BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es20 f. 118-128
  • Dhjetor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Dhjetor
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
  • Nëntema
  • E martë, 1 dhjetor
  • E mërkurë, 2 dhjetor
  • E enjte, 3 dhjetor
  • E premte, 4 dhjetor
  • E shtunë, 5 dhjetor
  • E diel, 6 dhjetor
  • E hënë, 7 dhjetor
  • E martë, 8 dhjetor
  • E mërkurë, 9 dhjetor
  • E enjte, 10 dhjetor
  • E premte, 11 dhjetor
  • E shtunë, 12 dhjetor
  • E diel, 13 dhjetor
  • E hënë, 14 dhjetor
  • E martë, 15 dhjetor
  • E mërkurë, 16 dhjetor
  • E enjte, 17 dhjetor
  • E premte, 18 dhjetor
  • E shtunë, 19 dhjetor
  • E diel, 20 dhjetor
  • E hënë, 21 dhjetor
  • E martë, 22 dhjetor
  • E mërkurë, 23 dhjetor
  • E enjte, 24 dhjetor
  • E premte, 25 dhjetor
  • E shtunë, 26 dhjetor
  • E diel, 27 dhjetor
  • E hënë, 28 dhjetor
  • E martë, 29 dhjetor
  • E mërkurë, 30 dhjetor
  • E enjte, 31 dhjetor
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2020
es20 f. 118-128

Dhjetor

E martë, 1 dhjetor

Jezui . . . u prek thellë.—Mar. 6:34.

Një nga aspektet më prekëse të personalitetit të Jezuit, është aftësia për të kuptuar vështirësitë që përballojmë si njerëz të papërsosur. Kur ishte në tokë, Jezui ‘gëzonte me ata që gëzonin’ dhe ‘qante me ata që qanin’. (Rom. 12:15) Për shembull, kur 70 dishepujt u kthyen tërë gëzim pas një fushate të suksesshme predikimi, edhe Jezui «u mbush me gëzim». (Luka 10:17-21) Në krahun tjetër, kur pa sa të pikëlluar ishin nga vdekja e Lazarit njerëzit e tij të dashur, Jezui «rënkoi në frymë dhe u trazua». (Gjoni 11:33) Çfarë e ndihmonte atë njeri të përsosur të ishte aq i mëshirshëm e i dhembshur me njerëzit mëkatarë? Para së gjithash, Jezui i donte njerëzit. Ai ‘i kishte veçanërisht për zemër bijtë e njerëzve’. (Prov. 8:31) Kjo dashuri për njerëzit e shtynte të njihte me hollësi mënyrën si mendon njeriu. Siç thotë apostulli Gjon, ai ‘e dinte se si ishin nga brenda’ njerëzit.—Gjoni 2:25. w19.03 20 ¶1-2

E mërkurë, 2 dhjetor

Provo . . . t’i prekësh çdo gjë që ka, e ke për të parë po nuk të mallkoi sy më sy.—Jobi 1:11.

Satanai sulmoi zotërimet e Jobit duke i grabitur pasurinë, shërbëtorët dhe reputacionin e mirë. Sulmoi familjen e Jobit duke u grabitur jetën dhjetë fëmijëve të tij të shtrenjtë. Pastaj, sulmoi vetë Jobin duke i grabitur shëndetin dhe e goditi me çibanë të dhimbshëm nga koka te këmbët. Gruaja e Jobit, e tronditur dhe e dërrmuar nga hidhërimi, e nxiti të dorëzohej, të mallkonte Perëndinë e të vdiste. Edhe vetë Jobi donte të vdiste, por prapë e mbajti integritetin. Pastaj Satanai provoi një taktikë tjetër sulmi. Përdori tre shokë të Jobit. Ata ndenjën me Jobin për ditë të tëra, por nuk e ngushëlluan aspak. Përkundrazi, në mënyrë të pashpirt i bënë moral dhe e qortuan ashpër. Ata nënkuptuan se hallet po ia shkaktonte Perëndia dhe se Atij s’i bëhej vonë për integritetin e Jobit. Madje lanë të kuptohej se Jobi ishte njeri i lig që i kishte hak tmerret që po i ndodhnin.—Jobi 1:13-22; 2:7-11; 15:4, 5; 22:3-6; 25:4-6. w19.02 4 ¶7-8

E enjte, 3 dhjetor

Frika nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë.​—Psal. 111:10, shën.

Disa lloje frike janë të dobishme. Për shembull, duhet të kemi një frikë të shëndetshme se mos mërzitim Jehovain. Sikur të kishin zhvilluar këtë lloj frike, Adami dhe Eva s’do të ishin rebeluar kundër Jehovait. Por ata u rebeluan. Pas kësaj, iu hapën sytë, në kuptimin që u bënë plotësisht të vetëdijshëm se ishin mëkatarë. Ata mund t’u trashëgonin fëmijëve të tyre vetëm mëkatin e vdekjen. Ngaqë mund ta shihnin, ose ta kuptonin, gjendjen e tyre, u erdhi turp që ishin lakuriq dhe u mbuluan. (Zan. 3:7, 21) Ndërkohë që duhet të kemi frikën e shëndetshme se mos mërzitim Jehovain, nuk ka pse të kemi frikë të sëmurë nga vdekja. Jehovai ka siguruar një mënyrë që të fitojmë jetën e pafund. Nëse bëjmë ndonjë mëkat por pendohemi nga zemra, Jehovai do të na i falë gabimet. Ai do të na falë për shkak të besimit tonë te flijimi shpërblyes i Birit të tij. Një mënyrë kryesore si e tregojmë besimin, është duke ia kushtuar jetën Perëndisë e duke u pagëzuar.—1 Pjet. 3:21. w19.03 5-6 ¶12-13

E premte, 4 dhjetor

Prej tyre nuk kishte mbetur asnjë përveç Kalebit, birit të Jefunehut, dhe Josiut, birit të Nunit.—Num. 26:65.

