Nëntor
E diel, 1 nëntor
Kushdo që ushqehet me këtë bukë, do të jetojë përgjithmonë.—Gjoni 6:58.
Kur i shërbejmë Jehovait kemi perspektivën që të fitojmë si përfundim gjithë sa humbën Adami dhe Eva, përfshirë edhe mundësinë që të jetojmë përgjithmonë. Adami dhe Eva zgjodhën të mos i shërbenin Jehovait ngaqë nuk zhvilluan dashuri të fortë për të. Gjithsesi, Jehovai i lejoi të jetonin aq gjatë sa të kishin fëmijë dhe t’i vendosnin vetë standardet se si t’i rritnin. Pasojat e vendimit të Adamit dhe Evës për të qenë të pavarur nga Jehovai, treguan shpejt sa të marrë kishin qenë. Djali i madh vrau vëllanë e pafajshëm, e me kohë në familjen njerëzore mbizotëruan dhuna dhe egoizmi. (Zan. 4:8; 6:11-13) Por ndërkaq, Jehovai kishte një mënyrë për të shpëtuar gjithë fëmijët e Adamit dhe të Evës që donin t’i shërbenin. (Gjoni 6:38-40, 57) Ndërsa mëson më shumë për durimin dhe dashurinë e madhe të Jehovait, ka shumë të ngjarë që do të të thellohet dashuria për të. S’do të duash kurrsesi të bësh zgjedhjen e Adamit dhe të Evës e do të dëshirosh t’i kushtohesh Jehovait. w19.03 2 ¶3; 4 ¶9
E hënë, 2 nëntor
Të gjithë . . . tregoni empati.—1 Pjet. 3:8.
Për të zhvilluar empati, mundohu të kuptosh çfarë po kalojnë familjarët dhe bashkëbesimtarët. Interesohu për adoleshentët në kongregacion, si edhe për të sëmurët, të moshuarit dhe për ata që u ka vdekur një njeri i dashur. Pyeti si po ia kalojnë. Dëgjoji me vëmendje teksa hapen me ty. Ndihmoji ta ndiejnë se ti e kupton vërtet çfarë po përballojnë. Ofroju ndihmë në çfarëdo mënyre të kesh mundësi. Kur veprojmë kështu, tregojmë dashuri të vërtetë me vepra. (1 Gjon. 3:18) Duhet të jemi elastikë ndërsa përpiqemi të ndihmojmë të tjerët. Përse? Sepse njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj vështirësive. Disa mezi presin të flasin, kurse të tjerë janë më të rezervuar. Ndaj duam t’i ndihmojmë, ama duhet t’i shmangim pyetjet tepër personale. (1 Sel. 4:11) Edhe kur të tjerët na tregojnë si ndihen, ndoshta jo gjithmonë pajtohemi me pikëpamjen e tyre. Prapëseprapë, duhet ta kuptojmë se kështu ndihen ata. Duam të jemi të shpejtë në të dëgjuar dhe të mos nxitohemi në të folur.—Mat. 7:1; Jak. 1:19. w19.03 19 ¶18-19
E martë, 3 nëntor
U frikësova shumë.—Neh. 2:2.
A ke frikë të flasësh para të tjerëve për të vërtetën? Sill ndër mend Neheminë. Ai shërbente në oborrin e një mbreti të fuqishëm. Nehemia ishte i dëshpëruar se kishte dëgjuar që muret dhe portat e Jerusalemit ishin të rrënuara. (Neh. 1:1-4) Imagjino sa ankth e frikë duhet të ketë ndier kur mbreti i kërkoi të shpjegonte pse dukej aq i trishtuar. Nehemia bëri një lutje të shpejtë dhe pastaj iu përgjigj mbretit. Si rezultat, mbreti e ndihmoi pa masë popullin e Perëndisë. (Neh. 2:1-8) Mendo edhe për Jonain. Kur Jehovai i kërkoi t’u fliste banorëve të Ninevisë, Jonai u tmerrua aq shumë, sa ia mbathi në drejtim të kundërt. (Jon. 1:1-3) Por me ndihmën e Jehovait, Jonai e përmbushi caktimin e tij. Dhe fjalët që tha ai, u sollën shumë dobi banorëve të Ninevisë. (Jon. 3:5-10) Nga Nehemia mësojmë sa e rëndësishme është të lutemi para se të përgjigjemi. Dhe nga Jonai mësojmë se Jehovai mund të na ndihmojë t’i shërbejmë pavarësisht se sa e madhe është frika që ndiejmë. w19.01 11 ¶12
E mërkurë, 4 nëntor
Nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi [ose familje] për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë që të mos marrë tani, në këtë kohë, 100-fish . . . dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme.—Mar. 10:29, 30.
Kur zgjedhim të jetojmë sipas së vërtetës së Biblës, lidhjet që kemi me miqtë dhe të afërmit mund të ndryshojnë. Pse? Jezui u lut kështu për dishepujt e tij: «Shenjtëroji me anë të së vërtetës. Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Fjala «shenjtëroji» mund të ketë edhe kuptimin «veçoji». Kur pranojmë të vërtetën, veçohemi nga bota sepse nuk modelohemi më sipas kallëpit të saj. Njerëzit na shohin me sy tjetër, sepse vlerat tona kanë ndryshuar. Jetojmë sipas standardeve të së vërtetës së Biblës. Edhe pse nuk duam të shkaktojmë përçarje, disa miq dhe pjesëtarë të afërt të familjes mund të sillen ftohtë me ne a madje mund t’i kundërvihen besimit tonë të ri. Kjo nuk na çudit. Jezui pranoi: «Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.» (Mat. 10:36) Gjithashtu, ai na siguroi se shpërblimet që korrim kur blejmë të vërtetën, janë ku e ku më të mëdha se çdo çmim që mund të paguajmë. w18.11 6 ¶11
E enjte, 5 nëntor
Të gjitha kongregacionet e kombeve [i falënderojnë].—Rom. 16:4.
Apostulli Pavël i çmonte vëllezërit e motrat dhe e tregonte këtë me mënyrën si fliste për ta. Ai e falënderonte gjithmonë Perëndinë për ta në lutjet që bënte privatisht. E shprehte çmueshmërinë edhe kur u shkruante. Në 15 vargjet e para të kapitullit 16 të Romakëve, Pavli përmendi me emër 27 bashkëbesimtarë. Ai kujtonte specifikisht që Priska e Akuila «vunë kokën në rrezik» për të dhe që Feba «mbrojti shumë veta», duke përfshirë edhe Pavlin. Ai i lavdëroi ata motra e vëllezër të dashur e të palodhur. (Rom. 16:1-15) Pavli e dinte mirë se vëllezërit e motrat ishin të papërsosur, por zgjodhi të përqendrohej te cilësitë e tyre të mira. Imagjino sa shumë duhet të kenë marrë zemër ata vëllezër e motra teksa lexoheshin para kongregacionit fjalët e Pavlit! Si rezultat, lidhja e miqësisë mes tyre dhe Pavlit duhet të jetë forcuar. A e shpreh rregullisht çmueshmërinë për gjërat e mira që thonë e bëjnë pjesëtarët e kongregacionit tënd? w19.02 16 ¶8-9
E premte, 6 nëntor
Nga integriteti im nuk do të heq dorë.—Jobi 27:5.
A duhet të jemi të përsosur që të kemi integritet? Tekefundit, mbase mendojmë që s’jemi aspak të plotë, e madje kemi shumë të meta. S’duhet të kemi merak për këtë, sepse Jehovai nuk përqendrohet te të metat tona. Fjala e tij thotë: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psal. 130:3) Ai e di se jemi njerëz të papërsosur, mëkatarë, dhe na fal bujarisht. (Psal. 86:5) Gjithashtu Jehovai i njeh kufizimet tona dhe nuk pret nga ne më shumë nga ç’mund të bëjmë. (Psal. 103:12-14) Për shërbëtorët e Jehovait, çelësi për të pasur integritet është dashuria. Dashuria jonë për Perëndinë dhe përkushtimi besnik ndaj tij si Ati ynë qiellor, duhet të mbeten të plota, pa mangësi. Nëse dashuria jonë mbetet e plotë e me gjithë zemër edhe kur sprovohemi, atëherë kemi integritet. (1 Kron. 28:9; Mat. 22:37) Ne e dimë se Jehovai ka norma të drejta, dhe mendja jonë është e përqendruar tek ajo që e kënaq Atin tonë qiellor. Dashuria për Jehovain na shtyn të mendojmë në radhë të parë për të kur marrim vendime dhe të tregojmë kështu integritetin tonë. w19.02 3 ¶4-5
E shtunë, 7 nëntor
Ruaj zemrën.—Prov. 4:23.
Sa herë shijojmë dobitë që vijnë kur bëjmë atë që është e drejtë, na forcohet besimi. (Jak. 1:2, 3) Ndihemi mirë sepse e kemi bërë Jehovain krenar të na quajë fëmija i tij dhe na shtohet dëshira për ta kënaqur. (Prov. 27:11) Çdo sprovë na jep një mundësi që të tregojmë se nuk i shërbejmë me gjysmë zemre Atit tonë të dashur. (Psal. 119:113, shën.) Përkundrazi, japim prova se e duam Jehovain me gjithë zemër—me një zemër plotësisht të vendosur për t’iu bindur urdhërimeve të tij e për të bërë vullnetin e tij. (1 Mbret. 8:61) A do të bëjmë gabime? Po, se jemi të papërsosur. Kur të ndodhë që të gabojmë, le të kujtojmë shembullin e mbretit Hezekia. Ai bëri gabime. Ama u pendua dhe vazhdoi t’i shërbente Jehovait «me gjithë zemër». (Isa. 38:3-6; 2 Kron. 29:1, 2; 32:25, 26) Pra, le t’i bëjmë të kota përpjekjet e Satanait për të na infektuar me mendimet e tij. Le të lutemi që të zhvillojmë «një zemër të bindur» dhe t’i qëndrojmë besnikë Jehovait.—1 Mbret. 3:9; Psal. 139:23, 24. w19.01 18-19 ¶17-18
E diel, 8 nëntor
Le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, po, frytin e buzëve tona, duke shpallur publikisht emrin e tij.—Hebr. 13:15.
Kur komentojmë në mbledhje, nxjerrim dobi edhe vetë. (Isa. 48:17) Si? Së pari, kur kemi ndër mend të bëjmë një koment, jemi akoma më të motivuar që të përgatitemi mirë për mbledhjen. Kur përgatitemi mirë, e kuptojmë më thellë Fjalën e Perëndisë. E sa më thellë ta kuptojmë, aq më mirë mund t’i zbatojmë gjërat që mësojmë. Së dyti, ka shumë të ngjarë ta shijojmë më tepër mbledhjen ngaqë përfshihemi në diskutim. Së treti, meqë duhen përpjekje të komentojmë, shpesh i kujtojmë pikat që komentuam edhe shumë kohë pasi mbaron mbledhja. Gjithashtu, kur flasim për besimin tonë, kënaqim Jehovain. Mund të jemi të sigurt se Jehovai na dëgjon dhe i çmon thellë përpjekjet që bëjmë për të komentuar në mbledhje. (Mal. 3:16) Ai e tregon këtë çmueshmëri duke na bekuar kur përpiqemi me mish e me shpirt që ta kënaqim. (Mal. 3:10) Është e qartë se kemi arsye të forta për të komentuar në mbledhje. w19.01 8 ¶3; 9-10 ¶7-9
E hënë, 9 nëntor
Urreni thellësisht të keqen, kapuni fort pas së mirës.—Rom. 12:9.
Jehovai i trajton me shumë mençuri shërbëtorët e tij. Në vend që të na japë ligje pa fund, ai na mëson me durim të ndjekim ligjin e dashurisë. Ai do që të jetojmë sipas parimeve hyjnore e të urrejmë atë që është e keqe. Predikimi në Mal i Jezuit është një shembull i shkëlqyer i mënyrës si mëson Jehovai, sepse na ndihmon të kuptojmë shkaqet rrënjësore të veprimeve të gabuara. (Mat. 5:27, 28) Si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Krishti do të vazhdojë të na arsimojë në botën e re në mënyrë që qëndrimi ynë ndaj drejtësisë dhe paligjshmërisë të pasqyrojë përsosmërisht qëndrimin e tij. (Hebr. 1:9) Gjithashtu, ai do të na çojë drejt përsosmërisë fizike dhe mendore. Imagjino pak, nuk do të përjetosh më presionin që ushtron mëkati ose pasojat e tij të tmerrshme. Pastaj, më në fund, do të gëzosh «lirinë e lavdishme» që të ka premtuar Jehovai. (Rom. 8:21) Sigurisht, liria jonë nuk do të jetë kurrë absolute. Do të gëzojmë liri në masën më të plotë vetëm nëse liria jonë drejtohet nga një dashuri si ajo e Perëndisë.—1 Gjon. 4:7, 8. w18.12 23 ¶19-20
E martë, 10 nëntor
T’i shkruajë një certifikatë divorci, . . . dhe ta përzërë nga shtëpia.—Ligj. 24:1.
Një izraelit mund ta divorconte të shoqen nëse ‘gjente tek ajo ndonjë gjë të turpshme’. Ligji nuk e specifikonte çfarë mund të konsiderohej si ‘gjë e turpshme’. Duhet të ketë qenë diçka e rëndë ose që e turpëronte familjen, jo ndonjë gabim i vogël. (Ligj. 23:14) Mjerisht, në kohën e Jezuit shumë judenj divorcoheshin «për çdo lloj arsyeje». (Mat. 19:3) Natyrisht, nuk duam të zhvillojmë qëndrimin që kishin ata. Profeti Malakia bëri të ditur pikëpamjen e Perëndisë për divorcin. Në kohën e Malakisë, ishte e zakonshme që një burrë ta divorconte pabesisht ‘gruan e rinisë së tij’, ndoshta për t’u martuar me një grua më të re pagane. Por Malakia e bëri të qartë pikëpamjen e Perëndisë me fjalët: «Ai e urren divorcin.» (Mal. 2:14-16) Kjo ishte në harmoni me atë që thotë Fjala e Perëndisë për martesën e parë: «Burri . . . do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zan. 2:24) Jezui e përkrahu pikëpamjen e Atit të tij për martesën kur tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mat. 19:6. w18.12 11 ¶7-8
E mërkurë, 11 nëntor
Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.—Mat. 9:37.
Disa vëllezërve dhe motrave ua lejojnë rrethanat që të ofrohen për të shërbyer më larg shtëpisë. Qëndrimi i tyre ngjan me atë të profetit Isaia. Në përgjigje të pyetjes së Jehovait «kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?», ai tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isa. 6:8) A ke edhe ti dëshirën dhe rrethanat që të kujdesesh si Isaia për nevojat teokratike? Jezui tha për veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve: «Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:38) A mund të shërbesh në një territor ku ka më shumë nevojë, ndoshta si pionier? Ose a mund të ndihmosh dikë tjetër ta bëjë këtë? Shumë vëllezër e motra kanë parë se mënyra më e mirë që të tregojnë dashuri për Perëndinë dhe për njerëzit, është të shërbejnë si pionierë në zona a territore ku ka më shumë nevojë për punëtorë në korrje. A të vijnë ndër mend mënyra të tjera si ta zgjerosh ose ta shtosh shërbimin? Provon gëzim të madh kur e bën këtë. w18.08 27 ¶14-15
E enjte, 12 nëntor
Jetesa juaj të jetë pa lakmi për pará! Jini të kënaqur me atë që keni.—Hebr. 13:5.
Ungjijtë na japin prova të qarta të pikëpamjes së Jehovait për gjërat materiale. Perëndia i zgjodhi vetë prindërit njerëzorë që do të rritnin Birin e tij—një çift me të ardhura modeste. (Lev. 12:8; Luka 2:24) Kur lindi Jezui, Maria «e vuri në një grazhd, sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta». (Luka 2:7) Po të donte, Jehovai mund të kishte siguruar në lloj-lloj mënyrash një ambient më të mirë ku të lindte i Biri. Mirëpo, gjëja më e rëndësishme për Të, ishte që Jezui të rritej në një ambient ku vihej në radhë të parë adhurimi i Perëndisë. Nga ky tregim biblik mund të kuptojmë pikëpamjen e Jehovait për gjërat materiale. Disa prindër duan me çdo kusht që fëmijët e tyre të kenë gjërat më të mira nga ana materiale, madje edhe nëse kjo vë në rrezik marrëdhënien e fëmijëve me Jehovain. Por është e qartë se për Jehovain gjëja më e rëndësishme është marrëdhënia jonë me të. A e ke përvetësuar pikëpamjen e Tij? Çfarë tregojnë veprimet e tua? w18.11 24 ¶7-8
E premte, 13 nëntor
Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!—Psal. 144:15.
Duke qenë Burimi i lumturisë, Perëndia dëshiron të jemi të lumtur dhe na jep shumë arsye për të gëzuar. (Ligj. 12:7; Ekl. 3:12, 13) Mirëpo në botën e sotme mund të jetë e vështirë të jesh i lumtur. Pse? Ngjarjet stresuese—si për shembull, kur vdes ose përjashtohet një njeri i dashur, kur përballemi me divorcin ose kur humbim punën—mund të na e grabitin lumturinë. Kjo ndjenjë mirëqenieje mund të na gërryhet edhe kur në familje ka konflikte dhe nuk komunikohet më në mënyrë paqësore. Talljet nga shokët e punës a të shkollës, përndjekja fetare ose burgimi, mund të na e vjedhin lumturinë. Kjo mund të ndodhë edhe kur na përkeqësohet shëndeti, kur vuajmë nga sëmundje kronike ose depresioni. Gjithsesi, Jezu Krishti, «i lumi dhe i vetmi i Pushtetshëm», ndiente kënaqësi kur i ngushëllonte njerëzit dhe i bënte të lumtur. (1 Tim. 6:15; Mat. 11:28-30) Në Predikimin në Mal, Jezui veçoi disa cilësi që na ndihmojnë të jemi të lumtur pavarësisht nga sprovat e dhimbshme në botën e Satanait. w18.09 17-18 ¶1-3
E shtunë, 14 nëntor
Mos bëni prerje në trup dhe mos i rruani vetullat për një të vdekur.—Ligj. 14:1.
Të heqësh dorë nga zakonet dhe traditat që bien ndesh me Shkrimet, mund të jetë një nga çmimet më të vështira që duhen paguar për të vërtetën. (Prov. 23:23) Edhe pse disave mund t’u duket e lehtë ta pranojnë bazën biblike pse duhen braktisur këto tradita, të tjerë mund të ngurrojnë ta paguajnë çmimin për shkak të presioneve nga familjarët, shokët e punës dhe miqtë e afërt. Situata mund të tensionohet, sidomos nëse një zakon përfshin rite për të nderuar të afërmit e vdekur. Shembulli i guximshëm i të tjerëve mund të na ndihmojë të bëjmë ndryshimet e nevojshme. Çfarë bënë besimtarët e rinj të krishterë në Efes që ishin marrë me magji, për t’i flakur tej ato praktika që binin ndesh me Shkrimet e për të blerë të vërtetën? Bibla shpjegon: «Ata . . . i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve. Kur llogaritën çmimin e tërë librave, doli se vlenin pesëdhjetë mijë monedha argjendi.» (Vep. 19:19, 20) Të krishterët besnikë bënë atë sakrificë që u kushtoi shtrenjtë dhe fituan bekime që s’kanë të çmuar. w18.11 7 ¶15-16
E diel, 15 nëntor
Kur përfunduan rrethprerjen e tërë kombit, populli qëndroi atje ku kishte ngritur kampin, derisa burrat morën veten.—Jos. 5:8.
Pak pasi Izraeli kaloi Jordanin, Josiu takoi një burrë me shpatë në dorë. Ishte pikërisht ‘princi [kreu, shën.] i ushtrisë së Jehovait’, që ishte gati të mbronte popullin e Perëndisë. (Jos. 5:13-15) Ai Udhëheqës engjëllor i dha Josiut udhëzime të qarta se si ta pushtonte qytetin e Jerikosë. Në fillim, disa udhëzime mund të mos jenë dukur një strategji e mirë. Për shembull, Jehovai urdhëroi të rrethpriteshin të gjithë burrat, e si pasojë ata do të ishin të pamundur për disa ditë. (Zan. 34:24, 25; Jos. 5:2) Ata ushtarë izraelitë që s’mbronin dot veten, ka shumë mundësi që vritnin mendjen si do ta mbronin familjen e tyre nëse luftëtarët armiq mësynin kampin. Por befas u erdhi lajmi se Jerikoja ishte «krejtësisht e mbyllur nga frika që kishin prej bijve të Izraelit». (Jos. 6:1) Sa shumë duhet t’ua ketë forcuar besimin te drejtimi i Perëndisë kjo kthesë e papritur e ngjarjeve! w18.10 23 ¶5-7
E hënë, 16 nëntor
Ç’bëni kështu? Edhe ne jemi njerëz si ju, me po ato të meta.—Vep. 14:15.
Si mund ta imitojmë përulësinë shembullore të Pavlit? Para së gjithash, duhet t’i rezistojmë çdo tundimi që të presim ose të pranojmë admirim të tepruar për gjërat që i bëjmë me fuqinë e Jehovait. Secili nga ne bën mirë të pyesë veten: «Si i shoh njerëzit të cilëve u predikoj? Mos ndoshta pa e kuptuar kam ende ndaj disave ndonjë paragjykim të përhapur në zonën time?» Sa bukur që Dëshmitarët e Jehovait përqark botës i kanë shqyrtuar territoret e tyre për të kuptuar nëse ka akoma njerëz që mund ta dëgjojnë lajmin e mirë! Hera-herës kjo kërkon të mësojnë gjuhët dhe zakonet e atyre që shoqëria në përgjithësi i ka trajtuar si inferiorë. Dëshmitarët që u predikojnë këtyre njerëzve, nuk duhet ta shohin kurrsesi veten si superiorë. Në vend të kësaj, ata përpiqen të kuptojnë çdo individ, me qëllim që t’i prekin zemrën me mesazhin për Mbretërinë. w18.09 5 ¶9, 11
E martë, 17 nëntor
U ngrit Juda, galileasi dhe tërhoqi pas vetes mjaft njerëz.—Vep. 5:37.
Romakët e ekzekutuan Judën. Përveç Judës dhe ekstremistëve të tjerë, judenjtë e thjeshtë pritnin me zjarr ardhjen e një Mesie politik. Me fjalë të tjera ata pritnin që, kur të shfaqej, Mesia t’i sillte lavdi kombit të tyre dhe liri nga zgjedha romake. (Luka 2:38; 3:15) Shumë veta besonin se Mesia do të vendoste një mbretëri në tokë, në Izrael. Kur të ndodhte kjo, miliona judenj të shpërndarë jashtë vendit do të ktheheshin në atdhe. Sill ndër mend se Gjon Pagëzori një herë e pyeti Jezuin: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?» (Mat. 11:2, 3) Mbase Gjoni donte të dinte nëse gjithë gjërat që shpresonin judenjtë do t’i plotësonte dikush tjetër. Edhe dy dishepujt që takuan Jezuin e ringjallur rrugës për në Emaus, kishin shpresuar nga Mesia gjëra që nuk u realizuan. (Luka 24:21) Pak pas kësaj, apostujt e pyetën Jezuin: «Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?»—Vep. 1:6. w18.06 4 ¶3-4
E mërkurë, 18 nëntor
Naivët i besojnë çdo fjale.—Prov. 14:15.
Duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm kur kemi të bëjmë me informacione për shërbëtorët e Jehovait. Mos harro kurrë se Satanai është paditësi i shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. (Zbul. 12:10) Prandaj, Jezui paralajmëroi se kundërshtarët ‘duke gënjyer do të thoshin çdo lloj gjëje të ligë’ kundër nesh. (Mat. 5:11) Nëse e marrim seriozisht këtë paralajmërim, nuk do të tronditemi kur të dëgjojmë gjëra skandaloze për shërbëtorët e Jehovait. A ke qejf t’u dërgosh email-e dhe mesazhe miqve e të njohurve? Nëse është kështu, mbase ndihesh si një gazetar që dëshiron të raportojë i pari një ngjarje sensacionale, kur sheh diçka që sapo është publikuar në mjetet e informacionit ose kur dëgjon një përvojë. Megjithatë, para se ta dërgosh këtë mesazh ose email, pyet veten: «A jam i sigurt se informacioni që kam ndër mend të përhap është i vërtetë? A i di vërtet faktet?» Nëse nuk je i sigurt, mund të përhapësh pa dashje mes vëllezërve informacione të rreme. Nëse ke ndonjë dyshim, shtyp butonin «fshi», jo butonin «dërgo». w18.08 3 ¶3; 4 ¶6-7
E enjte, 19 nëntor
Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin.—Luka 6:38.
Jezui do që të gjejmë lumturi duke qenë bujarë. Shumë njerëz reagojnë mirë ndaj bujarisë, por jo të gjithë. Ama, kur janë mirënjohës, kjo mund të bëhet shkëndija e një reaksioni zinxhir. Ndaj bëje zakon të japësh, pavarësisht nëse duket se të tjerët e vlerësojnë këtë apo jo. Nuk i dihet kurrë sa të mira mund të sjellë edhe vetëm një gjest bujar nga ana jote. Kush është vërtet bujar, nuk jep për të marrë diçka në këmbim. Jezui kishte ndër mend këtë kur na mësoi: «Kur të shtrosh gosti, fto të varfrit, sakatët, të çalët dhe të verbrit. Atëherë do të jesh i lumtur, sepse ata s’kanë me se të ta shpërblejnë.» (Luka 14:13, 14) Një shkrimtar i frymëzuar i Biblës tha: «Njeriu bujar do të bekohet.» Një tjetër shkroi: «Lum ai që mendon për të varfrin!» (Prov. 22:9; Psal. 41:1) Vërtet, ne duhet të japim sepse gjejmë kënaqësi kur ndihmojmë të tjerët. w18.08 21-22 ¶15-16
E premte, 20 nëntor
Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në aftësinë tënde për të kuptuar. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai do t’i drejtojë shtigjet e tua.—Prov. 3:5, 6.
Sot është një sfidë të mësojmë faktet dhe t’i vlerësojmë saktë ato, për shkak të bollëkut të informacioneve të çala, fjalëve plot me gjysmë të vërteta dhe papërsosmërisë sonë. Çfarë do të na ndihmojë që t’i bëjmë ballë kësaj sfide? Duhet të njohim e të zbatojmë parimet e Biblës. Një nga këto parime thotë se është marrëzi e poshtërim të përgjigjemi për një çështje para se të dëgjojmë faktet. (Prov. 18:13) Një parim tjetër biblik na kujton se nuk duhet t’i besojmë çdo fjale pa e vënë në kandar. (Prov. 14:15) Dhe në fund, pavarësisht sa përvojë kemi në jetën e krishterë, duhet të bëjmë kujdes të mos mbështetemi tek aftësia jonë për të kuptuar. Parimet biblike do të na mbrojnë nëse sigurohemi t’i marrim faktet nga burime të besueshme, që të nxjerrim përfundimet e duhura dhe të marrim vendime të mençura. w18.08 7 ¶19
E shtunë, 21 nëntor
A nuk duhet . . . t’i nënshtrohemi Atit që na drejton në jetë me frymën e tij të shenjtë?—Hebr. 12:9.
Kur pagëzohemi në ujë, pranojmë zyrtarisht dhe publikisht se Jehovai është pronari ynë dhe se jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi. Jezui bëri diçka të ngjashme kur u pagëzua; me atë veprim, ishte sikur i tha Jehovait: «O Perëndia im, s’kam tjetër kënaqësi [s’dëshiroj gjë tjetër, shën.] veç të bëj vullnetin tënd.» (Psal. 40:7, 8) Si reagoi Jehovai kur u pagëzua Jezui? Bibla thotë: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe ai pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi të porsi një pëllumb. Ja! U dëgjua edhe një zë nga qiejt, që tha: ‘Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.’» (Mat. 3:16, 17) Edhe pse Jezui i përkiste tashmë Atit të tij qiellor, Jehovait i gëzoi zemra kur pa gatishmërinë e të Birit për të bërë vetëm vullnetin e Tij. Po njësoj, Jehovai pranon me kënaqësi kushtimin tonë dhe do të na nderojë duke na bekuar.—Psal. 149:4. w18.07 23 ¶4-5
E diel, 22 nëntor
Na duhet të nxjerrim ujë tani nga ky shkrep për ju?!—Num. 20:10.
Ka shumë mundësi që Moisiu ta kishte fjalën për veten dhe Aronin, kur përdori foljen «të nxjerrim» në shumës. Fjalët e Moisiut treguan një mungesë flagrante respekti për Jehovain si Burimi i vërtetë i asaj mrekullie. Këtë arsye të mundshme e vërteton edhe ajo që thotë Psalmi 106:32, 33: «Ata e provokuan [Perëndinë] në ujërat e Meribës, e për faj të tyre e pësoi keq Moisiu. Sepse frymën e tij e hidhëruan e me buzët e tij ai foli pa menduar.» (Num. 27:14) Sido të ketë qenë, veprimet e Moisiut bënë që Jehovai të mos merrte gjithë nderimin që meritonte. Jehovai iu drejtua me këto fjalë Moisiut dhe Aronit: «Ju ngritët krye kundër urdhrit tim.» (Num. 20:24) Çfarë mëkati i rëndë! Më parë Jehovai nuk kishte lejuar një brez të tërë izraelitësh të hynin në vendin e Kananit për shkak të rebelimit të tyre. (Num. 14:26-30, 34) Prandaj ishte me vend dhe koherente që Jehovai të jepte të njëjtin gjykim për Moisiun për shkak të veprimit të tij rebel. Ai nuk u lejua të hynte në Tokën e Premtuar. w18.07 14 ¶9, 12; 15 ¶13
E hënë, 23 nëntor
Më mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh ndonjë gjë që e pengon vëllanë tënd.—Rom. 14:21.
A do të ishe i gatshëm të hiqje dorë nga disa gjëra që janë e drejta jote, në mënyrë që të mos pengosh një vëlla që ka ndërgjegje të ndryshme nga e jotja? Pa dyshim që po. Para se të njihnin të vërtetën, disa nga vëllezërit tanë abuzonin me alkoolin, por tani janë të vendosur të mos vënë asnjë pikë në gojë. Sigurisht, askush nga ne nuk do të donte ta shtynte një vëlla të binte prapë në një ves që do ta dëmtonte rëndë! (1 Kor. 6:9, 10) Prandaj, një mikpritës nuk do të tregonte dashuri nëse një vëlla e ka refuzuar pijen alkoolike dhe ai i bën presion të pijë. Nga fundi i adoleshencës ose në fillim të të 20-ave, Timoteu i ri pranoi të bënte rrethprerjen e dhimbshme, për të mos penguar judenjtë të cilëve do t’u predikonte. Qëndrimi i tij ishte i ngjashëm me atë të apostullit Pavël. (Vep. 16:3; 1 Kor. 9:19-23) A je edhe ti i gatshëm si Timoteu të bësh sakrifica personale për të mirën e të tjerëve? w18.06 18-19 ¶12-13
E martë, 24 nëntor
Do t’ua ndryshoj gjuhën popujve në një gjuhë të kulluar.—Sof. 3:9.
Jehovai i tërheq me butësi njerëzit me zemër të sinqertë drejt adhurimit të vërtetë dhe i lejon të bëhen pjesë e familjes së adhuruesve të tij. (Gjoni 6:44) Kur takon për herë të parë dikë që nuk është në të vërtetën, çfarë di për të? Mbase fare pak, përveç emrit dhe paraqitjes. Nuk ndodh kështu kur takon për herë të parë dikë që njeh dhe që do Jehovain. Edhe nëse ky person vjen nga një vend, fis, kulturë a prejardhje ndryshe nga e jotja, tashmë ti di shumë për të, dhe ai për ty. Për shembull, e njihni menjëherë «gjuhën» e njëri-tjetrit—‘gjuhën e kulluar’ të së vërtetës. Si rrjedhojë, secili prej jush di çfarë beson tjetri për Perëndinë, normat morale dhe shpresën për të ardhmen, sa për të përmendur disa. Dhe këto janë gjërat më të rëndësishme që duhet të dish për dikë, gjërat që forcojnë sigurinë e besimin te tjetri. Gjithashtu, ato përbëjnë themelin e miqësive të shëndetshme dhe jetëgjata. w18.12 21 ¶9-10
E mërkurë, 25 nëntor
Po të mos rrethpriteni . . . , nuk shpëtoni dot.—Vep. 15:1.
Nën drejtimin e Krishtit, trupi udhëheqës e bëri të qartë se nuk ishte e nevojshme që të krishterët jojudenj të rrethpriteshin. (Vep. 15:19, 20) Mirëpo vite pas atij vendimi, shumë besimtarë judenj vazhdonin t’i rrethpritnin fëmijët. Por ndoshta pyesim veten: «Pse lejoi Jezui që ajo çështje të mbetej e pazgjidhur aq gjatë, ndërkohë që vdekja e tij e kishte shfuqizuar Ligjin e Moisiut?» (Kolos. 2:13, 14) Disave u duhet kohë të përshtaten me një kuptueshmëri të qartësuar. Të krishterëve judenj u duhej kohë e mjaftueshme për të ndrequr pikëpamjen e tyre. (Gjoni 16:12) Disa e kishin të vështirë ta pranonin se rrethprerja nuk ishte më shenjë e një marrëdhënieje të veçantë me Perëndinë. (Zan. 17:9-12) Të tjerë, nga frika e përndjekjes, ngurronin të spikatnin si të ndryshëm në komunitetet judeje. (Gal. 6:12) Por, me kalimin e kohës, Krishti siguroi drejtim të mëtejshëm nëpërmjet letrave të frymëzuara që shkroi Pavli.—Rom. 2:28, 29; Gal. 3:23-25. w18.10 24-25 ¶10-12
E enjte, 26 nëntor
Kajafa . . . u kishte sugjeruar judenjve se ishte në dobi të tyre të vdiste një njeri për popullin.—Gjoni 18:14.
Kajafa dërgoi ushtarë për të arrestuar Jezuin në terrin e natës. Jezui ishte në dijeni të asaj strategjie të turpshme, ndaj, gjatë darkës së fundit me apostujt, u kërkoi të merrnin disa shpata. Do të mjaftonin dy shpata që t’u jepte një mësim jetësor. (Luka 22:36-38) Më vonë gjatë asaj nate, Pjetri përdori një shpatë për të sulmuar një pjesëtar të turmës. Pa dyshim, Pjetrit iu ndez zemërimi nga ajo padrejtësi—arrestimi i Jezuit natën. (Gjoni 18:10) Mirëpo Jezui i tha Pjetrit: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mat. 26:52, 53) Ky mësim i fuqishëm ishte në përputhje me lutjen që kish bërë Jezui më herët atë natë: që dishepujt e tij nuk duhet të jenë pjesë e botës. (Gjoni 17:16) Lufta kundër padrejtësive është diçka që duhet lënë në dorë të Perëndisë. Ja pse ne ruajmë paqen dhe unitetin. Sa duhet t’i ngrohet zemra Jehovait kur sheh unitetin që ekziston mes popullit të tij, teksa vëzhgon botën e përçarë!—Sof. 3:17. w18.06 7 ¶13-14, 16
E premte, 27 nëntor
Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi të luftonte me mbetjen e pasardhësit të saj.—Zbul. 12:17.
Përveçse na tundon me karrema të ndryshëm, Satanai përpiqet edhe me anë të presioneve që të bëjmë kompromis me besnikërinë ndaj Jehovait. Për shembull, ai mund të manovrojë qeveritë që të ndalojnë veprën tonë të predikimit. Ose mund t’i shtyjë shokët e punës a të shkollës të na tallin ngaqë duam të jetojmë sipas normave morale të Biblës. (1 Pjet. 4:4) Gjithashtu, mund të ndikojë te familjarët tanë, të nisur nga qëllime të mira, për të na shkurajuar që të mos ndjekim mbledhjet. (Mat. 10:36) Si mund ta përballojmë gjithë këtë? Së pari, duhet ta presim këtë lloj sulmi direkt—Satanai është në luftë me ne. (Zbul. 2:10) Pastaj, duhet të shohim çështjen më të madhe që qëndron pas këtyre sprovave—Satanai pretendon se ne i shërbejmë Jehovait vetëm kur kjo është e volitshme. Ai thotë se, po të jemi nën presion, do t’i kthejmë shpinën Perëndisë. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Së fundi, duhet të mbështetemi te Jehovai për forcë që t’ia dalim. Të mbajmë ndër mend se ai nuk do të na braktisë kurrë.—Hebr. 13:5. w18.05 26 ¶14
E shtunë, 28 nëntor
Nuk e di cila [farë] do të mbijë.—Ekl. 11:6.
Edhe nëse duket sikur mesazhi i Mbretërisë që predikojmë nuk po depërton në zemrat e njerëzve, s’duhet të nënvlerësojmë ndikimin që ka vepra jonë e mbjelljes. Është e vërtetë se shumë veta nuk na dëgjojnë, ama na vëzhgojnë. Ata vërejnë veshjen tonë të pastër e të rregullt, sjelljen e mirë dhe buzëqeshjen e ngrohtë. Me kohë, sjellja jonë mund t’i ndihmojë disa të kuptojnë se tekefundit pikëpamjet e tyre negative për ne nuk qëndrojnë. Serxho dhe Olinda, të dy pionierë, tregojnë: «Ngaqë ishim sëmurë nuk shkuam në shesh për njëfarë kohe. Kur u kthyem, kalimtarët na pyesnin: ‘Çfarë ndodhi? Na munguat.’» Vërtet, për sa kohë që e mbjellim farën e Mbretërisë ‘pa e lënë dorën tonë të pushojë’, japim një kontribut të çmuar në veprën e ‘dëshmisë për të gjitha kombet’. (Mat. 24:14) Mbi të gjitha, ndiejmë gëzim të thellë ngaqë e dimë se kemi miratimin e Jehovait, sepse ai i do të gjithë ata që «japin fryt me qëndrueshmëri»!—Luka 8:15. w18.05 16 ¶16-18
E diel, 29 nëntor
Lëvduar qoftë Perëndia . . . i cili na jep zemër në të gjitha sprovat tona.—2 Kor. 1:3, 4, shën.
Qysh nga koha që njerëzimi mëkatoi dhe u bë i papërsosur, Jehovai ka treguar se është një Perëndi që jep inkurajim. Fill pas rebelimit në Eden, ai u dha pasardhësve që do të vinin nga Adami arsye për të marrë zemër. Falë premtimit profetik të shkruar te Zanafilla 3:15, njerëzimi do të kishte shpresën se me kohë «gjarpri i hershëm», Satana Djalli, dhe gjithë veprat e tij të liga do të shkatërroheshin. (Zbul. 12:9; 1 Gjon. 3:8) Noeja, një shërbëtor i Jehovait, jetonte në një botë të paperëndishme, ku të vetmit njerëz që adhuronin Jehovain ishin pjesëtarët e familjes së tij. Meqë dhuna dhe degjenerimi seksual kishin marrë dhenë përreth tij, Noeja mund të ishte shkurajuar. (Zan. 6:4, 5, 9, 11; Jud. 6) Por Jehovai i tha Noesë se do t’i jepte fund asaj bote të ligë dhe e udhëzoi se çfarë duhej të bënte për t’u siguruar që familja e tij të ishte e mbrojtur. (Zan. 6:13-18) Jehovai tregoi se ishte për Noenë një Perëndi që jepte zemër. w18.04 15 ¶1-2
E hënë, 30 nëntor
Vazhdoni t’i jepni zemër e të forconi njëri-tjetrin, siç edhe po bëni.—1 Sel. 5:11.
Do të ishte gabim po të mendonim se nuk mund t’i inkurajojmë të tjerët ngaqë nuk jemi edhe aq komunikues. Nuk duhet shumë për të qenë burim inkurajimi—mund të mjaftojë thjesht një buzëqeshje e ngrohtë kur përshëndet dikë. Nëse tjetri nuk të buzëqesh, ndoshta ka ndonjë problem, dhe thjesht duke e dëgjuar me vëmendje mund ta ngushëllosh. (Jak. 1:19) Të gjithë ne kemi mundësi t’i japim zemër një vëllai a motre që ka nevojë për ngushëllim. Mbreti Solomon shkroi: «Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është! Shndritja e syve e gëzon zemrën; një lajm i mirë i majm kockat.» (Prov. 15:23, 30) Pavli tregon se edhe këndimi i një kënge Mbretërie së bashku mund të jetë burim inkurajimi. (Vep. 16:25; Kolos. 3:16) Teksa shohim ‘të afrohet’ dita e Jehovait, do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme të inkurajojmë njëri-tjetrin.—Hebr. 10:25. w18.04 23 ¶16; 24 ¶18-19