Gusht
E shtunë, 1 gusht
Perëndia na e tregon dashurinë e vet në këtë mënyrë: ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.—Rom. 5:8.
Në mbledhje kujtojmë rregullisht çfarë kanë bërë Jehovai dhe Jezui për ne. Me një zemër që na gufon nga mirënjohja, përpiqemi të imitojmë Jezuin në mënyrën si jetojmë çdo ditë. (2 Kor. 5:14, 15) Veç kësaj, zemra na shtyn të lëvdojmë Jehovain që siguroi shpërblesën. Një mënyrë si mund ta lëvdojmë, është të komentojmë nga zemra në mbledhje. Mund ta tregojmë sa e thellë është dashuria jonë për Jehovain dhe Birin e tij duke qenë të gatshëm të bëjmë sakrifica për ta. Shpesh na duhet të bëjmë lloj-lloj sakrificash që të marrim pjesë në mbledhje. Në mjaft kongregacione, një nga mbledhjet mbahet në fund të ditës së punës kur ka shumë gjasa të jemi të lodhur. Kurse mbledhja tjetër mbahet në fundjavë kur të tjerët pushojnë. A e vëren Jehovai që ne po marrim pjesë në mbledhje ndonëse jemi të lodhur? Pa pikë dyshimi! Në fakt, sa më e fortë të jetë lufta a përpjekjet që bëjmë, aq më shumë e çmon Jehovai dashurinë që tregojmë për të.—Mar. 12:41-44. w19.01 29 ¶12-13
E diel, 2 gusht
Sa e vuri re, Zotëria u shty nga keqardhja.—Luka 7:13.
Jezui i përjetoi vetë disa nga vështirësitë që hasnin njerëzit. Për shembull, me sa duket Jezui u rrit në një familje të varfër. Duke punuar me babanë e tij birësues, Jozefin, mësoi të bënte punë krahu të rëndë. (Mat. 13:55; Mar. 6:3) Duket se Jozefi vdiq para se Jezui të përfundonte shërbimin e tij. Kështu, ka shumë të ngjarë që ta ketë provuar dhembjen që shkakton vdekja e një njeriu të dashur. Gjithashtu, Jezui e dinte ç’do të thoshte të ishe në një familje me pikëpamje të ndryshme fetare. (Gjoni 7:5) Këto dhe rrethana të tjera do ta kenë ndihmuar të kuptonte vështirësitë dhe ndjenjat e njerëzve të thjeshtë. Meraku i Jezuit dilte në pah sidomos kur kryente mrekulli. Ai nuk bënte mrekulli thjesht nga ndjenja e detyrës. Jezui ‘shtyhej nga keqardhja’ për ata që vuanin. (Mat. 20:29-34; Mar. 1:40-42) Jezuit i vinte keq për ata njerëz dhe donte t’i ndihmonte.—Mar. 7:32-35; Luka 7:12-15. w19.03 16 ¶10-11
E hënë, 3 gusht
Vazhdoni të duroni . . . njëri-tjetrin.—Kolos. 3:13.
Ishte nata e fundit e jetës së Jezuit në tokë. Imagjino çfarë stresi ndiente Jezui! A do të mbetej plotësisht besnik deri në vdekje? Nga kjo varej jeta e miliarda njerëzve. (Rom. 5:18, 19) Ç’është më e rëndësishmja, kjo do të ndikonte te reputacioni i Atit të tij. (Jobi 2:4) Kur ja, gjatë darkës së fundit me miqtë më të ngushtë, apostujt, biseda e tyre u katandis në ‘një debat të zjarrtë’ se «kush nga ata dukej se ishte më i madhi». Sa mbresëlënëse që Jezui nuk u acarua! Përkundrazi, reagoi me butësi. Me dashamirësi, por edhe me vendosmëri, u shpjegoi—edhe një herë—çfarë qëndrimi duhej të kishin. Pastaj i lavdëroi miqtë e tij që kishin qëndruar besnikërisht me të. (Luka 22:24-28; Gjoni 13:1-5, 12-15) Ne mund ta imitojmë Jezuin e ta ruajmë frymën e butë edhe kur jemi nën stres nëse kujtojmë se të gjithë themi e bëjmë gjëra që i acarojnë të tjerët. (Prov. 12:18; Jak. 3:2, 5) E le të përpiqemi t’i përmendim të mirat që shohim te të tjerët.—Efes. 4:29. w19.02 11-12 ¶16-17
E martë, 4 gusht
Jehovai . . . të patundur e ka bërë fronin, që me drejtësi të gjykojë.—Psal. 89:14.
Ligji i Moisiut kufizonte mundësitë që dikush të paditej në mënyrë të rreme për një krim. I akuzuari kishte të drejtën ta dinte kush e akuzonte. (Ligj. 19:16-19; 25:1) Dhe para se të shpallej fajtor, duhej të dëshmonin kundër tij të paktën dy dëshmitarë. (Ligj. 17:6; 19:15) Po në rast se një izraelit kryente një krim që e kishte parë vetëm një dëshmitar? Fajtori s’mund ta flinte mendjen se do të shpëtonte pa u lagur. Jehovai e kishte parë atë që bëri. Dhe pa dyshim Ai është shembulli i përsosur; asnjë veprim i tij nuk është i padrejtë. Ai i shpërblen ata që mbështetin besnikërisht standardet e tij, por i ndëshkon ata që abuzojnë me pushtetin. (2 Sam. 22:21-23; Ezek. 9:9, 10) Disa që veprojnë me ligësi mund të duket sikur i shpëtojnë ndëshkimit, por kur Jehovai vendos se është momenti i duhur, i nxjerr para drejtësisë. (Prov. 28:13) Dhe nëse nuk pendohen, ata e mësojnë shpejt se «është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë».—Hebr. 10:30, 31. w19.02 23-24 ¶20-21
E mërkurë, 5 gusht
Në Izrael nuk pati më kurrë profet si Moisiu, me të cilin Jehovai foli sy për sy.—Ligj. 34:10.
Moisiu pa dyshim që i mbante sytë te Jehovai për drejtim e udhëheqje. Në fakt, ai «qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm». (Hebr. 11:24-27) Pa kaluar as dy muaj pasi izraelitët dolën nga Egjipti—kur s’kishin arritur ende në malin Sinai—lindi një problem serioz. Populli zuri të ankohej se s’kishin ujë. Ata nisën të murmuritnin kundër Moisiut, dhe situata u bë aq e rëndë sa Moisiu i thirri Jehovait: «Ç’të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë!» (Eks. 17:4) Jehovai u përgjigj duke i dhënë Moisiut udhëzime të qarta. Ai duhej të merrte shkopin e tij, të godiste me të shkëmbin në Horeb, dhe pastaj nga shkëmbi do të vërshonte ujë. Shkrimet thonë: «Moisiu bëri kështu në sy të pleqve të Izraelit.» Izraelitët pinë sa u ngopën, dhe problemi u zgjidh.—Eks. 17:5, 6. w18.07 13 ¶4-5
E enjte, 6 gusht
Dashuria forcon.—1 Kor. 8:1.
Një mënyrë si na forcon Jehovai me dashurinë e tij, është nëpërmjet kongregacionit të krishterë. Personalisht mund t’ia shprehim edhe ne dashurinë Jehovait duke dashur vëllezërit e motrat dhe duke i forcuar jo vetëm në besim, por edhe nga ana emocionale. (1 Gjon. 4:19-21) Apostulli Pavël i nxiti të krishterët: «Vazhdoni t’i jepni zemër e të forconi njëri-tjetrin, siç edhe po bëni.» (1 Sel. 5:11) Pra, të gjithë në kongregacion—jo vetëm pleqtë—mund ta imitojnë Jehovain dhe Jezuin duke i inkurajuar e duke i forcuar vëllezërit e motrat. (Rom. 15:1, 2) Disa në kongregacion që vuajnë nga çrregullime emocionale, mund të kenë nevojë për ndihmë profesionale dhe për mjekime. (Luka 5:31) Pleqtë dhe të tjerët në kongregacion, me modesti e pranojnë se nuk janë specialistë të shëndetit mendor. Sidoqoftë, të gjithë në kongregacion kanë një rol jetësor—‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar, të mbështetin të dobëtit dhe të jenë shpirtgjerë me të gjithë’.—1 Sel. 5:14. w18.09 14 ¶10-11
E premte, 7 gusht
Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt.—Isa. 41:10.
Besimin te Jehovai e thellojmë duke e njohur më mirë. Dhe e vetmja mënyrë si mund ta njohim mirë Perëndinë, është duke lexuar me vëmendje Biblën e duke bluar në mendje atë që lexojmë. Në Bibël është dokumentuar një histori e besueshme se si e mbrojti Jehovai popullin e tij në të kaluarën. Kjo histori na jep sigurinë se ai do të kujdeset për ne sot. Të shohim një ilustrim të bukur që përdor Isaia për të treguar si na mbron Jehovai. Ai e përshkruan Jehovain si një bari dhe shërbëtorët e Perëndisë si qengja. Isaia thotë për Jehovain: «Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji.» (Isa. 40:11) Kur ndiejmë si na mbështjell Jehovai me krahët e tij të fortë, ndihemi të mbrojtur e të qetë. Që të qëndrosh i qetë, pavarësisht nga problemet që mund të përballosh, medito për fjalët siguruese e zemërdhënëse të shkrimit të sotëm. Ato do të të japin forcë ndërsa përballon vështirësi në të ardhmen. w19.01 7 ¶17-18
E shtunë, 8 gusht
O Perëndia im, s’kam tjetër kënaqësi veç të bëj vullnetin tënd.—Psal. 40:8.
A po punon për një a më shumë synime në adhurimin e Perëndisë? Ndoshta po përpiqesh të lexosh çdo ditë një pjesë të Biblës. A mbase po punon të përmirësosh aftësitë e tua në oratori dhe mësimdhënie. Sido që të jetë, si ndihesh kur sheh rezultate pozitive, ose kur të tjerët i shohin dhe të lavdërojnë? Patjetër që gëzohesh dhe ndien se ke arritur diçka. E kështu duhet të ndihesh, mbi të gjitha sepse po vë vullnetin e Perëndisë para tëndit, ashtu si Jezui. (Prov. 27:11) Gjithashtu, kur përqendrohesh te synimet në shërbimin e Perëndisë, merr pjesë në një vepër që të jep vërtet kënaqësi, sepse nuk është aspak e kotë. Apostulli Pavël shkroi: «Bëhuni të palëkundur e të patundur. Kini gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.» (1 Kor. 15:58) Krahasuar me këtë, një jetë që përqendrohet tek ambiciet dhe synimet në botë, edhe kur duket goxha e suksesshme, tekefundit është një jetë e çuar kot.—Luka 9:25. w18.12 22 ¶12-13
E diel, 9 gusht
Të drejtët do të trashëgojnë tokën.—Psal. 37:29.
Davidi e kishte fjalën për kohën kur njerëzit në tokë do të jetonin sipas udhëve të drejta të Perëndisë. (2 Pjet. 3:13) Profecia tek Isaia 65:22 thotë: «Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme.» Kjo nënkupton se njerëzit do të jetojnë me mijëra vjet. Sipas Zbulesës 21:1-4, Perëndia do ta drejtojë vëmendjen nga njerëzimi dhe një nga bekimet e premtuara është se «nuk do të ketë më vdekje» për ata që i shërbejnë Perëndisë në botën e tij të re e të drejtë. Adami dhe Eva e humbën Parajsën në Eden, por shpresa e Parajsës nuk humbi përgjithmonë. Siç ka premtuar, Perëndia do t’i bekojë banorët e tokës. Nën frymëzim, Davidi tha se zemërbutët dhe të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të jetojnë përgjithmonë në të. (Psal. 37:11) Profecitë e librit të Isaisë na shtyjnë ta presim më me zjarr kohën kur do të mbretërojnë kushte parajsore. (Isa. 11:6-9; 35:5-10; 65:21-23) Kur do të vijë ajo ditë? Kur të plotësohet premtimi që i bëri Jezui kriminelit jude. (Luka 23:43) Ti mund të jesh në atë Parajsë. w18.12 7 ¶22-23
E hënë, 10 gusht
Më shumë se çdo gjë tjetër ruaj zemrën.—Prov. 4:23.
A mund të shmangim çdo kontakt me mendimet e botës? Jo, ne s’mund të dalim nga bota në kuptimin e mirëfilltë. Njëfarë ekspozimi ndaj ideve të saj është i pashmangshëm. (1 Kor. 5:9, 10) Vetë vepra e predikimit na vë përpara bindjeve të gabuara. Megjithatë, edhe kur ekspozimi ndaj pikëpamjeve të paperëndishme është i pashmangshëm, patjetër që nuk duhet t’i bluajmë në mendje ose t’i pranojmë ato. Ashtu si Jezui, duhet t’i hedhim poshtë menjëherë mendimet që i shërbejnë qëllimit të Satanait. Veç kësaj, mund të mbrohemi nga ekspozimi i panevojshëm ndaj mendimeve të botës. Për shembull, duhet të bëjmë kujdes kur zgjedhim miqtë e ngushtë. Bibla na paralajmëron se po të mbajmë shoqëri të ngushtë me njerëz që nuk e adhurojnë Jehovain, do të infektohemi nga mënyra si mendojnë ata. (Prov. 13:20; 1 Kor. 15:12, 32, 33) Gjithashtu, kur hedhim poshtë zbavitjet që përkrahin teorinë e evolucionit, dhunën ose imoralitetin, nuk e helmojmë mendjen me ide që janë «kundër njohurisë së Perëndisë».—2 Kor. 10:5. w18.11 21 ¶16-17
E martë, 11 gusht
Do të eci sipas së vërtetës sate.—Psal. 86:11.
Si mund ta forcojmë vendosmërinë që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën? Një mënyrë është të përpiqemi t’ua mësojmë të tjerëve të vërtetën e Biblës sa më shumë të mundemi. Kështu do ta mbash fort pas vetes shpatën—‘fjalën e Perëndisë’. (Efes. 6:17) Të gjithë mund të përpiqemi të përmirësojmë aftësitë si mësues, ‘duke e përdorur drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Tim. 2:15) Ndërsa e përdorim Biblën për të ndihmuar të tjerët të blejnë të vërtetën dhe të hedhin poshtë gënjeshtrat, i gdhendim në mendjen e në zemrën tonë fjalët e Perëndisë. Kështu forcojmë vendosmërinë për të vazhduar të ecim në të vërtetën. E vërteta është një dhuratë e vyer nga Jehovai. Falë kësaj dhurate, kemi gjënë më të çmuar në jetë—marrëdhënien e ngushtë me Atin tonë qiellor. Ato që na ka mësuar deri tani Perëndia, janë vetëm fillimi! Ai na ka premtuar një përjetësi për ta pasuruar pa fund të vërtetën që kemi blerë. Prandaj çmoje të vërtetën si një margaritar të shkëlqyer. Vazhdo ‘ta blesh të vërtetën dhe mos e shit’ kurrë.—Prov. 23:23. w18.11 8 ¶2; 12 ¶15-17
E mërkurë, 12 gusht
[Noeja ishte] një predikues drejtësie.—2 Pjet. 2:5.
Vepra e predikimit e Noesë para Përmbytjes duhet të ketë përfshirë një paralajmërim për shkatërrimin që do të vinte. Vër re çfarë tha Jezui: «Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.» (Mat. 24:38, 39) Pavarësisht nga indiferentizmi i njerëzve, Noeja shpalli me besnikëri mesazhin paralajmërues që i kishte dhënë Jehovai. Sot ne e predikojmë mesazhin e Mbretërisë që t’u japim njerëzve një mundësi të mësojnë cili është vullneti i Perëndisë për njerëzimin. Njësoj si Jehovai, edhe ne duam me gjithë shpirt që njerëzit t’ia vënë veshin mesazhit dhe ‘të vazhdojnë të jetojnë’. (Ezek. 18:23) Ndërkohë, kur predikojmë shtëpi më shtëpi dhe në vende publike, paralajmërojmë sa më shumë veta të jetë e mundur se Mbretëria e Perëndisë do të vijë e do t’i japë fund kësaj bote të ligë.—Ezek. 3:18, 19; Dan. 2:44; Zbul. 14:6, 7. w18.05 19 ¶8-9
E enjte, 13 gusht
Dëshmitari i besueshëm thotë të vërtetën.—Prov. 12:17.
Ç’duhet të bësh nëse autoritetet e kufizojnë veprën e Mbretërisë në vendin tënd, dhe të marrin në pyetje për vëllezërit e tu? A duhet t’u thuash gjithçka që di? Çfarë bëri Jezui kur e mori në pyetje guvernatori romak? Në përputhje me parimin biblik që thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur», në disa raste Jezui nuk foli fare. (Ekl. 3:1, 7; Mat. 27:11-14) Në një rrethanë të tillë, është më mirë të tregohemi të matur, që të mos i vëmë në rrezik vëllezërit tanë. (Prov. 10:19; 11:12) Ç’do të bësh nëse një shok i ngushtë ose i afërm ka kryer një mëkat serioz dhe ti je në dijeni të asaj që ka ndodhur? Trego të vërtetën. Ke përgjegjësinë t’u thuash pleqve gjithë të vërtetën dhe nuk duhet ta shtrembërosh. Pleqtë kanë të drejtë të dinë faktet, që të përcaktojnë cila është mënyra më e mirë për ta ndihmuar atë që ka gabuar të rivendosë marrëdhënien e tij ose të saj me Jehovain.—Jak. 5:14, 15. w18.10 10 ¶17-18
E premte, 14 gusht
Vazhdoni t’i jepni zemër e të forconi njëri-tjetrin.—1 Sel. 5:11.
Si mund t’i forcojmë të tjerët me dashuri? Një mënyrë është duke qenë dëgjues të mirë. (Jak. 1:19) Të dëgjosh me empati është një shprehje dashurie. Mund ta pyesësh me takt e dhembshuri atë që vuan, me qëllim që të kuptosh ndjenjat e tij. Atëherë do të jesh në gjendje të shfaqësh empati e ta forcosh bashkëbesimtarin. Pasqyroje në shprehjet e fytyrës merakun tënd të sinqertë e të dashur. Nëse vëllai a motra ndien nevojën t’i shpjegojë gjërat me më shumë hollësi, ji i duruar dhe rezistoji prirjes për ta ndërprerë. Ndërsa e dëgjon me durim, ka më shumë të ngjarë t’i kuptosh ndjenjat që provon. Kjo mund ta ndihmojë vëllanë a motrën që po vuan të ketë besim te ti, e kështu të jetë më i prirur për të të dëgjuar teksa përpiqesh ta forcosh. Kur tregon se interesohesh me gjithë zemër, meraku yt i dashur mund të jetë ngushëllim i madh. w18.09 14 ¶10; 15 ¶13
E shtunë, 15 gusht
Blije të vërtetën.—Prov. 23:23.
Koha është një çmim që duhet ta paguajë gjithkush që blen të vërtetën. Nevojitet kohë që të dëgjosh mesazhin për Mbretërinë, të lexosh Biblën dhe literaturën biblike, të bësh një studim personal të Biblës dhe të përgatitesh e të ndjekësh mbledhjet e kongregacionit. Duhet ‘ta blejmë’, ose ta marrim, këtë kohë nga ndonjë aktivitet tjetër më pak i rëndësishëm. (Efes. 5:15, 16) Sa kohë duhet që të fitojmë njohuri të saktë për mësimet bazë të Biblës? Kjo varet nga rrethanat. Gjërat që mund të mësojmë për mençurinë, udhët dhe veprat e Jehovait s’njohin kufi. (Rom. 11:33) Numri i parë i Kullës së Rojës e krahasonte të vërtetën me «një lule të vogël të thjeshtë» dhe thoshte: «Mos u kënaq me një lule të vetme të së vërtetës. Sikur të mjaftonte një, Perëndia s’do të na kish dhënë kaq shumë. Mblidh ngaherë, kërko të tjera.» Edhe kur para nesh të shtrihet përjetësia, gjithmonë mund të mësojmë më shumë për Jehovain. Ajo që ka rëndësi sot është ta shfrytëzojmë me mençuri kohën, që të blejmë sa më shumë të vërteta të na lejojnë rrethanat. w18.11 4 ¶7
E diel, 16 gusht
Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja.—Efes. 5:25.
Shkrimet i nxitin burrat të banojnë me gratë e tyre «sipas njohurisë»—një shprehje që mund të përkthehet edhe «duke u treguar konsideratë; duke i mirëkuptuar». (1 Pjet. 3:7, shën.) Mirëkuptimi dhe konsiderata janë të pandara nga njëra-tjetra. Për shembull, një burrë mirëkuptues e di se e shoqja, si një plotësim i tij, ndryshon në shumë aspekte nga ai, por nuk është aspak inferiore. (Zan. 2:18) Prandaj i mban parasysh dhe i respekton ndjenjat e saj, duke e trajtuar me dinjitet e nderim. Një burrë që ka konsideratë për gruan e vet, i mban parasysh ndjenjat e saj edhe në mënyrën si sillet me gratë e tjera. Kurrë nuk flirton ose nuk tregon interes të papërshtatshëm për to; e po njësoj sillet kur përdor mediat sociale ose Internetin. (Jobi 31:1) Ai i qëndron besnik së shoqes jo vetëm nga dashuria për të, por edhe nga dashuria për Perëndinë e nga urrejtja për të keqen.—Psal. 19:14; 97:10. w18.09 29 ¶3-4
E hënë, 17 gusht
Ai që e sheh veten si të vogël mes jush, pikërisht ai është i madh.—Luka 9:48.
Pse është një sfidë ta zbatojmë atë që mësojmë nga Fjala e Perëndisë? Një arsye është se për të bërë atë që është e drejtë, duhet përulësi, dhe aftësia jonë për të mbetur të përulur është në rrezik. Në këto ‘ditë të fundit’, rrethohemi nga njerëz që janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë» dhe «pa vetëkontroll». (2 Tim. 3:1-3) Kur sjellja egoiste është objekt bisedash dhe madje admirohet, një shërbëtor i Perëndisë mund ta përbuzë këtë sjellje, por ndoshta ka zili rezultatet e saj. (Psal. 37:1; 73:3) Madje mund të pyesë veten: «A ia vlen t’i vë interesat e të tjerëve para të miave? Mos ndoshta të tjerët do ta humbin respektin për mua nëse sillem ‘si më i vogli’?» Nëse lejojmë të ndikojë te ne fryma egoiste e botës, kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet e dashura që gëzojmë në kongregacion dhe identitetin tonë si të krishterë. Por kur studiojmë shembujt e mirë që gjejmë në Bibël dhe i imitojmë, nxjerrim dobi. w18.09 3 ¶1
E martë, 18 gusht
Ka . . . lumturi të japësh.—Vep. 20:35.
Edhe pse ishte krejt vetëm para se të fillonte të krijonte, Jehovai nuk mendoi vetëm për veten. Përkundrazi, u dha dhuratën e jetës krijesave me aftësi për të arsyetuar në qiell e në tokë. «Perëndisë së lumtur», Jehovait, i pëlqen pa masë të japë gjëra të mira. (1 Tim. 1:11; Jak. 1:17) E meqë dëshiron që edhe ne të jemi të lumtur, na mëson të jemi bujarë. (Rom. 1:20) Perëndia e bëri njeriun sipas imazhit të vet. (Zan. 1:27) Pra, ne u krijuam në mënyrë të tillë që të pasqyrojmë personalitetin e tij. Ndaj, që të jemi të lumtur e të gjejmë kënaqësi në jetë, duhet të imitojmë shembullin e Jehovait duke u interesuar për të tjerët e duke dhënë me bujari. (Filip. 2:3, 4; Jak. 1:5) Pse? Për një arsye fare të thjeshtë: sepse Jehovai me dashuri i krijoi njerëzit në këtë mënyrë. Pavarësisht nga papërsosmëria jonë, ne mund t’ia dalim të imitojmë bujarinë e Jehovait. Jehovai do që krijesat e tij njerëzore ta imitojnë, prandaj i gëzon zemra kur jemi bujarë.—Efes. 5:1. w18.08 18 ¶1-2; 19 ¶4
E mërkurë, 19 gusht
Delet e mia e dëgjojnë zërin tim.—Gjoni 10:27.
Dishepujt e Krishtit tregojnë se e dëgjojnë Jezuin jo vetëm duke u kushtuar vëmendje fjalëve të tij, por edhe duke vepruar sipas tyre. Nuk shpërqendrohen nga «ankthet e jetës». (Luka 21:34) Përkundrazi, për ta ka përparësi t’u binden urdhrave të Jezuit, madje edhe në rrethana të vështira. Mes gjithë vështirësive, vëllezërit tanë i qëndrojnë besnikë Jehovait sado t’u kushtojë. Një mënyrë tjetër si të tregojmë se e dëgjojmë Jezuin është duke bashkëpunuar me ata që ai ka caktuar të marrin drejtimin mes nesh. (Hebr. 13:7, 17) Organizata e Perëndisë ka bërë shumë përmirësime vitet e fundit, si përdorimi i mjeteve dhe metodave të reja në shërbim, formati i ri i mbledhjes së mesjavës dhe mënyra si ndërtojmë, restaurojmë e mirëmbajmë Sallat tona të Mbretërisë. Sa e çmojmë këtë drejtim të dashur e të menduar mirë! Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona për të ndjekur drejtimin në kohën e duhur nga organizata. w19.03 10-11 ¶11-12
E enjte, 20 gusht
Të mos jemi më . . . të çuar andej-këtej . . . nga dredhitë e njerëzve.—Efes. 4:14.
Një histori që është vetëm 10 për qind e vërtetë është 100 për qind mashtruese. Mendo pak çfarë ndodhi me izraelitët që banonin në perëndim të lumit Jordan në kohën e Josiut. (Jos. 22:9-34) Ata morën lajmin se izraelitët që jetonin në lindje kishin ndërtuar një altar të madh që binte në sy. Kjo pjesë e lajmit ishte e vërtetë. Duke u bazuar në këtë informacion të paplotë, izraelitët në viset perëndimore nxorën përfundimin se vëllezërit e tyre kishin ngritur krye kundër Jehovait. (Jos. 22:9-12) Po shyqyr që, para se të sulmonin, dërguan një delegacion me burra të besueshëm për të marrë vesh të gjitha faktet. Çfarë mësuan? Që nuk e kishin ndërtuar altarin për të bërë flijime, por në shenjë kujtimi, që në të ardhmen të gjithë ta dinin se edhe ata ishin shërbëtorë besnikë të Jehovait. Sa të lehtësuar duhet të jenë ndier ata izraelitë që nuk i masakruan vëllezërit e tyre duke u bazuar në informacione të paplota, por lanë kohë që të mësonin faktet! w18.08 5 ¶9-10
E premte, 21 gusht
Ai që mendon se po qëndron në këmbë, të hapë sytë që të mos bjerë.—1 Kor. 10:12.
Siç e theksoi Pavli, edhe adhuruesit e vërtetë mund të përfshihen në praktika të gabuara. Ata që dorëzohen para tundimit mund të mendojnë se gëzojnë ende një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Por thjesht të duash të jesh mik i Jehovait ose të pohosh se je besnik ndaj tij, nuk nënkupton gjithmonë se Jehovai të miraton vërtet. (1 Kor. 10:1-5) Ashtu si izraelitët që i zuri ankthi ngaqë Moisiu po vononte të zbriste nga Sinai, edhe të krishterët sot mund ndihen në ankth nga vonesa në dukje e ditës së gjykimit të Jehovait dhe e ardhjes së botës së re. Plotësimi i këtyre premtimeve mund të duket tepër i largët ose tepër i bukur për të qenë i vërtetë. Po të mos mbahet nën kontroll, kjo mënyrë të menduari mund të na shtyjë të vëmë interesat egoiste para vullnetit të Jehovait. Me kohë, mund të largohemi nga Jehovai dhe si përfundim të bëjmë gjëra që nuk do të na kishin shkuar kurrë nëpër mend kur gëzonim një marrëdhënie të fortë me Të. w18.07 21 ¶17-18
E shtunë, 22 gusht
Do ta bëj edhe këtë që më kërkove, sepse ti gëzon pëlqimin tim dhe të njoh me emër.—Eks. 33:17.
Ne mund të marrim bekime të mrekullueshme kur Jehovai të na njohë personalisht. Por ç’duhet të bëjmë që Jehovai të na njohë? Duhet të zhvillojmë dashuri për të dhe t’i kushtojmë jetën. (1 Kor. 8:3) Megjithatë, duhet ta ruajmë marrëdhënien e çmuar që kemi me Atin tonë qiellor. Ashtu si të krishterët e Galatisë të cilëve u shkroi Pavli, edhe ne duhet të tregojmë kujdes që të mos bëhemi skllevër të ‘gjërave elementare të dobëta e të varfra’ të kësaj bote, e kjo përfshin të mos kërkojmë prestigj në botë. (Gal. 4:9) Ata të krishterë të shekullit të parë kishin përparuar deri në atë pikë sa Perëndia i njihte. Mirëpo Pavli tha se po ata vëllezër po ‘ktheheshin sërish’ te gjërat boshe. Me fjalë të tjera, Pavli u tha: «Pasi keni përparuar kaq shumë, pse të ktheheni vallë te gjërat e marra e të kota që latë pas?!» w18.07 8 ¶5-6
E diel, 23 gusht
I mençuri dëgjon dhe mëson më shumë.—Prov. 1:5.
Sa mirë që, për të nxjerrë mësime me vlerë, s’ka pse t’i heqim në kurriz pasojat që sjell shkelja e ligjeve të Perëndisë! Ne mund të mësojmë nga gabimet ose mëkatet e të tjerëve që janë dokumentuar në Fjalën e Perëndisë. Vërtet, ne marrim nga Perëndia mësimet ose arsimimin më të shkëlqyer, siç mund të jetë kur lexojmë e meditojmë për histori reale nga Bibla. Mund të mendojmë, për shembull, për dhembjen që provoi mbreti David pasi nuk iu bind urdhrit të Jehovait dhe kreu kurorëshkelje me Betshebën. (2 Sam. 12:7-14) Ndërsa lexojmë e meditojmë për këtë histori, mund të pyesim veten: «Si mund t’i kishte shmangur mbreti David plagët e dhimbshme që iu hapën nga kurorëshkelja me Betshebën? Po të hasja një tundim të ngjashëm, a do të kisha forcë t’i ktheja shpinën? A do të rendja larg si Jozefi apo do të dorëzohesha si Davidi?» (Zan. 39:11-15) Duke reflektuar për pasojat e këqija të mëkatit, mund ta bëjmë më të vendosur zemrën tonë që ‘të urrejë të keqen’.—Amo. 5:15. w18.06 17 ¶5, 7
E hënë, 24 gusht
Paguajini . . . Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.—Mat. 22:21.
Shpesh padrejtësitë ndezin ethet politike. Pagimi i taksave ishte një çështje që ngjallte shumë polemika në kohën e Jezuit. Nënshtetasve të Romës, ku përfshiheshin edhe dëgjuesit e Jezuit, u kërkohej të paguanin shumë taksa, si taksa për të mirat materiale, për tokën dhe për shtëpinë. Veç kësaj, për shkak të korrupsionit të taksambledhësve, barra që mbanin u dukej akoma më e rëndë. Taksambledhësit mund të blinin një pozitë me autoritet në një ankand publik dhe pastaj të vilnin përfitime nga paratë e mbledhura. Zakeu, kryetaksambledhësi i Jerikosë, ishte pasuruar duke u zhvatur pará njerëzve. (Luka 19:2, 8) Ka mjaft mundësi që ky të ishte një rast tipik i mënyrës si vepronin shumë taksambledhës. Armiqtë e Jezuit provuan t’i ngrinin kurth duke e nxitur të mbante anë në çështjen e taksave. Taksa për të cilën e pyetën ishte ‘haraçi për kokë’, një taksë prej një denari që kërkohej nga nënshtetasit romakë. (Mat. 22:16-18) Kjo taksë i mbushte me mllef judenjtë, sepse simbolizonte nënshtrimin e tyre ndaj Romës. w18.06 5-6 ¶8-10
E martë, 25 gusht
Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.—Gal. 6:7.
Kostoja që duhet të paguajnë ata që marrin anën e Satanait, është gjithmonë shumë më e madhe se çfarëdo dobie në dukje që mund të ofrojë ai. (Jobi 21:7-17; Gal. 6:8) Si mund të nxjerrim dobi kur e dimë deri ku shtrihet ndikimi i Satanait? Kjo njohuri na ndihmon të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për autoritetet qeveritare dhe na motivon në veprën tonë të predikimit. Kuptojmë se Jehovai dëshiron t’i respektojmë autoritetet qeveritare. (1 Pjet. 2:17) Ai pret edhe t’u bindemi ligjeve të qeverive njerëzore për sa kohë nuk bien ndesh me normat e tij. (Rom. 13:1-4) Por ndërkohë e kemi të qartë se duhet të qëndrojmë asnjanës, duke mos mbajtur kurrë anën e një partie politike ose udhëheqësi njerëzor. (Gjoni 17:15, 16; 18:36) Ngaqë e kuptojmë se çfarë po orvatet të bëjë Satanai me emrin dhe reputacionin e Jehovait, ndihemi akoma më të motivuar që t’u mësojmë të tjerëve të vërtetën për Perëndinë. Ne e mbajmë dhe e përdorim me krenari emrin e tij, të sigurt se dashuria për Të është shumë më shpërblyese se dashuria për paranë a për gjërat materiale.—Isa. 43:10; 1 Tim. 6:6-10. w18.05 24 ¶8-9
E mërkurë, 26 gusht
Gruaja të mos ndahet nga burri.—1 Kor. 7:10.
Në rast se lindin probleme martesore, a është ndarja një zgjidhje e justifikuar? Shkrimet nuk specifikojnë ndonjë bazë ose arsye që çifti të ndahet. Pavli shkroi: «Gruaja që e ka burrin jobesimtar, i cili megjithatë është dakord të jetojë me të, të mos e lërë burrin.» (1 Kor. 7:12, 13) Kjo vlen edhe sot. Kuptohet, ka pasur raste kur një ‘burrë jobesimtar’ ka treguar me sjelljen e tij se nuk është «dakord të jetojë» me të shoqen. Ai mund ta keqtrajtojë fizikisht në masë ekstreme, madje deri aty sa ajo mendon se është në rrezik shëndeti ose jeta e saj. Burri mund të refuzojë ta mbështetë ekonomikisht atë dhe familjen ose mund ta vërë në rrezik ekstrem marrëdhënien e saj me Jehovain. Në raste të tilla, disa të krishterë kanë vendosur personalisht se, pavarësisht nga ajo që mund të thotë, bashkëshorti nuk është ‘dakord të jetojnë’ bashkë dhe se është e nevojshme të ndahen. Kurse të krishterë të tjerë në situata të ngjashme sprovuese kanë marrë një vendim të ndryshëm; ata kanë rezistuar dhe janë përpjekur të punojnë për t’i përmirësuar gjërat. w18.12 13 ¶14, 16; 14 ¶17
E enjte, 27 gusht
Farat në tokë të mirë janë njerëzit . . . që . . . japin fryt ndërsa qëndrojnë.—Luka 8:15.
Në ilustrimin për mbjellësin te Luka 8:5-8, 11-15, fara është «fjala e Perëndisë», ose mesazhi i Mbretërisë. Toka paraqet zemrën e figurshme të njeriut. Fara që ra në tokë të mirë zuri rrënjë, mbiu dhe ‘prodhoi fryt njëqindfish’. Ashtu si toka e mirë në ilustrimin e Jezuit që e mbajti farën, edhe ne e pranuam mesazhin dhe e mbajtëm fort. Si rezultat, mesazhi i Mbretërisë, ose fara, zuri rrënjë, u rrit dhe u bë një filiz gruri që me kohë ishte gati të jepte fryt. Dhe ashtu si një filiz gruri që nuk jep si fryt filiza të rinj por fara të reja, ne nuk japim si fryt dishepuj të rinj por fara të reja të Mbretërisë. Si prodhojmë fara të reja të Mbretërisë? Sa herë që shpallim në një mënyrë a në një tjetër mesazhin për Mbretërinë, ne shumëfishojmë dhe shpërndajmë, si të thuash, farën që u mboll në zemrën tonë. (Luka 6:45; 8:1) Kështu, ky ilustrim na mëson se për sa kohë që po vazhdojmë të shpallim mesazhin për Mbretërinë, po ‘japim fryt me qëndrueshmëri’. w18.05 14 ¶10-11
E premte, 28 gusht
Të gjithë ata që i kam për zemër, unë i korrigjoj dhe i disiplinoj.—Zbul. 3:19.
Pavli ishte i gatshëm jo vetëm t’i inkurajonte vëllezërit, por edhe ‘të shpenzohej deri në fund’ për ta. (2 Kor. 12:15) Në mënyrë të ngjashme, pleqtë duhet jo vetëm t’i inkurajojnë e t’i ngushëllojnë vëllezërit me fjalë, por edhe t’u japin zemër duke treguar interes të sinqertë për ta. (1 Kor. 14:3) T’i japim forcë njëri-tjetrit mund të përfshijë të japim këshilla. Por edhe në këtë rast, pleqtë duhet të ndjekin shembujt biblikë që tregojnë si të jepen këshillat në një mënyrë inkurajuese. Një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim e la vetë Jezui pas vdekjes dhe ringjalljes së tij. Ai duhej t’u jepte këshilla goxha të forta disa kongregacioneve në Azinë e Vogël, por të bie në sy mënyra si e bëri këtë. Para se t’u jepte këshilla, ai i lavdëroi ngrohtësisht kongregacionet në Efes, Pergam dhe Tiatirë. (Zbul. 2:1-5, 12, 13, 18, 19) Pleqtë bëjnë mirë të imitojnë shembullin e Krishtit kur është e nevojshme të japin këshilla. w18.04 22 ¶8-9
E shtunë, 29 gusht
Etër, . . . vazhdoni t’i rritni [fëmijët] me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait.—Efes. 6:4.
Prindër, pa dyshim që ju bëni çmos t’i mbroni fëmijët nga sëmundjet fizike. E mbani shtëpinë të pastër dhe flakni çdo gjë që mund t’ju shkaktojë sëmundje juve ose fëmijëve. Po njësoj, duhet t’i mbroni fëmijët nga filmat, shfaqjet televizive, lojërat elektronike dhe sitet që ka gjasa t’i infektojnë me mendimet e Satanait. Jehovai ju ka dhënë autoritetin t’i ndihmoni fëmijët tuaj të zhvillojnë një besim të shëndoshë. (Prov. 1:8) Prandaj mos kini frikë të vini në familje rregulla të bazuara te normat e Biblës. Thuajuni fëmijëve të vegjël çfarë mund të shohin e çfarë jo, dhe ndihmojini të kuptojnë arsyet e vendimeve tuaja. (Mat. 5:37) Ndërsa fëmijët rriten, stërvitini që të dallojnë vetë çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar sipas normave të Jehovait. (Hebr. 5:14) Dhe mos harroni: fëmijët do të mësojnë më shumë nga ajo që bëni.—Ligj. 6:6, 7; Rom. 2:21. w19.01 16 ¶8
E diel, 30 gusht
Pleq e të rinj bashkë, emrin e Jehovait lëvdofshin!—Psal. 148:12, 13.
Nëse je një fëmijë ose i ri i krishterë, pse të mos vësh si synim të tregosh interes për të moshuarit? Me respekt mund t’u kërkosh të tregojnë diçka që kanë përballuar gjatë viteve të shërbimit. Kjo do të të japë shumë zemër, dhe qoftë ti qoftë ata do të ndiheni akoma më të motivuar që ta lini dritën e së vërtetës të shkëlqejë. Veç kësaj, secili nga ne mund të bëjë përpjekje të mirëpresë ata që ndjekin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Nëse je caktuar të drejtosh një mbledhje për shërbim, mund të bësh shumë për t’i ndihmuar të moshuarit të përfshihen në shërbim. A kanë një territor të përshtatshëm? Në disa raste, ndoshta mund t’i caktosh në shërbim me një lajmëtar të ri në moshë që mund t’i mbështetë fizikisht. Gjithashtu, mund të tregohesh mirëkuptues ndaj atyre me probleme shëndetësore dhe me rrethana që i kufizojnë. Konsiderata dhe aftësia jote dalluese mund t’i ndihmojë të gjithë, pavarësisht nga mosha ose nga përvoja në shërbim, që ta predikojnë me zell lajmin e mirë.—Lev. 19:32. w18.06 23-24 ¶10-12
E hënë, 31 gusht
Mos e përdorni lirinë tuaj si justifikim për të bërë të keqen, përkundrazi jini skllevër të Perëndisë.—1 Pjet. 2:16.
S’duhet ta humbim mirënjohjen për faktin që Jehovai na çliroi nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes. Me anë të shpërblesës, mund t’i shërbejmë Perëndisë tonë me një ndërgjegje të pastër dhe të gjejmë kënaqësi të vërtetë teksa e bëjmë këtë. (Psal. 40:8) Megjithatë, përveçse të shprehim mirënjohje, duhet edhe të bëjmë kujdes që të mos e keqpërdorim kurrë lirinë tonë të vyer. Apostulli Pjetër na paralajmëroi të mos e përdorim lirinë tonë si një justifikim për të kënaqur dëshirat tona egoiste. A nuk na kujton ky paralajmërim atë që u ndodhi izraelitëve në shkretëtirë? Edhe ne jemi në rrezik, e mbase akoma më shumë. Satanai dhe bota e tij ofrojnë zgjedhje gjithnjë e më joshëse në lidhje me veshjen dhe paraqitjen, ushqimin dhe pijet, çlodhjen e zbavitjen dhe sa e sa gjëra të tjera. Reklamuesit e zgjuar shpesh paraqitin në mënyrë mashtruese njerëz tërheqës, që të reklamojnë si të domosdoshme shumë gjëra për të cilat në realitet nuk kemi nevojë. Sa e lehtë është të biem pre e këtyre taktikave e të keqpërdorim lirinë tonë! w18.04 10 ¶7-8