Izraelitët kishin shumë arsye për të treguar çmueshmëri. Ata u çliruan nga skllavëria pasi Jehovai e goditi Egjiptin me Dhjetë Plagë. Pastaj Perëndia i shpëtoi nga katastrofa duke shfarosur gjithë ushtrinë egjiptiane në Detin e Kuq. Izraelitët ishin aq mirënjohës, sa e lëvduan Jehovain me një këngë fitoreje. Por, a mbetën mirënjohës? Kur hasën sfida të reja, izraelitët i harruan shpejt gjithë të mirat që kishte bërë Jehovai për ta. Pastaj e treguan sheshit mungesën e çmueshmërisë. (Psal. 106:7) Si? «Tërë asambleja e bijve të Izraelit nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aronit»—por në realitet, murmuritën kundër Jehovait. (Eks. 16:2, 8) Ai u zhgënjye nga qëndrimi mosmirënjohës që shfaqi populli i tij. Më vonë, Jehovai paratha se tërë ai brez izraelitësh do të merrte fund në shkretëtirë, me përjashtim të Josiut dhe Kalebit.—Num. 14:22-24. w19.02 17 ¶12-13

E shtunë, 5 dhjetor

Jam me natyrë të butë e i përulur në zemër.—Mat. 11:29.

Jezui nuk tërhoqi vëmendje të papërshtatshme te vetja duke kërkuar që vdekja e tij të përkujtohej me një ceremoni të stërholluar. Përkundrazi, u tha dishepujve se një herë në vit duhej ta kujtonin me anë të një darke të thjeshtë. (Gjoni 13:15; 1 Kor. 11:23-25) Ajo darkë e thjeshtë, por e përshtatshme, tregonte se Jezui nuk ishte krenar. Jemi të lumtur që përulësia është një nga cilësitë mbresëlënëse të Mbretit tonë qiellor. (Filip. 2:5-8) Si mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit? Duke vënë interesat e të tjerëve para tonave. (Filip. 2:3, 4) Mendo prapë për natën e fundit të jetës së Jezuit në tokë. Ai e dinte se së shpejti do të pësonte një vdekje të dhimbshme; prapëseprapë, ishte thellësisht i merakosur për apostujt e tij besnikë që pas pak do të ishin të hidhëruar për vdekjen e tij. Ja pse e kaloi natën e fundit duke i mësuar, duke i inkurajuar e duke u dhënë siguri. (Gjoni 14:25-31) Me përulësi, Jezui tregoi më shumë merak për mirëqenien e të tjerëve se për veten. Çfarë shembulli të shkëlqyer na la! w19.01 21 ¶5-6

E diel, 6 dhjetor

O Jehova, të lutem, gjej ëndje në flijimet e mia të lëvdimit.​—Psal. 119:108.

A të bëhet një si lëmsh në stomak qoftë edhe nga mendimi që të ngresh dorën për të komentuar? Nëse po, nuk je i vetmi. E vërteta është se shumica prej nesh ndiejmë njëfarë frike kur komentojmë. Në fakt, një frikë e tillë mund të jetë shenjë e mirë. Ajo tregon se je i përulur dhe se i sheh të tjerët si më të lartë se veten. Jehovai e do këtë cilësi. (Psal. 138:6; Filip. 2:3) Por, Jehovai dëshiron edhe të lëvdosh atë dhe të inkurajosh vëllezërit e motrat në mbledhje. (1 Sel. 5:11) Ai të do dhe ka për të të dhënë guximin që të nevojitet. Mendo për disa përkujtues nga Shkrimet. Bibla pohon se të gjithë gabojmë në atë që themi dhe në mënyrën si e themi. (Jak. 3:2) Jehovai nuk pret të jemi të përsosur, dhe as vëllezërit e motrat nuk e presin këtë. (Psal. 103:12-14) Ata janë familja jonë dhe na duan. (Mar. 10:29, 30; Gjoni 13:35) E kuptojnë se ndonjëherë komentet tona nuk dalin fiks siç do të donim. w19.01 8 ¶3; 10-11 ¶10-11

E hënë, 7 dhjetor

Kujtoje . . . Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate.—Ekl. 12:1.

Në botën e sotme, kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Ama, nuk është aspak e pamundur. Jehovai dëshiron që të gëzoni një jetë vërtet të suksesshme e të bukur. Me ndihmën e Perëndisë, mund të kesh sukses, jo vetëm në rini, por gjatë gjithë jetës. Për ta ilustruar, të ndalemi te një mësim që mund të nxjerrim nga pushtimi i Tokës së Premtuar prej izraelitëve. Kur izraelitët iu afruan Tokës së Premtuar, Perëndia nuk i urdhëroi të zhvillonin aftësitë ushtarake ose të stërviteshin për luftë. (Ligj. 28:1, 2) Në vend të kësaj, u tha se duhej t’u bindeshin urdhrave të tij dhe të kishin besim tek ai. (Jos. 1:7-9) Nga pikëpamja njerëzore, kjo këshillë do të jetë dukur pa kuptim. Por ajo ishte këshillë e shkëlqyer, sepse Jehovai u dha fitore njëra pas tjetrës kundër kananitëve. (Jos. 24:11-13) Po, bindja ndaj Perëndisë kërkon besim, ama ky besim çon gjithmonë në sukses. Kjo e vërtetë nuk ndryshon me kalimin e kohës. Ajo vlen po njësoj edhe sot. w18.12 25 ¶3-4

E martë, 8 dhjetor

Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë që të çojnë në jetën e përhershme.—Gjoni 6:68.

Disa sot janë penguar nga kuptueshmëria e përditësuar e një fragmenti biblik. Të tjerë kanë marrë anën e apostatëve e të kundërshtarëve të tjerë që shtrembërojnë bindjet tona. Si pasojë, disa kanë filluar ‘të largohen’ me dashje nga Jehovai dhe nga kongregacioni. (Hebr. 3:12-14) Sa më mirë do të kish qenë sikur ta kishin ruajtur besimin dhe ta kishin mbajtur të fortë sigurinë te Jezui, siç bëri apostulli Pjetër! Të tjerë e kanë lënë avash-avash të vërtetën, ndoshta pa e vënë re fare se ç’po ndodhte. Dikush që e lë dalëngadalë të vërtetën, është si një varkë që ikën avash-avash larg bregut. Këtë ndryshim të ngadaltë Bibla e përshkruan me fjalët ‘të merr rryma’. (Hebr. 2:1) Ndryshe nga dikush që largohet me dashje nga e vërteta, një njeri që e merr rryma nuk e bën këtë qëllimisht. Gjithsesi, ai e dëmton marrëdhënien me Jehovain dhe rrezikon ta humbasë. w18.11 9 ¶5-6

E mërkurë, 9 dhjetor

Populli yt do të ofrohet vullnetarisht.—Psal. 110:3.

A dëshiron të stërvitesh akoma më shumë që të jesh më i përgatitur për të kryer shërbimin tënd të shenjtë? Nëse po, mund të kualifikohesh për të ndjekur Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Në këtë shkollë stërviten gra e burra të pjekur që shërbejnë në kohë të plotë, me qëllim që të përdoren më plotësisht nga organizata e Jehovait. Ata që bëjnë kërkesën për të ndjekur këtë shkollë duhet të jenë të gatshëm të pranojnë çfarëdo caktimi kur të diplomohen. A dëshiron ta shfrytëzosh këtë mundësi për të synuar privilegje të mëtejshme shërbimi? (1 Kor. 9:23) Si shërbëtorë të Jehovait, ndihemi të nxitur të jemi bujarë—cilësi që pasqyron mirësi, dashamirësi e dashuri—dhe të interesohemi për të tjerët çdo ditë. Kur veprojmë kështu, mbushemi me gëzim, paqe dhe lumturi. (Gal. 5:22, 23) Çfarëdo rrethanash të kesh në jetë, mund të gjesh gëzim duke imituar personalitetin bujar të Jehovait dhe duke qenë një nga bashkëpunëtorët e tij të çmuar!—Prov. 3:9, 10. w18.08 27 ¶16-18

E enjte, 10 dhjetor

Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.—Mat. 19:6.

Disa mund të pyesin: «A ka vallë ndonjë bazë që një i krishterë të divorcohet e të rimartohet?» Ja si e shprehu Jezui pikëpamjen e tij për divorcin: «Kushdo që divorcohet nga gruaja dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje dhe shkel të drejtat e saj. Edhe gruaja, nëse martohet me një tjetër, pasi divorcohet nga burri, kryen kurorëshkelje.» (Mar. 10:11, 12; Luka 16:18) Është e qartë, pra, se Jezui e nderonte martesën dhe donte që edhe të tjerët ta nderonin. Një burrë që divorconte gruan e tij besnike (ose një grua, burrin e saj besnik) duke nxjerrë ndonjë pretekst dhe martohej me një tjetër, kryente kurorëshkelje. Është kështu sepse divorci në vetvete nuk i jep fund martesës. Në sytë e Perëndisë, ata të dy janë ende «një mish i vetëm». Veç kësaj, Jezui tha se në qoftë se një burrë divorconte gruan e tij të pafajshme, do ta vinte para rrezikut që ajo të kryente kurorëshkelje. Pse? Në ato kohë, një grua e divorcuar mund të ndihej e detyruar të rimartohej për të pasur mbështetje ekonomike. Një rimartesë e tillë do të ishte kurorëshkelje. w18.12 11 ¶8-9

E premte, 11 dhjetor

Nga vendroja ime nuk do të lëviz.—Hab. 2:1.

Biseda që bëri me Jehovain ia qetësoi zemrën Habakukut. Prandaj ishte i vendosur të vazhdonte të priste me besim që Jehovai të vepronte. Ky nuk ishte një reagim impulsiv, sepse ai u tregua përsëri i vendosur kur tha më vonë se ‘do ta priste me qetësi ditën e vuajtjes’. (Hab. 3:16) Çfarë mësojmë nga vendosmëria e Habakukut? Së pari, nuk duhet t’i ndalim kurrë lutjet që i bëjmë Jehovait, çfarëdo sprove të na bjerë. Së dyti, duhet të dëgjojmë atë që na thotë Jehovai me anë të Fjalës dhe organizatës së tij. Së treti, duhet të presim me durim Jehovain, me besim të plotë se do të na çlirojë nga dhimbjet në kohën që vendos ai. Nëse vazhdojmë të flasim si miq të ngushtë me Jehovain dhe ta dëgjojmë duke ndenjur në pritje, siç bëri Habakuku, edhe ne do të kemi një zemër të qetë që do të na ndihmojë të tregojmë qëndrueshmëri. Shpresa jonë do të na forcojë durimin, e kjo do të na ndihmojë të gëzojmë pavarësisht vështirësive që mund të hasim. Shpresa na jep sigurinë se Ati ynë qiellor do të veprojë.—Rom. 12:12. w18.11 15-16 ¶11-12

E shtunë, 12 dhjetor

Gratë të stolisen me veshje të përshtatshme, me modesti e mendje të shëndoshë.—1 Tim. 2:9.

Cila është pikëpamja e Perëndisë për dikë që pengon të tjerët? Jezui tha: «Për këdo që pengon një nga këta të vegjël që besojnë, do të ishte shumë më mirë të vinte rreth qafës një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar, e të hidhej në det.» (Mar. 9:42) Çfarë ndjenjash të forta përcjellin këto fjalë! E meqë Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij, mund të jemi të sigurt se edhe Jehovai ndihet njësoj; ai është tepër i pakënaqur kur dikush nuk do t’ia dijë nëse me veprimet e tij pengon një nga dishepujt e Jezuit. (Gjoni 14:9) A kemi edhe ne pikëpamjen e Jehovait dhe të Jezuit? A e kemi bërë tonën këtë pikëpamje? Çfarë tregojnë veprimet tona? Për shembull, ta zëmë se na pëlqen një stil i caktuar për veshjen a paraqitjen që ka shumë mundësi t’i bezdisë disa në kongregacion ose që fare kollaj mund të ndezë pasione në mendjen e të tjerëve. A do të fitojë meraku ynë i dashur për bashkëbesimtarët mbi preferencat personale për veshjen a paraqitjen? w18.11 25 ¶9-10

E diel, 13 dhjetor

Satanai ia ktheu Jehovait: «Kot ka frikë Jobi nga Perëndia?! . . . Provo njëherë të zgjatësh dorën e t’i prekësh çdo gjë që ka, e ke për të parë po nuk të mallkoi sy më sy.»—Jobi 1:9, 11.

Pse integriteti është kaq jetësor për secilin prej nesh? Ti ke nevojë për integritet, sepse Satanai ka sfiduar Jehovain dhe të ka sfiduar edhe ty. Ai engjëll rebel hodhi baltë mbi emrin e mirë të Jehovait duke nënkuptuar se Ai është një Sovran i keq, egoist dhe mashtrues. Mjerisht, Adami dhe Eva morën anën e Satanait dhe u rebeluan kundër Jehovait. (Zan. 3:1-6) Jeta në Eden u kishte dhënë mundësi pa fund që të forconin dashurinë për Jehovain. Por në kohën kur Satanai ngriti sfidën, dashuria e tyre nuk ishte e plotë, me gjithë zemër ose pa mangësi. U ngrit edhe një çështje tjetër: a do t’i qëndronte besnik ndonjë njeri Perëndisë Jehova nga dashuria për të? Me fjalë të tjera, a janë të aftë njerëzit të tregojnë integritet? Kjo çështje u ngrit në rastin e Jobit. (Jobi 1:8-11) Ashtu si ne, ai ishte i papërsosur. Bënte gabime. Por Jehovai e donte Jobin për integritetin e tij. w19.02 3-4 ¶6-7

E hënë, 14 dhjetor

Ai . . . shiti menjëherë gjithçka që kishte dhe e bleu.—Mat. 13:46.

Për të treguar sa e vyer është e vërteta e Mbretërisë së Perëndisë për ata që e gjejnë, Jezui foli për një tregtar shëtitës që po kërkonte margaritarë të shkëlqyer. Ai e gjeti një. Në fakt, ai margaritar kishte vlerë aq të madhe, sa tregtari «shiti menjëherë» gjithçka që kishte për ta blerë. (Mat. 13:45, 46) Po njësoj, e vërteta që gjetëm—e vërteta për Mbretërinë e Perëndisë dhe gjithë të vërtetat e tjera të vyera që mësuam nga Fjala e Perëndisë—ka vlerë kaq të madhe për ne, sa bëmë menjëherë dhe me gatishmëri sakrificat e nevojshme për ta fituar. Për sa kohë të vazhdojmë ta çmojmë të vërtetën, ‘nuk do ta shesim’ kurrë. (Prov. 23:23) Por mjerisht, disa nga populli i Perëndisë kanë harruar sa e vyer është e vërteta që fituan—dhe madje e kanë shitur atë. Mos na ndodhtë kurrë kjo! Që të tregojmë se e çmojmë thellë të vërtetën dhe se nuk do ta shisnim kurrë, duhet t’i vëmë veshin këshillës së Biblës që ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’. (3 Gjon. 2-4) Të ecim në të vërtetën përfshin të jetojmë në përputhje me të—t’i japim përparësi në jetë dhe të sillemi në harmoni me të. w18.11 9 ¶3

E martë, 15 dhjetor

Me anë të besimit, muret e Jerikosë u rrëzuan, pasi populli kishte marshuar rreth e qark për shtatë ditë.—Hebr. 11:30.

Izraelitët morën urdhrin të mos e sulmonin Jerikonë, por të marshonin rreth e qark qytetit një herë në ditë për gjashtë ditë dhe shtatë herë ditën e shtatë. Disa ushtarë mbase kanë menduar: «Gjithë kjo kohë dhe energji të harxhuara kot!» Ama, Udhëheqësi i padukshëm i Izraelit e dinte për bukuri ç’po bënte. Strategjia e Jehovait jo vetëm u forcoi besimin izraelitëve, por edhe i kurseu nga një luftë ballore me ushtarët e fuqishëm të Jerikosë. (Jos. 6:2-5) Ç’mund të mësojmë nga ky tregim biblik? Hera-herës mund të mos i kuptojmë plotësisht arsyet e iniciativave të reja që ndërmerr organizata. Për shembull, në fillim ndoshta e shihnim me dyshim përdorimin e pajisjeve elektronike për studim personal, në shërbim dhe në mbledhje. Tani ka shumë të ngjarë që e kuptojmë sa e dobishme është t’i përdorim këto pajisje, nëse është e mundur. Kur shohim rezultatet pozitive të këtyre përmirësimeve, pavarësisht nga çdo dyshim që mund të kemi pasur, na forcohet besimi dhe uniteti. w18.10 23 ¶8-9

E mërkurë, 16 dhjetor

Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?​—Vep. 1:6.

Pyetja që dishepujt i bënë Jezuit tregon një prej gjërave që pritej nga Mesia. Ja pse banorët e Galilesë donin që Jezui të bëhej mbreti i tyre. Mund ta përfytyrojmë se ata mendonin që Jezui do të ishte një udhëheqës ideal. Ai ishte orator i shkëlqyer; mund të shëronte të sëmurët; madje mund të siguronte ushqim për të uriturit. Pasi ushqeu 5.000 burra, Jezui e kuptoi çfarë donin ata. «Duke e ditur se pas pak do të vinin që ta kapnin për ta bërë mbret, Jezui iku përsëri krejt i vetëm në mal.» (Gjoni 6:10-15) Të nesërmen, në anën tjetër të detit të Galilesë, entuziazmi mund të ishte venitur disi. Atëherë Jezui i shpjegoi turmës cili ishte në të vërtetë thelbi i veprës së tij. Ai kishte ardhur t’i plotësonte kombit nevojën që të afrohej me Perëndinë, jo nevojat materiale. Jezui u tha: «Mos punoni për ushqimin që prishet, por për atë që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme.»—Gjoni 6:25-27. w18.06 4 ¶4-5

E enjte, 17 dhjetor

Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin që ende nxjerr tym.—Isa. 42:3.

Jezui i kuptonte ndjenjat e atyre që, në kuptimin e figurshëm, ishin si një kallam i thyer ose si një fitil kandili që gati po shuhej. Prandaj tregonte konsideratë, dashamirësi dhe durim. (Mar. 10:14) Natyrisht, ne s’kemi gjykimin e thellë dhe aftësinë e mësimdhënies së Jezuit. Ama mundemi—dhe duhet—të tregojmë konsideratë për njerëzit në territorin tonë. Kjo përfshin mënyrën si u flasim, kur u flasim dhe sa gjatë u flasim. Sot miliona e miliona veta janë «të keqtrajtuar e të hallakatur» nga biznesmenët, politikanët dhe udhëheqësit fetarë të korruptuar dhe zemërgur. (Mat. 9:36) Për pasojë, shumë janë cinikë e pa asnjë shpresë. Sa e rëndësishme është, pra, të jemi dashamirës e të dhembshur në fjalët që zgjedhim dhe në tonin e zërit! Në fakt, shumë njerëz tërhiqen drejt mesazhit tonë jo vetëm nga njohuria jonë rreth Biblës e nga arsyetimi logjik, por edhe nga interesi i sinqertë që kemi për ta dhe nga sjellja plot konsideratë. w18.09 31-32 ¶13-14

E premte, 18 dhjetor

Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.—Mat. 5:3.

Si ta tregojmë se jemi të vetëdijshëm për këtë nevojë? Duke marrë ushqim të bazuar në Bibël, duke jetuar sipas vlerave e parimeve hyjnore dhe duke i dhënë përparësi adhurimit të Perëndisë së lumtur. Nëse i bëjmë këta hapa, do të jemi gjithnjë e më të lumtur. Veç kësaj do të forcojmë besimin se premtimet e Perëndisë do të plotësohen së shpejti. (Titit 2:13) Ndërtimi i një marrëdhënieje të fortë me Jehovain është jetësor për të qenë të lumtur sot e në përjetësi. Apostulli Pavël shkroi nën frymëzim: «Gëzoni përherë në Zotërinë [Jehovain]. Edhe një herë jua them: gëzoni!» (Filip. 4:4) Për të pasur këtë marrëdhënie të çmuar, duhet të fitojmë mençuri hyjnore. (Prov. 3:13, 18) Mirëpo që të jemi të lumtur sot e përgjithmonë, është jetësore që jo vetëm ta lexojmë Fjalën e Perëndisë, por edhe ta zbatojmë. Edhe Jezui theksoi sa rëndësi ka ta vëmë në praktikë atë që mësojmë kur tha: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.» (Gjoni 13:17; Jak. 1:25) Ky është çelësi për të plotësuar nevojën që kemi për Perëndinë dhe për të qenë të lumtur përgjithmonë. w18.09 18 ¶4-6

E shtunë, 19 dhjetor

Epafrai . . . lutet gjithnjë me zjarr për ju.—Kolos. 4:12.

Epafrai i njihte mirë vëllezërit dhe merakosej thellë për ta. Situata ku ndodhej vetë si ‘shok robërie’ i Pavlit, nuk e bëri të mbyllte sytë para nevojave të të tjerëve. (Fil. 23) Dhe ai bëri diçka për t’i ndihmuar. A nuk është ky tregues i merakut altruist? Lutjet për shërbëtorët e tjerë të Jehovait kanë vërtet forcë, sidomos kur i kujtojmë si individë, ndoshta duke i përmendur me emër. (2 Kor. 1:11; Jak. 5:16) Mendo për cilët mund të lutesh me emër. Ashtu si Epafrai, mjaft vëllezër e motra luten për pjesëtarët e kongregacionit e për familjet që mbajnë një barrë të rëndë përgjegjësie ose që përballen me vendime serioze a tundime. Veç kësaj, bëjmë mirë të kujtojmë ata që u ka rrëmbyer vdekja njerëz të dashur, ata që u kanë mbijetuar katastrofave e luftërave të kohëve të fundit dhe ata që vuajnë nga kriza ekonomike. Është e qartë se ka shumë vëllezër e motra që kanë nevojë për lutjet tona dhe që mund të nxjerrin dobi prej tyre. w18.09 5-6 ¶12-13

E diel, 20 dhjetor

Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.—Vep. 20:35.

Pavli nuk e kishte fjalën vetëm për dhënien e gjërave materiale, por edhe për t’u dhënë inkurajim, drejtim e ndihmë atyre që kanë nevojë. (Vep. 20:31-35) Me fjalët dhe shembullin e tij, apostulli na mësoi të japim nga vetja—nga koha, energjitë, vëmendja dhe dashuria jonë. Edhe studiuesit në fushën e shkencave sociale kanë vërejtur se njerëzit ndihen të lumtur kur japin. Sipas një artikulli, «njerëzit thonë se ndihen jashtëzakonisht më të lumtur pasi bëjnë diçka të dashur për të tjerët». Siç thonë studiuesit, kur ndihmojmë të tjerët ndiejmë se jeta jonë merr «më shumë kuptim e qëllim, . . . sepse kjo plotëson nevojat themelore të njeriut». Prandaj specialistët shpesh u rekomandojnë njerëzve të bëjnë punë vullnetare për të mirën e shëndetit dhe të lumturisë së tyre. Këto zbulime s’janë ndonjë çudi për ata që e pranojnë Biblën si Fjalën e Krijuesit të dashur të njerëzimit, Jehovait.—2 Tim. 3:16, 17. w18.08 22 ¶17-18

E hënë, 21 dhjetor

Mos gjykoni më nga ajo që duket, por gjykoni me drejtësi.—Gjoni 7:24.

Me anë të profecisë së tij për Zotërinë Jezu Krisht, Isaia na ngroh zemrën dhe na siguron. Isaia paratha se Jezui «nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh». Ai «do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi». (Isa. 11:3, 4) Pse na jep zemër kjo? Sepse jetojmë në një botë plot me paragjykime. Të gjithë ne presim me zjarr Gjykatësin e përsosur që nuk do të na gjykojë kurrë nga ajo që duket! Çdo ditë krijojmë opinione për të tjerët. Mirëpo, si njerëz të papërsosur, nuk jemi në gjendje t’i gjykojmë gjërat në mënyrë të përsosur ashtu si Jezui. Ne kemi prirjen të ndikohemi nga ajo që na sheh syri. Megjithatë, kur ishte në tokë, Jezui urdhëroi që të mos gjykojmë «nga ajo që duket», por të gjykojmë «me drejtësi». Është e qartë se Jezui dëshiron të jemi si ai dhe të mos i gjykojmë të tjerët nga ajo që duket. w18.08 8 ¶1-2

E martë, 22 dhjetor

Do të dëgjoni nga pas fjalët: «Kjo është udha. Ecni në të!»​—Isa. 30:21.

Vërtet, nuk e dëgjojmë Perëndinë të na flasë nga qielli. Ama ai na ka siguruar Fjalën e tij të shkruar, Biblën, nëpërmjet së cilës na mëson. Veç kësaj, fryma e Jehovait nxit ‘kujdestarin besnik’ që të vazhdojë t’i furnizojë me ushqim shërbëtorët e tij. (Luka 12:42) Sa i bollshëm është ushqimi besimforcues që marrim në formën e materialeve të shtypura e online, videove dhe botimeve audio! Fjalët e Jehovait, të dokumentuara në Bibël, le të na japin siguri se Ai ka gjithçka nën kontroll dhe se do të zhbëjë çdo dëm që na shkakton Satanai dhe bota e tij e ligë. Qofshim të vendosur ta dëgjojmë me vëmendje zërin e Jehovait! Atëherë do të përballojmë me sukses çfarëdo problemi që hasim tani dhe çdo vështirësi që kemi para. Bibla na kujton: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit.»—Hebr. 10:36. w19.03 13 ¶17-18

E mërkurë, 23 dhjetor

Jehovai i tha Josiut . . . : «Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Prandaj ngrihu bashkë me tërë popullin [dhe] kalo Jordanin.»—Jos. 1:1, 2.

Moisiu e kishte udhëhequr Izraelin për një kohë mjaft të gjatë, prandaj Josiu ndoshta vriste mendjen si do të reagonte populli i Perëndisë ndaj udhëheqjes së tij. (Ligj. 34:8, 10-12) Një vepër biblike referimi komenton për Josiun 1:1, 2: «Si në kohët e lashta, edhe në kohën tonë, një nga periudhat më të rrezikshme për sigurinë e një shteti është kalimi i udhëheqjes nga një palë te tjetra.» Josiu duhet të ketë qenë me të drejtë i frikësuar. Megjithatë, brenda pak ditësh veproi me vendosmëri. (Jos. 1:9-11) Dhe besimi i tij te Perëndia nuk çoi në zhgënjim. Siç tregon Bibla, Jehovai i udhëhoqi vërtet Josiun dhe popullin e Tij, Izraelin, duke përdorur një engjëll si përfaqësues. Është e arsyeshme të mendojmë se ai engjëll ishte Fjala, ose Biri i parëlindur i Perëndisë. (Eks. 23:20-23; Gjoni 1:1) Me ndihmën e Jehovait, Izraeli e përballoi me sukses periudhën e kalimit të udhëheqjes nga Moisiu te Josiu. w18.10 22-23 ¶1-4

E enjte, 24 dhjetor

Një libër kujtimi u shkrua para tij për ata që e nderojnë thellësisht Jehovain.—Mal. 3:16.

Jehovai i njeh ata që i shërbejnë me gatishmëri dhe ua shkruan emrat në ‘librin e tij të kujtimit’. Ta kemi emrin të shkruar në ‘librin e kujtimit’ të Jehovait si populli i tij, sjell disa detyrime. Malakia përmendi në mënyrë specifike se duhet ‘ta nderojmë thellësisht Jehovain dhe të meditojmë për emrin e tij’. Nëse i përkushtohemi dikujt a diçkaje tjetër duke e adhuruar, emri ynë do të fshihet nga libri i jetës i Jehovait. (Eks. 32:33; Psal. 69:28) Prandaj, kushtimi ynë ndaj Jehovait përfshin shumë më tepër se një premtim solemn për të bërë vullnetin e tij dhe për t’u pagëzuar në ujë. Këto veprime zgjatin vetëm pak çaste dhe shpejt bëhen pjesë e së shkuarës. Për të qëndruar në anën e Jehovait si populli i tij, kërkohet të tregojmë vazhdimisht bindje ndaj tij sot e në të ardhmen—gjatë gjithë jetës sonë.—1 Pjet. 4:1, 2. w18.07 23-24 ¶7-9

E premte, 25 dhjetor

Tani që e kemi lënë prapa doktrinën fillestare për Krishtin, le të sulemi drejt pjekurisë.—Hebr. 6:1.

Pjekuria nuk vjen automatikisht. Duhet ‘të sulemi’ drejt saj, domethënë të vazhdojmë të punojmë për këtë. Të përparojmë në pjekuri përfshin të rritemi pareshtur në njohuri dhe gjykim të thellë. Ja pse kemi marrë shpesh inkurajimin që të lexojmë çdo ditë një fragment nga Bibla. (Psal. 1:1-3) A ia ke vënë këtë synim vetes? Falë këtij leximi, mund të fitosh gjykim më të thellë për ligjet dhe parimet e Jehovait e ta kuptosh akoma më thellë Fjalën e Perëndisë. Ligji më i rëndësishëm për të krishterët është ligji i dashurisë. Jezui u tha dishepujve të tij: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, e quajti dashurinë ‘ligji mbretëror’. (Jak. 2:8) Pavli tha: «Dashuria është përmbushja e ligjit.» (Rom. 13:10) Nuk çuditemi që vihet kaq shumë theksi te dashuria, sepse Bibla thotë se «Perëndia është dashuri».—1 Gjon. 4:8. w18.06 19 ¶14-15

E shtunë, 26 dhjetor

Sepse aq shumë ia plasën shpirtin saqë ai foli pa u menduar.​—Psal. 106:33.

Izraelitët provokuan Jehovain, por ai që u mbush me hidhësi ishte Moisiu. Mungesa e vetëkontrollit e shtyu të fliste pa marrë parasysh pasojat. Moisiu lejoi që veprimet e të tjerëve ta shpërqendronin, e kështu nuk i mbajti sytë të fiksuar te Jehovai. Në një incident të mëparshëm Moisiu kishte reaguar siç duhej. (Eks. 7:6) Por, pasi ishte marrë për dekada të tëra me izraelitët rebelë, ka të ngjarë që Moisiu të ndihej i lodhur e i acaruar. Mos ndoshta e kishte mendjen më tepër te ndjenjat e veta, dhe jo si t’i jepte lavdi Jehovait? Nëse një profet besnik si Moisiu mund të shpërqendrohej e të gabonte, edhe neve mund të na ndodhë fare kollaj e njëjta gjë. Ashtu si Moisiu, edhe ne pas pak do të hyjmë në një vend në kuptimin e figurshëm: në botën e re që na ka premtuar Jehovai. (2 Pjet. 3:13) Askush nga ne nuk dëshiron ta humbasë këtë privilegj unik. Veçse, për ta arritur synimin tonë, duhet t’i mbajmë sytë të fiksuar te Jehovai, duke u përpjekur gjithnjë të bëjmë vullnetin e tij.—1 Gjon. 2:17. w18.07 15 ¶14-16

E diel, 27 dhjetor

Ju e mundët të Ligun.​—1 Gjon. 2:14.

Satanai nuk i detyron dot njerëzit të veprojnë kundër vullnetit të tyre. (Jak. 1:14) Nga padija, shumë njerëz veprojnë sipas qëllimit të Satanait. Mirëpo, pasi mësojnë të vërtetën, gjithsecili bën një zgjedhje se kujt do t’i shërbejë. (Vep. 3:17; 17:30) Nëse jemi të vendosur të bëjmë vullnetin e Perëndisë, Satanai nuk bën dot asgjë për të na thyer integritetin. (Jobi 2:3; 27:5) Satanai dhe demonët kanë edhe kufizime të tjera. Për shembull, asgjëkundi në Shkrime nuk tregohet se ata mund të lexojnë mendjen ose të shohin ç’ka në zemër dikush. Shkrimet thonë se vetëm Jehovai dhe Jezui e kanë këtë aftësi. (1 Sam. 16:7; Mar. 2:8) Nëse bëjmë çmos të flasim e të veprojmë në harmoni me vullnetin e Perëndisë, mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do ta lejojë Djallin të na shkaktojë as edhe një dëm të përhershëm. (Psal. 34:7) Ne kemi nevojë ta njohim armikun tonë, por s’ka pse të tmerrohemi nga ai. Me mbështetjen e Jehovait, edhe njerëzit e papërsosur mund ta mposhtin Satanain. Nëse i kundërvihemi, ai do të ikë nga ne.—Jak. 4:7; 1 Pjet. 5:9. w18.05 26 ¶15-17

E hënë, 28 dhjetor

Lërja në dorë Jehovait çdo gjë që bën, dhe planet e tua do të kenë sukses.—Prov. 16:3.

Ta zëmë se po planifikon të shkosh në një qytet të largët për një ngjarje të rëndësishme. Që të arrish atje duhet të bësh një udhëtim të gjatë me autobus. Në stacion ka një mori autobusësh. Ti duhet të hipësh në autobusin që shkon në destinacionin që ke zgjedhur! Po të hipje në një autobus që shkon diku tjetër, do të përfundoje në drejtimin e gabuar. Adoleshentët sot janë në një situatë të ngjashme: i pret një udhëtim i gjatë, jo një udhëtim me autobus, por udhëtimi i jetës. Hera-herës mund të ndihen të çorientuar nga mundësitë dhe vendimet që kanë përpara. Ju të rinj, mund t’ia bëni më të lehtë vetes nëse keni një ide të qartë se ku doni të shkoni në jetë. A do ta përqendroni jetën te dëshira për t’i pëlqyer Jehovait? Kjo nënkupton ta përfshini në të gjitha aspektet e jetës—arsimimi, puna, përgjegjësitë familjare, e kështu me radhë. Nënkupton edhe të punoni për synime që kënaqin Atë. Ju që vazhdoni të përqendroheni te shërbimi i Jehovait, mund të jeni të bindur se ai do t’ju bekojë që ‘planet tuaja të jenë të sigurta’, ose të suksesshme. w18.04 25 ¶1-3

E martë, 29 dhjetor

Oh jo, bija ime! Ç’ma copëtove zemrën! Po të përzë me duart e mia!—Gjyk. 11:35.

Jefteu e mbajti zotimin dhe e dërgoi bijën e tij virgjëreshë në Shiloh që të shërbente në tabernakull për tërë jetën. (Gjyk. 11:30-35) Sado e dhimbshme të ketë qenë kjo për Jefteun, për të bijën që veproi me gatishmëri sipas vendimit të të atit mund të ketë qenë akoma më e dhimbshme. (Gjyk. 11:36, 37) Ajo po hiqte dorë nga e drejta për t’u martuar, për të pasur fëmijë dhe për të ruajtur emrin e trashëgiminë e familjes. Pra ajo kishte nevojë për ngushëllim dhe inkurajim më shumë se kushdo. Tregimi biblik thotë: «Në Izrael u bë zakon që vit për vit bijat e Izraelit të shkonin për të lavdëruar bijën e Jefteut, galaditit, për katër ditë me radhë.» (Gjyk. 11:39, 40) A nuk meritojnë lavdërime dhe inkurajim edhe të krishterët e pamartuar që e përdorin beqarinë për t’u kushtuar më shumë vëmendje ‘gjërave të Zotërisë’?—1 Kor. 7:32-35. w18.04 17 ¶10-11

E mërkurë, 30 dhjetor

Engjëjt . . . nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin ku duhej të qëndronin.—Jud. 6.

Një numër i madh engjëjsh u bashkuan me Satanain në rebelimin e tij. Para Përmbytjes, Satanai joshi të paktën disa prej tyre që të kishin marrëdhënie imorale me bijat e njerëzve. Bibla e zbulon këtë të vërtetë kur e paraqet në mënyrë simbolike dragoin duke tërhequr pas vetes në rebelimin e tij një të tretën e yjeve të qiellit. (Zan. 6:1-4; Zbul. 12:3, 4) Kur braktisën familjen e Perëndisë, këta engjëj e vunë veten nën kontrollin e Satanait. Megjithatë, këta rebelë nuk janë thjesht një turmë ngatërrestarësh. Satanai ka formuar një imitacion të Mbretërisë së Perëndisë, dhe mbret të saj ka bërë veten. Në botën e padukshme, Satanai i ka organizuar demonët në qeveri, u ka dhënë autoritet dhe i ka bërë sundimtarë të botës. (Efes. 6:12) Me anë të organizatës së tij me krijesa të padukshme, Satanai ushtron autoritet mbi gjithë qeveritë njerëzore. w18.05 23 ¶5-6

E enjte, 31 dhjetor

Unë do të lëvdoj Jehovain që më këshillon; edhe natën mendimet e mia më të thella më ndreqin.—Psal. 16:7.

Ndonjëherë Perëndia e shpreh dashurinë e tij ndaj nesh duke na ndrequr, siç bën një baba i dashur. Davidi i mirëpriti këshilla të tilla të përzemërta. Ai meditonte për mendimet e Perëndisë, i bënte të vetat dhe i lejonte ta modelonin. Kur bën të njëjtën gjë me besim, edhe ty do të të shtohet dashuria për Perëndinë dhe dëshira që t’i bindesh. Veç kësaj, do të përparosh e do të bëhesh një i krishterë i pjekur. Një motër që quhet Kristina tha: «Kur bëj kërkime dhe meditoj për atë që lexoj, provoj ndjesinë se Jehovai e shkroi këtë fiks për mua.» Gjithashtu, nuk e ekzagjerojmë po të themi se kur mëson të mendosh si Jehovai do të fitosh njohuri të jashtëzakonshme dhe gjykim të thellë, e kështu do t’i shohësh botën e të ardhmen e saj me syrin e Jehovait. Pse ta jep këtë njohuri dhe gjykim të thellë Perëndia? Sepse dëshiron që të vësh përparësitë e duhura në jetë, të marrësh vendime të mençura dhe ta presësh të ardhmen me siguri të plotë.—Isa. 26:3. w18.12 26 ¶9-10

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo