) Kur përqafuam të vërtetën, të gjithëve na u desh të bënim ndryshime për të jetuar sipas standardeve të drejta të Biblës. Disa duhej të bënin ndryshime kolosale. Sido të ketë qenë, nuk duhet ta shkëmbejmë kurrë gjendjen tonë të pastër e të shenjtë me fëlliqësinë imorale të kësaj bote. Ç’mund të na ndihmojë që të mos dorëzohemi para tundimeve për të kryer imoralitet? Të reflektojmë për çmimin e madh që pagoi Jehovai me qëllim që ne të jemi të shenjtë—gjakun e çmuar të Birit të tij, Jezu Krishtit. (1 Pjet. 1:18, 19) Që të mbetemi të pastër në sytë e Jehovait, duhet ta përqendrojmë mendjen dhe zemrën te vlera e madhe e flijimit shpërblyes të Jezuit. w18.11 11 ¶10-11

E martë, 19 maj

Do ta pres me durim Perëndinë e shpëtimit tim. Perëndia im do të më dëgjojë.—Mik. 7:7.

Shumë nga ata që shërbejnë në kohë të plotë mund të dëshmojnë se përqendrimi te shërbimi i ndihmoi të mbanin ekuilibrin, pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave. Siç tregojnë shembujt e tyre, nëse nxjerrim më të mirën nga rrethanat tona dhe presim plot besim Jehovain, do të ruajmë paqen e brendshme. Madje mund të vërejmë sa shumë na e forcon miqësinë me Jehovain përshtatja me një sërë rrethanash të reja. Nëse jeta merr një kthesë të papritur—për shkak të një ndryshimi në caktimet teokratike, të problemeve shëndetësore a të përgjegjësive të reja familjare—ji i sigurt se Jehovai ka merak për ty dhe do të të ndihmojë në kohën e duhur. (Hebr. 4:16; 1 Pjet. 5:6, 7) Ndërkaq, përpiqu të nxjerrësh më të mirën nga situata jote. Afrohu me Atin tënd qiellor nëpërmjet lutjeve dhe mëso ta lësh veten në duart e tij të dashura. Kështu do të ruash paqen e brendshme edhe kur rrethanat ndryshojnë. w18.10 30 ¶17; 31 ¶19, 22

E mërkurë, 20 maj

[Jehovai] e di mirë si jemi formuar e nuk harron që jemi veçse pluhur.—Psal. 103:14.

Në Bibël gjejmë plot shembuj se si u tregon konsideratë Jehovai shërbëtorëve të tij. Për shembull, shih kujdesin që tregoi Perëndia për Samuelin e vogël kur e ndihmoi t’i jepte një mesazh gjykimi kryepriftit Eli, siç tregohet te 1 Samuelit 3:1-18. Ligji i Jehovait i urdhëronte fëmijët të respektonin të moshuarit, sidomos dikë që ishte kre ose prijës. (Eks. 22:28; Lev. 19:32) A e përfytyron dot Samuelin të shkonte në mëngjes tek Eliu dhe t’i thoshte me guxim mesazhin therës të gjykimit nga Perëndia? Kurrsesi! Në fakt, Shkrimet thonë se Samueli «kishte frikë t’ia tregonte Eliut atë që i ishte shfaqur». Megjithatë, Perëndia ia bëri të qartë Eliut se Samuelin po e thërriste Ai. Si rezultat, Eliu e mori në dorë situatën dhe i kërkoi Samuelit të fliste e të mos i fshihte «ndonjë fjalë». Samueli u bind dhe «ia tregoi të gjitha fjalët», të cilat përputheshin me mesazhin që i ishte dhënë më parë kryepriftit Eli. (1 Sam. 2:27-36) Kjo histori me Samuelin dhe Eliun na tregon sa konsideratë e mençuri ka Jehovai. w18.09 23 ¶2; 24 ¶4-5

E enjte, 21 maj

O Jehova, kush mund të jetë mysafir në tendën tënde? . . . Ai që . . . i thotë të vërtetën zemrës së vet.—Psal. 15:1, 2.

