Shtator
E martë, 1 shtator
Ndonëse nuk e keni parë kurrë, ju e doni atë.—1 Pjet. 1:8.
Jezui tregoi ndjenja të përbashkëta ndaj Martës dhe Marisë. Kur pa sa të pikëlluara ishin për vdekjen e të vëllait, Lazarit, «Jezui nuk i mbajti dot lotët». (Gjoni 11:32-35) Ai nuk qau vetëm ngaqë kishte humbur shoqërinë e një miku të ngushtë. Në fund të fundit, e dinte se do ta ringjallte Lazarin. Ai qau sepse e kuptonte dhembjen e mikeve të tij të dashura dhe u prek. Nxjerrim shumë dobi kur mësojmë për empatinë e Jezuit. Patjetër, nuk jemi të përsosur si ai. Megjithatë, e duam Jezuin për mënyrën si i trajtonte të tjerët. Marrim zemër nga fakti që tani ai po qeveris si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Së shpejti, do të eliminojë gjithë vuajtjet. Ai është personi më i përshtatshëm për të ndihmuar njerëzimin të marrë veten nga plagët që sjell sundimi i Satanait, sepse edhe Jezui ishte njeri dikur. Po, jemi të bekuar që kemi një Mbret i cili mund ‘të bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi’.—Hebr. 2:17, 18; 4:15, 16. w19.03 17 ¶12-13
E mërkurë, 2 shtator
Askush s’mund të vijë tek unë po të mos e tërheqë Ati që më dërgoi.—Gjoni 6:44.
Ne mund të luajmë një rol për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë për Perëndinë, ama nuk kemi rolin më të rëndësishëm. (1 Kor. 3:6, 7) Ai që i tërheq njerëzit është Jehovai. Në fund, mënyra si reagon çdo individ ndaj lajmit të mirë do të varet nga gjendja e zemrës. (Mat. 13:4-8) Mos harro se shumica e njerëzve nuk e pranuan mesazhin e Jezuit—dhe ai ishte Mësuesi më i madh që njeh historia! Pra, s’ka pse të shkurajohemi nëse shumë nga ata që përpiqemi të ndihmojmë nuk e mirëpresin lajmin e mirë. Kur tregojmë ndjenja të përbashkëta në shërbim, do të kemi dobi. Do ta shijojmë më shumë veprën e predikimit. Do të provojmë më shumë lumturinë që vjen kur jep. Dhe ua bëjmë më të lehtë të pranojnë lajmin e mirë atyre që janë «të prirur për jetën e përhershme». (Vep. 13:48) Ndaj, «derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve». (Gal. 6:10) Kështu do të kemi gëzimin që po i japim lavdi Atit tonë qiellor.—Mat. 5:16. w19.03 25 ¶18-19
E enjte, 3 shtator
Në mes të kongregacionit do të të lëvdoj.—Psal. 22:22.
Mbreti David shkroi: «Jehovai është i madh dhe i denjë të lëvdohet shumë.» (Psal. 145:3) Ai e donte Jehovain, dhe kjo dashuri e shtynte ta lëvdonte «në mes të kongregacionit». (1 Kron. 29:10-13; Psal. 40:5) Sot, një mënyrë si e lëvdojmë Jehovain është duke komentuar gjatë mbledhjeve. Të gjithëve na pëlqen kur dëgjojmë një larmi komentesh në mbledhje. Na kënaqin fjalët e thjeshta e të sinqerta të një fëmije. Marrim zemër nga entuziazmi që përcjell zëri i dikujt i cili komenton për një të vërtetë që sapo ka zbuluar. Dhe i admirojmë ata që ‘marrin guximin’ të komentojnë ndonëse janë të ndrojtur ose sapo kanë filluar të mësojnë gjuhën tonë. (1 Sel. 2:2) Si mund të tregojmë çmueshmëri për përpjekjet e tyre? Mund t’i falënderojmë pas mbledhjes për komentin inkurajues. Një mënyrë tjetër është të komentojmë edhe vetë. Kështu, jo vetëm do të marrim inkurajim në mbledhje, por edhe do të inkurajojmë të tjerët.—Rom. 1:11, 12. w19.01 8 ¶1-2; 9 ¶6
E premte, 4 shtator
Tregohuni mirënjohës.—Kolos. 3:15.
Dhjetë burrat ishin në pikë të hallit. Ata ishin me lebër, dhe e ardhmja dukej e zymtë. Por një ditë panë nga larg Jezuin, Mësuesin e Madh. Kishin dëgjuar se ai shëronte çdo lloj sëmundjeje. Ndaj thirrën: «Jezu, Mësues, ki mëshirë për ne!» Dhjetë burrat u shëruan plotësisht. Pa dyshim, të gjithë ishin mirënjohës për dashamirësinë e Jezuit. Por një prej tyre jo thjesht ndjeu mirënjohje—ai ia shprehu Jezuit çmueshmërinë. I shëruari, që ishte samaritan, u ndie i motivuar t’i jepte lavdi Perëndisë «me zë të lartë». (Luka 17:12-19) Ashtu si samaritani, duam t’u shprehim mirënjohje atyre që janë mirëdashës. Jehovai na lë shembullin në shfaqjen e çmueshmërisë. Një mënyrë si e bën këtë është duke i shpërblyer ata që e kënaqin. (2 Sam. 22:21; Psal. 13:6; Mat. 10:40, 41) Dhe Shkrimet na nxitin ‘të bëhemi imitues të Perëndisë, si bij të dashur’. (Efes. 5:1) Pra, një arsye kryesore pse duhet ta shprehim çmueshmërinë është se duam të imitojmë shembullin e Jehovait. w19.02 14 ¶1-2; 15 ¶4
E shtunë, 5 shtator
Nga integriteti im nuk do të heq dorë.—Jobi 27:5.
Një vajzë në shkollë, me respekt nuk pranon të marrë pjesë në një festë që nuk i pëlqen Perëndisë. Një i ri i ndrojtur, duke predikuar shtëpi më shtëpi, troket në derën e një djali nga shkolla e tij, që më parë është tallur me Dëshmitarët e Jehovait. Një burri që punon fort për të siguruar gjërat e nevojshme për familjen, shefi i kërkon të bëjë diçka të pandershme ose të paligjshme. Ndonëse mund të humbasë punën, ai i shpjegon se duhet të jetë i ndershëm dhe duhet t’i bindet ligjit, sepse këtë kërkon Perëndia nga shërbëtorët e tij. (Rom. 13:1-4; Hebr. 13:18) Çfarë cilësie dallon te këta tre individë? Mbase vëren disa, si guximi dhe ndershmëria. Por mes të tjerave, spikat një cilësi shumë e vyer—integriteti. Secili nga ata tregon besnikëri ndaj Jehovait. Secili nuk pranon të bëjë kompromis me normat e Perëndisë. Është integriteti ai që i shtyn të veprojnë në këtë mënyrë. Me siguri Jehovai ndihet krenar për secilin prej tyre sepse shfaqin këtë cilësi. Edhe ne duam ta bëjmë krenar Atin tonë qiellor. w19.02 2 ¶1-2
E diel, 6 shtator
Ligji është një hije e gjërave të mira që do të vijnë.—Hebr. 10:1.
Ligji mbronte në veçanti ata që nuk e mbronin dot veten, si jetimët, vejushat dhe banorët e huaj. Gjykatësit e Izraelit kishin marrë urdhrin: «Mos e shtrembëro vendimin gjyqësor për të ardhurin a për jetimin dhe mos merr peng rrobën e vejushës.» (Ligj. 24:17) Jehovai interesohej me dhembshuri për ata që ishin të pambrojtur mes popullit të tij. Dhe i ndëshkonte ata që i keqtrajtonin. (Eks. 22:22-24) Jehovai do që ata që vë në pozita me përgjegjësi të interesohen me dashuri për tërë ata që mbikëqyrin. Ai i urren krimet seksuale dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë, sidomos më të pambrojturit, të jenë të mbrojtur e të trajtohen me drejtësi. (Lev. 18:6-30) Kur jemi të bindur se Jehovai na trajton me drejtësi, na thellohet dashuria për të. Dhe dashuria për Perëndinë e për standardet e tij të drejta, na motivon të duam të tjerët e t’i trajtojmë me drejtësi. w19.02 24-25 ¶22-26
E hënë, 7 shtator
Të hedhim poshtë qëndrimin shpërfillës ndaj Perëndisë e dëshirat e botës.—Titit 2:12.
Të marrim një shembull që tregon si mund të mbrohemi për të mos u ndikuar nga mënyra si mendon Satanai. Jehovai na ka mësuar se ‘kurvëria e ndyrësia e çdo lloji as nuk duhet të përmenden’ mes nesh. (Efes. 5:3) Por, ç’do të bëjmë nëse shokët e punës a të shkollës fillojnë të flasin për tema imorale? Roja, ndërgjegjja jonë, mund të japë alarmin. (Rom. 2:15) Por, a do ta dëgjojmë? Mund të ndihemi të tunduar që në vend të saj të dëgjojmë shokët ose të shohim pamjet që shohin edhe ata. Mirëpo ky është momenti që, si të thuash, të mbyllim portat e qytetit duke ndërruar bisedë ose duke u larguar. Duhet guxim për t’i rezistuar presionit të shoqërisë që të mendojmë ose të bëjmë gjëra të gabuara. Të jemi të sigurt se Jehovai i sheh përpjekjet tona, dhe do të na japë forcën e mençurinë që na nevojitet për t’u rezistuar mendimeve satanike.—2 Kron. 16:9; Isa. 40:29; Jak. 1:5. w19.01 17-18 ¶12-13
E martë, 8 shtator
Kur u mendova mirë për gjithë punët që bëra me duart e mia . . . , pashë që çdo gjë ishte kotësi. . . . S’kishte asgjë që t’ia vlente vërtet.—Ekl. 2:11.
Solomoni, që kishte pasuri përrallore dhe pushtet të madh, bëri një eksperiment ‘duke provuar gëzimin e duke parë të mira’. (Ekl. 2:1-10) Ai ndërtoi shtëpi, projektoi kopshte e parqe dhe u dha pas çdo gjëje që i deshi zemra. Si u ndie pastaj? I kënaqur? I realizuar? I lumtur? S’ka pse të hamendemi. Vetë Solomoni na e tregoi në shkrimin e sotëm. Ç’mësim i fuqishëm! A do të tregohesh i mençur duke ia vënë veshin këtij mësimi? Jehovai do që të të kursejë dhembjen që vjen kur nxjerr mësime duke e pësuar në kurrizin tënd. Kuptohet, të duhet besim që t’i bindesh Perëndisë dhe të vësh në vend të parë në jetë vullnetin e tij. Ky besim s’ka të çmuar dhe nuk çon kurrë në zhgënjim. Po, Jehovai nuk do ta harrojë kurrë ‘dashurinë që tregove për emrin e tij’. (Hebr. 6:10) Ndaj, puno pa u lodhur që të zhvillosh një besim të fortë, e kështu të provosh vetë se Ati yt qiellor do me gjithë zemër të mirën tënde.—Psal. 32:8. w18.12 22 ¶14-15
E mërkurë, 9 shtator
Perëndia na e tregon dashurinë e vet në këtë mënyrë: ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.—Rom. 5:8.
Një njeri që drejtohet nga fryma ka besim te Perëndia dhe mendon si Ai, mbështetet te Perëndia për drejtim dhe është i vendosur t’i bindet. (1 Kor. 2:12, 13) Davidi është një shembull i mirë. Ai këndoi: ‘Jehovai është pjesa e trashëgimisë dhe e kupës sime.’ (Psal. 16:5) «Pjesa» që i takonte Davidit, përfshinte një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë, tek i cili gjente strehë. (Psal. 16:1) Cili ishte rezultati? «Gjithë qenia ime ngazëllon»,—shkroi ai. Po, asgjë nuk i falte më shumë gëzim Davidit se miqësia e ngushtë me Perëndinë. (Psal. 16:9, 11) Ata që e përqendrojnë jetën te kënaqësitë dhe te pasuria, nuk mund ta ndiejnë gëzimin që provonte Davidi. (1 Tim. 6:9, 10) Ndërsa zhvillon besim te Jehovai dhe i shërben atij, do të kesh një jetë domethënëse dhe do të provosh kënaqësi. Si mund ta forcosh besimin? Duhet të kalosh kohë me Jehovain duke lexuar Fjalën e tij, duke vëzhguar krijimin dhe duke menduar për cilësitë e tij, përfshirë dashurinë që ka për ty.—Rom. 1:20. w18.12 25 ¶7-8
E enjte, 10 shtator
Martesa të nderohet nga të gjithë.—Hebr. 13:4.
Pavli nuk po bënte një koment sa për të thënë rreth martesës. Përkundrazi, me këtë shkrim po udhëzonte, madje po nxiste me forcë çdo të krishterë që ta vlerësonte thellë martesën, ta konsideronte të çmuar. A ke këtë pikëpamje për martesën në përgjithësi dhe veçanërisht për burrin a gruan tënde, nëse je i martuar? Teksa nderon martesën, po imiton një shembull të shkëlqyer. Jezui e nderonte martesën. Kur farisenjtë e pyetën për divorcin, Jezui përmendi atë që kishte thënë Perëndia për martesën e parë: «Prandaj, burri do të lërë babanë e nënën, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.» Pastaj shtoi: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mar. 10:2-12; Zan. 2:24) Kështu Jezui e pranoi se martesën e ka themeluar Perëndia dhe theksoi se duhet të jetë një bashkim i përhershëm. Perëndia nuk u tha Adamit dhe Evës se mund t’i jepnin fund martesës me një divorc. Standardi që vuri në martesën e parë në Eden ishte monogamia, pra që ata «të dy» të qëndronin të bashkuar në një lidhje të përhershme. w18.12 10-11 ¶2-4
E premte, 11 shtator
Transformohuni duke përtërirë mendjen.—Rom. 12:2.
Në fillim kur njohëm të vërtetën, mësuam sa rëndësi ka t’u bindemi kërkesave bazë të Jehovait. Por ndërsa vazhdojmë të afrohemi me Jehovain, mësojmë më shumë për mënyrën si mendon Ai—çfarë i pëlqen, çfarë nuk i pëlqen dhe këndvështrimin e tij për çështje të ndryshme. Kjo ndikon te veprimet dhe te vendimet personale. Është kënaqësi të mësojmë të mendojmë si Jehovai, por njëkohësisht mund të jetë edhe një sfidë. Ndonjëherë arsyetimi ynë si njerëz të papërsosur mund të bëhet pengesë. Për shembull, mund ta kemi të vështirë të kuptojmë pikëpamjen e Jehovait për pastërtinë morale, materializmin, veprën e predikimit, keqpërdorimin e gjakut a diçka tjetër. Ç’mund të bëjmë? Si mund t’i përvetësojmë gjithnjë e më shumë mendimet e Perëndisë? Zgjidhja është të përtërijmë mendjen duke studiuar Fjalën e Perëndisë me synimin që të kuptojmë mendimet e tij, të meditojmë për to dhe të përputhim mendimet tona me ato të Perëndisë. w18.11 23-24 ¶2-4
E shtunë, 12 shtator
Deri kur do të të kërkoj ndihmë që të më shpëtosh nga dhuna, e ti nuk do të ndërhysh?—Hab. 1:2.
Habakuku jetoi gjatë një periudhe shumë të vështirë e sfiduese. Ai ishte mjaft i trishtuar ngaqë e rrethonin njerëz të ligj e të dhunshëm. Kur do të merrte fund ligësia e tyre? Pse Jehovai po vononte kaq shumë të vepronte? Habakuku shihte kudo se bashkëkombësit e tij bënin padrejtësi e shtypnin njëri-tjetrin. Ndihej i pafuqishëm. Ndaj, në këtë periudhë të errët ai iu lut Jehovait që të ndërhynte. Mbase Habakuku kishte nisur të mendonte se Jehovai nuk donte t’ia dinte. Dukej sikur Perëndia nuk po vepronte aq shpejt sa duhej. A ndihesh edhe ti ndonjëherë si ky shërbëtor i dashur i Perëndisë? Mos ndoshta Habakuku kishte humbur besimin te Jehovai dhe te premtimet e tij? Aspak! Ai ia besoi problemet dhe shqetësimet e tij Jehovait dhe jo njerëzve. Mjaftonte vetëm ky fakt që tregonte se nuk ishte dorëzuar nga dëshpërimi. Natyrisht, Habakuku ishte i shqetësuar sepse nuk mund të kuptonte pikëpamjen e Jehovait për kohën ose arsyen pse Jehovai po lejonte të ishte në këtë situatë të dhimbshme. w18.11 14 ¶4-5
E diel, 13 shtator
Mos grumbulloni më thesare në tokë.—Mat. 6:19.
Kur Jezui i ftoi peshkatarët Pjetër dhe Andrea që të bëheshin «peshkatarë njerëzish», ata ‘i lanë rrjetat’. (Mat. 4:18-20) Sigurisht, kjo s’do të thotë se shumica e atyre që mësojnë të vërtetën sot duhet ta lënë punën. Ata kanë detyrime biblike. (1 Tim. 5:8) Gjithsesi, ata që mësojnë të vërtetën, shpesh duhet të ndryshojnë qëndrimin ndaj gjërave materiale, si edhe përparësitë që kanë në jetë. Të mendojmë për shembullin e Marisë. Golfi ishte jeta e saj dhe synonte të kishte një karrierë fitimprurëse si profesioniste në këtë sport. Më vonë, Maria filloi të studionte Biblën dhe ndihej e kënaqur me ndryshimet që bënte në jetë falë së vërtetës. Maria e kuptoi se do ta kishte të vështirë të synonte edhe thesaret nga Jehovai, edhe pasurinë materiale. (Mat. 6:24) Ajo hoqi dorë nga synimi që kishte pasur tërë jetën për t’u bërë profesioniste në golf. Sot po shërben si pioniere dhe, siç shprehet ajo vetë, gëzon «një jetë aq të lumtur dhe aq domethënëse sa s’ka ku të vejë». w18.11 5 ¶9-10
E hënë, 14 shtator
Ky është zdrukthëtari, i biri i Marisë.—Mar. 6:3.
Në moshën 30-vjeçare, Jezui la mënjanë veglat e zdrukthëtarisë, sepse e dinte se detyra si mësues ishte më e rëndësishme. Ai tha se vepra e shpalljes së lajmit të mirë për Mbretërinë, ishte një nga arsyet pse Perëndia e kishte dërguar në tokë. (Mat. 20:28; Luka 3:23; 4:43) Jezui e vuri shërbimin në vend të parë në jetë dhe donte që edhe të tjerë të bashkoheshin me të në këtë vepër. (Mat. 9:35-38) Edhe nëse nuk jemi zdrukthëtarë, me siguri jemi mësues të lajmit të mirë. Kjo punë është kaq e rëndësishme sa edhe vetë Perëndia është i përfshirë. Në fakt, ne quhemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Kor. 3:9; 2 Kor. 6:4) Jemi dakord me fjalët e psalmistit që thotë se «brendia e fjalës [së Jehovait] është e vërteta». (Psal. 119:159, 160) Për këtë arsye duam të sigurohemi që ‘e përdorim drejt fjalën e së vërtetës’ në shërbim. (2 Tim. 2:15) Ja pse, vazhdojmë të mprehim aftësitë tona në mënyrën si e përdorim Biblën, mjetin kryesor për t’u mësuar të tjerëve të vërtetën rreth Jehovait, Jezuit dhe Mbretërisë. w18.10 11 ¶1-2
E martë, 15 shtator
Të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotërisë Jezu.—Vep. 20:35.
Kur burri ndjek shembullin e kreut të tij, Jezu Krishtit, ia bën më të lehtë së shoqes të zhvillojë «respekt të thellë» për të. (Efes. 5:22-25, 33) Respekti pastaj do ta shtyjë gruan të tregojë konsideratë për të shoqin. Kur prindërit tregojnë konsideratë për njëri-tjetrin, u lënë një shembull të shkëlqyer fëmijëve. Pa dyshim, prindërve u takon përgjegjësia kryesore që t’u mësojnë fëmijëve si të tregojnë konsideratë për të tjerët. Për shembull, mund t’i mësojnë të mos vrapojnë nëpër Sallën e Mbretërisë. Në një grumbullim shoqëror, prindërit mund t’u thonë fëmijëve që t’i lënë të moshuarit të dalin para kur mbahet radha për ushqim. Kur një fëmijë bën një veprim që tregon konsideratë—ndoshta duke na hapur derën—duhet ta lavdërojmë. Kjo mund të ndikojë për mirë te fëmija, pasi i ngulit në zemër se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». w18.09 29 ¶5-6
E mërkurë, 16 shtator
Kreu juaj është një i vetëm, Krishti.—Mat. 23:10.
Siç e tregon drejtimi i tij aktiv, Mbreti ynë në fron, Jezu Krishti, pa dyshim që po mendon për të ardhmen. Prandaj, le të gëzojmë për dobitë që na sjell përshtatja me ndryshimet e kohëve të fundit. Mund të jetë inkurajuese të diskutoni gjatë adhurimit familjar se si keni nxjerrë dobi nga ndryshimet në mbledhjet javore ose në shërbim. Nëse dallojmë frymën e udhëzimeve që marrim nga organizata e Jehovait dhe ndikimin e dobishëm që kanë te ne, ka shumë të ngjarë që ta ndjekim me kënaqësi atë drejtim. Patjetër e kuptojmë se pakësimi i sasisë së literaturës që shtypet, kursen pará, dhe përdorimi i teknologjive të reja na jep mundësi ta çojmë para veprën e Mbretërisë anekënd botës. Prandaj i përdorim më gjerësisht botimet elektronike dhe median, nëse është e mundur. Kështu, do të pasqyrojmë merakun e Krishtit që të ardhurat e organizatës të përdoren me mençuri. Kur e mbështetim me gjithë shpirt drejtimin e Krishtit, u forcojmë besimin të tjerëve dhe i kontribuojmë unitetit. w18.10 25-26 ¶17-19
E enjte, 17 shtator
Nga përzemërsia e ngrohtë për ju, ishim të vendosur t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtin tonë.—1 Sel. 2:8.
Kur shfaqim përzemërsi ashtu si Jehovai, mund të jemi përgjigjja e lutjeve të një bashkëbesimtari të dëshpëruar. (2 Kor. 1:3-6) Megjithatë mos prit përsosmëri nga vëllezërit e motrat. Mbaj një pikëpamje të ekuilibruar për ta. Të presësh që vëllezërit të kenë një sjellje të pagabueshme nuk është realiste dhe do të sjellë zhgënjim. (Ekl. 7:21, 22) Mos harro se Jehovai është realist në atë që kërkon nga shërbëtorët e vet. Nëse imitojmë shembullin e tij, do të jemi të përgatitur që të durojmë papërsosmëritë e të tjerëve. (Efes. 4:2, 32) Në vend që të lësh përshtypjen se nuk po bëjnë aq sa duhet, vër si synim t’i lavdërosh për atë që po bëjnë. Kjo mund t’u japë zemër. Lavdërimet e sinqerta mund t’i ndërtojnë me dashuri dhe mund t’i ndihmojnë të kenë ‘shkak të ngazëllohen’ në shërbimin e shenjtë. Është shumë më mirë të veprojmë kështu sesa të bëjmë krahasime shkurajuese me të tjerët.—Gal. 6:4. w18.09 16 ¶16-17
E premte, 18 shtator
Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.—Gjoni 4:34.
Për Jezuin, ushqimi besimforcues përfshinte të vepronte sipas drejtimit të Perëndisë. Në ç’kuptim është si ushqim kjo gjë? Po ja, një vakt i mirë na kënaq e na ushqen fizikisht. Po njësoj, kur bëjmë vullnetin e Perëndisë, na mbushet zemra plot dhe na ushqehet besimi që çon në jetën e përhershme. Në thelb, mençuri do të thotë të vësh në praktikë udhëzimet e Perëndisë. (Jak. 3:13) Dhe për shpërblimet që sjell mençuria, ia vlen çdo përpjekje. «Gjithë kënaqësitë e tua të tjera s’mund të barazohen me të. . . . Ajo është një pemë jete për ata që e rrokin dhe të lumtur kanë për t’u quajtur ata që e mbajnë fort.» (Prov. 3:13-18) Jezui tha: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.» (Gjoni 13:17) Dishepujt do të vazhdonin të ishin të lumtur për sa kohë të vazhdonin të zbatonin udhëzimet e Jezuit. Për ta, ndjekja e mësimeve dhe e shembullit të Jezuit nuk ishte një reagim emocional kalimtar. Përkundrazi, ishte vetë jeta e tyre. w18.09 4 ¶4-5
E shtunë, 19 shtator
Perëndia e krijoi njeriun sipas imazhit të vet.—Zan. 1:27.
Perëndia i dha çiftit të parë njerëzor udhëzime që duhej t’i kishin bërë të mendonin për mirëqenien e të tjerëve, ndonëse ishin vetëm në kopshtin e Edenit. Jehovai i bekoi Adamin dhe Evën e i nxiti të shumoheshin, të mbushnin tokën e ta nënshtronin. (Zan. 1:28) Ashtu siç merakosej thellë Krijuesi për mirëqenien e krijimit të tij, edhe prindërit e parë njerëzorë duhej të kishin pasur merak për lumturinë e fëmijëve të tyre që do të vinin në jetë. Parajsa duhej shtrirë anekënd tokës për dobinë e pasardhësve të Adamit. Ai projekt kolosal do të kërkonte bashkëpunimin e familjes së tij gjithnjë e në rritje. Kur të punonin për të zgjeruar Parajsën, njerëzit e përsosur duhej të bashkëpunonin plotësisht me Jehovain për të realizuar qëllimet e tij, e kështu do të hynin në pushimin e tij. (Hebr. 4:11) Imagjino sa kënaqësi e shpërblime do t’u sillte ai projekt! Duke dhënë nga vetja për të mirën e të tjerëve, do të provonin bekime fantastike dhe kënaqësi të pafund. w18.08 18 ¶2; 19-20 ¶8-9
E diel, 20 shtator
Ai shpifi para zotërisë tim, mbretit, kundër shërbëtorit tënd.—2 Sam. 19:27.
Ç’të themi nëse ti vetë je viktimë e një akuze shpifëse? Kështu i ndodhi Jezuit dhe Gjon Pagëzorit. (Mat. 11:18, 19) Si vepronte Jezui kur njerëzit përhapnin informacione të rreme për të? Ai nuk harxhonte gjithë kohën dhe energjitë për të mbrojtur veten. Në vend të kësaj, i nxiti dëgjuesit të shihnin faktet—gjërat që bënte dhe gjërat që u mësonte të tjerëve. Siç tha Jezui, «mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta». (Mat. 11:19) Duhet të nxjerrim një mësim me vlerë nga Jezui. Ndonjëherë, njerëzit mund të thonë gjëra të padrejta ose të bëjnë komente kritike për ne. Mbase jemi të etur për drejtësi dhe dëshirojmë të bëjmë diçka për të zhbërë dëmin ndaj reputacionit tonë. Por ka diçka që mund të bëjmë. Nëse dikush përhap një gënjeshtër për ne, mund të jetojmë në mënyrë të tillë që askush të mos e besojë atë gënjeshtër. Siç tregon shembulli i Jezuit, sjellja jonë e drejtë e krishterë në rrjedhën e kohës, mund t’i fshijë gjysmë të vërtetat dhe akuzat e rreme. w18.08 6 ¶11-13
E hënë, 21 shtator
Nderoje thellësisht Jehovain, Perëndinë tënd, atij shërbeji, me të lidhu ngushtë.—Ligj. 10:20.
Tregimet biblike për mosbindjen e Kainit, të Solomonit dhe të izraelitëve në malin Sinai, i bashkon një element i rëndësishëm. Të gjithë ata patën mundësi ‘të pendoheshin dhe të ktheheshin’. (Vep. 3:19) Është e qartë se Jehovai nuk heq dorë shpejt nga ata që hedhin një hap të gabuar. Aroni, për shembull, e mori faljen e Jehovait. Sot, paralajmërimet e Jehovait mund të vijnë nëpërmjet një tregimi biblik, një botimi të bazuar në Bibël ose një këshille të dashur nga një bashkëbesimtar. Kur ua vëmë veshin paralajmërimeve, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na tregojë mëshirë. Mirësia e pamerituar e Jehovait ka një qëllim. (2 Kor. 6:1) Ajo na jep mundësi «të hedhim poshtë qëndrimin shpërfillës ndaj Perëndisë e dëshirat e botës». (Titit 2:11-14) Për sa kohë të jetojmë «mes kësaj bote», do të hasim situata që do të na sprovojnë nëse jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait. Qofshim gjithnjë gati të marrim me vendosmëri anën e tij! w18.07 21 ¶20-21
E martë, 22 shtator
Jehovai i njeh ata që i përkasin.—2 Tim. 2:19.
Si mund ta forcojmë vendosmërinë që të kërkojmë vlerësimin e Jehovait dhe jo atë të botës? Duke mbajtur ndër mend dy fakte të rëndësishme. Së pari, Jehovai i kujton dhe i vlerëson gjithmonë ata që i shërbejnë besnikërisht. (Hebr. 6:10; 11:6) Ai e çmon thellë secilin nga shërbëtorët e vet, dhe e quan ‘të padrejtë’ t’i shpërfillë ata që janë besnikë ndaj tij. Ai «e njeh udhën e të drejtëve» dhe di t’i çlirojë nga sprova. (Psal. 1:6; 2 Pjet. 2:9) Së dyti, Jehovai mund të na e tregojë vlerësimin e tij në mënyra që ndoshta nuk i presim kurrsesi. Për ata që bëjnë të mira vetëm e vetëm që t’i shohin njerëzit, Jezui tha se nuk do të marrin as edhe një shpërblim nga Jehovai. Pse? Sepse tashmë e kanë marrë të plotë shpërblimin e tyre. (Mat. 6:1-5) Ama Jezui tha se Ati i tij i «sheh në fshehtësi» ata që nuk marrin vlerësimin e merituar për të mirat që u bëjnë të tjerëve. Syrit të tij nuk i shpëtojnë këto vepra, dhe ai e shpërblen gjithsecilin sipas tyre. w18.07 9 ¶8, 10
E mërkurë, 23 shtator
Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.—Vep. 10:15.
Pjetri ishte në mëdyshje se çfarë po përpiqej t’i thoshte ai zë. Tamam në atë moment, mbërritën të dërguarit e Kornelit. Pas drejtimit që i dha fryma e shenjtë, Pjetri nxitoi të shkonte me ta për në shtëpinë e Kornelit. Nëse Pjetri do t’i kishte gjykuar gjërat vetëm nga pamja e jashtme, nuk do të kishte shkelur kurrë në shtëpinë e Kornelit. Judenjtë nuk hynin absolutisht në shtëpitë e jojudenjve. Po pse Pjetri shkoi pavarësisht nga paragjykimet e rrënjosura thellë? Vegimi që pa dhe garancia që i dha fryma e shenjtë ndikuan thellë tek ai. Pasi dëgjoi tregimin e Kornelit, Pjetri pa dyshim u prek dhe tha nën frymëzim: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Vep. 10:34, 35) Çfarë të vërtete të re drithëruese kuptoi Pjetri—një të vërtetë me ndikim goxha të gjerë! w18.08 9 ¶3-4
E enjte, 24 shtator
Urreni të keqen.—Amo. 5:15.
Patjetër, ne rrimë larg praktikave që Perëndia i urren. Por ka edhe aktivitete ose aspekte të tjera të jetës për të cilat Shkrimet nuk japin ndonjë urdhër specifik. Si mund ta përcaktojmë në raste të tilla se çfarë pranon ose pëlqen Perëndia? Pikërisht këtu hyn në lojë ndërgjegjja jonë e stërvitur sipas Biblës. Jehovai na ka dhënë me dashuri parime që veprojnë bashkë me ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës. Ai vetë thotë: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh.» (Isa. 48:17, 18) Kur arsyetojmë rreth parimeve të Biblës duke vënë në punë mendjen e zemrën, ne ndreqim, drejtojmë dhe modelojmë ndërgjegjen tonë. Kjo si rezultat na ndihmon të marrim vendime të mençura. Një parim është një e vërtetë ose doktrinë themelore, që përdoret si bazë për të arsyetuar ose për të vepruar. Të kuptosh një parim përfshin të kuptosh mënyrën si mendon Ligjdhënësi dhe arsyet pse ka dhënë ligje specifike. w18.06 17 ¶5; 18 ¶8-10
E premte, 25 shtator
Është e ligjshme t’i paguhet Cezarit haraç për kokë, apo jo?—Mat. 22:17.
Ithtarët e partisë së Herodit që e ngritën këtë çështje, shpresonin që nëse Jezui do ta dënonte pagimin e asaj takse, mund të akuzohej për nxitje kryengritjeje. Nëse Jezui thoshte se taksat ishin barrë e nevojshme, mund të humbte mbështetjen e dishepujve të tij. Jezui bëri kujdes të qëndronte asnjanës në çështjen e pagimit të taksave. Patjetër që Jezui e dinte se korrupsioni ishte i përhapur mes taksambledhësve. Por Jezui nuk donte të shpërqendrohej, të devijonte nga çështja shumë më e rëndësishme—nga Mbretëria e Perëndisë që do të ishte zgjidhja e vërtetë. Në këtë mënyrë ai u ka lënë një shembull gjithë dishepujve të tij. Ata duhet të bëjnë kujdes të mos përzihen në çështjet politike, pavarësisht sa e drejtë mund të duket një çështje e caktuar. Të krishterët kërkojnë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij. Prandaj nuk krijojnë opinione të forta për disa praktika të padrejta ose nuk flasin kundër tyre. (Mat. 6:33) Shumë Dëshmitarë të Jehovait ia kanë dalë të flakin tej pikëpamjet e forta politike që kishin dikur. w18.06 6 ¶9-11
E shtunë, 26 shtator
Bijve të Perëndisë së vërtetë u ra në sy që bijat e njerëzve ishin të bukura.—Zan. 6:2.
Ndoshta Satanai i tundoi engjëjt jobesnikë jo vetëm me mundësinë e marrëdhënieve imorale, por edhe me premtimin që të fitonin pushtet mbi njerëzimin. Qëllimi i tij mund të ketë qenë të sabotonte ardhjen e «farës» së premtuar ‘të gruas’. (Zan. 3:15) Sido të ketë qenë, Jehovai u dha fund tërë atyre komploteve duke sjellë Përmbytjen—një lëvizje që bëri të shkonin huq orvatjet e Satanait dhe të engjëjve rebelë në atë kohë. Ndaj, të mos e nënvlerësojmë kurrë fuqinë joshëse të imoralitetit ose rrezikun e egoizmit. Engjëjt që u bashkuan me Satanain kishin shërbyer për epoka të tëra në praninë e Perëndisë. Mirëpo shumë prej tyre lejuan që të hidhnin rrënjë e të rriteshin dëshirat e këqija. Në mënyrë të ngjashme, ne mund të kemi shërbyer për dekada të tëra në pjesën tokësore të organizatës së Perëndisë. Por, edhe në këtë ambient të pastër, mund të hedhin rrënjë dëshira të papastra. (1 Kor. 10:12) Sa e rëndësishme është, pra, ta hetojmë vazhdimisht zemrën tonë, t’i flakim tej mendimet imorale dhe ta shtypim krenarinë e dëmshme!—Gal. 5:26; Kolos. 3:5. w18.05 25 ¶11-12
E diel, 27 shtator
Më dhemb shpirti e më qan zemra pa pushim.—Rom. 9:2.
Pavli u shkurajua nga reagimi negativ i judenjve ndaj mesazhit të Mbretërisë. Megjithatë, nuk hoqi dorë nga ata. Vër re si u shpreh më tej ai në letrën drejtuar të krishterëve në Romë për ndjenjat e tij ndaj atyre judenjve: «Vullneti i mirë i zemrës sime dhe përgjërimet që i drejtoj Perëndisë për ta, janë për shpëtimin e tyre. Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.» (Rom. 10:1, 2) Pavli tregoi pse vazhdonte t’u predikonte judenjve. E nxiste ‘vullneti i mirë i zemrës së tij’. Ai dëshironte me gjithë zemër që disa judenj të arrinin shpëtimin. (Rom. 11:13, 14) Ai iu përgjërua Perëndisë të ndihmonte individë të ndryshëm judenj të pranonin mesazhin për Mbretërinë. Pavli tha për ta: «Kanë zell për Perëndinë.» Ai shihte te njerëzit potencialin për të bërë të mirën. Nëse zelli drejtohet aty ku duhet, mund t’i transformojë individët e sinqertë në dishepuj të zellshëm të Krishtit, siç e dinte mirë edhe Pavli. w18.05 13 ¶4; 15-16 ¶13-14
E hënë, 28 shtator
[Thoni] fjalë të mira, që të forcojnë sipas nevojës e t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë.—Efes. 4:29.
Secili nga ne duhet të jetë syçelë për të dalluar çfarë ‘nevoje’ kanë të tjerët. Pavli i këshilloi të krishterët hebrenj: «Drejtoni duart që varen dhe gjunjët e këputur, dhe vazhdoni të bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që, ajo që është e çalë, të mos ndrydhet, por të shërohet.» (Hebr. 12:12, 13) Të gjithë ne, duke përfshirë edhe fëmijët, mund t’i japim forcë njëri-tjetrit me fjalë inkurajuese. Pavli dha këtë këshillë: «Nëse mes jush ka inkurajim në Krishtin, ngushëllim dashurie, pjesëmarrje në frymë, përzemërsi të butë dhe dhembshuri, bëjeni të plotë gëzimin tim, ngaqë jeni në një mendje dhe keni të njëjtën dashuri, duke qenë të bashkuar në shpirt, duke mbajtur në mendje të njëjtin mendim, duke mos bërë asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten, duke parë me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.»—Filip. 2:1-4. w18.04 22 ¶10; 23 ¶12
E martë, 29 shtator
Jetoni si njerëz të lirë, . . . përdorni lirinë tuaj si . . . skllevër të Perëndisë.—1 Pjet. 2:16.
Qëllimi i vërtetë pse Jehovai na ka çliruar nëpërmjet Jezuit nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes, është që të bëjmë një jetë të përkushtuar «si skllevër të Perëndisë». Mënyra më e mirë si ta mbrojmë veten që të mos e keqpërdorim lirinë tonë e të bëhemi kështu sërish skllevër të ambicieve dhe dëshirave të botës, është të zhytemi plotësisht në aktivitete teokratike. (Gal. 5:16) Të mendojmë, për shembull, për patriarkun Noe dhe familjen e tij. Ata jetuan në një botë të dhunshme e imorale. Prapëseprapë, e ruajtën veten të lirë duke mos u ngatërruar me dëshirat dhe aktivitetet e njerëzve përreth. Si ia dolën? Ata zgjodhën të zhyteshin në gjithë caktimet që u kishte dhënë Jehovai—të ndërtonin arkën, të grumbullonin ushqim për vete e për kafshët dhe të paralajmëronin të tjerët. «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.» (Zan. 6:22) Rezultati? Noeja dhe familja e tij i mbijetuan fundit të asaj bote.—Hebr. 11:7. w18.04 10 ¶8; 11 ¶11-12
E mërkurë, 30 shtator
Unë do të të jap autoritet mbi të gjitha këto bashkë me lavdinë e tyre, sepse më është dhënë ky autoritet dhe unë ia jap kujtdo që dua.—Luka 4:6.
Satanai dhe demonët përdorin jo vetëm qeveritë, por edhe fenë e rreme dhe sistemin tregtar për të mashtruar «gjithë tokën e banuar». (Zbul. 12:9) Nëpërmjet fesë së rreme, Satanai përhap gënjeshtra për Jehovain. Veç kësaj, duket se Djalli është i vendosur të bëjë që sa më shumë njerëz ta harrojnë emrin e Perëndisë. (Jer. 23:26, 27) Si pasojë, individë të sinqertë që pandehin se po adhurojnë Perëndinë kanë rënë në kurthin e adhurimit të demonëve. (1 Kor. 10:20; 2 Kor. 11:13-15) Satanai përhap gënjeshtra edhe nëpërmjet sistemit tregtar. Për shembull, ky sistem shpesh u mëson njerëzve se mënyra më e mirë për të qenë i lumtur është të rendësh pas parasë dhe të grumbullosh shumë të mira materiale. (Prov. 18:11) Ata që e besojnë këtë gënjeshtër, e harxhojnë jetën duke i shërbyer «Pasurisë» në vend se Perëndisë. (Mat. 6:24) Me kohë, dashuria për gjërat materiale mund të mbytë çdo dashuri që kishin për Perëndinë.—Mat. 13:22; 1 Gjon. 2:15, 16. w18.05 23 ¶6-7