Qershor
E hënë, 1 qershor
Çfarëdo t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai [do] t’jua japë.—Gjoni 15:16.
Sa forcë duhet t’u ketë dhënë ky premtim apostujve! Vërtet, edhe pse nuk e kuptuan qartë se pas pak Udhëheqësi i tyre do të vdiste, ata nuk do të mbeteshin pa mbështetje. Jehovai ishte gati t’u përgjigjej lutjeve të tyre për çfarëdo ndihme t’u nevojitej për të zbatuar urdhrin që të predikonin mesazhin e Mbretërisë. E vërtet, pak më vonë ata e provuan vetë se si iu përgjigj Jehovai lutjeve të tyre për ndihmë. (Vep. 4:29, 31) Kështu është edhe për ne sot. Ndërsa japim fryt me qëndrueshmëri, gëzojmë miqësinë e Jezuit. Veç kësaj, mund të jemi të sigurt se Jehovai është gati t’u përgjigjet lutjeve tona për ndihmë që të kapërcejmë pengesat që mund të hasim teksa predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. (Filip. 4:13) Sa mirënjohës ndihemi për këto bekime: përgjigjet që marrin lutjet tona dhe miqësia me Jezuin! Këto dhurata nga Jehovai na forcojnë që të vazhdojmë të japim fryt.—Jak. 1:17. w18.05 21 ¶17-18
E martë, 2 qershor
T’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.—Hebr. 10:25.
Brenda pesë vjetësh, të krishterët judenj që jetonin në Jerusalem do të shihnin të afrohej një ‘ditë e Jehovait’ dhe do të dallonin shenjën që u kishte dhënë Jezui për të ikur nga ai qytet që të shpëtonin jetën. (Vep. 2:19, 20; Luka 21:20-22) Ajo ditë e Jehovait erdhi në vitin 70 të e.s. kur romakët ekzekutuan gjykimin e Jehovait kundër Jerusalemit. Sot kemi arsye të forta të besojmë se dita ‘e madhe dhe që ngjall shumë frikë’ e Jehovait është afër. (Joe. 2:11) Profeti Sofonia tha: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.» (Sof. 1:14) Ky paralajmërim profetik vlen edhe për kohën tonë. Duke pasur parasysh sa afër është dita e Jehovait, Pavli na thotë «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24) Prandaj, meraku ynë për bashkëbesimtarët duhet të jetë gjithnjë e më i madh, që t’i inkurajojmë kurdo që të jetë e nevojshme. w18.04 20 ¶1-2
E mërkurë, 3 qershor
Ji i fortë dhe guximtar. Mos u tmerro e mos u frikëso, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.—Jos. 1:9.
Sa fjalë zemërdhënëse e siguruese që i tha Jehovai Josiut para se të vendoste popullin e Tij në Tokën e Premtuar! Përveçse inkurajoi individë të ndryshëm, Jehovai i tha fjalë zemërdhënëse edhe popullit të tij si grup. Me shprehje profetike që do t’u ngushëllonin zemrën judenjve të mbajtur robër në Babiloni, Jehovai tha: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» (Isa. 41:10) Jehovai u dha të njëjtën siguri të krishterëve të hershëm, e po ashtu bën me popullin e Tij sot. (2 Kor. 1:3, 4) Vetë Jezui mori zemër nga Ati i tij. Kur u pagëzua, Jezui dëgjoi një zë nga qielli të thoshte: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mat. 3:17) Sa forcë do t’i kenë dhënë ato fjalë Jezuit gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë! w18.04 16 ¶3-5
E enjte, 4 qershor
Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.—Zan. 2:17.
Kur lexojnë urdhrin që i dha Jehovai Adamit, shumë veta sot mbase thonë se Adamit iu mohua liria për të bërë çfarë të donte. Mirëpo, ata ngatërrojnë ushtrimin e vullnetit të lirë me të drejtën për të vendosur çfarë është e mirë e çfarë është e keqe. Adami dhe Eva kishin lirinë të zgjidhnin nëse do t’i bindeshin Perëndisë apo jo. Ama vetëm Jehovai ka të drejtën të vendosë në kuptimin absolut çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, siç e simbolizonte «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes» në kopshtin e Edenit. (Zan. 2:9) Me anë të urdhrit të tij, Jehovai i mësoi me dashuri Adamin dhe Evën në ç’mënyrë ta përdornin lirinë e vërtetë. Ç’është e vërteta, prindërit tanë të parë zgjodhën të mos bindeshin. Si përfundim, a ia shtoi ndopak lirinë Adamit dhe Evës zgjedhja që bënë? Mjerisht, jo. Ngaqë u përpoqën të vendosnin vetë, humbën lirinë e vërtetë që u ishte dhënë. w18.04 5-6 ¶9-12
E premte, 5 qershor
Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.—Isa. 63:9.
Jehovai jo thjesht ndien dhembshuri për shërbëtorët e tij që vuajnë. Ai vepron për t’i ndihmuar. Për shembull, kur izraelitët vuanin si skllevër në Egjipt, Jehovai kuptonte dhembjen e tyre dhe kjo e nxiti t’i lehtësonte. Jehovai i tha Moisiut: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim . . . dhe kam dëgjuar si klithin . . . i di dhembjet që heqin. Prandaj, po gatitem të zbres që t’i çliroj nga dora e egjiptianëve.» (Eks. 3:7, 8) Ngaqë i dhimbsej populli i tij, Jehovai i çliroi nga skllavëria. Shekuj më vonë, në Tokën e Premtuar, izraelitët u përballën me sulmet e armiqve. Si reagonte Jehovai? Atij «i vinte keq tek dëgjonte rënkimin e tyre, të shkaktuar nga shtypësit dhe nga ata që i shkelnin me këmbë». Përsëri, empatia e shtynte Jehovain ta ndihmonte popullin e tij. Ai dërgonte gjykatës që t’i shpëtonte izraelitët nga armiqtë.—Gjyk. 2:16, 18. w19.03 15 ¶4-5
E shtunë, 6 qershor
A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit dhe të mos i dhimbset fëmija i barkut? Edhe sikur ato të harrojnë, unë nuk do të të harroj kurrë.—Isa. 49:15.
Dy urdhërimet e para të Dhjetë Urdhërimeve kërkonin që izraelitët t’i përkushtoheshin vetëm Jehovait dhe paralajmëronin kundër adhurimit të idhujve. (Eks. 20:3-6) Ato nuk u dhanë për dobinë e Jehovait, por për dobinë e popullit të tij. Kur adhuronin perëndi të kombeve të tjera, vuanin. Në kontrast me këtë, Jehovai i bekonte shërbëtorët e tij kur i qëndronin besnikë dhe e trajtonin njëri-tjetrin me drejtësi. (1 Mbret. 10:4-9) Nuk është faji i Jehovait kur ata që pohojnë se i shërbejnë, shpërfillin standardet e tij dhe dëmtojnë shërbëtorët e tij. Megjithatë, Jehovai na do dhe e di kur heqim padrejtësi. Ai e ndien dhimbjen tonë më thellë se ç’e ndien një nënë vuajtjen e foshnjës së saj. Ndonëse mund të mos ndërhyjë menjëherë, në kohën e duhur do t’u kërkojë llogari keqbërësve të papenduar për mënyrën si i kanë trajtuar të tjerët. w19.02 22 ¶13-15
E diel, 7 qershor
Të mos bëhet vullneti im, por yti.—Luka 22:42.
Në javët para Përkujtimit, mbledhjet tona shpesh përqendrohen te shembulli i Jezuit dhe te përulësia që shfaqi duke dhënë jetën si shpërblesë. Kështu zemra na nxit të imitojmë qëndrimin e tij të përulur dhe të bëjmë vullnetin e Jehovait, edhe atëherë kur e kemi të vështirë. Mendojmë për guximin që tregoi ai ditët para se të vdiste. Jezui e dinte fare mirë se pas pak armiqtë e tij do ta poshtëronin, do ta rrihnin e do ta ekzekutonin. (Mat. 20:17-19) E megjithatë, u përball me gatishmëri me vdekjen. Kur erdhi koha, u tha apostujve besnikë që ishin me të në Getsemani: «Ngrihuni, le të shkojmë. Ja, tradhtari im po afrohet.» (Mat. 26:36, 46) Dhe kur turma e armatosur shkoi ta arrestonte, doli para, u tha qartë kush ishte dhe i urdhëroi ushtarët t’i linin apostujt e tij të iknin. (Gjoni 18:3-8) Çfarë guximi të jashtëzakonshëm shfaqi! Sot të krishterët e mirosur dhe ata që janë pjesë e deleve të tjera, përpiqen të imitojnë Jezuin duke treguar guxim. w19.01 27-28 ¶7-8
E hënë, 8 qershor
Kërkoni zemërbutësinë.—Sof. 2:3.
Ashtu si artisti që kombinon një sërë ngjyrash tërheqëse për të bërë një pikturë, ne duhet të kombinojmë një sërë cilësish tërheqëse për të qenë zemërbutë. Ndër to spikatin përulësia, nënshtrimi, butësia dhe forca e brendshme. Vetëm njerëzit e përulur i nënshtrohen vullnetit të Perëndisë. Pjesë e vullnetit të Perëndisë është të jemi të butë. (Mat. 5:5; Gal. 5:23) Kur bëjmë vullnetin e Perëndisë, Satanai tërbohet nga inati. Prandaj, edhe pse jemi të përulur e të butë, shumë njerëz që janë pjesë e botës së Satanait na urrejnë. (Gjoni 15:18, 19) Ja pse na duhet forcë e brendshme për t’i rezistuar Satanait. E kundërta e një njeriu zemërbutë është një person fodull, që nuk e frenon zemërimin dhe që nuk i bindet Jehovait. Ky përshkrim është fiks për Satanain. S’është çudi që ai i urren njerëzit zemërbutë! Ata demaskojnë të këqijat e personalitetit të tij. Dhe, çka i vjen akoma më hidhur Satanait, ata provojnë se është gënjeshtar. Pse? Sepse, pavarësisht nga çfarë thotë a bën, ai nuk i ndal dot zemërbutët që t’i shërbejnë Jehovait!—Jobi 2:3-5. w19.02 8-9 ¶3-5
E martë, 9 qershor
Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt.—Isa. 41:10.
Jehovai e dinte se banorët e Babilonisë do t’i mbërthente frika. Babiloninë do ta sulmonte ushtria e fuqishme e Medo-Persisë. Jehovai do ta përdorte atë ushtri për të çliruar popullin e vet nga robëria në Babiloni. (Isa. 41:2-4) Kur babilonasit dhe banorë të kombeve të tjera morën vesh se armiku i tyre po afrohej, u përpoqën të merrnin guxim duke i thënë njëri-tjetrit: «Bëhu i fortë!» Gjithashtu bënë më shumë perëndi-idhuj, me shpresën se ato do t’i mbronin. (Isa. 41:5-7) Ndërkohë, Jehovai ua qetësoi zemrën mërgimtarëve judenj me fjalët: «Ti, o Izrael, [ndryshe nga fqinjët e tu] je shërbëtori im . . . Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt.» (Isa. 41:8-10) Vër re që Jehovai tha: «Unë jam Perëndia yt.» Me këto fjalë, ai i siguroi adhuruesit e tij besnikë se nuk i kishte harruar dhe se ata ishin ende populli i tij. Jehovai u tha: ‘Unë do t’ju mbaj e do t’ju shpëtoj.’ S’ka dyshim se këto fjalë që të ngrohin zemrën u dhanë forcë mërgimtarëve judenj.—Isa. 46:3, 4. w19.01 4 ¶8
E mërkurë, 10 qershor
Nga qiejt u dëgjua një zë: «Ti je Biri im, Biri im i dashur; unë të kam miratuar.»—Mar. 1:11.
Te Marku 1:9-11 dokumentohet rasti i parë nga tri rastet kur Jehovai foli nga qielli. Jehovai tha: «Ti je Biri im, Biri im i dashur; unë të kam miratuar.» Sa duhet të jetë prekur Jezui kur dëgjoi zërin e Atit të tij që i shprehte dashurinë dhe i jepte siguri! Fjalët e Jehovait konfirmuan tri të vërteta të rëndësishme për Jezuin. Së pari, Jezui është Biri i tij. Së dyti, Jehovai e do Birin e tij. Dhe së treti, Jehovai e ka miratuar Birin e tij. Me fjalët «ti je Biri im», Jehovai tregoi se Biri i tij i dashur, Jezui, kishte hyrë në një marrëdhënie të re me Të. Kur ishte në qiell, Jezui ishte një bir engjëllor i Perëndisë. Por, kur u pagëzua, u miros me frymë të shenjtë. Në atë rast, Perëndia tregoi se tani, si Biri i Tij i mirosur, Jezui kishte shpresën që të kthehej në qiell për t’u bërë Mbreti dhe Kryeprifti i emëruar nga Perëndia. (Luka 1:31-33; Hebr. 1:8, 9; 2:17) Pra, është e qartë pse Ati tha kur u pagëzua Jezui: «Ti je Biri im.»—Luka 3:22. w19.03 8 ¶3-4
E enjte, 11 qershor
Nuk ka . . . mençuri . . . që të mund të dalë kundër Jehovait.—Prov. 21:30.
Këshillat e këqija e kanë origjinën që në fillimet e historisë njerëzore kur Satanai hyri në skenë. Duke kaluar caqet, ai mori me arrogancë rolin e këshilltarit dhe i tha Evës se ajo e i shoqi do të ishin më të lumtur po ta zgjidhnin vetë rrugën në jetë. (Zan. 3:1-6) Motivet e Satanait ishin egoiste. Ai donte që Adami dhe Eva—si edhe pasardhësit që do të kishin—t’i nënshtroheshin dhe të adhuronin atë në vend se të adhuronin Jehovain. Por ishte Jehovai ai që u kishte dhënë gjithçka—njëri-tjetrin, shtëpinë e tyre të bukur parajsore dhe trupat e përsosur me potencialin për të jetuar përgjithmonë. Mjerisht, Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë, e kështu u shkëputën prej tij. Siç e dimë, pasojat ishin tragjike. Ashtu siç vyshken e vdesin lulet e këputura nga bima, kështu ndodhi dalëngadalë edhe me ta. Edhe fëmijët e tyre vuajtën nga mallkimi i mëkatit. (Rom. 5:12) Prapëseprapë, shumica e njerëzve akoma zgjedhin të mos i nënshtrohen Perëndisë. Duan të jetojnë si t’u pëlqejë. (Efes. 2:1-3) Pasojat e tregojnë qartë vërtetësinë e shkrimit të sotëm. w18.12 20 ¶3-4
E premte, 12 qershor
Flasim, jo me fjalë të mençurisë njerëzore, por me fjalë të mësuara nga fryma e shenjtë, ndërsa shpjegojmë gjërat e Perëndisë me fjalët e frymës.—1 Kor. 2:13.
Apostulli Pavël ishte një burrë inteligjent dhe i arsimuar që dinte të paktën dy gjuhë. (Vep. 5:34; 21:37, 39; 22:2, 3) Mirëpo, në çështje ku hynin parimet, ai e hidhte poshtë mençurinë e botës. Në vend të kësaj, i bazonte arsyetimet e tij te Shkrimet. (Vep. 17:2; 1 Kor. 2:6, 7) Si rrjedhojë, Pavli pati mjaft sukses në shërbim dhe e priste një shpërblim i përjetshëm. (2 Tim. 4:8) Pa dyshim, mendimet e Perëndisë qëndrojnë shumë më lart se ato të botës sot. Po të jetojmë në harmoni me mendimet e tij, do të gëzojmë lumturinë dhe suksesin më të madh në jetë. Ama, Jehovai nuk na i imponon mendimet e tij. «Skllavi besnik dhe i mençur» nuk ushtron kontroll mbi mendimet e individëve, dhe as pleqtë nuk e bëjnë këtë. (Mat. 24:45; 2 Kor. 1:24) Përkundrazi, çdo i krishterë ka përgjegjësinë t’i vërë mendimet e tij në harmoni me ato të Perëndisë. w18.11 20-21 ¶12-13
E shtunë, 13 qershor
Hidhërimi e psherëtima do të flaken tej.—Isa. 35:10.
Nëpërmjet Isaisë, Perëndia paratha se, pasi të kthehej në atdhe, popullit të Tij nuk do t’i duhej të luftonte me kushtet e këqija e të rrezikshme të motit; as nuk do të kishte pse të trembej se mos e sulmonin kafshët a njerëzit me tipare shtazarake. Të gjithë do të ishin të sigurt, i madh e i vogël. (Isa. 11:6-9; 35:5-10; 51:3) Isaia paratha edhe se mbarë toka—jo vetëm kombi i Izraelit—‘do të mbushej me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin’. Më tej Isaia theksoi se të kthyerve nga mërgimi nuk do t’u kanosej asnjë rrezik nga kafshët ose nga njerëzit. Toka e tyre do të jepte prodhime të pasura, ngaqë do të vaditej bollshëm me ujë, ashtu siç ujitej kopshti i Edenit dikur. (Zan. 2:10-14; Jer. 31:12) A do të ishte kjo e vetmja përmbushje? Nuk ka asnjë dëshmi se të mërguarit e kthyer në atdhe u shëruan me mrekulli. Për shembull, të verbrit nuk e rifituan shikimin. Pra, Perëndia po tregonte se shërimet fizike do të ndodhnin në të ardhmen. w18.12 5 ¶11-12
E diel, 14 qershor
[Vazhdoni të ecni] në të vërtetën.—3 Gjon. 3.
Të ecim në të vërtetën është një proces i pareshtur, një shteg që shpresojmë ta ndjekim gjatë gjithë përjetësisë. Si mund ta forcojmë vendosmërinë që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën? Vazhdo të studiosh të vërtetat e çmuara të Fjalës së Perëndisë dhe bluaji në mendje. Po, blije të vërtetën duke programuar kohë rregullisht për t’u ushqyer me të vërtetat e vyera të Fjalës së Perëndisë. Kështu do të thellosh çmueshmërinë për të vërtetën dhe do të forcosh vendosmërinë për të mos e shitur kurrë. Përveçse të blejmë të vërtetën, Proverbat 23:23 na thotë se duhet të blejmë edhe «mençurinë, disiplinën dhe kuptueshmërinë». Pra, nuk mjafton vetëm njohuria për të vërtetën. Duhet ta zbatojmë në jetën tonë. Kur fitojmë kuptueshmëri, dallojmë si harmonizohen të gjitha gjërat që na mëson Jehovai. Mençuria na nxit të veprojmë sipas asaj që dimë. Hera-herës, e vërteta na disiplinon, duke na treguar ku duhet të bëjmë ndryshime. Le të jemi gjithmonë të gatshëm t’i përgjigjemi drejtimit të saj. Disiplina ka vlerë shumë më të madhe se argjendi.—Prov. 8:10. w18.11 9 ¶3; 11 ¶13-14
E hënë, 15 qershor
Blije të vërtetën dhe mos e shit kurrë.—Prov. 23:23.
Cila është gjëja më e çmuar në jetë për ty? A do të ishe i gatshëm ta këmbeje me diçka që ka më pak vlerë? Për adhuruesit e kushtuar të Jehovait, përgjigjet e këtyre pyetjeve janë fare të thjeshta. Gjëja më e çmuar që kemi në jetë është marrëdhënia me Jehovain, dhe nuk do ta shkëmbenim atë me asnjë gjë. Gjithashtu, e kemi të vyer të vërtetën e Biblës, e cila bëri të mundur të zhvillojmë këtë lidhje me Atin tonë qiellor. (Kolos. 1:9, 10) Imagjino sa shumë të vërteta na mëson në Fjalën e tij, Biblën, Mësuesi ynë i Madh! Ai na zbulon të vërtetën për emrin e tij plot domethënie, si edhe cilësitë e tij që të bëjnë për vete. Na tregon për masën e jashtëzakonshme të shpërblesës, që e siguroi me dashuri për ne me anë të Birit të tij, Jezuit. Jehovai na flet edhe për Mbretërinë mesianike dhe për shpresën e Parajsës në tokë. Ai na mëson si duhet të sillemi. I çmojmë si thesar këto të vërteta, sepse falë tyre afrohemi me Krijuesin tonë. Ato i japin kuptim jetës sonë. w18.11 3 ¶1-2
E martë, 16 qershor
Mos e gënjeni njëri-tjetrin.—Kolos. 3:9.
Njerëzit mashtrues s’mund t’i fshehin asgjë Jehovait, sepse «të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit» para tij. (Hebr. 4:13) Si shembull mund të përmendim Ananinë dhe Safirën, që kurdisën në zemër plane për të mashtruar apostujt. Ata shitën një pronë, por u çuan apostujve vetëm një pjesë të të ardhurave që nxorën nga shitja. Me kontributin e tyre donin të bënin figurë të mirë para kongregacionit dhe të dukeshin më bujarë nga ç’ishin në të vërtetë. Mirëpo, Jehovai pa gjithçka që bënë dhe i ndëshkoi për këtë. (Vep. 5:1-10) Si ndihet Jehovai për gënjeshtrën? Satanai dhe gjithë gënjeshtarët e papenduar dhe keqdashës që e imitojnë, do të përfundojnë «në liqenin e zjarrit». (Zbul. 20:10; 21:8; Psal. 5:6) Ne e dimë se Jehovai «nuk është njeri që të gënjejë». Në fakt, «është e pamundur që Perëndia të gënjejë». (Num. 23:19; Hebr. 6:18) ‘Jehovai e urren gjuhën gënjeshtare.’ (Prov. 6:16, 17) Që të kemi miratimin e tij, duhet të jetojmë në përputhje me standardin e tij për atë që është e vërtetë. w18.10 8 ¶10-13
E mërkurë, 17 qershor
Bluaji në mendje këto gjëra.—1 Tim. 4:15.
Ta zëmë se punëdhënësi të kërkon të dhurosh pará për një festë që lidhet me fenë e rreme. Çfarë do të bësh? Në vend që të presësh derisa të lindin situata të tilla, pse të mos bluash në mendje që tani se çfarë mendon Jehovai për këto çështje? Pastaj, nëse përballesh me ndonjë situatë të tillë, do ta kesh më të lehtë të bësh dhe të thuash gjënë e duhur. Kur mendojmë që më përpara për nevojën që të qëndrojmë besnikë, mund ta kemi më të lehtë edhe nëse ndodh një urgjencë mjekësore. Ne jemi plotësisht të vendosur të mos pranojmë transfuzionin e gjakut komplet ose të një prej katër përbërësve kryesorë të tij. Mirëpo, për disa procedura që lidhen me gjakun, na duhet të marrim vendime personale duke u bazuar në parime biblike që tregojnë mënyrën si mendon Jehovai. (Vep. 15:28, 29) Sigurisht, momenti më i mirë për t’i peshuar çështje të tilla nuk është kur jemi në spital dhe ndoshta kemi dhimbje e jemi nën presion për të marrë një vendim aty për aty. Tani është koha të bëjmë kërkime, të plotësojmë një dokument mjekësor ligjor ku tregojmë çfarë duam dhe të flasim me mjekun tonë. w18.11 24 ¶5; 26 ¶15-16
E enjte, 18 qershor
Ai që më dëgjon, do të jetojë i sigurt.—Prov. 1:33.
Jehovai është një bari i dashur që i mbështjell shërbëtorët e tij në përqafimin e tij të ngrohtë, duke i mbrojtur nga armiqtë. Sa shumë siguri na japin këto të vërteta tani që jemi në prag të fundit të këtij sistemi! Jehovai do të vazhdojë të kujdeset për shërbëtorët e tij gjatë shtrëngimit të madh që po afrohet me të shpejtë. (Zbul. 7:9, 10) Prandaj, qofshin të rinj a të moshuar, të shëndetshëm a me probleme fizike, shërbëtorët e Perëndisë nuk do t’i zërë paniku e as do të struken nga frika gjatë shtrëngimit të madh. Ata do të bëjnë krejt të kundërtën! Do të mbajnë ndër mend këto fjalë të Jezu Krishtit: «Drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.» (Luka 21:28) Kjo siguri nuk do t’u lëkundet as përballë sulmit të Gogut—një koalicion kombesh të fuqishme. (Ezek. 38:2, 14-16) Pse do të vazhdojnë të ndihen të sigurt shërbëtorët e Perëndisë? Sepse e dinë se Jehovai nuk ndryshon. Ai do të tregojë gjithmonë se është një Shpëtimtar i dhimbsur që tregon konsideratë.—Isa. 26:20. w18.09 26 ¶15-16
E premte, 19 qershor
Në sytë e mi je i çmuar . . . dhe unë të dua.—Isa. 43:4.
Sa shumë duhet të ketë marrë zemër çdo izraelit besnik kur dëgjoi këto fjalë të Jehovait. Si një shërbëtor i Jehovait, edhe ti mund të jesh i sigurt se Ai ndien dashuri shumë të ngrohtë për ty. Ja çfarë premton Fjala e Perëndisë për këdo që ndjek adhurimin e pastër: «Si i Fuqishëm do të të shpëtojë. Do të ngazëllojë për ty.» (Sof. 3:16, 17) Çfarëdo sprovash të ndeshin shërbëtorët e tij, Jehovai premton se do t’i mbështetë dhe do t’i ngushëllojë. «Ju do t’ju mbajnë në krahë dhe do t’ju ledhatojnë duke ju mbajtur në gjunjë. Unë do t’ju ngushëlloj siç e ngushëllon një njeri nëna e tij.» (Isa. 66:12, 13) Ç’pamje që të ngroh zemrën—një nënë e dashur që mban në krahë foshnjën dhe e përkund në gjunjët e saj! Me këtë ilustrim prekës Jehovai tregon sa e thellë dhe e ngrohtë është dashuria që ka për adhuruesit e vërtetë. Mos dysho kurrë se ti personalisht je shumë i çmuar dhe i shtrenjtë për Jehovain!—Jer. 31:3. w18.09 13 ¶6-7
E shtunë, 20 qershor
Kush tjetër del sot vullnetar që të vijë duarplot para Jehovait?—1 Kron. 29:5.
Gjatë historisë së Izraelit të lashtë, kishte mjaft raste kur nevojiteshin vullnetarë. (Eks. 36:2; Neh. 11:2) Sot edhe ti ke mjaft raste që të ofrosh vullnetarisht nga koha, të ardhurat dhe aftësitë e tua për të ndihmuar vëllezërit e motrat. Duke vepruar kështu, do të ndiesh gëzim të thellë dhe do të shijosh shumë bekime. Ata që ofrohen vullnetarisht për projekte teokratike, shpesh zënë miq të rinj. Mendo për shembullin e Marxhit, një motër që ka punuar 18 vjet në projekte ndërtimi të Sallave të Mbretërisë. Ndër vite, ajo ka mbajtur afër disa motra më të reja për t’i stërvitur. Marxhi ka vërejtur se kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të inkurajuar njëra-tjetrën me anë të besimit. (Rom. 1:12) Gjatë disa periudhave të vështira në jetë, Marxhi ka marrë zemër nga miqtë që zuri në projektet e ndërtimit. A je ofruar ndonjëherë vullnetarisht për një projekt ndërtimi? w18.08 25 ¶9, 11
E diel, 21 qershor
Mos lejo askënd ta përbuzë rininë tënde. Përkundrazi, bëhu shembull për besnikët në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi.—1 Tim. 4:12.
Kur Pavli shkroi këto fjalë, Timoteu mund të ketë qenë në fillim të të 30-ave. Prapëseprapë, Pavli i kishte caktuar përgjegjësi me peshë. Pavarësisht nga arsyet pse ia dha këtë këshillë, mësimi është i qartë: nuk duhet t’i gjykojmë vëllezërit më të rinj duke u bazuar thjesht te mosha e tyre. Bëjmë mirë të kujtojmë se edhe Zotëria ynë, Jezui, e kreu gjithë shërbimin e tij në tokë kur ishte në fillim të të 30-ave. Mbase jetojmë në një shoqëri që ka prirjen t’i nënvlerësojë burrat më të rinj. Nëse është kështu, pleqtë në kongregacion mund të ngurrojnë të rekomandojnë vëllezër të rinj të kualifikuar që të emërohen si shërbëtorë ndihmës ose pleq. Të gjithë pleqtë bëjnë mirë të mos harrojnë se Shkrimet nuk përcaktojnë një moshë minimale se kur mund të rekomandohet një burrë si shërbëtor ndihmës ose plak.—1 Tim. 3:1-10, 12, 13; Tit. 1:5-9. w18.08 11-12 ¶15-16
E hënë, 22 qershor
Largohu nga . . . [ajo] që gjoja quhet «njohuri».—1 Tim. 6:20.
Për të marrë vendime të mira, kemi nevojë për fakte të besueshme. Ndaj, duhet të jemi tepër të matur dhe t’i zgjedhim me kujdes informacionet që lexojmë. (Filip. 4:8, 9) S’duhet të harxhojmë kohën duke parë site lajmesh jo të besueshme në Internet ose duke lexuar informacione të paverifikuara që qarkullojnë me email. Është veçanërisht e rëndësishme të shmangim sitet ku apostatët përhapin idetë e tyre. Gjithë qëllimi i tyre është t’u rrënojnë besimin shërbëtorëve të Perëndisë dhe të shtrembërojnë të vërtetën. Informacionet e çala do të çojnë në vendime të çala. Mos e nënvlerëso kurrë ndikimin e fuqishëm që mund të kenë në mendjen e në zemrën tënde informacionet mashtruese! Mendo për atë që ndodhi në kohën e Moisiut kur 10 nga 12 vëzhguesit që u dërguan të eksploronin Tokën e Premtuar, dhanë një raport negativ. (Num. 13:25-33) Si pasojë e raportit të tyre të ekzagjeruar dhe skandaloz, populli i Jehovait u shkurajua fare. (Num. 14:1-4, 6-10) Në vend që të siguroheshin për faktet dhe të tregonin besim te Jehovai, ata zgjodhën të besonin raportin negativ. w18.08 4 ¶4-5
E martë, 23 qershor
Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.—1 Kor. 15:33.
Shumica e njerëzve kanë disa cilësi të mira, dhe mjaft nga ata që s’janë pjesë e kongregacionit nuk bëjnë mëkate flagrante. Nëse të njohurit e tu janë njerëz të tillë, a mund ta flesh mendjen se janë shoqëri e mirë? Pyet veten si do të ndikojë shoqëria e tyre te marrëdhënia jote me Jehovain. A do ta përmirësojë? Çfarë kanë në zemër ata? Për shembull, a bisedojnë thuajse vetëm për modën, paratë, pajisjet elektronike, zbavitjet ose gjëra të tjera materiale? A bëjnë shpesh komente përçmuese për të tjerët ose shaka të ndyra? Jezui me të drejtë paralajmëroi: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mat. 12:34) Nëse kupton se shokët e tu po të vënë në rrezik marrëdhënien e mirë me Jehovain, vepro me vendosmëri duke e kufizuar miqësinë me ta dhe, po të jetë nevoja, duke e ndërprerë fare.—Prov. 13:20. w18.07 19 ¶11
E mërkurë, 24 qershor
Moisiu ishte më zemërbuti ndër gjithë njerëzit.—Num. 12:3.
Kur Moisiu ishte 80 vjeç, Jehovai e caktoi që të çlironte Izraelin nga skllavëria në Egjipt. (Eks. 3:10) Disa herë rresht Moisiu u përpoq të nxirrte justifikime. Megjithatë, Jehovai vazhdoi të tregonte durim e madje i dha fuqi Moisiut të kryente mrekulli. (Eks. 4:2-9, 21) Ai mund ta kishte frikësuar Moisiun në mënyrë që të nënshtrohej pa e zgjatur. Por në vend të kësaj, Jehovai ishte i duruar e dashamirës, dhe bëri përpjekje që t’i jepte siguri shërbëtorit të tij modest e të përulur. A bëri punë sjellja plot konsideratë e Jehovait? Absolutisht po! Moisiu u bë një udhëheqës i shkëlqyer që përpiqej t’i trajtonte të tjerët me të njëjtën butësi e konsideratë që e trajtoi Jehovai. Nëse ke njëfarë autoriteti, sa e rëndësishme është të imitosh Jehovain duke treguar konsideratë, dashamirësi dhe durim në marrëdhëniet me ata që janë nën kujdesin tënd! (Kolos. 3:19-21; 1 Pjet. 5:1-3) Kur bën çmos të imitosh Jehovain dhe Moisiun më të Madh, Jezu Krishtin, të tjerët do të ndihen rehat të të afrohen dhe do të jesh burim freskimi për ta.—Mat. 11:28, 29. w18.09 24-25 ¶7-10
E enjte, 25 qershor
Oh, sa mirë dhe sa bukur është kur vëllezërit banojnë së bashku në unitet!—Psal. 133:1.
Ji i vendosur të kesh ndikim pozitiv te vëllezërit dhe motrat e tua, duke nxitur unitetin mes tyre. Nëse po e bën tashmë këtë, të lumtë! A mund ‘të zgjerohesh’, domethënë të shoqërohesh nga afër me më shumë bashkëbesimtarë e ta bësh këtë më shpesh? (2 Kor. 6:11-13) Ndërkohë, a mund të bësh më shumë përpjekje që të lësh të ndriçojë drita e së vërtetës biblike në zonën ku jeton? Fjalët dhe veprat e tua dashamirëse ka shumë mundësi t’i tërheqin drejt së vërtetës fqinjët e tu. Pyet veten: «Si më shohin fqinjët? A i mbaj të rregullta shtëpinë dhe vendin përreth, duke i dhënë pamje më dinjitoze zonës ku banoj? A marr iniciativën të tregohem i gjindshëm ndaj të tjerëve?» Gjatë bisedave me Dëshmitarë të tjerë, pse të mos i nxitësh me lezet që të tregojnë si ka ndikuar dashamirësia dhe sjellja e tyre e mirë te të afërmit, fqinjët, shokët e punës a të shkollës? Ka shumë të ngjarë të dëgjosh disa histori inkurajuese.—Efes. 5:9. w18.06 24 ¶13-14
E premte, 26 qershor
Po vjen ora kur ata që do t’ju vrasin, do të mendojnë se i kanë bërë shërbim të shenjtë Perëndisë.—Gjoni 16:2.
Ky paralajmërim doli i vërtetë në rastin e atyre që vranë dishepullin Stefan, si edhe me të tjerë si puna e tyre. (Vep. 6:8, 12; 7:54-60) Sa ironike që, duke kryer krime të tilla të liga si vrasja, fanatikët fetarë shkelin pikërisht ligjet e Atij që pohojnë se adhurojnë! (Eks. 20:13) Pa dyshim që ndërgjegjja e tyre është një udhërrëfyese e pabesë! Si ta parandalojmë rrezikun që ndërgjegjja jonë të bëhet e paefektshme? Ligjet dhe parimet që përmban Fjala e Perëndisë janë ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’. (2 Tim. 3:16) Pra, duke studiuar seriozisht Biblën, duke medituar për atë që thotë dhe duke e zbatuar në jetë, mund ta stërvitim ndërgjegjen që të jetë më e ndjeshme ndaj mënyrës si mendon Perëndia. Kështu ajo mund të na shërbejë si udhërrëfyese e besueshme. w18.06 16-17 ¶3-4
E shtunë, 27 qershor
Merrni . . . shpatën e frymës, domethënë, fjalën e Perëndisë.—Efes. 6:17.
Shpata që përdornin këmbësorët romakë në kohën kur Pavli shkroi letrën e tij, ishte rreth 50 centimetra e gjatë dhe shërbente për luftime trup me trup. Një arsye pse ushtarët romakë kishin aq shumë sukses është se praktikoheshin çdo ditë me armët e tyre. Pavli e krahason Fjalën e Perëndisë me një shpatë që na e ka dhënë Jehovai. Por ne duhet të mësojmë ta përdorim me mjeshtëri kur mbrojmë bindjet tona—ose kur ndreqim mënyrën si mendojmë ne vetë. (2 Kor. 10:4, 5; 2 Tim. 2:15) S’ka pse të frikësohemi nga Satanai dhe demonët. Ata janë të fuqishëm, por jo të pamposhtshëm. Gjithashtu, janë të vdekshëm. Së shpejti, gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, ata do të kufizohen në një gjendje joaktiviteti total, e më pas do të shfarosen. (Zbul. 20:1-3, 7-10) Ne e njohim armikun tonë, taktikat e tij dhe synimet që ka. Me ndihmën e Jehovait, mund të qëndrojmë të patundur kundër tij! w18.05 30 ¶15; 31 ¶19-21
E diel, 28 qershor
Gjarpri ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak.»—Zan. 3:4.
Patjetër që Adami e dinte se gjarpërinjtë nuk mund të flasin. Prandaj, ndoshta e mori me mend se ai që i kishte folur Evës nëpërmjet gjarprit ishte një krijesë e padukshme. (Zan. 3:1-6) Adami dhe Eva nuk dinin thuajse asgjë për atë krijesë. Prapëseprapë, Adami zgjodhi me vetëdije t’i kthente shpinën Atit të tij të dashur qiellor dhe të bashkohej me atë të panjohur për të shkuar kundër vullnetit të Perëndisë. (1 Tim. 2:14) Sakaq Jehovai filloi të zbulonte disa fakte për atë armik që kishte korruptuar Adamin dhe Evën, duke premtuar se me kohë ai i lig do të shfarosej. Por njëkohësisht Jehovai paralajmëroi se për njëfarë kohe krijesa që foli nëpërmjet gjarprit do të kishte pushtet, ose fuqi, për t’iu kundërvënë atyre që e duan Perëndinë. (Zan. 3:15) Me mençurinë e tij, Jehovai nuk na e ka treguar kurrë emrin personal të birit engjëllor që u rebelua kundër tij. Madje Perëndia zgjodhi që edhe emrin përshkrues të këtij armiku ta zbulonte vetëm rreth 2.500 vjet pasi filloi rebelimi.—Jobi 1:6. w18.05 22 ¶1-2
E hënë, 29 qershor
Farat në tokë të mirë janë njerëzit . . . që . . . japin fryt ndërsa qëndrojnë.—Luka 8:15.
Nëse je ndier ndonjëherë i shkurajuar kur ke predikuar në territore jo fort mikpritëse, atëherë i kupton ndjenjat e apostullit Pavël. Gjatë shërbimit të tij afro 30-vjeçar, ai ndihmoi sa e sa veta të bëheshin dishepuj të Krishtit. (Vep. 14:21; 2 Kor. 3:2, 3) Megjithatë, nuk ia doli të nxiste shumë judenj të bëheshin adhurues të vërtetë. Në fakt, shumica as donin ta dëgjonin Pavlin, e disa madje e përndoqën. (Vep. 14:19; 17:1, 4, 5, 13) Si ndikoi te Pavli ky reagim negativ i judenjve? Ai e pranoi hapur: «Po them të vërtetën në Krishtin. . . . Kam në zemër hidhërim të madh dhe një dhembje që nuk pushon.» (Rom. 9:1-3) Pse provoi këto ndjenja Pavli? Ai e kishte zemrën te vepra e predikimit. U predikonte judenjve nga meraku i thellë për ta. Ja pse ndiente dhembje kur shihte se e hidhnin poshtë mëshirën e Perëndisë. Ashtu si Pavli, ne u predikojmë njerëzve ngaqë merakosemi me gjithë zemër për ta.—Mat. 22:39; 1 Kor. 11:1. w18.05 13 ¶4-5
E martë, 30 qershor
Ankthi ia rëndon zemrën njeriut, kurse një fjalë e mirë ia ngre zemrën peshë.—Prov. 12:25.
Pavli tregoi se edhe dikush që ka përgjegjësinë të inkurajojë të tjerët, ka nevojë për vete që t’i japin zemër. Ai u shkroi të krishterëve që jetonin në Romë: «Po digjem nga dëshira që t’ju shoh, për t’ju dhënë ndonjë dhuratë frymore, që të bëheni të patundur, ose më mirë, që të inkurajojmë njëri-tjetrin, secili me anë të besimit të tjetrit, unë me anë të besimit tuaj dhe ju me anë të besimit tim.» (Rom. 1:11, 12) Po, Pavli që u jepte inkurajim të shkëlqyer të tjerëve, hera-herës kishte nevojë edhe vetë që t’i jepnin zemër. (Rom. 15:30-32) Ata që bëjnë një jetë vetëmohuese duhen lavdëruar. Vëllezërit dhe motrat që qëndrojnë beqarë ngaqë duan t’i binden këshillës për t’u martuar «vetëm në Zotërinë», janë një grup tjetër që meritojnë inkurajim. (1 Kor. 7:39) Gjithashtu, të krishterët që rrinë besnikë ndërsa durojnë përndjekje ose sëmundje kanë nevojë të dëgjojnë fjalë inkurajuese.—2 Sel. 1:3-5. w18.04 21 ¶3-5