Gënjeshtrat janë bërë të zakonshme në shoqërinë e sotme. Siç thuhet në artikullin «Pse gënjejmë» nga J. Boteçarji, «gënjeshtra është pranuar si një tipar i rrënjosur thellë te njeriu». Shpesh njerëzit gënjejnë për t’u mbrojtur ose për ta ngritur veten mbi të tjerët. Gënjejnë për të mbuluar gabimet ose shkeljet e tyre ose për leverdi ekonomike a personale. Siç tregon artikulli, ka njerëz që «u thonë si pa të keq gënjeshtra të panjohurve, kolegëve, miqve dhe njerëzve të dashur, për gjëra të mëdha e të vogla». Ç’pasoja sjellin gjithë këto gënjeshtra? Njerëzit humbin besimin te njëri-tjetri dhe marrëdhëniet mes tyre mund të shkatërrohen. Psalmisti David iu lut Jehovait: «Ti ke gjetur kënaqësi te besnikëria [ose, me çiltërsinë] që gjendet brenda meje.» (Psal. 51:6) Davidi e dinte se të thuash të vërtetën buron nga brenda, nga zemra jonë. Të krishterët e vërtetë ‘i thonë të vërtetën njëri-tjetrit’ në çdo aspekt të jetës.—Zak. 8:16. w18.10 7 ¶4; 8 ¶9-10; 10 ¶19

E premte, 22 maj

Të sigurt ndiheshin teksa ai u printe, aspak s’u frikësuan.—Psal. 78:53.

Kur dolën nga Egjipti në vitin 1513 p.e.s., izraelitët mund të kenë qenë më shumë se tre milionë. U përkitnin tre ose katër brezave të ndryshëm, dhe kishte mes tyre fëmijë, të moshuar, e patjetër edhe disa që ishin të sëmurë ose invalidë. Për të nxjerrë nga Egjipti një numër kaq të madh njerëzish, duhej një Udhëheqës mirëkuptues e që merakosej për ta. Nëpërmjet Moisiut, Jehovai tregoi se ishte një Udhëheqës i tillë. Si rezultat, izraelitët u ndien të sigurt teksa linin pas të vetmen shtëpi që kishin pasur në jetë. (Psal. 78:52) Çfarë bëri Jehovai që populli i tij të ndihej i qetë e i sigurt? Së pari, ai i nxori nga Egjipti në një «formacion luftimi» të organizuar mirë. (Eks. 13:18) Një organizim i tillë patjetër që i siguroi izraelitët se Perëndia i tyre e kishte situatën nën kontroll. Gjithashtu, Jehovai e bëri të dukshme praninë e tij ‘me një re ditën’ dhe ‘me një dritë zjarri natën’. (Psal. 78:14) Ishte sikur Jehovai po i siguronte: «Mos kini frikë! Jam unë me ju që t’ju prij e t’ju mbroj.» w18.09 26 ¶11-12

E shtunë, 23 maj

Ah, sikur të më fshihje në Varr! . . . Të vije një afat e të më kujtoje!—Jobi 14:13.

Në kohët biblike, disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë ishin aq të dërrmuar nga rrethanat ku gjendeshin, sa donin të vdisnin. Për shembull, i mbytur nga dhimbja, Jobi vajtoi: «Nuk e dua jetën. S’dua të jetoj përgjithnjë.» (Jobi 7:16) Jonai ishte aq i zhgënjyer nga mënyra si vajtën gjërat në caktimin e tij sa tha: «Tani, o Jehova, të lutem, merrma shpirtin, sepse për mua është më mirë të vdes se të rroj!» (Jon. 4:3) Edhe për profetin besnik Elija erdhi një moment që vuajti aq shumë për situatën ku ndodhej, sa kërkoi të vdiste. Ai tha: «O Jehova, s’mundem më, merrma shpirtin.» (1 Mbret. 19:4) Megjithatë, Jehovai i çmonte ata shërbëtorë të përkushtuar dhe donte që të jetonin. Në vend se t’i dënonte për ndjenjat që provonin, i ndihmoi ta mposhtnin dëshirën për të vdekur dhe i forcoi, ose i ndërtoi, me dashurinë e tij që të vazhdonin t’i shërbenin besnikërisht. w18.09 13 ¶4

E diel, 24 maj

Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.—1 Kor. 3:9.

Bashkëpunëtorët e Perëndisë njihen për mikpritjen e tyre. Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala e përkthyer «mikpritje» ka kuptimin «të tregoheni zemërmirë me të huajt». (Hebr. 13:2, shën.) Në Fjalën e Perëndisë gjejmë shembuj që na mësojnë ta shfaqim këtë dashuri. (Zan. 18:1-5) Ne mundemi dhe duhet të shfrytëzojmë mundësitë për t’i ndihmuar të tjerët rregullisht, pavarësisht nëse janë «të lidhur me ne në besim» apo jo. (Gal. 6:10) A mund të bashkëpunosh me Perëndinë duke mikpritur shërbëtorët në kohë të plotë që ju vizitojnë? (3 Gjonit 5, 8) Raste të tilla shpesh krijojnë mundësi që ‘të inkurajoni njëri-tjetrin’. (Rom. 1:11, 12) Fjala e Perëndisë i nxit burrat në kongregacion të bashkëpunojnë me Jehovain, duke synuar caktime për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të mbikëqyrur. (1 Tim. 3:1, 8, 9; 1 Pjet. 5:2, 3) Ata që e bëjnë këtë, duan t’i ndihmojnë të tjerët si në mënyra praktike, edhe në adhurimin e Perëndisë. (Vep. 6:1-4) Ata që kujdesen për detyra të domosdoshme në kongregacion thonë se, kur ndihmon të tjerët, provon shumë kënaqësi. w18.08 24 ¶6-7; 25 ¶10

E hënë, 25 maj

Mos e kritiko ashpër një më të moshuar. Përkundrazi, këshilloje përzemërsisht si një atë.—1 Tim. 5:1.

Ndonëse Timoteu kishte njëfarë autoriteti për t’u dhënë drejtim këtyre vëllezërve më të moshuar, duhej t’i trajtonte me dhembshuri dhe respekt. Mirëpo, ku janë kufijtë e zbatimit të këtij parimi? Për shembull, a duhet të ndihemi të detyruar t’i hapim rrugë një më të moshuari nëse po mëkaton me dashje ose nëse po përkrah diçka që s’i pëlqen Jehovait? Jehovai nuk gjykon nga pamja e jashtme dhe nuk e shfajëson dikë që mëkaton me dashje thjesht se është i moshuar. Vër re parimin që gjejmë tek Isaia 65:20: «Mëkatari, edhe pse njëqind vjeç, do të mallkohet.» Një parim i ngjashëm del në pah edhe te vegimi i Ezekielit. (Ezek. 9:5-7) Pra, meraku ynë kryesor duhet të jetë gjithmonë që të tregojmë respekt për të Lashtin e Ditëve, Perëndinë Jehova. (Dan. 7:9, 10, 13, 14) Po të veprojmë kështu, nuk do të druhemi ta ndreqim dikë që ka nevojë për këshilla, pavarësisht nga mosha.—Gal. 6:1. w18.08 11 ¶13-14

E martë, 26 maj

Naivët i besojnë çdo fjale, por mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.—Prov. 14:15.

Si të krishterë të vërtetë, duhet të zhvillojmë aftësinë për t’i peshuar informacionet dhe për të nxjerrë përfundime të sakta. (Prov. 3:21-23; 8:4, 5) Nëse nuk e zhvillojmë këtë aftësi, do të biem shumë më kollaj pre e përpjekjeve të Satanait dhe të botës së tij për të na shtrembëruar mënyrën si mendojmë. (Efes. 5:6; Kolos. 2:8) Sigurisht, mund të nxjerrim përfundimet e duhura vetëm nëse i dimë mirë faktet. Njerëzit sot bombardohen me informacione. Sitet e Internetit, televizioni dhe forma të tjera të medias, servirin një shumëllojshmëri idesh që duket se s’kanë fund. Gjithashtu, shumë veta marrin një lumë email-esh, mesazhesh e informacionesh nga miq dhe të njohur që nisen nga e mira. E meqë ndodh rëndom që njerëzit të përhapin me dashje informacione të gabuara dhe të shtrembërojnë faktet, kemi arsye të forta që të hapim sytë e të peshojmë me kujdes atë që dëgjojmë. w18.08 3 ¶1, 3

E mërkurë, 27 maj

Ke gjetur pëlqim në sytë e Perëndisë.—Luka 1:30.

Kur erdhi koha që Biri i Perëndisë të lindte si njeri, Jehovai zgjodhi një virgjëreshë të thjeshtë, Marinë, që të ishte nëna e atij fëmije të veçantë. Maria jetonte në qytetin e parëndësishëm të Nazaretit, larg Jerusalemit dhe tempullit të tij madhështor. (Luka 1:26-33) Maria tregoi sa e thellë ishte miqësia e saj me Jehovain kur foli më vonë me të afërmen e saj Elizabetën. (Luka 1:46-55) Po, Jehovai e kishte vëzhguar Marinë, dhe ia dha atë privilegj të papritur për shkak të besnikërisë së saj. Më pas, kur Maria lindi Jezuin, Jehovai nuk i tregoi nderim ndonjë zyrtari ose qeveritari të shquar të Jerusalemit dhe Betlehemit duke e njoftuar për atë që kishte ndodhur. Engjëjt iu shfaqën disa barinjve të thjeshtë që po ruanin dhentë në fushat jashtë Betlehemit. (Luka 2:8-14) Pastaj ata barinj shkuan të shihnin foshnjën e sapolindur. (Luka 2:15-17) Çfarë surprize e bukur do të ketë qenë për Marinë dhe Jozefin kur panë se Jezui u nderua në atë mënyrë! w18.07 9-10 ¶11-12

E enjte, 28 maj

Jehovait iu ndez zemërimi kundër Solomonit.—1 Mbret. 11:9.

Pse Jehovait iu ndez zemërimi kundër Solomonit? Bibla tregon: «Sepse zemra e tij ishte larguar nga Jehovai, . . . nga ai që iu shfaq dy herë. Ai e urdhëroi që të mos shkonte pas perëndive të tjera, por ky nuk veproi ashtu siç e urdhëroi Jehovai.» Si pasojë, Solomoni humbi miratimin dhe mbështetjen e Perëndisë. Trashëgimtarët e tij humbën mbretërinë e bashkuar të Izraelit dhe hoqën shumë peripeci për breza të tërë. (1 Mbret. 11:9-13) Ashtu si në rastin e Solomonit, një nga kërcënimet më të mëdha për miqësinë tonë me Jehovain është miqësia me ata që nuk i kuptojnë ose nuk i respektojnë normat e Jehovait. Disa mbase janë pjesë e kongregacionit, por mund të mos kenë marrëdhënie të fortë me Jehovain. Të tjerë mund të jenë të afërm, fqinjë, kolegë ose shokë shkolle që nuk janë adhurues të Jehovait. Sido që të jetë, nëse shokët tanë të ngushtë nuk i respektojnë thellë normat e Jehovait, me kohë mund të na e shkatërrojnë marrëdhënien e mirë me Perëndinë. w18.07 19 ¶9-10

E premte, 29 maj

E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut.—1 Gjon. 5:19.

Satanai përdor filmat dhe shfaqjet televizive që të përhapë mënyrën e tij të të menduarit. Ai e di se historitë ose tregimet për njerëz të tjerë nuk shërbejnë thjesht për të na zbavitur; ato na mësojnë si të mendojmë, si të ndihemi e si të veprojmë. Jezui e përdori mirë këtë metodë mësimdhënieje. Të marrim, për shembull, ilustrimet e tij për samaritanin e mirë dhe për birin që iku nga shtëpia dhe e prishi kot trashëgiminë e vet. (Mat. 13:34; Luka 10:29-37; 15:11-32) Mirëpo ata që janë infektuar nga mënyra si mendon Satanai, mund t’i përdorin historitë reale a imagjinare për njerëz të tjerë që të na korruptojnë. Kemi nevojë të jemi të ekuilibruar. Filmat dhe shfaqjet televizive mund të na zbavitin e të na mësojnë pa na e ndotur mendjen. Por duhet të bëjmë kujdes. Kur zgjedhim zbavitjet, bëjmë mirë të pyesim veten: «A më mëson ky film ose shfaqje televizive se nuk ka ndonjë të keqe të dorëzohem para dëshirave të mishit?» (Gal. 5:19-21; Efes. 2:1-3) Ç’duhet të bësh nëse dallon që një program përkrah një mënyrë të menduari satanike? Shmange siç do të bëje me një sëmundje infektive! w19.01 15-16 ¶6-7

E shtunë, 30 maj

Merrni . . . helmetën e shpëtimit.—Efes. 6:17.

Ashtu si një helmetë që i mbron kokën ushtarit, ‘shpresa e shpëtimit’ na mbron mendjen, ose aftësinë për të menduar. (1 Sel. 5:8; Prov. 3:21) Si mund të na e prishë mendjen Satanai që ta heqim helmetën tonë? Mendo pak si veproi ai me Jezuin. Pa diskutim që Satanai e dinte se Jezui kishte shpresën që me kohë të qeveriste mbi njerëzimin. Mirëpo Jezuit do t’i duhej të priste deri në kohën e caktuar të Jehovait. Dhe para se të vinte ajo ditë, do t’i duhej të vuante e të vdiste. Kështu Satanai i ofroi shansin që ta bënte realitet më shpejt shpresën e tij. Satanai sugjeroi se po t’i bënte një akt adhurimi, Jezui mund të kishte gjithçka dhe mund ta kishte në çast. (Luka 4:5-7) Po njësoj, Satanai e di se Jehovai na ofron të mira materiale në sistemin e ri. Mirëpo duhet të presim, dhe ndërkohë mund të na duhet të vuajmë nga probleme të ndryshme. Kështu Satanai na ofron mundësi joshëse për ta shijuar tani një jetë të tillë. Ai do që të kërkojmë në radhë të parë të mirat materiale—të kemi gjithçka e ta kemi tani. Satanai na nxit që Mbretërinë ta kërkojmë në radhë të dytë.—Mat. 6:31-33. w18.05 30-31 ¶15-17

E diel, 31 maj

Të gëzoftë zemra në ditët e rinisë sate!—Ekl. 11:9.

Po, Jehovai do që ta kesh zemrën të gëzuar në rini. Vazhdo të përqendrohesh te synimet teokratike, duke e përfshirë Jehovain në të gjitha planet e tua. Sa më herët të fillosh ta bësh këtë, aq më shpejt do të ndiesh udhëheqjen, mbrojtjen dhe bekimet e Jehovait. Mendo për tërë ato këshilla të mençura që gjen në Fjalën e Perëndisë, dhe vërja veshin këshillës: «Kujtoje, pra, Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate.» (Ekl. 12:1) Të rinjtë në kongregacion meritojnë lavdërime nga zemra për vendosmërinë që ta përqendrojnë jetën te shërbimi i Jehovait. Të rinjtë e bëjnë këtë duke punuar për synime që kënaqin Jehovain dhe duke i dhënë shumë përparësi veprës së predikimit. Gjithashtu, e ndajnë mendjen që të mos shpërqendrohen nga kjo botë. Adoleshentët mund të jenë të sigurt se përpjekjet e tyre të palodhura nuk janë të kota. Ata kanë mbështetjen e dashur të vëllezërve e motrave dhe, kur e lënë veten në duart e Jehovait, planet e jetës së tyre do të kenë sukses. w18.04 29 ¶17, 19

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo