BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es20 f. 98-108
  • Tetor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Tetor
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
  • Nëntema
  • E enjte, 1 tetor
  • E premte, 2 tetor
  • E shtunë, 3 tetor
  • E diel, 4 tetor
  • E hënë, 5 tetor
  • E martë, 6 tetor
  • E mërkurë, 7 tetor
  • E enjte, 8 tetor
  • E premte, 9 tetor
  • E shtunë, 10 tetor
  • E diel, 11 tetor
  • E hënë, 12 tetor
  • E martë, 13 tetor
  • E mërkurë, 14 tetor
  • E enjte, 15 tetor
  • E premte, 16 tetor
  • E shtunë, 17 tetor
  • E diel, 18 tetor
  • E hënë, 19 tetor
  • E martë, 20 tetor
  • E mërkurë, 21 tetor
  • E enjte, 22 tetor
  • E premte, 23 tetor
  • E shtunë, 24 tetor
  • E diel, 25 tetor
  • E hënë, 26 tetor
  • E martë, 27 tetor
  • E mërkurë, 28 tetor
  • E enjte, 29 tetor
  • E premte, 30 tetor
  • E shtunë, 31 tetor
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
es20 f. 98-108

Tetor

E enjte, 1 tetor

Qani me ata që qajnë.​—Rom. 12:15.

Vërtet, nuk i lexojmë dot zemrat si Jehovai dhe Jezui. Ama, mund të përpiqemi të kuptojmë ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve. (2 Kor. 11:29) Ndryshe nga bota egoiste që na rrethon, bëjmë çmos ‘të mos kërkojmë vetëm interesat tona, por edhe të të tjerëve’. (Filip. 2:4) Pleqtë e kongregacionit në veçanti duhet të tregojnë ndjenja të përbashkëta. Ata e dinë se do të japin llogari për mënyrën si kujdesen për delet që u janë besuar. (Hebr. 13:17) Që t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët, pleqtë duhet të jenë mirëkuptues. Si mund të tregojnë ndjenja të përbashkëta pleqtë? Një plak i dhembshur kalon kohë me vëllezërit e motrat. I pyet dhe pastaj i dëgjon me vëmendje e durim. Kjo është e rëndësishme sidomos nëse një nga këto dele të dashura dëshiron t’i zbrazë zemrën, por e ka të vështirë të gjejë fjalët e duhura. (Prov. 20:5) Kur jep me kënaqësi nga koha e vet, një plak krijon lidhje të forta besimi, miqësie dhe dashurie me vëllezërit e tij.—Vep. 20:37. w19.03 17 ¶14-17

E premte, 2 tetor

Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollë të arta në enë argjendi.—Prov. 25:11.

Çmueshmëria është si një vakt i mirë—të shijon më shumë kur e ndan me të tjerët. Kur ndiejmë se na çmojnë, ne jemi të lumtur. Kur e shprehim çmueshmërinë, bëjmë të tjerët të lumtur. Personi që i tregojmë mirënjohje e di se përpjekjet e tij për të na ndihmuar ose për të na dhënë diçka që na nevojitej, ia vlejtën. Si rezultat, lidhja e miqësisë mes nesh forcohet. Siç e tregon shkrimi i sotëm, shprehjet tona të mirënjohjes kanë vlerë të madhe. Imagjino sa bukur do të dukej një mollë e artë në enë argjendi! E mendo pak sa vlerë do të kishte! Si do të ndiheshe po të merrje një dhuratë të tillë? E pra, fjalët e tua mirënjohëse mund të kenë po kaq shumë vlerë. Mendo për këtë: një mollë prej ari mund të mbetet përgjithmonë. Po kështu, shprehjet e tua të çmueshmërisë mund të kujtohen e të ruhen si thesar për gjithë jetën nga ai që i dëgjoi. w19.02 15 ¶5-6

E shtunë, 3 tetor

Njeriu është bërë si një prej nesh, se njeh të mirën dhe të keqen.—Zan. 3:22.

Kur Adami dhe Eva hëngrën frytin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, dhanë një mesazh të qartë: nuk kishin besim te Jehovai e te standardet e tij. Ata zgjodhën t’i vinin vetë standardet e së mirës dhe së keqes. Por mendo çfarë humbën. Humbën miqësinë me Jehovain. Si pasojë, humbën edhe mundësinë që të jetonin përgjithmonë dhe u trashëguan mëkatin e vdekjen fëmijëve të tyre. (Rom. 5:12) Krahasoje mënyrën si u sollën Adami dhe Eva me mënyrën si reagoi eunuku etiopas kur i predikoi Filipi. Aq shumë e çmonte eunuku atë që kishin bërë për të Jehovai dhe Jezui, sa u pagëzua menjëherë. (Vep. 8:34-38) Kur ia kushtojmë jetën Perëndisë dhe, ashtu si eunuku, pagëzohemi, japim një mesazh të qartë. Tregojmë se e çmojmë atë që kanë bërë për ne Jehovai dhe Jezui. Tregojmë edhe se kemi besim te Jehovai dhe e pranojmë se është ai që duhet të vendosë standardin e së mirës dhe së keqes. w19.03 2 ¶1-2

E diel, 4 tetor

Nga integriteti im nuk do të heq dorë.—Jobi 27:5.

