Korrik
E mërkurë, 1 korrik
Vazhdoni të dalloni cili është vullneti i Jehovait.—Efes. 5:17.
Sot jetojmë në «kohë kritike» që janë «të vështira për t’u përballuar», dhe jeta do të bëhet akoma më e vështirë para se të agojë një ditë e re e të rikthehet në tokë paqja e vërtetë. (2 Tim. 3:1) Prandaj bëjmë mirë të pyesim veten: «Ku po i mbaj sytë për ndihmë dhe drejtim?» Shekuj më parë, një psalmist e pranoi sa shumë nevojë kemi që t’i ngremë sytë drejt Jehovait për ndihmë në kohë të vështira. (Psal. 123:1-4) Sipas krahasimit që bëri psalmisti, ne i kemi sytë te Jehovai ashtu si një shërbëtor i ka sytë te zotëria i tij. Ç’donte të thoshte psalmisti me këtë? Shërbëtori i ka sytë te zotëria i tij për të marrë ushqim dhe mbrojtje. Gjithashtu, ai duhet t’i mbajë sytë vazhdimisht te zotëria që të dallojë çfarë dëshiron, e pastaj të veprojë në përputhje me këtë. Në mënyrë të ngjashme, ne kemi nevojë të shqyrtojmë përditë Fjalën e Perëndisë që të sigurohemi cili është vullneti i Jehovait për ne personalisht, e pastaj ta ndjekim atë drejtim. Vetëm atëherë mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbështetë në kohë të vështira. w18.07 12 ¶1-2
E enjte, 2 korrik
Do të jeni vërtet të lirë, nëse Biri ju bën të lirë.—Gjoni 8:36.
Jezui po fliste për çlirimin nga robëria dhe shtypja më e madhe që ka përjetuar ndonjëherë njerëzimi—fakti që janë ‘skllevër të mëkatit’. (Gjoni 8:34) Mëkati jo vetëm mund të na shtyjë të bëjmë atë që është e keqe, por edhe mund të na pengojë të bëjmë atë që e dimë se është e drejtë ose të arrijmë atë që e dimë se është potenciali ynë. Në këtë kuptim jemi skllevër të mëkatit dhe rezultati është zhgënjim, dhimbje, vuajtje dhe në fund vdekje. (Rom. 6:23) Vetëm kur vargonjtë e mëkatit të flaken tej, mund të shpresojmë të kemi lirinë e vërtetë që gëzonin dikur prindërit tanë të parë. Pohimi i Jezuit «nëse qëndroni në fjalën time» nënkupton se ka disa kërkesa ose kufij nëse duam që ai të na bëjë të lirë. (Gjoni 8:31) Si të krishterë të kushtuar, kemi mohuar veten dhe kemi zgjedhur të jetojmë brenda kufijve të mësimeve të Krishtit si dishepuj të tij. (Mat. 16:24) Siç premtoi Jezui, do të jemi vërtet të lirë kur të zbatohen plotësisht për ne dobitë e flijimit të tij shpërblyes. w18.04 7 ¶14-16
E premte, 3 korrik
Vetëm ti e njeh vërtet zemrën e njeriut.—2 Kron. 6:30.
Jehovai tregon konsideratë për ndjenjat e shërbëtorëve të tij—madje edhe kur mendojnë gabim. Të marrim rastin e Jonait. Perëndia e dërgoi profetin e tij të shpallte një mesazh gjykimi kundër ninevitëve. Kur ata u penduan, Perëndia vendosi të mos i shkatërronte. Mirëpo, Jonain nuk e kënaqi aspak ky vendim. Ai «u nxeh» ngaqë profecia e tij e ndëshkimit nuk u plotësua. Megjithatë, Jehovai tregoi durim me Jonain dhe e ndihmoi të ndreqte mënyrën si mendonte. (Jon. 3:10–4:11) Me kohë, Jonai e kuptoi mësimin, e madje Jehovai e përdori që ta shkruante atë ngjarje për dobinë tonë. (Rom. 15:4) Mënyra si ka vepruar Jehovai me shërbëtorët e tij na siguron se ai ndien empati për ne. Ai i di mirë dhembjet dhe vuajtjet që përjeton secili prej nesh. Ai i kupton mendimet e ndjenjat tona më të thella dhe kufizimet që kemi. Dhe ‘nuk do të lejojë që të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë’. (1 Kor. 10:13) Sa na ngroh zemrën ky premtim! w19.03 16 ¶6-7
E shtunë, 4 korrik
Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij që duhet t’i japim llogari.—Hebr. 4:13.
Në Ligjin e Moisiut pleqtë e emëruar ishin përgjegjës jo vetëm për trajtimin e çështjeve që lidheshin me adhurimin, por edhe për ato civile e penale. Shqyrto disa shembuj. Nëse një izraelit vriste dikë, nuk ekzekutohej automatikisht. Pleqtë e qytetit të tij hetonin rrethanat para se të vendosnin nëse ishte me vend t’i jepej dënimi me vdekje. (Ligj. 19:2-7, 11-13) Veç kësaj, pleqtë gjykonin aspekte të shumta të jetës së përditshme—që nga zgjidhja e debateve publike për pronat deri te sheshimi i mosmarrëveshjeve private bashkëshortore. (Eks. 21:35; Ligj. 22:13-19) Kur pleqtë ishin të drejtë dhe izraelitët i bindeshin Ligjit, gjithsecili nxirrte dobi, dhe kombi nderonte Jehovain. (Lev. 20:7, 8; Isa. 48:17, 18) Nga kjo kuptojmë se çdo aspekt i jetës sonë është i rëndësishëm për Jehovain. Ai do që të jemi të drejtë e të dashur në marrëdhëniet me të tjerët. Dhe Jehovai e vëren atë që themi e bëjmë, edhe kur jemi vetëm në shtëpinë tonë. w19.02 23 ¶16-18
E diel, 5 korrik
Ai pranoi që ta mundonin, e megjithatë nuk e hapi gojën.—Isa. 53:7.
Kur jemi nën stres, është e vështirë të jemi zemërbutë. Fjalët tona mund të bëhen të ashpra dhe toni i ftohtë. Nëse je ndier ndonjëherë i stresuar, mendo pak për shembullin e Jezuit. Gjatë muajve të fundit të jetës në tokë, Jezui ishte nën një stres ekstrem. E dinte se do ta ekzekutonin dhe se do të vuante tmerrësisht. (Gjoni 3:14, 15; Gal. 3:13) Disa muaj para vdekjes, ai tha se po vuante. (Luka 12:50) Dhe vetëm pak ditë para se të vdiste, Jezui tha: «Shpirti im është i trazuar.» Mund ta dallojmë përulësinë dhe nënshtrimin e tij ndaj Perëndisë teksa i zbrazte zemrën në lutje. (Gjoni 12:27, 28) Kur erdhi momenti, Jezui me guxim e la veten në duart e armiqve të Perëndisë, të cilët e ekzekutuan në mënyrën më agonike e më poshtëruese që mundeshin. Me gjithë stresin e me gjithë vuajtjet, Jezui tregoi zemërbutësi dhe bëri vullnetin e Perëndisë. Mund të themi me plot gojën se Jezui është shembulli më i shkëlqyer i dikujt që tregoi zemërbutësi nën stres!—Isa. 53:10. w19.02 11 ¶14-15
E hënë, 6 korrik
Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera.—Hebr. 10:24.
Për të ndjekur mbledhjet rregullisht, mund të na duhet të tregojmë guxim mes rrethanave të vështira. Disa vëllezër e motra marrin pjesë në mbledhje edhe pse janë të rënduar nga barra e hidhërimit, e shkurajimit ose e problemeve shëndetësore. Të tjerë i ndjekin mbledhjet plot guxim me gjithë kundërshtimin e fortë nga pjesëtarët e familjes ose nga autoritetet qeveritare. Ndalu pak e mendo si ndikon shembulli ynë te vëllezërit që janë të burgosur për besimin e tyre. (Hebr. 13:3) Kur dëgjojnë se ne po vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait pavarësisht nga sprovat, ata marrin forcë që ta mbajnë të palëkundur besimin, guximin dhe integritetin e tyre. Kur Pavli ishte i burgosur në Romë, ai gëzonte sa herë që dëgjonte se vëllezërit e tij po i shërbenin Perëndisë besnikërisht. (Filip. 1:3-5, 12-14) Pak para se të lirohej nga burgu ose fill pas lirimit, Pavli shkroi «Letrën drejtuar hebrenjve». Në atë letër i nxiste ata të krishterë besnikë të mos i linin kurrë pas dore mbledhjet.—Hebr. 10:25. w19.01 28 ¶9
E martë, 7 korrik
E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut.—1 Gjon. 5:19.
Satanai do që të bëhemi si ai—një rebel që shpërfill normat e Jehovait dhe motivohet nga egoizmi. Ai na rrethon me njerëz që i ka korruptuar tashmë dhe shpreson që të na «prishin» ose korruptojnë mënyrën si mendojmë e si veprojmë. (1 Kor. 15:33) Satanai përpiqet të na e infektojë zemrën edhe duke na shtyrë të besojmë te mençuria njerëzore e jo te mënyra si mendon Jehovai. (Kolos. 2:8) Të marrim vetëm një ide që reklamon Satanai—ideja se të pasurohesh duhet të jetë një synim kryesor në jetë. Ata që mendojnë në këtë mënyrë ndoshta bëhen të pasur, a ndoshta edhe jo. Por në të dyja rastet, ata janë në rrezik. Pse? Sepse mund të përqendrohen kaq shumë te synimi për të vënë pasuri, sa të sakrifikojnë shëndetin, lidhjet familjare, e madje edhe miqësinë me Perëndinë vetëm e vetëm për ta arritur synimin. (1 Tim. 6:10) Mund të jemi mirënjohës që Ati ynë i mençur qiellor na ndihmon të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për paratë.—Ekl. 7:12; Luka 12:15. w19.01 15 ¶6; 17 ¶9
E mërkurë, 8 korrik
Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik! Ti u tregove besnik kur t’u ngarkuan pak gjëra, prandaj do të të emëroj mbi shumë gjëra; gëzohu edhe ti me zotërinë tënd!—Mat. 25:21.
Edhe para se Biri i Jehovait të vinte në tokë e të linte një shembull të përsosur se si të japim inkurajim, shërbëtorët besnikë të Jehovait ishin të vetëdijshëm për nevojën që të inkurajonin të tjerët. Kur po i kërcënonin asirianët, Hezekia mblodhi krerët e ushtrisë dhe popullin e Judës për t’i inkurajuar. «Dhe populli mori zemër nga fjalët» e tij. (2 Kron. 32:6-8) Jobi, ndonëse kishte vetë nevojë për ngushëllim, u dha tre ‘ngushëlluesve [të tij] të bezdisshëm’ një mësim se si të inkurajonin. U tha se po të ishte në vend të tyre, ‘do t’u jepte forcë me fjalët e gojës së tij, dhe do t’ua lehtësonte dhembjen me ngushëllimin e buzëve të tij’. (Jobi 16:1-5) Si përfundim, Jobit i dha zemër Elihu dhe vetë Jehovai.—Jobi 33:24, 25; 36:1, 11; 42:7, 10. w18.04 16 ¶6; 17 ¶8-9
E enjte, 9 korrik
Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj.—Isa. 41:10.
Isaia tashmë kishte treguar si do t’i jepte forcë Jehovai popullit të tij, kur tha: ‘Jehovai do të vijë si një i fortë dhe krahu i vet do të mbretërojë në emër të tij.’ (Isa. 40:10) Bibla e përdor shpesh fjalën «krahu» si simbol të fuqisë ose pushtetit. Pra, pohimi se ‘krahu i Jehovait do të mbretërojë’ na kujton se Jehovai është Mbret i fuqishëm. Ai e përdori fuqinë e tij të pathyeshme që t’i mbështeste e t’i ruante shërbëtorët e vet në të kaluarën, dhe vazhdon t’u japë forcë e t’i mbrojë ata që kanë besim tek ai sot. (Ligj. 1:30, 31; Isa. 43:10.) Jehovai e mban premtimin «unë do të të jap forcë» veçanërisht atëherë kur na përndjekin armiqtë. Sot në disa pjesë të botës, armiqtë tanë po përpiqen me të gjitha forcat të ndalin veprën tonë të predikimit ose organizatën tonë. Prapëseprapë, sulme të tilla nuk bëjnë që të na mbytë ankthi. Jehovai na ka dhënë një garanci që na mbush me siguri dhe forcë. Ai na premton: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»—Isa. 54:17. w19.01 5-6 ¶12-13
E premte, 10 korrik
Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.—Mat. 5:3.
Ndryshe nga kafshët, ti ke nevojë të afrohesh me Krijuesin tënd dhe vetëm ai mund të ta plotësojë këtë nevojë. (Mat. 4:4) Kur e dëgjon me vlerësim, fiton gjykim të thellë, mençuri dhe lumturi. Perëndia ta plotëson këtë nevojë me anë të Fjalës së tij dhe ushqimit të bollshëm që siguron nëpërmjet ‘skllavit besnik dhe të mençur’. (Mat. 24:45) Sa i larmishëm dhe i pasur është ky ushqim! (Isa. 65:13, 14) Falë ushqimit që siguron Perëndia do të fitosh mençuri dhe aftësi për të menduar, që mund të të mbrojnë në shumë mënyra. (Prov. 2:10-14) Për shembull, këto cilësi të hapin sytë që të dallosh mësimet e rreme, siç është pikëpamja se nuk ekziston një Krijues. Ato të mbrojnë nga gënjeshtra se paraja dhe gjërat materiale janë çelësi i lumturisë. Gjithashtu, të ndihmojnë të dallosh dhe t’u rezistosh dëshirave të gabuara dhe sjelljes vetëshkatërruese. Ndaj, vazhdo të kërkosh aftësinë për të menduar dhe mençurinë hyjnore, duke i parë si thesare! w18.12 20 ¶6-7
E shtunë, 11 korrik
Ditët e popullit tim do të zgjasin sa ditët e një peme.—Isa. 65:22.
A do të vijë ajo kohë kur ditët tona «do të jenë si ditët e një peme»? Disa pemë jetojnë me mijëra vjet. Që të jetojnë kaq gjatë, njerëzit duhet të gëzojnë shëndet të mirë. E nëse mund të jetojnë në kushtet që paratha Isaia, kjo do të jetë një ëndërr e bërë realitet, një parajsë e vërtetë! Kjo profeci ka për t’u përmbushur! Mendo pak si flasin për një parajsë të ardhshme premtimet e Isaisë: njerëzit në mbarë tokën do të bekohen nga Perëndia. Askujt nuk do t’i kanoset ndonjë rrezik nga kafshët ose nga njerëzit me tipare shtazarake. Të verbrit, të shurdhrit dhe të çalët do të shërohen. Njerëzit do të kenë mundësi të ndërtojnë shtëpitë e tyre dhe të kënaqen teksa kultivojnë vetë ushqime të shëndetshme. Ata do të jetojnë më gjatë se pemët. Po, në Bibël gjejmë dëshmi se kjo është e ardhmja që na pret. Mirëpo disa mund të thonë se po nxjerrim nga këto profeci më tepër se ç’thonë realisht. Çfarë arsye të fortë ke që të presësh një parajsë të vërtetë në tokë? Njeriu më i madh i gjithë kohëve na dha një arsye të fortë.—Luka 23:43. w18.12 5 ¶13-15
E diel, 12 korrik
Transformohuni duke përtërirë mendjen.—Rom. 12:2.
Mendja është elastike dhe mund të vazhdojë të ndryshojë. Në një masë të madhe, çdo ndryshim i tillë do të përcaktohet nga ajo që lejojmë të hyjë në mendjen tonë dhe nga ajo që zgjedhim të bluajmë në mendje. Duke medituar për mënyrën si mendon Jehovai, mund t’i vërtetojmë vetes se pikëpamjet e tij janë të drejta. Atëherë do të na lindë natyrshëm dëshira që t’i përputhim mendimet tona me ato të Jehovait. Mirëpo, për ta përtërirë mendjen që të mendojmë si Jehovai, duhet t’i vëmë veshin këshillës: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.» Duhet të mos futim më në mendje ide ose pikëpamje që bien ndesh me ato të Perëndisë. Për ta kuptuar sa i rëndësishëm është ky hap paraprak, le të bëjmë një ilustrim me ushqimin. Dikush mund të përpiqet të përmirësojë shëndetin duke ngrënë ushqime të shëndetshme. Por sa vlerë do të ketë kjo nëse ndërkohë konsumon rregullisht edhe ushqime të ndotura? Po kështu, do të ketë pak vlerë të ushqehemi me mendimet e Jehovait nëse njëkohësisht e ndotim mendjen me idetë e botës. w18.11 21 ¶14-15
E hënë, 13 korrik
Qëndroni . . . të patundur, me brezin e së vërtetës të ngjeshur në mes.—Efes. 6:14.
Duhet të jemi plotësisht të vendosur të jetojmë në harmoni me të vërtetën ditë për ditë. Ngjishe në ijë brezin e së vërtetës. Në kohët biblike, brezi që mbante ushtari i mbronte ijët dhe organet e brendshme. Ama, që brezi ta mbronte, duhej ta ngjishte fort. Nëse vihej lirshëm, brezi nuk ishte ndonjë mbrojtje e madhe. Si na mbron brezi ynë i së vërtetës? Nëse e ngjeshim fort pas vetes si një brez, e vërteta do të na mbrojë nga arsyetimet e gabuara dhe do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura. Kur jemi para tundimit ose në sprovë, e vërteta e Biblës do të na forcojë vendosmërinë për të bërë atë që është e drejtë. Ashtu si një ushtar s’do ta çonte kurrë nëpër mend të shkonte në betejë pa brezin e tij, edhe ne duhet të jemi të vendosur të mos e lirojmë ose të mos e heqim kurrë brezin e së vërtetës. Përkundrazi, bëjmë çmos ta mbajmë të ngjeshur fort pas vetes, duke jetuar në harmoni me të vërtetën. w18.11 12 ¶15
E martë, 14 korrik
Blije të vërtetën dhe mos e shit kurrë.—Prov. 23:23.
Të vërtetën e Fjalës së Perëndisë nuk e gjejmë dot pa bërë përpjekje. Duhet të jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo sakrificash të nevojiten për ta marrë. Siç thotë shkrimtari i mençur i Proverbave, pasi ‘e blejmë’, ose e fitojmë, «të vërtetën» duhet të bëjmë kujdes të mos ‘e shesim’, ose të mos e humbim. Edhe diçka që është falas mund të ketë një kosto. Fjala hebraike e përkthyer «blije» te Proverbat 23:23, mund të ketë edhe kuptimin «fitoje». Të dyja fjalët nënkuptojnë të bësh përpjekje ose të japësh diçka si këmbim për një gjë me vlerë. Idenë e blerjes të së vërtetës mund ta ilustrojmë kështu: ta zëmë se në një treg nxirret njoftimi «banane falas». A mos do të shfaqen vetvetiu mbi tavolinën tonë ato banane? Jo. Duhet të bëjmë përpjekje duke shkuar në treg për t’i marrë. A janë falas bananet? Po, ama duhet të bëjmë përpjekje dhe të harxhojmë kohë për të shkuar në treg. Po njësoj, për të blerë të vërtetën s’kemi nevojë për para. Gjithsesi, duhet të bëjmë përpjekje që ta marrim. w18.11 4 ¶4-5
E mërkurë, 15 korrik
Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat i shndritën si drita.—Mat. 17:2.
Jezui kishte ftuar Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin ta shoqëronin për në një mal të lartë. Kur ishin atje, panë një vegim mbresëlënës. Fytyra e Jezuit shkëlqente fort dhe rrobat i vezullonin. Dy burra, që përfaqësonin Moisiun dhe Elijan, nisën të bisedonin me Jezuin për vdekjen dhe ringjalljen e tij që do të ndodhnin së shpejti. (Luka 9:29-32) Pastaj i mbuloi një re e shndritshme dhe dëgjuan një zë nga reja—zërin e Perëndisë! Vegimi ishte një pamje paraprake e lavdisë dhe e pushtetit që do të kishte Jezui si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Pa dyshim, Krishti u inkurajua dhe mori forcë për vuajtjet dhe vdekjen e dhimbshme që do të përballonte. Gjithashtu, vegimi u shtoi besimin dishepujve e u dha forcë për sprovat e integritetit dhe punën e palodhur që do të bënin për vite të tëra. Rreth 30 vjet më vonë, apostulli Pjetër foli për vegimin e shpërfytyrimit, duke treguar se e kishte ende të gjallë në mendje.—2 Pjet. 1:16-18. w19.03 10 ¶7-8
E enjte, 16 korrik
E rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë . . . me fjalë të vërteta.—2 Kor. 6:4, 7.
Cili është një aspekt si ndryshojnë të krishterët e vërtetë nga anëtarët e feve të rreme? Ne ‘themi të vërtetën’. (Zak. 8:16, 17) Ne do t’u themi të vërtetën të panjohurve, kolegëve, miqve dhe njerëzve të dashur, për gjëra të mëdha e të vogla. Ç’të themi nëse je një i ri që dëshiron të pranohesh në shoqërinë e moshatarëve të tu? Ji i vendosur të mos bësh kurrë një jetë të dyfishtë, pra të dukesh i dëlirë kur je me familjen dhe me kongregacionin, por të sillesh krejt ndryshe në shoqërinë e të rinjve nga bota ose në rrjetet sociale. Kjo do të thotë të jetosh një gënjeshtër, të sillesh pabesisht me prindërit, me bashkadhuruesit dhe me Perëndinë. (Psal. 26:4, 5) Jehovai e di mirë kur ‘e nderojmë me buzë, por zemra jonë është larguar shumë nga ai’. (Mar. 7:6) Sa mirë është kur bëjmë atë që thotë ky proverb: «Zemra jote të mos i ketë zili mëkatarët, por qëndro në frikën e Jehovait gjatë gjithë ditës.»—Prov. 23:17. w18.10 9 ¶14-15
E premte, 17 korrik
Perëndia është dashuri, dhe ai që tregon gjithnjë dashuri, qëndron në unitet me Perëndinë, dhe Perëndia qëndron në unitet me të.—1 Gjon. 4:16.
Adhuruesit e Perëndisë janë pjesë e një familjeje në besim—një familjeje që karakterizohet nga dashuria. (1 Gjon. 4:21) Zakonisht kjo dashuri nuk shprehet me disa akte heroike tek-tuk, por me gjëra më të vogla të panumërta, si fjalët e menduara mirë dhe veprat dashamirëse. Kur i trajtojmë të tjerët me dashamirësi dhe konsideratë, bëhemi «imitues të Perëndisë, si bij të dashur». (Efes. 5:1) Jezui e imitoi në mënyrë të përsosur Atin e tij. Ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj . . . sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër.» (Mat. 11:28, 29) Kur imitojmë shembullin e Krishtit dhe ‘mendojmë [tregojmë konsideratë] për të varfrin’, gëzojmë miratimin e Atit tonë qiellor dhe provojmë lumturi të madhe. (Psal. 41:1) Prandaj, le ta bëjmë të qartë dashurinë tonë duke treguar pareshtur konsideratë për të tjerët në familje, në kongregacion dhe në shërbim. w18.09 28 ¶1-2
E shtunë, 18 korrik
Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.—1 Kor. 3:9.
Kur godasin katastrofat, shërbëtorët e Perëndisë kanë mundësi të bashkëpunojnë me Perëndinë duke iu bërë krah vëllezërve në mënyra praktike. Për shembull, mbështetin financiarisht ata që janë dëmtuar. (Gjoni 13:34, 35; Vep. 11:27-30) Një mënyrë tjetër praktike është duke ndihmuar për të pastruar ose për të rindërtuar. Gabriela, një motër nga Polonia, shtëpia e së cilës thuajse u shkatërrua fare nga një përmbytje, u çel kur pa vëllezërit nga kongregacionet fqinje që i vajtën në ndihmë. Ajo thotë: «Nuk dua të flas për gjërat që humba—ato janë thjesht gjëra materiale. Në vend të kësaj, dua t’ju tregoj sa shumë fitova. Kjo përvojë më siguroi se të jesh pjesë e kongregacionit të krishterë është një privilegj unik dhe një burim gëzimi e lumturie.» Shumë veta që marrin ndihmë pas një katastrofe thonë se ndihen të pasuruar nga kjo përvojë. Edhe ata që bashkëpunojnë me Jehovain për të dhënë këtë ndihmë, ndiejnë kënaqësi të thellë.—Vep. 20:35; 2 Kor. 9:6, 7. w18.08 26 ¶12
E diel, 19 korrik
Ruaj zemrën.—Prov. 4:23.
Që t’ia dalim ta ruajmë zemrën, duhet të dallojmë rreziqet dhe të reagojmë me shpejtësi për t’u mbrojtur. Fjala e përkthyer «ruaj» na kujton punën që bënte një rojë. Në kohën e mbretit Solomon, rojat vigjilonin mbi muret e qytetit dhe jepnin alarmin nëse shihnin se po kanosej ndonjë rrezik. Kur e përfytyrojmë këtë skenë, kuptojmë më mirë se ç’duhet të bëjmë për të mos e lejuar Satanain të na korruptojë mendjen. Në kohët e lashta, rojat bashkëpunonin ngushtë me derëtarët e qytetit. (2 Sam. 18:24-26) Së bashku ata ndihmonin që qyteti të ishte i mbrojtur duke u siguruar që portat të mbylleshin sa herë afrohej armiku. (Neh. 7:1-3) Ndërgjegjja jonë e stërvitur sipas Biblës mund të veprojë si një rojë dhe të na paralajmërojë kur Satanai përpiqet të na pushtojë zemrën—domethënë, kur përpiqet të ndikojë te mendimet, ndjenjat, motivet ose dëshirat tona. Sa herë që ndërgjegjja jep alarmin, duhet ta dëgjojmë dhe, si të thuash, të mbyllim portën. w19.01 17 ¶10-11
E hënë, 20 korrik
Nëse janë të lirë nga çdo akuzë, le të jenë shërbëtorë kongregacioni.—1 Tim. 3:10.
Burrat më të rinj në moshë nuk duhen vlerësuar sipas pikëpamjeve personale a të shoqërisë, por sipas standardit të Fjalës së Perëndisë. (2 Tim. 3:16, 17) Pikëpamjet jobiblike të shoqërisë mund t’i pengojnë vëllezërit e kualifikuar të emërohen. Në një shtet, një shërbëtori kongregacioni mjaft të kualifikuar i ishin besuar përgjegjësi me peshë. Edhe pse pleqtë në kongregacionin e tij ishin dakord se ai vëlla i ri i plotësonte në një masë të arsyeshme kualifikimet biblike për t’u emëruar plak, nuk e rekomandonin. Disa pleq më të moshuar këmbëngulnin se vëllai dukej tepër i ri që të tjerët ta shihnin si plak. Mjerisht, ajo që u bë pengesë që vëllai të emërohej ishte thjesht pamja e tij. Raportet tregojnë se ky mentalitet ndikon te shumë veta në pjesë të ndryshme të botës. Sa e rëndësishme është të mbështetemi te Shkrimet dhe jo te pikëpamjet tona! Kjo është e vetmja mënyrë për t’iu bindur Jezuit dhe për të mos gjykuar më nga pamja e jashtme.—Gjoni 7:24. w18.08 12 ¶16-17
E martë, 21 korrik
Kush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, është i marrë dhe turpëron veten.—Prov. 18:13.
Mund të krijojmë probleme kur dërgojmë email-e dhe mesazhe pa menduar gjatë. Në disa vende, vepra jonë është e kufizuar ose plotësisht e ndaluar. Kundërshtarët tanë në këto vende mund të përhapin me dashje informacione të kurdisura për të na frikësuar ose për të na shtyrë të mos i zëmë besë njëri-tjetrit. Mendo për atë që ndodhi në ish-Bashkimin Sovjetik. Policia sekrete, e njohur si KGB, hapi fjalë se disa vëllezër të mirënjohur kishin tradhtuar popullin e Jehovait. Shumë veta i besuan ato fjalë të rreme, dhe si pasojë u shkëputën nga organizata e Jehovait. Sa e trishtueshme! Shyqyr që më vonë shumë prej tyre u kthyen! Ama disa nuk u kthyen kurrë. Besimi i tyre u rrënua. (1 Tim. 1:19) Si mund ta shmangim një fund të tillë shkatërrimtar? Mos përhap kurrsesi histori negative ose të pabaza. Mos ji naiv. Sigurohu që t’i dish mirë faktet. w18.08 4 ¶8
E mërkurë, 22 korrik
Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.—Luka 23:43.
Në dorëshkrimet më të hershme greke që janë gjetur, nuk përdoren gjithmonë shenjat e pikësimit. Pra, lind pyetja: A po thoshte Jezui: «Po të them: sot ti do të jesh me mua në Parajsë»? Apo po thoshte: «Po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë»? Të kujtojmë çfarë u kishte thënë më parë Jezui dishepujve të tij: «Biri i njeriut do të qëndrojë në zemër të tokës tri ditë e tri net.» (Mat. 12:40; 16:21; 17:22, 23; Mar. 10:34; Vep. 10:39, 40) Pra, Jezui nuk shkoi në ndonjë Parajsë ditën kur ai dhe krimineli pranë tij vdiqën. Jezui qëndroi «në Hades» deri ditën e tretë kur Perëndia e ringjalli. (Vep. 2:31, 32) Krimineli që ishte buzë vdekjes, nuk e dinte se Jezui kishte bërë një besëlidhje me apostujt e tij besnikë për të qeverisur me të në Mbretërinë qiellore. (Luka 22:29) Veç kësaj, ai kriminel as ishte pagëzuar. (Gjoni 3:3-6, 12) Ndaj kur i bëri atë premtim, Jezui duhej ta kishte fjalën për një parajsë tokësore që do të vinte në të ardhmen. w18.12 6 ¶17-18, 20-21
E enjte, 23 korrik
Na bëj një perëndi që të na prijë, sepse nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut.—Eks. 32:1.
Shpejt izraelitët filluan të adhuronin një viç të artë! Edhe pse treguan sheshit mosbindje, izraelitët në njëfarë mënyre gënjyen veten me mendimin se ishin akoma në anën e Jehovait. Aaroni madje e quajti adhurimin e viçit «një festë për Jehovain»! Si reagoi Jehovai? U ndie i tradhtuar. Jehovai i tha Moisiut se populli ‘kishte vepruar keq’ dhe se ‘ishte larguar nga udha në të cilën i urdhëroi të shkonin’. Jehovait ‘iu ndez zemërimi’ dhe madje mendoi ta fshinte nga faqja e dheut kombin e sapoformuar të Izraelit. (Eks. 32:5-10) Gjithsesi, Jehovai vendosi të mos i shfaroste izraelitët. (Eks. 32:14) Ndonëse në fillim u përfshi në bërjen e idhullit, Aaroni u pendua dhe u bashkua me levitët e tjerë që shpallën se ishin në anën e Jehovait. Ndërkohë që mijëra veta humbën jetën për shkak të idhujtarisë së tyre, atyre që ishin në anën e Jehovait iu premtua një bekim.—Eks. 32:26-29. w18.07 20 ¶13-16
E premte, 24 korrik
Ruhuni nga skribët . . . që vdesin t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari [e] të ulen . . . në kryet e vendit nëpër darka.—Luka 20:46.
Cila është forma më e lartë e vlerësimit që mund të përpiqemi të marrim? Nuk është ajo vëmendje që kërkojnë njerëzit në fushën akademike, në biznes dhe në industrinë e zbavitjes të kësaj bote. Përkundrazi, është ai lloj vlerësimi që Pavli na e përshkruan me këto fjalë: «Tani që keni arritur ta njihni Perëndinë, ose më mirë tani që keni arritur të njiheni nga Perëndia, si vallë ktheheni sërish te gjërat elementare të dobëta e të varfra dhe doni të bëheni prapë skllevër të tyre?!» (Gal. 4:9) Çfarë privilegji i mrekullueshëm është ‘të njihemi nga Perëndia’, nga Sovrani Suprem i universit! Ai është i gatshëm të ketë një marrëdhënie të ngushtë me ne. Siç u shpreh një studiues, «ai përqendron plot mirësi te ne vëmendjen e tij». Kur Jehovai na vlerëson si miq të tij, plotësojmë arsyen themelore të ekzistencës sonë.—Ekl. 12:13, 14. w18.07 8 ¶3-4
E shtunë, 25 korrik
Bluaj në mendje përkujtuesit e tu.—Psal. 119:99.
Për të nxjerrë dobi nga ligjet e Perëndisë, duhet të mësojmë t’i duam e t’i respektojmë. (Amo. 5:15) Por si mund ta bëjmë këtë? Një çelës është të mësojmë t’i shohim gjërat ashtu siç i sheh Jehovai. Ta ilustrojmë: imagjino sikur ke probleme me gjumin. Mjeku të rekomandon një program që përfshin dietën, ushtrimet dhe ndryshime në mënyrën e jetesës. Pasi e ndjek këtë program, vëren se bën punë! Patjetër i je shumë mirënjohës mjekut që të ndihmoi të bësh një jetë më të mirë. Në mënyrë të ngjashme, Krijuesi ynë na ka dhënë ligje që na mbrojnë nga ndikimi i dëmshëm i mëkatit, e kështu na ndihmojnë të bëjmë një jetë më të mirë. Mendo pak për dobitë që nxjerrim kur zbatojmë ligjet e Biblës për gënjeshtrën, intrigat, vjedhjen, imoralitetin seksual, dhunën dhe spiritizmin. (Prov. 6:16-19; Zbul. 21:8) Teksa provon shpërblimet e pasura që vijnë kur i bën gjërat sipas mënyrës së Jehovait, natyrshëm të thellohet në zemër dashuria dhe çmueshmëria për Jehovain e për ligjet e tij. w18.06 17 ¶5-6
E diel, 26 korrik
A je ti Mbreti i judenjve?—Gjoni 18:33.
Mbase guvernatori kishte frikë se mos Jezui shkaktonte trazira politike, një nga shqetësimet kryesore gjatë gjithë sundimit të Pilatit. Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Ai nuk do të përfshihej kurrsesi në politikë, sepse Mbretëria e tij do të ishte një mbretëri qiellore. Ai i tha Pilatit se vepra e tij në tokë ishte ‘të jepte dëshmi për të vërtetën’. (Gjoni 18:37) Kur e kuptojmë caktimin tonë po aq qartë sa ç’e kuptonte Jezui caktimin e tij, nuk do t’i përkrahim madje as në heshtje, ose pa fjalë, lëvizjet politike për pavarësi. Kjo mund të mos jetë e lehtë. Një mbikëqyrës udhëtues vëren: «Njerëzit në zonën tonë po bëhen gjithnjë e më ekstremistë. Mbizotëron një frymë nacionaliste, dhe shumë veta shkojnë me mendjen se pavarësia politike do t’u përmirësojë jetën. Sa mirë që vëllezërit e kanë ruajtur unitetin e krishterë duke u përqendruar te predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë! Ata i mbajnë sytë me besim te Perëndia për zgjidhjen e padrejtësive dhe të problemeve të tjera që hasim.» w18.06 4-5 ¶6-7
E hënë, 27 korrik
Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.—Jak. 4:7.
Emri Satana, që do të thotë «Kundërshtar», përmendet vetëm në tri libra të Shkrimeve Hebraike: te 1 Kronikave, te Jobi dhe te Zakaria. Pse u zbuluan kaq pak gjëra për armikun tonë para ardhjes së Mesisë? Me sa duket, Jehovai nuk donte t’i jepte rëndësi më kot Satanait duke i kushtuar fragmente të mëdha të Shkrimeve Hebraike hollësive rreth tij dhe aktivitetit të tij. Qëllimi kryesor i Jehovait kur frymëzoi atë pjesë të Shkrimeve ishte të identifikonte Mesinë dhe ta drejtonte tek ai popullin e Perëndisë. (Luka 24:44; Gal. 3:24) Kur kjo u realizua dhe Mesia erdhi, Jehovai e përdori atë dhe dishepujt e tij për të zbuluar shumë nga gjërat që dimë rreth Satanait dhe engjëjve që u bashkuan me të. Kjo është me vend, pasi Jehovai do të përdorë pikërisht Jezuin dhe bashkëqeveritarët e tij të mirosur për të dërrmuar Satanain dhe pasuesit e tij. (Rom. 16:20; Zbul. 17:14; 20:10) Mos harro se pushteti i Djallit është i kufizuar. Ne kemi mbështetjen e Jehovait, të Jezuit dhe të engjëjve besnikë. Me ndihmën e tyre, mund t’i kundërvihemi armikut tonë. w18.05 22-23 ¶2-4
E martë, 28 korrik
Ai e pret çdo degë timen që nuk jep fryt.—Gjoni 15:2.
Jehovai na konsideron si shërbëtorë të tij vetëm nëse japim fryt. (Mat. 13:23; 21:43) Pra, në ilustrimin te Gjoni 15:1-5, fryti që duhet të japë çdo i krishterë s’mund të jenë dishepujt e rinj që ndoshta ka privilegjin të bëjë. (Mat. 28:19) Po të ishte kështu, Dëshmitarët besnikë që nuk arrijnë të bëjnë dishepuj ngaqë predikojnë në një territor jomikpritës, do të ishin si degët e pafrytshme në ilustrimin e Jezuit. Por ky përfundim është i paimagjinueshëm! Pse? Sepse ne nuk i detyrojmë dot njerëzit të bëhen dishepuj. Dhe do të ishte kundër udhëve të dashura të Jehovait t’i skualifikonte shërbëtorët e tij ngaqë s’ia dalin të bëjnë diçka që është e paarritshme për ta. Jehovai gjithmonë na kërkon diçka që mund ta arrijmë. (Ligj. 30:11-14) Atëherë, çfarë është fryti që duhet të japim? Është e qartë se fryti duhet të jetë një aktivitet që secili prej nesh është në gjendje ta kryejë. Cili aktivitet? Predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Mat. 24:14. w18.05 14 ¶8-9
E mërkurë, 29 korrik
Ju jeni nga ati juaj, Djalli, . . . gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.—Gjoni 8:44.
Pavarësisht nga titulli që kanë, pastor, prift, rabi a ndonjë titull tjetër, sot në botë ka plot udhëheqës fetarë. Ashtu si në shekullin e parë, edhe këta udhëheqës «po e mbytin të vërtetën» e Fjalës së Perëndisë dhe ‘e kanë këmbyer të vërtetën e Tij me gënjeshtrën’. (Rom. 1:18, 25) Ata përhapin mësime të rreme të tilla si, ferri i zjarrtë, pavdekësia e shpirtit, rimishërimi dhe idenë e pamend se Perëndia do të mbyllë një sy para homoseksualizmit dhe martesave të të njëjtit seks. Politikanët i kanë përdorur gënjeshtrat për të mashtruar njerëzimin. Një nga gënjeshtrat më të mëdha, do të dëgjohet në të ardhmen kur njerëzit të shpallin se kanë arritur «paqe dhe siguri». Por «atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta». Mos rënçim pre e përpjekjeve të tyre për të minimizuar faktin që ky sistem është në fije të perit! Në të vërtetë, ne ‘e dimë fort mirë se dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën’.—1 Sel. 5:1-4. w18.10 7-8 ¶6-8
E enjte, 30 korrik
Duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotërisë Jezu: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» —Vep 20:35.
Jezu Krishti, nëpërmjet vëllezërve të tij të mirosur dhe ‘princave’ nga delet e tjera që i mbështetin, u jep inkurajim e drejtim atyre që i ka lëshuar zemra dhe janë të shkurajuar në këto kohë të vështira. Dhe kështu duhet të ndodhë, sepse këta pleq nuk janë «zotërinj» mbi besimin e të tjerëve, por janë «bashkëpunëtorë» për gëzimin e vëllezërve të tyre. (Isa. 32:1, 2; 2 Kor. 1:24) Apostulli Pavël la një shembull të denjë për t’u imituar. Ai u shkroi të krishterëve të përndjekur në Selanik: «Nga përzemërsia e butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.» (1 Sel. 2:8) Për t’u treguar se jo gjithnjë mjafton thjesht një fjalë inkurajuese, Pavli u tha pleqve nga Efesi fjalët e shkrimit të sotëm. w18.04 21-22 ¶6-8
E premte, 31 korrik
Jehovai është Frymë, dhe atje ku është fryma e Jehovait, atje ka liri.—2 Kor. 3:17.
Që të gëzojmë liri e të nxjerrim dobi prej saj duhet të ‘kthehemi te Jehovai’, pra të zhvillojmë një marrëdhënie personale me të. (2 Kor. 3:16) Izraelitët në shkretëtirë nuk e panë nga këndvështrimi i Jehovait mënyrën si veproi Ai me ta. Zemra dhe mendja e tyre sikur ishin të mbuluara me vel dhe të ngurtësuara, të përqendruara vetëm si ta përdornin lirinë e sapofituar nga Egjipti për gjëra fizike. (Hebr. 3:8-10) Mirëpo, liria që vjen nga fryma e Jehovait, nuk është thjesht liri nga skllavëria fizike. Fryma e Jehovait sjell një liri shumë më të madhe nga ç’mund të shpresojnë të arrijnë njerëzit me përpjekjet e tyre. Sjell çlirim nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes, si edhe nga skllavëria e adhurimit të rremë e nga praktikat e tij. (Rom. 6:23; 8:2) Sa e lavdishme është kjo liri! Një njeri mund të gëzojë dobitë e kësaj lirie edhe kur është i burgosur a skllav.—Zan. 39:20-23. w18.04 9 ¶3-5