Kur përdoret për ne si shërbëtorë të Perëndisë, integritet do të thotë dashuri me gjithë zemër për Jehovain dhe përkushtim i pathyeshëm ndaj Tij si Person, në mënyrë që vullneti i tij të zërë vendin e parë në çdo vendim tonin. Një kuptim kryesor i fjalës biblike të përkthyer «integritet» është ky: i plotë, i shëndetshëm ose pa mangësi. Për shembull, kafshët që flijoheshin për Jehovain, duhej të ishin të shëndetshme. (Lev. 22:21, 22) Shërbëtorëve të Perëndisë nuk u lejohej të ofronin kafshë që u mungonte një këmbë, një vesh ose një sy; as nuk mund të ofronin një kafshë të sëmurë. Për Jehovain ishte e rëndësishme që kafsha të ishte e plotë, e shëndetshme ose pa mangësi. (Mal. 1:6-9) E kuptojmë pse Jehovai ka merak që një gjë të jetë e shëndetshme ose pa mangësi. Kur blejmë ndonjë frutë, një libër a një mjet pune, nuk duam të ketë diçka të prishur a pjesë që i mungojnë. Duam diçka që është e plotë, e shëndetshme, pa asnjë mangësi. Jehovai ndihet njësoj kur bëhet fjalë për dashurinë dhe besnikërinë tonë ndaj tij. Ato duhet të jenë të plota, pa mangësi. w19.02 3 ¶3

E hënë, 5 tetor

Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e ditës e bluaj në mendje.—Psal. 119:97.

Që ta ruajmë zemrën duhet jo vetëm ta mbyllim ndaj ndikimeve të këqija, por edhe ta hapim ndaj ndikimeve pozitive. Në kohët e lashta, në qytetet e rrethuara me mure, një derëtar i mbyllte portat e qytetit për të penguar pushtimin e tij nga armiqtë, kurse në raste të tjera i hapte portat për të lejuar të hynin në qytet ushqime dhe furnizime të tjera. Nëse portat nuk hapeshin kurrë, banorët e qytetit mund të vdisnin urie. Po njësoj, ne duhet ta hapim rregullisht zemrën për t’u ndikuar nga mënyra si mendon Perëndia. Bibla përmban mendimet e Jehovait, prandaj çdo herë që e lexojmë, lejojmë që mendimet e tij të ndikojnë te mënyra si mendojmë, si ndihemi dhe si veprojmë. Si mund të përfitojmë në maksimum nga leximi i Biblës? Është jetësore të lutemi, sepse kjo na ndihmon të shohim qartë «mrekullitë» në Fjalën e tij. (Psal. 119:18) Veç kësaj, kemi nevojë të meditojmë për atë që lexojmë. Kur lutemi, lexojmë dhe meditojmë, Fjala e Perëndisë depërton «në mes të zemrës» sonë dhe e duam gjithnjë e më shumë mënyrën si mendon Jehovai.—Prov. 4:20-22. w19.01 18 ¶14-15

E martë, 6 tetor

Le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi.—Hebr. 13:15.

Jehovai e di se ne kemi aftësi e rrethana të ndryshme dhe i çmon thellë flijimet që jemi në gjendje të bëjmë për të. Mendo se çfarë lloj flijimesh pranonte ai nga izraelitët. Disa izraelitë ishin në gjendje të ofronin një qengj ose një cjap. Por një të varfri i jepej mundësia të ofronte «dy turtuj ose dy zogj pëllumbash». E nëse një izraelit nuk ishte në gjendje të sillte dy zogj, Jehovai pranonte «një të dhjetën e një efe mielli të bluar imët». (Lev. 5:7, 11) Mielli kushtonte më pak, por prapëseprapë Jehovai e çmonte atë flijim, për sa kohë të ishte ‘miell i bluar imët’. Perëndia ynë i mirë ndihet njësoj edhe sot. Kur bëjmë komente, ai nuk pret që të gjithë ne të jemi aq gojëtarë sa Apoli ose aq të zotë sa Pavli për t’u mbushur mendjen të tjerëve. (Vep. 18:24; 26:28) Gjithë sa do Jehovai është të bëjmë komentet më të mira që mundemi—brenda aftësive tona. Sill ndër mend vejushën që dhuroi dy qindarka. Ajo ishte e vyer në sytë e Jehovait, sepse dha më të mirën që mundej.—Luka 21:1-4. w19.01 8-9 ¶3-5

E mërkurë, 7 tetor

Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë.—Mat. 10:22.

Si dishepuj të Krishtit, e presim që njerëzit të na urrejnë. Jezui paratha se dishepujt e tij do të përndiqeshin egërsisht gjatë ditëve të fundit. (Mat. 24:9; Gjoni 15:20) Profecia e Isaisë na paralajmëron se armiqtë tanë nuk do të mjaftohen duke na urryer; ata do të përdorin lloj-lloj armësh kundër nesh. Ndër këto armë kanë qenë mashtrimet tinëzare, gënjeshtrat sheshit dhe përndjekjet brutale. (Mat. 5:11) Jehovai nuk do t’i ndalë armiqtë tanë që t’i përdorin këto armë për të luftuar kundër nesh. (Efes. 6:12; Zbul. 12:17) Por nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë. Jehovai tha se «asnjë armë» e përdorur kundër nesh «nuk do të ketë sukses». (Isa. 54:17) Si një mur që na mbron nga forca e një shtrëngate shkatërrimtare, ashtu na mbron Jehovai «kur tiranët shfryjnë». (Isa. 25:4, 5) Armiqtë tanë nuk do të kenë kurrë sukses e s’do na shkaktojnë dot as edhe një dëm të përhershëm. (Isa. 65:17) Të gjithë armiqtë e popullit të Perëndisë «do të katandisen në hiç dhe do të zhduken».—Isa. 41:11, 12. w19.01 6-7 ¶13-16

E enjte, 8 tetor

Atje ku është fryma e Jehovait, atje ka liri.—2 Kor. 3:17.

I ri, Jehovai e do lirinë, dhe dashurinë për të e vuri edhe në zemrën tënde. Por, njëkohësisht ai do që ta përdorësh lirinë tënde në mënyrë të përgjegjshme, dhe kjo është mbrojtje për ty. Mbase njeh persona që shohin pornografi ose që kryejnë imoralitet seksual, që rrezikojnë jetën në sporte ekstreme a që abuzojnë me alkoolin e drogën. Vërtet, ata mund të gëzojnë pak momente kënaqësie dhe emocionesh të forta. Ama, shpesh kostoja është e lartë, ndoshta sëmundje, varësi, madje edhe vdekje. (Gal. 6:7, 8) Po, «liria» e tyre është një vetëmashtrim mizor. (Titit 3:3) Në krahasim me këtë, sa njerëz njeh që janë sëmurur ngaqë ndoqën me besnikëri normat e Biblës? Është e qartë se bindja ndaj Jehovait na sjell dobi shëndetësore e njëkohësisht na bën të lirë. (Psal. 19:7-11) Mbi të gjitha, kur e përdor me mençuri lirinë—pra, brenda kufijve të ligjeve dhe parimeve të përsosura të Perëndisë—i tregon Atij dhe prindërve se mund të të besojnë e të të japin më tepër liri.—Rom. 8:21. w18.12 22-23 ¶16-17

E premte, 9 tetor

Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe do të bëhen një mish i vetëm.—Zan. 2:24.

Mëkati i Adamit solli ndryshime. Një ndryshim ishte vdekja, që ndikoi edhe te martesa. Këtë mund ta kuptojmë nga fjalët e apostullit Pavël kur po shpjegonte se të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut. Ai tregoi se vdekja i jep fund martesës dhe se bashkëshorti që jeton, mund të rimartohet pas kësaj. (Rom. 7:1-3) Ligji që i dha Perëndia kombit të Izraelit jepte hollësi për martesën. Ai e lejonte poligaminë, një praktikë e cila ekzistonte që para se Perëndia t’i jepte Ligjin Izraelit. Gjithsesi, për poligaminë u vunë ligje që i mbronin nga keqtrajtimi pjesëtarët e familjes. Për shembull, nëse një izraelit martohej me një skllave dhe më vonë merrte një grua tjetër, duhej të kujdesej po njësoj për nevojat e së parës, pra për ushqimin, veshjen dhe detyrimin martesor. Perëndia kërkonte që ai ta mbronte e të kujdesej për të. (Eks. 21:9, 10) Sot nuk jemi nën Ligj, por nga ai kuptojmë se për Jehovain martesa është e çmuar. A nuk të ndihmon kjo të kesh vlerësim të thellë për martesën? w18.12 10 ¶3; 11 ¶5-6

E shtunë, 10 tetor

Nuk do ta besoni, edhe sikur t’jua tregojnë.—Hab. 1:5.

Pasi i la shqetësimet në dorë të Jehovait, Habakuku mund të ketë vrarë mendjen si do të reagonte Jehovai. Si një Atë i dhembshur dhe mirëkuptues, Jehovai nuk e qortoi për ankesën e tij të sinqertë. Perëndia e dinte se ishte një thirrje e dëshpëruar nga dhembja dhe pikëllimi. Me fjalë që në fakt u drejtoheshin judenjve rebelë, Jehovai e informoi Habakukun se ç’do të ndodhte në të ardhmen e afërt. Ka shumë të ngjarë që Habakuku të ishte i pari që Jehovai i zbuloi se fundi i asaj periudhe të dhunshme ishte shumë pranë. Jehovai i tregoi Habakukut se ishte gati të vepronte. Ndëshkimi i atij brezi të lig e të dhunshëm ishte shumë afër. Me shprehjen «në ditët tuaja», Jehovai tregoi se ai ndëshkim do të ndodhte patjetër gjatë jetës së profetit ose të bashkëkohësve të tij. Përgjigjja e Jehovait s’ishte fare ajo që priste Habakuku. Ky ishte reagimi ndaj thirrjes së tij të ankthshme?! Ajo çka i tha Jehovai, me siguri nënkuptonte se vuajtjet do të shtoheshin për gjithë Judën. w18.11 15 ¶7-8

E diel, 11 tetor

Vullneti i [Perëndisë] është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën.—1 Tim. 2:4.

Si i sheh ti njerëzit e çdo lloji që akoma nuk e kanë mësuar të vërtetën? Ndonëse apostulli Pavël kërkonte në sinagoga ata që tashmë kishin njëfarë njohurie për Perëndinë, pa dyshim që nuk i kufizoi përpjekjet e tij te populli jude. Për shembull, gjatë udhëtimit të parë misionar të Pavlit, banorët e Likaonisë i morën për superheronj atë dhe Barnabën, duke pandehur se ishin mishërim i perëndive të tyre të rreme Zeus dhe Hermes. A u tunduan Pavli dhe Barnaba ta shijonin gjithë atë popullaritet? A do ta shihnin këtë si një ndryshim të mirëpritur pas gjithë përndjekjes që kishin hequr në dy qytetet e fundit? A menduan se ai publicitet mund të ndihmonte në përhapjen e lajmit të mirë? Aspak! Ata protestuan në moment duke shqyer rrobat e duke u turrur mes turmës, dhe thirrën: «Ç’bëni kështu? Edhe ne jemi njerëz si ju, me po ato të meta.»—Vep. 14:8-15. w18.09 4-5 ¶8-9

E hënë, 12 tetor

Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë? . . . Megjithatë, të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo . . . jeni larë, . . . jeni shpallur të drejtë.—1 Kor. 6:9, 11.

Që të pranojmë të vërtetën dhe të jetojmë sipas normave morale të Biblës, duhet të jemi të gatshëm të bëjmë ndryshime në mënyrën si mendojmë dhe në sjelljen tonë. Pjetri shkroi për këto ndryshime: «Si fëmijë të bindur, mjaft u brumosët sipas dëshirave që kishit më parë, në padijen tuaj, por . . . bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.» (1 Pjet. 1:14, 15) Për banorët e Korintit, një qytet i korruptuar moralisht, të blinin të vërtetën do të thoshte të bënin ndryshime rrënjësore në jetë. Në mënyrë të ngjashme, shumë njerëz sot kanë flakur tej sjelljen që shpërfill normat e Perëndisë, që të arrijnë të blejnë të vërtetën. Pjetri u kujtoi më tej të krishterëve të kohës së tij: «Më parë kaluat mjaft kohë duke bërë vullnetin e botës, kur jepeshit pas sjelljes së pacipë, epsheve të shfrenuara, pirjes me tepri, festave të shfrenuara, dehjeve dhe idhujtarisë së neveritshme.»—1 Pjet. 4:3. w18.11 6 ¶13

E martë, 13 tetor

Të gjithë ata që ishin të prirur për jetën e përhershme u bënë besimtarë.—Vep. 13:48.

Si mund ta dimë se cilët janë «të prirur për jetën e përhershme»? Ashtu si në shekullin e parë, e vetmja mënyrë për t’i gjetur këta njerëz, është të japim dëshmi. Pra, duhet të bëjmë tamam siç na udhëzoi Jezui: «Në çdo qytet ose fshat që të hyni, kërkoni atë që e meriton.» (Mat. 10:11) Nuk presim që njerëzit hipokritë, fodullë ose ata që s’duan t’ia dinë për Perëndinë të reagojnë pozitivisht ndaj lajmit të mirë. Ne kërkojmë ata që janë të sinqertë, të përulur dhe të etur për të vërtetën. Mund ta krahasojmë këtë kërkim me atë që mund të ketë bërë Jezui si zdrukthëtar teksa kontrollonte për llojin e duhur të drurit që të bënte mobilie, dyer, zgjedha ose gjëra të tjera. Kur gjente materialin e përshtatshëm, përdorte çantën e veglave dhe aftësitë që kishte për të bërë orendinë. Duhet të veprojmë njësoj ndërsa përpiqemi të bëjmë dishepuj njerëz me zemër të sinqertë.—Mat. 28:19, 20. w18.10 12 ¶3-4

E mërkurë, 14 tetor

Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e nisi të predikonte për Krishtin.—Vep. 8:5.

Ungjillëzuesi Filip është shembull i shkëlqyer i dikujt që mbeti i përqendruar te shërbimi, edhe pse i ndryshuan rrethanat në jetë. Në Jerusalem shpërtheu një valë përndjekjeje pas vdekjes së Stefanit si martir. Në atë kohë, Filipi kishte një privilegj të ri shërbimi. (Vep. 6:1-6) Por kur dishepujt e Krishtit u shpërndanë nga përndjekja, Filipi s’mund të rrinte duarkryq e të bënte sehir. Ai shkoi të predikonte në Samari, një qytet ku asokohe nuk ishte predikuar thuajse fare lajmi i mirë. (Mat. 10:5; Vep. 8:1) Filipi ishte i gatshëm të shkonte kudo që ta udhëhiqte fryma e Perëndisë, prandaj Jehovai e përdori që të përhapte lajmin e mirë në territore të papredikuara. Paanshmëria që tregoi Filipi duhet të ketë qenë diçka përtëritëse për samaritanët, që ishin mësuar të trajtoheshin me përçmim nga judenjtë. S’është çudi që turmat i «kushtonin vëmendje të madhe». (Vep. 8:6-8) Filipi mbeti i përqendruar te shërbimi dhe, si rezultat, ai dhe familja e tij shijuan bekime të pasura nga Jehovai.—Vep. 21:8, 9. w18.10 30 ¶14-16

E enjte, 15 tetor

Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera—Hebr. 10:24.

Një herë kur Jezui ishte në rajonin e Dekapolit, njerëzit «i çuan një njeri të shurdhër, që i mbahej goja». (Mar. 7:31-35) Në vend që ta shëronte para të gjithëve, Jezui «e mori veçmas» dhe e shëroi. Pse? Ai burrë mund të ndihej në siklet mes një turme për shkak të problemeve që kishte. Ndoshta duke e ndier këtë, Jezui e shëroi larg syve të të tjerëve. Patjetër që ne s’mund të bëjmë mrekulli për të shëruar dikë. Megjithatë, mundemi—dhe duhet—të tregojmë vëmendje e konsideratë për nevojat dhe ndjenjat e bashkadhuruesve. Jezui e kuptoi si ndihej ai burrë që s’dëgjonte dhe e trajtoi me dashamirësi. Edhe ne duhet të tregojmë konsideratë për të moshuarit dhe të sëmurët. Shenja dalluese e kongregacionit të krishterë nuk është efikasiteti, por dashuria. (Gjoni 13:34, 35) Kjo dashuri na nxit të mos e kursejmë veten për t’i ndihmuar të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore që të ndjekin mbledhjet e të predikojnë lajmin e mirë. Nuk kursehemi edhe kur ajo që mund të bëjnë ata është e kufizuar.—Mat. 13:23. w18.09 29-30 ¶7-8

E premte, 16 tetor

Secili nga ne të kënaqë tjetrin për të mirën e tij, për ta forcuar.—Rom. 15:2.

Secila nga delet e Jehovait është jashtëzakonisht e çmuar për të dhe për Jezuin, që dha jetën si flijim shpërblyes. (Gal. 2:20) Ne i duam me gjithë shpirt vëllezërit e motrat. Prandaj, duam të kujdesemi për ta me butësi e dashuri. Që të jemi burim freskimi, «le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë». (Rom. 14:19) Sa me zjarr e presim të gjithë ne jetën në Parajsë së shpejti, kur nuk do të kemi asnjëherë arsye të shkurajohemi! Nuk do të ketë më sëmundje, luftëra, vdekje të trashëguar, përndjekje, konflikte familjare dhe zhgënjime. Kur të mbarojë Mijëvjeçari, njerëzimi do të ketë arritur përsosmërinë. Ata që kalojnë sprovën e fundit, do të birësohen pastaj si bij tokësorë të Perëndisë Jehova dhe do të kenë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Vazhdofshim të gjithë të tregojmë dashurinë që forcon dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin të arrijmë atë synim të gëzueshëm e shpërblyes! w18.09 14 ¶10; 16 ¶18

E shtunë, 17 tetor

Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e ditës e bluaj në mendje.—Psal. 119:97.

Studimi i Fjalës së Perëndisë nuk është thjesht një lexim i përciptë dhe nënvizim i përgjigjeve të pyetjeve. Kur studiojmë, shqyrtojmë se çfarë na tregon materiali për Jehovain, për udhët e tij dhe për mënyrën si mendon ai. Përpiqemi të kuptojmë pse Perëndia na urdhëron të bëjmë diçka dhe dënon diçka tjetër. Veç kësaj, bluajmë në mendje çfarë ndryshimesh duhet të bëjmë në jetë dhe në mënyrën si mendojmë. Ndoshta jo të gjitha këto aspekte mund të shqyrtohen sa herë që studiojmë. Ama nxjerrim dobi kur kalojmë kohë—mbase gjysmën e kohës së studimit—për të medituar me çmueshmëri rreth asaj që lexojmë. (1 Tim. 4:15) Kur meditojmë rregullisht për Fjalën e Perëndisë ‘i vërtetojmë’ vetes se mënyra si arsyeton Jehovai është e përsosur. Fillojmë t’i shohim gjërat nga pikëpamja e tij dhe dalëngadalë biem dakord me atë pikëpamje. Mendja jonë ‘përtërihet’ dhe zhvillojmë një mënyrë të re të menduari. (Rom. 12:2) Gradualisht i bëjmë tonat mendimet e Jehovait. w18.11 24 ¶5-6

E diel, 18 tetor

Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.—1 Kor. 3:9.

Në shekullin e parë të e.s., Pavli tha se ai dhe disa shokë të tij të ngushtë të shërbimit ishin «bashkëpunëtorë të Perëndisë», për shkak të rolit të tyre në mbjelljen dhe ujitjen e farës të së vërtetës për Mbretërinë. (1 Kor. 3:6) Edhe ne sot mund të jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» duke dhënë me bujari nga koha, të ardhurat dhe energjitë tona në veprën e predikimit që na ka ngarkuar Perëndia. Çfarë privilegji të papërshkrueshëm kemi! Kur japim bujarisht nga koha dhe energjitë tona në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve, provojmë një gëzim të thellë. Shumë veta që kanë pasur privilegjin të drejtojnë studime biblike që përparojnë, do të të thonë se pak gjëra në jetë janë më shpërblyese se kjo. Ndien lumturi të thellë kur sheh si u ndrijnë sytë njerëzve që kanë çmueshmëri ndërsa kuptojnë të vërtetat biblike, kur sheh t’u rritet besimi, të bëjnë ndryshime dhe të fillojnë të flasin për të vërtetën me të tjerët. Edhe Jezui u ndie shumë i lumtur kur 70 lajmëtarët që kishte dërguar të predikonin, «u kthyen të gëzuar» për shkak të rezultateve të mira që kishin pasur.—Luka 10:17-21. w18.08 20 ¶11-12

E hënë, 19 tetor

Kush i zë besë zemrës së vet, është i marrë.—Prov. 28:26.

Nëse mbështetemi tepër te kuptueshmëria jonë, kjo mund të bëhet një kurth. Mbase dalëngadalë na duket sikur mund ta kuptojmë tak-fak një situatë edhe nëse nuk i dimë të gjitha faktet. Po ashtu, një sfidë për t’i vlerësuar saktë informacionet mund të jetë kur kemi përplasje personaliteti me një vëlla në kongregacion. Nëse e mbajmë vazhdimisht mendjen te mosmarrëveshjet mes nesh, mund të fillojmë ta shohim vëllanë me njëfarë dyshimi. Kështu, nëse dëgjojmë diçka negative për të, mbase jemi shumë të prirur ta besojmë. Cili është mësimi? Nëse ushqejmë ndjenja negative për vëllezërit tanë, kjo mund të na çojë në gjykime të shtrembëruara që nuk bazohen në fakte. (1 Tim. 6:4, 5) Që të mos na mjegullohet gjykimi, nuk duhet të lejojmë që zilia dhe xhelozia të zënë rrënjë në zemrën tonë. Në vend që t’u lëmë rrugë të lirë këtyre ndjenjave negative, le të mbajmë ndër mend se kemi detyrimin të duam vëllezërit tanë dhe t’i falim bujarisht nga zemra.—Kolos. 3:12-14. w18.08 6 ¶15; 7 ¶18

E martë, 20 tetor

Jehovait . . . i përkasin qiejt . . . toka dhe gjithçka që është në të.—Ligj. 10:14.

Përderisa ekzistojnë, të gjithë njerëzit i përkasin Jehovait. (Psal. 100:3; Zbul. 4:11) Sidoqoftë, gjatë gjithë historisë njerëzore, Perëndia ka zgjedhur grupe specifike që t’i përkasin atij në një mënyrë të veçantë. Për shembull, Psalmi 135 i quan adhuruesit besnikë të Jehovait në Izraelin e lashtë ‘prona e tij e veçantë’. (Psal. 135:4) Veç kësaj, në librin e Hozesë parathuhej se disa joizraelitë do të bëheshin pjesë e popullit të Jehovait. (Hoz. 2:23) Profecia e Hozesë u plotësua kur Jehovai përfshiu edhe jojudenj mes atyre që zgjodhi për të qeverisur bashkë me Krishtin në të ardhmen. (Vep. 10:45; Rom. 9:23-26) Ky «komb i shenjtë» është ‘zotërim i veçantë’ i Jehovait në një mënyrë të jashtëzakonshme, pasi pjesëtarët e tij janë mirosur me frymë të shenjtë dhe janë zgjedhur për të jetuar në qiell. (1 Pjet. 2:9, 10) Ç’të themi për shumicën e të krishterëve besnikë sot, që kanë shpresë tokësore? Edhe ata Jehovai i quan ‘populli’ i tij dhe «të zgjedhurit» e tij.—Isa. 65:22. w18.07 22 ¶1-2

E mërkurë, 21 tetor

Mbani po atë prirje mendore që kishte edhe Krishti Jezu, . . . e zbrazi veten [dhe] mori natyrë skllavi.—Filip. 2:5, 7.

Si të krishterë të vërtetë ne imitojmë Krishtin, që na la shembullin e përsosur se si mund të jetë bujar njeriu. (Mat. 20:28) Secili nga ne bën mirë të pyesë veten: «A mund ta ndjek shembullin e Jezuit akoma më me kujdes nga ç’po e ndjek tani?» (1 Pjet. 2:21) Ne mund të gëzojmë miratimin e Jehovait duke imituar shembullin e përsosur të tij e të Krishtit, pra duke u merakosur për mirëqenien e të tjerëve dhe duke kërkuar mënyra si të kujdesemi për nevojat e tyre. Në fakt, në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, Jezui e bëri të qartë se priste që dishepujt e tij të bënin çmos të ndihmonin të tjerët, edhe ata me një prejardhje tjetër. (Luka 10:29-37) A të kujtohet çfarë e shtyu Jezuin të tregonte shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë? Ishte kjo pyetje që ngriti një jude: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Përgjigjja e Jezuit tregon se duhet të jemi të gatshëm të japim me bujari si samaritani nëse duam të gëzojmë miratimin e Perëndisë. w18.08 19 ¶5-6

E enjte, 22 tetor

[Engjëlli] tha: «Përshëndetje, o shumë e pëlqyera, Jehovai është me ty!»—Luka 1:28.

A vazhdoi t’i tregonte vlerësimin e duhur Jehovai Marisë ngaqë rriti e u kujdes me besnikëri për Birin e tij? Po. Perëndia u sigurua që disa nga gjërat që bëri e tha ajo të dokumentoheshin në Bibël. Me sa duket, gjatë tri viteve e gjysmë të shërbimit të Jezuit, Maria nuk kishte mundësi të udhëtonte me të. Ndoshta ngaqë ishte vejushë, asaj i duhej të qëndronte në Nazaret. Por, ndonëse nuk arriti të gëzonte shumë privilegje, ajo pati mundësi të ishte me Jezuin në kohën kur ai vdiq. (Gjoni 19:26) Më vonë, Maria ishte në Jerusalem bashkë me dishepujt për disa ditë deri në festën e Ditës së Pesëdhjetë kur u derdh fryma e shenjtë. (Vep. 1:13, 14) Ka shumë të ngjarë që ajo u miros bashkë me të pranishmit e tjerë. Nëse ka ndodhur kështu, kjo do të thotë se iu dha mundësia të jetë në qiell me Jezuin për gjithë përjetësinë. Çfarë shpërblimi i mrekullueshëm për shërbimin e saj besnik! w18.07 9 ¶11; 10 ¶14

E premte, 23 tetor

Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.—1 Kor. 10:31.

Gjatë gjithë shërbimit të tij, Jezui mësoi të vërteta bazë për t’i ndihmuar dishepujt të dallonin pasojat që kanë qëndrime dhe veprime të caktuara. Për shembull, ai mësoi se mllefi mund të çojë në dhunë dhe se epshi mund të çojë në kurorëshkelje. (Mat. 5:21, 22, 27, 28) Që të kemi një ndërgjegje të stërvitur siç duhet, ne duhet të lejojmë që të na udhëheqin parimet hyjnore, e kështu t’i japim lavdi Perëndisë. Dy të krishterë me ndërgjegje të stërvitur sipas Biblës, mund të nxjerrin përfundime krejt të ndryshme për disa çështje. Të marrim përdorimin e pijeve alkoolike. Bibla nuk e dënon përdorimin me masë të alkoolit. Por ama na paralajmëron kundër pirjes me tepri të alkoolit dhe kundër dehjes. (Prov. 20:1; 1 Tim. 3:8) A do të thotë kjo se, për sa kohë që pi me masë alkool, një i krishterë nuk duhet të mbajë parasysh asnjë faktor tjetër? Jo. Ndonëse vetë mund ta ketë ndërgjegjen të qetë, ai duhet të mbajë parasysh edhe ndërgjegjen e të tjerëve. w18.06 18 ¶10-11

E shtunë, 24 tetor

Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e Herodit.—Mar. 8:15.

Jezui i paralajmëroi me forcë dishepujt e tij të qëndronin larg majasë, ose mësimeve, që përkrahnin farisenjtë, saducenjtë dhe ithtarët e partisë së Herodit. (Mat. 16:6, 12) Është interesante se kjo bisedë u zhvillua pak kohë pasi njerëzit donin ta bënin Jezuin mbret. Kur feja përzihet me politikën, fare kollaj mund të shpërthejë dhuna. Jezui i mësoi dishepujt se duhet të mbeten asnjanës në rrethana të tilla. Kjo lidhet me arsyen pse krerët e priftërinjve dhe farisenjtë planifikuan ta vritnin Jezuin. E konsideronin si një rival politik dhe fetar që u vinte në rrezik pozitën. Ata thanë: «Po ta lëmë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit dhe kombin tonë.» (Gjoni 11:48) Prandaj kryeprifti Kajafa i dha shtysë komplotit për vrasjen e Jezuit.—Gjoni 11:49-53; 18:14. w18.06 6-7 ¶12-13

E diel, 25 tetor

Dashuria juaj të jetë pa hipokrizi.—Rom. 12:9.

Një karrem i efektshëm që përdor Satanai është kureshtja për spiritizmin. Sot ai ngjall kuriozitet për demonët jo vetëm nëpërmjet fesë së rreme, por edhe nëpërmjet industrisë së zbavitjes. Filmat, lojërat elektronike dhe media bëjnë që spiritizmi të duket si diçka drithëruese. Ç’të bëjmë që të mos biem viktimë e këtij karremi? Nuk duhet të presim që organizata e Perëndisë të na japë një listë të zbavitjeve të pranueshme dhe të papranueshme. Secili nga ne duhet të stërvitë ndërgjegjen e vet që të jetë në harmoni me normat e Perëndisë. (Hebr. 5:14) Gjithsesi, do të bëjmë zgjedhje të mençura nëse zbatojmë këshillën e frymëzuar të apostullit Pavël që u përmend më sipër. Mund të pyesim veten: «A dukem si hipokrit nga zbavitjet që zgjedh? Sikur studentët e Biblës ose rivizitat e mia të shihnin zbavitjet që zgjedh, a do të nxirrnin përfundimin se e praktikoj atë që predikoj?» Sa më shumë që fjalët tona të jenë në harmoni me veprimet, aq më pak gjasa ka të biem në kurthet e Satanait.—1 Gjon. 3:18. w18.05 25 ¶13

E hënë, 26 tetor

Ma do zemra dhe i përgjërohem Perëndisë për izraelitët, që të shpëtojnë.—Rom. 10:1.

Si mund ta imitojmë Pavlin? Së pari, bëjmë çmos të ruajmë në zemër dëshirën për të gjetur dikë që mund të jetë ‘i prirur për jetën e përhershme’. Së dyti, i përgjërohemi Jehovait që t’u hapë zemrën njerëzve të sinqertë. (Vep. 13:48; 16:14) Silvana, një pioniere prej gati 30 vjetësh, thotë: «Para se të shkoj në një shtëpi në territorin tim, i lutem Jehovait dhe i kërkoj të më japë një qëndrim pozitiv.» Gjithashtu, ne i lutemi Perëndisë që engjëjt të na drejtojnë te njerëzit me zemër të sinqertë. (Mat. 10:11-13; Zbul. 14:6) Roberti, një pionier prej më se 30 vjetësh, thotë: «Është emocionuese të punosh bashkë me engjëjt që e dinë se ç’po ndodh në jetën e njerëzve në territor.» Së treti, përpiqemi të shohim te njerëzit potencialin për të bërë të mirën. Karli, që shërben si plak, shprehet: «Kërkoj çfarëdo shenje të vogël që mund të zbulojë sinqeritetin e dikujt, mbase një buzëqeshje, një shikim dashamirës ose një pyetje të sinqertë.» Po, ashtu si Pavli, ne mund të tregojmë qëndrueshmëri ndërsa japim fryt. w18.05 15 ¶13; 16 ¶15

E martë, 27 tetor

Le të interesohemi për njëri-tjetrin, . . . t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.—Hebr. 10:24, 25.

Të dëgjojmë për besnikërinë e atyre që kemi ndihmuar në të kaluarën, mund të jetë vërtet një burim inkurajimi, siç ishte për apostullin Gjon, që shkroi: «Nuk kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» (3 Gjon. 4) Shumë pionierë mund të dëshmojnë sa inkurajohen kur marrin vesh se disa nga ata që ndihmuan vite më parë të njihnin të vërtetën, po qëndrojnë besnikë e ndoshta po shërbejnë edhe si pionierë. Thjesht t’i kujtosh një pionieri të shkurajuar gëzimet e së kaluarës mund të jetë burim i vërtetë ngushëllimi. Mjaft mbikëqyrës qarkorë kanë treguar sa shumë kanë marrë zemër ata dhe gratë e tyre qoftë edhe nga dy rreshta me fjalë mirënjohjeje për vizitën në një kongregacion. Njësoj mund të ndihen edhe pleqtë, misionarët, pionierët dhe pjesëtarët e familjes Bethel nga dy fjalë çmueshmërie për shërbimin e tyre besnik. w18.04 23 ¶14-15

E mërkurë, 28 tetor

Mbreti nuk duhet të marrë shumë gra, që zemra të mos i largohet nga rruga e drejtë.—Ligj. 17:17.

Solomoni nuk u bind, dhe me kohë u martua me 700 gra. Ai mori edhe 300 konkubina. (1 Mbret. 11:3) Shumë nga gratë e tij ishin joizraelite që adhuronin perëndi të rreme. Pra, Solomoni nuk iu bind as ligjit të Perëndisë për të mos u martuar me gra të huaja. (Ligj. 7:3, 4) Largimi gradual nga kërkesat e Jehovait, e çoi si përfundim Solomonin në mëkate tepër të rënda. Solomoni ndërtoi një altar për perëndeshën-idhull Ashtoreth dhe të paktën një altar për perëndinë e rremë Kemosh. Atje mori pjesë bashkë me gratë e veta në adhurimin pagan. Dhe ata altarë i ndërtoi pikërisht në një mal mu përballë Jerusalemit, ku kishte ndërtuar tempullin e Jehovait! (1 Mbret. 11:5-8; 2 Mbret. 23:13) Ndoshta Solomoni gënjeu veten me mendimin se Jehovai do të mbyllte një sy para mosbindjes së tij për sa kohë që të vazhdonte të paraqiste flijime në tempull. Por Jehovai kurrë nuk i mbyll sytë para sjelljes së gabuar. w18.07 18-19 ¶7-9

E enjte, 29 tetor

Merrni mburojën e madhe të besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të Ligut.—Efes. 6:16.

Disa nga «shigjetat e zjarrta» që mund të lëshojë kundër teje Satanai janë gënjeshtrat për Jehovain—se Ai nuk do t’ia dijë për ty dhe se është e pamundur të të dojë. Ida 19-vjeçare që lufton me ndjenjat e pavlefshmërisë thotë: «Shpesh jam ndier sikur Jehovai nuk është pranë meje dhe nuk dëshiron të jetë Miku im.» Si e përballon këtë sulm? Ajo thotë: «Mbledhjet janë një ndihmë kolosale që më forcojnë besimin. Më parë zija një vend dhe nuk komentoja kurrë, duke menduar se askush nuk donte të dëgjonte ç’kisha për të thënë unë. Kurse tani përgatitem për mbledhjet dhe përpiqem të komentoj dy ose tri herë.» Përvoja e Idës thekson një të vërtetë të rëndësishme: mburoja që i jepej një ushtari kishte përmasa të përcaktuara, por madhësia e mburojës sonë të besimit ose zvogëlohet, ose rritet. Këtë e kemi në dorë vetë. (Mat. 14:31; 2 Sel. 1:3) Sa e rëndësishme është të vazhdojmë ta rritim besimin tonë! w18.05 29-30 ¶12-14

E premte, 30 tetor

Ç’duhet të bëj që të shpëtoj?​—Vep. 16:30.

Roja ndryshoi qëndrim dhe kërkoi ndihmë vetëm pasi ra tërmeti. (Vep. 16:25-34) Po kështu, disa njerëz sot që nuk e kanë pranuar më parë mesazhin e Biblës mund të ndryshojnë qëndrim dhe të kërkojnë ndihmë kur shkunden befas nga një ngjarje që është si një tërmet në jetën e tyre. Mbase mund të kenë humbur papritur punën që e kanë pasur prej shumë kohësh e ndihen të tronditur. Të tjerë mund të jenë të çoroditur pasi janë diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, ose mund të jenë zemërvrarë pasi vdekja u ka rrëmbyer një njeri të dashur. Ata mund të ngrenë pyetje për kuptimin e jetës që dikur i kanë shpërfillur. Mbase vrasin mendjen: «Ç’duhet të bëj që të shpëtoj?» Kur i takojmë, ata mund të duan ta dëgjojnë mesazhin tonë të shpresës për herë të parë në jetë. Prandaj, duke vazhduar me besnikëri veprën tonë të predikimit, sigurohemi se do të jemi në dispozicion për t’i ngushëlluar njerëzit në një moment kur mund të jenë gati ta pranojnë këtë.—Isa. 61:1. w18.05 19-20 ¶10-12

E shtunë, 31 tetor

Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që [të] shpall lajmin e mirë.—Luka 4:18.

Sot, pjesa dërrmuese e njerëzve janë ende të verbuar nga perëndia i këtij sistemi dhe janë në robëri nga ana fetare, ekonomike dhe shoqërore. (2 Kor. 4:4) Ne kemi privilegjin të ndjekim shembullin që la Jezui duke i ndihmuar njerëzit të njohin dhe të adhurojnë Jehovain, Perëndinë e lirisë. (Mat. 28:19, 20) Kjo nuk është një punë e lehtë dhe ka shumë sfida. Në disa vende njerëzit po bëhen më indiferentë, e disa madje armiqësorë. Pyetja që duhet të shqyrtojë secili prej nesh është: «A mund ta përdor lirinë time për ta mbështetur edhe më shumë veprën e Mbretërisë?» Inkurajohemi jashtë mase kur shohim se shumë e kanë kuptuar urgjencën e kohëve që po jetojmë dhe e kanë thjeshtuar jetën që të marrin pjesë në shërbimin e plotkohor. (1 Kor. 9:19, 23) Disa prej tyre shërbejnë brenda territorit ku jetojnë; të tjerë transferohen ku ka më shumë nevojë. Ç’rezultat i shkëlqyer ngaqë e kanë përdorur me mençuri lirinë për t’i shërbyer Jehovait!—Psal. 110:3. w18.04 11-12 ¶13-14

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo